QË TË NA KAPË KAMERA

The Revolution Will Not Be Televised” – ky ishte titulli i një poeme dhe kënge me famë nga Gil Scott-Heron, në vitin 1970 – edhe pse fraza i referohej, verbatim, një parulle emblematike të lëvizjeve për të drejtat civile në SHBA në vitet 1960.

Përballë protestës së studentëve pesëdhjetë vjet më vonë, në Tiranë, pyes veten se ç’trajtë do të kish marrë kjo, po të mos përcillej nga mediat: televizioni, por sidomos rrjetet sociale dhe mes këtyre të fundit, Facebook-u. Deri në atë shkallë sa mediat elektronike dhe Interneti të më vijnë në vështrim jo aq si pasqyruese, sa si hapësira të vetë protestës – dhe smartfoni si arma që ka zëvendësuar çomangën, gurin, shishen Molotov dhe granatën tymuese.

Kjo protestë drejtohet, për më tepër, kundër një kryeministri si Rama, i cili e ka zhvendosur një pjesë jo të vogël të komunikimit të vet në Facebook, ku ushqen iluzionin – të vetin a të së tjerëve – se po mban lidhje të drejtpërdrejta me qytetarët, veçanërisht moshat e reja. E gjitha kjo, në një kontekst ku debatet dhe llogjet e politikanëve dhe analistëve mbushin orët e mbrëmjes dhe të natës në televizion dhe ku portalet të nesërmen nuk bartin veçse lajme në lidhje me çfarë është thënë në këtë apo atë emision një natë më parë, krahas me statuset e marra drejtpërdrejt nga Facebook-u.

Në këtë kontekst, dalja e studentëve në sheshet e Tiranës para institucioneve për të protestuar dhe bllokimi prej tyre i disa akseve të qarkullimit janë vetëm maja e ajsbergut e një lëvizjeje e cila ende rritet, artikulohet dhe riprodhohet në virtualitet.

Shumë vjet më pas poemës së Scott-Heron-it dhe atmosferës revolucionare në Perëndimin e viteve 1960, BBC-ja transmetoi një emision satirik, në 2012, me titullin “The Revolution Will Be Televised”, ku qesëndiseshin elitat, por edhe ajo lloj gazetarie që e aftëson këtë elitë për t’u ndier e rëndësishme. Ai ndryshim i vogël gramatikor midis dy titujve, ajo not që të riut i mungon, ndoshta vlen edhe për të treguar dallimin midis dy epokave, ose të vërtetën e hidhur se sot shumë prej nesh e kanë të vështirë, në mos të pamundur, t’i ndajnë mediat nga realiteti dhe narracionet mediatike nga përjetimi i drejtpërdrejtë i ngjarjeve.

Në një monolog hapës të programit të vet “A Show” në News 24, Adi Krasta pyeste: “A mund të drejtohet një vend nga Facebook-u dhe Interneti?” për të vërejtur pastaj: “Demokracia në ekranin e kompjuterit dhe të celularit, përveç fjalëve, nuk mund të bëjë më shumë.” Pyetjes së Krastës do t’i përgjigjesha kështu: për shkak të personalitetit që ka por edhe të disa ideve politike krejt idiosinkratike, Rama është në një fazë delikate të karrierës së tij politike ku nuk mund ta ushtrojë dot pushtetin, përveçse duke luajtur rolin e politikanit, siç e luan aktori rolin e vet në skenë të Teatrit (për ta thënë me një lojë fjalësh në anglishte: he can’t act, if he doesn’t act). Kjo stratagjemë e ndihmon atë që ta distancojë veten nga detyra publike, për t’i thënë vetes: “unë nuk jam ky që dukem”; faqja që ka hapur te Libri i fytyrave po i shërben kryeministrit si maskë karnavali.

Ballafaqimi dhe “dialogu” me studentët që Rama po e kërkon me kaq ngulm nuk besoj se do të ishte tjetër, përveçse një lloj spektakli brenda në spektakël – siç edhe kishin dashur ta organizonin javën që shkoi. Duke u përplasur me kontestuesit e vet dhe duke kombinuar batutat me karizmën dhe arrogancën e vet, kryeministri do të aktronte për të tretin, ose për publikun që do ta ndiqte këtë debat si rrallë ndonjë emision tjetër të ngjashëm. Çfarë edhe nuk do të sillte ndonjë risi, në marrëdhëniet e pushtetit me publikun: gjithçka që Rama dhe të vetët bëjnë dhe thonë sot para kamerave dhe mikrofonave i drejtohet atij të treti të padukshëm, të cilin në studiot televizive e përfaqësojnë simbolikisht spektatorët mëditës në gjysmerrësirë.

Është po ai i tretë, të cilit i flasin parullat e studentëve, memet, batutat dhe ndonjëherë edhe vetë ngazëllimi i tyre në mediat; ato parulla që pastaj fotografohen, qarkullohen, vendosen në kolazhe, shndërrohen në imazhe të tjera dhe përdoren si lëndë e parë për atë krijimtari që shoqëron protestën – si një lloj kolone vizuale. Në fakt, edhe pse ndonjëherë është përsiatur, kjo protestë studentësh nuk ka gjë të përbashkët me lëvizjet e 1968-ës (dhe as më duket se synon që ta ketë); dhe nëse u referohet atyre viteve, këtë e bën më shumë për disa ngjashmëri, sërish të dorës së dytë, me Revolucionin Kulturor të Maos dhe përdorimin që u bëri Timonieri Gardistëve të Kuq, kundër kastës burokratike të PKK-së dhe elitave intelektuale në Kinë. Studentët protestojnë “brenda sistemit” me arsye dhe të drejtë morale dhe, ç’është më e rëndësishmja, ndryshe nga sivëllezërit e tyre të 1968-ës, nuk kanë një kulturë të protestës që t’i frymëzojë dhe as një filozofi të protestës që t’ua ushqejë revoltën intelektuale.

Prandaj edhe protesta sot jo vetëm po përcillet në televizion, por edhe po mirëpritet, sepse ua ka rritur stacioneve shikueshmërinë: në shoqërinë e spektaklit, nuk ka gjë më spektakulare se revolucioni!

© 2018, Peizazhe të fjalës.™ Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat.

9 Komente

  1. Refuzimi per dialog dhe mungesa e udhehqjes mund ta krijoje kulturen e protestes.

    Dhori Kule kish dale te mbeshteste studentet. Te shkon mendja se cdo grup studentor perfaqeson nje segment te ndyre te pushtetit: dekanin, opoziten, Ramen etj. Ne fund marrim vesh se Troja ishte marre nga vete trojanet e ko kuajt e armikut.

  2. Studentët protestojnë “brenda sistemit” me arsye dhe të drejtë morale dhe, ç’është më e rëndësishmja, ndryshe nga sivëllezërit e tyre të 1968-ës, nuk kanë një kulturë të protestës që t’i frymëzojë dhe as një filozofi të protestës që t’ua ushqejë revoltën intelektuale.

    E korrektova tekstin në pasazhin e mësiperm nga ana grafike, duke qënë se po flasim për kulturën e imazhit dhe të mesazhit (që të mos na keqkuptojnë millennials, ngase i duam fortë).

    Përndryshe nuk i heq dot asnjë presje shkrimit.

  3. Kur nuk e kapi dot nga koka, Rama po e kap protesten nga bishti tani. Me mendjen e vet eshte ne rregull, Mjaft qe ta kapi. Takimi i tij sot ne Universitetin e Vlores tregoi se ai eshte duke i futur studentet dalengadale ne spektaklin e tij te shemtuar dhe neverites. Po e kthen protesten ne nje reality show. Po i jep publikut buken e tij te perditshme.

    Mirepo ne kete proces ai po acaron viktimat e tij dhe padashje po diskretition edhe me veten. Me intuite ai e ka kuptuar se viktimat nuk jane gati ta rrezojne xhelatin. Perkundrazi kudo qe shkon, studentet vazhdojne ti luten atij t’ia zgjidhe problemet e tyre. Ky i fundit, prepotencen dhe rrugacerine e tij, po i tall dhe nervozon ata.

    A do kalojne viktimat nga faza e lutjes ne ate te hakerrimit dhe pastaj te heqjes qafe te xhelatit apo do ngelin ne nje nga fazat e para. Sot nje nga studentet e beri njefare hakerrimi: jemi me ty i tha po mos na bej te kthehemi kunder.
    Nese do te ndiqte ndonje perqasje tejter, Rama do ia kishte hedhur me kohe. Mirepo interesant eshte fakti qe ai ka zgjedhur te jete veteshkaterrues duke i treguar vete viktimave te tij se cfare duhet te bejne me te. Te shohim!

  4. Ne kuptimim e ketueshem duket se sistemi po e shfryn protesten nepermjet mediatizimit, kthehet ne spektakel, meqenese nuk barsaletizohet dot. Ne vend te Portokallise, kemi Big Brother. Megjithate protesta eshte brenda sistemit, duke ia rriur entropine dhe temperaturen sistemit. Rama tha se pa emigracionin shqiptaret do i hanin koken njeri-tjetrit, me pak fjale zbrazja e Shqiperise nga shqiptaret eshte si tip projekti apo rrjedhoje e ketij sistemi. Studentet tani refuzojne te shfryhen jashte sistemit dhe kjo krijon pasoja serioze per nje sistem qe con krahe pune jashte per te mbijetuar. Ne kohen e Zogut te ardhurat nga emigracioni ishin po aq jetike per sistemin sa edhe sot. Nga pikepamja e bilancit te llogarive, rreth 0.8-1 miliard dollare qe vijne nga enigracioni ne rruge formale e informale, jane jetike qe Banka e Shqiperise te mos perdore rezervat e saj valutore per te zeruar deficitin ne bilancin e llogarive. Aktualisht rezervat valutore jane 3 miliard dollare, qe do te thote se pa emigracionin per 3-4 vjet Banka e Shqiperise i mbaron rezervat dhe shteti eshte i detyruar te shpalle falimentimin. Pra ketu tu thuash shqiptareve ikni pisa ne emigracion e na sillni ndonje lek ka te beje me mbijetesen e gjithe sistemit. Studentet tani refuzojne te ikin, ky eshte problem i madh, te keqen e “68 apo gardisteve te Maos, ata jane kot fare ne lidhje me funksionimin e sistemeve perkatese,dalin ca qe hedhin shishe me benzine apo ca vrasin, keto jane gjera qe sistemeve te tyre u kalojne tangent, dmth sistemet i fshijne demet si robi kur merr fshesen dhe fshin pertoke apo merr lecken e fshin pluhurat. Kurse ne jemi ne zgrip te falimentimit dhe o studentet dorezohen dhe ikin jashte shtetit ose ketu falimenton sistemi e shteti bashke.

  5. Trekendesh, si e thote Noli, zgjidhja nuk eshte druri, por eshte truri. Ketu studentet kane filluar te kuptojne qe jane te padeshirueshem per sistemin, thjesht sepse po shkoi fshatari ne Tirane apo qytetin studenti, atij i hyn ne tru, qe zgjidhja per te nuk eshte te marre lopaten e te mbjelle domate, pak rendesi ka nqs eshte i dhjetes apo i peses, aq me teper kur ka ministren e arsimit me 5.8 dhe me master tek Ufoja. Por zgjidhja kalon nga Kryeministri sepse per ate pune votohet. Kryeministri nuk ka zgjidhje per t’i ofruar, prandaj sillet si pehlivan neper media te ndryshme apo futet si diversant neper mbledhjet studentore. Ky jo vetem qe nuk ka zgjidhje, por ka edhe detyren qe t’i binde studentet qe te marrin arratine ne Perendim, sepse edhe po qe se studentet terhiqen, nqs nuk ikin ne Perendim, prape ngelen problem madhor per sistemin. Instati analizoi qe kane 1.6 milion shqiptare ne emigrim ise 36% e shtetasve, pra nga totali rreth 4.5 milion , 2.9 milion ne vend dhe 1.6 milion ne emigrim. Ne kete sistem papunesia nuk eshte 12% apo 15% apo 17%, keto jane shifra koti, nga 1.6 milion emigrante ke 1 milion fuqi punetore, qe ska pune ne Shqiperi dhe iken. Po ashtu nga 42% te punesuarit ne fshat, ata rrine kot, vijne anes e gjejne ndonje gje per t’u gjendur ne pune. Shkon merr kosen e korr barin per 3 ore, e mbledh e ben deng e ngre ne kurriz deri tek kasollja e lopes, merr sfurkun i jep jonxhe lopes dhe vicit. Me pak fjale si ne kohen e pellazgeve, ne nje kohe qe do mjaftonte nje i vetem me makineri, te korrte bar per 100 lope, ta conte ne stalle e po me makineri t’ua shperndante lopeve apo nje i dyte qe futet ne pune per shperndarje te mire te ushqimit. Cohet gruaja ne 5 te mengjesit te mjele lopen kur makinerite mjelin 100 lope dhe ne sfond u vihet efhe ndonje pjese nga Bethoveni se thone qe lopeve u pelqen e japin me shume qumesht. Pra ti ke nje sistem i koheve te pellazgeve dhe sumereve, i cili dhunon kurrizin e mendjen e 42% te punesuarve ne fshat. Intelektualet pastaj u mesojne te verteten kurriz-zbuturve. Ne kete kuptim papunesia reale eshte 50% nga rezidentet ne Shqiperi dhe 1 milion ne emigracion, per te shkuar tek nje shifer papunesie reale sistemike prej 80%. Pra, kur studenti kerkon zgjidhje nga Kryeministri dhe jo nga sistemi, do te thote qe atij sistemi nuk i pelqen se nuk i jep zgjidhje, por beson qe Kryeministri si i pari i vendit ose zoti i vendit ka mundesi qe t’i jape nje zgjidhje halleve te tij. Kur studenti kercenon se do te rrezoje Kryeministrin atehere ai sistemin nuk e pyet fare. Keta e kane anashkaluar sistemin dhe zgjidhjet e tij per te kerkuar zgjidhjen tek i pari i vendit. Kjo eshte nje forme e besimit qe vegjelia gjithnje ka pasur tek Mbreti, Perandori, Cari, duke e kerkuar si aleat kunder feudaleve, tagrambledhesve, burokrateve e banditeve gjithfaresh, por me ndryshimin modern qe vegjelia nuk i ka me syte mbyllur dhe nuk eshte me shpirtrobe si dikur. Ky tani ben shoumenin, si i tha Dudushi i helmatisur qe u katandis ne farse, ben diversantin duke u futur ne mbledhje studentesh, ben rivalizim ne instagram se kush i ka batutat me te bukura, i ben Fevziut si specialist i memeve dhe parrullave ( sikur i plasi kujt dallimi apo kjo te jete ndonje kriter apo kompetence kryeministrore), pra me pak fjale ata e kerkojne si zot i vendit, ne kembe te babait, ky hidhet si palaco apo bufon oborri.

    1. Dakord me sa thua por une do te shtoja vetem dicka. Keshtu si i ka sjelle punet Rama, ai eshte vete sistemi. Ja psh vej re si eshte zhdukur ministrja e arsimit keto dite. As nje gjurme per be nuk i gjendet. Te duket sikur nuk ka ekzistuar fare dhe eshte e gjitha nje enderr ne kokat tona.

  6. Qe Rama eshte sistemi kete studentet me familje te majta nuk e kane mesuar ende. Per mendimin tim Rama eshte fundi i sistemit, sepse ai tallet me gjithe njerezit e sistemit, u thote te gjitheve publikisht jeni palaco, jeni veshgjate, jeni hajdute, jeni kazane dhe i kercenon qe do i fuse ne burg, po nuk bene si do ai. Pra, te gjithe jane te shantazhueshem, sot kercenoi me spond ate djalin ne Vlore me plumb ballit, keshtu qe i pashantazhueshmi eshte i kercenueshem, me pak fjale te gjithe jane ne thesin e Rames. Sistemi ka degjeneruar plotesisht dhe Rama eshte perfaqesuesi me i mire i degjenerimit te plote publik e privat. Se kush po thoshte qe ne PS nuk e duan te shumte dhe duan ta heqin, prandaj jane nder nxitesit e protestave. Lali Erin po thoshte nje tjeter, duan ta zevendesojne me Ben Blushin, prandaj Topi eshte kthyer ne ERTV2, mundet edhe kjo qe s’flet Lali Eri. Keta duan pushtetin dhe nqs Rama nuk ia del dot me studentet Ramen ben vaki ta qerojne te vetet, qe te shpetojne kokat e tyre. Dhori Kulja i futi nje marreveshje me studentet, ai pakellqexhiu i Kamzes nuk e donte veten, sot ne Vlore shkoi per peshk e zuri lesh, e vune para. Ky eshte ne krize te plote besueshmerie, ben mire te jape doreheqjen e te shpetoje ment e krese. Po ky nuk i iken pa i terhequr zvarre edhe te tjeret, te shumte do i marre poshte me vete, sado te fshihen skutave, Linditen te paren.

    1. hyllin i nderuar, studentet nga familje te majta, qe thoni ju, s’eshte qe nuk e kane mesuar ende, por se nuk duan ta mesojne. Ne ditet e para, te perfshire nga vrulli rinor, ata moren pjese masivisht ne protesta, pastaj me kalimin e diteve kur u pa se kjo shkonte pertej kerkesave te tyre dhe qe po rrezikonte seriozisht qeverine socialiste te zotit Rama, pak nga pak filluan te terhiqeshin, derisa protesta e ashtuquajtur madheshtore perfundoi ne kete gjendje qe eshte sot.
      Megjithate, nuk eshte se kane faj.
      Eshte atmosfera toksike e opinionit te percare publik, qe ndali vrullin e tyre te fillimit.
      Si gjithmone opinionberesit, gazetare, analiste dhe intelektuale u ndane, nje pjese me Qeverine dhe pjesa tjeter kunder saj. Por, kete radhe, kjo ndarje pati aspektin e vet qesharak: te gjithe thone se jane pro protestave te studenteve … sidomos te majtet qe e theksojne ca si shume!
      Gjithe duke pershendetur protesten “madheshtore” keta gazetare , analiste dhe intelektuale ex cathedra te se majtes, duket se merakun e kane sesi te furnizojne zotin Kryeminister me argumente per te dale nga situata, sesa te keshillojne studentet sesi duhet te veprojne qe kauza e tyre te jete e suksesshme. Studentet per te cilet po flasim,e qe jane njerez sikur ne, e lexojne shume qarte qendrimin e intelektualeve te grupimit (politik) te tyre: po realizimit te kerkesave, jo kunder qeverise socialiste te zotit Rama!
      Dhe, ja keshtu, fillon terheqja nga vrulli i fillimit.
      Ajo qe thoni per zotin Veliaj dhe qe shume po e thone keto dite, nuk eshte gje tjeter vecse nje loje e ndyre me ndjeshmerine e elektoratit Kryeqytetas. Erion Veliaj nuk duhej te perzihej me protesten studentore, sepse eshte kandidati i Rames per Tiranen. Cdo perfshirje mund te rrezikonte firo ne elektorat. Prandaj, Veliaj po hesht. Eshte Rama ai qe e ka urdheruar te heshte. Zoti Rama mund te beje cdolloj loje, sado e ndyre te jete ajo, mund te sakrifikoje me shume se c’mund te imagjinohet, vetem qe te mos rrezikoje Bashkine e Tiranes. Cilido qe mendon tjeterndryshe eshte naiv.
      Perfshirja e zonjes Kryemadhi ne kete loje, me shume se diversion ndaj Rames, eshte presion ndaj aleatit Basha, per te rritur pazarin ne kandidimet e zgjedhjeve lokale, sidomos per kandidatin e supozuar te perbashket per Kryeqytetin.
      Zonjen Nikolla, Rama e ka leshuar qe ne fillim, por e mban ende formalisht , sepse gjykon se ende nuk ka ardhur koha qe sakrifikimi i saj te kete perfitimin qe ai mendon.

  7. Imdat mund te jete qe edhe sduan, protesta horizontale nuk prodhon alternative pushteti, keshtu qe politikisht gjendja eshte e ngrire ne pozicionet nistore, pershkallezimet heperhe nuk kane treguar efikasitet te madh. Ashtu si nuk rrezohet dot nje qeveri ne parlament me mocion mosbesimi ne rast se nuk ke nje kandidat qe merr 71 vota, ashtu edhe nuk mund ta rrezosh me protesta horizontale. Kjo eshte lufte nervash kush dorezohet i pari dhe lexoj qe Rama eshte duke nxjerre nje projekt per 8 pikat, qe besoj se do jete themeli nga do riniset pas Vitit te Ri. Keta intelektualet e Rames, shkruajne per te demoralizuar ndokend, protesta eshte e rinovueshme kah masivitetit ne cdo moment, fakultetet jane te bllokuara, keshtu qe edhe studentet nga familjet e majta aty jane. Keto jane pune me nge, maratone e jo sprint, aq me teper kur Lule Mones nuk ua degjuan fjalen as te vetet, qe te jepnin ndonje sinjal. Ky eshte deshtim i opozites politike dhe Luli ne vecanti e tregoi veten serisht si zjarrfikes per llogari te Rames. Persa i perket Lali Erit te gjitha interpretimet jane te mundshme, se nga matrapazi i pret te gjitha, por tek yti nuk shpjegohet pse Ben Blushi e ktheu Topin ne Ertv2, kur Blushi kishte kohe qe i ishte vene kunder.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin