LËMOSHA APOLITIKE

Me bujë të madhe kryeministri E. Rama deklaroi se qeveria do të rrisë ndihmën financiare për familjet e reja dhe do të kontribuojë 40 000 lekë për fëmijën e parë, nga 5000 leke që ka qenë deri tani. Edhe pse paratë nuk i kanë marrë ende të lindurit në vitin 2015. (Në mediat afër qeverisë ka së fundmi edhe një trend që të flitet me monedhën e vjetër kur bëhet fjalë për “dhuratat” e qeverisë, dhe në euro kur bëhet fjalë për vjedhje të qeveritarëve.)

Kjo nismë, në dukje për të nxitur shtimin e popullsisë, është një prej nismave populiste të qeverisë, sikur edhe ajo e përgjysmimit të tarifave të studimeve së fundmi. Ndërkohë që buxheti varfërohet nga ulja e taksimit të kompanive, rritja e kontrobandës në dogana dhe evazionit fiskal të taksa-paguesve të mëdhenj.

Për familjet më fëmijë, 40 000 lekë (apo 80 000 për fëmijën e dytë) mund të jenë një ndihmë konkrete. Vetëm pagesa nën dorë për lindjen shkon mesatarisht 15 deri në 30 mijë lekë në maternitetet publike (rreth 150 000 në ato private), pa konsideruar shpenzimet e konsultave para e pas lindjes (mesatarisht 500 deri në 2000 lekë/konsultë). Ndërkohë që vonesat e pagave mujore për nënat me leje lindje shkojnë nga 3 deri në 12 muaj, pasi tanimë paga nuk paguhet nga punëmarrësit, por nga sigurimet shoqërore (vonesa të tilla në shlyrjen e detyrimeve rregullojnë bilancet vjetore të sigurimeve).

Por kjo nismë nuk është politikë për rritjen e popullsisë, por lëmoshë. Këto para mund të mbulojnë disa shpenzime të menjëhershme (në rast se nuk paguhen me vonesat aktuale), por nuk zëvendësojnë domosdoshmërinë e vendimeve afatgjatë për plotësimin e mungesave në infrastrukturën aktuale shtetërore që nxit lindjet, ul vdekshmërinë foshnjore apo përmirëson shëndetin e nënave para- dhe pas-lindjes, dhe më tej shëndetin dhe përkujdesjen e fëmijëve.

Nga një studim i BIRN rezulton se, në maternitetin e ri të Tiranës kanë vdekur foshnje për mungesë inkubatorësh. Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri (7.8 për 1000) është ende e lartë në krahasim me vendet evropiane (3.1), madje edhe në krahasim me Serbinë e Malin e Zi (Banka Botërore, 2018). Vdekshmëria e nënës (29 për 100 mijë) qëndron në shifra shumë të larta në krahasim me vendet e rajonit (3 deri në 7 për 100 000 mijë, WHO, 2018).

Më e mjerueshme është gjendja për ata që lindin. Të lëvizësh me karrocë në rrugët e Tiranës është thuajse e pamundur. Pa muskujt e baballarëve mobiliteti i nënave do të ishte tej mase i reduktuar. Aty ku ka, trotuaret e ngushtë nuk mjaftojnë as për të ecur skiç me një karrocë tek. Këndet e lojërave besoj se janë më pak se 1 për 100 mijë fëmijë. Për ajër të pastër duhet të banosh atje ku çmimet e banesave kanë shkuar mbi 2000 Euro/m2.

E kështu, duke qenë se kjo infrastrukturë është e vështirë të ngrihet e kujdeset, sidomos me oreksin e madh për grabitje të pasurive publike dhe në rolin komod të një organizatë jo-qeveritare, qeveria jep lëmosha.

Këto nisma populiste, që varrosin politikat afatgjatë, janë në vazhdën e “ngjarjeve” që krijon E. Rama të qëndrojë në rezén e publikut. Sikur riparimet e shtëpive të të vobektëve, pjesëmarrjet në organizime bamirësie, lëmoshat në vend të politikave publike etj. Shqipëria nuk po qeveriset, por po argaliset. Andaj lëmoshat, si kjo për fëmijët, ofrojnë një mundësi më shumë për shfaqje mediatike dhe kënaqësi të shpejtë, për kryeministrin dhe për zgjedhësit.

(c) 2018, autori

2 Komente

  1. Faleminderit Arjan që more mundimin të flasësh me fakte dhe me arsye për këtë gënjeshtër kaq të madhe! Domëthënë, që këta prindër dhe këto çifte nuk kanë për t’u paguar asnjëherë sipas kësaj ndihme financiare.

    Kurse paradoksi tjetër, midis njëmijë e një paradokseve, a.k.a. përrallave të Rilindjes, është edhe arsyeja ekonomike pas politikave që kanë në thelb nxitjen e shtimit të popullatës, ndërkohë që Shqipëria përballet me nivelet e emigracionit ekonomik nga më të larta në Europë dhe në botë. Mos po japin gjë ndihmë ekonomike që të prodhojmë emigrant?

    Ja një sygjerim me bukë për kryeministrin: të japi ndihmë ekonomike që shqiptarët mos të pjellin më emigrant. Kështu shpëtojmë edhe rrogat e mamive, paratë e kopshtit, shkollave, spitaleve, check-up-eve, dhe gjithë yçklave të tjera korruptive të mizerabilitetit ekonomik shqiptar.

  2. “Më e mjerueshme është gjendja për ata që lindin.” E forte kjo! E vertete! Trojtuare te ngushta, fusha sporti te zena me pallate, asnje vend per kurse femijesh, etj.-etj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin