EMOJI TË REKRUTUARA (VI)

Ky vështrim i përmbledhur i fytyrës që ka zgjedhur të tregojë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj në Facebook nuk do të ishte i plotë, pa marrë parasysh që, veç fotove, videove, emojive dhe informacionit për punët e Bashkisë, statuset në fjalë përmbajnë shpesh moralizime, në formë “mësimesh”, të cilat autori i nxjerr – pas gjase – nga arritjet e institucionit që drejton, të tijat personale dhe të qytetarëve të Tiranës si komunitet.

Po citoj më poshtë disa nga këto grimca urtësie, siç i kam qëmtuar nga statuset e Veliajt gjatë periudhës njëmujore 10 qershor – 10 korrik 2018, të cilat shpresoj të mjaftojnë për të krijuar një ide se për çfarë e kam fjalën:

  • Ku ka më mirë për një qytet, ku gjithësecili ndihmon për zhvillimin e tij!
  • Historia ka provuar që kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, mund të realizojmë vepra akoma më të mëdha se ç’kemi bërë deri më sot!
  • Vetëm me punë ecim përpara miq, 👷‍♂️ nga gjithologët 📢 që kundërshtojnë gjithçka e s’prekin gjë me dorë s’kemi parë hajër. 🙏
  • Nëse fëmijët tanë i rrisim me dashurinë për librat 📚❤dhe natyrën,  💚 jam i sigurt që Tirana do jetë në duar të sigurta.
  • Ju lutem, kujdes kohën e nxehtë! 🔥
  • Me pak mirësi, dëshirë për ndryshim e dashuri për të renë, mund të bëjmë mrekulli ku cdo gjeneratë i lë pas gjeneratës së re një teatër, qytet e vend më të mirë se ai që përjetoi vetë! Forca përpara!
  • Po t’i bëjmë gjërat me dashuri, jo duke penguar njëri-tjetrin, por duke i dhënë fuqi transformimit të Tiranës, atëherë ky është vetëm fillimi dhe më e mira është përpara.
  • Kur nuk merremi me llafe e fokusohemi tek puna, bëjmë mrekulli!
  • Edhe Roma nuk u ndërtua në një ditë, por me punë dhe besim u bë siç e shohim sot.
  • Nëse gjithësecili jep një ndihmë të vogël,  🙏 jam i sigurt që do u lëmë fëmijëve tanë, një qytet më të rregullt, më të pastër e më miqësor. 🌳🌷🌾🐞
  • Veç me punë dhe pozitivitet ecim përpara!
  • Ja mor miq, kur punojmë, bëjmë mrekulli!
  • Herët a vonë, triumfon shumica e arsyeshme.
  • Puna nuk mungon 24/7, por le të kujdesemi të gjithë për Tiranën, shtëpinë tonë të madhe
  • Durimi dhe besimi shpërblehen me punë të mira!
  • Jam i bindur, se si në çdo vepër tjeter, kur bëhemi të gjithë bashkë, mund të nxjerrim vepra të mëdha.
  • Ky është shembulli se si, kur bëhemi bashkë, mund të kthejmë hapësira të harruara, në destinacione të preferuara nga qytetarët dhe turistët.
  • Kur ne shqiptarët bashkëpunojmë e nuk përleshemi, bëjmë mrekulli!
  • Shembulli perfekt, se si kur bëhemi të gjithë bashkë, mund të nxjerrim vepra të tilla të mëdha. 🙌
  • Kur komuniteti bëhet bashkë, bashkia përgjigjet.
  • E di që ka ende shumë për të bërë, por me pak durim dhe energji pozitive, do i mbarojmë të gjitha. 🙌🏻👏🏻
  • Me dashamirësi mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme! 😊👍
  • Të merresh me sport, të bën kampion në jetë! ⛹️‍♂️🏆
  • Sillni fëmijët të angazhohen me sport. Nëse nuk do dalin kampionë në fushë, 🏆 do të dalin kampionë në jetë!

Status pas statusi rikthehemi te nevoja për të qenë të bashkuar, primati i punës ndaj llafeve, kulti i punës si burim zgjidhjesh, nevoja për pozitivitet, dobia e dashamirësisë dhe promovimi i sportit: të gjitha të mbështetshme dhe po aq të pakundërshtueshme, sa edhe gjimnastika e mëngjesit ose shtysa e brendshme për t’ia liruar vendin një gjysheje në autobus.

Nga këto, bashkimi zë kryet e vendit, vlerë pozitive për komunitetet e vogla të mëhallave dhe qytezave (jo për Tiranën, ku nuk ka kuptim), por që vështirë se mund ta quash virtyt: ana e errët e bashkimit është uniformimi dhe unanimiteti, sakrifikimi i individit për hir të së përbashkësisë (“herët a vonë triumfon shumica e arsyeshme”), diktatura e shumicës; ndonjëherë edhe me nuanca kombëtariste (“kur ne shqiptarët bashkëpunojmë e nuk përleshemi, bëjmë mrekulli”). Në vija të përgjithshme, ky lloj bashkimi që sugjeron kryebashkiaku ka diçka nga stërvitja rreshtore dhe mendësia ushtarake; meqë, kur vjen puna për statusin dhe detyrat e një institucioni, qoftë edhe në marrëdhëniet e tij me publikun, bashkimi nuk është gjë tjetër veçse teknikë organizative; gjithë duke pasur parasysh se njerëzit mund të bëhen bashkë edhe për kauza nga më të mbrapshtat, pra se bashkimi në vetvete nuk garanton asgjë mirëfilli etike.

Bashkimi në këto statuse shkon krah për krah me punën: “vetëm me punë ecim përpara, miq”. Nuk del e qartë se për çfarë pune bëhet fjalë: për punën e paguar të kryebashkiakut vetë dhe të sektorëve, drejtorive dhe agjencive të Bashkisë, apo për punën vullnetare të shtetasve, apo për punën në përgjithësi, si krijuese vlerash materiale dhe shpirtërore. Rëndësi ka, për Veliajn, që “kur nuk merremi me llafe e fokusohemi tek puna, bëjmë mrekulli”; çfarë ia kundërvë punën jo dembelizmit dhe pasivitetit, por llafeve (që në zhargonin e Veliajt ndonjëherë duhet lexuar si “kundërshtimeve” ose “kritikave”)[1]. Për kryebashkiakun e Tiranës, llafet janë ato të gjithologëve “që kundërshtojnë gjithçka e s’prekin gjë me dorë” (prej tyre “s’kemi parë hajër” – sërish enigmatike veta e parë shumës: kush nuk ka parë hajër? Dhe më tej, kush flet këtu në vetë të parë shumës – populli i Tiranës?); dhe pengojnë realizimin “e mrekullive”. Si për ta çuar mesazhin në destinacionin e duhur, gjithologët ilustrohen nga emoji i megafonit (📢), i cili përdoret zakonisht në protestat, përfshi edhe këto të fundit, kundër Veliajt, për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Dhe nëse kryebashkiaku e ka seriozisht, kur ia kundërvë punën (👷‍♂️) logosit politik, atëherë nuk ka emoji që ta narkotizojë konotacionin negativ skërmitës, ose përballjen e atyre që punojnë me parazitët.

Natyrisht, kryebashkiakut i Tiranës i është besuar nga qytetarët një detyrë administrative për ta kryer, së cilës mund t’i dalë zot duke u qëndruar punëve mbi kokë (siç edhe u qëndron lavdërueshëm); askush nuk pretendon prej tij që të ligjërojë si bilbil, t’i bëjë njerëzit për të qarë, t’i bjerë kitarës, të debatojë për Nietzschen dhe Zhizhekun, të angazhohet në polemikat rreth Mustafa Nanos dhe të marrë përsipër rolin social të “mendimtarit” në agora. Por kjo kundërvënie e punëve me “llafet” do të binte erë të keqe sikur të mos ishte, në fakt, një platitudë po aq e konsumuar, sa edhe ajo e bashkimit që bën fuqinë dhe ajo tjetra që “po t’i bëjmë gjërat me dashuri…”. Oh yeah. Tani vetëm Kumbaya mungon.

Në fakt, predikimet e Veliajt tingëllojnë po aq të parafabrikuara sa edhe vetë emojit; duke kombinuar në vetvete ligjërimin motivacional si për boyscouts me thjeshtësinë e edukatores së kopshtit, që kërkon t’u përcjellë fëmijëve elementet e para të ecjes në rrugë të mbarë me tonin karakteristik faux prindëror (“Ju lutem, kujdes kohën e nxehtë!🔥”); dhe nëpërmjet një lloj infantilizimi skematik të ngjashëm me atë që sjellin me vete emojit. Tani marrin kuptim të ri edhe pozat e shumta fotografike të Veliajt me fëmijë: i rrethuar nga fëmijë, duke luajtur me fëmijë, në biseda me fëmijë; janë foto që përforcojnë rolin e tij të ri prej edukatori (scoutmaster).

Nëse ka një gjë që mungon, në këto fjalë të urta, është nevoja që Tirana të mbetet edhe vatra e mendimit kritik në Shqipëri, kryeqendra e kulturës dhe e dijes, vendi ku të kultivohet mendja e kombit dhe ku të riprodhohen brezat jo vetëm të ndërtuesve me kaskë mbrojtëse dhe të klientëve të Mobike-ut, por edhe të intelektualëve, artistëve, mësuesve; të cilët mund të mos prekin gjërat me dorë, por ama prekin mendjet dhe shpirtrat me fjalë, dhe prej të cilëve Shqipëria mund të ketë veç hajër.

Ky lloj të foluri moralizues duket sikur nuk është aq karakteristikë intrinseke e Veliajt politikan, por imponohet nga marrëdhëniet që ai ka vendosur të mbajë me publikun në Facebook, në kontekstin edhe të fotove, emojive, dhe pozitivitetit të përgjithshëm që shoqëron statuset. Këtu nuk është predikuesi që e krijon skenën, por skena që e krijon predikuesin, duke i blatuar edhe autoritet moral përndryshe të papërligjur. Dhe ky predikues njëkohësisht, po u thotë lexuesve të tij se është në gjendje t’i udhëheqë drejt mrekullive, gjërave të mrekullueshme, veprave të mëdha, madje veprave “akoma më të mëdha se ç’kemi bërë deri më sot”, në mënyrë që e nesërmja të jetë më e mirë se e djeshmja, meqë “ky është vetëm fillimi dhe më e mira është përpara.” Edhe mesazheve të fshehura në biskotat kineze do t’u dilte boja, po të tingëllonin kështu.

“Kur nuk merremi me llafe e fokusohemi tek puna, bëjmë mrekulli!” – lexon një nga proverbat e Veliajt. Te kundërvënia e punës me llafet, kryebashkiaku i Tiranës sheh materializimin jo vetëm të konfliktit mes eficiencës dhe shpërdorimit të kohës (parazitizmit), por edhe të luftës mes së mirës dhe së keqes: ndoshta asnjë nga stafi i vet, aq i rafinuar, nuk ka guxuar t’ia kujtojë Veliajt që ky obsesion i tiji i vjetër me punën (dhe veprimin) bart me vete aluzionin te një Arbeit macht frei. E megjithatë, në kontekstin e hulumtimit tonë, tundon sugjerimi për ta interpretuar maksimën si justifikim për vetë logosin aq të varfër me të cilin e prezanton veten Lali Eri në Facebook; për formulat, stereotipitë dhe platitudat, për mungesën e mendimit racional dhe të artikuluar mirë, sidomos në krahasim me pasurinë dhe larminë e mojive dhe marifeteve të tjera vizuale, mbi të cilat themelohen statuset. Prandaj le ta përkthejmë formulën kështu: “kur nuk humbasim kohë me gjuhën e shkruar e fokusohemi tek emojit, bëjmë mrekulli!” Pikërisht.

***

(Fund. Pesë pjesët e tjera të kësaj eseje mund të lexohen duke klikuar këtu.)

© 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.


[1] Për “filozofinë” me të cilën i qaset Erion Veliaj punës (punës në vetvete), kemi shkruar edhe dy vjet më parë – te “Puna që e mundka dhunën.” Këtu do të mjaftohemi të shtojmë se, në kushtet e njohura kur Shqipëria vuan nga papunësia në shkallë të gjerë, nxitja haptazi për të punuar nuk mund të jetë veçse një model (sado i ligjshëm) shantazhi.

15 Komente

  1. Pa dash te hudh poshte kritiken tende ndaj kryekryeqytetarit, per hir te vertetes me duhet te bej nje saktesim lidhur me shprehjen “puna mund dhunen” te thene per dite Pashke.

    Pavarsisht se ne menyre te sforcuar puna ka lidhje me dhunen, ne kuptimin qe premton te munde dhunen jo direkt nepermjet Jezuit ortodoks dhe katolik, por nepermjet Krishtit protestant si premtim i Ardhjes se Dyte.

    Po hidhem nga koncepti ne koncept me fluturime nga maja ne maje me shprese se me kupton sepse di qe njeh mire tezen e Weber qe ben lidhjen midis kultit te punes dhe pasurise (kapitalit), si premtim per shpetim ne kapitalizem, dmth midis shpirtit te kapitalizmit, dhe shpirtit te protestantizmit, qe eshte njekohesisht paralajmerim per Ardhjen e Dyte (me me teper avancim se ortodoksia dhe katoliçizmi).

    Tani edhe lidhja e fundit fluturuese maje me maje: Erjoni vjen nga nje kulture tipike protestante evangjelike, nisja e karrieres se tij ka qene ne levizjen 99, e cila ne mos gaboj ka qene evangjelike protestante.

    Kjo shpjegon shume nga komportamenti i tij i llojit amerikan “bi pozitiv” qe nuk honepset dot ne nje vend ku kultura amerikane eshte e implantuar nga jasht. Protestantizmi ka shume pak baze historike ne Shqiperi, megjithse te sukseshme.

    1. Ke të drejtë. Më pat shkuar edhe mua mendja te sfondi evangjelik – por iu shmanga interpretimit ad hominem (për të mbrojtur impaktin e shkrimit). E kam të qartë që teksti i Veliajt nuk ka lidhje origjine me diskursin nazist; por e thua edhe ti, në Shqipëri konotacionin evangjelik-protestant nuk do t’ia kapë kush.

    2. Procesi i lartësimi të nocionit të ‘punës’ në hierarkinë e vlerave, ndonëse mund t’i gjendet origjina tek protestanizmi, nuk e ka parë veten askund më lartë sesa në Marksizëm. Sado e paraqitur me doza formale pozitiviteti dhe besimi të patundur, nuk besoj se e teproj po të them se e gjithë kjo retorikë vjen erë marksizëm i pastër, bashkë me fshikullimin e vlerave mikroborgjeze të “gjithologëve”.

      Përndryshe është protestanizmi që e ka ngritur individualizmin, dhe mardhënien e drejtëpërdrejtë të individit me Zotin në shkallën më të lartë të vlerave.

      1. Kete muhabet midis marksizmit dhe kapitalizmit protestant si komplementar (njesoj si dikotimia publik-individual) te misheruar konkretisht ne binomin komplementar BS-USA te rikujtoj se eshte diskutuar fresko ketu:

        https://peizazhe.com/2018/07/13/doktrina-e-fatit-te-qarte/

        Futi edhe nje te lexuar tjeter, pastaj po te duash nese ke qef diskutojme prap. Per vete nuk kam qef, e quaj muhabet te shteruar (perveç se te mbyllur historikisht mbas vitit fatidik 1989), megjithse e di qe eshte muhabet qe nuk shteron kurre; eshte ne natyren e dikotimive komplementare te rrezellojne gjithnje farfurima ndryshimi pozicionesh me kundeshti skizofrenike hop ketu e hop atje tek kundeshtari.

        Kjo eshte arsyeja qe gurra e muhabetit politik majte-djathte nuk shteron kurre.

        Meqe ra fjala, çu be i nderuari Hyllin qe nuk po duket më në mes tënë?

  2. Nuk e di i në ç’kuptim i quani marksizmin dhe kapitalizmin protestant komplementar? Sic thoni edhe vet ky është i mbyllur edhe historikisht si diskutim.

    Për aq vlerë sa i është dhënë në etikën protestane punës, duhet vënë re se për të njëjtën arsye protestanizmi dhe kalvinizmi kanë legjitimuar edhe fajdet e tranzaksionet bankare që s’kanë të bëjnë fare me punën.

    Përkundrazi llogjika e “punës që mund dhunën” i jep punës vlera në ekstrem, e paraqet si kryevlera që justifikon injorimin e individiduales, për të mos thënë justifikimin e dhunës së turmës. S’më duken fare komplementare.
    Se përndryshe po na del Lali Eris si i keqkuptuari i madh, misionari në mes të filistinëve.

    1. Qe Lali Eri eshte politikani shqiptar qe ka kulture amerikane (protestante), kjo nuk ka fare dyshimi. Te gjithe te tjeret, perfshire dhe me modernin Rama, kane kulture evropiane. Kjo ne menyre ta natyrshme, sepse Lali Eri i perket nje brezi tjeter me te ri, dmth me amerikan, pavarsisht se ne Shqiperi si rregull vijne gjerat si modernizma kur tashme jane pjerdhur me gjithsejt. Mbyllja e kapitullit BS-USA eshte mbyllje si deshtim, jo si fitore. Prandaj ne vazhdojme e diskutojme akoma, e akoma shumica nuk e pranojne deshtimin, por qe Partizoni ka fitu me Tironen dy me zero.

      Nese Lali Eri kulturen amerikane e perdor si hipokrit per interesat e tij, un kete nuk kam si ta di per vete poziten ku ndodhem. Por as me intereson ta di me thene te drejten, nuk perben interes per mua, nuk eshte mik i im, dhe nuk perben rendesi si person publik qe ndryshon gje ne bote. Nuk eshte ne nivelin e psh Trump ose te Umberto Ekos qe te rri e te çaj derrasa me te.

      E quaj marksizmin dhe kapitalizmin protestant komplementar ne kuptimin afersisht si psh Walter Benjamin. Do link per te apo e gjen vete? Apo nuk ke nevoje per link se e di qe Benjamin konsideronte krishterimin dhe kapitalizmin (brenda ne kete thes edhe vete Marksin), jo vetem komplementar si dy ane te se njejtes medalje, por si e njejta gje. E di qe fajde dhe mekat origjinal jane e njejta gje?

      Tani me te kuptuar kete teze te vertete, dhe edhe pranuar, mund te behet perpara qe ekzistojne lidhje midis fajdes dhe punes; jo per gje tjeter por puna ne kapitalizem behet e mundur nepermjet fajdes. Bile edhe dhuna behet e mundur nepermjet fajdes, bile fajdja = dhuna = puna jane e njejta gje. Kam pershtypjen qe Ardiani e kuptoi kete ne komentimin tim, dhe kjo ndoshta se Ardiani ka qene prej kohesh i familjarizuar me keto ide. Mbaj mend se Ardiani ka qene i pari, ose nga te paret, qe i ka prezantuar Weber publikut shqiptar.

      E kam thene ne komentin e pare qe Lali Eri lidh ne menyre te sforcuar punen dhe dhunen ne nje perurim pashkor. Per te sqaru si duhet konceptim duhet te pakten nje shkrim. Perveç dyshimit te Ardianit qe Lali Eri e ka hallin ne vend tjeter, e jo tek Walter Benjamin.

      Ky eshte Hyllin mor aman?

      1. Jo meqe me ka autorizuar gje Hyllini, por meqe ke pyetur ti dy here, kam pershtypjen qe ju fry ca si shume koka nga debati me ty dhe nuk mundi ta perballoje erudicionin tend, pra vendosi te mos duket me ne keto ane, ose mund te jete e kunderta fare kuptoi qe po humbte kohe.

        1. Ne fakt Hyllin ka shume me teper erudicion se mu, biles per te mos i ngrene hakun eshte me eruditi ne kete mejdan. Une vetem dukem si erudit per shkak se synoj pozite me te larte nga ku mund te kontrollohen me lehte situatat. Ne fakt nuk jam erudit sepse nuk kam ambicje te jem, ambicja ime eshte te jem i urte, dmth me fjale te tjera ta kontrolloj diturine, te mos varem prej saj.

          Per kete arsye dukem sikur vulgarizoj diturine, gje per te cilen dikur kemi pasur nje konflikt bashke, shpresoj konflikt i mbyllur.

          Thene me fjale te tjera, eshte pa pike vlere nese nese gjithe jeten je marre me muzike klasike e nuk je ne gjendje te shijosh nje rremuje bertimash kalamajsh ne rruge, ose ritmin e perplasjes se pjatave ne kuzhine te komshiut, nje lehje qeni larg qe vjen si jehone. Eshte pa pike vlere te jesh merre gjithe jeten me pikture, e portrete madonash rinashimentale dhe impresioniste parisiane, e kjo nuk te vlen per te kuptuar psikologjine e nje fytyre femre ne rruge, mistiken e nje hije peme mbi bar. E çfar vlere ka dituria mbi Homerin, Danten, Xhojsin kur nuk je ne gjendje te besh dhe te kuptosh dy pare muhabet ose dy pare komente ne blog?

          Shiku se çfar me erdhi ne mendje sot ne shetitjen mengjezore midis pemeve ne park, lidhur me çeshtjen providenciale benjaminjane marksizem-kapitalizem, dikotomine BS-USA etj qe eshte diskutuar edhe ne kete teme: shenja me evidente dhe me konkrete (dhe me vulgare) e ndikimit protestant amerikan ne Shqiperi ka qene shkolla e Fullcit. E qe me vone u quajt Politeknikumi, ose shkurt Polikumi, mbas pushtimit sovjetik qe i mbivendosi pragmatizmit amerikan te kesaj shkolle praksis te teorise marksiste, kultit te puntorise, proletariatit, kultit te punes etj etj, tashme shpjeguar disi. Kjo eshte deshmi volgare e ekzistences se dikotomise providenciace (sipas Toqueville) Rusi-Amerike, fatkeqsisht krejt e pakuptuar, biles ka mbetur e pakuptuar edhe vlera pragmatiste e Polikumit ne kulturen kryeqytetase dhe shqiptare. Polikumi nenvleftesohej si shkolle krahasuar me Gjimnazin qe mbahet si superiore elitare frenge.

          Muhabetin mund ta lidh edhe me Mehmet Shehun, nxenes tipik i shkolles se Fullcit, qe e kishte si fryme fullcizmin, e me tej mund ta lidh me Trockin qe ka luajtur ne BS nje rol te ngjashem me te Mehmet Shehut, sapo e diskutuar kjo gje tek tema e Stalinit. Pare thelle thelle nuk ekziston rasti ne bote, ekzistenca eshte e rastit, realiteti i vertete eshte muzike xhaz, ne nentoke gjerat lidhen me njera tjetren etj, por po e le me kaq se rrezikoj akuzen e daljes jasht temes.

      2. Po e lë filozofinë e lartë, sepse personalisht nuk ia kam shumë takatin, as nuk e di se çfarë ka thënë Benjamini, Weberi, apo Trumpi për këtë punë.
        Por, nuk ka asgjë komplementare, as të paevitueshme, mes marrëzive të marksizëm-komunizmit, por edhe fashizmit për atë punë, me aspiratat njerëzore drejt më të mirës dhe sipërores. Kaq e thjeshtë është. Aq më tepër kur si pupull duhet ta kemi ende të gjallë memorien se çfarë dhe si ishte marksizëm-komunizmi por edhe fashizmi. Ia njohim mirë gjuhën, edhe simptomat.

        1. Ashtu eshte, populli ka memorien se çfare marrezie eshte marksizem-komunizmi dhe fashizmi aq shume sa nuk ve re bukurite e kapitalizmit qe i ndodhin nen hunde si Teatri per shembull.
          Po njesoj dhe elita kulturore demokratike kapitaliste qe i kalon miu ne hunde me diskurse per memorien kulturore te Teatrit te kohes se qepes fashiste dhe komuniste.

  3. Kur Erion Veliaj është i inatosur prish jo vetëm teatrin, por edhe emotikonet.

    Sot Veliaj ka pasur një postim ne FB pa asnjë (zero) emotikon. Ndoshta i pari në jetën e vet.

    Nuk e imagjoj dot sa i inatosur duhet të jetë! People better run for cover.

Lini një Përgjigje te psikopatiAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin