PYETJE ME PERÇE

Një gazetar i kulturës më dërgoi këto ditë pyetjet e një interviste në lidhje me krizën aktuale të leximit shqip, së cilës i kisha premtuar se do t’i përgjigjesha me e-mail. Por si i përgatita përgjigjet, m’u duk sikur intervista do të bëhej më tërheqëse për lexuesin e Peizazheve, sikur t’i eliminoja pyetjet krejt – për t’ua shtuar intrigën (e mendova edhe që të eliminoja përgjigjet e mia, por s’e bëja dot pa lejen e intervistuesit). Rezultatin do ta gjykoni vetë.

  1. Xxx xx xxxx xx xxxx xx xxxxx xx xxxxxxx x xxx?

Është simptomë. Tregon se ka diçka që nuk shkon me trupin social. Prandaj edhe vlen si e dhënë sa kohë që na shërben për të diagnostikuar sëmundjen – jo në vetvete. Përndryshe, ta luftosh me politika dhe investime që i afrojnë qytetarët me librin është si të orvatesh të kurosh gripin duke ia ulur temperaturën pacientit, për shembull duke i dhënë falas aspirina.

  1. Xx xxxx xxxxxxxxx xxx xxxxxxx xxxx x xx xxxx xxxxxx?

Kjo ka në fakt më rëndësi sesa konstatimi i përgjithshëm i rënies së numrit të lexuesve. Që një zjarrfikës ose hidraulik ose shitës bulmeti lexon apo jo, kjo nuk duhet të përbëjë shqetësim publik – por një mësues, një politikan, një mjek, një student që nuk lexon, kjo kërkon vëmendje. Dikur, leximi i të njëjtëve libra shërbente edhe si platformë komunikimi mes një grupi të madh njerëzish të rëndësishëm, duke u dhënë këtyre elementet e një gjuhe të përbashkët. Idealisht, elita kulturore e një shoqërie duhet të ketë lexuar dhe të jetë formuar me të njëjtat vepra të kanonit (cilidoqoftë ky). Kemi pasur, deri vonë, një elitë të përftuar nga veprat e I. Kadaresë, për mirë dhe për keq; por më shumë për mirë se për keq, dhe sidomos, për mirë sa kohë që këta mund ta bashkëndanin mënyrën si e vështronin botën dhe ashtu të konstituoheshin si grup koheziv. Elita e sotme sërish i referohet Kadaresë, por jo më veprës së Kadaresë; përndryshe, nuk e ka më një platformë komunikimi të përbashkët, sepse është formuar në universitete me tradita të ndryshme.

  1. Xxxxxxx xx xxxxxxx xx xxxx xxxxxx xxxxxx xxx xxxxx xxxxxxx Xxx Xxxxx?

Këtë e bëjnë snobët, të cilët tërhiqen pas emrave – të autorëve, të veprave klasike; të cilat i përdorin pastaj si sinjale, shkelje syri, aksesorë, shenja gjysmë-sekrete të përkatësisë në klubin e të zgjedhurve. Si rrallëkund, në Shqipëri ke snobë që ëndërrojnë të jenë masonë. E megjithatë, edhe në letërsi, moda shërben për të krijuar një zhargon të përbashkët – për shembull, të gjithë ata që kanë lexuar Shvejkun, i përkasin një klubi virtual dhe do të merren vesh mes tyre, për disa gjëra, më mirë se të tjerët. E keqja fillon kur leximi i shënjestruar, i një autori të hollë, konsiderohet si arsye e mjaftueshme për të lexuar. Në fakt, ka libra artistikë që lexohen vetëm a kryesisht për një eksperiencë mirëfilli letrare, por ka edhe të tjerë që lexohen për të kënaqur kërshërinë intelektuale; pa folur pastaj për librat utilitarë (p.sh. ata me receta gatimi, ose enciklopedia e armëve të ftohta) dhe manualet (p.sh. Si të pastrosh çiften ose Finalet me figura të lehta). Rëndësi ka që lexuesi të diferencohet njëlloj si libri; meqë sot, në Shqipëri, lexuesi mbetet kryesisht i diferencuar sipas grup-moshave. Por një version diferencimi më pak inercial do të shërbente edhe si kundërpeshë ndaj atomizimit të tregut dhe profecisë vetë-plotësuese të best-sellerëve.

  1. Xxxxx xxxxxxxxxxxxx xx xxxxxxxx xxxx xxxxxxxx xx xxxxxxxx xxxx xxx xxxxxxx?

Njeri më të mirë të bën komuniteti, familja, feja, shokët, kolegët, puna që bën, liria për të zgjedhur. Por të këmbëngulësh për ndonjë lidhje të domosdoshme mes leximit dhe etikës – për këtë nuk ka arsye. Leximi nuk të bën doemos më të mirë, sikurse nuk të bën më të zotin dhe as më kompetitiv (shumë njerëz të mirë në këtë botë janë analfabetë). Ndoshta të bën më njeri, duke të ndihmuar të eksplorosh hapësirat brenda vetes, në rrethanat kur realiteti kërkon të të rrafshojë. Një tjetër mundësi – të paktën teorike – do të ishte që, duke të trajnuar imagjinatën, leximi (letrar) të bën më empatik, ose më të ndjeshëm ndaj tjetrit. Dhe më në fund, të mëson t’u vësh emra trojeve që zbulon brenda vetes, për të mos e lënë hartën me njolla të bardha.

  1. Xx xxxx x Xxxxx Xxxxxxxx xxxxxxxx xxxxxxxxxxxx xxxxxxxx xx xxxxxxxxxxx?

Jo, sepse po lexojmë libra që na ofrohen dhe promovohen nga entitete të cilave nuk u bëhet hiç vonë për ne, si persona. Sa për të sjellë një shembull, në Amazon, është vështirë që motori i kërkimeve të të sugjerojë një titull që të mos jetë botuar dy-tre muajt e fundit.  Shumë prej nesh lexojnë për të kaluar kohën – dhe një thriller i vitit 2018 është thjesht përditësim/modernizim/riciklim i një thrilleri të vitit 2008. Por nëse duam të zgjerojmë gjeografinë e mendjes, atëherë zgjedhja vështirësohet. Për të gjykuar se ku jemi me leximin, nuk duhet të nisemi nga titujt e botuar në vite, por nga çfarë promovohet në treg: një pjesë e madhe e librave sot nuk i gjen dot më. Edhe një paradoks tjetër: nëse lexojmë për të kaluar kohën, sot po na mungon pikërisht koha për të zgjedhur librin e duhur, ose për të vendosur se çfarë duam të lexojmë, çfarë na mungon, çfarë na duhet për të rivendosur një farë balance në qenie. Duke na imponuar shijet dhe modat e veta, tregu na rrafshon si lexues dhe na stërvit si klientë të mirë, të gatshëm për t’i nxjerrë paratë nga xhepi me komandë. Nëse dje, për disa prej nesh, leximi ishte edhe një formë për të na ngushëlluar se “nuk je vetëm, ka edhe të tjerë si ti”, sot reklama dhe snobët na shtyjnë të lexojmë “për ta hequr qafe barrën e vetes”. Kemi pasë lexuar për të mësuar si të bashkëjetonim me komplekset; ndërsa sot na predikojnë se nga komplekset duhet të çlirohemi.

  1. X xx xxx xxxxxxx xxx xxxx xxxxxxxx-xxxxx xxxxxxxxxxxx xxxxxxxxx xxxxxx xxxxxxxxxx?

Kjo varet nga çfarë lexojmë. Idealisht, lexuesi duhet të gjejë, te libri që merr në dorë, atë që po kërkonte prej kohësh, pa e ditur edhe vetë se po e kërkonte. Për piktorët e mëdhenj thonë se ata të mësojnë si ta shohësh botën – një e vërtetë që njëlloj mund të thuhet edhe për shkrimtarët e mëdhenj. E megjithatë, për një fëmijë shqiptar Çufoja dhe bubi kaçurrel është më i kapshëm se Liza në botën e çudirave: kjo e fundit, që mund të jetë virtualisht më e pasur në ide, narrativa dhe figuracion, kërkon një sistem referimi që lexuesit shqip i mungon në masë të madhe. Kryeveprat janë të vështira për t’u rrokur dhe shijuar; dhe sikur të mos mjaftonte kjo, nuk të lënë as klounët, të cilët nuk është se admirojnë veprat për të cilat flasin, por thjesht veten e tyre përmes një admirimi të deklaruar për veprat përkatëse. Kush të thotë “Unë vdes për Danten!” në fakt kërkon, me gjasë, që të tërheqë vëmendjen te vetja; dhe aq më keq edhe kur e bën këtë pa dashur. Ky snobizëm nuk duhet trajtuar si huq social i padëmshëm – viktimat e tij të para janë veprat letrare vendëse, leximi i të cilave nuk konsiderohet si cool. Për fat të keq, jetojmë në një kohë kur jo vetëm autorët e suksesshëm po duan t’u zënë vendin veprave të tyre mundësisht madje duke e shitur imazhin personal në librari, por edhe lexuesit “e suksesshëm” po duan të konsumohen si produkte kulturore. Që këtej, edhe mediat e kulturës lektisen pas këtij personazhi të “lexuesit model” dhe duan ta promovojnë.

  1. Xxxx xx xxxxxxxxx xxxxxxx x xxxx xxxxxxxx x xxxxxxx xx xxxxxxxxx xxxx xxxxxxxxxxx?

Kasta e sotme në pushtet nuk lexon – edhe po të donte, nuk do të gjente dot kohën. Këta burra dhe gra e kalojnë kohën ose para kamerave dhe mikrofonave, ose në makina, ose në tryeza drekash dhe darkash, ose në Facebook, ose duke u hardallosur nga një aeroport në tjetrin, nga një kravatë në tjetrën, nga një palë taka në të tjerat. Prandaj le të pranojmë, me zemërgjerësi, se kjo është një kastë që ndoshta dikur ka lexuar; dhe tani po bën zhurmë të pashembullt për leximin sepse ende shpreson se do të sigurojë mbështetjen politike dhe morale të atyre që lexojnë. Kësisoj, pushtetarët e sotëm kanë marrë e mbrehur në punë jo librin, por tërheqjen e publikut pas librit; sepse beson se vetëm këtë lloj publiku lexuesish do të mund ta mbajë pas vetes.

© 2018, Peizazhe të fjalës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin