BEKUAR QOFTË DORA QË MË VRAU!

Ka pasë qarkulluar thashethemi që B.B. – ish ministër i Mbrojtjes i dënuar pastaj me pushkatim si puçist e tradhtar – në momentin para se ta vrisnin paska thënë si fjalë të fundit: “Rroftë Partia, rroftë Enver Hoxha”. Duke u uruar jetë të gjatë atyre që jetën atij ia shkurtuan.

Histori të ngjashme janë dëgjuar edhe për të tjerë të pushkatuar e të varur, të cilët me gjasë nuk kanë gjetur dot ç’të thonë tjetër, para vdekjes, përveçse t’i konfirmojnë besnikërinë inkuizitorit dhe xhelatit të tyre.

Ose mundet që këta të dënuar të kenë qenë vërtet të përkushtuar pas PPSH-së dhe Enver Hoxhës dhe dënimin e tyre kapital ta kenë përjetuar si një lloj sakrifice sublime, por të domosdoshme; ose si pasojë të një keqkuptimi ose edhe një intrige të armikut (çfarë do t’i shndërronte në martirë).

Sjellje e ngjashme është raportuar, me gjysmë zëri, edhe për një numër të dënuarish politikë gjatë spastrimeve të mëdha të viteve 1936-1938, në Bashkimin Sovjetik; ku qëllonte që një kryekomplotist, trockist, sabotator dhe agjent i Perëndimit të shkonte drejt vdekjes duke brohoritur për Stalinin ose duke kënduar Internacionalen.

E kishin humbur mendjen? Edhe kjo hipotezë nuk është për t’u përjashtuar. Shumë prej këtyre kishin kaluar muaj në hetuesi – të torturuar, të rraskapitur, të mbyllur në kafaze, të poshtëruar, të kërcënuar.

Kanë thënë për gjyqet kundër grupeve të mëdha armiqësore në Moskë se në sallë përvidhej ndonjëherë edhe Stalini, për t’i ndjekur live momentet më dramatike – pas ndonjë perdeje sekrete. Me gjasë, edhe të dënuarit e dyshonin këtë. Ndonjëri mund të ketë shpresuar deri në fund, te vlera e besnikërisë. Rroftë Stalini i madh!

Edhe mes të dënuarve në Shqipëri do të ketë pasur nga ata që e kanë shpresuar klemencën e Hoxhës, duke e përfytyruar, në mos invokuar praninë e tij diku në afërsi të vendit të pushkatimit. Syrin dhe veshin e udhëheqësit suprem që sheh, dëgjon dhe gjykon gjithçka.

Një tjetër hipotezë sjell në vëmendje familjarët e të dënuarve – a do t’i zbutej vallë zemra Enverit, po të dëgjonte se filan armik kish dhënë shpirt me emrin e tij në gojë?

Janë gjëra që nuk do të sqarohen dot kurrë si duhet.

Ndoshta këta ish-krerë të kupolës nuk kishin fe tjetër, veç enverizmit, sepse enverizmit ia detyronin karrierën dhe pushtetin që kishin pasur dhe imazhin që kishin krijuar e kultivuar për veten në vite; prandaj tani vdisnin duke i dhënë Enverit uratën, njëlloj si ata të dënuarit nga inkuizicioni, që vdisnin me Krishtin në gojë.

Nuk zotëronin, pra, ndonjë gjuhë tjetër për t’i folur fjalët e tyre të fundit botës nga ku po largoheshin, veç asaj të liturgjive të totalitarizmit shqiptar, ku thirrje si “Rroftë Partia, Rroftë Enver Hoxha!” hapnin dhe mbyllnin çdo ritual, publik dhe privat, të riprodhimit të pushtetit.

Të përshkuar tej e mbanë nga totalitarishtja, nuk ishin më persona, por kategori gramatikore.

Ashtu, për një ish-ministër të Mbrojtjes, të shprehej ashtu para skuadrës së pushkatimit ishte edhe një mënyrë për t’i konfirmuar dëshpërimisht vetes se nuk i kish shkuar jeta dëm. Se, nëse nuk i shërbente dot më Enverit i gjallë, mbase do të mund t’i shërbente i vdekur.

Them Rroftë Enver Hoxha, pra jam, do të ishte kredoja e këtyre Dekartëve të përçudnuar të enverizmit.

Të vetëdijshëm se emri do t’u fshihej tashmë nga librat e historisë dhe se as varri nuk do t’u gjendej, ata kapeshin pas supersticionit performativ– formës së dëshirores rroftë; e vetmja që do t’ia ruante një farë solemniteti fjalëve të tyre të fundit.

Dhe jo vetëm. Përtej politikës, teatrit dhe shpresës, kjo Rroftë Partia i linte të vdisnin me iluzionin se jeta e tyre, tek e fundit, kish pasur një farë kuptimi.

E gjithë kjo, me kusht që thashethemi të ketë pasur ndonjë bazë në realitet – ose të dënuarit ta kenë thënë dot një fjalë të fundit dhe, si për të kërkuar mëshirë, t’i kenë uruar xhelatit jo dorë të lehtë, por jetëgjatësi.

Përndryshe, rrëfenja mund të jetë sajuar nga Sigurimi i Shtetit, si një psy-op, për t’i trembur njerëzit me imazhin e gjithëfuqishëm të Atij, të cilit i luteshin jo vetëm të gjallët dhe të vdekurit, por edhe morituri; me thirrjen Rroftë si një lloj shehadeti mistik të kupolës totalitare në Shqipëri, ose dëshmi të pushtetit të Enverit ndaj të gjithë vdekëtarëve.

Tek e fundit, nuk dimë se ç’kanë thënë të tjerët para se t’i varnin a t’i pushkatonin; me ç’fjalë kanë zgjedhur të ndahen nga kjo botë. Të pakëta janë gjasat që një thirrje si Poshtë Enver Hoxha të mbijetonte në gojët e njerëzve aq sa të shndërrohej edhe ajo në thashethem. Nëse ndokush i është drejtuar Krishtit a Muhametit a Baba Tomorrit, apo ka zgjedhur t’i pështyjë ekzekutorët e tij apo yjet e qiellit, për këtë sërish nuk dimë gjë. Kanë mbetur – për posteritetin – vetëm tekstet e vendimeve për dënimet me vdekje, me gjithë vulat e firmat palë-palë.

Problemi me këto rrëfenja të tipit famous last words është se, me të shpejtë, shkëputen nga raporti me të vërtetën; prandaj ka më pak rëndësi të pyesim nëse i përgjigjen apo jo realitetit, sesa të kërkojmë ç’kuptim kanë pasur në zanafillë dhe ç’kuptim kanë marrë më pas në rrjedhë të kohës.

 

© 2018 Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.

31 Komente

  1. S’ e kuptoj kete barazim midis Enverit dhe Krishtit:
    “… prandaj tani vdisnin duke i dhënë Enverit uratën, njëlloj si ata të dënuarit nga inkuizicioni, që vdisnin me Krishtin në gojë”.

    1. Se nuk mujta me u permbajte, megjithse kisha vendos mos me komentu me. E pamundur kur lexon gjera te tilla.

      Per nje intelektual demokrat postmodern Enveri dhe Krishti jane njesoj sepse Krishti dhe Enveri kerkojne njesoj perkushtim absolut, bindje absolute.

      Dmth si perfundim nje intelektual demokrat postmodern ne thelb matet me Krishtin dhe Enverin, i duket vetja me i modh se Krishti dhe Enveri.

      1. Ti je njeri i lëçitur, me siguri e njeh madje më mirë se unë fenomenin e mesisë së rreme. Këtë nuk e kanë zbuluar as shpikur intelektualët demokratë post-modernë. Dua të them: që një mesi është e rreme, kjo nuk do të thotë se ata që e ndjekin nuk i besojnë me shpirt.

        1. Intelektualet demokrate postmoderne kane shpikur perbuzjen njesoj si kunder policise politike te mesise se vertete (Inquizicionin), ashtu edhe policine politike te mesise se rreme (Sigurimin).

          Qe te qendroje ne kembe ky barazim kane bere nje shpikje tjeter: kane shpikur nje mesi te vertete qe vjen verdalle si guru newage paqsor me mjeker dhe sandalle i ndjekur nga dishepuj hipi qe perbuzin çdo lloj policie qe pengon perdorimin e “millit” dhe shume te tjera perdorime dhe liberalizime.

  2. “Rrofte Partia, Rrofte Enveri” duhet te jene permendur shpesh pergjate momenteve te fundit te jetes para pushkatimit, si nje lloj hakmarrje e te denuarve per te gjithe ata qe po i denonin, perfshi ketu edhe vete Enverin dhe partine, pra se po na denoni kot, ne kemi qene dhe jemi deri ne momentin e fundit besnike te partise dhe Enverit. Keto fjale, mendoj, se jane me teper instiktive tek njeriu para denimit kapital, se sa te perllogaritura. Jane si te thuash ai dufi, qe denimin po na i jepni kot. Dhe ne te vertete mbi 90% te denimeve te tilla kane qene kot e te padrejta.

  3. Psikopat, po ç’e ngaterron dhe ti mesine e rreme me gjera te tjera qe hapin debate te tjera. Une per vete sapo e lexova permendjen e mesise se rreme mu kujtua Libri SELANIKU i Mark Mazouerit. Aty ka njw kapitull tw posaçem per “Mesine e Rreme”; me pas,mbase nen ndikimin e ketij libri, por edhe te librit “Te Jetosh ne Ishull” te Ben Blushit, ku dhe aty flitet per Zevin, Moikom Zeqo ka bere nje a me shume shkrime dedikuar posaçerish Sabatai Zevit dhe KRIPTOHEBRAIZMIT ne Shqiperi. Moikomin e entuziazmon shume hebraizmi i fshehte ne Shqiperi.Pavaresisht kesaj, mua studimet e Moikomit gjithnje me kane terhequr, qofte se ai zbulon per publikun gjithnje ndonje gje te re, qofte per kurajon per ti shprehur keto gjera, qe nganjehere s’na vijne per mide.
    Megjithate, nese behet fjale per ndonje tjeter Mesi te rreme mund te thuhet , s’eshte e thene qe njerzit ti dine te gjitha skutat e historise. Une per vete vetem kete zoterine e 1666 -es di.

  4. Si ateist, Ardiani i konsideron te barabarta besnikerine ndaj Jezu Krishtit prej te denuarve te Inkuizicionit dhe besnikerine ndaj diktatorit prej te droguarve prej diktatorit. Per te jane te njejta: besnikeri ndaj dogmes.

    1. Mire z.Gjika, po nuk me duket se Ardiani , ne analizen e tij, u mbajt tek varianti qe thirrja e viktimes para vdekjes “Rroftë Partia, rroftë Enver Hoxha” ishte shprehje e besnikerise ndaj Enverit (per mua, ndaj partise edhe mundet, madje jo mundet por keshtu duhet te kete qene), ai shtjellon dhe shume variante te tjera e te gjitha ato bashke e bejne shume te qarte ate thirrje te deshperuar. Ki parasysh edhe letren e Mehmetit qe i une po hiki po mos ma keqtrajto familjen,,,
      Por kur ai thote “bekuar qofte dora qe me vrau” une them se pas kesaj qendronte gjithshka ai shkroi e tha, por jo perfshirja e Jezu Krishtit! Jezu Krishti s’kishte lidhje fare me kasapet mesjetare, inkuizitoret. Ai ishte krejt e kunderta.Dhe njerzit qe shkonin ne turren e druve ishin fare te qarte per kete. Ata i luteshin Atij se besonin ne Te dhe se s’ishte Ai qe po i vriste. Te mos themi dhe qe edhe materjalisht, ateistikisht,…Krishti kishte vdekur dhe s’hynte fare ne ate turre drush.
      Kurse viktimat e Enverit, Stalinit etj, e kishin fare te qarte qe vrasesi ishte pikerisht udheheqesi i GJALLE.
      Nuk e di, por mua mu duk pakujdesi ne te shkruar me teper se vetedije e plote. Sido te kete qene, konkluzioni eshte i papranueshem.

      1. “O me ne, o kunder nesh”

        shprehje e shok Enver, kopje e shprehjes se Jezuit qe ne origjinal ishte ne njejes. E kishte nje arsye pse Jezui e thote ne njejes dhe shok Enveri ne shumes, por thelbi ishte i njejte: Jezui ishte tiran totalitar si shok Enver, nuk lejonte alternativa te tjera intelektuale.
        Qe Inkuizicioni nuk ishte pa lidhje me Jezuin e verteton nje shprehje i tij, qe pak a shume eshte: “une nuk kam ardhe per paqen, por per shpaten!”
        Po deshe ta sjell shprehjen ne origjinal, ose ta sjell zoti Thanas si i krishtere.

  5. Dedikimi deri ne fund mund edhe te kosniderohet si i sinqerte, dhe si nje element i nje psikoze kolektive.

    Diku kam lexuar se ne diten e inagurimit te nje tempulli dedikuar kushedi kujt perendie, azteket sakrifikuan 80 mije vete gjate ceremonive disa ditore. Rituali ishte makaber dhe i thjeshte: viktima shtrihej me kurriz ne nje platforme guri, dhe prifti me levizje shume te shpejte, i hapte gjoksin me nje thike dhe i shkulte zemren qe akoma rrihte ne doren e priftitnkur ai e ngrinte lart..Si mund te heshtesh e te pranosh fatin? Vetem besimi tek nje gje me e madhe se sa aftesia jote per te kuptuar.

  6. Nuk dua të gjykoj se ç’kanë bërë njerëz të dënuar me vdekje, para se të ekzekutoheshin. Vetëm përpiqem të kuptoj dhe të shpjegoj sado pak sjelljen e tyre dhe pse kanë zgjedhur të thonë ato fjalë që u atribuohen. Janë dy gjëra të ndryshme.

    Dhe meqë ra fjala, sipas judaizmit Jesu Krishti ka qenë më i dëmshmi i të gjithë mesive të rreme – por kjo nuk e zhvlerëson gjë besimin që ka te Krishti Thanas L. Gjika dhe ko-religjionarët e tij sot, ose të dënuarit prej Inkuizicionit në Mesjetë.

  7. Edhe une me qe ra fjala po them se per te kuptuar se si jane gjerat sipas judaizmit mjafton te krahasojme dy momente historike te miredokumentuara:
    – Jezu Krishti qe i shkoi vdekjes makabre me kembet e tija dhe historia vazhdon siç e dime te gjithe…
    dhe ky sipas judaizmit ishte mesia i rreme

    dhe
    – Sabatai Zevi qe judenjte e shpallen mesia i vertete dhe qe kur e xhveshen lakuriq para sulltanit dhe ia vune koken nen hanxhar, u drodh e tha jo nuk jam une mesia, une jam thjesht nje rabin…dhe kjo histori qe turperoi judaizmin ne gjithe boten (sepse fama e tij ishte perhapur ne te gjitha skajet ku ishin komuniteet judaike) ia ka hequr perfundimisht te drejten judaizmit dhe dashamiresve ta perdorin si kriter vertetsie mendimin judaik per çeshtje te nje rendesie te tille.
    Keto mendime me erdhen pas shprehjes> …sipas judaizmit…

    1. Momenti i pare mjafton dhe tepron per te zhvleftesuar pikpamjen hebraike.

      Gjithashtu ne vazhdin ky moment beri te mundur qenien e Inkuizicionit ne Mesjete dhe holokaustin ne epoken moderne (Hitleri kunderfigure e Jezuit), dhe shume te tjera bukuri, perfshire ketu edhe bemat e mesise shok Enver (ne fakt kunderfigure e Krishtit te Ardhjes se Dyte, por ky eshte muhabet me i holle per te ngaterruarit). Shprehjen e famshme “nuk kam ardhe per paqen, por per shpaten” Jezui e tha kur pa se udha e kryqimit ishte bere tanime fatale (nuk ishte fillimisht fatale siç mendojne rendom krishteret).

      Nje tjeter analogji midis tiraneve diktatore shok Enver dhe Jezu (per te treguar qe jemi ne teme): nese mesia shok Enver vrau te gjithe dishepujt e tij, mesine Jezu perkundrazi e vrane dishepujt e tij duke e braktisur ne vetmi totale. Dmth per hebrejte ishte mesia me i rreme ekzistues, per romaket nje kaqol i shkrete dhe i vetmuar me halucinacione. Laj duart dhe ne kryq.

  8. Disa sqarime më hollë për temën, megjithse jam i sigurtë që çfarë flas duket gjithnje si abrakadabra. Kjo sepse baza e proçesit të kuptimit nuk është intelektual me të lëçitur, por intuitiv, me saktë emocional. Siç thotë populli: “është me të ndjerë kjo punë”. Me fjalë të tjera proçesi i kuptimit është i interesuar, një kuptimin e keq ose të mirë të fjalës “interes”. Gjithashtu në proçesin e kuptimit ka rëndësi lartësia e vëzhgimit, dmth sa e ngre stekën, dmth sa e ke takatin atletik. Sa më lart vendos stekën, aq me tepër lart pika e vëzhgimit, e ta do medja aq më tepër kupton.

    Ka rëndësi të dorës së parë një saktësim paraprak: mesia ndërkombëtar Stalin (shok Enveri ishte vetëm mesi staliniane në kontestin shqiptar) nuk ishte mesi i rremë si fjala vjen Zevi ose te tjerë të ngjashëm. Në kohën e Jezuit në Jeruzalem ekzistonin paralelisht nja 50 mesi të rremë që pretendonin të shpëtonin botën, e qè sot nuk jua di kush emrin, pèrveç studjuesve. Njësoj si sot ekzistojnë mesi të panumurt të llojit Osho, Krishtnamurti, Kamasutri, etj, shto ujë e shto miell sa të dush mesi me tonelata. Edhe kjo e ka një arsye, por hë për hë e lë mënjëanë që të mos hallakatemi shumë.

    Me fjalë të tjera Stalini (shok Enveri) ishte mesi i vërtetë, ndryshimi nga Jezui ishte se ishte mesi kain, mesi vrastar. Meqë historia fillon me një krim – në Zanafillë Kaini vret Abelin – dhe sipas vizionit providencial ta do mendja që duhet të përfundojë me një pajtim, historia e Providencës është histori i raportit të ndërlidhur midis dy llojesh së mesive si kundërfigura: mesi kain dhe mesi abel. Çfarë është bërë në fillim të kohëve, do të çbëhet në Fund të Kohëve.

    Konkretisht, nëse Jezui ishte mesi i vërtetë abel (përfundoi i vrarë, misioni providencial i pakompletuar), Hitleri ishte mesi i vërtetë kain. Nëse Stalini (shok Enveri) ishte mesi i vërtetë kain, duhet të ekzistojë edhe një mesi i vërtetë abel, që në fakt është Ardhja e Dytë e Krishtit, premtimi që justifikon krijimin e krishtërimit (dhe të pabërat e Inkuizicionit) si pritje plot shpresë e realizimit të këtij premtimi. Që krishtërimi e ka humbur këtë shpresë dhe vrullin origjinal, duke u marrë me dokrra bajate politike demokratike libralizuese brazimtare femen etj, nuk do as mend e as kalem. Kjo është më se evidente, deri edhe në fjalën e Aleksit, dëgjuar rëndom nga të krishterë dhe ateistë, që nuk kanë lidhje të pabërat e Inkuizicionit, Kryqzatave etj.

    Mirpo kësaj i thonë i zoti e jep, tellalli nuk e jep!

    “Që nga dita e Gjon Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve fitohet me dhunë dhe atë e fitojnë të dhunëshmit” – Mateu 11,12
    “Mos besoni që unë kam ardhur të sjell paqen mbi tokë; nuk kam ardhë të sjell paqen, por shpatën. Në të vërtetë kam ardhur të ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjerra: dhe armiqtë e njeriut do të jenë robt e shtëpisë së vet” – Mateu 10:34-36

    Ky është kulmi i dhunës, me fjalë të tjera nëse nuk bëhet me hir, bëhet me pahir. Ose nëse nuk doni me mesi abel (Jezuin), mbani me shëndet mesinë kain (Hitlerin, shok Enverin). Sidoqoftë mbas Kryqzimit, dhuna është gjithnjë e pranishme. Shën Françesku, që mbahet rëndom si shënjtori më i padhunshmëm, u konvertua mbasi erdhi nga në katund të vet nga lufta ku pat vrare e prerë. Duhet nje forcë kriminale për te bërë skandalin që bëri ai: u zhvesh lakuriq në mes të sheshit dhe i hodhi në fytyrë rrobat atit të tij pasunar materialist. Krijuesi i krishtërimit, shën Pali, para se te konvertohej ishte një kriminel që kish vrarë e prerë, bile edhe të krishterë. Shën Jojola, krijuesi i urdhërit jezuit, gjithashtu oficer ushtrie me eksperienca vrasje dhe presje. Një fetar abel e drejton forcen kriminale drejt vetes, një ateist kain drej tjetrit. Në thelb të dy kriminelë janë. Prandaj intelektuali postmodern demokrat liberal i ka bezdi të dy, në fakt i ka frikë të dy. Po prit or i uruar intelektual se nuk kemi arritur akoma në Tokën e Premtuar, “mos e thuaj llafin e fundit në fillim!”.

    1. Për të evituar akuzën e rëndomtë për dalje jasht teme, ul stekën në nivelin e temës që trajton përse dishepujt e shok Enverit bekonin dorën që i vriste. Nga sa më sipër më rezulton që është afruar një çikë r.th., por duke rënë përsëri në fund të komentit në banalitetin e dënimeve te krimeve të komunizmit si të padrejtë etj.

      Po të kuptohet tamam komenti i mësipërm, kuptohet lehtë si rrjedhojë logjike që është në meritë dishepujve kriminele (psh gjenerali Mehmet Shehu, Beqir Balluku kryetar i njesitit guerril të Tiranës që vriste pam pam pam në emër të popullit) që kanë bekuar dorën që i vrau. Kjo tregon se komunistët e kishin me vërte, nuk talleshin, nuk e bënin për të ngrënë pula si kryetari i kooperativës dhe për të fitu pushtet e pare e seks si në demokraci “mër jahu”.

      Kjo është një shpresë për të gjithë, që gjaku i derdhur lumë dhe vuajtja pa kufi nuk shkojne kot, që ka një bazë për shpresën e një shoqërie ku njerzit janë të barabartë, të lirë, si vllezër e motra. Vetëm nën një Zot, abel dhe kain bashkë, gjithë kleçka këtu është.

    2. Psikopat, te te bej nje korigjim te vogel tek Mateu 11.12 : “Dai giorni di Giovanni il Battista fino ad ora, il regno dei cieli subisce violenza e i violenti se ne impadroniscono”
      Pastaj, vertet mekati fillestar filloi me vellavrasjen Kain-Abel?
      Pastaj, me qe permende te kuptuarit intuitiv, me çfare i kuptove metaforat e Jezusit me arsyetim, apo me intuite popullore?
      Po ti vazhdo se unw po tw ndjek dhe po pres, me padurim, mbarimin e referencave te ketij libri, per te filluar me muhabetin e muhametit.Besoj se aty nuk do te besh perkthime te gabuara…

      1. psikopat, meqë një ndër komentet më poshtë komentit tënd është edhe i imi, më duhet të rrëfej se nuk besoj se është ndonjë qyfyr i madh të shohësh sesa larg mund të arratisesh nga e vërteta duke projektuar veten në gjithçka që diskutohet.

      2. E mira e të vendosurit të stekës lart është edhe që fluturon si gomari. Sipas kësaj llogjike me stekë lart Beqir Balluku nuk ishte një myslyman i pagdhëndur, një kriminel i vogël e i rrumbullakët për nga forma (por shumë i madh për nga dëmet që i shkaktoj këtij vëndi). Gjithnjë, sipas teorisë së kërcimit së larti, ai ishte erudit, i përditësuar me gjithë utopitë e kohës, dhe e lexonte biblën në dhjetë variante, por pa Google Translate – gabim që jo për faj të tij por për faj të mungesës së teknologjisë do t’i kushtonte rëndë.

        Thuaj shyqyr që erdhi dita që në saj të sakrificave të shokëve të partisë, shoqja Nexhmie sot mund t’i përkthej për së mbari variantet e Biblës, dhe jo si shoku Beqir që përfundoi në Xhenem për njëçik Google Translate.

        Por seriozisht, injoranca nuk është ndonjë problem i madh, por mungesa e respektit për mendimin e të tjerëve është. Ndaj të lutem vëri pak fré vetes.

  9. Jam kurioze të di çfarë mund të thuhet për fjalët e fundit të një të dënuari politik nga regjimi i kaluar, një distilë mendimi që për nga intensiteti i vërtetësisë ndoshta mund të përftohej vetëm nën trysninë e tik-takut të çasteve të fundit të jetës: – Ti nuk po ma merr jetën, thjesht po ma shkurton.

  10. Duhet vënë re se këta që vdisnin me emrin e vrasësit të tyre në gojë kishin kryer edhe vetë vrasje me parë.

    Imagjino, sa absurde do tu jetë dukur këtyre bijëve të komunizmit që kishin sakrifikuar për të duke kryer krimet nga më makabre, që së fundi të trajtoheshin dhe të kishin të njëjtin fat me viktimat e tyre?

    Ndaj duket vetëm e arsyeshme që për dikë që kishte vrarë dhe prerë në emër të utopisë komuniste, për t’i diferencuar këto vrasje nga fati i vetë, të kërkojë me në fund të bëj klasifikimin dhe dallimin e këtyre fateve të përbashkëta. Si të thuash për t’i ngritur ato në hierarkinë e vlerave si sakrificë e atij që i është dashur të vrasë në emër të utopisë, dhe jo si vrasje me karakter kriminal.

    Po ashtu vë re se sakrifica ka kuprtim vetëm kur dorëzohet diçka me vlerë. Në sytë e këtyrë vrasja e kundërshtarëve politikë nuk kishte vlerë, ndonëse vetë akti i tyre kur thoshin “në emër të popullit” kishte. Pra, me këtë llogjike ishte vrasësi që ishte sakrifikuar, jo i vrari.

    Ndaj edhe në fund duhej të bëhej dallimi midis fundit të armiqëve të vërtet (viktimave pa vlerë), dhe atyre që e kishin sakrifikuar veten për komunizmin, duke i shtuar akti të fundit të jetës së tyre, përndryshe po ashtu pavlerë, gjestin ose dëshminë e të qënit koshient për sakrificën që kishin bërë dhe po bënin. Ironike, komike dhe tragjike njekohësisht ishte se këtë dallim “koshient” e bënin vetëm këta, dhe jo partia e tyre, as shokët e kauzës që i kishin klasifikuar tashme përfundimisht si të pavlerë, dhe jo se jo populli i thjesht që ua kishte ndjerë bëmat në kurriz.

  11. Hipoteza me e qendrushme, per mua, eshte qe “e kishin humbur mendjen”. Sidomos, per kohen e shkurter (sado te gjate te kene qene muajt), per shkak te se ciles, nuk kishin mundesine te mesoheshin me gjemen qe u kishte rene mbi krye.
    Nese ‘armiqte e klases’ kishin gjithe jeten qe te mesoheshin me te keqen, zoterinjeve ne fjale u duhej ta benin per vetem ca muaj.
    Ishte nje coroditje psikologjike, te cilen e rendonte edhe me shume fakti qe ata e dinin shume mire permasen e se keqes, duke qene vete deri ne momentin e ktheses fatale te fatit, bashkeautore, madje disa prej tyre edhe autore te drejperdrejte te tmerrit, qe tashme do ta perjetonin vete.
    Nje sindrome Stokholmi ne kunderkohe. Nese viktimat, ne rastet e zakonshme te sindromes, “perfitojne” nga “privilegjet” e dhunuesve, ne te njejten kohe qe ushtrohet dhuna mbi ta, zoterinjte tane kishin perfituar nga ajo perpara se te beheshin objekt i saj; e ne ndryshim nga ata, dhe per ironi, e kishin perfituar realisht ate.
    Nje sindrome Stokholmi edhe ashtu e percudnuar, sepse ishin vete shoket e tyre qe ushtronin po ate dhune, qe dikur e kishin ushtruar bashke me ta mbi te tjeret.
    Per mua nuk ka arsye tjeter qe shpjegon nje sjellje te tille. Ata e dinin shume mire se c’do te behej me njerezit e tyre. Ishte nje ritual i pameshirshem; ishte nje rregull qe nuk pati asnjehere perjashtim.

  12. Vetem familja, asgje tjeter. Shumica e ketyre qe ka cuar ne sater Enveri e dinin shume mire se c’kusure do hiqte familja e tyre per shkak te armikut te eliminuar ne menyre eminente. Prandaj shpresa mbetej qe mbase trajtimi i familjes se tyre nuk do ishte aq shtazor ne rast se Enverit do i shkonin ne vesh fjalet e fundit te”tradhetarit” – eshte fakt qe komunizmi shqiptar i jepte rendesi te vecante fjaleve te fundit para efzekutimit, fjale qe regjistroheshin me rigorozitet ne protokollin e pushkatimit.
    Raste kur familja eshte lene rehat (disi) ka pasur, dhe keta oreliget i kane ditur dhe njohur personalisht.

  13. Shume interesante. Te ngresh hipoteza mbi shkaqet e mundshme te nje ndodhie, e cila vete nuk dihet a ka ngjare vertet apo eshte e rreme. Pa le pastaj kur futen ne loje edhe intelektualet liberale post-moderne te sperkatur me pak Krisht e apostuj.

    1. Ja çfarë u tha Nikolaj Jezhovi (ish kryetar i NKDV-së sovjetike gjatë spastrimeve të mëdha të viteve 1936-1938) hetuesve pak ditë para se ta dënonin me vdekje:

      “Thojini Stalinit, ju lutem, se unë kurrë nuk e kam mashtruar Partinë politikisht. Mijëra njerëz që e njohin ndërgjegjshmërinë dhe modestinë time do ta provojnë këtë… Thojini edhe se unë do të vdes me emrin e tij në buzë.”

      Burimi: Igal Halfin, Stalinist Confessions, University of Pittsburgh Press, 2009, f. 366.

      Sa më lart, që është e dokumentuar, provon edhe gjithçka edhe asgjë. Por të paktën e bën me gjasë ekstrapolimin tim për fjalët e fundit të së dënuarve. Të cilat kanë ndodhur, ose janë thënë: para skuadrës së pushkatimit ose në letra dhe deklarata të së dënuarve vetë; në thashethemet që kanë qarkulluar aso kohe; në fushatat dizinformuese të Sigurimit të Shtetit. Nga pikëpamja diskursive, nuk ka rëndësi shumë se KU janë thënë – dhe eseja ime më lart nuk synon të kontribuojë në historiografi.

  14. Nëse B. B. i ka dhënë vërtetë apo jo ato urata, do të mbetet enigëm, por di me siguri që një funksionar i lartë, pasi vuajti 10 vjet burg, i dënuar padrejtësisht për sabotim në sektorin e energjitikës, vazhdonte ta donte “Partinë e tij” me po të njëjtin përkushtim edhe pse vuajti gjatë në burg e u lirua vetëm pas ndërrimit të sistemit.

    Sa herë afronte koha e votimeve (pas viteve ’90), deklamonte me shikim të tretur në largësi: “Nuk ma pati fajin as Partia, as Enveri, po shokët e mi maskarenj e zemërligj. Unë, për Partinë time do votoj.” A thua se Partia e tij përbëhej nga legjione ëngjëjsh, të largët e të paprekshëm prej deformimeve të karakterit njerëzor.

    Ndryshe i përjetonin dënimet me burg e me vdekje ata që nuk u besonin këtyre lloj ëngjëjve. Më lart, kam përmendur fjalët e fundit (para se ta dënonin me vdekje) të priftit Dom Mark Hasi, i cili iu drejtua gjykatësit duke i thënë: “Me vendimin që po merrni ju nuk po më dënoni me vdekje, por po më shkurtoni jetën, sepse kush ka lindur duhet edhe të vdesë.”

    Nëse bekimet mbeten hipoteza për një dashurie të patutshme ndaj Partisë, edhe kur ajo të vriste, ka fakte dhe fjalë të fundit vërtet mbresëlënëse të atyre që nuk kishin fe enverizmin.

    http://www.shkodra-news.net/fjalet-e-fundit-qe-thane-martiret-para-ekzekutimit/

  15. Po të lexosh tekstin e denimit më vdekje të personit në fjale, keto “famous last words” nuk rezultojne dhe aq të shkeputura nga raporti me të verteten:
    http://www.gazetadita.al/5-nentor-1975-presidiumi-i-kuvendit-popullor-firmos-pushkatimin-e-ballukut-dumes-e-cakos/ ndesh në pershkrime të kesaj natyre:

    “PËR BEQIR BALLUKUN
    Në material, ndër akuzat që renditen për Beqir Ballukun janë:“I pandehuri Beqir Balluku: Ka përvetësuar 30.895.80 në degën ekonomike; 1.497 lekë në shtëpinë e pushimit në Pogradec; 1.281. 10 lekë në SHQUP dhe sektori i kulturës 3.898.40 tekë në klubin sportiv “Partizani” dhe 14.143.60 lekë në shtëpinë e pushimit Durrës. Gjithsej ky hajdut ka përvetësuar vetëm në dëm të pasurisë socialiste 51.715.90 lekë. Po kështu, dëmet që i kanë ardhur ekonomisë në ushtri nga kryerja e veprimeve dhe dhënia e urdhrave të kundër ligjshme nga ana e tij arrijnë shumën 235.789 lekë. Kështu, në kundërshtim me dispozitat ligjore, ai ka urdhëruar që të bëhej trajtimi i futbollistëve të rinj gjatë vitit 1971-1972, duke u shpenzuar pa të drejtë nga arka e shtetit shuma prej 16.355 lekë; ka ndryshuar punimet ndërtimin e palestrës të sport klubit “Partizani”, duke u bërë në kundërshtim me preventivin, shpenzime të tepërta në shumën 20.117 lekë. Po kështu, për të kënaqur tekat e tyre, ka urdhëruar që të ndërtohen dv banja me avull të tipit “Sauna”, që kanë kushtuar 199.337 lekë. Krahas shumë veprimeve të tjera, i pandehuri Beqir Balluku, i zhytur në llumin e degjenerimit politik morale material, ka arritur deri atje sa të merret edhe me veprime të ulëta matrapazllëku, duke këmbyer rripat e mesit, çantat ushtarake, këpucët e çizmet ushtarake në civile që i ka marrë nga dega ekonomike. Ky armik e vjedhës ka arritur deri atje sa të marrë pa pagesë e në kundërshtim me çdo rregull, orendi të ndryshme shtëpiake dhe të kërkojë të marrë për vete e suitën e tij produkte ushqimore nga ekonomitë ndihmëse të ushtrisë e në kooperativat bujqësore kur shkonte, të vrasë lopë e qe, gjoja të egra të kooperativës bujqësore Divjakë të Lushnjes për t’i ngrënë në familje dhe t’i shesë shtëpisë qendrore të ushtrisë popullore prodhimet e bahçes së tij. Akoma më të poshtra, skandaloze dhe të turpshme janë veprimet imorale që ka kryer ky armik, nga ku del qartë degjenerimi i plotë i këtij përbindëshi”.

    1. Ne fakt po te ishte per keto prapesira, Beqir Balluku duhej te ishte shpallur kulak dhe duhet ta kishin detyruar te behej antar i ndonje kooperative bujqesore. Pushkatimi, si ndeshkim duket diproprocional me fajin.

      Kjo gjithashtu lejon te kuptohet tashti qe denimi i Nexhmije Hoxhes, per shperdorim kafeje, paska qene brenda logjikes egzisutese te asaj kohe per armiqte e rrezikshem te popullit shqiptar.

      1. Absolutisht dakort! Të gjithe denimet kanë qene të shproporcionuara, biles vazhdon të më perforcohet mendimi se spastrimet e Enver Hoxhes, më shume se me Bashkimin Sovjetik te Stalinit, kanë të bejne mbi të gjitha me perandorine Osmane (ku sulltani vriste të birin dhe anasjelltas pa ndonje teklif). Kete gje e provon edhe nje ‘detaj’ qe për fat e rikujton edhe Ardiani më lart: denimin më vdekje të Jezhovit, shefit të Sigurimit sovjetik të kohes. Enver Hoxha kurre nuk i denoi as Rrapi Minon as Aranit Çelen, perkundrazi, i mbajti të dy deri në fund të jetes se tij në funksionet në fjale (kryeprokuror dhe kryetar i Gjykates se Larte), nderkohe qe nuk la minister apo dhe kryeminister pa i prere koken (gje unike në gjithe bllokun sovjetik, fut aty dhe Kinen)

  16. Sikur kishe thënë se do bëheshe copa-copa me ca tema për mua Xha Xha, apo ia bëre si atëhere në Selanik që erdhe pothuajse fshehurazi? 😛

Lini një Përgjigje te psikopatiAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin