TË LUASH ME ZJARR(TH)IN

Një tregimth nga Italo Calvino (Chi si contenta), më ka mbetur në mendje ndryshe nga tekstet e tij të tjera për arsye që edhe vetë nuk i kuptoj shumë mirë. E pata ndeshur për herë të parë në 1997, ose mu kur në Shqipëri kish plasur rrëmuja totale, pas kolapsit të shoqërive financiare, dhe aso kohe m’u duk sikur u përshtatej për bukuri bashkatdhetarëve të mi. Një përshtypje që më ka mbetur edhe sot, pa çka se për motive disi të tjera.

Po e sjell më parë në një përkthim që nuk është as i pari prej meje; ekziston edhe një tjetër, i bërë gjysmë me shaka, që e pata nxjerrë dikur në një listë diskutimesh online. Ky më poshtë është më serioz, dhe drejtpërdrejt nga italishtja.

TË MJAFTOHESH ME AQ[1]

Ishte një herë një qytezë ku gjithçka ishte e ndaluar.

Tani, meqë e vetmja gjë që nuk ndalohej ishte loja me cingla, banorët mblidheshin në ca lëndina prapa qytezës dhe i kalonin ditët duke luajtur me cingla.

Dhe meqë ndalimet u kishin ardhur pak nga pak dhe gjithnjë për arsye bindëse, nuk gjeje njeri që të protestonte dhe të mos ish në gjendje të përshtatej.

Kaluan vite. Një ditë, të parët e vendit panë që nuk kish më pse të ndalohej gjithçka dhe dërguan kasnecë për t’i lajmëruar njerëzit se mund të bënin, tash e tutje, ç’t’u donte e bardha zemër.

Kasnecët shkuan atje ku e kishin zakon banorët të mblidheshin.

“Dëgjoni, o njerëz,” u thanë. “Tani nuk ju ndalohet më asgjë.”

Po ata vazhdonin të luanin me cingla.

“E morët vesh apo jo,” këmbëngulën kasnecët. “Jeni të lirë të bëni ç’t’u dojë qejfi.”

“E morëm vesh, de,” thanë ata. “Por ne jemi duke luajtur me cingla.”

Kasnecët filluan t’u shpjegojnë sa punë të bukura e të dobishme mund të bënin, që dikur edhe vetë banorët e qytezës i kishin praktikuar, dhe që tani mund t’u ktheheshin pa merak. Por këta nuk ua vunë veshin dhe vazhduan të luanin, goditje pas goditjeje, pa u ndalur as që të rregullonin frymëmarrjen.

Meqë e panë se kot po lodheshin, kasnecët vajtën t’u rrëfejnë atyre të parisë.

“S’ka problem” thanë këta. “Le ta ndalojmë lojën me cingla, pra.”

Mirëpo këtë herë populli u ngrit në revolucion dhe e hoqi qafe parinë.

Pastaj, pa humbur kohë, iu kthye lojës me cingla.

____

I shkruar në 17 maj 1943, ky tregimth u botua vetëm pas vdekjes së Calvino-s. I krijuar në një kohë kur, për ta thënë me autorin “njeriu nuk i jep dot formë të qartë mendimit të vet, prandaj e shpreh në trajtë përrallash,” ai i referohet “një vargu eksperiencash politike dhe sociale të një të riu, gjatë agonisë së fashizmit.”

E megjithatë, kritikët kanë parë atje të pasqyruar – gjithnjë në trajtë alegorike – çfarë ndodhi me Partinë Komuniste Italiane (PCI), me shkrirjen e akujve që pasoi vdekjen e Stalinit: Calvino-ja ishte komunist me teserë, midis viteve 1944 dhe 1956 (u largua nga PCI pas ndërhyrjes sovjetike në Hungari). Kur shumë intelektualë prisnin që komunistët italianë të distancoheshin nga diktatura ideologjike staliniste – dhe të fillonin të merrnin frymë lirisht. Por kjo nuk ndodhi, dhe këta vazhduan, si të thuash, të luanin cinglash – meqë atë dinin të bënin dhe ashtu u pëlqente.

Procesi mund të skematizohet kështu: ti ke diçka në mendje që nuk e thua dot, sepse është subversive për kohën; atëherë e rrëfen në mënyrë alegorike. Por alegoria e mirë shpejt e këput kordonin umbilikal që e mban lidhur me realitetin të cilit i referohet, për t’u kthyer në realitet simbolik të mëvetësishëm; duke përfaqësuar një seri realitetesh të mundshme. Në një fazë të tretë, simboli përdoret për të interpretuar realitete të reja, meqë fiton vlera universale.

As Calvino-ja vetë nuk e sqaron se çfarë eksperience u pat bërë shkas për ta shkruar tregimin më lart; sepse e ka të qartë që ajo eksperiencë, si të tjera që do të vijnë më pas, tani përmbahen – në mënyrë sintetike – tek alegoria. Është fjala për rezistencën ndaj ndryshimit, që ndonjëherë, në mos shpesh, merr trajta absurde. Për shembull, i burgosuri që refuzon të lërë qelinë, edhe kur i thonë se mund të arratiset. Ose, në trajta të tjera, sindroma e Stokholmit. Banorët e qytezës e kishin fjetur mendjen, ishin përshtatur me një rend politik që u ndalonte gjithçka përveç lojës me cingla, dhe e kishin ndërtuar ekonominë e tyre të argëtimit rreth kësaj loje. Çfarë për ne të tjerët nuk është veçse lojë e thjeshtë, me dy shkopinj, për ta ishte shndërruar në çelësin e universit.

Përshtatja është karakteristikë e fitimtarit – po të dëgjojmë Darvinin; e megjithatë, në të ka diçka të përbindshme, që i referohet transformimit nga halli, ose asaj që i ndodh ujit, kur merr formën e enës. Por nga pikëpamja e atij që arrin të përshtatet, asgjë e tmerrshme nuk ka ndodhur: për çdo ndalim të ri nga jashtë, për çdo tabu të re, për çdo prangë dhe vargua të ri, ka një gjë të re që rivlerësohet, që rehabilitohet, që zbulohet rishtas.

Dhe këtu më vijnë ndërmend vitet e regjimit totalitar, i cili e ndërtonte marrëdhënien me ne, shtetasit, nëpërmjet një sistemi ndalimesh; meqë atë kohë gjithçka ishte e ndaluar, përveçse kur lejohej në mënyrë eksplicite. Meqë ndalimet e njëpasnjëshme ishin kthyer në normë, që nga prona private, te besimi fetar, nga kapërcimi i kufirit, te ndërrimi i vendbanimit, te dëgjimi i radiove të huaja e kështu me radhë, atëherë individi “i suksesshëm”, ose ai që përshtatej më mirë, ishte ai që kish hequr dorë vullnetarisht nga e drejta për të ushtruar lirinë e vet; dhe që mjaftohej tash e tutje me cinglat.

Çfarë të bën të rimendosh edhe vlerën e darvinizmit social, në rrethanat totalitare: survival of the fittest, por the fittest nuk është veçse njeriu i ri, që jo vetëm është përshtatur me mungesën e lirisë, por edhe nuk ka më nevojë për lirinë në kuptimin që i japim ne të tjerët. Unë do ta quaja këtë seleksion negativ. Njeriu i ri mbase i shërbente për bukuri mirëqenies së vet nën totalitarizëm – mes të tjerash, duke riprodhuar genet dhe memet e veta; por me rrëzimin e atij regjimi, i mbeti si ngushëllim vetëm ekspertiza në cingla. Me rezultatet që kemi parë dhe që po vazhdojmë të shohim.

Mirëpo alegoria nuk mund të zbërthehet kaq lehtë; meqë na duhet gjithnjë të merremi me kuptimin e lojës së cinglave, kësaj droge sociale ose këtij realiteti virtual, ku kishin gjetur strehë banorët e qytezës në tregimthin më lart. Është lojë, vërtet; dhe mund të përshkruhet me një sistem të mbyllur rregullash; por sa mund ta kuptojmë ne, që e shohim nga jashtë, investimin shpirtëror të atyre që nuk kanë tjetër gjë në jetë, veç lojës; dhe që brenda kësaj loje realizojnë, mes të tjerash, edhe lirinë sipas tyre?

Madje kur paria ua ndaloi, këta u ngritën në këmbë dhe e rrëzuan; pikërisht këta që deri dje kishin pranuar, pa kundërshtim, privimet e njëpasnjëshme, kufizimet, shtrëngimet, ndalimet; dhe duke vepruar kështu, u kishin krijuar të parëve të qytezës përshtypjen se ishin milet i urtë, që u mbante kurrizi gjithçka; madje edhe atë lloj ndalimi që do të bëhej nesër kinse në emër të emancipimit (një tjetër pyetje: a mund të ta japin lirinë, pa e kërkuar ti vetë?).

Tek e fundit, loja me cingla, do të ndalohej që këta të mund të shijonin gjithçka që u ish mohuar deri atëherë.

Nëse alegoria e Calvino-s i referohet vërtet realitetit post-totalitar, mbase 1997-ën duhet ta lexojmë si revolucionin e cinglaxhinjve: Ja një ftesë për diskutim, qoftë edhe me veten.

Të zhvendosemi tani njëzet vjet: protesta për mbrojtjen e teatrin, që për disa është e ekzagjeruar dhe deri edhe artificiale në raport me problemin “real”, por edhe në krahasim me situata të tjera problematike, në sektorë të tjerë të ekonomisë dhe të shoqërisë sociale (shih këtu edhe QIMJA DHE TRARI). Në fakt, ishte ky argument – që e kam dëgjuar herë pas here – që më risolli tek tregimi i Calvino-s: vallë të jetë Teatri versioni shqiptar i cinglave; dhe revolta e të gjithë atyre që duan ta ruajnë shprehje e refuzimit për ndryshim?

Përgjigjja nuk është aq drejtvizore, sa ç’mund të duket dhe mund t’u leverdisë disave. Sepse protesta – jo thjesht e aktorëve, siç e paraqitin disa për ta ripërmasuar; dhe aq më pak e SHQUP-it, siç e paraqitin disa të tjerë, që duan t’i shohin gjërat bardhezi; kjo protestë, pra, është e shoqërisë civile, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës; ose e një grupi njerëzish, në mos të organizuar, të paktën me vetëdije kolektive, që ndihen të kërcënuar në identitet nga politikat kulturore dhe ekonomike të pushtetit; ose edhe thjesht nga arroganca e pushtetit.

Këta njerëz kanë parë si pushteti i sotëm, hap pas hapi, po shfrytëzon shumicën aritmetike që ka në Parlament, për të vepruar siç dëshiron, ose pa i dhënë kujt llogari, kushedi për të kursyer energji, meqë dhënia e llogarisë kushton; ndoshta ngaqë e përçmon shoqërinë civile; ndoshta ngaqë e ka humbur durimin për të përballuar dialog racional me ata që e kundërshtojnë.

Në sferën kulturore, këta kanë vënë re ngushtimin progresiv të hapësirës për t’u shprehur – në mënyrë kulturore, artistike ose publicistike: kjo do t’i përgjigjej fazës së heqjes së lirive, në tregimin e Calvino-s, dhe që ka të bëjë me zhvlerësimin e njëpasnjëshëm të institucioneve kulturore publike, shpesh në emër të projekteve private ose edhe thjesht individuale.

Kur këta të gjithë morën vesh se pushteti e kish seriozisht me prishjen e Teatrit, realizuan – mes të tjerash – se Teatri ishte i vetmi institucion që u kish shpëtuar spastrimeve dhe bojatisjeve: meqë të tjerat, nga filmi te piktura, nga libri te televizioni, nga publicistika te muzika, nuk i ndienin më si të tyret, nuk i shihnin më si të tyret. Sado artificialisht, Teatri – në formën simbolike të selisë së vet që e përfaqëson si locus memoriae – erdhi e u shndërrua në selinë e identitetit të tyre civil.

Dhe sipas këtij interpretimi, revolta e tanishme do të rezultonte po aq e vendosur, po aq serioze, po aq ekstreme, sa edhe ajo e kasaballinjve të Calvino-s, që ngritën krye kundër ndalimit të lojës së cinglave; sepse nga të gjitha motivet që mund të ketë një rebelim, dëshpërimi ndoshta është ai më i fuqishmi.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në media.


[1] Titulli në italisht është “Chi si contenta”; në anglisht e kanë sjellë si “Making do.” Sipas një interpretimi, titulli i referohet proverbit “Chi si contenta, gode”, që mund të përkthehej lirshëm kështu: “kush nuk kërkon më shumë, shijon.”

7 Komente

  1. Nje nga shkrimet me te mira per “revolten e teatrit” e me gjere. Eshte kenaqesi te te lexosh Ardian Vehbiun! Te nxjerr nga mediokriteti qe ka mberthyer shume nga shkrimet e sotme!

  2. Shume te kursyer ne lavderime.
    Ky shkrim eshte nje kryeveper per modelin ” ne mos qofte , u sajofte”,
    Pretendohet per nje kauze te “shoqerise civile” me pikenisje teatrin ,por ne realitet ka vetem patetizem ne shkrime e ligjerime. Nje kauze qe nuk bind, qe nuk grumbullon mbeshtetes, qe te le indiferent eshte nje kauze ad hoc,nje pseudokauze.
    Ky front per mbrojtjen e teatrit te vjeter nuk eshte shume me teper se ai i dikurshmi ‘fronti demokratik katolik’ per ceshtjen e pllakes se Sulejmanit.
    Dobesia e kauzes duket edhe ne perpjeken per t’u paraqitur direkt apo indirekt me epersi morale e intelektuale ndaj kundershtareve dhe eshte tipikisht e ngjashme nga manierat me fushaten e mbrojtjes se O.Schmitt-it. Kurse per nga rezultati veshtire se mund te shkoje me tej se ajo e “mbrojtjes se parkut te liqenit” .
    Eshte po ashtu kjo dobesi e kauzes, qe orkestron nje sulm total ndaj personave te suksesshmen si Veliaj apo Rama, te cilet, jo se nuk kane gabime e mungesa e nuk meritojne te kritikohen , por nevoja per t’i denigruar pa permendur kurre ndonje vlere , flet vete per ‘kauzen’ dhe mjetet e saj.
    E vetmja rruge per sukses do te ishte te provohej ai korrupsion hipotetik ne ndertimin e godines se re, por qe, ose nuk ekziston ose nuk e provojne dot, gje qe eshte njesoj per mundesine e zgjerimit te protestes jashte rradheve te militanteve. Keta te fundit aty do te jene , me argumenta apo pa argumenta dhe nese s’ka aq me keq per argumentat.
    Mungesa e argumentave te forte nuk eshte e vetmja arsye e patetizmit. Ka edhe nje mekanizem psiqik qe shtyn per revansh ndaj deshtimeve te se shkuares, kolektive apo personale. Kjo do ishte gje e bukur te zhbirohej,..po eshte vape dhe pertojme.

    1. Një “kauze që nuk bind, që nuk grumbullon mbështetës, që të le indiferent” dhe “frontin demokratik” pas saj mund ta injorosh kollaj dhe mbaron puna. Po juve sikur ju ka pickuar miza e kalit nga një “pseudokauzë” dhe ca “shkrime dhe ligjërime” portalesh. Po sikur të mos jetë dhe aq pseudo kjo kauzë, pavarësisht nëse teatri shpëton ose jo nga prishja në shtator? Rama dhe Veliaj më duket se e kanë kuptuar këtë, ca të tjerë janë akoma të ngulur te gozhda e SHQUP-it.
      Meqë të pëlqen zhbirimi, hidhi një herë sytë nga “Fusha” dhe Veliaj dhe prokurori Petrit Fusha i çështjes Gjoklaj, se dhe kjo do ishte “gjë e bukur të zhbirohej”… kur të të dal sikleti i vapës sigurisht.

  3. Gjëlpërë,
    zemerimi eshte keshilltar i keq. Mos e personalizo.
    Po ke gje per ‘fusha’ a ‘male’ na i trego edhe neve se mund te shtojme rradhet e protestes.Se keshtu me miza kali e mizka buallice eshte kohe e humbur.

    1. Ke të drejtë, le ta mbajmë debatin jopersonal. Fjalinë e fundit pas (…) e tërheq; mund të fshihet nga admini.
      Nuk kam prova për Fushën dhe Veliaj, vetëm informacionet e bëra publike për ta dhe prokurorin e çështjes Gjoklaj, por shpresoj – në fakt e pres si qytetar shqiptar – një hetim serioz të çështjes së Teatrit prej prokurorisë shqiptare.

  4. Shkrimtaret u paraprine ngjarjeve te kohes, ndoshta intuita i ndihmon ne kete. Keshtu edhe Kalvino u ka paraprire aty ngjarjeve te pas dy muajve, e qe nisen gati nje muaj pas ketij tregimi, pasi ushtria italiane u baterdis ne Abisini dhe Greqi, dhe parlamenti italian gumezhinte kundra Duces, derisa e hoqi kete aty nga mesi i dyte i korrikut 1943 dhe vuri Badolion; ketu e pak jave me pare nisi ajo liri qe metaforizon tregimi kalvinian, (dhe qe ai e ironizon ne fakt). Edhe puna e teatrit shqiptar (pra ajo e teatrit kombetar) mua me duket se ka pak ngjashmeri me kete fabul te Kalvinos, pasi ne vitet 90 aktoret ishin kundra ketij teatri te rrenuar, ndersa tani ngrihen dhe e mbrojne. Per fat, kjo mbrojtje i ka kristalizuar deri diku qendrimet, ka shpalosur problemet e dhomave te brendshme ne ndertesen e re projekt, por nuk ka shtruar problemin e pershtatjes se nderteses se re me ndertesat perreth. Nejse, ky i fundit eshte problem tjeter pastaj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin