MENDIME TË PAKREHURA (XLIII)

(nga Stanislaw Lec*)

Shpesh quajmë mit realitetin të cilin, për një çast, e kishim harruar.

Antisemit në një vend pa hebrenj – peshk i hedhur në breg.

Çdo klasë ka mikroborgjezinë e vet.

Shkruan me gjakun që i del prej hundëve.

E çuditshme gjysma e dytë e shekullit XX. Pesëdhjetë vjet astronautë dhe astrologë.

Nuk i duroj dot -izmat, me përjashtim të heroizmit.

Ka kurora gjembash honorifike, që i kanë gjembat vetëm nga jashtë.

Disa ëndërrojnë që fjala të arrijë një përsosmëri të tillë, sa ta humbë kuptimin.

Është një teatër i çuditshëm: aktorët duartrokasin vetë.

Ekzistojnë zemra prej guri, por të çmuar.

Ndonjëherë nisja është pikësynim.

Kam frikë nga ata që dridhen para agimit, ngaqë po u perëndon ylli.

Injorantë, habiteni që nuk arrini të shkruani me rimë prozën e jetës!

Për t’u habitur që politikanët më anti-lirikë tolerojnë vetëm mendimet e mia lirike.

Ndoshta vetëm ata që nuk besojnë mund ta çmojnë gjenialitetin poetik të Biblës.

Po e kaluara, na kujton?

Mendjelehtësia e tjetrit jo vetëm na vret, por zakonisht edhe na sjell në botë.

Për shumë, kultura është nevoja e parë që nuk ka nevojë të plotësohet.

Ngrije nivelin teknik, pakësoje distancën mes kudhrës dhe çekanit.

Ishin të lumtur, ende u lejohej të shkruanin tragjedi.

Bota shkon drejt më të mirës, por kjo më e mirë për ku shkon?

Analfabetizmi i tjetrit ua bën të vështirë të shkruarit edhe artistëve më të mëdhenj.

Ndonjëherë njeriu ndihet brenda vetes si mysafir i paftuar.

Parajsa vazhdoi të ekzistonte, edhe pasi i dëbuan njerëzit!

Pleshti dhe elefanti e injorojnë ndërsjellazi njëri-tjetrin.

Paroditë e kitsch-it janë shpesh kryevepra, por paroditë e kryeveprave zakonisht nuk janë të tilla.

Mos e mbysni penën në bojë!

Le të himnizojmë, herët a vonë dikush do të shfaqet në ballkon.

Disa vejusha poetësh do duheshin djegur së bashku me veprat e pabotuara mediokre të këtyre.

Eh, sikur përralla të mbaronte kështu: “U nis drejt vdekjes, por e humbi rrugën në jetë.”

Ia kurseu vetes një thes pakënaqësish, tani i gëzon me kamatë.

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

2 Komente

  1. I dashur Profesor Ardian Vehbiu, me shkrimet tuaj ne kete faqe, na keni ndihmuar gjate gjithe vitit te behemi me te mencur. Te jemi mirenjohes dhe te urojme frymezim e krijimtari edhe me te frutshme gjate Vitit te Ri 2019!. Thanas e Lujia Gjika

    1. Ju falënderoj shumë, Thanas; “Peizazhet” është edhe një mënyrë për mua – shpresoj edhe për të tjerët – për të qenë bashkë kur jemi veç. Shpresa ime është që edhe autorët e tjerë, sikurse edhe komentuesit dhe lexuesit e rregullt e të parregullt dhe vizitorët dhe më në fund ata që i sjell këtu Google-i, të gjithë këta, pra, të ndihen mirë në këtë hapësirë. Të mos harrojmë edhe Elonën, që nuk i duket shumë puna, por pa të cilën revista nuk do të ishte dot kështu. Urimet më të mira për 2019-ën!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin