ORA NË RADIO, KOHA PËR RADIO

I kujtohet akoma njeriu si e ka pasë dhënë orën Radio Tirana? E gjitha fillonte me pak heshtje, pastaj dëgjoheshin katër bipe të shkurtra dhe një bip më i gjatë[1], dhe më në fund zëri i “asaj gruas” që thoshte: “ora katërmbëdhjetë…” etj.

Mua më ka nisur fëmijëria me radio – dhe njoftimin e orës së saktë e dëgjoja i pataksur, që pa e ditur se ç’ishte tamam dhe për ç’vlente. Por edhe më vonë, kur mësova ta lexoj, sërish më pështjellonte sistemi 24-orësh, aq më tepër që numra si 14, 20 etj. nuk i shihje në fushat e orëve.

Ka qenë një kohë, meqë ra fjala, kur i vështroja fushët e orëve si i hipnotizuar, në përpjekje dëshpërimtare për ta kapur akrepin e minutave në lëvizje. Akrepi i sekondave nuk më interesonte, ndërsa ai i orëve më dukej “i rritur” (18+), ose përtej horizontit tim prej kalamani; pa çka se më i shkurtër se dy të tjerët (edhe pse me logjikë duhej të ish më i gjatë, si më i rëndësishmi; më pas do ta krahasoja me Napoleonin).

Dhe akrepat e orës – në mure, në tryeza, në komodina, në kyçet e duarve, ndonjëherë në kulla – herë buzëqeshnin e herë ngryseshin, herë refuzonin e herë luteshin, herë rrinin gatitu e herë krahëhapur, herë vareshin e lëshoheshin si të kapitur, herë bënin spakatën, herë bënin skuadrën… Mund të ndërtoje një teori të gjimnastikës, me konfigurimet e tyre; një teori të gjestikulimit kronologjik!

Por një gjë ishte ora në mur (pa zënë në gojë orën në një fotografi), një gjë tjetër ajo që lajmërohej në radio; njëra shihej tjetra dëgjohej; edhe pse do të doja që ta shihja me sy orën që mbante përpara “ajo gruaja”, kur ia lexonte shqiptarisë anembanë: “ora njëzetedy” (siç do të doja që ta shihja me sy edhe atë gruan vetë, që e përfytyroja me vithe të gjëra solide dhe flokë të bëra permanent dhe sqetullat që tashmë kishin filluar t’i fermentoheshin, për shkak të vapës në studio).

Kaq gjë e pata mësuar menjëherë: pas orës 12 të drekës kurrë nuk duhej ta thoja orën edhe unë si radioja: prezantimi im i parë me regjistrin formal. Radioja mund ta thoshte “ora katërmbëdhjetë”, por unë duhej të bëja kujdes dhe të thoja “ora dy”.

Ora e lajmëruar me radio dhe e dëgjuar në shtëpitë, në dyqanet, te berberi, te këpucari, te qendra e zërit, në repartin ushtarak, madje edhe në spital, ishte edhe një ftesë për të verifikuar aparatet tona – sepse orët tona mekanike gjithnjë punonin keq, ca shkonin përpara, ca mbeteshin prapa; ca të tjera harronim t’i kurdisnim.

Pastaj vinte momenti i së vërtetës, ose i ballafaqimit me realitetin objektiv: ora pesëmbëdhjetë. Rregullojini orët, o njerëz të mirë: shteti ju do të sinkronizuar.

Sinkronizimi – ja një koncept që unë atëherë nuk e kuptoja, por ndoshta e rrokja me intuitë. Të gjithë duhej t’i kishim orët njëlloj. Siç besonim të gjithë te ndërtimi i socializmit, siç ishim të gjithë qytetarë të “Republikës”.  Ka diçka ushtarake te kjo praktikë; diçka koreografike dhe të bashkërenduar në detajet. Ora – si matje e kohës – shndërrohet në një metronom të historisë, që duhet luajtur sipas ritmit të duhur.

Radioja, me përkufizim, jepte orën e saktë; nuk mund të ndodhte që radioja të ishte gabim. Ose më mirë – ora e saktë, me përkufizim, ishte ajo që jepej nga radioja. Po të thoshte “ajo gruaja” se ora ishte njëzet e tre, atëherë ora ishte njëzet e tre.

Lëvizjet e sferave kozmike projektoheshin në studion qendrore të Radio Tiranës. Madje, madje, studios së Radio Tiranës i rrihte zemra me kozmosin.

Aso kohe, Radio RAI i informonte dëgjuesit se sinjalet orare gjatë ditës i vinin nga Instituti Elektroteknik Kombëtar “Galileo Ferraris”, në Torino. Po Radio Tirana nga i merrte sinjalet e veta? Nga ç’laborator, nga ç’shpellë sekrete, nga ç’observator astronomik?

Sot tundohem të them se i vinin nga RAI, kur nuk i vinin nga ora Восток e drejtorit rondokop të Institucionit.

Ngaqë ishte gjithnjë e saktë, ora e lajmëruar me radio përcillte edhe autoritet; autoritet të pagabueshëm. Nëpërmjet saj, shteti (“shteti”) projektonte mbi ne kursin e udhëtimit të vet triumfal nëpër histori; teksa sinkronizimi – detyrë e çdo qytetari – e shndërronte masën e shtetasve në organizëm të bindur dhe reaktiv.

Pesë bipe: katër të shkurtra, një i gjatë. Këto ishin zhurma elektronike, fantashkencore, të lëshuara nga një aparaturë me llamba vakuumi; krijesë inxhinierike që nuk gabonte, që njihte veç drejtëzën, këndin e drejtë dhe rrethin. Gjithnjë kisha dashur që ta njihja atë aparaturë – t’ia dëgjoja bipet live, t’ia prekja burmat, t’ia nuhatja ngrohtësinë që çlironin llambat e vakuumit, njëlloj siç nuhatja afshin që lëshonte radioja në shtëpi, përmes vrimave në kartonin e trashë prapa.

Më vonë më kanë shpjeguar se ora e saktë, e lajmëruar nga Radio Tirana, përhapej me valë anembanë botës; madje edhe më tej, në hapësirën kozmike, tutje përtej orbitave së Hënës dhe të Marsit, drejt Jupiterit dhe unazave të Saturnit, dhe më tutje akoma, mes për mes resë Van Oort e rrafshirave të zeza ku i lëshojnë vezët kometat, dhe më tutje akoma…

Me pak durim, krejt universi do të mund t’i rregullonte orët me Radion tonë – dhe veç mirë do të bëhej.

Ende fëmijë kam qenë edhe kur u inaugurua Pallati i Kulturës në Tiranë, dhe nuk e harroj që, kur e vizitova herën e parë, gjysmë i dehur me erën e athët të linoleumit dhe të polivinilit, më mbetën sytë te ca orë të një lloji tjetër, të varura në muret: këto nuk komunikonin me akrepa, por me numra që u ndërroheshin si faqet e një libri, me një zhurmë të keqe.

Jo më lëvizje qarkore, as harmoni të sferave; por vetëm një kthim faqeje, të menjëhershëm dhe tinëzar.

Të njëjtin mekanizëm e gjen sot e kësaj dite në ca tabela të mëdha oraresh në stacione trenash – ku numrat dhe shkronjat kapsalliten në frenezi, sa herë që ndërron diçka, me një zhurmë si të ndonjë bixhosçiu nervoz, që përzien letrat pasi ka humbur shtëpi e katandi, para se t’i ndajë sërish.

Orët e kinezëve më mahnitën, por nuk më pëlqyen – sepse i rrafshonin hierarkitë mes momenteve, duke i rrëzuar nga froni orët e plota. Si ora 9:00, si ora 9:02 shfaqeshin njëlloj, barazimtarisht, me të njëjtat zhurma, me të njëjtat shfletime dhe përplasje skedash plastike, si duartrokitje të pavendosura dhe jashtë faze gjatë një koncerti me muzikë dhome.

Përkundrazi, Radio Tirana na kish mësuar që në krye të respektonim orët e plota, duke i lajmëruar ato me bipe: katër të shkurtra, i pesti më gjatë: bip-bip-bip-bip-biiiiiip: Ora nëntëmbëdhjetë.

Ora e plotë ishte më domethënëse se të tjerat; sepse jepte orientimin, Nordin, vijën politike për gjashtëdhjetë minutat që do ta pasonin; por edhe sepse nuk pranonte bishtra nga pas, as linte shteg për korrigjime të kursit. Ishte proletare, progresiste, e thjeshtë si e vërteta.

Dhe çdo orë e plotë ndryshonte në kuptim nga tjetra: si mund ta krahasoje dhe seriozisht ta njësoje orën “shtatë” me orën “nëntëmbëdhjetë”? E para ishte e shkurtër si urdhër dite, e rruar taze, me sytë ende të shndritshëm nga sapuni i mëngjesit; e dyta dëgjohej e rënduar, shumërrokëshe, me xhepat plot rraqe, shaminë plot qyrre dhe këmbët që i zienin në këpucë…

Jo më kot në orët e plota jepeshin lajmet – që mes të tjerash na siguronin se shteti, grusht bashkuar me qytetarët e vet, po ecte në drejtimin e duhur dhe se bota gjendej tashmë në krizë pa kthim. Por lajmet e orës “katërmbëdhjetë” nuk kishin gjë të përbashkët me revistën radiofonike të mbrëmjes: të parave mund edhe t’u shpëtonte ndonjë gabim që ndreqej pastaj sakaq, të dytave nuk u lejohej.

Revista radiofonike e mbrëmjes, ose ora njëzet, si ora e procesverbalit të ditës; ose mbrëmja e vallëzimit për mendjet e shqetësuara të shtetit.

Më e mbrapshta nga të gjitha orët ishte katra, si pikëpresje: në katër pasdite ishte gjithnjë vonë; në katër të mëngjesit gjithnjë herët. E thoshin edhe njerëzit: s’më ka zënë gjumi mbrëmë deri në katër; s’kam mbyllur sy mbrëmë deri në katër. Ose edhe e kundërta: më doli gjumi në katër. Se katra e natës (e mëngjesit) ishte nga ato orë që nuk duheshin përjetuar, përveçse në hall. Së bashku me treshin, ishin nga ato orë që s’i përkisnin tamam as natës, as mëngjesit, madje mund ta kuptoje deri edhe natyrën e dikujt nga emri që u vinte: në tre të natës, apo në tre të mëngjesit? Mua sot e dyta më tingëllon më optimiste, më revolucionare – me fytyrë të kthyer nga e ardhmja. Por kjo varet edhe ngase ke ndenjur zgjuar deri atëherë, apo atëherë të kanë zgjuar. Pa folur për rastin e rrallë kur të zgjojnë në tre të mëngjesit, kur ty sapo të ka zënë gjumi…

Dhe pa folur për gjërat e rënda që ndodhnin ndaj të gdhirë: dikush jepte shpirt pa e thënë një last word, dikush vinte te kjo botë duke ulëritur, dikush digjte dorëshkrimet që kish ruajtur në kasafortë, dikush i lyer kokë e këmbë me sallo kalonte ilegalisht kufirin me not; dikush mbyllte në zarf letrën anonime; dikujt tjetër i dërgonin Gazin te dera; një grua e fyer dhe e mufatur bënte valixhen; një patriark rrëzohej dhe dambllosej mu tek dera e halesë… Ishte orë liminale, orë kur kur penjtë e tegelit që mban universin të qepur bashkë vinin e holloheshin deri në këputje, prandaj edhe ti bëje mirë të mos ishe aty, ose të paktën të ktheje kokën në anën tjetër për të mos parë e për të mos rrëfyer më pas. Ora e ngjizjes së intrigave, ora e dëbimeve madhështore, ora e tradhtive dhe e deponimeve, ora e halucinacioneve dhe e kontaktit me transhendencën.

Për të gjitha këto arsye, por edhe për të mos ua trazuar shtetasve gjumin e merituar pas një dite të lodhshme, Radio Tirana nuk transmetonte natën: kur qëllonte ta ndizje radion, pa e pasë lëvizur shigjetën e sintonizatorit nga aty ku gjendej një mbrëmje më parë, antena përgjigjej me heshtje qejfmbetur, ose edhe më keq, të përcillte ndonjë gërvimë danteske, ndonjë monolog malefik së prapthi, si prej shpirti të keq të depërtuar, përkohësisht, në hapësirën e së mirës; gjiriz në orvatje për t’u kthyer e për t’u rithithur nga orificet e prejardhjes. Armiku përfitonte pa çka se vetëm përkohësisht, nga errësira. Pastaj Radio Tirana zgjohej nga gjumi në të zbardhur, së bashku me byrektoret, furrat e bukës, biletaritë, bulmetoret, piteritë, gomisteritë, mëngjesoret, kaldajat e lavanderive dhe të çerdheve dhe kafetë e autobusëve urbanë – dikur nga ora 5:00:, duke i filluar emisionet zakonisht me valle popullore nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Pa vonesë ia behte edhe gjimnastika e mëngjesit, ku një trashaluq me zë të çalë (tani e përfytyroj si të alkoolizuar dhe me gjithfarë mërish të vogla horizontale; dhe që vetë kish hequr dorë prej kohësh nga ushtrimet që u urdhëronte të tjerëve), i përshkruante lëvizjet e gjymtyrëve si të ishin lëvizje të plogëta akrepash, nën shoqërimin e një pianoje të çakorduar. Një-dy-tre-katër, një-dy-tre-katër, pothuajse e njëjta sekuencë me atë të bipeve orare, a thua se edhe trupi duhej bërë gati për sinkronizimin e përgjithshëm. Ngaqë mungonte suporti vizual, përshkrimet gjimnastikore merrnin një ton si prej ndihmës-mjeku në fund të orarit të punës, që i shpjegon pacientit se ç’pozicion duhet të zërë në krevat, për ta ekspozuar sa më mirë çibanin.

Nga natyra e vet, radioja ishte e dalë mendsh; vetvetiu e marrë; por në marrëzinë e vet kishte metodë. Një herë në gjashtëdhjetë minuta, e mblidhte veten – teksa mbarë vendi (“i madh e i vogël”) mbante frymën në pritje të lajmërimit se koha vazhdonte të matej normalisht, si rekrutët në pritje të komandës rreshtore pasuese që do t’ua konfirmonte statusin prej kokash të qethura. Ndryshe nga rrjedha e kohës në vendet kapitaliste, e ngecur në cirkularitet, koha socialiste ishte progresive, sepse zhvendosej në formë spirali. Gjashta e pasdites sot do të ishte një hap përpara, në krahasim me gjashtën e pasdites dje. Dhe gjashta e pasdites nesër do të ngjitej, natyrisht, edhe më lart akoma.

Një herë tjetër, do të flas për “atë gruan.”

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.

 


[1] Të paktën kështu më kujtohet mua. Shumë radio-stacione sot përdorin një sekuencë prej 6 bipesh; por ka edhe të tjera që përdorin vetëm 5, ose edhe 4 a 3.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin