ALIGERI NË VËSHTRIMIN E MAUROS

Njohja  e personaliteteve të tilla si Domenik Mauro, është një mundësi e mirë për të hedhur një sy edhe te arbëreshët e “anës tjetër”, në rolin dhe ndikimin e tyre në shoqërinë italiane të kohës. Se më se një shekull studimesh kanë lënë të kuptohet se arbëreshi i mirë është ai që ditën bën vjersha malli për mëmëdheun e pushtuar dhe natën sheh ëndrra se më në fund otomanët kanë ikur nga sytë këmbët, ëndrra të cilat edhe ato pastaj i shndërron në vargje.

Rastet si i Mauros kanë interes për të kuptuar se edhe në një periudhë romantike nuk ka shumë vend për romantizëm. Se asgjë nuk ka qenë e lehtë, madje nuk përjashtohet mundësia që mjedisi ku ai u rrit deri në një periudhë të caktuar të ketë patur karakteristikat e një shoqërie të mbyllur e në armiqësi të hapur me mjedisin përrreth, siç del nga shumë burime. Gati të besosh se nëse ruajtja e gjuhës shqipe është diçka me interes, të paktën për albanologët, mbijetesa e saj e gjatë në anën tjetër të Adriatikut ka mundësi të ketë qenë edhe tregues i një simptome shqetësuese, një faktor frenues integrimi, mbylljeje dhe komunikimesh të padeshifrueshme që lehtësonin krijimin e fermentimeve të brendshme të pakontrrolluara (edhe pse nganjëherë është përdorur me sukses edhe për komunikime konspiracionesh politike, siç do të shohim një rast).

Dhe këtu duhet sjellë në dritën që meriton roli i seminarit ortodoks të Palermos dhe më tej i Kolegjit të Shën Adrianit, rol që kurrë nuk do të dimë ta vlerësojmë në masën e duhur. Me italishten e tyre të detyruar dhe gjuhët klasike që kishin në programe ata kanë shërbyer në eksteriorizimin e dekapsulimin e komunitetit shqiptar nëpërmjet elementëve më të mirë që nxorri nga gjiri i vet.

Domenik Mauro ka qenë shok klase me De Radën në Shën Adrian dhe është pikërisht ky që jep të dhënat e para për periudhën e tij më të hershme, se më tej veprimtaria e tij si krijues e studiues, si bashkëluftëtar i Garibaldit dhe si deputet i parlamentit italian, mund të ndiqet më lehtë.

Ka lindur në Shën Mitër në një familje që cilësohet si « antica e nobile », më 13 janar, 1812. (I ati është Angjelo Maria dhe e ëma italiane quhej Carolina Lopes). Siç shihet është dy vjet më i madh se De Rada, por do të qëllojë të jenë shokë klase në kolegjin e sipërpërmendur. Dhe me sa kuptohet nga shënimet e De Radës, kanë qenë rivalë të fortë në klasën e tyre. Më tej, ai del me dhjetra herë në kujtimet e De Radës, por me interes është një shënim i fq. 22 të autobiografisë së tij ku ai tregon se në vitin 1837 Mauro kthehet nga Napoli, (ku ndiqte studimet në fushë të avokatisë) dhe ndërsa takoheshin një herë në javë, ata, duke shëtitur rrugëve të Shën Mitrit, i tregonin njëri-tjetrit krijimet e tyre. Por në këto shënime do të deshëm të ndalemi jo në krijimtarinë letrare (mbetet për një herë tjetër), por për një studim të tij të rëndësishëm mbi veprën e Dante Aligerit, për të cilin po sjellim përmbledhjen e një shkrimi të botuar gati 40 vite më parë.

Ndërkohë që vazhdonte studimet e avokatisë D. Mauro mori kurse private për klasikët italianë si V. Alfieri e U. Foscolo-s por ndoqi ligjërata edhe për filozofë të tilë si G. B. Vico. Jeta e tij më tej do të komplikohet si pasojë e veprimtarisë konspirative antiburbonike, por megjithatë ai do të gjente kohë të botonte në Napoli më 1840 librin Allegorie e bellezze della Divina Commedia, ku përqëndrohet të komentojë Ferrin në një vështrim krejt të vetin, që do ta shtyjë G. Inziarin të shkruajë më pas te Enciklopedia danteske se ai studim shënoi ardhjen e “dantistit më interesant kalabrez të periudhës romantike” (fq. 757), i cili gjithnjë sipas tij, synonte të shquante brenda konceptit fetar e poetik, apo në shkrirjen e ideales dhe reales, elementët që i jepnin unitetin artistik poemës.

Një ide e tillë që u vlerësua nga kritiku më i madh italian i kohës, F. De Sanctis (pa dyshim edhe njohësi më i mirë i Dantes në të gjithë kohërat), Mauro e rimori dhe e shtriu më pas në të gjithë poemën, gjë që do t’ia paraqesë lexuesit në një botim të dytë më 1862 me titullin Concetto e forma della Divina Commedia. Më pas ai do të thotë se kurrë nuk e kishte pritur suksesin e studimit të hershëm në radhët e rinisë italiane që ishte mësuar me komente të një natyre tjetër dhe se ishte një gjë e tillë që e shtyu të ndërmarrë zgjerimn e veprës dhe ribotimin e saj*.  

Për t’i vendosur në një kontekst më të qartë këto shënime, shtoj se studimet dhe analizat e veprës së Aligerit nuk kanë munguar në çdo kohë. Madje fillojnë që me të birin e poetit, vazhdojnë me Bokaçion i cili me porosi të komunës së Firences u ngarkua të shkruajë biografinë e poetit të madh (të cilin ajo vetë, sa qe gjallë e kishte dënuar tre herë me vdekje), por gjykime për të kanë dhënë edhe humanistë dhe iluministë të shquar. Ndërkohë nuk kanë munguar edhe cilësime si ato të Volterit që e quajti veprën e tij si “hallakatje poetike barbare”. Niçeja do të shkojë më tej duke e cilësuar Aligerin si “hijenë poetike të varreve”, por nuk mungonin edhe ata që thonin se shekulli për t’u kuptuar Dantja ende nuk ka ardhur.

Por sa vetë e kanë njohur në thellësi veprën e tij dhe kishin kartat e duhura për të folur për të? Vetë V. Alfieri diku thotë se “edhe pse sot flitet aq shumë për Danten, unë jam i bindur se veprën e tij nuk e kanë lexuar deri në fund as tridhjetë vetë”. Për rastin për të cilin po flasim, për atë të D. Mauros pra, jemi të sigurtë se nuk ka ndodhur kështu. Autorë të ndryshëm kanë lënë shënime se që në rini të tij, ai recitonte përmendesh pjesë të ndryshme të Komedisë Hyjnore, për të u fliste të rinjve gjatë çasteve të armëpushimit në vazhdën e betejave te Garibaldit për bashkimin e Italisë. Dhe ajo që sjellin në vemëndje studiues të ndryshëm është se interpretimi që i bën Ferrit në fillimet e tij nuk duhet parë i shkëputur nga veprimtaria e tij politike.

E vërteta është se tamam në atë preiudhë studimet danteske marrin një zhvillim të madh dhe pak vend mbetej për të sjellë gjëra të reja. Pa folur për Le Chiose (komentet, interpretimet) e Gioberti-t, për të cilat ka që mendojnë se Mauro nuk i kishte njohur, të diskutuara shumë ishin studimet e juristit N. Nicolini-t dhe sidomos Commento analitico della Divina Commedia, (1826) i G. Rossetti-t. Në këtë vepër, por edhe në një tjetër të vitit 1842 Rossetti këmbëngul në ekzistencën e një gjuhe të fshehtë dhe konvencionale që i përket një sekti antipapal të quajtur I fedeli del amore, në të cilën do të kishte marrë pjesë edhe vetë Dantja. Për të, vepra e Dantes synonte një reformë politiko-ekleziastike dhe Beatriçja vetë personifikonte autoritetin antipapal.

Në parathënien e librit të tij, që duhet thënë se pati një shpërndarje të madhe në Itali dhe jashtë saj, Mauro pohon se e gjen të drejtë konceptin e alegorisë si mjet për shqyrtimin e tërësisë së unitetit artistik të veprës, por shton menjëherë se me Rossetti-in nuk është në një mëndje me interpretimin historik të Komedisë dhe vështrimn e saj thjesht në një plan satirik (Mauro njeh praninë e satirës, por me vlerë gati të papërfillshme), ndërsa mendon se N. Nicolini gaboi kur kërkoi të identifikojë e reduktojë unitetin artistik të poemës me një koncept të njohur filozofik (atë të G. B. Vico-s) e për pasojë ta shohë satirën politike të lidhur me ngjarjet e kohës. Dhe kjo ndërkohë që diku në fq. 235 të veprës së tij thotë se edhe kur Nicolini e sheh Ferrin si shprehje të shoqërisë së korruptuar të kohës, saktëson se një gjë të tillë “e kam thënë unë vetë që në botimin e vitit 1840”.

Por në këtë botim, për mendimin tim me vlerë të veçantë janë vështrimet e tij krahasuese me Ferrin e paraqitur në poemat e T. Tasso-s dhe J. Milton-it, ku ai këmbëngul në vizionin kritik të Dantes mbi tërësinë e shoqërisë njerzore (ndërkohë që dy të parët kufizohen në rrethanat e krishtërimit).

Mauro më vonë do të thotë se “ajo që më dha çelësin për të kuptuar Poemën e shenjtë, ishte Mesjeta, dhe feja e krishterë. Në to zbulova format e reja dhe mendimin e ri të pozisë së Dantes”. Por kjo nuk do të thotë se ai mbështetet shumë në interpretimin fetar të poemës. Përkundrazi. Duke folur për komentatorët parardhës Mauro thotë se atyre “u mungonte një konceptim mjaftueshëm i gjërë i mjeshtrisë së poemës e prandaj merren ca si shumë me interpretimin e saj teologjik”.

Nga ana e tij në konceptin fetar, moral e politik të marra së bashku, ai kërkonte shprehinë universale të veprës dhe tek alegoritë e saj ai sheh sekretin për të rrokur thelbin dhe unitetin artistik të poemës. Për të alegoritë janë gjuha shprehëse tipike e Dantes, janë element i artit të tij, janë “bukuri e pastër poetike”, koncept ky që sipas Inziari-t do të paraprijë shprehjen e famëshme (mjaft e njohur në studimet danteske) të T. Eliotit “imazhe të pastra vizive”.

Për të kuptuar mendimin e kohës për veprën studimore të Mauros mbi Danten, ndihmon së tepërmi edhe te reçenca e cilësuar si “magjistrale” qe veprës së tij ia bëri poeti Vincenso Padula (që nga ana tjetër do t’i kushtojë Mauros edhe novelën e tij kalabreze në vjersha Il Monastero di Sambucina)

Personalisht vlerësoj shumë edhe mënyrën se si ai analizon vetë personin e Dantes brenda poemës, si një personazh i saj e mbi të gjitha evoluimin që pëson Poeti duke kaluar nga rrethi në rreth. Duke përshkruar kalimin e tij në Purgator, ai thotë se aty atij nuk i mjafton më shoqërimi i Virgjilit, që e ka ndihmuar të kuptojë të keqen, por ka nevojë për Katonin, që i jep çelsin për të kuptuar të mirën. Edhe pse nuk pretendoj se kam lexuar gjithçka për këtë subjekt, nuk ruaj në kujtesë ndonjë rast tjetër që të ketë trajtuar këtë anë të Komedisë Hyjnore. Duhet të ndihesh mjaft i sigurtë te vetja dhe te bagazhi i njohurive që zoteron për t’i hyrë një ndërmarrjeje të tillë.

Ashtu siç ishte mësuar dhe interpretonte konceptin e lirisë në veprat e poetëve të madhenj, Mauro është konseguent edhe në veprimtarinë e tij politike.

Më 1844 ai organizoi një kryengritje, të cilës iu bashkuan një numër mjaft i madh shqiptarësh të rrethinave të Kozencës. Për t’i shkuar në ndihmë atyre, vëllezërit Banidiera (Attilio dhe Emilio) organizuan ekspeditën e njohur, që, fatkeqësisht, bashkë me kryengritjen edhe ajo do të mbytej në gjak. Mauro do të arrestohet. Por ndodhi që kur J. De Rada shkoi ta takojë në burg, Mauro, për të mos e kuptuar rojet, do t’i flasë në shqip për një shok të qelisë së tij, që do të lirohej së shpejti dhe që i kishte kërkuar bazat konspirative të kryengritjes në Kalabri. Personi quhej Piero Boccaciampo. De Rada u tmerrua. Ai sapo kishte mësuar nga shtypi se ministri i Jashtëm anglez Palmerson, kishte deklaruar në parlament se vëllezërit Bandiera i kishte denoncuar një farë Boccaciampo, të cilin policia e Mbretërisë së dy Siçelive e përdorte si spiun të saj. Ishte tamam miku i qelisë së Mauros, që këmbëngulte të mësonte adresat e bazave të kryengritësve në Kalabri. Po në gjuhën shqipe, De Rada i shpjegon menjëherë si është e vërteta e mikut të tij dhe një gjë e tillë e shpëtoi Mauron nga toga e pushkatimit.

E megjithatë, kjo nuk do ta pengojë atë që pak kohë më pas, në lëvizjet e stuhishme të 1848- ës të vihet përsëri në krye të 3 mijë shqiptarëve e të ndeshet me ushtritë e Ferdinandit të Dytë. Por për të dështuar përsëri. Veçse këtë rrallë, për t’i shpëtuar pushkatimit, ai do të arratiset në Korfuz e prej andej në Shkodër, ku mbaj mend se prof. Koli Xoxe, gjatë bisedave që bënim në Tiranë, këmbëngulte se njohu edhe Pashko Vasën dhe e bindi ta merrte më vete e ta bëjë pjesë të përpjekjeve të reja të revolucionarëve italianë për bashkimin e Italisë.

Eshtë një figurë që më ka tërhequr gjithë jetën dhe e kam patur personazh të planit të parë në një roman të botuar më shumë se tridhjetë vjet më parë, Shtrati i Prokustit.

……………

*Në Enciclopedia Dantesca të vitit 1970 dy autorë të njohur, Giuseppe Inzitari dhe Pier Vincenzo Mengaldo duke folur për popullaritetin e madh të studimit të Mauros në kohën e botimit të tij, thonë se ai ekzaltoi edhe V. Hygonë. M’u desh të merrem veçanërisht me këtë thënie, por përfundimisht nuk më rezulton asnjë burim që mund të mbështesë një pohim të tille.

Duke qënë se kjo vepër e Mauros u botua në të njejtën kohë me ndonjë nga veprat e De Radës, për të cilat kemi të dhëna të mira se ështe shprehur edhe V. Hygoi, druaj se autorët e më sipërm do të jenë viktimë e ndonjë keqkuptimi.

2 Komente

  1. Ndjese qe e vura re kaq vone nderhyrjen tuaj. Jo studimi i Mauros nuk eshte perkthyer dhe per analizen qe ka, nuk do te ishte fjala per nje perkthim te shtyre nga motive “lokale”, por sepse vertet qendron me dinjitet krahas studimeve me te mira te llojit te vet. As vepra e tij letrare nuk eshte perkthyer dhe ketu e kam fjalen se pari per poemen “Errico”, e cila vetem pak vjet me pare u analizuar edhe ne nje kolokium ne Oksford dhe per te cilen do te sjell nje ese timen ketu ne PTF, sapo te me krijohen mundesite.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin