NUK KA PLAZH PËR SHKRIMTARIN SHQIP

Pa ardhur mirë vera, zënë të bulërojnë listat me tituj librash “për plazh”, ose “për pushimet verore” – sipas supozimit se kur njerëzit shkojnë me pushime, nuk kanë ç’të bëjnë tjetër, veçse t’i kthehen leximit.

Zakonisht listat me sugjerime shoqërohen me numra: “10 libra për këtë verë”, ose “9 romane për të kapërcyer me to Llogaranë”, ose “7.5 libra për t’u rilexuar me syze dielli”. Merita e numrit është të sjellë një lloj mistike konfuciane, disiplinimi mendor, kandari të erudicionit.

Kur listat nuk kanë autor të tyrin, as që ia vlen të merresh me to: do t’i ketë bërë ndonjë stazhier i plogët, që ka marrë në telefon një stazhier tjetër, te shtëpia botuese përkatëse. Këta janë njerëz që nuk lexojnë, dhe që e kalojnë kohën me moslexues të tjerë; ndonjëherë janë edhe njerëz që nuk dinë të lexojnë (këtyre u kemi pasë thënë dikur analfabetë).

Por kur listat vijnë nga pronarë, titullarë a drejtorë shtëpish botuese, puna ndryshon: sugjerimet mund të jenë të ngjashme me të parat, por filozofia e nënvendosur jo më. Këta e dinë se ç’bëjnë.

Pa zënë në gojë shembuj individualë – meqë nuk dua t’i bëj kujt gjyqin në publik – botuesit rregullisht rekomandojnë libra autorësh të huaj, ca të njohur ca të panjohur; madje një pjesë e mirë nga ajo kategori që, në anglishte, e quajnë “fluff”.

Emrat e autorëve shqiptarë në këto lista janë përjashtime: një në nëntë, ose një në nëntëmbëdhjetë.

Të krijohet përshtypja sikur letërsi shqipe sot nuk shkruan më njeri – gjë që Ministria e Kulturës do ta kundërshtonte me të madhe.

Dhe pa shaka – shkrimtarët shqip bashkëkohorë diskriminohen nga vetë botuesit e tyre: këtë e them jo si opinion, por si fakt.

Kjo nuk ndodh për ndonjë mëri vetjake, dhe as ngaqë botuesit kanë kritere estetike të rrepta – por thjesht për inerci komerciale dhe një farë snobizmi prej salloni flokësh.

Ka pastaj ca botues te ne të cilëve duket sikur u vjen turp, që botojnë autorë shqiptarë.

Sa për autorët e huaj të nxjerrë në pah, mjaft t’u hedhësh një sy atyre në listat, për ta vënë re se një pjesë e mirë janë mishërime të mediokritetit edhe në kulturat nga vijnë.

Që janë të huaj, kjo nuk i imunizon nga cilësia e dobët.

Pjesa më e mirë e tyre, pavarësisht nga emrat që ndonjëherë nuk u shqiptohen dot, as u afrohen shkrimtarëve më të mirë të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Do të më thonë: në gjithë botën kështu është. Letërsia nuk njeh kufij. Kështu si ti flisnin aparatçikët e Hoxhës. Duhet të afrohemi me fqinjët…

Dakord. Vetëm se në gjithë botën nuk është kështu. Le të kapërcejmë pra pellgun e Adriatikut dhe të hidhemi te fqinjët tanë në Itali – për të parë se ç’libra u rekomandohen atje lexuesve për pushimet.

Bëni vetë një kërkim në Google, të tipit “libri per la spiaggia” apo “libri da portare in vacanze” apo “libri da leggere sotto l’ombrellone”; do të gjeni lista librash, të sugjeruar nga kritikë letrarë ose botues, ku mbizotërojnë autorët vendës; ose të paktën, ku autorët italianë dhe ata të përkthyer janë balancuar me kujdes.

E kanë gabim?

Jo, nuk e kanë hiç gabim. Dhe ekonomia e tregut këtu nuk hyn fare, sikurse nuk hyn fare nevoja që kanë (edhe) botuesit për të nxjerrë bukën e gojës.

Këtu po flasim për kulturë. Dhe kur një botuesi i kërkohet mendim se ç’libra duhen lexuar qoftë edhe te rëra, atëherë ky nuk është më në rolin e shitësit të fiqve, por në rolin tjetër, të operatorit dhe të këshilltarit kulturor.

Libri si mall ka nevojë të shitet. Libri si produkt kulturor ka nevojë të promovohet – listat e librave për plazh funksionojnë edhe ato, qoftë edhe thjesht për të informuar lexuesit se çfarë mund të gjejnë në treg.

Madje në mungesë të një sistemi profesional të vlerësimit dhe të promovimit të letërsisë, botuesve veç u rritet përgjegjësia, ndaj lexuesve të tyre dhe ndaj kulturës.

Askush më mirë se botuesit nuk e ka të qartë se letërsia shqip ende lëvrohet; dhe se ka autorë të mirë dhe shumë të mirë dhe të shkëlqyer, që duhen ndihmuar dhe kultivuar dhe sjellë në kontakt me lexuesin.

Një shkrimtar nuk e arrin dot pjekurinë krijuese dhe as e gjen dot zërin e vet, pa iu nënshtruar një procesi vijueshëm të dialogut me palët e tjera të komunikimit letrar.

Përndryshe, do të na dalin gjithnjë përpara “shkrimtarë të rinj” – ose emra që publiku nuk i njeh. Për nga vetë etika e profesionit që kanë zgjedhur, botuesit duhet të ndihmojnë në këtë proces, jo t’i dënojnë autorët me heshtje.

Do të më thonë: hë mo, ç’e bën kaq të madhe, se libra për plazh po sugjerojmë.

Dhe këtu do të ma mbyllin gojën.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™

17 Komente

  1. Po pse nuk e fillon “Peizazhet” nje shembull tjeter, te mire, duke sugjeruar nje liste te mire me autore shqiptare? Kushedi ka sukses!

  2. Po ja, të marrim rastin kur një autor shqiptar lëvdohet dhe shahet në të njëjtin vend, ku edhe është promovuar. Nuk mund të flitet në një rast të tillë as për mospërfillje të shkrimtarit shqip nga botuesi, përkundrazi.

    As unë si lexues nuk kam asgjë me z. Muçi, madje kam simpati për të; ia lexoja asokohe rubrikën letrare te “Klani” dhe jam i prirur ta lexoj.

    Z. Çuli, jo më vonë se sot, shkruan: “Së pari, sepse, si edhe në këto vepra të tjera, ai dëshmon për një shkrimtar i cili ka krijuar prej kohe individualitetin e tij të theksuar letrar; së dyti, sepse ky roman është tejet origjinal në të gjithë kompleksitetin e tij: subjekt, formë, teknikë, personazhe, ide, gjuhë, fjalor etj.; së treti, sepse, ashtu siç ndodh gjithnjë me veprat e mira dhe të arrira, edhe pa u thelluar në përsiatje të analizës, më pëlqeu pa masë.”

    Për z. Ypi ky është një biçim romani.

    Si i bëhet?

  3. Shqiptarët dhe ekonomia e tregut, një kombinim i vështirë shumë. Nuk di si ta shpreh më mirë, si dyshja ideale apo si çift i pamundur, sepse, në fakt, janë e njëjta gjë.

    Për një fitim të çastit këta botues janë duke sharruar degën ku kanë hypur vetë, sepse duke mos promovuar letërsinë shqipe ata jo vetëm dekurajojnë daljen dhe afirmimin e shkrimtarëve shqip, por në fakt edhe i heqin lexuesit shqiptar një arsye për të lexuar shqip. Nuk do të jetë e largët dita kur ata lexues të paktë shqiptarë – se nuk janë me miliona! – t’i lexojnë veprat e shkrimtarëve të huaj në gjuhën e huaj që kanë mësuar në shkollë apo që kanë studiuar në Uni – anglisht, italisht, frëngjisht, you name it – pa pasur nevojë fare për përkthimet shqip të botuesve shqiptarë. Po siç duket, horizonti i kapitalistëve shqiptarë mbaron te maja e hundës së tyre.

    1. Nuk është se letërsia shqipe nuk po promovohet. Librat e shkruar në shqip promovohen po aq sa edhe ata të përkthyerit, në mos më shumë, parë që me një autor shqiptar edhe mund të bësh intervista dyorëshe e kjo nuk është se nuk po ndodh.

      Lexuesi nuk u beson më atyre që shkruajnë në shqip për të tjera arsye, ku më e rënda është që këtyre u duhet të paguajnë vetë për të botuar librat e tyre. Kjo sjell me vete problematikën e mungesës së filtrave përzgjedhës, në një kohë kur lëvdohet çdo gjë ose më të paktën: nuk kritikohet asgjë.

      Nuk është edhe se botuesit po shesin më shumë autorë të huaj se shqiptarë.

      Vetëm se në dallim nga këta të fundit, që paguajnë vetë, botimi i autorëve të huaj mund edhe të subvencionohet nga fondacionet e huaja. Librat e tyre e kanë kaluar më parë atë procesin përzgjedhës ku nuk kalojnë autorët tanë dhe këtë lexuesi e ka vënë re.

      Por nuk ka as konsens, as mes letrarëve shqiptarë vetë, se cilët janë autorët e mirë të këtij çerek shekulli, ndërkohë që vlerat para ’90-ës janë stabilizuar deri diku vetiu. Ja një shembull për këtë:

      1. Unë iu referova shkrimit më lart, por edhe shkrimeve të tjera këtu në PTF, të disa viteve më parë, për gjendjen e tregut të librit – dhe sidomos të atij shqip – në Shqipëri: për problemet e një kritike serioze letrare, për çmimet e larta të librave krahasuar me nivelin e të ardhurave në vend, për mungesën e ndihmës nga shteti, për problemet e shtëpive botuese me përzgjedhjet e librave për botim, për rrjetin e dobët të shpërndarjes së librave jashtë Tiranës, për interesin e ulët për librin te të rinjtë etj. Ndoshta ka ardhur koha për një rifreskim të informacionit, për një update të situatës së librit në Shqipëri; për mua do të ishte një surprizë pozitive sikur gjendja të jetë përmirësuar!

        [Për nivelin e zhvillimit të ekonomisë së tregut në Shqipëri, një treg i vetërregulluar është në fakt një treg i parregulluar, kaotik, me pasoja si këto që përmend ti, ku autorët paguajnë për të botuar libra, të cilat mund të jenë me vlerë ose mund të jenë thjesht trash, në mungesë të dyfishtë të filtrave përzgjedhës: të tregut (paraprakisht të botuesit) dhe të recensioneve kritike serioze. Dëmin fillimisht e ka lexuesi dhe autorët seriozë, më pas e ka libri shqip dhe në fund do e ketë edhe tregu dhe shtëpitë botuese.]

        1. Në mënyrë paradoksale përkeqësimi i situatës – dhe kjo po ndodh vit pas viti – është shenjë përmirësimi. Botohen gjithnjë e më pak tituj të rinj sepse, nga njëra anë, iluzionet e atyre që shkruajnë shqip kanë ardhur duke rënë e bashkë me to edhe paratë që paguhen, për pasojë edhe shitjet.

          Edhe zhurmën mediatike të autorëve si Xhunga, Blushi, Fevziu, etj. po ua besojnë gjithë e më pak.
          Në fakt, letërsia shqip gjendet në një udhëkryq, prej nga ku mund të dalë e fituar vetëm ajo cilësore, gjithmonë nëse.

          Ajo që parashikoj të ndodhë këtej e tutje do të jetë falimentimi i shumë shtëpive botuese dhe rrudhja e ristrukturimi i atyre që do të mbeten. Ky ngjan të jetë një proces objektiv e ka ndodhur edhe tjetërkund më parë.

          Një nga goditjet më të mëdha që ka marrë letërsia që shkruhet në shqip është humbja e statusit shoqëror të shkrimtarit. Prej këtij pritet një idealizëm i pabazuar në shpërblim e kjo me kohë nuk ka se si të vazhdojë të jetë kështu. Dikur do të lodhen edhe këta e do të dorëzohen.

          Gjithashtu letërsinë e mirë të huaj lexuesi i saj e lexon në gjuhë të mëdha ose në origjinal, ose në përkthime ku cilësia është po ashtu e garantuar.

          Kam përshtypjen se e gjitha kjo do të sqarohet vetvetiu me kohë.

        2. Jam drejtpërdrejt i përfshirë në këtë punë – si autor; dhe nga pikëpamja ime, nuk shoh ndonjë përmirësim. Përkundrazi. Ka një si koagulim, si inkrustim edhe të tregut edhe të shijeve, një normalizim të varfërisë estetike dhe intelektuale. Librat nuk i gjen, përveçse në dy-tre librari në Tiranë. Ministria e Kulturës nuk ka fonde për të bërë ndonjë gjë substanciale, përtej gjesteve demonstrative. Modeli i shpërndarjes së librit është i dështuar. Pyetja që më bën çdo lexues prospektiv është “ku mund ta gjej librin tënd?” Sistemi i çmimeve letrare është i dështuar. Sistemi i granteve për shkrimtarët është i dështuar. Për Panairin e Vjeshtës të gjithë ankohen, se i trajton librat si të ishin qofte. Sistemi i promovimeve është standardizuar dhe nuk ka më lidhje as me leximin, as me shitjen e librit. Sistemi i recensionimit të librit ka dështuar. Çmimet e librave janë shumë të larta, në krahasim me fuqinë blerëse – në kuptimin që dikush që blen duhet ta mendojë mirë; dhe nëse duhet ta mendoj mirë, zgjedh ndonjë gjë të sigurt, për shembull Zweig-un, Remarque-un ose Dostojevskin, në vend që të eksperimentojë ose të guxojë. Bibliotekat janë duke u zhdukur dora-dorës. Veç kësaj tregun e librit, në kuptimin më të mirë të fjalës, po e mbyt snobizmi. Nuk ka asnjë shans që kjo të rregullohet vetë, pa ndërhyrje serioze të shtetit dhe të shoqërisë civile. E megjithatë, siç e thoshte një koleg para ca kohësh (më duket se Granit Zela): asnjë shtëpi botuese nuk falimenton!

        3. Atë po them dhe unë: Në mënyrë paradoksale, shkrova.

          Duhet të mbërrijë së pari një ditë, kur të mos shitet më asgjë.

          Nuk ka asnjë forcë, e cila mund ta ndryshonte këtë gjendje, edhe po të donte.

          1. Shkruan:

            Nuk ka asnjë forcë, e cila mund ta ndryshonte këtë gjendje, edhe po të donte.

            Subvencionimi i çmimit të librit origjinal nga shteti do të ishte një zgjidhje. Nuk di t’i bëj llogaritë, por besoj se do të kushtonte shumë më pak, për një vit, se mega-koncerti i DJ XMAX B5 STD. Po të jenë librat më të lirë, lexuesit do të guxojnë të eksperimentojnë.

        4. Unë nuk besoj te shteti, që do i binte të ishte makinacioni i radhës nga partitë e mëdha. Berishën e pamë; ja tani dhe Rama.. Nuk besoj as te ministritë: as te kjo që është e as tek ajo që mund të vijë. Dhe mendoj se nuk ka gjasë që gjendja të ndryshojë nga këto apo nga shoqëria civile.

          Sepse as vetë shkruesit (nuk po shënoj: shkrimtarët, meqë nuk merret se cilët qenkëshin këta) nuk janë në gjendje të organizohen. Madje është më keq se kaq, por do të bëhesha cinik e nuk ka pse.
          Ka mjaft aciditet e dashakeqësi vërdallë; nuk kemi pse u shtojmë këtyre edhe ndonjë lehje më shumë.

  4. Para diss vjetesh, kur po vinte nje i imi nga Shqiperia, me pyeti cfare do te te sjell dhe sapo kisha lexuar nje lajm ne internet qe Paskal Milo kishte botuar nje liber per Luften ne Kosovo dhe Rambouillet.
    Atehere ai kish’ qene minister i jashtem dhe une mendova qe per nje te interesuar per pune te historise ky liber do ishte i mire.
    Ate liber dua i thashe dhe ma solli…
    Libri ishte nje permbledhje fjalimesh te ketij dhe q&a te tij neper konferenca shtypi per Kosoven.
    Une i varfri kisha menduar se ishte memoirs te ministrit…
    qe atehere kam bere be qe libra shqip “random” pa rekomandim te nje personi qe e njoh personalisht, jo qe nuk blej por as qe lexoj me.
    Turp eshte e di, por sic thote edhe t-shirt “so many books, so little time “

  5. Librat me poezi, tregime, ose të çdo lloj zhanri që nuk kërkon përqëndrim të zgjatur të vëmendjes në kohë, besoj se janë më të përshtatshmit për t’u lexuar në plazh. Nëse zgjedh të lexosh diçka që të tërheq aq sa të humbësh sensin e kohës dhe të harrosh të kthehesh nga njëra anë në tjetrën, sidomos ditët e para të pushimeve, mund të përcëllohesh si mos më keq 🙂

    Të tillë libra, të shkruar nga autorë shqiptarë gjenden dhe ka prej tyre që janë vërtetë cilësorë, por ndoshta hartuesve të listave u duhet ta kenë disi më të theksuar ndjenjën e prakticitetit.

  6. Sistemi i librit eshte i deshtuar nderkombetarisht, pastaj ta do mendja edhe shqiperisht, sepse Shqiperia nuk ka takat te jete e para as ne deshtim, gjithnje eshte e para ne pësim. Dhe kjo eshte e vertete jo vetem per librin, por per çdo gje ankese tjeter postmoderne.

    Libri ne karte eshte jo vetem i deshtuar, por eshte mire te deshtohet nga pikpamja ekologjike. Nje mendje ma thote se deshtimi i librit eshte hakmarrja legjitime e Tokes Meme kunder krimit ekologjik te sakatosjes se pyjeve nga Kadareja dhe Nasi Lyra qe pa na ndriçojne me ide te medha te ardhmen e njerzimit.

    E ardhmja i perket librit digjital nga çdo pikpamje. Libri karte i perket kohes ne shkrimit ne gur, faqja e tij eshte ne hije, karta merr drite nga jasht, nuk ka drite te veten. Ndersa faqja digjitale ka drite te bredeshme, ka drite te vetën, pra eshte e gjalle. Per vete lexoj liber ne karte kur nuk bej dot ndryshe, nuk kam nga t’ja mbaj. Me mungon drita kur lexoj karte, me duket sikur lexoj shkrim ne gur ndriçuar me pishtar.

  7. Nga një intervistë që shkrimtarja argjentinase Sylvia Iparraguirre i ka dhënë revistës Pangea:

    Çfarë roli ka sot shkrimtari, në kontekstin e shoqërisë argjentinase? E trajtojnë me indiferencë, me respekt, a ka një rol “publik”?

    Asnjë rol, ose gjithsesi një rol shumë të kufizuar, gjithnjë e më të kufizuar. Ia kanë zënë vendin personazhet televizive, modelet ose sportistët. Mjaft të shohësh sa shpejt riprodhohet realiteti në të ashtuquajturat ‘media’, për të kuptuar se shkrimtari jo vetëm nuk është lajm, por nuk ka as vend atje [në realitet]. Një libër i mirë, sikurse edhe një libër i madh, duket se bien në këtë kontekst si një pikë uji në shkretëtirë. Vendin shkrimtarit sot ia përcaktojnë suplementet letrare, revistat dhe tryezat e rrumbullakëta. Shkrimtari nuk ka rol publik, siç e ka pasur, dhe me peshë të madhe, në brezin e viteve Gjashtëdhjetë, për të cilin përfaqësonte (të paktën) një rezervë etike. Tani nuk i intereson më kujt si personazh, si dikush që ka diçka për të thënë. Shkrimtari mbetet i pranishëm në anët, në mënyrë më pak të dukshme, përmes intervistave dhe artikujve të gazetave. Ka programe televizive të shkëlqyera, që u kushtohen librave, dhe ku i ftojnë shkrimtarët. Janë hapësira ku shkrimtari a shkrimtarja mund të thonë atë që mendojnë për botën dhe të arsyetojnë për çështje të caktuara të estetikës letrare që nuk të çojnë menjëherë te vepra e tyre. Megjithatë, mendoj se sot për shkrimtarin është e shëndetshme kjo gjendje mënjanë. Në shtëpitë, në baret, në takimet mes shkrimtarëve miq, letërsia dhe poezia vazhdojnë rrugën e tyre.

    1. Nuk eshte keq si pergjigje, sidomos si fund, sepse ne fillim ndjehet nje si keqardhje perzjere me cmire qe vendin e shkrimtarit i kane zene vendin personazhet televizive, modelet ose sportistët. Vazhduar kjo ndjenje deri ne fund te pergjigjes duket sikur terheqja e shkrimtarit ne intimitetin e grupit dhe tribuse eshte e perkoheshme, dhe ne horizont te ardhmerise pervijoset hakmarrja duke rizene poziten e humbu.
      Theksoj se duket, nuk se eshte e sigurte.

      1. Kurse ajo qe eshte e sigurte, e qe pothuajse asnjeri se thote (se si leverdis pothuajse asnjerit ta thote), eshte se tashme eshte ne rruge e siper nje ndryshim antropologjik, nje abuli e pergjithshme, nje mungese interesi per çdo gje, proporcionale me nje bulimi letrare, ne kuptimin te gjithe shkruajne si letrare 100 kilsha (per pasoje asnje nuk i lexon). Ne fillim kriza e librit u interpretua se shkaktar ishte teknologjia e re digjitale. Dhe vertet ne fillim u vu re nje bum botimesh ne opsionet e ndryshme te ofruara nga teknologjia digjitale, qe ishte nje bum proporcionale me braktisjen e kartes. Shifrat e sotme deshmojne edhe per nje krize pikiate ne botimet digjitale.

        Pra nuk eshte pune teknologjie dhe manovrash financiare, te cilat jane materializime te nje krize me te thelle e me te brendeshme. Eshte mçef ne tjeter vend lepri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin