DITËT QË NUK

nga Erlind Sulko

Vepra letrare përherë shkon përtej shkrimtarit. Shkrimtari mund të shprehë vetëm vetveten. Ndërkohë vepra, kur është e arrirë, arrin të shprehë gjuhën dhe frymën nëpërmjet tërësisë së saj. Duhet theksuar, kur është e arrirë. Vepra letrare kur arrin përkryerjen shpall një njëtrajtshmëri hyjnore, të cilën jeta e shkrimtarit nuk mund ta shprehi asnjëherë. Vetëm shenjtorët i përafrohen veprave letrare të përkryera.

Qëllimi dhe bota e veprës është e ndryshme nga qëllimi dhe bota e shkrimtarit. Ky është justifikimi më themelor i kritikës letrare si një fushë e mëveçme e dijes. Nëse nuk do kishte një mospërputhje midis veprës dhe autorit, atëherë kritika letrare do ishte krejtësisht e panevojshme. Nëse vepra dhe shkrimtari do ishin të pandashëm, atëherë kritika letrare do ishte e njëjtë me historinë.

Letërsia jo vetëm që nuk është histori, por mund të shprehi shumë më tepër se historia. Dua t’i rikthehem sërish kritikut tim letrar të parapëlqyer: Aristotelit. Në një pjesë te Poetika, Aristoteli thotë diçka shumë të drejtë: poezia shpreh më shumë se historia, pasi historia është e ngujuar tek njëjtësi i veçantë, ndërkohë që poezia arrin të shprehi të përgjithshmen. Ky është një dallim i madh midis bashkëkohësisë dhe lashtësisë. Në lashtësi, vetë thelbi i përvojës këndohej. Kurse tani thelbi i përvojës copëzohet nga gazetarët ose mendimtarët gazetareskë. Këto përvoja të copëzuara më vonë përfundojnë nëpër libra historikë.

E nis këtë shkrim me disa shqyrtime filozofike të nevojshme për veprën, shkrimtarin dhe historinë, pasi në rastin e Dhjetë ditë që nuk tronditën botën, shkrimtari e ka braktisur letërsinë, për t’iu përkushtuar librave historikë. Mbase kjo braktisje ishte e nevojshme, pasi kritika letrare e mirëfilltë parapëlqen zhdukjen e shkrimtarit, kërkon zërin që flet nga asgjëkund, zërin që buron nga asgjëja e gjithëpranishme.

Pavarësisht bujës që kanë bërë librat historikë të Plasarit, dua të them me plotë gojën se librat e tij letrarë duhet të kishin bërë edhe më shumë bujë. Jo bujë njerëzore si ato që shikojmë nëpër mitingje partiake. Dua të them bujë si te Zbulesa e Gjonit, me engjëj që i bien trumbetave në qiell. Kjo është buja e vetme që meritojnë veprat letrare. E gjykoj librin Dhjetë ditë që nuk tronditën botën si një nga veprat më të mira letrare të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Një libër me një lirizëm të rrallë në prozën shqiptare. Të duket sikur vetë gjuha është dashuruar me vetveten. Një libër, gjithashtu, i keqkuptuar nga shumica si një libër thjesht erotik, apo në rastin më të rëndomtë si një libër pornografik. Më poshtë do mundohem të tregoj të kundërtën.

Veprat e përkryera e kanë një gjë të përbashkët: thelbi i tyre mund të përmblidhet në vetëm një fjali. Epi i Gilgameshit: udhëtimi i Gilgameshit për pavdekësi. Odiseja: rikthimi i Odisesë në atdhe. Edipi Mbret: dëshira e Edipit për t’i shpëtuar fatit të paracaktuar. Veprat e tepërta dhe të panevojshme janë të ndërlikuara: të duhen më shumë faqe se vetë vepra për ta shpjeguar atë.

Edhe thelbi i Dhjetë ditë që nuk tronditën botën mund të përmblidhet në një fjali të vetme: kryengritësi socialist, Xhon Rid, mbyllet në një dhomë për dhjetë ditë për t’u zhytur krejtësisht në një dashuri tërë epsh. Nga këtu, mund të nisemi e të themi shumë më tepër, por ky është thelbi i romanit.

Personazhi kryesor, Xhon, është një njeri i njëmendtë edhe jashtë veprës së Plasarit. Ai ishte një amerikan me pikëpamje komuniste, i cili mori pjesë në revolucionin e tetorit në Rusi. Xhoni shkroi më vonë edhe librin e tij Dhjetë ditë që tronditën botën, ku ai përshkruan luftën e komunistëve për të ardhur në pushtet në Rusi.

Romani i Plasarit e merr figurën e Xhonit dhe e shndërron plotësisht: e mbyll atë në një dashuri epshore dhe e kurorëzon këtë veprim me titullin Dhjetë ditë që nuk tronditën botën. Pikërisht ky njeri që donte të jepte jetën për ndryshimin e botës, mbyll sytë plotësisht ndaj ndryshimit madhor që po ndodh jashtë tij. Dhjetë ditë që nuk tronditën botën është një ndër ato pak novela të çuditshme, ku ajo çfarë nuk ndodh, është më e rëndësishme se ajo që ndodh. Thelbi qëndron te gjërat që Xhoni nuk bëri, jo te gjërat që ai bëri.

Një nga besimet më thelbësore metafizike brenda këtij romani është dyzimi që bëhet midis botës së brendshme dhe botës së jashtme. Këtu kemi të bëjmë me një dyzim të mprehtë, midis botës së brendshme të dashurisë kafshërore të Xhonit dhe botës së jashtme të së tjerëve. Bota e brendshme e Xhonit është e pandryshueshme, përsëritëse, ngazëlluese dhe përplotësuese. Brenda botës së brendshme të asaj dashurie epsharake, nuk kanë kaluar 10 ditë, por vetëm një çast i përjetshëm dhe i pandarë. Në novelë, koha e dhjetë ditëve të brendshme të Xhonit krahasohet me lëvizjen e trupave qiellorë në metafizikën e Aristotelit, ku mbretëron e tashmja e përhershme, prehja dhe qetësia.

Në dallim të theksuar nga bota e brendshme, kemi botën e jashtme. Bota e jashtme është e pakuptueshme, e frikshme dhe përherë ndryshuese. Ai çast i përjetshëm dashurie të rrokakrejtshme, në botën e jashtme kërkon dhjetë ditë të plota.

Veprën Dhjetë ditë që nuk ndryshuan botën e shikoj si një vepër në një bashkëbisedim të vazhdueshëm me veprat e De Sade, në veçanti me librin e tij Filozofia në Dhomën e Gjumit. I shikoj në një bashkëbisedim, pasi siç do rrëfej edhe më poshtë, ato shfaqin botëkuptime krejt të ndryshme, pavarësisht se tema është gati e njëjtë. Si De Sadin, ashtu edhe veprën e Plasarit, shumë pak veta e kanë kuptuar, në mos asnjë. De Sade nuk është në thelb shkrimtar erotik. Mbase heretik do ishte fjala e duhur. Erotizmi brenda veprës së De Sadit është pasojë e një botëkuptimi të tërë, i një qasje tërësore ndaj qenies.

Në botëkuptimin e veprave të De Sadit, marrëdhënia me Zotin ka vdekur. Jo Zoti, por marrëdhënia ka vdekur, kjo duhet theksuar. Zoti e ka braktisur krijimin e tij, tani ne jemi të lirë në këtë botë, pa rregulla, të detyruar ta rikrijojmë botën tonë. Meqenëse ne nuk kemi më detyrime ndaj askujt, pasi bota nuk i përket më askujt, parimi jonë i vetëm duhet të jetë përplotësimi i dëshirave vetjake, pasi vetëm ato na përkasin vetë neve. Dëshirat seksuale janë dëshirat që na japin gëzimin më të plotë. Prandaj, erotizmi te De Sade është pasojë e një bote të braktisur nga e hyjnishmja, ku gjëja më e mençur ka ngelur vetëm përmbushja e kënaqësive të tejskajshme vetjake. Mbi këtë kuptim të Zotit dhe vetvetes, De Sade themelon edhe filozofinë e tij politike. Siç e shohim qartazi edhe te vepra Filozofia në Dhomën e Gjumit, ku De Sade shpreh haptazi mendimin se Franca asnjëherë nuk mund të jetë e lirë nëse nuk lejon lirinë e rrokakrejtshme, të pacunguar nga rregullat e asnjë sistemi moral.

Vepra Dhjetë ditë që nuk tronditën botën, nuk shkon aq larg. Për mendimin tim, duhet të ishte futur më thellë në botëkuptimin e kësaj bote të brendshme. Gjithsesi, ajo që shprehet shumë qartësisht është marrëdhënia e botës së brendshme dashurore me politikën. Kjo bota e brendshme kafshërore përkufizohet në dallim me politikën. Me politikë, këtu nuk dua të them atë që shumica e njerëzve të rëndomtë mendojnë se është politika: zgjedhjet e mërzitshme çdo katër vjet apo bashkëbisedimet shterpë në parlament. Me politikë këtu dua të them mënyra se si një bashkësi njerëzore vendos të ndërlidhi marrëdhëniet me vetveten dhe të tjerët.

Ndryshimi i madh mes De Sadit dhe Plasarit është ky: te De Sade shohim themelimin e vetë politikës te përplotësimi i skajshëm i dëshirave vetjake. Ndërkohë, te vepra Dhjetë ditë që nuk tronditën botën, përplotësimi i dëshirave epshore përbën shpërfilljen e plotë ndaj politikës. Kur njeriu dashuron tërësisht dikë, ai humb vëmendjen ndaj gjithë botës. Thënë shkurt, vetë personi që dashuron kthehet në një përfaqësim i vetë botës. Prandaj dhe bota e të dashuruarve në veprën e Plasarit përbën një botë krejtësisht të re, të ndryshme nga bota e jashtme dhe me përjetimin e vetë e të ndryshëm të kohës.

Pavarësisht faktit se te vepra e Plasarit dashuria përkufizohet në ndryshim nga politika, dashuria nuk është kundërshtim i politikës. Ky është dhe problemi kryesor që shikoj me “aktivistët politikë” sot. Ata kujtojnë se, duke u zhytur edhe ata vetë në lojën e pisët, do arrijnë ta kundërshtojnë sistemin politik. Rrinë e merren nga mëngjesi deri në darkë me gjërat që thotë Arbeni apo Gjoni. Të bësh këtë do të thotë të besosh se sistemi në vetvete nuk ka ndonjë problem, por thjesht duhet të përmirësojmë sjelljen e disa individëve. Ky nuk është një kundërshtim i mirëfilltë: kjo, më saktë, është zhdukja e kundërshtimit. Kundërshtimi i njëmendtë është shpërfillja tërësore e sistemit politik, siç e shohim edhe te Dhjetë ditë që nuk tronditën botën.

Te libri Civilizimi dhe Pakënaqësitë e tij, Frojdi shpreh një shqetësim të njëmendtë: zhvillimi i civilizimit është i bazuar te shtypja e dëshirave tona vetjake. Dëshirat vetjake flijohen për një ideal të përbashkët të së ardhmes. Në veprën e Plasarit, shikojmë pikërisht një pikëpamje të këtillë kundër civilizimit në vetvete. Xhoni dhe e dashura e tij ngelin në përjetësinë e vetvetes: të dhjeta ditët që kalojnë ata bashkë janë të njëjta. Ndërkohë, civilizimi jashtë dritares së tyre vazhdon udhën e tij, me ndryshime të shpejta. Andej jashtë, dhjetë ditët janë si kalimi i dhjetë shekujve, pasi po vijnë ndryshime të mëdha.

Dhjetë ditë që nuk tronditën botën përmban edhe një kritikë të fshehur ndaj komunizmit. Mbase një nga kritikat më të mprehta të shkruara pas 1990-s. E vërteta është se shumica e shkrimtarëve që janë formuar gjatë periudhës komuniste, pavarësisht dëshirës së tyre të madhe për ta kritikuar komunizmin, kanë ngelur të burgosur nga vetë ai regjim. Kritikojnë komunizmin, por mendojnë se Maksim Gorki dhe Xhek London janë maja e letërsisë botërore. Kritika e njëmendtë e letërsisë së realizmit socialist nuk bëhet duke shkruar një roman tjetër të realizmit socialist që shan komunizmin. Kritika e njëmendtë është shpërfillja tërësore e parimeve të asaj metode. Pikërisht këtë gjë ka arritur vepra e Plasarit.

Vepra na jep një shenjë për këtë kritikë ndaj komunizmit që në fillim, kur e quan këtë vepër një arlekinadë, një përqeshje, një tallje. Si mund të jenë dhjetë ditë të mbushura tërë dashuri dhe epsh, një kritikë ndaj komunizmit? Komunizmi u nis që të shkatërronte politikëbërjet e shkuara me qëllim nisjen e diçkaje krejtësisht të re. Edhe e arriti këtë gjë. Arriti një kryengritje madhore në botën e jashtme. Por kjo kryengritje nuk zgjati, pasi njerëzit brendësisht ngelën po ata: të kapërthyer nga po ato dëshira dashurore, të shtyrë nga po ato dëshira për pushtet, për të sunduar mbi të tjerët. Komunizmi përligji vetveten si një sistem ku do t’u jepej fund padrejtësive shoqërore, por në vetvete përfundoi në një diktaturë po aq të përgjakshme sa gjithë të tjerat. Komunizmi arriti një kryengritje në botën e jashtme, por harroi botën e brendshme të njerëzve. Bota e brendshme nuk është e sendërgjuar në harmoni me botën e jashtme, por në kundërshti me botën e jashtme. Kryengritjet në botën e jashtme janë të përkohshme. Kryengritja në botën e brendshme është e përjetshme.

 

© 2018, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Titulli është i Peizazheve.

14 Komente

  1. Erlind, me fal qe e kalova shkrimin pak shpejt, sepse me detyroi paragrafi i pare, qe emulson gjithshka. Vepra letrare shkon perhere pertej shkrimtarit. Mirpo po kjo veper letrare nuk shkon pertej shkrimtarit, sepse ky i fundit mund te shprehe tek ajo vetem vetveten! Dhe pervec kesaj, kjo veper letrare shpreh gjuhen dhe frymen (e kujt?) nepermjet teresise se saj, pra vepra letrare qenka thjesht vepra letrare! Por ama, kur eshte e arrire! Dhe se kush eshte e arrire dhe e pa-arrire, kete e cakton… kush? Tarzani dhe Zhana ne pyjet e Afrikes!? Sepse Tarzani kishte mbrojtjen hyjnore, perderisa ua fuste me grusht luanve dhe gorillave te terbuar/a. Apo ku ta shohim kete shenjteri dhe hyjnizim?!..
    Nejse, morem nje te dhene, qe i perkedheluri Plasari shkruan edhe letersi. I uroj suksese si me librat historike.

  2. “E vërteta është se shumica e shkrimtarëve që janë formuar gjatë periudhës komuniste, pavarësisht dëshirës së tyre të madhe për ta kritikuar komunizmin, kanë ngelur të burgosur nga vetë ai regjim. Kritikojnë komunizmin, por mendojnë se Maksim Gorki dhe Xhek London janë maja e letërsisë botërore.”
    Ka arrogancë në sigurinë e këtij pohimi cliché që tingëllon si debatet e fillimviteve ‘90. Nuk më rezulton të jetë shprehur ndokush (e ca më pak shumica) prej shkrimtarëve të formuar gjatë peridhës komuniste se Gorki dhe London qenkëshin maja e letërsisë botërore. Mua ky më duket më tepër si argument i stisur nga autori për të provuar një tezë.
    Ndërkohë që essais-ja e mësipërme është mjaft interesante në tërësinë e vet, mendoj se duhet kujdes në deklarime të këtij lloji të cilat tradhtojnë qëndrime emocionale dhe jo arsyetime të verifikueshme.
    Gjithsesi Erlind, më shtyve të kërkoj ta rilexoj “Dhjetë ditë që nuk tronditën botën”.

    1. Arrogancë? Më duket se ke ngatarruar kategorinë. Në kritikë letrare e quajnë hiperbolë: kur ti me qëllim ekzagjëron realitetin për të vënë më shumë në pah një të vërtetë të madhe. Niçe ishte përdoruesi më i shpeshtë i saj.

      E vërteta e madhe që desha të nxirrja në pah aty është se kujtesa dhe fuqia përfytyruese e shumicës së shkrimtarëve bashkëkohor(pas 90s) është tërërisht e burgosur nga periudha e komunizmit. Nuk po dalin dot jashtë saj. Në fillim ishin të burgosur fizikisht, tani janë të burgosur shpirtërisht. Kjo nuk është hiperbolë, aspak. Shumica e romanave që janë botuar pas 90s janë për periudhën e komunizmit. Kanë kaluar gati 30 vjetë e shkruajnë për të sikur
      të ishte dje. Shembujë mund të jap me shumicë, nëse do.

      Gjithsesi, të falenderoj që më lexon dhe të uroj gjithë të mirat dhe mbarësi!

      1. Erlind, edhe gjate kohes se “socializmit” kishte vepra letrare me bollek, qe ishin jashte asaj kategorie (socializmit), si disa romane te Petro Markos, “Rusha” e Gjergj Zhejit, etj.. Por edhe po pati sot akoma shume shkrimtare dhe vepra te burgosura (ndikuara) akoma nga sistemi qe lame, mendoj se e keqja nuk qendron ketu. “Ferri i care” i Zhitit, apo “Hoteli i drunjte” i Diana Culi, apo “Stina e hijeve” e Vrion Gracit, apo “Hiri” i Flutra Acles, etj. jane akoma te pashkeputur nga ajo kohe, panvarsisht se kane ngjarje te viteve ’90, por s.d.q. jane vepra mjaft te mira letrare. Pra, lidhja ose jo me sistemin e lene pas eshte thjesht nje klishe qe letersise artistike shq. i ngjitet artificialist per te mbeshtetur ndonje teze te paqendrueshme.

      2. Erlind, shkrimin e ke me te mire se nderhyrjet. Nuk dua te bej arbitrin midis teje dhe Sophieshqip, por kur ne mbeshtetje te argumentit tend thua se “Shumica e romanave që janë botuar pas 90s janë për periudhën e komunizmit….” ketu kam pershtypjen se hyn ne nje fushe te panjohur mire. Nuk eshte aspak tematika qe percakton medoden. Do te qe njelloj si te cilesosh si p.sh. anadollak Kadarene sepse ka shkruar Qorrfermanin, Pallatin e endrrave .. etj. Miqesisht.

        1. Edhe te kjo hiperbola duket se eshte ne fushen kundershtare. Nuk e dija se te thuash “shumica” qenka hiperbole. Mendo sikur gazetat te thoshin: “Shumica e deputeteve votuan pro ligjit”. Pastaj, kur te dale qe nuk eshte e vertete, te thone: “S’ka gje, se perdorem nje hiberbole, se ne fakt pakica votoi pro, keshtu qe ligji nuk u miratua”. Dhe nuk e dija qe hiperbolen e quaka kritika letrare hiperbole. Mendoja se kritika merrej me gjera me te medha se figurat letrare. Po analiza letrare, retorika dhe stiltstika per shembull, cfare e quajne.

        2. Trajta është e pandashme nga përmbajtja. Edhe në rastin e letërsisë së realizmit socialist.

          Dikur vështronim statujën, tani vështrojmë hijen e saj.

          Shiko: të burgosur shpirtërisht. Shpirti: kujtesa dhe fuqia përfytyruese.

          Kaq kisha unë. Gjithë të mirat!

        3. Libri “Dhjetë ditë që nuk tronditën botën” eshte hija e librit “Dhjetë ditë që tronditën botën”.

      3. Erlind, e quajta arrogancë sepse më bëri shumë përshtypje jo vetëm siguria e deklaratës por edhe notat përçmuese në kategorizimin e një grupi të caktuar. Që ta ilustrosh nostalgjinë për Gorkin dhe Londonin me faktin që vërtet shumë prej atyre që u formuan në komunizëm vijojnë të shkruajnë për atë periudhë më duket, siç i thonë në anglisht, “far fetched”. Unë besoj se nëse shumica e shkrimtarëve shqiptarë vijojnë të shkruajnë për atë kohë nuk e bëjnë as për nostalgji e as se janë të kufizuari, por si përgjegjësi e kureshtje intelektuale për të kuptuar atë kohë. Asnjë prej segmenteve të shoqërisë shqiptare nuk e ka bërë mea culpa-n që të munden kështu shpirtrat të paqtohen e shoqëria të shohë përpara.
        Përshkrimi i shkrimtarëve si të kufizuar e nostalgjikë është sipas mendimit tim i padrejtë. Në rastin më të keq ata janë simptomë e një shoqërie që nuk sheh brenda vetes, që nuk e lexon historinë e vet, e që ndaj nuk nxjerr dot mësime për të ecur përpara. Fiksimin, nëse mund ta quajmë kështu, të shumë shkrimtarëve shqiptarë për të parë të kaluarën unë do të parapëlqeja ta shikoja si peshën e kryqit që gjithsesi kjo shoqëria jonë duhet ta mbajë për ta jetuar të tashmen me kurajo dhe përulje dhe të ardhmen pa barra të panevojshme. Shkrimtarët, apo një pjesë e tyre, mbase po përpiqen të bëjnë atë që nuk po e shohim ta bëjnë as politikanët, as antropologët, e as ata të shkencave sociale. Ish punonjësit e organeve të diktaturës jo e jo.
        Dhe jo, nuk jam shkrimtare; do të kisha dashur shumë të isha; përveç talentit më mungoi edhe ajo kurajoja që kanë shkrimtarët për të thënë ca gjëra që ne vdekatarëve të rëndomtë nuk na e mban t’i themi.
        Kurse për arsyetimin mbi kategoritë e arrogancës dhe hiperbolës mbase ia vlen një shkrim tjetër, do të të lexoj sigurisht me kënaqësi.

  3. “Dhjet dit qe tronditen,boten”veper e letrare e Aurel Plasarit,eshte me te vertete,fort shenjuese duke te lënë gjurme te pashlyeshme.Me nje shqipe te paster,te rrjedhshme,te qeruar,te zhdervjellet,qe gjithsesi asnjehere nuk behet,qëllim ne vetvete,gershetohen te shnyjtuara lirisht,historia,lirica,drama,epika.Megjithese veper e shkurter letrare,te mberthen nga faqja e pare,tek e fundit duke shpalosur tharmin,e nje vepre te madhe,qe autori ndofta e ka parë si kuturisje te pamend,duke mbajtur nen fré,deshiren gjakuese te zgjerimit,ku sasia gjithperfshirëse dhe cilesia e vlerave,te ecin krahas.

  4. E para, pa u fut ne te thella per te komentu shkrimin, Xhek London jane shkrimtare shume te mire, model, gjithashtu Gorkij i pararevolucionit. Gorkij eshte vazhdimsi e natyrshme letersise se madhe ruse, ndersa “Dhembi i Bardhe” dhe “Kushtrimi i te pareve” jane tashme jo vetem letersi klasike, por edhe letersi mitologjike, si luan as shkembi, jo antikomunistet e oreve te fundit.

    E dyta, duke u fut thelle ne psikologjine e thellesise, antikomunizmi letrar (dhe jo vetem) si kofini mbas te vjeli, e per me teper nga brezat e rinj letrare qe kane ardhur mbas pilafit (te lindurit si vetedije mbas vitit 89-te) shpjegohet me kompleksin e Edipit (te Eskilit) te projektuar ne kohe. Dmth letrari riosh urrejtjen per atin e projekton tek brezi i shkrimtareve komuniste, tek eterit e letersise komuniste etj etj.

    E treta, me e rendesishmja, epoka e komunizmit ka qene shume e vyer nga shume pikpamje, pikerisht se ishte e veshtire, ishte nje treinig perfekt dhe test tregues per karakterin e personit. Pastaj nese personi eshte vertet i lire, vlera tij si karakter nuk varet nga sistemi.

    Per kete jane shprehur Tajlerandi (po i bi shkurt, kush kupton, le te kuptoje, kush keq kupton …), nje prej shembesve kryesor te sistemit monarkik, se kush nuk ka jetuar Regjimin e Vjeter nuk di ç’eshte jeta.

    Ndersa sipas Tolstoit ne fund te jetes tij, pak a shme citoj ne kujtese: ndryshe nga sa kujtohet, brezi i ri i sotem eshte reaksionar, sepse nuk ka ideal tjeter perveç pareve, interesit personal, seks etj. Kjo perputhet sakte me situaten e mbas 89-tes.

    “Ç’ka barku e nxjerr bardhaku dhe komenti”.

    1. Po ajo qe eshte me e dhimbeshme, nuk eshte perbuzja e brezit te ri per xhajat (kalamjave aq ja pret nese te gjuan me shkelm, he shejtan!), por eshte perbuzja vjen nga xhajat kolege qe duan te ndjekin moden. Per eksperience eshte pothuaj e pamundur trasmetimi i eksperiences te asaj kohe ekstreme brezit te ri, e as behet fjale per te huajt qe as nuk mund ta konceptojne situatat e asaj kohe. Persone me te cilet ke ndare nje cope buke dhe rreziqet e asaj kohe, i kane harruar keto situata. Ne fakt mekanizmi i kujteses eshte i interesuar, ketyre ju intereson te harrojne, te mos kujtojne, ne zonen e kujteses se asaj kohe kane vene nje cip te ri te blere ne pazarin demokratik. Keshtu trurin e kane bere lishio si gjithe te tjeret.

      I bie shkurt, se edhe gjate kush nuk do me kuptu, nuk ka per te kuptu. Nje prej rezultateve eshte pikerisht karikatura e moskonseguences nga tema ne teme. Psh, ne temen e çuarjes me kamjon me kuç e me maç armikut te klasen ne kamp pergjendrimi, i njejti person xhaje demostron nje meshire pa fund, ndersa levdon kete teme ku brohoritet bemat e Markez de Sade.

      Nuk di ç’te thuash per kete rast se kush eshte me e madhe, injoranca qe nuk i kihet ideja se kush eshte de Sade (e lavderojne intelektualet e medhej franceze, e lavderojme edhe ne qe te behemi intelektuale te medhej), apo keqdashja 5 lekshe e gjendur rendom ne natyren njerzore?

  5. Erlindi shkeli ne derrase te kalbur, se prej 1900-es e ketej, kritika letrare e cmimet qe ndante, perfshire Nobelin, ka qene nje makine qe i hante timoni majtas, keshtu ‘ec e ‘ec beri nje rreth e u kthye ne piken fillestare. Ne kete periudhe letersia e angazhuar ka qene kryesisht pune majtiistesh. Shkeputja e pandodhur e taneve prej komunizmit, perpos qe si thote Lyssi nuk ka ndonje nishan saktesie ne argumentim, ne fakt nuk do te ishte as levizje e zgjuar, persa kohe qe kritikes letrare i ha timoni majtas edhe kur behet fjale per kritiken ndaj komunizmit. Nderkaq me duket se romani historik ka me shume ithtare ne Shqiperi sesa ne gjithe boten marre se bashku, meqenese ne pjesen tjeter te botes, jashte 28 748 km2 ne fjale, historia i eshte lene historiografise dhe perdoret per zhanre te tjera te letersise, ku nuk pretendohet te zevendesohet historiografia.

Lini një Përgjigje te sophieshqipAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin