LIBRI QË NUK KËRKOJA

Gjatë një bisede online me një mik, rreth përkthimit të fjalës tapë në latinishte, gjetëm dy fjalë të ndryshme: ai obturamentum, unë spissamentum. Të dy i qëmtuam këto leksema në fjalorët. Ashtu edhe u sqaruam pastaj se, ndërsa unë kisha konsultuar një fjalor të latinishtes online, ai e kish kërkuar fjalën përgjegjëse te një fjalor real, hard copy, old fashioned. Dhe m’u shpjegua pastaj kështu:

Kam filluar të përdor fjalorët analogë. Jo për cilësi, po sepse gjersa të arrij fjalën që dua, kam kaluar nja 10-15 ku ngec syri rastësisht.

Një shpjegim që më bëri të mendoj. Kjo sepse fjalët në një fjalor analog i gjen të renditura alfabetikisht; dhe alfabetizimi është edhe ai një lloj randomizimi, ose përzierje e fjalëve sipas një kriteri që nuk ka të bëjë me fjalën si shenjë, por me strukturën e saj grafematike (e cila i përgjigjet në shqipe artikulimit të dytë, ose rrafshit fonematik). Si rregull e përgjithshme, dy fjalë që fillojnë me b nuk kanë gjë të përbashkët mes tyre, veç faktit që fillojnë me b.[1] Dhe kështu me radhë.

Mikun tim e tërhiqte pikërisht ky virtyt aksidental i fjalorit alfabetik për ta befasuar shfletuesin, duke i sugjeruar fjalë nga hiçi. Një virtyt që fjalorët online nuk e kanë, sepse ata të japin fjalën e saktë që kërkon, ose ndonjë tjetër të lidhur kuptimisht me të.

Dhe meqë këto ditë kemi folur aq shumë për librat, bibliotekat dhe libraritë, kjo do të ishte njëlloj sikur të futeshe në një librari dhe ta kërkoje librin që doje në mënyrë specifike – për shembull, “librin e fundit të Zhizhekut”. Motori i kërkimit do të ta sillte sakaq. Që andej, mund të kërkoje libra të tjerë të Zhizhekut, ose për Zhizhekun, ose për filozofinë marksiste, ose filozofinë bashkëkohore, por gjithnjë nëpërmjet asocimit, të cilin e bën algoritmi i motorit, që mund të jetë edhe fare dumb dhe të përdorë thjesht një mesatare të zgjedhjeve që kanë bërë vizitorët e tjerë para teje. Por shanset janë pothuajse të papërfillshme, që ti të kërkosh diçka nga Zhizheku dhe të gjesh një kompendium për finalet me fila të kundërt në shah.

Dhe kështu vijmë tek nevoja për librari reale, me rafte plot libra, të cilat në Perëndim janë pakësuar tashmë, për shkak se lexuesit i blejnë librat online. Në një të tillë ti futesh jo vetëm për të blerë librin që je nisur të blesh, por edhe për të parë, “për të hedhur një sy”, duke shëtitur mes ishujve me rafte, qoftë edhe duke shmangur ata tituj drejt së cilëve marketuesit duan të të tërheqin vëmendjen, në kërkim të magjisë, të serendipitetit, i cili të hap një dritare të njohjes, frymëzimit dhe transformimit.

Edhe librat në një librari nuk është se janë renditur krejt kuturu: ndjekin kritere tematike, p.sh. raftet e antropologjisë dhe ato të fantashkencës dhe ato të fotografisë; por brenda këtyre kategorive sërish sundon kriteri alfabetik, sipas autorit ose titullit; dhe është ky kriter që fut, në renditje, randomizimin, duke i hapur rrugën serendipitetit, zbulimit të papritur dhe fatlum, nga lexuesi ose vizitori ose “shëtitësi” mes rafteve.

Këtij efekti të librarisë ia detyroj zbulimin e një autori aq të rëndësishëm për mua, si Borges-i: në një librari në Corso Umberto I në Napoli, afër Institutit Oriental. E kisha dëgjuar aso kohe si autor, por nuk e kisha vënë gjë në plan që t’i bleja gjë; isha futur në atë dyqan thjesht pasi kisha marrë rrogën, për të blerë ndonjë gjë për qejf – dhe atje më dolën përpara dy libra të vegjël: Aleph dhe Altre Inquisizioni. I mora në duar, i shfletova, do të kem parë ndonjë gjë pikante, që më bindi t’i marr. Pa e kuptuar se ky akt elementar do të më ndryshonte identitetin përjetë (të paktën identitetin kulturor). Nuk ishte vetëm takimi rastësor në librari, por edhe momenti specifik në jetën time kur ndodhi kjo. Diçka e ngjashme vite më parë, me romanin Solaris të Stanislaw Lem-it: që më doli përpara në librarinë Feltrinelli, në Piazza Repubblica në Romë: këtë herë madje as e kisha idenë se ç’ishte ky autor polak. Isha futur te seksioni i fantashkencës për të parë çfarë mund të bleja nga Asimovi, një autor për të cilin kisha dëgjuar.

Më vonë kam pyetur veten: a nuk do ta kisha gjetur Borges-in gjithsesi? Në mos atë ditë, një ditë tjetër; në mos në atë librari, në një librari tjetër? Natyrisht do ta kisha gjetur, por a do të më kish gjetur dot Borges-i mua? Sepse një serendipitet i munguar nuk më ka lënë të shijoj, bie fjala, Cortazar-in; të cilin e kam lexuar, e kam kuptuar që në rrethana të tjera do ta kisha dashur shumë, por që nuk e kam bërë dot timin. Nuk më ka ngjitur.

Kombinimi i librit të duhur me lexuesin e duhur nuk mund të kontrollohet me arsye: ka gjithnjë faktor të paparashikuar, që “e lidh majonezën” dhe që i detyrohet randomizimit; të njëjtit randomizim që përdorin fallxhorët kur përziejnë letrat, ose ata që qëmtojnë hekzagramet në I Ching. Një formë e thjeshtë e kësaj procedure është edhe hapja e një libri (të shenjtë) në një faqe çfarëdo, për të marrë nga teksti atje ndonjë udhëzim për ditën; ose parashikimi i së ardhmes a marrja e përgjigjeve nëpërmjet një libri, çfarë njihet edhe si bibliomanci. Në librari ose në bibliotekë këtë efekt e siguron alfabetizimi. Dhe meqë flasim për biblioteka, ashtu kam zbuluar Erving Goffman-in te Manhattan Public Library, nga i cili kam mësuar pastaj aq shumë; thjesht duke u sjellë mes rafteve.

Përtej takimeve fatlume me librat, motorët e kërkimit po na e dëbojnë randomizimin nga eksperienca, sidomos nga eksperienca intelektuale; duke e zëvendësuar me një përgjigje pothuajse homeopatike ndaj kureshtjes: më thuaj se ç’të pëlqen, të të them se ç’do të të pëlqejë. Presupozimet e këtij parimi pothuajse filozofik, megjithatë, nuk bindin: edhe pse të gjithë jemi pak a shumë të parashikueshëm në ato që bëjmë dhe ato që duam, thelbi ynë si subjekte të lira është paparashikueshmëria. Inteligjenca artificiale (AI, akronim që në shqip do të lexohej edhe si një përemër për “the big Other” të Lacan-it) vërtet na kursen shumë kohë, por ndoshta na privon nga ndonjë mikro-nutrient për mendjen, me pasoja afatgjata fatale – për lirinë tonë intelektuale, kreativitetin dhe kushedi çfarë tjetër.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi, i plotë ose i pjesshëm, pa lejen e autorit.


[1] Kjo nuk është pranuar njëzëri; ka leksikografë dhe leksikologë që mendojnë se ka diçka kuptimore që i bashkon, megjithatë, fjalët që nisin me një shkronjë (a me një fonemë) të caktuar. Nga ana tjetër, shkronja e fundit e një fjale shqipe përcjell shumë më tepër informacion kuptimor (përfshi edhe kuptimor gramatikor) se shkronja e parë.

4 Komente

  1. Eksperienca ime eshte krejt e kundert, qe kerkimi online e stimulon me teper rastin, dhe per pasoje kreativitetin. Per kete arsye une humb shume kohe kryesisht ne virtualitet, librin karte e lexoj ne funksion te zbulimit ne virtualitet.

    Shkrimi trajton raste te veçante te kerkimit ne fjalor dhe skedar te bibliotekes, shume e vertete, nuk kam asgje kunder. Por e kam fjalen per kerkimin e koduar si koncept ose si titull qe sherben si kod kerkimi per temen qe te intereson. Vete Wiki qe ofrohet e para ne kerkim eshte nje burim i madh rastesish paralele, pertej Wikit pastaj lexo ketu e lexo atje pa fund e duke gjet perla te panjohura vazhdimisht edhe jasht temes se interesuar. Me duhet te ndalem, ne mos nga lodhja, per arsye se kam frike se ngelem pergjithmone ne boten virtuale duke bere kerkime kulturore te vazhdushme, e nuk kthehem me te boj i dor muhabet ne boten reale.

  2. Njeriu qe me fete me te hershme ka arritur ne konkluzionin qe ne fillim, gjeneze, kudo eshte kaosi. Fizika e ka konfirmuar ne pjesen e saj, jo vetem me origjinen e universit-cilado hipoteze qofte- , por edhe me therrmijat, qe sa me te vogla, sa me te gjenezes te jene, aq me qeveri me vete jane. Por edhe shkencat e tjera ne sektoret e tyre e konfirmojne qe kudo ne fillesa eshte kaosi dhe me vone lind rregulli e me rregullin lindin identitetet. Vete themelet e sistemeve politike kerkojne nje moment kaosi, nga i cili del rregulli dhe identiteti i ri.

    Ne kete kuptim, çdo moment anarkie/kaosi kerkon diçka qe te sjelle rregull dhe identitet.

    Tek njeriu ka edhe ide te qarta/rregull/identitet edhe ide te paqarta/anarki, ne varesi te situates njeriu eshte i parashikueshem ne idete e qarta dhe i paparashikueshem ne idete e paqarta. Ne thelb ngel i paparashikueshem sepse idete e paqarta jane me shume se ato te qartat, prandaj shkencat qe merren me njeriun, merren me masen e njerezve per ndonje konkluzion dhe jo me individin, i cili eshte si thermijat elementare ne fizike .

    Librin qe nuk kerkojme e gjejme kur na verdallisen ne koke mendime te paqarta dhe na ze syri dike, diçka qe mund te sjelle rregull dhe rrjedhimisht identit ne ate pike.
    Kete impuls primordial qe nga kaosi krijon rregullin nepermjet ligjeve universale, nuk rrekem as te hamendesoj se ç’eshte, pse eshte e nga vjen, por di qe kush do e gjeje do te jete njeriu me i famshem ne jete te jeteve.

    Ne pergjithesi enciklopedite duke dhene pilula njohjeje, me shume shtojne numrin e ideve te paqarta, ne kuptimin qe njeriu ne shumicen derrmuese te realitetit nuk ka ide fare, gjen nje pilule njohjeje gjekundi, i shumefishohen idete e paqarta.
    Pra ne thelb kurioziteti duke qene shkaktari nr 1 i pilulave te njohjes, shumefishon elementin kaotik tek njeriu, rrit nevojen per kete impuls primordial qe don ta ktheje kaosin ne rregull, pra ne ide te qarta dhe njeriu ecen ose vrapon derisa t’i vije ora e vdekjes pas nevojes per kete rregull.

    Prandaj thone ”beata ignoranza”, sepse ky impuls primordial per te vene rregull, qofte ne univers, qofte ne koken e njeriut, nuk ka pse te gjendet aty ku njeriu jeton me pak ide per realitetin, preferon t’i marre per te verteta nga disa njerez me autoritet dhe nuk ka pse te vrase mendjen.

    Librin qe nuk kerkojme ne nje moment te papercaktuar te jetes eshte mire qe te mos e gjejme fare e te vazhdojme te fokusohemi tek libri qe kerkojme.

    1. Komenti Juaj ne kete rast, do te ishte ligji universal qe do te conte drejt rregullit. Perfekt, nese na lejohet ndonjere te bejme perjashtim nga rregulli.

  3. Komentet jashtë temës janë fshirë (autorët e dinë psenë). Nëse vijnë sërish komente jashtë temës këtu dhe në shkrime të tjera, autorët do të vihen në moderim (dhe më pas do të ndalohen krejt të komentojnë). Lutem mos komentoni për këtë ndërhyrje që e bëj në cilësinë e administratorit – nuk mund të lejoj që komentuesit të ndryshojnë natyrën e sajtit, pavarësisht nga synimet e mira që mund t’i kenë frymëzuar. Argumentet dhe objeksionet tuaja të mundshme në lidhje me këtë politikë të moderimit do të injorohen (dhe do të fshihen menjëherë). Ju kujtoj se leja që ju jepet për të postuar te kjo faqe është proporcionale ndaj respektit që tregoni për natyrën dhe rregullat e faqes.

Lini një Përgjigje te hyllinAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin