KAURI ARKITEKT

“Askush s’e dinte nga vinte e ç’kombësi kishte ky njeri, që dinte gjithë të fshehtat e ndërtimit të kështjellave. Ishte i pagjind, si çdo i huaj, por ngjante dyfish i tillë, për shkak të gjuhës që fliste: një turqishte e çuditshme, e kuptueshme nga pakkush. Ngaqë s’kishte qime në fytyrë, kishte plot që dyshonin se ishte grua ose, së paku, gjysmëburrë gjysmëgrua, deledash, siç i thoshin.” (59).[1]

Kështu prezantohet, te romani Rrethimi i I. Kadaresë (roman i njohur edhe me titullin Kështjella, sikurse edhe me titullin tjetër Daullet e shiut), arkitekt Kauri, një nga anëtarët e Këshillit të Luftës të komandantit të kampit turk, Ugurlu Tursun Pashait. I gjithëditur, i huaj dhe i pagjind “si çdo i huaj”, mishërim i ekspertit edhe për arsye të tuhafllëkut, mosqims (qose), madje i dyshuar për grua, i sëmurë (“thonë se herë pas here i bie sëmundja e tokës” por “shkumbëngarët janë ose torollakë ose gjenij”, 162) arkitekt Kauri spikat për të folurit e tij, meqë “i shqiptonte fjalët njëtrajtshëm, si të ishin kokrra të ftohta dhe të lëmuara rruzareje” (85):

Goditja top duhet patjetër bërë pika takon mur ballor pirg dytë gjithashtu mur djathtë portë kryesor mes mur majtë pirg parë gjithashtu krejt. (85)

Brenda rrafshit narrativ të romanit, arkitekti flet turqisht; edhe pse në rrafshin diskursiv turqishtja e tij nuk mund të jepet veçse si shqip. Kësaj shqipjeje i mungojnë mbaresat rasore, parafjalët, nyjat e parme dhe të pasme, përshtatja gjinore e mbiemrave me emrat; sikurse i mungon shquarsia dhe koha si kategori gramatikore e foljes. Edhe rendi i fjalëve nuk përkon me atë të zakonshmin. Arkitekt Kauri flet një pidgin të vetin personal.[2]

Duhet goditje prapë mur ana majtë portë kryesor shpresa çarje madhe ajo ana. (103)

Kuptimin këtyre sintagmave ia jep pranëvënia – ose një farë izomorfizmi mes rendit të fjalëve në fjali dhe rendit të sendeve dhe veprimeve në univers; plus folja modale duhet, e cila i tregon lexuesit se bëhet fjalë për udhëzime “përdorimi” të teknikës.

Nuk duhet kapërcen porta atje kurth madh nuk duhet kapërcen porta kthen mbrapa shpejt. (123)

E zhveshur nga gramatika, ligjërata e arkitektit shpërpunohet në lëndë të parë gjuhësore, që megjithatë njëfarësoj funksionon për shkak të kontekstit dhe modalitetit[3]. Pa çka se foljet – që janë edhe motori i lokucionit – reduktohen në format e vetës së tretë njëjës (kapërcen, kthen), ose edhe mungojnë, duke u zëvendësuar nga emrat prejfoljorë: çarje, forcim, goditje.

Gjer këtu forcim, trarë tutje jo. (164)

Këto thënie kanë shumëçka të përbashkët me vizatimet, të cilat arkitekti i mban me vete dhe që i trembin anëtarët analfabetë të Këshillit: dhe pikërisht, natyrën formulaike gati algjebrike të arsyetimit, ose tharjen e gjuhës (“Në shtjellën lodhëse të të folurit të tij kishte diçka nga shkretëtira”, 250).

mih ku duhet mih, jo mih ku nuk duhet mih (251)

Në mënyrë të ngjashme me ekuacionet, arsyetimet jo rrallë përfundojnë në tautologji – por tautologjia sjell me vete tmerrin e pakundërshtueshmërisë.

Në kontekstin e Këshillit të Luftës, plot gjeneralë të rrahur në beteja, njerëz të veprimit dhe të “burrnisë”, njerëz të hierarkive dhe të urdhrave, Arkitekt Kauri spikat si teknokrati ekscelent –i zhveshur nga çdo tundim i mishit (që këtej edhe mungesa e qimeve dhe e gjinisë së qartë), njëlloj siç vjen gjuha e tij e zhveshur nga gramatika (“ai vargor i pajetë fjalësh”, 85).

Të folurit e tij është robotik, monoton, pa melodi dhe emocion; gati-gati sikur Tursun Pashai t’i ketë bërë vend në shatoren e vet një vegle djallëzore: kompjuterit. Për këtë arsye, edhe fjalët e arkitektit duhen përkthyer pastaj, për t’u bërë të kuptueshme, njëlloj si kalkulimet e makinës kanë nevojë të risillen në një formë të kuptueshme për përdoruesit.

Të vetmit përkthyes, që përmenden shprehimisht te Kështjella, janë ata që ndërmjetësojnë mes sferave të dijes: siç mund të pritej, nga universi i një perandorie.

Për arkitektin thuhet se nuk dihej se nga vinte, pa çka se origjina i ishte ruajtur tashmë në emër: Arkitekt Kauri, si një i krishterë – ose ndoshta ish i krishterë – që ish vënë në shërbim të makinës luftarake osmane. Kjo e “kaurëve” të punësuar si ekspertë nga aristokratët e pagdhendur turq – grekë, armenë, shqiptarë e kushedi ç’tjetër – do të përdorej pastaj për të shpjeguar suksesin e habitshëm të ndërmarrjes osmane.

E mbajnë për gjeni, edhe pse vetëm kështu do të mund të përligjet prania e tij në atë log të rreptë luftëtarësh, si një koncesion që kordha ia bën penës, për të vazhduar të jetë kordhë, por edhe njëkohësisht duke ia njohur tjetrës meritën, sado me neveri.

Kauri sjell me vete dijen, skicat, gjeometrinë, matematikën, deduksionin, inxhinierinë dhe, në një rrafsh më të gjerë, shkencën dhe teknologjinë e Rilindjes Europiane – por e bën këtë me kosto të lartë: përtej gjuhës së gjymtuar, ai është pa seksualitet, i zbrazur nga testosteroni: nuk do të lërë dot pasardhës. Personazhi u referohet, edhe pse jo drejtpërdrejt, eunukëve, ose atyre oborrtarëve që ndonjëherë thuhej se drejtonin shtetin, mu ngaqë mendjen kurrë nuk ua mjegullonin epshet e trupit dhe kishin liri të procedonin gjithnjë ftohtë, si makina; dhe që aq shumë janë vënë në pah nga një lloj letërsie orientaliste, si për të kundërpeshuar sensualitetin e oborreve të Lindjes. Ndoshta prandaj edhe lexuesi e ndien një lidhje të nëndheshme mes arkitektit dhe Tursun pashait – i pari aseksual, i dyti me një harem me vete; por të dy bashkë aq të nevojshëm për t’i prirë ushtrisë rrethuese dhe, sidomos, për ta shkatërruar kështjellën.[4]

Gjuha e thjeshtuar e Kaurit mund të jetë shembëlltyrë e mendjes së tij matematike, njëlloj sikurse zhveshja e saj nga mbaresat, nyjet dhe parafjalët pasqyron dhe rimerr mungesën e qimeve (dhe të “burrnisë”); por në rrafshin narrativ, lexuesi ftohet të nxjerrë përfundimin se natyra skizoide e këtij virtuozi të mendjes, vetmia e tij edhe gjuhësore, autizmi, indiferenca e tij ndaj lidhjeve njerëzore, ia kanë dobësuar motivet për ta mësuar gjuhën përtej nevojave për komunikim faktik. Sepse gjuha që flet Kauri është gjithnjë e huaj për të; jo vetëm ngaqë është gjuha e Tjetrit, që është i huaj me përkufizim; por edhe ngaqë arkitekti është vetë I huaji, sërish me përkufizim.[5]

Në ekonominë narrative të romanit, personazhi zë vend qendror, dhe jo vetëm ngaqë është bizar. Kjo sepse qasja osmane ndaj kështjellës për t’u pushtuar, ose gjakimi i këtij rrethimi, gjithnjë vjen si kombinim i gjakatarisë macho të komandantëve të trupave dhe i nevojës për të përdorur teknologjinë në fushën e betejës.

Nuk është vetëm arkitekt Kauri që përpiqet ta pushtojë kështjellën me shkresa – edhe kryeveqilharxhi, një tjetër figurë kryesore në roman, tingëllon gjithnjë modern në shqetësimet, llogaritjet dhe parashikimet e tij; pa folur pastaj për derdhësin e topave, kryemekanikun Saruxha dhe mjekun ambicioz Siri Selimi, që kërkon ta mposhtë rezistencën e kështjellarëve me minj të infektuar, ose duke përdorur një armë të shkatërrimit në masë.[6]

Teksa Perandoria Osmane i hakërrohet Europës që nga brigjet e Adriatikut, një revolucion herë teknologjik, herë mirëfilli intelektual, po ndodh brenda ushtrisë që vjen nga Lindja: për ta mposhtur Perëndimin, ai duhet kopjuar.

Shenjat e kësaj përplasjeje, të këtij revolucioni i gjen kudo në narrativë: që nga rrahja e topave me kamzhik për t’i sjellë “në terezi”, te munxat që i jepen kështjellës dhe prania e përsëritur e astrologëve në mbledhjet e Këshillit, për të rekomanduar kalendarin e sulmeve. Hiper-racionalizmi i arkitekt Kaurit përplaset me supersticionin; dhe roli i një prijësi të urtë është që të arrijë t’ia shfrytëzojë energjinë kësaj përplasjeje tektonike, këtij konflikti metafizik. Ja ç’mendon për këtë alter ego-ja e autorit, kryeveqilharxhi:

Ndoshta, i dituri dhe i padituri, kur i shërbenin së njëjtës gjë, përbënin një lidhje shumë më të fortë se lidhja midis dy të diturish ose dy kryegdhesh, ashtu siç ishte më i fortë bronzi edhe nga bakri, edhe nga kallaji, prej lidhjes së të cilëve dilte. (152)

Kadareja do ta shtjellojë edhe më tutje tezën, për të sugjeruar – gjithnjë me gojën e kryeveqilharxhit – se Perandoria Osmane ia detyron suksesin e vet historik pikërisht kësaj martese të lumtur, mes dijes dhe padijes[7], seksit dhe aseksualitetit, arsyes dhe vullnetit të kulluar për sundim – gati të vjen të thuash, Europës dhe Azisë. Kësisoj, edhe shqiptarëve “të integruar” në Perandori do t’u rëndojë mbi supe një kryq historik ku e ku më i madh, se hapësira që zë Shqipëria në hartë.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht çdo lloj riprodhimi.

 


[1] Këtu e më poshtë, numrat pas citimeve janë të faqeve në Kadare, I., Vepra 3, Onufri 2008.

[2] Çfarë lë të kuptohet se ai e ka një gjuhë të vetën, edhe pse është e vështirë të përfytyrohet se me kë e flet. Pidgin-i të sugjeron edhe një lloj lingua franca të mjeshtërve ndërtues në Ballkan dhe në Azinë e Vogël – pa çka se e shkuara e personazhit nuk është gjë tjetër veçse katalogu i arritjeve të tij “profesionale” në shërbim të osmanëve.

[3] Njëlloj siç arrijnë të komunikojnë udhëzimet vizuale, si ato të IKEA-s, ose tekstet me emoji.

[4] Të vërehet edhe absurdi i këtij arkitekti që veç ndihmon me shkatërrimet: të mureve mbrojtëse, të portave të fortifikuara, të ujësjellësit, duke shpërndarë të njëjtin kaos që manifeston në ligjëratë – shpërbërjen.

[5] Këtë vëmendje të Kadaresë ndaj shqipes së përçudnuar që flasin të huajt, për shembull gratë e huaja, do ta ndeshim në shumë vepra të tjera, të mëvonshme se Rrethimi.

[6] Këtë konfliktualitet primordial e ilustron skena kur kryeveqilharxhi, në shoqëri të kryemekanikut Saruxha, arreston dhe dërgon në burg një oficer të jeniçerëve që ish tallur me arkitekt Kaurin, duke thënë se “një kalë u tregua më i mençur se ai” dhe pastaj se “qëllon që një kalë bën atë që nuk e bën dot njeriu me shkollë” (274).

[7] Të ketë vallë ndonjë lidhje midis kësaj rryme të nëndheshme në roman dhe përplasjes që po ndodhte gati haptazi, në Shqipërinë e fundviteve 1960, midis elitës së dalë nga Lufta dhe elitës teknokratike të formuar kryesisht në universitetet e Lindjes Europiane? Edhe pse I. Kadareja njihet për ekstrapolime të tilla, nuk është e nevojshme të thirret në ndihmë alegoria, për të shpjeguar një dukuri me natyrë universale, siç është ajo e konfliktit mes ekspertëve dhe aristokratëve në oborret mbretërore/perandorake dhe në kupolat e regjimeve autoritare.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin