ËNDRRA A LA CARTE

Javën që shkoi mora pjesë, si i ftuar, në një seminar të organizuar nga prof. Elisabetta Terragni në The Bernard & Anne Spitzer School of Architecture, The City College of New York, me temën “Viewing and being seen”, ku mes të tjerash studentët paraqitën disa ri-përfytyrime, prej tyre, të një selie Pallati Ëndrrash, të bazuar në leximin e romanit “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë.

Disa nga këto renderime i përgjigjeshin funksionit të kësaj ndërtese brenda logjikës dhe burokracisë të një shteti totalitar të organizuar rreth teorisë dhe praktikës së mbikëqyrjes të qytetarëve – ose në vijën e distopive të sjella në letërsi dhe në art nga Kafka, Orwell-i dhe, më tej, Terry Gilliam (në filmin Brazil). Disa të tjera merrnin shkas nga topografia dhe planimetria reale e qendrës së Tiranës dhe të disa prej ndërtesave institucionale atje, duke luajtur me dialektikën midis të dukshmes dhe të padukshmes, të mbidheshmes dhe të nëndheshmes.

Unë e pata lexuar “Pallatin e ëndrrave” si inmate i regjimit të Hoxhës, dhe refleksi im atëherë, në vitin 1982, ishte që ta projektoja kryeqytetin perandorak të novelës (“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”) mbi arkitekturën reale të Tiranës; duke i dhënë kështu veprës një lexim ngushtësisht alegorik, si edhe shumë shqiptarë të tjerë në atë kohë. Nëse nuk gaboj, autori Kadare u qortua zyrtarisht për këtë ngjashmëri edhe në një plenum të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga vetë kryetari i Lidhjes, D. Agolli. Pas gati 40 vjetësh, e kam të qartë se imi dhe i brezit tim nuk ka qenë leximi ideal i veprës letrare, por më shumë përdorimi i saj për të nxjerrë një mllef, një ankth, një mungesë oksigjeni.

Edhe për këtë arsye, i ndoqa me kërshëri të madhe imazhimet e studentëve, nën drejtimin e frymëzuar dhe multi-disiplinor të prof. Terragni-t; meqë këta lexues të tanishëm nuk vinin nga ndonjë eksperiencë totalitare si imja, edhe pse ndonjëri prej tyre kish gjetur mënyrën për t’i reflektuar dhe integruar, në projekt, eksperiencat e veta totalitare, si qytetar i një perandorie të sunduar nga Big Data dhe shkelja e organizuar e privatësisë, qoftë edhe thjesht për synime komerciale.

Që romani ndërton një shoqëri distopike, ku pushteti mbijeton dhe riprodhohet në inkubatorin e paranojës së vet, për këtë biem dakord të gjithë. Përkundrazi, mbetet e hapur për debat se çfarë është Pallati i Ëndrrave si institucion, çfarë përfaqëson, për çfarë i duhet këtij pushteti pikërisht – pyetje këto që mund të bëhen në disa nivele. Modeli i panoptikon-it të Jeremy Bentham-it, i eksploruar me hollësi në një prej projekteve, e redukton ndërtesën në një lloj burgu; ose të paktën hapësire në funksion të survejimit të nëpunësve të vet; çfarë edhe mund të ketë një farë pertinence, por nuk është thelbi i romanit vetë. Nga ana ime, gjithnjë në vitet 1980, kisha përfytyruar një paralelizëm mes ëndrrave që dërgoheshin në Tabir Saraj dhe letrave të qytetarëve, prej të cilave përzgjidhej pastaj “bash-letra” që i shërbehej udhëheqësit suprem dhe që, jo rrallë, shërbente si detonator i një fushate të re spastrimesh: kjo ka ndodhur realisht në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, sikurse ka ndodhur në Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Duke përsiatur në seminar rreth funksionimit të Pallatit, që nga momenti kur nënshtetasit i dërgonin atje vullnetarisht ëndrrat, me shpresë se ashtu po ndihmonin në qeverisjen e Perandorisë, dhe pastaj nëpër hallkat burokratike të Recepsionit, Seleksionit, Interpretimit, Bash-ëndrrës dhe Arkivit, të gjitha këto për të përzgjedhur, mes mijëra e mijëra dorëshkrimeve që nuk ishin veçse ëndrra të narrativizuara, ose narrativa ëndrrash, për të përzgjedhur pra ëndrrën që do t’i jepej Sulltanit së bashku me interpretimin përkatës; duke i menduar të gjitha këto, pata një lloj epifanie: dhe pikërisht, që ky Tabir Saraj i romanit nuk ishte veçse grotesku distopik i një shtëpie botuese, me të gjitha elementet e kësaj të fundit: dorëshkrimet që dorëzoheshin, përzgjedhjet, redaktimet, interpretimet, arkivimet. Vetëm se kjo shtëpi botuese botonte fare pak, dhe produktet e saj ishin të destinuara për t’u konsumuar nga Sulltani.

Brenda logjikës narrative të romanit, botimi do të ishte thjesht përzgjedhja e një ëndrre për t’u përdorur pastaj si kontekst i një vendimi politik; çfarë do të thotë se produktet e këtij institucioni nuk i shërbenin “edukimit të masave” si letërsia e botuar në totalitarizëm; por drejtpërdrejt historisë, e cila pritej ta gjente rrugën (ta çante rrugën) duke u orientuar, në mënyrë mistike, nga interpretimet e pavetëdijes kolektive.

Të flasësh për pavetëdije kolektive, të vjen në mendje Jungu; që shfaqet herë pas here në veprën e Kadaresë, gjithnjë në kontekstin e marrëdhënieve midis pavetëdijes kolektive dhe folklorit, që ruan me këtë pavetëdije të njëjtin raport që ruan krijimi artistik individual me pavetëdijen e autorit. Dhe nëse është kështu, atëherë ëndrrat e narrativizuara, që dërgohen në Tabir Saraj nga të katër anët e Perandorisë, janë edhe copëza të një mozaiku total, dhe pikërisht pavetëdijes kolektive të shtetit, i cili ruhet pastaj në arkivin e institucionit; njëlloj siç ruhen këngët popullore, fjalët e urta, gjëzat, rrëfimet popullore dhe të tjera tekste a regjistrime në arkivin e një Instituti të Folklorit.

Ky interpretim i funksioneve të Tabir Sarajit si një institucion që vjel produkte të pavetëdijes kolektive (ëndrrat) për t’i arkivuar ose, sipas rastit, për t’i “botuar”, e ri-kontekstualizon edhe atë linjë të romanit ku flitet për baladën e Qyprillinjve; sepse rapsodët e ftuar në shtëpinë e vezirit kushëri të Mark-Alemit, për të interpretuar pjesë nga eposi, edhe ata sjellin në kryeqytet, në mënyrën e tyre, copëza të një pavetëdijeje tjetër kolektive, të papajtueshme me atë perandoraken. Kontakti i baladës së urës me ëndrrën që i kish kaluar duarsh Mark-Alemit, dhe që u bë me gjasë shkas për një larje hesapesh në kokë të pushtetit, nuk mund të ishte veçse shpërthyes, madje anihilues, si kontakti i materies me anti-materien. Tek e fundit, vetë rapsodët që mbajnë në kujtesë peshën e mijëra vargjeve të eposit dhe të baladave janë edhe ata kundërfigura e Tabir Sarajit, sa kohë që të dyja palët arkivojnë dhe mirëmbajnë elaborime narrativ cilësisht të ndryshëm nga e përditshmja ose edhe nga historikja e gjeneruar nëpërmjet vendimeve me arsye.

Terragni e kish ndërtuar kursin e vet mbi rolin e vështrimit në arkitekturë – në rrjedhë të shekujve dhe nga pikëpamja funksionale; dhe m’u duk domethënëse që pat zgjedhur ta mbyllë këtë aventurë intelektuale me imazhimin e një ndërtese institucionale – pa çka se ajo vetë e përfytyruar – nga ku shteti totalitar hidhte vështrimin deri edhe në ëndrrat e nënshtetasve të vet, ose në pavetëdijen; jo aq për t’i kontrolluar këta individualisht, sa për të parë, në filxhanin e pavetëdijes kolektive, të ardhmen e vet. Nuk më duket e rastit që shumë prej ëndrrave të rrëfyera në roman janë, në të vërtetë, vizione; ose pranëvënie imazhesh dhe objektesh, pa pjesëmarrjen aktive të subjektit. Prandaj e gjeta me vend të përmendja, në seminar, se shqipja thotë shoh ëndërr, shoh një ëndërr, të kam parë në ëndërr e kështu me radhë, duke e sugjeruar me forcë reduktimin e ëndrrës në eksperiencë vizuale; dhe pastaj të shtoja që, gjithnjë në këtë optikë, vetëm verbëria virtuale, ose mbyllja ndaj botës përjashta (simbolizuar nga arki-rapsodi Homer), do t’ua mundësonte këtyre vizionet në pavetëdijen kolektive – njëlloj si verbëria e përkohshme e të gjithë të tjerëve, që flenë symbyllur.

(vijon)

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht çdo lloj riprodhimi në mediat.

4 Komente

  1. Interesante… Edhe unë para do kohësh pata një shkrepëtimë të ngjashme në lidhje me këtë roman, mbi të cilën mendova madje edhe të bëja një shkrim këtu në Peizazhe, të cilit ia përfytyrova edhe titullin: “Letërsia si pallat ëndrrash apo si autobiografi e destinuar”. Prandaj më bëhet qejfi që përmes këtij shkrimi më jepet rasti ta përcjell si koment idenë time sepse sa për shkrimin zor se do ta kisha marrë ndonjëherë atë mundim.

    Ajo që më feksi mua ishte se pallati i ëndrrave është një metaforë e letërsisë së institucionalizuar e cila si një pallat (i Lidhjes së Shkrimtarëve!) mbledh dhe përpunon nënvetëdijen popullore të artikuluar përmes përrallave, këngëve, legjendave etj., për të prodhuar një vizion të caktuar mitik që të shërbejë, sipas rastit e nevojës, si udhërrëfyes përmes historisë ose, më konkretisht akoma, si burim legjitimiteti për shtetin komb dhe pushtetet që e trashëgojnë. Në rastin e letërsisë shqipe, e cila mirëfilli ka filluar të shkruhet në epokën e nacionalizmit, miti madhor gjithmonë ka qenë kombi, i ndërthurur me të tjera mite shoqëruese si progresizmi, komunizmi, demokracia, perëndimofilia e kushedi ç’tjetër. Për aq sa “bashmiti” i kombit shfaqet si i tillë në të si dhe për nga elementet e nuancat, “Pallati i Ëndrrave” i përket pikërisht kësaj letërsie institucionale, por e veçanta e këtij romani është se kryemetafora e tij, siç e lexoj unë, vë në pikëpyetje vetë letërsinë si institucion, si edhe autorin. Sepse, kuptohet, sipas këtij leximi nëpunësi nuk simbolizon askënd më mirë sesa vetë Kadarenë si shkrimtar.

    Qoftë kjo një shprehje e pavetëdijshme dhe e papërmbajtshme e makthit të autorit se një ditë rrufetë e pushtetit mund të binin mbi të, apo një subversion i vetëdijshëm e tejet i hollë nga ana e tij – motivuar, kushedi, nga neveria prej gjithçkaje apo nga ideja se mund ta parandalonte atë së cilës i frikësohej duke e parathënë, sipas një logjike të kundërt me atë të profecisë vetëpërmbushëse – “Pallati i Ëndrrave” gjithsesi ngërthen atë tendosje e papajtueshmëri të përhershme mes letërsisë “politike” dhe thelbit të saj autobiografik, njerëzor e shpirtëror, dashje padashje i pranishëm nëse e merr vetë autorin dhe veprën si kryemetaforë, por që si personazh, për aq sa kam lexuar unë, i mungon tmerrësisht letërsisë shqipe, përfshirë edhe atë të Kadaresë. Në këtë kuptim është domethënës edhe ndryshimi i titullit të romanit, nga “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” tek “Pallati i Ëndrrave”, ku tek i dyti vëmendja sërish zhvendoset nga njeriu tek institucioni.

  2. Shteti totalitar ndertohet mbi nje utopi, pergjithesisht ate te barazise substanciale, por edhe hierarkise organike, prandaj synon kontrollin e endrrave, meqe aty ndertohet nha nje ane pabarazia dhe nga ana tjeter rrezimi i hierarkive. Utopine e sollen ne jete hebrejte, pastaj e perforcoi krishterimi dhe islami, ku prifti dhe hoxha mbajne nen kontroll endrrat nepermjet rrefimeve dhe idese se mekatit. Mandej sa rane fete neohebraike u futen utopi moderne, sa majtas aq djathtas. Pallatini Endrrave mund te gjeje sa interpretime te jete e mundur, une e lexoj si lufte kunder utopive te barazise substanciale dhe hierarkive organike.

    1. Vetëm se në roman janë ëndrrat që (duket sikur) kontrollojnë shtetin, jo shteti që (duket sikur) kontrollon ëndrrat. Nënshtetasit i dërgojnë ëndrrat me dëshirën e tyre, nuk ua merr njeri me zor, as me dhunë. Pa çka se, nëse ëndrra rezulton e mbarsur me “të ardhme”, mund të ndodhë që ëndërr-parësi të arrestohet, të merret në pyetje dhe të torturohet. Kjo lloj hetuesie, që në roman përmendet shkarazi, do të ishte një lloj martese e psikanalizës me marrjen në pyetje të një të burgosuri politik (nëse e ke parasysh qasjen e psikanalizës klasike, ose freudiane, ndaj ëndrrave). Në çdo rast, romanit i duhen dhënë interpretime që bazohen në leximin e romanit vetë, dhe vetëm PASTAJ në lexime të tjera.

  3. Nuk e kuptoj mire se c’nenkupton, por Kadareja eshte i influencuar nga mitologjite antike, vecanerisht antike greke dhe mitologjia shqiptare, me copezat e saj pagane qe mbijetuan. Ne boten pagane endrrat lidhen me te ardhmen, jane bekim i hyjnive, koncept i mirenjohur qe Kadareja e perdor si bazament narrativ, vete gjuha thote se “”endrrat edhe dalin””, pra paganizem konceptual, qe e kane edhe gjuhe te tjera. Ajo qe lexoj une sot, gje qe nuk e lexoja dot dje, eshte qe me fene hebraike dhe fete e tjera abrahamike, vecanerisht Krishterimi, u ndertua nje sistem kontrolli mbi endrrat nepermjet rrefimit “vullnetar” javor dhe faljes se mekatit per endrren e pare, qofte ate ne gjume qofte ate me me sy hapur. Kete koncept e mbart edhe psikanaliza frojdiane, rrefim vullnetar –》clirim,pastrim,sherim (nje nga arsyet pse nuk e honeps dot). Kadareja ishte pagan per te qene i lire dhe doemos,sipas meje, bente lidhjen mes krishterimit/islamit dhe diktatures qe te regjistron ne baze endrrash, sepse cdo utopi te regjistron ne menyre te tille. Tek Kadareja, mitet dhe konceptet pagane (ne kete rast parashikimi i se ardhmes), nuk jane thjesht nje menyre per te qene i kulturuar, si trajtohen gjeresisht, por botekuptimi i tij i lirise, i idealizuar sigurisht, menyra per te dale nga shteti totalitar ku botekuptimi hebraiko-kristian ishte esencial. Une nuk pretendoj te mbaj mend ngjarjet e asnje romani, ato i mbajne mend studiuesit letrare, se me ate pune merren, une ruaj ne kujtese nje perceptim, nje pershtypje, dhe ne kete rast perceptimi im ka evoluar kesisoj. Pastaj se cka dashur te thote autori, ate as autori nuk e di tamam, meqenese asnje autor nuk eshte ne gjendje te perdore koncepte e narrativa madhore dhe te jete i vetedijshem per gjithe implikimet teorike. Une sot per sot, kam perceptimin e evoluar ne kohe qe Pallati i Endrrave eshte roman qe akuzon utopite te gjitha ne bllok, pra motivi eshte ne thelb universalist. Ndoshta prandaj e lejuan, mjafton qe eshte universalist, pergjithesues dhe nuk e ka specifikisht me ne.

Lini një Përgjigje te oksigjenAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin