PIKTURA SIKUR PROFECI

nga Teuta Toska

Këto ditë që sheshi përpara Teatrit Kombëtar është bërë sheshi më i rëndësishëm i Tiranës dhe tribunë e mendimit të lirë, pak metra më tej, në një godinë tjetër që përmendet po aq shpesh si e rrezikuar nga furia arkitekturore e së Majtës (meqë e shfaqën, si asnjëherë më parë, me votim vullnetin arkitekturor për një qytet), në Galerinë Kombëtare të Arteve është e hapur ekspozita e njërit prej piktorëve më të rëndësishëm të këtij arti sot në Shqipëri, Edi Hilës, ekspozitë e quajtur “Piktori i transformimit”. E zhytur në një heshtje mistike e të detyrueshme (brenda galerisë spektatori ka nevojë për heshtje dhe kjo i garantohet me ligj) e gjithë ngrehina duket sikur i kundërvihet zhurmës trallisëse të Pedonales dhe fjalimeve të aktorëve, regjisorëve, gazetarëve, poetëve, shkrimtarëve, filozofëve, intelektualëve dhe ndonjë politikani të lirë, të cilët prej shumë javësh janë duke diskutuar dhe argumentuar, si në agoranë e qytetit që e lindi botën perëndimore, idetë e tyre për shtetin, të drejtën, kulturën, trashëgiminë, njeriun, shpresën, Shqipërinë.

E mua më duket, gjithë këto kohë, se pikturat e kësaj ekspozite janë duke bërtitur po aq fort sa pjesa më e madhe e atyre që i shfaqen përbri Galerisë me ligjërata të arsyeshme e plot ndjenjë. Një rastësi? Si një kumt profetik, disa nga pikturat më të njohura të piktorit janë si një hartë e asaj që po ndodh tani dhe që pritet të ndodhë më vonë në Shqipëri nëse një forcë – nga brenda nesh a jashtë nesh a lart nesh – nuk do të ndërhyjë për ta ndalur këtë rrugëtim të kombit, ku po e çon shteti i vet.

“Transformimi” është fjala që përshkruan tërë krijimtarinë e piktorit, që mund t’i referohet edhe vetë piktorit – formës dhe teknikave artistike që ai ka përvetësuar e ndryshuar në rrjedhë të viteve, tematikës që ai e qendërzon në pikturat e veta – por ndoshta edhe asaj që po ndodh në Shqipëri, që piktori e tematizon si “transformim”, e pasqyruar kryesisht kjo prej “ndërtimit”[1], shenjës së pushtetit njerëzor në qytet e në natyrë. Kjo gjurmë në tekst, si shenjë e fuqisë, e intelektit, pasurisë apo edhe e vesit dhe ligësisë së njeriut, bëhet pasqyra më e qartë ku mund të lexohet marrëdhënia e kobshme e njeriut, por sidomos e shqiptarit, me natyrën dhe me qytetin këto 30 vite.

Mendoj se pjesa më e madhe e pikturave rrëfejnë si në një imazh të kondensuar ëndrre, ku bashkohet në një sekondë koha e hapësira, e tashmja me të kaluarën – dhe në këtë rast prej artistit edhe e ardhmja – atë që po ndodh dhe pritet të ndodhë në Shqipëri.

Por desha të ndaloj te një pikturë e cila veçanërisht prek thellë dhe zbulon realitete, sipas meje. Piktura titullohet “Në diellin e ngrohtë[2].

Kur e pashë për herë të parë këtë pikturë, më përfshiu një ndjenjë ligështie që u kthye në ngashërim. Më erdhi ndërmend një shprehje që e kisha hasur në një libër “Nxehtësi e madhe, dritë në venitje[3]. Pashë aty Shqipërinë time, si një pamje që zbulon gjithë tërësinë, njerëzit e saj dhe çfarë po ndodh këto vite. Ashtu si di ta shohë artisti përmes depërtimit që e karakterizon procesin krijues duke hyrë thellë në shpirtin e kombit të vet. Shoh si kjo pikturë pasqyron ndershmërisht transformimin shpirtëror që po i ndodh njeriut dhe shoqërisë sonë sot, pa e maskuar atë nga propaganda mediatike krejtësisht e politizuar dhe e skajuar apo nga ftohtësia dhe largësia e shkencores.

Piktura është një peizazh plazhi. Këtë e kupton menjëherë nga çadra shumëngjyrëshe dhe njerëz nën to, shumica të ulur dhe disa në këmbë, të cilët duket se po marrin rrezet e diellit të ngrohtë. Deti nuk duket gjëkundi. Personazhi qendror në pikturë është një anije e madhe me ngjyra të zeza dhe gri, që e bëjnë të duket si një luftanije, në gjendje të mirë dhe gati për ndonjë mision ushtarak. Ajo nuk e zë qendrën e pikturës, por është e zhvendosur pak në të djathtë, për t’i lënë vendin e mbetur të bregut të detit një objekti që ndoshta mund të jetë ndonjë ndërtim, por që duket më fort se ka linjat e një nëndetëseje që ka dalë në breg. Plazhistët nuk e shohin detin përpara tyre dhe askush nga ata nuk është me drejtim nga deti. Çdo çadër është si një mikrokozmos dhe njerëzit duket se janë duke u marrë me njëri-tjetrin dhe nuk dallon asnjë sjellje tipike të dikujt që bën plazh.

Kjo anije në breg të detit nuk është një fantazi e piktorit. Kohë më parë e pashë me sytë e mi një përbindësh të tillë hekurash të ndryshkur, bashi i së cilës kishte ngecur në bregun e detit të Durrësit. Kjo anije them se është edhe sot e kësaj dite dhe, me sa shoh në internet, është një pikë në itinerarin turistik të Durrësit[4]. “Përbindëshi” i detit në kohën kur e pashë mbante mbi kuvertë, si çdo gjë që ka njëfarë tërheqjeje e çudie në Shqipëri, një bar.

Anija që gjendet në plazhin e Durrësit është me bashin e ngecur në rërë. Duket sikur ka mësyrë bregun prej një çmendurie të kapitenit. Ndryshe nga drejtimi i kësaj anijeje, objektet ushtarake në pikturë janë vendosur me drejtim horizontal dhe kanë zënë krejt bregun e detit. Vetëm në të djathtë, nga ana e bashit duket një hapësirë e lirë për të parë dhe për të hyrë në det. Po aty duket se ka një grumbull të pazakontë njerëzish a gjësendesh, sa ta bën të vështirë të kuptosh se ku dhe si mund të hysh në det. Deti duket në një gri të zbardhëllyer tutje në horizont. Ai është aty, por njerëzit nuk duan t’ia dinë. Asnjë shenjë njeriu nuk duket aty, asnjë kokë notuese. Po bëhet plazh pa elementin më të qenësishëm, detin?

Nga ana tjetër e pikturës, nga ana e shikuesit, shfaqen objektet e njohura të peizazhit detar në Shqipëri: bunkerët. Duket se një dorë e fuqishme, në fakt një makineri e fuqishme, i ka thyer ata mes për mes në përpjekje për t’i shkatërruar, por pa mundur. Tre bunkerë thuajse të shkatërruar i shtrojnë shikuesit udhën për në këtë plazh zhgjëndrre. Pjesë e kësaj udhe janë edhe disa sende që duken si inerte të mbetura pas, ndoshta nga ndonjë bunker i thërrmuar me sukses. Ngjyrat që zotërojnë tablonë janë nuanca të shumëllojta të grisë, e zeza dhe një kafe e ngjyer fort në gri. Në këto gri janë edhe pjesa më e madhe e çadrave të plazhit, me përjashtim të disave prej tyre, me ca ngjyra të tjera që po veniten edhe ato dhe po gëlltiten nga grija. E njoh këtë gri që e vesh shpeshherë qiellin e Shqipërisë në mesditat përvëluese të korrikut.

Deti në imagjinatën tonë si individë, por edhe si komb, jo vetëm këto 30 vitet e fundit, lidhet me një ide të rrugëdaljes për tek liria. Pa forcë të arsyes për të zgjidhur me veten dhe mes vetes konfliktet ekzistenciale, njeriu zgjedh të kërkojë lirinë përmes ikjes, daljes dhe zhvendosjes në hapësirë. Eksodi masiv i fillimit të viteve ’90 është një imazh që rri ngulur në kujtesën kolektive. Por në këtë pikturë, rruga nga deti është e zënë dhe horizonti i penguar, vija bregdetare e zaptuar prej një pushteti demonik në dukje jonjerëzor. Asnjë rrugëdalje për nga liria. Dhe këtë duket se e kupton ti, shikuesi, por jo ata që kanë zgjedhur të bëjnë çlodhjen dhe prehjen e trupit e të shpirtit [apo topitjen e të dyjave] aty, në çadrat e veta, në atë diell që ngroh në një dritë në venitje, sekush i izoluar në gënjimin e vet.

Ajo që të mbush me ligështi është shkujdesja e atyre njerëzve, normaliteti që tregojnë përpara përçudnimit të natyrores, indiferenca përpara atyre objekteve që duhet të jenë të pazakonta për një bregdet, këmbëngulja për të qëndruar dhe për të bërë plazh në këtë peizazh kaq të papërshtatshëm, që nuk ka asgjë për njeriun, për çlodhjen e tij, për kënaqësinë e tij. A gjendet aty përqark ndonjë objekt që e mbush njeriun me kënaqësi? A mundet që njeriu të zhytet në një soditje paanësie, siç e kërkon përballja me këtë peizazh? A ka diçka aty përqark që njeriut t’i bëjë mirë për shëndetin fizik e mendor? Ne si shikues nuk shohim asgjë të tillë. Njerëzit bëjnë sikur e dinë burimin e soditjes dhe të kënaqësisë përqark tyre ose ata po përshtaten me këtë peizazh, sepse nuk kanë asnjë tjetër më të mirë sesa ky.

Dhe ajo që më ligështon edhe më shumë, është se kjo gjë po ndodh në Shqipëri. Po ndodh me ne, si pa e kuptuar. Po mësohemi me shëmtinë përqark nesh, duke mësuar se nuk ka asgjë më të mirë. Duhet ta gjejmë diçka që i duhet njeriut në këtë peizazh që po shkretohet përditë dhe po zhytet në anormalitet, absurditet, në këtë zaptim të natyrës prej njeriut, në këtë sundim të njerëzores mbi natyroren. Po vjen vallë koha që do të shtrëngohem të rivlerësoj të shëmtuarën, të bukurën, të vërtetën, të madhërishmen?

Një pjesë e kritikëve shprehen se Edi Hila nuk flet shpesh për krijimet e tij[5]. Më duket se kjo ekspozitë është britmë e fortë e artistit këto ditë të vështira së bashku me kolegët e tij pak metra më andej. Dhe si një rastësi e kobshme, ekspozita “Piktori i transformimit” po parathotë çfarë do të pasojë aty diku afër, ose mu aty te vendi i kumtit sikur profetik të pikturës.

 

(c) 2018, autorja


[1] Në një pjesë të madhe pikturat e Edi Hilës kanë për temë qendrore “ndërtimin”, si për shembull: “Shtëpia e bardhë” (2000), “Shtëpia në gurë” (2004), “Shtëpia e historisë së gjelbër” (2005), “Panorama e mbrëmjes” (2006), seria “Periferia” (2011), seria “Penthouse” (2013), seria “Bulevard” (2015).

[2] Piktura që është në sfond të këtij lajmi: https://artmuseum.pl/en/wystawy/edi-hila-malarz-transformacji

[3] Ky është një titull kapitulli nga libri “A mund të jetojë njeriu pa Perëndinë?”, i filozofit dhe apologjetit të  njohur të krishterë Ravi Zacharias (botuar në 1999 nga shtëpia botuese “Shigjeta”, f.7)

[4] http://mapio.net/pic/p-19057640/

[5] https://peizazhe.com/2018/03/03/rreth-klasicizmit-te-supozuar-te-edi-hiles/#_ftnref1

9 Komente

  1. Nje analize e shkelqyer e diskursit te piktorit. Pergezime Teuta per nuhatjen e mprehte dhe aftesine per t’i jashtesuar dhe materializuar bukur reflektimet e tua. Ne fakt, keto duhet te jene reflektimet e nje kombi. Tek lexoja. mua m’u kujtua Laokoonti i Kadarese. Shpresojme te kete shqiptare te vemendshem ndaj sinjaleve te artisteve, te cfaredolloj natyre qofshin…

  2. Në pikturë kritika mbetet statike. Nëse të pëlqen për mënyrën si e transmeton kritikën, apo thjesht të trishton kur e shikon, ajo mbetet aty, madje mund të duket se të përplaset në fytyrë si një shuplakë.

    Po pastaj, ç’ndodh? Varet nga ata që e shohin pikturën. Mund t’i zënë sytë me dorë ose të ndërrojnë rrugën kur qëllon të kalojnë asaj ane. Ose t’i blejnë, t’i vendosin në ambjentin ku harxhojnë pjesën më të madhe të kohës, duke i patur para syve si arsye për të qenë të motivuar gjatë ditës.

    Ky akt i fundit, i vlerësuar si një mundësi, më kujton një psikolog kanadez i cili ka vendosur në muret e shtëpisë së tij tablo të real-socializmit rus, jo sepse adhuron Leninin dhe Stalinin, po pikërisht sepse i shërbenin për ta motivuar kur punonte për të zbërthyer rreziqet që mbart psikologjia e nënshtrimit.

    Në rastin e pikturave të E. Hilës, ndoshta do ishte vërtetë e dobishme të bliheshin nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, me një gjest avanguard dhe rivalizues ndaj mureve të mbushura me insekte shumëngjyrësh të KM.

    Ndryshe qëndron puna e kritikës kur përdoret zeja e shkrimit. Kur e keqja shihet si profeci, pa dashje dëshmohet/predikohet një lloj pasiviteti edhe më i keq se vetë e keqja.

    Ben Okri, një shkrimtar dhe poet i mënçur nigerian shkruan diku: “To poison a nation, poison its stories. A demoralised nation tells demoralised stories to itself. Beware of the storytellers who are not fully conscious of the importance of their gifts, and who are irresponsible in the application of their art.”

    Dhe për ta mbyllur po me një ekologjist afrikan (bën nxehtë në Tiranë tani në drekë ja kanë marrë këngës gjinkallat):

    “In the end we will conserve only what we love. We love only what we understand. We will understand only what we are taught.” – Baba Doium

  3. Shoh tek Lapsi.al në krye të faqes një kompozim të një tjëtër artisti, Avni Delvinës, me teatrin e prishur dhe të riun në sfond. Por e kanë prerë imazhin aq sa të hiqet emri i autorit i stampuar në imazh.

    Shkrimi i Lapsit evidenton 11 mashtrime, të supozuara, servirur publikut në çështjen e teatrit.

    Por çfarë morali i përçon publikut, të paktën atij që e njeh punën e Avni Delvinës, kur në një shkrim që denoncon mashtrimet, vetë portali është duke mashtruar me përkatësinë intelektuale të materialit? Që mashtrimi është i keq kur bëht vetëm nga ata? Apo meqë mashtrimi funksionon me ata që nuk e njohin Avni Delvinën, çdo gjë është në rregull? Përsa kohë ata që njohin punën e Delvinës janë minoritet.

    P.S. Avniu ndoshta është mësuar që ia vjedhin imazhet, se i shoh gjithandej në internet pa referencë.

    1. Një nga synimet e vjedhësve të copyright-it është që ta “natyralizojnë” vjedhjen, në kuptimin “ça të keqe ka (mër jahu)?”. Nuk kanë as guximin e hajdutit të mirëfilltë, i cili e di që do të shkojë burg, po ta kapin. Këta duan që, me të njëjtin akt të vjedhjes, të dekriminalizojnë edhe vetë vjedhjen, si koncept. Sepse kur e bëjnë “këta” nuk është krim. Se “edhe atij tjetrit mirë i bohet.” Dje lexova që edhe Arbër Zaimit ia kishin vjedhur, lock stock and barrel, një shkrim të vetin; dhe këtë e kish bërë një opinionist relativisht i njohur, që e kish botuar vjedhjen në portalin POLITIKO. Dhe rrezik se po t’i shkosh këtij të fundit dhe t’i thuash që ç’pate që ia more Zaimit shkrimin, do të përgjigjet: “po ai vetë e pat nxjerrë te blogu, pa ia kërku njeri”. Me demek, kur je ti kaq budalla dhe shkruan pa të porositur kush, ç’dreqin ke që ankohesh tani? Edhe të vjedhin, edhe të bëjnë budalla. Dhe meqë ra fjala, unë këtë do ta futja në përkufizimin e termit “çun tirone”: delinkuent i lehtë dhe inkosekuencial, që përnjëmend kujton se pisllëqet që bën nuk janë krime dhe as meritojnë ndëshkim, ngaqë i ka kryer ai që e ka pedigree-n pa të sharë (dhe jo ndonjë hajn nga maja e malit). Sorry, jashtë teme edhe unë, por nuk durova dot 🙂

  4. Piktura si profeci – por unë do të shtoja: piktori i mirë na mëson si ta shohim botën. Gjëra që kanë qenë atje, por që është dashur t’i shohim në telajo, për t’i shquar. Mua më ndodh kjo sa herë: gati-gati, sikur piktura të jetë kodi, ndërsa realiteti mesazhi. Edhe për tablonë më lart – që më pëlqen shumë – do të thoja që do të na bëjë ta shohim Durrësin ndryshe: si pranëvënie të rërës, betonit dhe çelikut; tre lëndë, të treja njëlloj armiqësore ndaj lëkurës (ose asaj pjese të trupit që e përjeton e para plazhin). Lëkura duhej të merrte pjesë në shijimin e ujit dhe të dritës, por pa dashur përfundon bashkëfajtore në agresionin e materies inerte ndaj lëvizjes dhe jetës. Ky është njeriu që përshtatet – duke qenë përshtatja edhe bekimi, edhe mallkimi ynë njëherësh. Dhe ironia tjetër: anija që duhet të na shërbente, në rrethana normale, si portëhyrje drejt detit, tani e ndan atë, perde e hekurt, prej masës së njerëzve. Për mua, që e kam jetuar njëfarësoj 1990-ën dhe ri-interpretimin aq brutal të Adriatikut prej bashkatdhetarëve të mi, anija e ngecur në rërë është e njëjta me atë që i transportoi refugjatët e historisë totalitare drejt brigjeve përballë. Sepse pas ikjes së refugjatëve, përfshi këtu edhe Otranton, Adriatiku e ka humbur pafajësinë, nuk është më pjesë e peizazhit, por shteg i shkelur dhe dëshmi e një kalvari. Përballë kësaj historie, pushuesit nën çadra – disa të pamësuar me detin dhe ritualet e rërës – sugjerojnë se çelësi për të vazhduar me përditshmërinë duhet kërkuar te harresa. Ose e kundërta me efektin e kësaj pikture, që jo vetëm kujton, por edhe na tregon se si të kujtojmë.

  5. Eshte ironike qe mbas tere atyre trasformimeve te konsideruara te medha piktura i rikthehet funksionit dhe misionit te realizmit kritik, i cili eshte nje stad me para se realizmi socialist.

      1. Tani, në fakt ka do kohë, që shkollat as venë as vinë se s’ka më shkolla, ka ngel vetëm ngazëllimi i snobave. Edhe siguria që gjeta një copë koromane për vete dhe kalamajt.

Lini një Përgjigje te psikopatiAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin