1X10: FERDYDURKE

Titulli: Ferdydurke
Autori:
Witold Gombrowicz
Shqipëroi:
Edlira Lloha
Botime Pika Pa Sipërfaqe (2014)
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Gresa Hasa

Witold Gombrowicz është shkrimtar dhe dramaturg polak. Ferdydurke është romani i tij i parë, botuar në Varshavë më 1937 gjatë asaj që vetë autori do e konsideronte “një periudhë krize dhe tëhuajsimi” në ditarët personalë, të cilët do t’i ofroheshin publikut vite më vonë. Dhe vërtetë, pak kohë pasi Ferdydurke doli në dritë, në Evropë shpërtheu Lufta e Dytë Botërore. Gombrowicz ndodhej në Argjentinë asokohe, i panjohur në “atdheun e ri” po aq sa në vendlindjen e tij. Ky shkrimtar të cilin Milan Kundera e ka konsideruar si një prej gjenive të letrave moderne dhe vetë Ferdydurke-n “një prej tre-katër romaneve më të mëdhenj të shkruar pas vdekjes së Proust-it”, mbeti në harresë. Ai u soll në vëmendje vetëm gjatë viteve të fundit të jetës por sot konsiderohet një prej personaliteteve letrare më të spikatura të shekullit të XX.

Ferdydurke nuk është thjesht një qëndrim kritik ndaj pabarazisë klasore, nacionalizmit dhe infantilitetit të një shoqërie. Ky roman është mbi të gjitha një mësim qytetarie dhe humanizmi. Ai është një këmbanë alarmi kundrejt rëndësisë që mbart zgjedhja e një ane në çaste kritike. Autori e ka quajtur romanin “një larje hesapesh” me shoqërinë dhe institucionet që punojnë sistematikisht për t’i infantilizuar njerëzit, sidomos ato nën regjimet totalitare. Zhdërvjelltësia intelektuale dhe artistike, sikurse sarkazma therrëse e bëjnë Ferdydurke-n një gur të çmuar në kapitalin e letërsisë botërore. Më poshtë gjeni përzgjedhjen e disa prej fragmenteve që personalisht i kam veçuar si më tërheqëset në libër.  

 

1.

“Gjino, – më thoshin kur kishin radhën e përkujdesjes, – fëmijë i shtrenjtë, ka ardhur koha. Çfarë do të thonë njerëzit? Nëse nuk dëshiron të bëhesh mjek, bëhu të paktën kodosh, ose rritës kuajsh, por të paktën ta dimë… Të paktën ta dimë…”
Dhe dëgjoja se si njëra i pëshpëriste tjetrës se jam i paardhur mirë si në shoqëri ashtu dhe në jetë, e paskëtaj nisnin sërish të pëshpërisnin, të lodhura nga boshllëku që kisha krijuar në kokën e tyre. Në të vërtetë, kjo gjendje nuk mund të zgjaste pafundësisht. Akrepat e orës natyrore ishin të vendosura dhe të palodhura. Kur dhëmbët e fundit, dhëmbët e mençurisë, më dolën, mund të thuhej se zhvillimi ishte kryer, kishte ardhur koha e vrasjes së paralajmëruar, burri do të duhej të vriste djalin e pangushëlluar, të bridhte si një flutur, duke lënë pas kufomën e krisalidës, të cilës i kishte ardhur fundi.

 

2.

– A nuk janë ata me takt, të përgatitur dhe të vetëdijshëm për fisnikërinë e misionit të tyre, që është të mësojnë të tjerët?
– Këto janë kokat më të rënda të vendit, – ia ktheu drejtori.
– Asnjë prej tyre nuk ka as edhe një mendim të vetin; por edhe nëse ndonjërit do t’i lindte ndonjë mendim i veti, jam unë vetë që e përzë, në mos mendimin, mendimtarin. Duket që këta janë krejt të padëmshëm, mësojnë vetëm atë që përmban programi mësimor, jo, jo, nuk u mbin atyre asnjë mendim i veti.

 

3.

Mësuesi psherëtiu, mbyti një psherëtimë të dytë, pa orën dhe tha:
– Një poet i madh! Mbajeni mend këtë, sepse është shumë e rëndësishme! Pse e duam? Sepse ishte poet i madh. Ishte poet i madh! Të pagdhendur, injorantë, po jua them me qetësi, futeni mirë në kokë këtë – pra, po e përsëris nga e para, ju lutem zotërinj: Poet i madh Juliush Sllovacki ishte poet i madh, e duam Juliush Sllovackin dhe mrekullohemi nga poezia e tij, pasi ai ishte poet i madh. Ju lutem, mbani shënim edhe temën e detyrës së shtëpisë: “Pse në poezitë e poetit të madh Juliush Sllovacki, mbretëron bukuria e përjetshme, që frymëzon admirim?”
Në këtë çast të mësimit, një prej nxënësve u vërvit në bankë me nervozizëm dhe tha me zë të mbytur:
– Po unë nuk mrekullohem fare! Aspak nuk mrekullohem! Nuk më prek fare! Nuk mund të lexoj më shumë se dy strofa dhe as këto dy strofa nuk më prekin. O Perëndi, më shpëto, si të mrekullohem, kur nuk mrekullohem dot?  – fërkoi sytë dhe u ul, sikur ngeci në ndonjë hon të pamatë.
Nga ky pohim kaq naiv, mësuesi gati sa nuk u mbyt.
– Pusho për hir të Zotit! – tha me tërsëllimë. – Dybeku merr katër. Dybek, mos do të më marrësh në qafë! Dybek, as nuk e ke idenë se çfarë thua.

DYBEKU
Por, nuk arrij ta kuptoj! Nuk arrij ta kuptoj si të mrekullohem, kur nuk mund të mrekullohem!

Mësuesi:
Si mundet të mos mrekullohesh, kur ta kam thënë me qindra herë të mrekullohesh?

DYBEKU:
Por, ja që nuk më mrekullon.

Mësuesi:
Ky është vetëm problemi yt. Siç po duket qartë, nuk je inteligjent. Të tjerët mrekullohen.

DYBEKU:
Jo, për fjalë të nderit, asnjë nuk mrekullohet. Si mund të mrekullohen, nëse askush, përveç nesh që jemi ende në shkollë, nuk e lexon dhe edhe ne e bëjmë sepse na detyrojnë…

Mësuesi:
Me zë të ulët, për atë Zot! Kjo ndodh sepse shumë pak njerëz janë tamam të kulturuar dhe të ngritur…

DYBEKU:
Nuk ka asnjë të kulturuar. Asnjë, asnjë. Përgjithësisht, askush nuk është.

Mësuesi:
Dybek! Kam grua dhe fëmijë! Të paktën trego mëshirë për fëmijën tim. Dybek, as nuk vihet në diskutim që poezia e madhe duhet të na mrekullojë dhe e thamë tanimë që Sllovacki ishte një poet i madh… Mund të ndodh që ti të mos prekesh prej Sllovackit, por besoj nuk do të më thuash që shpirti nuk të trazohet tej për tej nga Mickieviçi, Bajroni, Pushkini, Shelli, Gëte…

DYBEKU:
Askënd nuk ngacmojnë. Askujt nuk i bëhet vonë madje, të gjithëve u shkaktojnë mërzi. Askush nuk është në gjendje të lexojë më shumë nga dy, apo tre strofa. O Perëndi, nuk mundem…

Mësuesi:
Dybek, kjo është e papranueshme. Poezia e madhe, përderisa është poezi dhe është e madhe, nuk ka sesi  të mos na mrekullojë, e pra na mrekullon.

DYBEKU:
Unë e kam të pamundur. Edhe të gjithë të tjerët, po ashtu! O Perëndi!

 

4.

Më besoni: ka një dallim të madh ndërmjet një artisti, i cili tashmë është realizuar dhe një tufe gjysmë-artisësh, çerek-profetësh, të cilët vetëm duan të realizohen. Dhe ajo që i shkon një artisti tanimë të përmbushur në të gjithë profilin e vet, te ju ka një jehonë krejt tjetër. Ndërkohë, ju, në vend se të krijoni një koncept sipas masës suaj, dhe sipas realitetit tuaj, zbukuroheni me pena të huaja dhe prandaj nuk jeni veçse aspirantë, përjetësisht dështakë, përjetësisht të vlerësuar me notën më të ulët kaluese, ju, shërbyes dhe shkërbyes, adhurues dhe nderues të Artit, Atij, që ju vetë ju ka lënë të prisni në paradhomë. E tmerrshme është teksa ju sheh si përpiqeni pa sukses, se si çdo herë ju përcjellin duke ju thënë “vazhdo edhe pak”, dhe ju nisni të kapërtheheni me një vepër të re, duke u munduar t’i impononi ato, se si shpëtoni veten me pothuaj-suksese të dorës së dytë, se si i thurni njëri-tjetrit komplimente, se si organizoni mbrëmje artistike e i mbushni mendjen vetes dhe të tjerëve me gjithfarë pozash të reja të paaftësisë suaj. E madje as vetë ju nuk i gëzoheni asaj që shkruani, meqënëse as për ju vetë, ajo që shkruani apo fabrikoni nuk ka kurrfarë kuptimi.

 

5.

Gjendja juaj është e rreme, e kjo gjendje e rreme do të japë fryte të hidhura, dhe në gjirin tuaj nisin të lëshojnë filiza keqdashja, shpërfillja dhe antipatia reciproke, njëri përbuz tjetrin e madje dhe veten, jeni një vëllazëri vetë-përçmimi, derisa shpërfillja ju bën të vdisni. Çfarë tjetër do të mund të quanim gjendje të një shkrimtari të dorës së dytë, nëse jo një zbrazje të vetme të madhe? Zbrazjen e parë të madhe dhe të pamëshirshme atij ia shkakton lexuesi i thjeshtë, i cili me vendosmëri nuk ia pëlqen krijimet. Zbrazjen e dytë të turpshme ia shkakton vetë realiteti i tij, ai realitet të cilin nuk ka mundur ta shprehë. Ndërsa zbrazjen e tretë dhe grushtin e fundit dërrmues e merr nga arti, tek i cili kishte kërkuar strehë, por i cili e ka përbuzur si të pazotë dhe të pamjaftueshëm. Dhe kështu përmbushet kuti i damkës. Këtu nis një fillikatje e plotë. Kjo bën që shkrimtari i dorës së dytë të jetë një objekt qesëndie nga të katër anët, bën që ai të jetë një tabelë qitjeje për zjarrin e kryqëzuar të zbrazjes. E, kështu, ç’mund të presësh nga një njeri që ka përjetuar një zbrazje të turpshme të trefishtë? A nuk duhet një njeri i sistemuar kësisoj të largohet, të fshihet diku, që të mos e shohin? A mund të jetë vallë e shëndetshme pazotësia që parakalon ditën për diell dhe kërkon ta nderojmë dhe a nuk do ta bënte vetë natyrën ta zinte lemza?

 

6.

Por ju ia keni dalë mbanë deri më tani që, përkundër gjithë retorikës suaj, të strukeni si struci në rërë dhe arsyeja juaj didaktike dhe shkollareske e tejngopur me krenari, nuk është në gjendje të përmendet. Ndërsa përdhunoheni pandërprerë, shtireni sikur nuk ka ndodhur asgjë, pasi, ju të pjekurit piqeni vetëm me të pjekurit, dhe pjekuria juaj është kaq e arrirë, saqë vetëm me pjekurinë mund të ketë pikëpjekje.
Por, nëse do të shqetësoheshit më pak për Artin, apo për kultivimin dhe mësimin e të tjerëve, dhe më shumë me mjerimin e personit tuaj, kurrë nuk do të rrinit duarkryq karshi një përdhunimi kaq të tmerrshëm të personit dhe në vend se poeti të shkruante poezi për një poet tjetër, do të duhej të ndiente depërtimin deri në palcë dhe rikrijimin e tij nga poshtë prej forcash të panjohura më parë. Do të kuptonte se vetëm duke i pranuar ato do të mund të çlirohet prej tyre; dhe do të shtonte përpjekjet që në stilin e tij qëndrimin dhe formën e tij, sikundër artistike, ashtu dhe të përditshme, të shprehej thekshëm kjo lidhje me ultësinë.

 

7.

Edhe pse nuk e di në të vërtetë nëse goja ime mund ta shqiptojë këtë argument, postulati që njeriu duhet të qëndrojë i palëkundur në idetë e veta, kategorik në deklaratat e veta, i patundur në ideologjinë e vet, stoik në shijet e tij, i përgjegjshëm për fjalët dhe veprat e veta, i fiksuar njëherë e pëgjithmonë në mënyrën e vet të jetesës, është i gabuar. Shiheni pak më nga afër natyrën tekanjoze të këtij postulati. Një prej instikteve tona elementare është papjekuria e përjetshme. Ajo që mendojmë e ndiejmë sot, do të jetë një profkë për stërnipat tanë. Akoma më mirë, atëherë, nëse, që sot, do të pranojmë se ka një sasi profkash, të cilën koha do ta tregojë…dhe ajo forcë që ju shtyn drejt përkufizimit të parakohshëm nuk është, sikurse mendoni, një forcë kryekëput njerëzore. Jo shumë larg do të kuptojmë se nuk është më e rëndësishmja që të vdesim për idetë, tezat, parrullat dhe besimin; dhe madje as që të mbushemi  sa më shumë me to dhe të mprehemi për to; por diçka tjetër: të tërhiqemi një hap, të krijojmë distance ndaj gjithçkaje që vazhdimisht ndodh me ne.

 

8.

Dhjetëra konceptualistë, dogmatikë, demagogë dhe agjitatorë lëvrojnë dhe kultivojnë duke mbjellë konceptet, tezat, doktrinat dhe idetë, sigurisht me receta të thjeshta dhe të gatshme për njerëzit e vegjël. “Surretër, gjithandej surretër, – tha Laperi me vulgaritetin e tij të zakontë. – Njësoj si te ne në shkollë!

 

9.

Kishim pickuar egërsirën! I kishim ndërsyer shfrenimin e pacipë të shërbëtorëve. Asaj nate të tmerrshme, i shtrirë pa gjumë në shtrat, zbërtheva misterin e aristokracisë së fshatit, të fshatarësisë dhe të qytetarisë, misterin që më kishte kallur tmerrin e surratit me simptomat e veta të shumëllojshme dhe të zbehta. Vulgu ishte misteri i zotërinjve. Kundër kujt gogësinte xhaxhai, kundër kujt shtinte në gojën e vet dhe një luleshtrydhe tjetër të ëmbël? Kundër vulgut, kundër shërbyesve të vet! Pse nuk e ngrinte nga toka kutinë e cigareve? Në mënyrë që të detyronte shërbëtorët t’ia ngrinin. Pse të na sajdiste me edukatën e përkryer familjare, pse kaq mirësjellje dhe konsideratë, kaq sjellje të studiuara dhe elegancë? Që të dëshmonte dallimet me shërbëtorët dhe kundrejt shërbëtorëve të ruante zakonet e fisnikëve. Dhe gjithçka që e kryenin sikur për inat të shërbëtorëve dhe për shërbëtorët, të kthyer ndaj shërbëtorëve brenda në shtëpi dhe jashtë në ara.

 

10.

Hierarkia e përjetshme mbështetej në sundimin e pjesëve të zotërinjve nëpërmjet një sistemi të shtrënguar hierarkik dhe despotik, ku dora e zotërisë barazohej me surratin e shërbyesit, ndërsa këmba matej me gjysmën e fshatarit. Kjo hierarki funksiononte prej ngahera. Sistemi, rregullat dhe ligjet e përjetshme. Ishte si një lloj shuli mistik që lidhte pjesët e zotërinjve dhe të hamejve, e bekuar nga zakoni shekullor dhe ishte vetëm brenda këtij mekanizmi që zotërinjtë mund të prekeshin dhe të cekeshin me hamejtë. Prej këtej vinte dhe magjia e turirrahjes. Ndaj dhe thuajse kulti fetar i turirrahjes te Valeku. Ndaj dhe shfrenimi i zotit Zigmunt. Sigurisht, sot nuk i rrihte kush (edhe pse Valeku sikur e pohoi që ndonjëherë e hante nga xhaxhai), por sidoqoftë mundësia potenciale e shuplakës ekzistonte përherë e ngulur tek ta, dhe kjo u ruante pozitën e zotërisë. Po tani, po tani që putra e pagdhendur kishte provuar intimitet në fytyrën e zotërisë?
Dhe tanimë, shërbëtorët e kishin ngritur kokën. Tanimë kishin nisur miqësitë e kuzhinës. Tanimë, populli i ndërsyer, i demoralizuar nga intimiteti i pjesëve të trupit, kishte nisur të përgojonte hapur zotërinjtë, kritika e vulgut po përforcohej, çfarë na pret, çfarë do të ngjasë, kur e gjitha kjo të depërtojë te xhaxhai dhe xhaxhesha, dhe fytyra e zotërisë të përballet sy më sy me surratin e stërmadh popullor?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin