DOKTRINA TRUMP DHE E ARDHMJA NË UDHËKRYQ

nga Bjorn Kamberi

Sikur çdo vit ardhja e vjeshtës përkon me një pranverë të re, atë të çeljes së debatit dhe përballjes ndërmjet pjesëmarrësve në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Moment ky, që përtej lajmit, e monopolizon edhe vëmendjen e politik-bërësve e analistëve anekënd. Për shkak të zhvillimeve të rëndësishme në aktet e këtij teatri ndërkombëtar, këtë herë “loja” e aktorëve përfaqësues të publikut, u ndoq me kureshtje të shtuar, e duke pasur parasysh skenarin intrigues, nuk zhgënjeu të ndizte polemika dhe debat gjithëpërfshirës.

Ky sesion përkoi me presidencën e SHBA-ve mbi Këshillin e Sigurimit dhe hapësirën që ky moment i la fjalimit të shumëpritur të Presidentit Trump, praktikë që është kthyer tashmë prej opinionistëve në një pellg reflektues ku të gjithë afrohen për të parë të vërtetat e shteteve, e ku gjithnjë e më shumë shquajnë vetëm të vërtetat e tyre. E ky rast ilustroi një skenar në prime-time të përplasjes së SHBA-së me iluzionin e shumëkujt për to dhe të së ardhmes me ata aktorë e rryma që do ta shënjojnë atë. Për shumëkënd fjalimi i Trump, vjen si një gur kilometrik drejt një të ardhmeje të qëndrueshme e për të tjerë, një gurkre ngrehine të turbullt e të humbur në kryqëzim të atyre politikave të heshtura e tensioneve që i luajnë fijet e pushtetit që prej godinës së OKB-së në New York. Kjo analizë mëton të hedhë dritë mbi ata çelësa retorikë që e bëjnë më pas parashikueshmërinë e vijimësinë logjike të rrokshme e të përdorshme në analiza të tjera krahasimore, e njëherësh praktike për të ilustruar zhvillimet e pritshme.

Fjalimi i Trump përpara Asamblesë së OKB-së, me gjithëpërfshirësi ndër syresh, ishte mbi të gjitha një përpjekje për largimin prej idealizmit shterp drejt një pragmatizmi lakonik. U vërejt se mungonte për herë të parë vija ideologjike orientuese që ka shënjuar tradicionalisht qëndrimet Amerikane në të tilla sebepe, aq sa komentatorë të ndryshëm aluduan nëse fjalimi ishte produkt i së njëjtës penë këshillimore apo një kombinimi penash kontradiktore. Përkundrazi, ky fjalim është derivat i një analize strategjike që përqafon qasje të ndryshme për tematika dhe interesa me peshë specifike të ndryshme. Përqafimi i zgjidhjes diplomatike për Korenë e Veriut, i artikuluar nga Trump e Pompeo edhe përgjatë punimeve të asamblesë, përveçse një rikonfirmim i zhvillimeve spektakolare të muajve të fundit sa i takon de-nuklearizimit të gadishullit Korean, i shkon për shtat zgjidhjes elegante e aq të nevojshme të një krize të eskaluar rishtazi në një rajon gjithnjë e më delikat për SHBA. E megjithatë retorika e rreptë karshi Iranit dhe përpjekjes së pareshtur të regjimit teokratik për të shtënë në dorë armët bërthamore, dëshmon koherencë në qëndrimin amerikan ndaj balancës së fuqisë që përfaqësojnë të tilla armë si edhe ekuilibrave në Lindjen e Mesme. Për të arritur këtë qëllim Trump ka zgjedhur një ekip këshillimor kompleks, në mënyrë që të përftohet një mishelë gjithëpërfshirëse ideologjike dhe planifikuese, me shijuar kontribute që variojnë prej konservatorizmit të John Bolton, tek pragmatizmi ushtarak i Sekretarit të Mbrojtjes Mattis, prej eksperiencës së Dan Coats, Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, deri tek karizma dinamike e Nikki Haley, ambasadores së SHBA pranë OKB.

Ndër rreshta mund të veçojmë propozimin për një sistem që e riorienton vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar prej grand-ideve liberale që deri diku i takojnë fosileve të Luftës së Ftohtë, drejt multilateralizmit që ravijëzohet në favor kryesisht nëpërmjet zhvillimit ekonomik, bosht ky i premtimeve programore të Trump që prej garës presidenciale, duke i dhënë rëndësinë e duhur zhvillimit të pamohueshëm të fuqive të reja që duhen akomoduar me një përqasje më inovative. Bash këtu zë vend edhe kritika therëse për situatën hipnotike që ka krijuar qoftë edhe metaforikisht, thënia e Fukuyamës se me rënien e Murit të Berlinit, historia politike botërore njohu fundin e procesit evolutiv, dhe se demokracia liberale do të triumfojë per-se, duke shërbyer si opium që mpak në sytë e shumëkujt rëndësinë e qëmtimit të zgjidhjeve serioze për sfidat e reja të pas Luftës së Ftohtë. Lëvizjet e Trump kësisoj nuk duhen parë si braktisje e aleancave tradicionale por si një modifikim dhe përshtatje e tyre për t’u shërbyer më mirë interesave dhe vizioneve strategjike, si edhe një sfidë kurajoze karshi iluzionit ngushëllues të hegjemonisë unilaterale e përtace. Në këtë kontekst, kundërshtia dhe skepticizmi karshi këtyre nevojave mbart naivitet duke pasur parasysh ritmet eksponenciale të lëvizjeve tektonike të zhguallit politiko-ekonomik global.

Rendi i liberalizmit “idealist” është sfiduar jo vetëm në dëm të interesave të demokracisë liberale, duke dëshmuar pasoja në pjesë të ndryshme të globit përfshi këtu Bashkimin Europian e jo vetëm, por edhe duke përftuar një enigmë shqetësuese karshi lindjes së fuqive te reja ekonomike, si Kina e India, Brazili e Meksika, që sjellin ndryshime gjithëpërfshirëse në tablonë gjeopolitike dhe makro-ekonomike botërore.

Në këtë prizëm, politika e Trump kërkon që për herë të parë SHBA të ndajë legjitimisht barrën e mirëmbajtjes së sistemit të tregtisë së lirë dhe shtyrjes së kufijve të shkëmbimit të dijes dhe informacionit si edhe çmimin e garantimit të zbatueshmërisë së atyre rregullave që mundësojnë përfitim të përbashkët brenda këtyre kufijve me bashkëpërfituesit, të cilët përgjatë dekadave të fundit e kanë shfrytëzuar lidershipin amerikan si një buffer zone rrufepritëse për prokopi individuale a rajonale pa përgjegjësi globale. Ky orientim nuk është asesi izolacionizëm por multilateralizëm, që sidoqoftë e nënvizon rëndësinë e lidershipit amerikan, por me një theks të veçantë që i vihet analizës së kostos.  Borxhi kombëtar i SHBA-së, duke përfshirë këtu edhe borxhin e jashtëm, ka arritur një kulm të ri me mbi 100 % të GDP vjetore, krahasuar me 40 % rreth mesit të viteve 80’; dhe paraqet një medium sfidues dhe nevojë urgjente për planifikim dhe përqasje relevante. “Lufta” tashmë e shpallur tregtare me Kinën shërben si dallëndyshe lajmëtare e kësaj nevoje.

Në anën tjetër të medaljes, diskursi veçse në fasadë liberal e globalist që vlen gjithnjë e më tepër në kolanat e publikimeve mediatike por gjithnjë e më pak si zgjidhje e problemeve reale, është diskredituar tashmë empirikisht dhe katandisur në një shemër të qëllimeve të virtytshme që e patën themeluar, duke u shfazuar në kohë e në hapësirë. Këto politika që vazhdojnë të trumbetohen prej një pjese të opinionit si të domosdoshme, e që mungojnë në diskursin e Trump, kanë dështuar duke krijuar një hon ndërmjet perceptimit publik dhe realitetit. Është pikërisht kjo hapësirë midis pritshmërisë së intelektualëve e akademikëve dhe ndjesive të popujve që shërben si mama e foshnjës populiste, dhe si mami e dasisë dhe paragjykimit, ringjalljes së nacionalizmit dhe racizmit. Në kontekstin e një bote tashmë globaliste, të tilla dukuri në vend që ta humbnin peshën, e kanë shtuar, duke na kujtuar se ende nuk jemi ndarë prej të shkuarës e gjithnjë e më të paqartë jemi karshi së ardhmes.

Ndaj edhe taktika e zgjedhur prej kritikëve për t’i anatemuar qëndrimet mbase të pazakonta por jo të pamenduara të administratës amerikane është ajo e mahisë intelektuale, përqafuar prej shumë analistëve brenda SHBA-së dhe jashtë saj, një “banalitet i konspiracionit”, koncept i përngjashëm për nga deduksionet logjike me frazën e Hannah Arendt, “banaliteti i ligësisë”, duke ia bjerrë kështu tharmin kritikës konstruktive, por që është sidoqoftë ushqim për mendim të një tjetër thellimi analitik. Përshtypja se këto qëndrime dhe veprime, por edhe mosveprime, janë pjesë e një makrostrukture ktonike a konspiracioni të planifikuar, mendime të përqafuara prej kundërshtarëve të brendshëm politikë të Trump, por edhe prej liderëve aventurierë ndërkombëtarë a komentuesve gjithfarë, janë në gjykimin të analizës, prirje të rrejshme të cilat e kërkojnë argumentin obskurantist ashtu sikur kultura post-truth mediatiko-fotografike lajmin sensacional.

Qëndrimet e Administratës 45’ si edhe ato modifikime rishtazi të prezantuara e të tjera që me gjasë do prezantohen në të ardhmen në politikën e jashtme amerikane mundet fare thjesht të vështrohen si një proces i natyrshëm brenda një vizioni kryekëput racional. Ky multilateralizëm i ri sidoqoftë gjendet në hulli të diktatit amerikan që i ka çimentuar edhe pse duke ndjekur metodika të ndryshme konstruktive, aftësitë për ta kornizuar diskursin e progresit global, duke i latuar ato nëpërmjet konceptit të soft power. Koncepti sidoqoftë ka evoluar, prej teorisë së Joseph Nye, në praktikën ekzekutive të Shtëpisë së Bardhë duke iu përshtatur Presidentëve dhe politikave të tyre pa e humbur në brendësi qëllimin dhe efikasitetin. Ushtrimi i ndikimit nëpërmjet soft power-it i është nënshtruar kësisoj një cikli të plotë metamorfik, që prej idealit të ndërhyrjes agresive në dobi të demokracisë, doktrinë e mirënjohur e administratës Bush, te përpjekja e orientuar drejt bashkëpunimit tolerant e kulturor të Obamës, e së fundmi tek qëndrimet në dukje populiste por mirëfilli pragmatiste të Trump, që po i shton prakticitet bashkëkohor kësaj praktike.

Ky proces legjitimon idenë se një ndër cilësitë më të vyera të fuqisë që projekton tashmë prej një shekulli SHBA, është përshtatshmëria dhe koherenca e rrënjosur në vlerat themeltare, si antitezë kundrejt modeleve të shtangësisë dhe stanjacionit veprimor e ideologjik që i ka karakterizuar superfuqitë e dikurshme, aspekte tek të cilat mund të gjurmohen edhe shkaqet e vjetrimit dhe shkërmoqjes së influencës së këtyre fuqive ndër faqe të shekujve. Po këtu mund të zbulojmë sesi SHBA ka dëshmuar dhe shoqëruar lindjen e shumë fuqive dhe zbehjen e shumë të tjerave duke vazhduar ta rifreskojë dhe kontekstualizojë ndikimin dhe udhëheqë drejtimin e zhvillimit global.

© 2018, autori.

22 Komente

  1. Observoj me kenaqesi te pershkrueshme, por te panevojshme per t’u shprehur ne finalitetin e komentit, i cili rreh tjeterkund e jo pa arsye, nje gjendje dakordesie e miratimi te plote e te padikutueshem, jashte çdo dyshimi legjitim, me aspektin substancial te kesaj sprove analitike, e cila sjell ne vemendje, pa doreza e pa frike, nje qasje specifike te disiplines politologjike, te larguar shprehimisht e me force prej hapesirave dominante te opinionit publik, nga intelektuale te rreshtuar ideologjikisht e nga nevoja te establishment-it, i cili investon ne forma nga me te ngryshmet te hapura, te pahapura e ndonjehere qartazi te fshehura, qe realizmi ne marredhedhenit nderkombetare, te kete sa me pak mbeshtetje popullore, por edhe akademike, ne menyre qe perfitimet nga nje pozicion idealist te perfundojne gjithnje e me teper ne llogarite e tyre bankare, te cilat gjenden zakonisht neper parajsa fiskale, anembane botes.

    1. Pa dashur t’jua prishë kënaqësinë, të pashprehur por të lexueshme brenda komentit tuaj sa elegant aq dhe të veçantë, që besoj se buron edhe nga konstatimi i një ndryshimi thelbësor, tashmë i dukshëm për këdo që do ta shikoj, një sea change i opinionit publik gjithandej në Perëndim, që padyshim shënon mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre, sa interesante aq dhe të panjohur për nga pasojat, por a nuk është po aq për t’u shqetësuar që këto kohë të stuhishme, që duket se po afrojnë, kushedi nga kanë për ta degdisur atë anijen tonë të shpuar dhe me velë të shkalafitur, të lënë në dorën e kapitenëve, atij në detyrë dhe atij tjetrit në rezervë, njeri më mavri se tjetri?

      “Jetofshi në kohë interesante”, mallkojnë kinezët. 🙂

  2. nuk e di nese e lexove kete librin e Woodward, por aty shihet qarte qe Trump nuk ka asnje prej ketyre motiveve fisnike qe i vesh autori, thjeshte biznes. Multilateralizem per te do thote secili te paguaj gjellen e vete, e pijet te ndahen, packa se 2/3 e tavolines nuk pijne vere dhe kryesori eshte aq i pire sa nuk sheh faturen (e buxhetit te mbrojtjes p.sh.). Madje edhe per ushtrine ka nje perceptim si mercenare e ne sherbim te ekonomise, nuk eshte cudi e po shihet nje ringjallje e ushtrive private.

  3. Woodward? A shkruan dot cjapi per fisnikerine e kasapit?
    Me Woodward apo pa te ne jemi ne presence te kollapsit te demokracise. Thjeshte presim sa te dale ne skene Clodius-i

    1. Kjo teza e kolapsit te demokracise qe hidhet ne loje sa here qe flitet per Trampin eshte nje forme shantazhi intelektual dhe si e tille thjesht vret argumentin dhe diskutimin.
      Rrjedhja e demokracise ka mbi 10 vjet qe trajtohet nga politologe te ndryshem dhe Trampi nuk eshte shkaku, por pasoja.
      Nqs BE-ja nuk ka strukture te zgjedhur demokratikisht, por te emeruar ne baze te raporteve te forces se shteteve brenda BE-se, nuk eshte faji i sovranisteve te akuzuar si antidemokratike qe BE-ja s’ka force te ece para si projekt, por i atyre te tjereve qe mbajne ne kembe nje strukture mbinacionale, per ta perdorur per interesa qe s’kane lidhje me interesat e popujve europiane.
      Sepse, le ta pranojme te verteten, qe Junkerin, shefin e BE-se, nuk do ta votonte asnje europian, sepse Junkeri eshte nje pijanec ordiner qe shkon tape edhe ne takimet e nivelit me te larte, sikunder e kemi pare ne nja dy video. Dikush ka interes ta mbaje ne ate pozicion dhe ai dikushi eshte armiku i demokracise dhe i popujve europiane.

      Asnje organizate nderkombetare nuk eshte demokratike, askush nuk ka votuar askend dhe vendimmarrja eshte gjithnje produkt i nje raporti te caktuar forcash, OKB-ja in primis, por edhe lloj-lloj turlilleqesh, OBT-ja, FMN-ja, KGB-ja, LGBT-ja, SARS-i, Ebola etj.

      Ky eshte realiteti, qe jashte struktures shteterore, nuk ekziston demokracia, çdo organizate apo strukture mbikombetare, nuk ka asnje gjase te jete demokratike, askush nuk voton realisht askend.

      Per t’u rikthyer tek Amerika dhe Trampi mendoj se pa Ameriken demokracia do ishte vene poshte e do ishte zhdukur nga Bashkimi Sovjetik, ashtu sikunder u zhduk demokracia nga Greqia e lashte, kur Athina humbi fillimisht luften me Sparten dhe perfundimisht luften me Filipin e Maqedonise.

      Demokracia ka nevoje per nje superfuqi, kjo eshte e qarte si ne antikitet, si ne shekullin e 20, ashtu edhe sot.
      Kemi Ameriken dhe askend tjeter, te jete mire Amerika, se po te jete per Gjermanine e Francen, demokracia merdhif me te gjitha, Rusia i merr zvarre.

      Trampi po e ben te qarte dita-dites qe lidershipi amerikan eshte i patjetersueshem dhe vendet demokratike duhet te rreshtohen ne ato qe shohin tek mireqenia dhe forca e Amerikes, garancine per demokracine dhe ato shtete qe duan te eksperimentojne nje realitet pa Ameriken.

      Ne disa aspekte situata pas 1990, po ngjan disi me Greqine pas Luftes se Peloponezit. Aleatet e Spartes , Korinti dhe Teba filluan te tregoheshin te pakenaqur qe Sparta u be superfuqia e vetme ne Greqi dhe kerkonin multilateralizem, zona te tyre te zgjeruara influence e me pak nderhyrje te Spartes.

      Situata degjeneroi ne lufte, ku ish-aleatet e Spartes, Korinti dhe Teba u bashkuan me ish-armiqte, Athinen dhe Argosin, kunder Spartes. Lufta e Korinti zgjati nga 395-387 dhe Sparta fitoi, por pas shume peripecive e nderhyrjeve te Persise here nga nje krah e here nga tjetri.

      Kur shoh grupin 2M, dhelpren Merkele dhe ate te lajthiturin e Frances, Makronin, me kujtohen Korinti dhe Teba. Nuk eshte çudi qe me kete mllef antiamerikan qe po mbillet ne France e Gjermani te vijne ne pushtet forca pro-ruse, qe pastaj te na degjeneroje situata si ne Luften e sipercituar te Korintit me Kinen qe do luaje rolin e Persise.

      Nuk eshte aq e pamundur, mbase lufta po, por jo rreshtimi pro-rus, meqe Le Penia e ka shprehur qarte, qe po mori pushtetin do çmontoje BE-ne dhe do krijoje lidhje te forta me Rusine.

      Per mua,duhet te kete nje rreshtim me Trampin dhe nje rinjohje te rolit te padiskutueshem te Amerikes ( se Obama ka bere deme te papara ne prestigjin amerikan) brenda komunitetit te shteteve demokratike, duhen pare edhe nevojat tregtare e industriale amerikane, sepse jane themelet e forces amerikane dhe garancia e shpenzimeve ushtarake.
      S’ka demokraci pa superfuqine amerikane dhe Amerika duhet te vazhdoje te jete superfuqi e padiskutueshme per te miren e gjithe vendeve demokratike.

  4. Nuk e di cka shkruar Woodwardi, nuk e njoh fare, po cfaredo te thote nje gazetar, ngelet gazetari. Trumpi risolli ne skene shtetin si aktorin e marredhenieve nderkombetare, sipas manualit realist. Keshtu pjesemarrja ne organizata nderkombetare eshte thjesht ne funksion te interesit te shtetit dhe jo ne funksion te ndonje ideali cfaredo, psh ideali liberal per tregtine dhe pjesemarrja ne organizaten nderkombetare te tregtise ska pike rendesie, para interesit amerikan per te ristrukturuar deficitin tregtar dhe industrine. Po keshtu ideale e pjesemarrje ne organizata te tjera, perhapja e demokracise, Natoja etj jane gjera fare pa vlere nqs Amerikes nuk i sjellin leverdi konkrete ne ekonomine apo sigurine e vet. Keto skane pse te jene gjera fisnike apo antifisnike, meqenese sot ste dhuron njeri asnje qindarke pa te pasur nje interes.

  5. Një pretencë elokuente por vetëm pjesërisht bindëse për politikën e jashtme të Trump-it dhe administratës së tij.

    Realiteti i ri multipolar në marrëdhëniet ndërkombëtare pas mbarimit të Luftës së Ftohtë pasqyron rënien relative të fuqisë ekonomike, politike, ushtarake të hegjemonit amerikan në botë, pas daljes në skenë të aktorëve të rinj që sfidojnë seriozisht pozitën e privilegjuar të SHBA-ve në sistemin ekzistues, por njëkohësisht reflekton edhe rraskapitjen e brendshme të ekonomisë amerikane në dy dekadat e fundit, sidomos pas krizës financiare të 2008-ës (ekonomi e cila duhet për të financuar këtë rol hegjemonial).

    Rrjedhimisht, edhe infrastruktura globale – ekonomike-financiare, politike dhe ushtarake – e ngitur prej SHBA-ve pas L2B, fillimisht vetëm për Perëndimin dhe pas 90-ës si konstrukt global, nuk i përshtatet më siç duhet këtij realiteti të ndryshuar. Madje për SHBA-të mbështetja dhe mirëmbajtja e kësaj infrastrukturë të një kohe tjetër është me kosto gjithmonë e më të larta, me rregulla që nuk ndiqen nga të gjithë dhe ku lejohen hapësira që favorizojnë disa aktorë në dëm të të tjerëve ose që nxitin parazitizmin gjeopolitik dhe manipulimin e sistemit në favor të vendeve me politika merkantiliste apo nacionaliste.

    Admnistrata 45′ jo vetëm që nuk e refuzon këtë realitet të ri të krijuar, por përkundrazi e përshpejton ndryshimin, duke ia përshtatur në mënyrë aktive politikën e saj të jashtme këtij realiteti, duke u dhënë prioritet interesave amerikane kundrejt ndjekjes së projekteve shpesh utopike dhe të kushtueshme, që kërkon ushtrimi global i rolit të hegjemonit liberal. Realpolitik-a eTrumpit, dhe sidomos mënyra direkte dhe agresive me të cilën qeveria e tij e ushtron atë, mund të na pëlqej ose jo, por përshtatja e politikës së jashtme amerikane ndaj këtij realiteti është në fakt domosdoshmëri dhe në një moment do të bëhej, në mos nga Trumpi, nga një president tjetër i mëvonshëm.

    Refuzimi që elitat (neo)liberale globaliste – politike, ekonomike dhe mediatike, të majta dhe të djathta – i bëjnë realitetit të ri, nevojës për ndryshim dhe sidomos dëshirës për ndryshim që aspiron një pjese e madhe të shoqërisë amerikane (por edhe e vendeve të tjera) mund të shihet si shenjë e dogmatizmit të këtyre elitave dhe/ose e kapjes së tyre pas një sistemi që i ka privilegjuar ato vetë, por që i ka kushtuar shtrenjtë shoqërive që ua mirëbesuan atyre drejtimin e punëve dhe fateve të veta (dhe që tamam për këtë arsye nuk ka më shans që këto elita ta kthejnë prapë kahun e zhvillimeve aktuale, pavarësisht nëse Trumpi fiton apo jo prapë zgjedhjet presidenciale në 2020. Me ose pa Trumpin, nuk ka më kthim pas në kohët e para 2008/09-ës, megjithë nostalgjinë e elitave neoliberale për ato kohë.)

    Deri këtu, dakort me tezat e autorit. Por shkrimi ka, për mendimin tim, disa boshllëqe dhe arrin në përfundime të parakohshme sepse:

    1. nënvlerëson rreziqet që vijnë nga prishja e sistemit të vjetër, në një periudhë vakuumi (një interregnum) deri në instalimin e një sistemi të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare.

    2. injoron reagimin dhe rolin e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë – sidomos atyre që kanë përfituar deri tani nga ky sistem – ndaj prishjes së infrastrukturës aktuale që rregullon marrëdhëniet internacionale dhe që mundëson zgjidhjen pa dhunë të konflikteve (në shumicën e rasteve). Nuk ka asnjë garanci që konfliktet ekonomike dhe gjeopolitike me Kinën, Iranin, Korenë e Veriut, Turqinë etj. nuk do të përshkallëzohen në konflikte të nxehta, rajonale ose globale.

    3. presupozon se mënyra me të cilën Trump dhe administrata e tij kërkojnë të ngrejnë modelin e ri të marrëdhënieve internacionale – duke prishur sistemin global ekzistues dhe zëvendësimin e tij më pas me marrëdhënie bilaterale ose shumëpalëshe, por pa skicuar më parë një sistem të ri gjithëpërfshirës – është mënyra e duhur për të zgjidhur krizën e sistemit aktual.

    Një sistem i ri multipolar mund të funksionoj duke shmangur tensionet e mëdha (si p.sh. i ashtuquajturi “Koncerti Evropian i Fuqive të Mëdha”, që ruajti balancën gjeopolitike në Evropë në shekullin e 19), por ky sistem duhet ndërtuar një herë dhe më pas duhet të mirëmbahet, çka kërkon sasi të konsiderueshme kohe dhe energjie, preokupim dhe mjete financiare. Ngritja e një sistemi të tillë mund të bëhet ose në një nivel makro, global, me një plan dhe angazhim serioz të këtyre poleve të reja (SHBA, Kina, BE, Rusia dhe India), ose duke ia lënë në dorë rastësisë dhe zhvillimeve ad-hoc, me gjithë rreziqet që mbart kjo rrugë. Rruga e parë u ndoq nga SHBA pas L2B, kur ato ngritën sistemin që pak a shumë kemi ende sot, pas një pune shumëvjeçare të administratës amerikane dhe asaj britanike, me angazhimin e disa prej personaliteteve më të spikatura në fushat e ekonomisë, financave, mbrojtjes, politikës etj. Rruga e dytë është ajo e praktikuar në vitet 1900 – ’39, ajo e aleancave dy- apo disa-palëshe dhe e blloqeve rivale, rrugë që në vitet ’30 përfundoi te “të gjithë kundër të gjithëve”.

    4. injoron situatën sociale, politike dhe ekonomike brenda Amerikës, duke i mveshur marrëdhënieve ndërkombëtare rëndësinë dhe rolin e vetëm në zgjidhjen e problemeve të SHBA dhe në garantimin e pozitës së privilegjuar në një botë multipolare. Shtangësia dhe stanjacioni veprimor e ideologjik që, sipas autorit, u bën shkaqe të “vjetrimit dhe shkërmoqjes së influencës” së superfuqive të dikurshme, duhen kërkuar dhe eliminuar jo vetëm në arenën e jashtme të marrëdhënieve ndërkombëtare, por në radhë të parë brenda vendit, në kushtet sociale, politike dhe ekonomike të shoqërisë amerikane, gjendja e të cilave sot është larg standarteve të denja për një shoqëri të avancuar dhe për një vend që pretendon të drejtoj botën edhe në dekadat që vijnë. Pa zgjidhur problemet e brendshme që ndesh sot shoqëria amerikane – hendeku i thellë dhe në rritje i pabarazisë sociale, çimentimi i hierarkive oligarkike dhe plutokratike që zotërojnë ekonominë dhe politikën amerikane, dobësitë flagrante të sistemit arsimor dhe atij shëndetësor, infrastruktura që po shkërmoqet, sa për të përmendur disa nga problemet më akute – hegjemonia globale është vetëm me afat, ashtu si hegjemonia e superfuqive të dikurshme. Dhe politikat e brendshme të qeverisë Trump, të paktën ato deri tani, nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se kanë për të ndryshuar gjë në këto raporte dhe kushte.

    Rrjedhimisht, më duket i nxituar përfundimi se, me politikat e qeverisë së Trumpit SHBA do të vazhdoj të “rifreskojë dhe kontekstualizojë ndikimin dhe (të) udhëheqë drejtimin e zhvillimit global”.

  6. Pas presidencës së Bushit ka një vullnet të padiskutueshëm të votuesit amerikan për multilateralizëm dhe pragmatizëm nga të dyja krahët e spektrit politik. I pari President amerikan që u zgjodh në emër të multilateralizmit së fundi nuk ka qënë Trump, por ishte Obama, i cili bëri fushatë kundër unilateralizmit rrënues të Bushit. Personalisht kam pasur përshtypjen se Obama kishte edhe synime izolacioniste, të cilat nuk u vërtetuan ose realizuan. Përkundrazi, ai për hir të politikës dhe ndoshta pasigurisë që ai ndeinte në Partinë Demokratike si bastion i Clintonëve zgjodhi si Sekretare të Shtetit Hillary Clinton, dhe ia dorzoi politikën e jashtëme jo pragmatizmit, por ideologjisë globaiste të Soros. Më pas John Karry dhe “Iran Deal” i vuri vulën ideologjizimit dhe paaftësisë në poltikën e jashtmë.

    Si qytetar amerikan them se asnjë nga risitë që po sjell Trump në politikën e jashtme nuk janë në kundërshtim më konsensusin popullor. Si të majtë ashtu edhe të djathtë nuk kanë oreks për unilateralizëm. Partia Republikane kishte me dhjetra kandidatë që ishin për unilateralizmin (a.k.a. Neocons). Asnjëri nuk bëri dot përpara. Po ashtu, Trump nuk premptoi as multilateralizëm, as unilateralizëm, por premtoi pragmatizëm. Ndonëse duket si ‘misnomer’, Trump ishte më i sinqertë në këtë pikë se gjithë kandidatët e tjerë.

    Rreziku i Trumpit është që më John Bolton dhe të tjerë Neocon në administratë të bëj ndonjë gjë që shkon kundër këtij konsensusi për multilateralizëm dhe pragmatizëm. Përndrysh amrikanët thonë “there are thousand ways to skin a cat”. Mënyra se si Trump po e realizon ndoshta nuk është më estetike, as edhe më etike se sa do dëshironim. Por këto kandidatë na dha 2016-ta, dhe votuesit e thanë fjalën e tyre. Problemi është se në çështjet etike në politikën e jashtme Amerika ka si standart vetëm veten e vet, për sa kohë votuesit në amerikë mbajnë shënim.

    1. L.A meqe e permende Hillarine dhe Sorrosin, ketu eshte vendi per te kujtuar sesa e forte ishte propoganda ne favor te revolucioneve ”demokratike” ne Lindjen e Mesme dhe Afriken Veriore e me vone ne favor te ”Revolucionit Portokalli” ne Ukrahine.
      Gjithe keto vende u futen ne qorrsokak e luftera civile, po njesoj si Iraku pas invazionit ne kohen e Bushit. Pasi i futen ne luftera civile u lane ne fatet e tyre.
      Sorrosi eksperimentin e pare e kreu me çerrat e tij ne Gjeorgji (jo rastesisht Shakashvili me vone u transferua ne Ukrahine) ne kohen e Bushit, duke menduar se situata do e terhiqte Bushin, por Bushi nuk ishte dem qe terhiqej nga ngjyra e kuqe.

      Normal qe pastaj Putini e ka vene Sorrosin te parin ne listen e atyre qe do çonte ne gulaget e Siberise, nqs shkelin kembe ne Rusi dhe padyshim nderhyri kunder Hillarise ne zgjedhjet e fundit.
      Ne njefare menyre Trampi eshte edhe rezultat i konfliktit mes Putinit dhe Sorrosit, per Gjerogjine dhe Ukrahinen, sepse nderhyrja ruse kunder Hillarise mund te kete pasur efekte te rendesishme ne zgjedhjen e Trampit.

      1. Hyllin,

        Trump është pa më të voglin dyshim aksidenti më i madh në politikën Amerikane. Dhe si çdo aksident, njerzit natyrshëm janë fillimisht në një gjëndje kaosi. Por gjithësesi më të arsyeshmit përpiqen të kuptojnë dhe analizojnë situatën, dhe ndoshta një ditë së bashku do e mbeldhim veten (kolektivisht) për tu futur në hullitë e normalitetit.

        Por le të mos harrojmë se ajo që duhet të ishte rruga e sigurt, do kishte qënë zgjedhja e Hillary Clinton si presidente, dhe kurorëzimi de facto i George Soros si Sekretar i Shtetit.

        Për aq sa i përket politikës globale dhe Shqipërisë, ndryshe nga Gjilpëra në një koment të mëparshëm, personalisht përditë po më mbushte mendja se ajo rruga e sigurt ishte gjithashtu edhe rrugë pa krye. Për të mos thënë që shkonte drejt humnerës.

        Soros është një Che Guevara miliarder. Çfarë nuk bën dot në Amerikën e Veirut, e bën në Europë, Afrikë, Amerikë Latine, Azi, Lindje të Mesme.

        Sa për Shqipërinë, asnjë president Amerikan, përfshi këtu Trump, nuk do arrij të bëj atë që bëri Hillary dhe Soros duke e zhveshur Shqipërinë nga kushtetuta dhe Institucionet e saj më kryesore të drejtësisë, për ta lënë shtetin në duart e banditëve. Edhe Lenini e Stalini kishin më shumë fisnikëri dhe klas.

        1. Kjo puna e aksidentit eshte per t’u pare, se me Klintonin (Billin) falimentoi Fukujama, me Bushin falimentoi Huntington-i, me Obamen falimentoi Sorrosi, keshtu qe une nuk e di se cila nga keto alternativat e falimentuara eshte me racionale.
          Trampi eshte interlokutor i mundshem edhe per sovranistet europiane, ne kuptimin qe ndersa deri dje marredheniet me Putinin ne funksion anti-globalistosorrosian ishin ne njefare menyre te detyruara, tashme ka nje qetesim apo shtendosje dhe sovranistet do orientohen mes Trampit dhe Putinit, qe te nxjerrin maksimumin per vendet e tyre (ate qe mendojne ata si me e mira).

          Perndryshe perfytyrò nje Le Pen qe gjen gjuhen me golistet (psh te mos prishe BE-ne) dhe merr pushtetin ne zgjedhjet e ardhshme. Pozicionimi prorus i Frances , edhe me Francen brenda BE-se ne praktike hap telashe te panumerta per Europen.
          Aq me teper qe Salvini ne Itali nuk e ka fshehur simpatine per Putinin (edhe 5 yjet nuk jane kunder) dhe me nje Angli jashte BE-se, sa mendon ti se do te rezistonte Gjermania me demokristianet e socialdemokratet e vet, aq me teper kur Alternativa per Gjermanine e ka kthyer Gjermanine Lindore ne bastion dhe demokristianet bavareze jane ne pozitat e ApGj-se ?

          M’andej, PD-ja amerikane eshte bere parti pakicash gjithfaresh; etnike,racore,fetare,seksuale,kulturore etj, dhe ketu vjen natyrshem pyetja :
          – A eshte vertet e logjikshme te lesh fatet e demokracise ne Amerike e rrjedhimisht ne bote, ne duart e zezakeve, hispanikeve, aziatikeve,arabeve, LGBT-se, indiosve etj ?

          Kur ne kemi folur per demokracine amerikane kemi nenkuptuar gjithnje ate ”average Joe”, tashme ky na qenka kthyer ne armikun e tmerrshem te demokracise.

          Per arsyet e mesiperme them se nuk ka ndonje aksident, nderhyrja ruse ndoshta shpejtoi me nje 4 vjeçar ardhjen e trampizmit ne pushtet, po Hillari Klinton-Sorros, nuk do merrte kurrsesi mandat te dyte.

          Persa i perket Shqiperise, besoj se te shumte e kane kuptuar qe reforma ne drejtesi eshte nje projekt sorrosian per vendosjen e njerezve te vet, te zgjedhur me kujdes me Rama (mundesisht prej te shkolluarve jashte per drejtesi, me burse nga Sorrosi) ne krye ne drejtesise.
          Simpatiku Lu, i zgjedhur nga Obama, sigurisht qe ishte sorrosian e kokekaçubja kroate po ashtu, keshtu qe i bene hyzmetin sa munden kesaj reforme.

          Ku i dihet mbase na vjen ndonje e mire nga keta sorrosianet ne drejtesi, ne sektoret e tjere e kane ndritur ne fakt, po mbase korruptohen me pak.

        2. L.A., komenti im nuk ishte apel për status-quo-në por vetëm shqetësim që ne, si shoqëri dhe si shtet, nuk jemi fare të përgatitur për një ndryshim sistemi, si ky që po ndodh. Ndryshimi, që ne nuk e ndalojmë dot edhe sikur të duam, mund të jetë një shans ashtu siç mund të jetë edhe katastrofë. Kjo varet nga rrethanat, nga loja që bëjnë të tjerët, nga fati po ashtu, por varet po aq, në mos më tepër, edhe nga sa këllqe kemi apo nuk kemi për t’u marrë seriozisht (kujt i duhet anija që fut ujë?) dhe kujt i është lënë në dorë drejtimi i vendit (kapitenit rockstar!).

          Sistemi i deritanishëm kishte rregulla që vlenin për të gjithë, të mëdhenj dhe të vegjël (ose, të paktën, për shumicën) dhe që garantoheshin nga SHBA, dhe në Evropë edhe nga BE dhe nga NATO. Kur të mëdhenjtë fillojnë të luajnë vetëm për interesat e tyre, siç duket se po vijnë punët, dihet nga historia që të vegjëlit nuk i llogarit kush shumë dhe shpesh janë bërë koka turku.

          [Meqë jemi këtu: loja e re gjeopolitike në Ballkan është hapur me Kosovën, të cilës papritmas ia vunë në dyshim kufinjtë e vetë, vetëm 10 vjet pas pavarësisë, dhe me Serbinë që akoma i rri si xhandar pas derës. Çfarë garancie ka që shkëmbimi i territoreve, njohja e Kosovës nga Serbia, dhe mosvendosja e vetos nga Rusia në OKB kundër Kosovës – siç është plani – do të jenë të suksesshme? Që e gjitha nuk është veç një lojë e qeverisë serbe, e cila nuk ka se çfarë të humbas, sido që të jetë rezultati? Asnjë garanci! Çfarë ka për të ngelur nga kjo punë, është vetëm që kufinjtë e Kosovës dhe me to edhe pavarësia e saj, nuk qenkan dhe aq “punë e mbyllur njëherë e përgjithmonë”, por mund të jenë ende në dispozicion për t’u ndryshuar, sipas tekave të të mëdhenjëve dhe të Serbisë. Apo mendon se Thaçi i hyri valles së kufinjve nga vetja?]

        3. Gjilpera, ne jemi si puna e parcelave eksperimentale ne bujqesi, ku testohen rendimentet dhe sa mban derisa te mos behet shterpe. Ose si e kavieve te laboratorit qe mund te shpresojne vetem qe ilaçi i ri qe po eksperimentohet mbi to, te mos i vdese te gjitha.
          Jemi totalisht hesap me vete dhe te pakrahasueshem me askend, pak a shume si gjithnje se nuk eshte ndonje e re.

          3 kuriozitete nga pushtimi gjerman, se edhe ky ishte i pakrahasueshem me askend.

          1- Gjermani erdhi per te qendruar vetem ne garnizone, s’kishte fare administrate civile gjermane, te gjitha u lane ne duart e shqiptareve me nje shkalle autonomie te pashembullt. Dilnin nga garnizonet per raprezalje kur partizanet benin ndonje prite, ose kur hajdutet tane shkonin e vidhnin miellin e ushqime te tjera nga magazinat e ushtrise gjermane (ushqimet rregullisht te blera me çmim tregu, asnje rekuizicion si ne vende te tjera) .

          2- Kur erdhen gjermanet ekonomia jone ishte ne kolaps dhe inflacioni u ngrit ne qiell. Gjermanet sollen valute me vlere 500 milion franga ari (monedha qe perdorej me shume), keshtu stabilizuan financat shqiptare dhe frenuan inflacionin. Ne vendet e tjera, gjermanet moren ça munden, biles edhe prej aleateve te tyre, me te cilet benin shkembime ne avantazh te Gjermanise (jo me çmime tregu).

          3- Ari i shumeperfolur shqiptar i grabitur prej gjermaneve, ne fakt s’ka lidhje me Shqiperine, dmth nuk ishte as ne Shqiperi dhe ne fakt nuk ishte as shqiptar.
          Ate flori gjermanet e kane marre ne Rome, kur bastisen bankat italiane, dmth, para se te largoheshin nga Roma, as qe e dinin fare qe ishte shqiptar apo kinez.
          Ne fakt, Banka e shtetit shqiptar, ishte me kapital italian dhe floriri qendronte ne Rome. Italianet protestuan per arin, sepse thane kapitali eshte italian, keshtu qe ari i takon aksionereve te bankes, meqenese ari ishte aset i Bankes.
          Mirepo (pas Luftes kuptohet) doli nje profesor zviceran i se drejtes dhe tha, Ari nuk i takon aksionereve italiane te bankes (dmth pronareve), por i takon shtetit te cilit ky flori i sherben si garanci per monedhen, dmth i takon shtetit shqiptar.
          Logjika u pranua dhe ari na takoi neve, po gjermanet kur e grabiten nuk ishin kaq te holle ne shpjegimet e se drejtes.

          Koncepti i sui generis eshte i vetmi qe na pershtatet, keshtu qe çdo arsyetim ne lidhje me normen dhe normalitetin nderkombetar, nuk para ngre ndonje peshe te madhe.
          Jemi te destinuar te ngelim te fundit ne çdo gje e ne cdo epoke historike, por kemi te miren qe i hapim telashe te medha çdokujt qe na merr persiper, keshtu qe pushtimi eshte nje opsion qe zakonisht nxjerr pushtuesin si rruar-qethur.
          Aktualisht po nxjerr Sorrosin si rruar-qethur, sepse dishepujt shqiptare jane si puna e Judes, shiten per 30 aspra, keshtu qe investimi sorrosian neser do shumezohet me zero dhe do dalim te gjithe antisorrosiane.

  7. Ceshtja e multipolarizmit te Trampit nuk duhet marre ne kuptimin e pare te fjale, ashtu sikunder nuk duhej marre ne fillim te mandatit çeshtja e izolacionizmit.
    Trampi nuk njeh ndonje superfuqi tjeter, ndonje shtet tjeter te barabarte ne rang global. Qe te kete multipolarizem duhet te kete shtete qe i njohin status te barabarte njera-tjetres, ne rang global ose te pakten ne zonat kyçe te globit e me gjeresisht Botes se Vjeter ( Afrika dhe Euroazia.)
    Ne konceptin e Trampit, i cili me duket edhe mjaft korrekt, eshte Amerika si superfuqi globale, pastaj vijne Rusia dhe Kina qe jane (super)fuqi rajonale e pastaj gjithe fuqite e tjera rajonale.

    Trampi eshte gati te njohe si interlokutore te barabarte Rusine e Kinen, persa i takon vendeve kufitare te ketyre dy shteteve, por nuk ka per t’i njohur asnjeres prej te dyja ndonje barazi ne trajtimin e situatave qe jane larg kufijve te ketyre dy shteteve, ta zeme me Kinen diskuton si i barabarte per çeshtjen e Koreve, por nuk do i hapte as deren e diskutimeve Kines per çeshtjet e Lindjes se Mesme.
    E njejta gje me Rusine, ne lidhje me Ukrahinen e shtete te tjera kufitare, por jo ne lidhje me shtete e rajone qe jane larg Rusise.

    Kjo lidhet ngushtesisht me projektimit e fuqise, si te Kines , si te Rusise, dmth nqs Kina apo Rusia nuk jane ne gjendje te dergojne ndonje force detare dhe ajrore domethenese, larg kufijve te tyre, atehere s’kane si ta kontestojne Ameriken.

    Ne Korene e Veriut dhe Iran, Kina dhe Rusia jane bashke, çka e bllokon inisiativen amerikane, edhe pse Irani s’ka kufij as me Kinen, as me Rusine ( kjo ka nje kufi ose komunikimin detar ne Kaspik).

    Deri ketu shkon bota multipolare e Trampit, perndryshe Francen dhe Gjermanine, nuk i marrin seriozisht as vendet baltike, as Polonia e as Rumania (te gjitha ne BE) kur vjen puna tek siguria e tyre nga rreziku rus. Si mund t’i marre seriozisht Amerika ?
    Njefare tolerance dhe serioziteti kane marredheniet me Angline, meqe Anglia ka nje pozicion gjeografik qe i duhet dhe se Kanadaja, Australia e Zelanda e Re jane ngushtesisht te lidhura me Angline e nuk do te dergonin asnje ushtar nqs Anglia e bojkoton Ameriken ne ndonje nisme ushtarake. Ky bllok anglez me 130 milione banore e me pozicione te nevojshme globale eshte i domosdoshem per Ameriken, ne fund te fundit jane te gjitha (perfshire Ameriken) vende anglo-saksone.

    Ceshtja e polaritetit te botes eshte edhe çeshtje matematikore persa i perket projektimit te fuqise. Nqs ne nje rajon Amerika ka kapacitetin te dergoje 10 here me shume trupa, avione e anije sesa shteti i dyte me i forte ne bote, atehere si mund te pretendohet multipolariteti ?
    Ne shekullin 19 deri ne L1B Anglia kishte doktrinen numerike, qe Anglia duhet te kishte me shume anije e tonazh sesa shteti i dyte dhe i trete, te marre se bashku.

    Kontestimi real, pertej gjithe llafeve lart e poshte, vjen nga projektet kineze qe ne vitin 2050 Kina do te arrije shifren e 10 aeroplanmbajeseve. Ne ate moment Kina, mund te nderhyje masivisht me avione, anije e trupa ne çdo cep te globit.
    Ashtu si aeroplanmbajteset amerikane vijne sot verdalle ujerave territoriale kineze, ashtu edhe ne vitin 2050 ne New York, banoret do shohin ne distance jo shume larg ujerave territoriale aeroplanmbajtese kineze.

    Ketu eshte momenti i Botes Dypolare.

  8. Mjere ajo qeveri qe do te vije pas kesaj te Trumpit: do gjeje nje deficit buxhetor mbi 5% te GPD! (doemos, mbi te gjitha për shkak të uljes se taksave) : kete vit USA e mbyll me 4.2%.

    Në BE, po kalove 3%-shin të perjashtojne nga shkolla. Sa per te dhene nje shembull

    1. Kinoditar,

      Obama përgjatë 8 vjetëvee ka pasur mesataren e përqindjes së deficitit kundrejt GDP rreth 5.7% .
      Po ashtu efekti i taksave në buxhet ende nuk është tërësisht i matshëm.

      US e ka borxhin me përqindje shumë më të ulët se shumica e vënde Europiane, dhe konsumon një përqindje më tw vogël të buxhetit. Po ashtu me përqindjen e borxhit kundrejt GDP-së të krahasuar me Amerikën shumë vënde europiane do konsideroheshin të falimentuara.

      1. L.A. ke te drejte, perveç pikes per matshmerine e efektit te taksave. Borxhi publik/sovran eshte alternativa ndaj taksave. Nje rritje e taksave ul nevojen per t’iu drejtuar borxhit dhe nje ulje e taksave rrit nevojen per t’iu drejtuar borxhit.
        Nje kryeminister ose president qe rrit edhe taksat edhe borxhin o eshte duke bere ndonje investim marramendes ne infrastrukture ose eshte per t’u pushkatuar.
        Historikisht eshte perdorur nga sovranet ne raste lufterash, meqe lufterat kane nevoje per likujditet te menjehershem. Hollandezet e kane pase perdorur shume ne shekujt 17-18, ne shifra deri ne 250% te GDP-se ( kuptohet qe si perfundim ndodhi erozioni i financave hollandeze dhe humbja e supremacise financiare ne favor te Anglise).
        Perdorimi masiv ne kohe paqeje tregon qe sistemi i taksimit nuk funksionon si duhet (qe qeveria/qeverite kane probleme serioze) ose qe qeverite jane duke kryer investime urgjente psh qeveria e meparshme nuk ka kryer asnje investim dhe te duhet te perballesh me amortizimin e prones publike.

        Pra rritja e borxhit, ne rast se s’ka investime te reja, varet nga sistemi i taksimit dhe papergjegjshmeria e qeverise se meparshme.Per kete rritje, e cila nuk vjen nga ndonje investim marramendes ne infrastrukturat publike, Trampi ose duhet te quaje fajtor Obamen per papergjegjshmeri ose duhet te pranoje efektet e uljes se taksave.
        Ne fund te fundit, korrelacioni mes borxhit dhe sistemi te taksimit eshte jo vetem teorik, por edhe historik.

      2. Në 2013, Obama e uli borxhin në 4.1% te GDP, më te ultin qe nga kriza financiare e 2008.

        Me kete ritem uljeje taksash, Trump, pa me te voglin dyshim, do e coje ne fund te mandatit te tij tek, minimumi 5-6%.
        E sigurt

        1. Kinoditar,

          Kjo që thoni ju është thjeshtë opinion i juaji, sepse matjete e efektit të ligjit të taksave nuk kanë dalë ende, as edhe shpenzimet buxhetore të 2018 dhe numrat final të borxhit.

          Reforma e taksave përfshinte edhe element të tjerë si për shembull, riatdhesimin e parave nga shumëkombshet, që të mund të investohen në ekeonominë amerikane duke iu nënshtruar një taksimi të ulët. Po ashtu zgjerimi i bazës së taksapaguesve, lehtësimi barrës për disa lloje profesionesh duke iu përshtatur trendeve ekonomike, etj. Po ashtu se sa i suksesshëm ka qënë ligji në këto synime ende nuk dihet.

          Pra korrelacioni ulje taksash me rritje borxhi nuk është edhe aq i drejtëpërdrejtë. Po ashtu fokusi i politikave ekonomike nuk mund të jenë taksat, as borxhi shtetëror. Si i thonë këtej, “the tail cannot wag the dog”, ose bishti më i rëndë se sqepari. Sepse po nuk pate ekonomi, nuk ke as buxhet.

        2. Trampi ka menduar se te ardhurat nga doganat do e kompesonin efektin ne buxhet te uljes se taksave, por mesa duket me doganat po ecet shume ngadale. Ne fakt kjo manover eshte transferim i barres fiskale nga te pasurit tek shtresa e mesme, sepse tarifa doganore sillet si takse konsumi.
          Manovra duhet te ishte preçize, sepse s’ka kuptim t’ia heqesh barren te pasurit e te ngopesh me borxhe.
          Aq me teper qe i pasuri qe do te investoje, s’ka nevoje as per ulje as per ngritje te tatim fitimit, sepse mjaft ta vendose ne bilanc si investim dhe tatimin e çon ne zero.

          Shtreses se mesme i mungon nje mekanizem i tille, persa i perket tatimit mbi te ardhurat, nuk mund ta coje dot zero sepse po investon gjekundi, psh burse apo te dyqani ku punon gruaja/burri. Biles me keq, ne sistemet progresive, rendom profesionistet me te mire paguajne me shume tatim mbi te ardhurat sesa biznesi tatim fitimi.

          Keto privilegje mbi privilegje qe gezojne te pasurit duhen pare me shume kujdes, se i privilegjuari sa me shume privilegjohet aq me i prirur eshte t’i beje leket rrush e kumbulla, se e koncepton qe u be deti kos.
          S’ka as nerv shtresa e mesme, eshte bere ha Muço, pi Muço e as e çan me koken fare.

  9. Meqe ra muhabeti tek borxhi publik, taksat e qeverisja, nga historiku i borxhit publik ne Amerike e vendet e tjera, duket se borxhi ka kapur maksimume historike ne raste lufterash per t’u ulur gradualisht, por edhe ndjeshem ne kohe paqeje. Perjashtim bejne keto 40 vitet e fundit, kur vende te ndryshme, perfshire Ameriken, e kane rritur ndjeshem edhe pse ne kohe paqeje.

    Ndersa liberalizem-globalizem-sorrosianizem, nuk jane teorikisht per rritjen e borxhit, sepse rritja e tij ne kohe paqeje supozon nderhyrjen e qeverise ne ekonomi, ne fakt ka ndodhur e kunderta, nga Regani e ketej, borxhi ka marre perpjete, gje qe tregon hipokrizine e teoriceneve dhe praktikanteve te liberalizmit.

    Ulja e taksave, sado qe L.A. nuk e pranon, ne fakt eshte nderhyrje e qeverise ne ekonomi me rezultat pikerisht rritjen e borxhit, shembulli me i qarte se liberalet ne te vertete nuk dine se çfare thone dhe pse ekziston ne keto 40 vjet prirjesh liberale nje rritje masive dhe e kudogjendur e borxhit publik ( pa u futur te rentat e kapitalizmin rentier qe i pelqen me shume Gjilperes ta trajtoje).

    Nderkaq, borxhi nuk ka qene ndonjehere thjesht nje mekanizem ne funksion te ekonomise, sikunder po trajtohet gjeresisht nga Kejnesi e ketej, por sidomos nje mekanizem i sigurise kombetare.

    Kapaciteti i nje shteti per t’u mbrojtur, varet qartazi nga kapaciteti i qeverise per te mbuluar shpenzimet e luftes me ane te borxhit sovran. Ne ndryshim nga nje rritje e taksave, e cila edhe ne rast lufte mund te shkoje deri 20% te GDP cdo vit (duke shpresuar se vitin e dyte, ekonomia nuk bie ne grope nga rritja e taksave), borxhi publik mund te fluturoje ne 50 % te GDP ne vit ose edhe 100 % ne raste ekstreme ( pastaj s’ben dot 2 vjen lufte).

    Pra, kapaciteti per likujditet i borxhit publik eshte ndjeshem superior ndaj rritjes se taksave. Ne fakt, Anglia gjate L1B e perdori ndjeshem ne 2 vitet e para, derisa ne 2017 s’kishte me kapacitet te financonte luften ne ato permasa. Aty hyri ne loje Amerika qe i dha borxhe te medha duke e mbajtur Angline ne loje, ne nivele te larta.

    Per nje krahasim te kapaciteteve, mund te marrim Shqiperine sot me nje GDP 15 miliarde dollare dhe nje borxh 70% ose 10.5 miliarde dollare. Nqs do vendosim si maksimale 100% te GDP (mund te vendosim edhe 150% po ne rast lufte askush nuk do hidhej kaq rrezikshem ne bonot e luftes), atehere kapaciteti aktual i Shqiperise ne rast lufte do te ishte:
    100%-70%= 30% te GDP-se, qe jane 30% e 15 miliarde dollareve, pra 4.5 miliard dollare.

    Nje Shqiperi me nje borxh publik zero do te jepte nje kapacitet maksimal prej 15 miliardesh. Pra ne rast lufte, Shqiperia mund te financoje me ane te borxhit publik, 4.5 miliarde dollare, ta zeme te gjitha armatime, ne nje kohe qe me borxh zero ose afer zeros, kapaciteti per te blere armatime do te shkonte ne 15 miliarde dollare.

    Duket qarte qe borxhi publik eshte jo thjesht e vetem nje mekanizem ekonomik, por çeshtje e sigurise kombetare, biles çeshtje shume serioze e sigurise kombetare.
    Prandaj edhe tek postimi me lart e quajta kryeministrin qe rrit edhe taksat edhe borxhin, thjesht per te vjedhur, si person te denje per pushkatim, sepse kjo vjedhje eshte sabotim i sigurise kombetare.

Lini një Përgjigje te kinoditarAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin