MENDIME TË PAKREHURA (XXXIX)

(nga Stanislaw Lec*)

Parajsa nuk duhet të jetë në gjendje as që ta përfytyrojë ferrin.

La kokën, për breroren.

Kini kujdes nga ai njeri. E ngjyen thikën në bojë shkrimi.

Çdo vendi i është lejuar një sasi e kufizuar fjalësh, prandaj sa më shumë të përdorin pushtetarët, aq më pak mund të flasin nënshtetasit.

Kush i paraprin kohës së vet, shpesh vdes para kohe.

Nuk i përkulej askujt. Qëndronte shtrirë.

Koka – fushim i përkohshëm i mendimit.

Boshllëku në kokë ia shton individit lirinë për t’u zhvendosur.

Dita nuk pret për gjelin.

Kam frikë nga ata që i kushtohen me mish e me shpirt një çështjeje. Sepse ndonjëherë mbeten edhe pa mish, edhe pa shpirt.

Shkrimtari X? Zoti nuk i dha talent. Por ai ngul këmbë se nuk e pranoi, si ateist që është.

E ngrinin grushtin në shenjë proteste por, sapo u mbërrinte te koka, përshëndetnin.

Sipari nuk arrin ta fshehë një aktor të vërtetë.

Për disa aktorë, autori është thjesht një sufler.

Për shkak të zhvillimit teknologjik, kurajoja ushtarake nuk ekziston më: gjeneralët do të kenë rast të shquhen për kurajo civile.

“Duhet të thotë njeriu diçka” tha, dhe pështyu.

Kur e tejkalon dikë, kujdes se mos të duhet t’ia mbathësh prej tij.

Edhe honoraret që i jepen shkrimtarit janë kritikë letrare.

Është asket, nuk e përdor fare veten.

Sikur të kish pasur përpara një publik pagues, do t’ia kish ngritur siparin tragjedisë së vet personale.

Zëri i epokës është ndonjëherë pëshpërima e milionave.

Po sikur vdekja të ishte një ekzistencë e privuar nga anekdotat?

E mbyllën brenda në kornizën e kuadrit të varur prapa skrivanive.

Për fat të keq, i çmenduri mund të bëjë karierë vetëm në një shoqëri normale.

Shpesh merr njeriu frymë më kollaj në një qark të ngushtë.

Ah, të shposh dheun dhe të shohësh yjet!

Nuk më pëlqejnë bisedat e specialistëve. Por edhe më pak ato të jo-specialistëve.

Artistët e nivelit të ulët shpesh zënë shkallaret më të larta të shkallës sociale.

Nuk ekzistojnë gjuhë uniforme. Ekziston dialekti i qeveritarëve dhe ai i të qeverisurve.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin