KLISHE E GJETUR NË PLEHRA

Nuk ka nevojë të kesh përjetuar ndonjëherë impaktin e plotë të shqipes totalitare, për të dyshuar se metafora tashmë klishé koshi i plehrave i historisë e ka prejardhjen nga bombasti i gazetarisë sovjetike dhe obsesioni hegelian me progresin.

Pa çka se, nga zërat e sotëm në ligjërimin publik, këtë shprehje e ka bërë të vetën Berisha, që gjithnjë ka dashur të pozicionohet politikisht si anti-komunist, dhe prej Berishës ajo është miratuar si pjesë e trashëgimisë ligjërimore të PD-së.

E dëgjon sot edhe në versione të tjera nga koshi i plehrave të historisë, me kuptim të ngjashëm[1]:

[Berisha Ramës] Revolucioni e ka zemrën në këtë çadër, javën që kaloi filloi mosbindja civile, e cila do ta flakë Edi Ramën në koshin e mbeturinave të historisë, njësoj si etërit e tij. 

[Noka] Më 23 qershor shqiptarët do të hedhin në koshin e historisë kryesocialistin Edi Rama i ciili bllokoi shqiptarët dhe se di të bëjë politikë vetëm me kufoma.

[Vasili për Ramën]: Kryeministri, një kufomë politike në kalbëzim e ka vendin në kosh të plehrave. […] Kufomat dihet ku e kanë vendin….në gropën e plehrave të historisë.

[Berisha për Fadil Hoxhën]: “Atëherë, a mund t’i ngrihet një tradhtari përmendore? Ai përfundon në koshin e turpit të historisë bashkë me Enver Hoxhën.”

[Berisha]: kurse narkoshteti po shkon në kazanin e plehrave të historisë!

Po çfarë është pikërisht ky kosh i plehrave të historisë? Në variantet kryesore dustbin of history (anglisht), poubelle de l’histoire (frëngjisht), pattumiera della storia (anglisht), Mülleimer der Geschichte (gjermanisht), metafora shënjon një vend imagjinar ku përfundojnë të gjithë ata njerëz, sende, ngjarje, doktrina, hipoteza dhe ideologji që e kanë humbur vlerën e tyre në aktualitet dhe në histori.

Besohet se statusin prej klisheje në zhargonin politik dhe ideologjik të së majtës, ajo ia detyron liderit bolshevik Leon Trockit i cili, duke iu drejtuar menshevikëve që po largoheshin në mënyrë demonstrative nga Kongresi i 2-të i Sovjetëve në 25 tetor 1917 (të kalendarit julian), u tha: “Shkoni atje ku e keni vendin – në koshin e plehrave të historisë.”[2] Nuk do të kalonte shumë kohë dhe shprehja do të ndërkombëtarizohej, duke kërcyer nga njëra gjuhë në tjetrën.

Ashtu përfundoi edhe në shqipen totalitare, prej nga iu ngjit Berishës sonë; duke pasur këtu parasysh se pjesa më e madhe e zhargonit politik të këtij të fundit është trashëguar nga periudha e formimit të tij intelektual.

Rrugëtimi i klishesë dhe suksesi i saj në retorikën sovjetike e në përgjithësi totalitare nuk ndahen dot nga kuptimi tejet specifik që ka historia në ligjërimin marksist-leninist.

E megjithatë, kur Berisha i thotë Ramës:

Revolucioni e ka zemrën në këtë çadër, javën që kaloi filloi mosbindja civile, e cila do ta flakë Edi Ramën në koshin e mbeturinave të historisë, njësoj si etërit e tij. 

Ose kur Paloka u thotë “çunave të bllokut”:

Unë jam këtu për t’ju bërë të qartë se ne që hodhëm në koshin e plehrave të historisë baballarët e tyre, jemi të gatshëm dhe ju premtojmë se do ju rezervojmë të njëjtin fat, në mos më keq, këlyshëve të Bllokut.

Të krijohet përshtypja se ky kosh i mbeturinave të historisë, në përfytyrimin e oratorëve, nuk është më aq vend i irrelevancës, sa një qeli izolimi, bimsë a varr, ku duan ta degdisin këta (simbolikisht) kundërshtarin.

Sepse këtu nga koshi i plehrave veçohet arbitrarisht kuptimi i plehrave (mbeturinave) dhe që andej gjërave të vdekura (kufomave, që thotë Vasili) dhe eventualisht të vrara: në kuptimin që tani metafora po përdoret për të përcjellë një kërcënim, qoftë edhe thjesht si fatalitet:

[Berisha Ramës] I them Noriegës, largo urgjent fallangat e krimit[3] nga qyteti i revoltës popullore, sepse koshi i plehrave të historisë të pret.

Kjo lloj retorike tingëllon njëlloj gramatikisht kërcënuese sa edhe litari të pret ose plumbi të pret ose drejtësia popullore të pret: klishe të ligjërimit totalitar, si pjesë e përpunimit oratorik që i bëhet armikut.

Jemi zhvendosur, pra, nga irrelevanca pasojë e progresit historik te kategorizimi i tjetrit si “plehrë” dhe dërgimi i tij “te koshi i historisë” si një lloj heqjeje lirie: të thuash se gjithçka që kapërcehet historikisht është ipso facto e neveritshme dhe meriton përbuzje.

Sërish Berisha:

[I]u bëj thirrje shqiptarëve të ngrihemi dhe me guximin tonë të përmbysim, të flakim në koshin e plehrave të historisë narkoshtetin e Edvin Ramës dhe klikës së tij.

Këtu, përmes një retorike leniniste jo dhe aq të kamufluar, theksi vihet jo aq te obsoleshenca e “Ramës dhe klikës së tij” sa te nxitja “shqiptarëve” “për ta flakur Ramën në kosh”. I jemi larguar, pra, mjaft kontekstit dhe kuptimit të fjalëve të Trockit, sa kohë që ky nuk është se i nxori menshevikët nga Kongresi “për zhelesh”, por vetëm sa u tregoi se ku po i çonte, “objektivisht”, vija politike që kishin adoptuar.

Sërish Berisha, më 9 dhjetor 2009:

Ndaj dhe sot unë ftoj shqiptarët të bashkohen me ne për një Shqipëri pa viza, për një Shqipëri në Evropë, sikundër në emër tuaj më lejoni që me plehrat e Bllokut të djeshëm, me kockat e mafies do të tentojnë të na pengojnë, se garancia jonë e plotë dhe totale është mafies do t’i tregojmë ligjin me të gjithë rreptësinë e tij, kurse plehrave të Bllokut në koshin e historisë që meritojnë.

Të vëna në lidhje horizontale mes tyre, fjalë si kockat, plehrat (ose kufomë dhe kalbësirë në një shembull tjetër) i referohen imazherisë standard të entropisë dhe të vdekjes. Dhe brenda një diskursi të llojit ekzortativ (nxitës), kjo izotopi e vdekjes nuk mund veçse t’i referohet shkaktimit të vdekjes, ose vrasjes.

Menjëherë pasi e ka quajtur Ramën “kufomë politike në kalbëzim”, Vasili shpjegon:

Kufomat dihet ku e kanë vendin….në gropën e plehrave të historisë.

Edhe pse do të ishte ndëshkim pazakonshëm i rëndë që t’ia hedhësh dikujt kufomën në gropën e plehrave – sot deri edhe qentë e ngordhur të rrugëve i varrosin. Metaforë vërtet, por metaforat ndjekin logjikën e tyre.

Sërish Berisha, me një spin të ri për vendin e preferuar ku kërkon t’i syrgjynosë – gjithnjë figurativisht – ata që nuk i pëlqejnë:

[për Fadil Hoxhën]: Ai përfundon në koshin e turpit të historisë bashkë me Enver Hoxhën.

Çfarë të jetë vallë ky “kosh i turpit të historisë”? Një kryqëzim midis koshit të plehrave dhe kamares së turpit: Berisha kështu realizon me fjalë një vizion logjikisht të pamundur – edhe ta heqë tjetrin sysh, duke e hedhur tutje (në plehra), edhe ta turpërojë nëpërmjet ekspozimit.

E kam thënë edhe më parë dhe do ta them sërish: PD-ja nuk po arrin të artikulojë një diskurs opozitar të pranueshëm – dhe impostimi diskursiv i Berishës, që e bart me vete origjinën te totalitarishtja, nuk po ndihmon, përkundrazi.

Nuk po ndihmon, sepse kjo metaforë klishe e diskursit publicistik marksist tanimë e reduktuar në zhguallin e vet leksikor është ripërshtatur me funksione të tjera: nuk tregon më domosdoshmëri, por subjektivitet; nuk tregon më pashmangshmëri historike, por vullnet për veprim të dhunshëm.

Për t’u vërejtur këtu edhe se, ndërsa klasa në pushtet ia arrin të artikulohet në një diskurs haptazi neo-liberal, e djathta – në megafonët e PD-së dhe të aleatëve të saj të afërt – ende nuk i heq dot qafe automatizmat e shqipes totalitare.

Përshtypja ime është se Berisha ia ka ditur ndoshta kuptimin, por jo domethënien këtij parafabrikati të totalitarishtes; dhe prandaj e përdor, ai dhe të tjerët që i shkojnë pas kuturu, me shpresën se po i shton fjalës së vet një farë peshe filozofike.

Dhe kjo mungesë domethënieje, kjo zgavër semantike që krijon parafabrikati i ripërdorur, e shpërndan pastaj vëmendjen drejt gjymtyrëve leksikore të metaforës: nga plehrat (që asociohen pastaj me kalbësirat, qelbësirat, kufomat) te kazanët (që, nga ana e tyre, asociohen me gropat, qelitë, varret dhe ferrin).

Natyrisht, metaforat e dhunës në diskursin politik nuk përkthehen vetvetiu në dhunë – pse përftohen më tepër si rezultat i pamundësisë/paaftësisë për t’u artikuluar në mënyrë të kënaqshme. Berisha, Basha, Paloka dhe të tjerët që i falen me këmbëngulje këtij lloj ligjërimi nuk është se po gatiten gjë për të sulmuar Pallatin e Dimrit – thjesht rreken të përcjellin tension, gjithë duke bindur veten dhe të tjerët se u ka mbetur ende një rol për të luajtur në jetën politike të vendit.

Me fjalë të tjera, se nuk kanë përfunduar ende në koshin e historisë – në kuptimin trockist të shprehjes.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet çdo lloj riprodhimi pa leje.


[1] Këtu dhe më poshtë, kam sjellë shembuj të nxjerrë nga faqet online të mediave shqip. Citatet duhen marrë me rezervë, sa kohë që mediat nuk garantojnë besnikërinë e teksteve që sjellin: jo rrallë ndodh që gazetarët dhe redaktorët të futin duart në tekstet e riprodhuara dhe i ndryshojnë me ose pa dashje. Megjithatë, më ngushëllon ideja se nuk kam parë gjëkundi ndonjë prej të cituarve që të protestojë se ia kanë keq-paraqitur ligjërimin.

[2] Kjo faqe jep informacion relativisht të plotë për përdorimet e mëhershme të shprehjes në anglishte dhe gjuhë të tjera.

[3] Të vërehet këtu anakronizmi fallangat e krimit, që duket si i dalë nga faqet e Pravdës.

6 Komente

  1. Thote Berisha dhe ju e citoni:

    “…..sikundër në emër tuaj më lejoni që me plehrat e Bllokut të djeshëm, me kockat e mafies do të tentojnë të na pengojnë, se garancia jonë e plotë dhe totale ….”

    Mbaj mend qe e kam lexuar kete pjese, dhe ne mendjen time fjalet “kockat e mafies” i kam interpretuar si nje perpjekje per te sjelle ne shqip fjalet italisht “cosche mafiose” dhe te keqkuptuara ose te keqtranskiptuara kane dhene nje kuptim te ndryshen nga ai qe mendonte Berisha. Sigurisht nuk mund ta ve doren ne zjarr, por me duket se keshtu ben kuptim me mire ajo qe thote Berisha, ndonese ne linjen tuaj te arsyetimit Berisha mund te kete pasur nder mend edhe “kockat e mafies” si “ajo qe mbetet mbasi vdes mafia” a kushedi c’tjeter.

  2. Nuk e dija kuptimin trockist apo totalitatist, po koshin e plehrave te historise e kam perceptuar dicka si Tartari ku Zeusi degdisi titanet, apo si faraonet qe u fshinin emrin paraardhesve, apo perandori i pare kinez qe deshi t’i zhdukte te gjithe para tij e dogji sa libra mundi, apo si kercenimi i mbretit persian kserks ndaj spartaneve qe supozonte jo vetem zhdukjen e popullit po edhe te gjithe atyre qe do te permendnin ne te ardhmen ndonje gje qe lidhej me Sparten e spartanet etj etj. Pra behet fjale per anullim te ekzistences, nuk citohesh ne histori atehere nuk ke ekzistuar, te zhduket nami e nishani. Ne koshin e plehrave plehrat rrine derisa te digjen apo groposen, pak a shume nje prani ku njerezit mund te kalojne duke mbyllur hundet apo tu stimulohet peshtytja, derisa plehrave tu anullohet ekzistenca. Si perfundim Trocki apo jo, metafora me duket interesante dhe e paizolueshme ne kohe e hapesire.

    1. Por, sot kane ndryshuar punet. Ne koshin e plehrave ka mjaft mbetje te riciklueshme. Jo vetem ne koshin e plehrave: kinezet nuk i linin studentet tane ta çonin dem urinen; nga pas zgjatej gjithnje nje sapllak bashke me buzeqeshjen kineze…:) 🙂

  3. Pershendetje Ardian. me shijoi fort ky udhetim ne forma te diskursit poitik shqiptar te 2018-es ne popujt e brigjeve te adriatikut e jonit, dhe ne pjesen me te madhe te tij pata pershtypjen se po lexoja nje shkrim antropologjik, edhe po prisja qe ti demaskoje per magji prej verteti me mallkime shume te fuqishme, Salen Lulin dhe Titin, kur ti dole ne politike. edhe aty une jam shume dakort me ty, por mendoj se per fatin tone te keq problemi nuk qendron vetem ne faktin qe: ”
    …, metaforat e dhunës në diskursin politik nuk përkthehen vetvetiu në dhunë – pse përftohen më tepër si rezultat i pamundësisë/paaftësisë për t’u artikuluar në mënyrë të kënaqshme. Berisha, Basha, Paloka dhe të tjerët që i falen me këmbëngulje këtij lloj ligjërimi nuk është se po gatiten gjë për të sulmuar Pallatin e Dimrit – thjesht rreken të përcjellin tension, gjithë duke bindur veten dhe të tjerët se u ka mbetur ende një rol për të luajtur në jetën politike të vendit.

    Por edhe ne ate qe kush do te luaje rolin e tyre, tani qe perfunduan ne koshin nga ku nuk duhet te kishin dale gjithsesi? Ne vend, lajme te para jane per luftera me bandat dhe nje lemsh ne drejtesine e mbishfrytezuar nuk na ndihmon fare. Zoti Rama e ka mendjen tek zhvillimi dhe ne po na shkermoqet sistemi dy partiak. Kur iku Trocki, Stalini sapo po niste terbimet e veta. dhe Trocki ishte njefare opozite, se me mensheviket kishte qene deri para revolucionit.

    Gjithe Europa Lindore po ka autoritare qe jane ne gjendje te mbajne ne kembe skema populiste per ca kohe, me kosto te larte, ose shume te larte. Edhe te gjithe jane pa opozite. edhe Turqia, halla jone e madhe. Greket kane si qeverisje nje aleance qendrimesh kundershtare politike qe dikur quheshin te ekstremit dhe as qe e enderronin krijimin e maxhorances. Edhe Italla. Imagjino, tani, ketu te ne. E djathta do kete nevoje per gjithnje e me shume radikalitet, qe ta tregoje pranine e vet edhe e majta do te fitoje turr ne orbiten e vet. Te tilla kohe kane gjithmone me shume vend per burra trima qe hedhin fishekzjarre naten. Une mendoj qe lenia pa shaman shume te fuqishem e kesaj grigje relativisht vitale eshte tragjike. Sic thua edhe ti, tani keto mallkimet me kosha historie e kufoma me se shumti mund te shiten si kercenime mafioze per atentat qe te pallati i dimrit nuk i degjon fare. Une me retorikat vazhdoj te mbetem dakort, por me ekzekutivin sikur ftohem pak si teper. c’eshtja e teatrit vertete ka nje domethenie te spikatur. nje çeshtje bashkiake e urbane po zgjidhet me kuvend kombetar se eshte me kollaj. dhe gjithe rezistenca urbane po mbetet ne duart e disa punonjesve nga njera prej ndertesave qe jane te perfshira ne zhvillim urban sipas ketij modeli furie nderpersonale. As kufomat qe perfundojne ne koshin e historise nuk na gezojne sa te humbim mendjen.

  4. Ceshtja e opozites veshtire se gjen krahasim ne boten e njerezve, ne ate te kafsheve po.
    Vendet e Europes Lindore, Poloni, Ceki, Sllovaki e Hungari, jane per bukuri, indeksin e demokracise mjaftueshem me te larte se ne, korrupsionin mjaftueshem me te ulet se ne, papunesine nga 3-5 %, GDP per fryme me te larte sesa Gjermania Lindore qe qeveriset nga Merkelja prej 12 vjetesh etj,etj.
    Atje s’ka vend per Sorrosin, po ky eshte muhabet tjeter, rendesi ka qe popujt qeverisen mire dhe sistemet jane demokratike, askush s’i vjedh apo blen votat.
    Ne Itali sondazhet japin mbeshtetje per qeverine mbi 60%, gje qe nuk mbahej mend prej kohesh, ndersa opozita perbehet nga Berluskoni qe nuk dihet ça ben ende ne politike e nga e majta ku si eshte zakoni zihen meshkujt dhe femrat alfa per kryesine.

    Ne jemi nje eksperiment sorrosian ku u eshte bere gropa te drejtave sociale ne favor te te drejtave civile, ne baze te dualizmit shoqeri vs individ. Mirepo, pavaresisht politikave ekstremiste kunder te drejtave sociale, duket se edhe te drejtat civile kane ngecur ne vend apo po bejne prapa, sepse kjo dialektike ne teori thote sa me shume t’i biem shoqerise aq me shume çlirojme individin, po ne praktike duket se gjerat nuk jane si ne teori.

    Ky eksperimenti sorrosian ka deshtuar, por nuk ka asnje force politike qe te tregoje ndonje alternative. Te dyja partite e medha jane globalisto-sorrosiane nga ana ideore dhe gjithe-gjithe luftohet nga ana pragmatike, vende pune, leke e korrupsion, krahinizma e me the e te thashe.

    Opozita ne kuptimin e mirefillte eshte plotesisht e pakuptimte ne monizmin ideor qe sundon, ka ngelur opozita e pragmatikeve, boll hengre ti, te vi te ha edhe une, se po nuk me le mua me ngelet vetem te perdor forcen.

    Ne kete kuptim, ka vlere te behet opozite ndaj veprimeve me arbitrare e skandaloze qe qeverise, ne menyre qe te kete pakenaqesi popullore ndaj veprimeve specifike te qeverise, perndryshe eshte e pakuptimte te mblidhesh te partite politike, nqs ske ndonje pazar per te bere.

    Jane fare te parrezikshme thirrjet per cfaredo dhune e cdo metafore, sepse qeni ne krye te puneve eshte me i forte se qente poshte, nuk eshte ende koha per te kontestuar qenin alfa, as qente poshte nuk jane mjaftueshem te uritur. As Sorrosi nuk duket te kete ndonje ngut per ndryshimin e qeverisjes, qe te investohet, me shume ngut duket te kete ne çeshtjen e ndarjes se Kosoves, se pas Gjeorgjise e Ukrahines, te cilat i mori me qafe te dyja, tani ne lojen e tij Risiko, duket se ka ardhur radha e Kosoves.

    Gjithsesi, te gjitha keta kane per te perfunduar nje dite ne koshin e plehrave te histose bashke me eksperimentin sorrosian. Deri atehere, kush hengri, hengri dhe kush e hengri e hengri.

  5. Një shkrim ndër më të mirët.
    Politikaçët tane fodullë e injorantë, për të cilët motoja “na bashkoi urrejtja për palën tjetër” është dhe më e parapëlqyera, do të bënin mirë t’i hidhnin një sy.
    Veç druhem nëse do ta kuptonin…

Lini një Përgjigje te Oltion KadaifciuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin