EDHE PUNË, EDHE LLAFE

Eksponentë të lartë të pushtetit, nga kryeministri Rama, kryebashkiaku i Tiranës Veliaj dhe ministrja e Kulturës Kumbaro, por edhe plot të tjerë që s’po i përmend (edhe pse nuk dua t’ua ha hakun), e kanë bërë të tyrin prej kohësh sloganin “punë jo llafe”, të cilin ua hedhin lirisht në fytyrë të gjithë atyre që u kundërvihen me fjalë.

Pa çka se, në një shoqëri demokratike dhe pluraliste, punën e bën zakonisht ekzekutivi (qeveria, që administron gjërat publike dhe pushteti lokal), ndërsa tonin diskursit publik ia jep opozita (e cila nuk mundet veçse të administrojë qasjen e saj kritike); meqë është ekzekutivi, edhe qendror edhe lokal, ai që rreket të realizojë premtimet që i janë bërë elektoratit dhe programin e vet politik për të cilin ka marrë votat. Ndërkohë që opozita mban qëndrim kritik dhe e artikulon këtë hap pas hapi – jo duke marrë nëpër gojë këtë apo atë eksponent të palës në pushtet, as duke funksionuar si kasë rezonatore për lajmet më fake të mundshme dhe insinuatat më qesharake, as duke kërcënuar apokalipsin nga java në javë, as duke recituar vjersha me rima foljore si të Rilindjes Kombëtare; por duke formuluar një kritikë sistematike të mënyrës si po vepron pushteti dhe si po qeveriset vendi.

Të paktën kështu duhej të ishte. Por me pushtetin në Tiranë ndodh e kundërta: duke qenë sot opozita politike ajo që është, ose e pazonja për t’iu kundërvënë në mënyrë kritike pushtetit, dhe duke u ndier pala në pushtet aq rehat, sa të vazhdojë të operojë si OJQ, ose si një organizatë që mund t’ia lejojë vetes komoditetin e të komentuarit të realitetit “nga jashtë” sistemit ose duke elaboruar një kritikë totalisht surreale kundër së shkuarës kur opozita e sotme kishte pushtetin, është pikërisht ekzekutivi që e ka përmbytur domenin e “llafeve”, ose të logosit, duke iu shfaqur rëndom publikut si një logorre propagandistike – statusesh, fjalimesh, emojish, monologjesh, intervistash, daljesh televizive dhe radiofonike dhe kështu me radhë, facendo il bello e il cattivo tempo.

Pa përmendur këtu që, në shumë rrethana, puna e politikanit është pikërisht të flasë – ndërsa statura e tij, dinjiteti dhe integriteti varen nga ç’thotë dhe me kë. Pa përmendur as edhe që çdo politikan normalisht do të kërkojë të mbrohet ndaj kritikave dhe ndaj akuzave, me kundër-argumente dhe saktësime sipas nevojës, por edhe me çuarje në gjyq sipas rastit; por nuk është aspak normale që të habitet, dhe aq më pak të skandalizohet, që “puna” e tij po bëhet objekt kritikash prej të tjerëve, të cilët nuk është se synojnë që t’ia marrin pushtetin, por vetëm të tregojnë se si po e ushtron ky pushtetin (sa keq po e ushtron dhe pse). Pa përmendur as edhe që elita e tanishme në pushtet, e mësuar me një opozitë inkompetente dhe me reagime në kufi të histerisë, ka pranuar njëfarësoj që ta profesionalizojë kategorinë e intelektualit kritik – si Lubonja dhe Fuga, sa për të sjellë dy shembuj të mirënjohur; duke vënë në dukje që këta kanë për profesion jo të jenë intelektualë, por të jenë kritizerë (dhe duhen toleruar sepse “është e drejta jote të thuash atë që mendon”, çfarë nënkupton zakonisht “është e drejta jote të thuash budallallëqe”). Dhe meqë, deri më sot, nuk është parë ndonjë mënyrë tjetër për ta artikuluar kritikën ndaj pushtetit, përveçse nëpërmjet ligjëratës (logosit), atëherë ajo “punë jo llafe” do të duhet interpretuar kështu: fjalët janë punë kur i bëjmë ne, por llafe kur i bëni ju. Çfarë edhe i jep një kuptim befasisht tjetër ankimit: na lini të punojmë.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa lejen e autorit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin