ÇORAPE TË PISTA

Ja një provë se opozita politike në Shqipëri ende nuk ka diskurs opozitar për të qenë: obsesioni i saj me enverizmin dhe antikomunizmin, i cili hiqet sikur lufton klasën e sotme në pushtet duke goditur një kalë të ngordhur.

PS-ja duhet ta llogaritë si fitore të vetën strategjike që vijon të trajtohet si “e majtë” nga kundërshtarët e saj; madje jo vetëm e majtë, por edhe e lektisur pas enverizmit, që fundja edhe kaq i majtë nuk ishte. Por se çfarë ka të majtë mirëfilli, në politikën e sotme të Ramës, këtë vetëm kundërshtarët e tij arrijnë ta dallojnë.

Prandaj i lind njeriut dyshimi se mos diskursin antikomunist opozita e ushqen thjesht ngaqë aq di të bëjë; ose ngaqë e ka profiluar veten tashmë si forcë politike e djathtë. Pa çka se, si e djathtë – qoftë reale qoftë imagjinare – me PS-në vështirë se mund të konkurrojë dot.

Ka një farë pathosi retorika antikomuniste që nuk ia mohon dot; sidomos kur u referohet krimeve të regjimit të Hoxhës. Ky farë pathosi i jep opozitës jo vetëm alibitë morale, por edhe atë energji që i duhet për të mbajtur në këmbë identitetin e vet.

Mes argumenteve që mbajnë në këmbë këtë pozicionim, spikat ai që klasa e sotme në pushtet është, në masë të konsiderueshme, e lidhur biologjikisht me kastën enveriste. Për këtë janë sjellë edhe lista. Edhe më interesante do të ishin listat për lidhjet biologjike të biznesit të madh në Shqipëri me kastën enveriste dhe me Sigurimin e Shtetit – që nuk i kam parë gjëkundi.

Lidhjet biologjike flasin për trashëgimi; pa çka se pinjollët e sotëm të familjeve të mëdha “enveriste” kanë trashëguar veç sensin e privilegjit dhe të superioritetit, ose bindjen se njëfarësoj e meritojnë të jenë në pushtet. Çfarë nuk ka lidhje as me enverizmin as me komunizmin, por me familizmin amoral të shoqërisë në Shqipëri.

Për të kuptuar se çfarë përfaqëson PS-ja, nuk mjafton fakti historik që kjo forcë politike është formalisht vazhdimi i PPSH-së së djeshme; edhe më rëndësi ka fakti tjetër historik, që këta të sotmit ia dolën të shkëputin, pa dhimbje, çdo lidhje “ideologjike” me gjyshërit e tyre, pa qenë nevoja ta bëjnë këtë publikisht.

Prandaj edhe Ramën dhe të vetët nuk i prek fare zemërata antikomuniste e kundërshtarëve, dhe as rrufetë “e djathta” të këtyre (“do t’ju tërheqim zvarrë”): rrufe të tilla shkarkohen të gjitha te një dordolec, te një straw man.

Pushtetin e sotëm mund ta kritikosh nga dy drejtime: ose duke e akuzuar se është vënë në shërbim të së huajve dhe interesave të tyre (diskursi “kombëtarist”), ose me gjuhën e kritikës së majtë social-demokrate ose radikale (diskursi “komunist”). Nëse këto dy drejtime mund të kombinohen, për këtë jep një përgjigje përvoja e Vetëvendosjes në Kosovë.

(Duke shtuar këtu se denoncimi i korrupsionit dhe i koluzionit me krimin e organizuar i përket një kompartimenti tjetër të diskursit opozitar.)

Për çështje të vogla, praktike, të përditshme, opozita i adopton ato dy lloj diskursesh pa ngurrim; por pastaj, në tribunat, ngutet të shpallë kredon e vet antikomuniste, gjithë duke akuzuar kundërshtarët për enverizëm.

Të kesh përballë një opozitë të tillë është edhe bekim, edhe mallkim: bekim, sepse të garanton pushtetin me vobegtësinë e saj intelektuale dhe ideologjike; mallkim, sepse vetëm një kundërshtar i denjë të lejon të ruash formën politike dhe ideologjike.

Aq më tepër që, këmbëngulja e opozitës për t’u prezantuar si e djathtë dhe antikomuniste i lejon këta në pushtet të nanuriten me iluzionin se mund të kenë vërtet akoma ndonjë lidhje me të majtën dhe social-demokracinë.

Të dy palët përjetojnë një ëndje ideologjike: Rama me të vetët lejohen ta kultivojnë pa cak imazhin (dhe makijazhin) e një force politike progresiste, “europiane”, “rinore”; ndërsa opozita ngushëllohet me epërsinë morale të anti-komunizmit, duke vazhduar një betejë që i përket, në fakt, shekullit XX dhe viteve të Luftës së Ftohtë.

Kritika të mirëfillta, radikale, të politikave të pushtetit i ndesh herë pas here në mediat; çfarë tregon se materiali për të përpunuar një diskurs opozitar koherent nuk mungon, dhe as subjektet potenciale të këtij diskursi. Çfarë mungon, është vullneti për t’i parë identitetet e sotme politike ashtu siç janë: të kthyera mbrapsht, si çorapet e pista.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet çdo lloj riprodhimi në mediat.

8 Komente

  1. Keni harruar nje fakt zoteri: shume nga femijet e udheheqesve te larte ( dhe me te ulte) komuniste, jane ne poste te rendesishme shteterore. Pat ndodhur edhe ne kohen e Nanos, por me raste te vecuara; edhe ato si me ndrojtje. Ne kohen e Rames, ky eshte kthyer ne nje fenomen; jo vetem pa asnje lloj ndrotjeje, por me shume arrogance madje. Asnje prej tyre nuk eshte “femohues” apo “atvrases”. Fakti qe Rama eshte i tille ( gje te cilen e perdor si nje argument te pashprehur, por shume shprehes megjithate) nuk e justifikon rikthimin qe i beri en-bloc shoqerise se tij te Bllokut.
    Edhe une kam patur kete mendim, sidomos tek degjoja Sali Berishen, kur Rama ishte ne opozite, te fliste per neobllokmene. Me dukej shume e kaluar kohe kjo retorike. Mirepo, Rama na i paskesh afruar qe kur ishte ne opozite, kete kategori njerezish. Dhe nuk jane pake, per ta quajtur rastesi; jane aq shume, sa per ta konsideruar si te miremenduar.
    Per ata qe kane vuajtur ne diktature, ky eshte nje cinizem i skajshem.
    Mjafton vetem kjo rrethane, qe t’ia beje te pamundur opozites te heqe dore nga “obsesioni” me antikomunizmin.

    1. Nuk e kam harruar. Madje i kam kushtuar dy paragrafe.

      Shkruani:

      Per ata qe kane vuajtur ne diktature, ky eshte nje cinizem i skajshem.

      Mund të jetë kështu, por kjo nuk ka lidhje me argumentin tim, sa kohë që politikat e “bijve” nuk më duket se janë vazhdim i politikave të “etërve”. Përndryshe, vëmendja e tepruar ndaj gjenealogjive është ajo vetë një formë enverizmi.

      1. “… sa kohe qe politikat e “bijve” nuk me duket se jane vazhdim i politikave te “eterve”…”.
        Une mendoj se eshte pikerisht keshtu. Heqja dore nga ekstremizmi dhe pershtatja me rrethanat e reja, nuk eshte argument (diktatori i fundit, Ramiz Alia, nuk ishte me pak demokrat se “bijte” e “eterve”, qe qeverisin sot).
        “Bijte” jane ne partine emerndryshuar te “eterve”; kane te njejten ideologji te majte, vecse jane terhequr nga skaji ku rrinin “eterit”; jane ne poste te larta politike; jane ne poste te larta te administrates, jo te asaj pjese qe presupozohet te mos ndryshoje nga nderrimi i pushtetit, por nga ajo pjese qe edhe ne vendet demokratike perendimore eshte e ndryshueshme, pra pjeses politike te saj.
        Pjesa e vuajtur e shoqerise e shikon shume thjeshte: “bijte” e atyre qe ishin ne pushtet per gjysemshekulli ne diktature, jane ne pushtet sot ne demokraci; pushteti i “eterve” ishte diktatorial, ai i “bijve” eshte i korruptuar, qe i vjedh dhe i grabit; te shtypur dhe persekutuar atehere, te vjedhur dhe shfrytezuar sot. Ne thelb, asgje s’ka ndryshuar per viktimat.
        Ajo qe thoni per gjenealogjine eshte e drejte ne parim. Por ne rastin konkret shqiptar eshte krejt e kunderta.
        Socialistet e perdorin shume kete argument. Ne krahasim me cinizmin e skajshem te “bijve” qe jane katapultuar ne majat e pushtetit, argumenti “luftes se re te klasave” qe, si hakmarrje, po ushtrokan te djathtet ndaj te majteve, shkon pertej cdo skaji dhe eshte shume fyes per intelektin.

  2. Sikur Shqiperia politike te perfshinte disa qytete ne veri si Dibra, Prizreni, Peja, Gjakova, apo Tetova…, ky diskurs i dobet i opozites aktuale nuk do te ishte fare teme diskutimi, pasi opozita e sotme nuk do t’i kishte humbur zgjedhjet e 2013. Per mua nuk eshte çeshtje majtas djathtas, por toske e gege. Le ta themi hapur kete. Madje kjo eshte teme qe ja vlen te diskutohet. Saliu i humbi zgjedhjet e 2013 ne kulmin e sukseseve. Shqiptareve iu duk lajthitje kur ai i premtoi levizjen e lire ne zonen shengen e hyrjen ne NATO. Rrogat ne shtet u dyfishuan dhe njerzit vrapuan per te zene pune shteti sepse tek privati mbeten qesharake. Pencionet gjithashtu pesuan rritje te ndjeshme(edhe pse vazhdojne te jene mjerane) , Shqiperia harroi hikjen e dritave dhe rrjeti rrugor u be i tille sa s’mund te imagjinohej me pare.
    E megjithate, Saliu humbi. Dhe te gjithe njerzit e arsyeshem, ata qe nuk janw partizane as majtas e as djathtas, u çuditen, sepse llogjikisht duhet te kishte ndodhur e kunderta.
    Dhe pak kohe pas humbjes, kur ende ishte ne Kryeministri, thirri ne nje takim dy kreret politik shqiptare te pertej kufirit, Ali Ahmetin e Hashim Thaçin. Direkt pas takimit tha ne koference shtypi se biseduam per t’i paisur me pasaporte shqiptare bashkeatdhetaret tane ne Kosove e Maqedoni sikurse kishin vepruar te gjitha shtetet perreth nesh me bashkekombasit e tyre dhe se kete kishte ndermend ta bente brenda kohes kur ishte akoma kryeminister ne detyre.
    Menjeher, po ate dite, mbase dhe te nesermen mund te kete qene, ja behu urgjent ne kryeministri ambasadori amerikan dhe s’u permend me ajo pune. Por opozita e asaj kohe, fituesja e zgjedhjeve dha ulurimen.
    Pra eshte çeshtje numrash. Numrash qe nuk ndryshojne.

    1. aleks, une nuk jam ne gjendje te gjykoj a eshte me verte pune toske – gege, megjithese mendoj se po te ishte keshtu atehere ne Shqiperi nuk do te kishim dot rrotacion te pushtetit sa kohe qe raporti gege/toske brenda Shqiperise nuk eshte se ndryshon me kohen aq sa te percaktoje fatin e zgjedhjeve.

      Jam ne nje mendje me ty kur thua ceshtje numrash, numrash qe nuk ndryshojne, por ama me referim ne nje numer tjeter. Dhe nje nga numrat qe mbetet konstant ne ceshtjet e politikes Shqiptare mbeten ithtaret e PS me te kaluar puniste, kryesisht, sepse edhe ketu mund te ndodhin ndryshime edhe si refleks i ndryshimeve demografike. Historia e vonshme e Shqiperise ka treguar se ky eshte numri stabel qe ben qe PS gjithmone e fillon ndeshjen 2 – 0. Kam pershtypjen se si vertetim i kesaj mund te sherbeje edhe fakti qe edhe ne ditet me te zeza te PS, ajo ka marre nje numer te konsiderueshem votash.

      Muhabeti me te djathte, e me te majte ne politiken shqiptare, me duket se eshte nje rezidual i perdorimit te nje terminologjie qe e ka humbur kuptimin, per arsyen e thjeshte se eshte bere e veshtire, ne mos e pamundur te gjesh dallime rrenjesore ideologjike midis partive kryesore politike ne Shqiperi. Tre partite e medha, pavaresiosht nga ngjyra apo modeli i kostumit nuk jane gje tjeter veçse grupime interesi, qe e perdorin diskursin politik si maskim te qellimit te tyre te vertete, qe eshte pasurimi piramidal i antaresise se tyre.

  3. duledupicard, ne 2013 autostrada shkoi ne Vlore. Rruga e bregut vajti ne Sarande. Tani a mund te me thuash perse nuk ndikoi kjo ne voten e 2013-es. Se ne xhepin e tyre s’ka sesi te mos kete ndikuar. Ke ti ndonje shpjegim llogjik per kete? Po Fieri ?
    Jo mor burr, edhe ai rotacion qe thua ti eshte bere nga ngaterresat brenda Ps-se, se e djathta e “malokut” s’vinte me ne pushtet sikur kaq ta bente dhembin.

  4. aleks, besoj se gjerat qe po perpiqemi te analizojme jane shume me komplekse se sa nje autostrade apo nje rruge bregu. A kam une ndonje shpiegim llogjik, perse humbi PDja ne 2013 megjithe sukseset rrugore qe permend ti? Nuk kam, sepse nuk arrij dot te lidh logjikisht dy rruge sado te rendesishme qofshin ato me nje fitore ne zgjedhje. Mbase ne kete rast logjika fshihet diku tjeter, megjithese ju jeni i bindur qe cdo gje shpiegohet me ndarjen gege – toske. Sepse duke perdorur logjiken qe perdorni juve nuk ka zot qe shpiegon fitoren e Sali “malokut” ne vitin 2005, plot 8 vjet pas katrahures se vitit 1997. Mua logjika me thote qe cdo politikan tjeter, pas 1997 do te kishte dale ne pension, kurse Sali “maloku” kembenguli e qendroi e fitoi. Nothing wrong with that. Vetem se kjo ama tregon qe politika dhe zhvillimet e saj sidomos ne Shqiperi nuk jane llogjikisht lineare, apo linearisht llogjike.

  5. Sa mentaliet te kristalizuar qe keni ju. Nuk dilni dot nga guacka. Njeri thote jugu veriu femijet e komunistave dhe suksesi i PD, tjetri ne fakt flet per tjeter gje qe jane parimet e nje partie qe tjeter shitet e tjeter eshte. Nje gje mos e diskutoni me fare meqe personalisht i njoh mire palet dhe nga se ndikohen. Ne shqiperi eshte vetem nje ideologji dhe disa parti. Partite kane ca “milestones” te cilave nuk u ndahen dot. Nje jane votat qe duhet te merren dhe nuk ka rendesi si merren, me dhune, vjedhje, blerje, presione, kriminele, apo elektorat i sigurte ne bastione, dhe dy jane grupet e interesit (qofte kta dhe grupe kriminale apo kultivues ashashi) , oligarket, apo disa politikane te fuqishem te huaj “erdogani” njeri prej tyre etj. Kaq eshte historia, PD apo PS apo LSI, ate qe do e bej mire njeri do e bej keq tjetri dhe anasjelltas. Nqs do te vini ne pushtet ju te dy qe komentoni hic s’do e beni me mire sepse te gjitheve na bashkon nje gje. ADN-ja e shqiptarit dhe shpirtvogelsia e trasheguar ne 500 vjet sundim,+100 nen diktature si popull i perdhunuar pa strategji per nje ardhme te ndritur, duke ngritur ata qe se meritojne dhe duke shkelur ata qe vlejne del rezultati i asaj qe jemi. Nuk ka baballare kombi ky vend qe te kene menduar dje per cka jemi ne sot. Dhe meqe nuk ekziston ky model as ne sot nuk mendojme dot per te ardhmen e kombit neser. Kjo eshte pasoja e thenies cte mbjellesh do korresh. Dhe ju lutem se e njoh mire berishen, mos na beni me vjell. Berisha bashke me ramen si babe e bir jane. Me tos nanon si vella, prind ka pas ramizin kshu qe lejeni komunizmin jasht mos jetoni me konspiracionin e te shkuares se asnje nuk i hapi dosjet prej ketyre palo burrave qe permendni, pa ju kujtuar qe themeli i demokracise eshte prona dhe ky simboli i demokracise e degjeneroi aty ku nuk zhbehet me asnje gje. Shpresa ime eshte usa, po duan ata ndoshta edhe mund te hyjme ne binaret e zhvillimit te vonuar.

Lini një Përgjigje te duledupicardAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin