NGA SHTETASI TE QYTETARI

nga A.A.B.

Ca ditë të shkuara, një mbrëmje, ndonjëri prej jush do të ketë parë në televizor Kryeministrin e vendit të përqeshte drejtuesen e emisionit ku ishte ftuar. Një çast në veçanti, kur përsëriste me falsetto tallëse fjalën «blloku» që sapo i ishte thënë prej bashkëbisedueses, u bë gati menjëherë meme në rrjetet sociale. Kështu prodhohet historia orale e Shqipërisë sonë bashkëkohore.

Rama, duhet thënë, nuk është mbajtur as për mirësjellje të veçantë, as për raporte korrekte (formale, pra) me njerëzit rrethepërqark tij. Në opinionin publik, së paku, kanë qarkulluar gjithnjë ca histori sensacionale, të propaganduara shumë prej kundërshtarëve të tij politikë, që paskërka rrahur gruan, partneren apo ndonjë ministër të të rastit.

Sikur t’i lëmë menjanë llafet, të cilat nesër-pasnesër na i kriminalizon ligji, prapë duhet pranuar që Rama ka prirjen të jetë, le të mos i biem rrotull shumë, harbut në publik. E kemi parë të tallë ministra, deputetë, opozitën (të dyja, biles), qytetarë të thjeshtë dhe të madh e të vogël në web. Kryeministri ynë, i bie, përçmon një pjesë të madhe të bashkëqytetarëve të tij.

Bukur shumë. Këtë histori, pak a shumë, e dinim që të gjithë. Madje e kemi ditur edhe që përçmimi i veçantë publik i qeveritarëve është ngjitës. Përndryshe zakonin e keq nuk do ta kishte marrë edhe kryetari i Bashkisë, edhe figura të tjera publike dhe jo aq publike të pushtetit, duke i dhënë përmasa epidemike mes rradhëve të PS.

Pyetja, domosdo, është: si duhet të ndihemi që na përçmon vetë qeveria jonë? Objektivisht, keq. Një administratë që nuk respekton qytetarin, që e sheh atë si të paditur, të vrazhdë, të pashëtitur, të djallëzuar, lakmitar, vulgar e me orekse të ulëta, nuk mund të respektojë as punën e këtij qytetari, as pronën e dhe as mendimin e tij.

Këtë shumë prej nesh e kanë provuar mbi kurriz me «debatet» e hërëpashershme për pronën publike në qytetin tonë. Deri më sot, ato kanë marrë formën konkrete të uzurpimit të pronës publike prej autoriteteve publike, pra vetes, dhe tjetërsimin e saj në favor të privatëve, që është një akt i pashembullt bujarie të publikut për sipërmarrjen.

Çdo debat, opinion, editorial, kundërshtim (e prej tyre nuk ka pasur pak) që kanë shprehur publiku nuk është marrë parasysh. Kjo, në kuptimin që autorët e tyre vërtet mund të jenë dëgjuar nga autoritetet, në ndonjë rast të rrallë edhe mund të jenë begenisur prej tyre; por, në fund të ditës, e gjitha pesha e diskursit qytetar të Tiranës nuk ka ndikuar asnjë fije në planet dhe projektet e qeverisë.

Në burokratishte nuk njihet fjala qytetar. Autoritetet publike, si ato tonat dhe ato të botës që punojnë tek ne, u mjafton «shtetasi» memec, i çpersonalizuar, anonim, që nuk është bashkëndërtues dhe pjesëmarrës i kësaj shoqërie, me të drejtën që të flasë, të ndikojë e të ndihmojë në ndërtimin e saj.

I privuar prej këtyre të drejtave, i privuar prej hises së gjëse publike që do ta cyste të aktivizohej e të vepronte për përmirësimin e jetës shoqërore, prej kënaqësisë dhe vlerësimit—kënaqësi ndoshta egoiste—që sjell ndjenja se po dëgjohesh, qytetarët shndërrohen në masë të fjetur, të lëngshme, një lloj tretësire kimike që është e aftë të reagojë vetëm pasi e ngacmojnë autoritetet.

Ky reagim, edhe në rrethanat më pozitive, mbetet i çorganizuar, i pasigurt, i lëkundshëm, i fragmentuar e mbi të gjitha lehtësisht i cënueshëm përballë trysnisë së organeve shtetërore. Është ndokush në gjendje të thotë me siguri se ç’ka e vërtetë e ç’ka qënë e rreme nga muaj deklaratash, kundërdeklaratash, fjalimesh, peticionesh e fotografish për punën e Teatrit Kombëtar? Unë jo.

E pra, tëhuajzimi i domenit publik nga qytetari nuk është, në thelb, të ndaluarit e aksesit në të apo varja e një perdeje mospërfilljeje që e mban qytetarin ngecur në pragun e heshtjes. Jo, ai është krijimi i bindjes se domeni publik është i pasigurt, se angazhimi vetjak në të krijon telashe me njerëzit e tjerë e me qeverinë, është zgjedhja që bëjmë unë e shumë të tjerë për të mos shkruar nën emrat tanë.

Atë çast kur qytetari duhet të bëjë llogarinë nëse i leverdis apo jo të shkruajë e të flasë, nëse e ka rehatinë personale, ekonomike dhe familjare për të kundërshtuar narrativën mbizotëruese në shoqëri, atë çast nis e shkara drejt autoritarizmit, drejt atrofisë së kritikës qytetare.

Kjo nuk do të thotë se për gjithë këto anë negative nuk ka dhe (të paktën) një pozitive.

Vështirësimi i shprehjes publike shpie në mprehjen, forcimin e saj. Duke qënë se përballë ka një truall diskursiv jo-mirëpritës, artikulimi i hapërdarë i qytetarit të interesuar kristalizohet në kritikë. Kjo, megjithëse është më e kushtëzuar e më e varfër në nuancë, ka të mirën që e ka funksionin të paracaktuar.

Thënë shqip, kur autoritetet e shohin çdo shprehje individuale si jashtë narrativës që kanë përcaktuar vetë, pra të rrezikshme për të e për ta, atëherë çdo shprehje merr vetvetiu atributet dhe funksionin e kritikës, edhe nëse nuk ishte nisur si e tillë. Përballë përçmimit të pushtetit, shndërrimi pothuajse është i detyrueshëm.

Çdo çomangë verbale e Ramës dhe e minionëve të tij shërben veçse për të mpakur terrenin e përbashkët midis tyre e nesh dhe zvogëlimin në skaj të mundësisë për t’u marrë vesh. Vendimi i këtij pushteti për të qeverisur pa bashkëpunimin tonë e bën atë autoritar. Autoritarizmi i tij ka për të qënë ai që do të na bëjë ne radikalë.

Veç kësaj, arkitektët e Shqipërisë së të ardhmes së mesme, Rama e shoqëri, nuk e kanë kuptuar që është pikërisht mungesa e kontrollit, mungesa e trajtës së domenit publik që u japin kaq dorë për të kontrolluar një pjesë të madhe të tij. Një terren i parregulluar, mbushur kryesisht me ndërtime pa leje, bën të pamundur filtrimin e informacionit.

Për shkak të kësaj, qytetari ka po aq të ngjarë ta ngopë kureshtjen e tij me monologë qeveritarë apo me reklamat e maskuara si lajme dhe opinione që servirin ata të cilët i rrinë pranë, sa ç’ka të besojë një reportazh cilësor apo një ese që nuk mbron një qëndrim të paracaktuar të njërit apo të tjetrit, për interesa financiarë e politikë.

Qeveria, dmth. Kryeministri, ka ca javë që nuk po pushon së foluri për një projekt-ligj që ri-kriminalizon shpifjen. Shpjegime janë dhënë plot, por thelbi i tij është mbyllja e një dore të mirë mediash elektronike, me arsyen e shpallur se nuk janë në pajtim me ligjin e me arsyen e vërtetë se nuk janë lehtësisht të kontrollueshme si mediat tradicionale, që varen jo pak nga dashamirësia e shtetit.

Kur qeveria të ketë ndërhyrë, me justifikimin e përhershëm të regjimeve autoritare për «të mbrojtur qytetarët», i cili na nxjerr si çiliminj, ajo do të vendosë njëfarë rregulli në këto punë. Do të jetë ai një rregull i keq, me qëllim ndrydhjen e fjalës publike dhe jo mbrojtjen e saj, e shkel-e-shko për nga përgatitja e atyre që do ta krijojnë, por njëfarë rregulli gjithsesi.

Ky rregull, mishërim i etjes së pushtetit për t’i vendosur nën kontroll hapësirat publike, ka për të qënë shtysa për ndërtimin e një hierarkie informale të materialit që qarkullon në fushat e gjera të web-it. Duke disponuar shumë më pak material të paverifikuar në mediat elektronike dhe shumë më pak lugatë mediatikë me lajme të kopjuara tjetërkund, ka çdo gjasë që të rritet besueshmëria e mediave elektronike.

Në këtë mënyrë, me shumë më pak media dhe media pak më të mira, pro- a anti-qeveritare, lexuesi dhe qytetari do të ketë mundësi të përdorë të njëjtat filtra që përdor kur lexon shtypin e shkruar apo atë televiziv, për të zgjedhur se ç’portale të lexojë në mëngjes e me ç’sy. Gjithmonë po u zbatua ndonjëherë ligji.

Sikur të marrim formalizimin e pritshëm të mediave elektronike e zvogëlimin e pritshëm të domenit publik që rrjedhon, së bashku me radikalizimin gradual të diskursit publik gjatë këtyre viteve, mund të presim me besim të matur artikulimin e një kritikë më të gjerë, më pak të politizuar (në kuptimin vendas të fjalës) e më konsekuente ndaj pushtetit në Shqipëri, nga Rama e tutje.

Këta autorë e audienca të forumeve të diskursit publik, cilado qoftë forma e forumeve fizike a virtuale ku bashkëbisedojnë, do të prodhojnë një debat jo vetëm, sikundër sot, për atë ç’u bë e ç’nuk u bë, një debat të ndërtuar mbi reagimin qytetar ndaj veprimeve të pushtetit. Ato do të lëvrojnë një debat të zgjeruar, të ri, të realiteteve e zhvillemeve paralele, të asaj që mund të kish qënë e duhet të ish bërë.

Ndërtimi i alternativave të tilla ideale, është rruga drejt një ideje koherente të asaj se ç’duhet të kërkojmë e ç’duhet të presim nga ata që na qeverisin. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një konsensus qytetar të mjaftë për të ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit dhe vendit tonë, e jo të rrimë të merremi me rrugaçëritë diversioniste të atyre që bartin mandatin e pushtetit në emrin tonë.

1 Koment

  1. Kjo e qytetarit eshte nga ceshtjet me te rrahura; xha xhai e trajtoi dy dekadat e para, tek e treta duket se u lodh. Per mendimin tim ka te beje me shume me ndjeshmerine komunitare, sesa me vlera e nevoja x,y,z. Pergjithesisht njeriu kur rritet apo jeton shume kohe ne lagje qyteti a fshati apo grup pallatesh, ngaqe i njeh edhe guret e jo me njerezit, kur gjen nje qese pertoke, fillon e vret mendjen se kush ne lagje eshte aq hajvan sa ta kete hedhur. As te fortin e lagjes s’e ka frike ndonje i lagjes, se edhe i forti ka njefare sugjestionimi ndaj njerezve me te cilet eshte rritur e ka njohje te hershme, shpesh familjare. Shqiptaret nuk kane me kete shtet raporte afektive , nuk e perceptojne si lagjen e tyre, as qe i behet vone kush hodhi qesen, kush ka pegere tek ndonje cep apo kush i vodhi kujt lopen, makinen apo shtepine. I forti s’ka kurrfare cipe apo nuk ndien kurrfare detyrimi moral ndaj kesaj mase amorfe e indiferente deri ne palce. Gjeja me banale qe bote, qe Shqiperia eshte lagja jone e perbashket, do te vinte shume rregull ne kete vend, shume me teper se teorite e qytetarit dhe gjithe doktrinat politike te marra se bashku.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin