NJË VERË PUSHIMESH TË PAHARRUARA

Edhe pasi trokita për të tretën herë, përsëri nuk vendosa ta shtyj derën e dhomës së prindërve dhe të hyj brenda. Jo për shkak të edukatës së hollë që kisha, por sepse kur e kisha bërë dikur një gjë të tillë,  i kisha gjetur të dy duke u puthur. Nuk më pëlqeu. M’u duk se kisha zbuluar arsyen  përse nëna zhdukej herë pas here dhe kur kthehej në shtëpi, mbante  një bebe në dorë. Kisha përshtypjen se ishim shtuar pak si shumë. Dhe meqë nuk kisha dalë ende nga mosha e magjive, besoja se po të mos i shihja unë të putheshin, invazioni i bebeve do të ndërpritej.

Kur së fundi dëgjova zërin e tim ati, shtyva derën, por nuk e kapërceva pragun e saj. Im atë po montonte teknografin, me të cili punonte nganjëherë në shtëpi, ndërsa nëna rrinte gjysmë shtrirë në shtrat, e zbehtë dhe me një libër në dorë. Ula ngadalë vështrimin te këmbët e mia dhe, duke u përpjekur të kap e të tërheq zvarrë edhe vështrimin e tyre, deklarova: Me këto këpucë nuk shkoj në shkollë! Prisja të më thonin se edhe kur i kisha patur të reja, njëlloj ishte, nuk shkëlqeja për rregullsinë e vajtjes në shkollë. Por jo. Nuk më thanë gjë. U panë një çast në sy e vazhduan në punë të tyre.

– Me këto këpucë nuk shkoj në shkollë, – bërtita më fort.

Im atë mori frymë thellë dhe m’u afrua si me bezdi të shihte më mirë këpucët e mia. Pastaj u përkul dhe si ma hoqi njërën prej tyre nga këmba, nisi ta këqyrë me shumë vëmendje. Ke të drejtë, më tha kur u ngrit. Nuk bëhet më keq! Janë shqepur fare.

Ndërsa provoja kënaqësi se gjithçka po shkonte mirë, mbeta i habitur nga fjalët e tij. Këpucët e mia nuk ishin hiç të shqepura.

– As nuk mund të riparohen më, – shtoi ai duke më hutuar fare.

Ia mora menjëherë nga dora, që të bindem vetë, i rrotullova gjithandej, por asgjë nuk ndryshoi. Këpucët e mia vërtet nuk ishin fringo, por aspak të shqepura. Puna ishte se mua më pëlqenin një palë këpucë çeke që i kisha parë në vitrinën e një dyqani në rrugën e Durrësit. Kisha arsyet e mia të parrëfyeshme që në përfundim të pushimeve verore, të shkoja me këpucë të reja shkollë. Po nëse ato që kisha atij, për çudi i dukeshin edhe të pariparueshme, kjo veçse më afronte edhe një hap më pranë qëllimit tim.

– Për fat të mirë, tani nuk je më i vogël, – tha ai duke u kthyer te teknografi i  tij.

Kjo ma prishi pak qejfin. Çfarë donte të thoshte? Se sa më i madh të jesh aq më pak rëndësi kanë këpucët? Po të ishte kështu, atëherë ai me moshën që kishte duhej të shkonte zbathur në punë.

– Mund të punosh vetë për të blerë një palë të reja, shpjegoi im atë duke turbulluar edhe revoltën që po përgatitej brenda meje.

Pashë  i skandalizuar nga nëna. Ajo kishte kthyer përsëri sytë nga libri i saj, që me siguri do të ishte Manastiri i Parmës, me të cilin e mbaj mend gjithnjë, edhe kur ngrihej të merrte ilaçet, por edhe  kur numëronte pikat e vajit, që  lejonte të dilnin nga gryka e shishes dhe të bënin rënie të lirë mbi trahana. Meqë edhe nga ajo anë nuk po më vinte asnjë lloj ndihme, vendosa t’i dal zot vetes.

– Unë jam i vogël! – ua kujtova të dyve me zë të vendosur, që të kuptonin se në një pikë të tillë nuk lejoja dyshime.

– Ka punë edhe për të vegjël, – ia bëri ai pa i kthyer fare sytë të më shohë, si për të nënvizuar pavlerën e argumentit tim. Dhe kjo tamam atëherë kur isha bërë gati t’u flisja për këpucët që kisha zgjedhur në atë vitrinën e rrugës së Durrësit.

Pa ditur të sjell argumente të tjera, nisa të ndjek i hutuar lëvizjet e tij, tek montonte teknografin pranë dritares duke u kujdesur që të  kishte pjerrtësinë e përshtatshme. Më tej vendosi një vizore të gjatë horizontale, e cila nëpërmjet një sistemi makarash të vogla, zhvendosej paralelisht mbi tabakun e letrës milimetrike që ishte shtruar paraprakisht mbi syprinë dhe së fundi fiksoi krahun e lëvizshëm metalik të një abazhuri. Kur m’u duk se ishte më i gatshëm të më dëgjonte, iu afrova fare pranë dhe ngrita kokën ta shoh në sy.

– E çfarë pune? – e pyeta ndërkohë që ajo ndjenja e parë e padrejtësisë, po  i linte vendin kureshtjes.

– Punë për ty.

– Dhe me lekët që do fitoj do blej këpucë?

– Do blesh këpucë.

– Çeke?

– Çeke.

Me tim atë asnjëherë nuk kemi qenë miqtë të mirë,  madje kam përshtypjen se kurrë nuk u njohëm tamam,  por kjo gjithsesi ishte diçka më e mirë se shamata, që e shqetësonte së tepërmi time më (Ishin të vetmet raste kur ajo e linte menjëherë librin e saj dhe ngrihej të shuante sherrin që në fillim). Megjithatë, hera herës nuk kanë munguar edhe paktet e aleancat. Dhe sa kohë që vareshin vetëm prej nesh, i kemi respektuar deri në fund.

Kështu ndodhi edhe atëherë, por pa e ditur se ajo historia e këpucëve të mia lidhej me ndonjë ngjarje jashtë shtëpisë e aq më pak me ngritje temperaturash në konfliktet planetare.

Në të vërtetë, ai  teknografi montohej herë pas here në dhomën e prindërve sepse im atë merrte porosi për projekte të ndryshme ndërtimi, të cilat i bënte privatisht. Kjo deri në një kohë të caktuar qe krejt e lejueshme. Në të vërtetë ai punonte në terren, ishte shef kantieri ndërtimesh, por duke qenë mbase specialisti i vetëm në vend për sistemet e ngrohjeve qendrore ai shpesh herë merrte porosi  nga institucionet edhe për projekte instalimi  kaldajash industriale e gjithfarë impiantesh nën presion. Më kujtohet se u mor shumë edhe me ndërtime “civile”, projektoi  rinovimin   e parë të Hotel Dajtit, ministrive etj. Ishin tamam raste kërkesash të tilla, që kërkonin ngritjen e teknografit në dhomën e tyre dhe ai niste e punonte natë e ditë, në shoqërinë e pamunguar kurrë të nënës sime.

Ashtu i mbaj mend të dy në dhomën e tyre, ai i përkulur mbi teknograf duke bërë llogaritje e duke hequr vija me bojë kine mbi letër kalk milimetrike, në ngjyrë blu ose rozë dhe ajo  gjysmë e shtrirë në shtrat, në shumë raste e sëmurë dhe, kur nuk ishte e tillë, shtatëzënë. Me librin e saj në dorë, si zakonisht. Dhe gjithnjë duke biseduar, edhe pse secili merrej me punën e tij, edhe pse  pyetja e njërit  shpesh herë merrte përgjigje pas dhjetë a pesëmbëdhjetë minutash prej tjetrit. Nganjëherë mbase të nesërmen, kur ngriheshin herët të pinin kafenë bashkë, ende pa u zgjuar ne, sektori i  zallamahisë.

Gjithsesi, atë ngritjen e teknografit në dhomën e tyre, me kohë edhe ne kalamajtë kishim nisur ta prisnim me interes të veçantë. Ai paralajmëronte të ardhura plotësuese për familjen. Projektet e tij paguheshin mirë dhe ajo ishte e vetmja kohë kur ne e hapnim gojën dhe formulonim kërkesa, për rroba a këpucë të reja, për të cilat kishim menduar gjatë. Listën, nëna e ruante me kujdes në komodinën e saj, por kur zgjatej në mënyrë  dëshpëruese, lista pësonte edhe ndryshime, tkurrej. Disa “zëra” të kushtueshëm nisnin e zhdukeshin si me magji, por kjo nuk ishte arsye e fortë që të ulte interesin tonë për porositë e projekteve të reja që babai merrte nga koha në kohë.

Por dikur ato reshtën fare. Projektet vinin nga Bashkimi Sovjetik. Pala shqiptare vetëm se duhej të merrej me zbatimin e tyre. Dhe në kushte të tilla, im  atë e kalonte kohën duke ndjekur punimet nëpër kantiere ujësjellësish, hidrocentralesh a fabrikash të ndryshme, nga mëngjesi e deri në darkë vonë.

Kjo ishte arsyeja që ajo që po ndodhte ato ditë në dhomën e tyre, pra shfaqja e teknografit, qe diçka krejt e papritur, por ajo që pashë kur u ktheva nga  fusha e Xha Tomit në darkë, nuk kishte ndodhur asnjëherë. Në anë të teknografit ishin vënë dy karrige, para të cilave rrinin në gjunjë dy vëllezërit e mi, fare pak më të mëdhenj se unë. Në ndenjëset e karrigeve,  që atë mbrëmje shërbenin si tavolinë, kishte lapsa dhe fije letre të mbushura me kërkesa përllogaritjesh, që ata i bënin me kujdesin më të madh. Përfundimet pastaj ia jepnin tim ati, si pjesë formulash të komplikuara, tërësinë e të cilave dinte ta zgjidhte vetëm ai. Unë isha i fundit që u bashkohesha atij “grupi pune”.

Nuk e dija se çfarë i kishin kërkuar tim ati dy vëllezërit e mëdhenj, por për vete më dukej se e kisha mbyllur pazarin që më parë dhe ndihesha krenar që do t’i blija këpucët  me punën time.

– Shko dhe merr karrigen tënde, – më tha tim atë .

Nxitova në kuzhinë  dhe solla me gëzim një karrige. U ula në gjunjë, mbështeta bërrylat në ndenjësen e saj dhe prita me padurim. Nuk vonoi shumë dhe ai më solli një copë letër të mbushur me shifra. Rezultatin duhej t’ia jepja atij, mundësisht sa më shpejt. U ndjeva shumë i zoti dhe  përvesha mëngët, por gjithçka nisi të rrënohej në mënyrë të pamëshirshme. Nuk isha në gjendje të bëja asgjë. Në të vërtetë ishte fjala për të nxjerrë rrënjën katrore të një serie të gjatë shifrash, me qëllim që babai të fitonte kohë në zgjidhjen e atyre formulave të veta që zgjateshin si papirus hieroglifësh. Por tamam atë nuk dija ta bëja.  Për më tepër, askush nuk kthente kokën të më shihte me pak keqardhje, për të cilën kisha aq nevojë ato çaste.

Atë natë nuk e dija se fati i këpucëve të mia në të vërtetë lidhej me probleme higjene ideologjike, më saktë me akuzat e qeverisë shqiptare për tradhti të Bashkimin Sovjetik ndaj marksizmit-leninizmit, gjë që do t’i ngrinte nervat Moskës  dhe do e shtynte të ndërpriste bashkëpunimin me Tiranën. Me fjalë më të thjeshta, do të ndërpriste ndihmat që na jepte, gjë që rrënonte krejt industrinë në ngritje të vendit. Por një  fabrikë, pjesë e Kombinatit të tekstileve, në mos gaboj, nuk e di pse paraqiste problem të madh për qeverinë shqiptare. Im atë, pasi ishte marrë me nje hidrocentral rrëzë Dajtit,  kishte drejtuar punimet e profilit të tij për realizimin e projektit të TEC-it të Kombinatit, kohë nga e cila kisha dëgjuar të flitej për netë dehjesh epike me inxhinierët rusë. Por prej vitesh punonte në kantiere të tjerë. Veçse, nevoja e madhe për atë  fabrike projektet e së cilës  nuk  do të vinin kurrë nga Moska, e kishte shtyrë qeverinë të ngrinte një grup pune specialistësh shqiptarë, të cilëve u qe kërkuar që në një kohë sa më të shkurtër, të gjenin zgjidhje teknologjike për ndërtimin dhe vënien e saj në punë. E tepër të thuhet se ata që do të merreshin me të, ndërkohë  që drejtonin edhe sektorët e tyre përkatës, do të shpërbleheshin.

Mua, ato çaste më dukej se po rrëshqisja poshtë karriges. Prej andej u bëja ndonjë shenjë vëllezërve të më ndihmonin, por ata ishin të zënë me porosinë që kishin. Nisa të mendoj se një sjellje e tillë mizore ishte thjesht pasojë e konkurrencës. Mbase kushti ishte që sa më shumë ushtrime të bënte secili, aq më shumë fitonte. Për fatin tim të mbrapshtë, nuk kishte “akord grupi”, ku secili të punonte sipas mundësive dhe fitimi do të ndahej në mënyrë të barabartë. Vëllazërisht, me që ra fjala.

Dikur vëllai i madh u ngrit të shkonte të pinte ujë dhe tek po kalonte  pranë meje i hodhi një sy të shpejtë asaj letrës që kisha përpara. Si mjeshtër që ishte në matematikë, ai i bëri menjëherë të gjitha veprimet me mend, dhe kur iu duk se nuk po e shihte njeri, nxitoi të shkruante rezultatin në letër e doli jashtë. Unë e rrëmbeva atë menjëherë dhe ia zgjata tim eti, edhe pse pa ndonjë zell e krenari të dukshme.

Nuk e prisja fare që të gjithë të linin punën dhe të kthenin kokën nga unë. Edhe nëna e la librin anash dhe më pa gjatë. Ia plasa të qarit dhe dola jashtë. E kuptova se kurrë nuk do të isha në gjendje të fitoja para për ato  këpucët që kishin nisur të më dalin në ëndërr.

E pra, fjala ishte vetëm që të nxirrja  rrënjë katrore, pafundësisht rrënjë katrore numrash realë, pozitivë. Ishte kjo që kërkohej prej meje. Dhe për dreq, atë veprim, aspak të ndërlikuar  e kishim pasur para pak kohësh në programimin shkollor, veçse kishte kohë që orët e mësimit  unë i kaloja i mrekulluar nga çdo fjalë e lëvizje e shoqes sime të bankës. Dhe që të mos e fsheh, ishte ajo që kisha dëshirë të më shihte me ato këpucët e mia të reja në shtatorin e ardhshëm.  Se në fund të fundit edhe unë duhej të gjeja gjësendi që ta hutoja atë!

Fshiva lotët dhe deklarova: Më jepni gjëra me të lehta,  këto akoma nuk i kam mësuar.

Vëllezërit më panë me habi, por nuk folën, nuk më denoncuan. Unë shkova të mbyllem në banjë dhe si kyça derën nga pas, mora një kaçavidë dhe nisa ta ngul midis shollës dhe syprinës së këpucëve të mia. Që të dyja tani ishin të shqepura. Ai as që kishte se çfarë  të thoshte më. Këpucët qenë bërë ashtu siç i ishin dukur atij. Detyrimisht që do të më blinte të tjera. Punoja a nuk punoja  unë!

Ndërkohë aty në dhomë ishin marrë vendime të rëndësishme për mua, që i mësova sapo u ktheva. Që atë natë, njëri nga vëllezërit ishte ngarkuar të më bënte një kurs ty përshpejtuar të nxjerrjes së rrënjës katrore. Ishte ajo që kërkohej gjithnjë e më shumë.

Në pak ditë atmosfera ndërroi rrënjësisht. Ishte kohë pushimesh verore dhe unë zbrisja poshtë pallatit vetëm sa për të njoftuar miqtë e mi se duke qenë  tepër i kualifikuar në matematikë,   më duhej të merresha me ca gjëra të rëndësishme, për të cilat nuk kisha të drejtë t’u flisja më shumë. Pastaj u thoja në vesh se po ndërtoja një fabrikë.

Në të vërtetë në shtëpi kishte edhe një makinë llogaritëse, që saktësisht e quanim rigë llogaritëse. Qe një rigë me profil trekëndësh me një material si të fildishtë dhe sipërfaqe të shkallëzuar  në të cilën  një kursor të lëvizshëm duhej të zhvendosej në një pozicion të caktuar për të nxjerrë rrënjët katrore, madje edhe për koefiçentë të tjerë të natyrës trigonometrike, që nuk më kujtohen. Por atë e përdorte vetëm im atë.

Për të tjerët kishte kërkesa disi më të vështira se të miat dhe, duke relativizuar saktësinë e këtyre kujtimeve, më duket se  shpesh ishte fjala për një koefiçent enigmatik me emrin theta (θ) që vinte e përmendej  pareshtur. Ishte fjala për temperaturën mesatare që rezultonte nga përzierja e dy a më shumë lëngjeve me temperatura të ndryshme, në vartësi të volumit, presionit  etj. Kërkohej saktësi e madhe, se në vartësi të asaj temperature varej edhe qëndrueshmëria e materialeve që fiksoheshin në suporte të ndryshëm në një sallë tharjeje industriale, gjë që përbënte edhe pjesën e projektit që i takonte tim ati.

Tre vetë të ulur në gjunjë para karrigeve duke bërë llogari e folur me vete, babai që qëndronte më këmbë, i përkulur mbi teknograf duke kontrolluar saktësinë e përfundimeve tona e duke vazhduar të përpunojë idetë e tij me bojë kine mbi një tabak letre kalk milimetrike dhe nëna që kishte filluar të ngrihej diçka më shpesh dhe lëvizte midis nesh duke na fërkuar kokën e sjellë ndonjë gotë uji,  është imazhi që  zapton edhe sot e gjithë ditën kujtesën time të asaj vere të paharruar.

Kur je në siklet shpesh as që e kupton veten  se bëhesh qesharak. Mbetjen e mbledhjeve dhe zbritjeve të mija unë i fiksoja me pesë gishtat e dorës së lirë, duke i ngritur një e nga një në ajër, por kur numri ishte më i madh se aq, atëherë fusja në punë mjetet rrethanore. E gjashta  ishte hunda, e shtata mjekra, i teti veshi i majtë, i nënti ai i djathti, ndërkohë që nxitoja të hidhja rezultatin në letër, sa pa e harruar.  Dhe nuk i vija re ca zgërdhirje rrotull meje. Aq më bënte, ishin këpucët ato që kishin rëndësi për mua.

Babai nuk fliste shumë dhe shpesh ne e harronin praninë e tij,  kështu që ishte nëna që vendoste se kur ne duhet të ndërprisnim punën e të shkonin të flinim. Por, pasi merrte ilaçet e saj të darkës, shpesh atë vetë e këpuste gjumi dhe ne iknim në majë të gishtave dhe e linim babanë duke punuar. Kisha përshtypjen se ai e kishte hequr fare gjumin nga orari i veprimeve, sepse edhe kur më kishte ndodhur të zgjohesha në mesnatë apo aty ndaj të gdhirë, shihja gjithnjë dritë nën derën e dhomës së tyre.

Qëllonte që nëna zgjohej dhe merrte përsëri librin e saj në dorë, por pak më pas e merrte përsëri gjumi.  Vite më vonë nuk kam lënë gjë pa lexuar për Manastirin e Parmës, në përpjekje që të kuptoj se çfarë e tërhiqte aty. Përfundimet që nxirrja nganjëherë ishin aq të frikshme, sa përpiqesha të mos mendoja e analizoja më tej.

Ndërkohe tabakët e mëdhenj të kalkut të mbledhura rul, që përfaqësonin faza të ndryshme të projektit, shtoheshin gjithnjë e më tepër në një anë të  teknografit, shpesh të litografuara në disa kopje.

Babai  kishte nisur të largohej, për të paraqitur projektin në këshillat teknikë dhe kthehej me kërkesa të tjera. Kishte një distancë  fare të shkurtër   midis  miratimit të projekteve dhe vënies së tyre në zbatim. Por shpesh ai zhdukej edhe më gjatë për të akorduar projektin me specialistët e fushave të tjera, arkitektë, teknologë prodhimi, inxhinierë elektrikë etj.,  apo për t’u shpjeguar idetë e tij teknikëve të zbatimit. Mbaj mend makinat që ndalonin poshtë pallatit dhe ai ngrihej të vishte çizmet dhe një pardesy  të zezë e të gjatë deri poshtë këmbëve dhe ikte për t’u kthyer vonë natën.

Na vinte çudi kur mbeteshim vetëm, por ndonëse e mendonim të gjithë, atë vit as që bëhej fjalë të shkonim në plazh te ajo “dhoma e çamëve“ , që merrnim nganjëherë me qira.

Dikur, më përfundimin e pushimeve, u mbyllën edhe detyrimet. Sikundër projektet tona edhe ato që kishin bërë kolegët e tjerë të grupit të punës ishin në duart e inxhinierëve të zbatimit. Ditët e fundit atyre u ishte bashkëngjitur edhe grupi i projektuesve, për të ndjekur çdo problem në vend. Edhe pse nuk kishin pasur përvoja të mëparshme  dhe protokollet e teknikës së sigurimit ishin ende të pa stabilizuara, ata gjithsesi i futën impiantet në presionin më të lartë të mundshëm dhe gjithçka shkoi për mrekulli.

Të tjerat i morëm vesh nga nëna, përurimin e suksesshëm të fabrikës dhe mbi të gjitha një takim të grupit të punës me titullarë të ministrisë përkatëse, funksionarë të Komitetit ekzekutiv apo të Komiteteve të partisë. Në përfundim, para se të largoheshin, pasi i pritën me pak buzëqeshje falënderimet e lëvdatat e rstit, im atë, duke patur edhe miratimin e kolegëve të tij i qe afruar shefit të financave të ministrisë dhe e kishte pyetur se kur do të qe e mundur të shkonin në zyrën e llogarisë për të tërhequr honorarët e punës së  tyre. Ai kishte thënë se nuk dinte asgjë dhe i shqetësuar i ishte afruar titullarit të ministrisë. Ashtu siç ishte, në shoqëri të disa funksionarëve të tjerë të lartë, ai nuk e kishte fshehur nervozizmin dhe kishte thënë me zë  të lartë që ta dëgjonin të gjithë: Nuk e dija se kishim midis nesh edhe njerëz me mentalitet të tillë borgjez, që kërkojnë para.

Ata nuk i morën kurrë honorarët e premtuara. Por edhe këtë e dinte vetëm nëna.

Mbaj mend se ku u kthye në shtëpi ai nuk e zgjati kokën si zakonisht në dhomën tonë, më shumë për të pyetur ku ishte ai që mungonte, se sa për të na përshëndetur, por ne e merrnim për të tillë, për përshëndetje. Por atë ditë, ndryshe nga herët e tjera bëri sikur u interesua për ne të gjithë dhe na drejtoi ca pyetje pa kuptim, që na shtynë të shihnim tinëz njëri tjetrin. Pastaj shkoi e u mbyll drejt e më dhomë.  Mendova se suksesi i projektit do të shoqërohej edhe me ndonjë bebe të vogël, por nuk qe ashtu.

Më parë e ndjenim praninë  e tij në ajër edhe kur nuk ishte aty, atë ditë ai dukej sikur krijonte boshllëk rreth vetes, mungonte edhe kur e kishim midis nesh. Nëna ishte ngritur dhe gjithë kohën qëndronte më këmbë, duke e ndjekur pas ngado që shkonte.

Atëherë nuk dija shumë gjëra për të (ka gjëra që nuk i di as sot), por diçka që  mësova  dhjetëra vite më vonë, ma paraqitën tim atë në dritën e një tragjedie të pabesueshme.  Kishte dalë në pension dhe duke qene se ndjente vështirësi ekonomike, me nxitjen e miqve të tij, vendosi të kërkojë pensionin e luftës, për të cilën nuk fliste asnjëherë. Dhe ma dha mua të shtypja në makinë kërkesën e tij. Nuk ishin aksionet e jashtëzakonshme që kishte marrë pjesë si anëtar grupeve guerile, hedhje deposh në erë, vrasje patrullash të Gestapos, sulm mbi kazerma, hapje tunelesh të nëndheshëm për çlirimin e shokëve të tij të arrestuar, etj., ato që më hutonin, por nuk arrija të kuptoja si nuk kishte folur kurrë për to. Dhe këtë imazh të panjohur më parë për mua ia veshja atij personit, që në një gjendje krejt tjetër shpirtërore, mbeti i shtangur e pa mundur të thotë as edhe një fjalë, kur e fyen dhe i mohuan mundin e muajve  të tëra pune të jashtëzakonshme.

Gjithsesi, duhej të prisnim të kalonte ca kohë që ta ndjenim të plotësohej imazhi i tij nëpër shtëpi. Ndërkohë dora dorës  kishim mësuar gjithë çkishte ndodhur.

Dhe në një nga ato ditë, ai i nguli sytë me vëmendje të këpucët e mia, sikur të qe kujtuar befas për to. Pastaj më kapi mjekrën me dy gishta dhe tha se bënte habi si nuk e kishte vënë re se ato ishin mjaft të mira. E pashë nje herë si anash, për të kuptuar nëse bënte shaka. Nuk më dukej fort i vërtetë në atë që thoshte, se unë u isha përveshur me kaçavidë këpucëve të mia, por as m’u duk se bënte shaka. Desha të besoj se vërtet i dukeshin ashtu, sikundër dikur i ishin dukur fare të shqyera.

-Qenkan si të reja, tha përsëri,  dhe sot jam i sigurtë se ai po bënte diçka që nuk e kishte bërë kurrë në jetën e tij.

– Janë të reja, fare i thashë, duke mbajtur lotët.

Ishte radha  e tij të më shihte me kujdes, që të kuptonte nëse nuk luaja me të.

– Edhe sikur të bleja një palë të tjera, këto nuk do ti hidhja, vazhdova. Më pëlqejnë shumë.

Ai përsëri më pa me këmbëngulje. Por unë isha bërë krejt i padepërtueshëm, nuk kishte zot që më lexonte ato çfarë kisha në kokë.

Vetëm se shkova të mbyllem në banjë e të qaj.

Nuk është se vetëm kisha ëndërruar për ato këpucë që vazhdonin të më dilnin në ëndërr, por edhe  kisha punuar gjithë verën për to.

Kam përshtypjen se që atë ditë ka shumë pak gjëra që më habisin më.

Megjithatë, sot kur shoh nganjëherë qilarin e shtëpisë me plot etazhere që janë harkuar nga pesha e këpucëve të panumërta,  shumë nga të cilat mbase kurrë nuk do t’i vesh ndonjëherë, them se ajo ngjarje nuk ka kaluar te unë pa lënë pas ca pasoja të vogla anësore.

…………………….

Që nesër në Panair ne stendën e Shtëpisë Botuese UEGEN

P.s. Për të shmangur një keqkuptim që ka lindur më duhet të shtoj se romani Habia nuk ka asgjë të përbashkët me rrëfimin e mësipërm personal.

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: