DOKTRINA E FATIT TË QARTË

nga Ernest Nasto

Kemi shkruar më parë për pështjellimin e madh të shkaktuar nga dukuria Trump në skenën politike amerikane, sidomos për kundërvënien e hapur të vizionit të deritanishëm të ‘‘qytetit mbi kodër’’ me vizionin trumpian të ‘‘America first’’. Kjo doli përsëri në plan të parë me kërcënimet e presidentit amerikan ndaj aleatëve të G7 e pastaj ndaj NATO-s në Bruksel. Prandaj këtu më poshtë po u drejtohemi disa zhvillimeve të rëndësishme në historinë amerikane në shekullin XIX, të cilat lanë gjurmë të thella në ndërgjegjen e tyre kombëtare, në kuptimin nga amerikanët të vizionit e të misionit të tyre në botë.

Dukuria më themelore e atij shekulli, po të përjashtojmë skllavërinë dhe Luftën Civile, ishte shtrirja masive e Shteteve të Bashkuara drejt Perëndimit nën ndikimin e doktrinës së njohur si ‘‘Fati i Qartë’’ (Manifest Destiny). Kjo doktrinë erdhi si rezultat i kombinimit të disa ideve më të hershme, veçanërisht atyre të shtetit natyror dhe të shtetit kristian. Nocioni i ‘‘fatit të qartë’’ filloi të dilte aty nga mesi i shekullit XIX, dhe në thelb shprehte bindjen e amerikanëve se Providenca hyjnore u kish caktuar atyre një detyrë të qartë e të dukshme. Kjo detyrë s’ishte tjetër veçse shtrirja në të gjithë perëndimin përtej maleve Apalashe dhe dominimi kësisoj i të gjithë territorit të sotëm të Shteteve të Bashkuara. Rritja e popullsisë në territoret perëndimore kishte qenë në fakt galopante, ajo ishte dyfishuar ndërmjet viteve 1810-1820 dhe është e lehtë të përfytyrohet besimi i patundur i amerikanëve në bekimin hyjnor ndaj një ndërmarrjeje të tillë. Dhe idetë e hershme të lartpërmendura, si dhe ajo e Amerikës si vendi që do të inauguronte fillimin e epokës së artë (apo ‘‘mileniumit të lumtur’’, shih këtu) shërbenin për bukuri si themele të kësaj doktrine të re.

Në një frymë të tillë publicisti John O’Sullivan e shprehte bindjen për këtë ‘‘fat të qartë’’ në terma besimtare, kur shkruante më 1845 se ‘‘pretendimi ynë mbi territorin Oregon bazohet vetëm në atë që jemi qartazi të destinuar të shtrihemi e të zotërojmë tërë kontinentin… për të zhvilluar eksperimentin e madh të lirisë dhe të vetëqeverisjes federative që vetë Providenca na e ka besuar. Zoti i natyrës dhe i kombeve e ka caktuar Oregonin për ne, dhe me bekimin e Tij ne do t’i ruajmë me vendosmëri të drejtat që Ai na ka dhënë, dhe do të zbatojmë pa frikë detyrat e mëdha që Ai na ka ngarkuar”.

Duket pra se ‘‘fati i qartë’’ lidhej edhe me konceptin e popullit të zgjedhur, edhe me shtetin natyror e po ashtu me vizionin e Amerikës si përçuesja e mileniumit të lumtur. Por ajo që duhet theksuar është ndryshimi i mënyrës se si amerikanët do ta luanin rolin e tyre të ndriçimit të popujve e vendeve të tjera. Në të kaluarën, në kapërcyell të shekujve XVIII-XIX, theksohej se kjo do të kryhej vetëm nëpërmjet dhënies së një shembulli pozitiv, siç kuptohet nga fjalët e predikuesit të njohur Lyman Beecher (babai i autores Harriet Beecher Stowe). Ai shkruante se ‘‘qeverisja me dhunë do të ndalohet, dhe vendet njëri pas tjetrit do të ndjekin shembullin tonë derisa e gjithë toka të jetë e lirë’’.  Edhe piramida e pambaruar tek emblema e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara (në anën e pasme të kartëmonedhës njëdollarëshe) jepte të njëjtën ide, pra që ajo do të mbarohej vetëm kur vendet e tjera të shpëtonin nga shtypja dhe të bënin të tyret parimet e lirisë dhe të vetëqeverisjes demokratike nën shembullin amerikan.

Por më vonë, diskursi politik filloi të shprehej gjithmonë e më tepër në terma të doktrinës së ‘‘fatit të qartë’’ duke shpalosur një kuptim të ndryshëm të rolit të Amerikës në botë. Sipas përkrahësve të kësaj doktrine, Zoti e kishte zgjedhur Amerikën jo aq për të shprehur përgjegjësi morale për botën, por më tepër që ajo të përqafonte fatin, apo qëllimin, e saj në botë, një qëllim që ishte sa i qartë, aq edhe i vetëkuptueshëm. Ky fat apo qëllim ishte ‘‘i qartë’’ sepse Amerika ishte në të njëjtën kohë edhe një vend kristian, besnik ndaj urdhëresave të Zotit, edhe një shtet natyror, që vetëm sa pasqyronte rendin e gjërave në mënyrë të natyrshme, pra ku çdo gjë është ashtu si duhet të jetë.

Për këtë arsye, duke qenë i vetmi vend i tillë në historinë e botës, ajo kishte plotësisht të drejtë ta shtrinte ndikimin e saj jo vetëm nëpërmjet shembullit, por edhe me anën e forcës, fillimisht në Amerikën Veriore e pastaj edhe në të gjithë botën. Ky ndryshim rolesh, nga shembulli paqësor në ‘‘fatin e qartë’’, shoqërohej kësisoj edhe me justifikimin e përdorimit të forcës në arritjen e objektivave amerikane, duke mos u mjaftuar vetëm me shembullin moral.

Kjo doktrinë u përdor p.sh. në kohën e luftës së Shteteve të Bashkuara me Meksikën për çështjen e Texas-it (1845-1848) dhe akoma më tepër gjatë luftës amerikano-spanjolle të vitit 1898. Ndërhyrja amerikane në Filipine gjatë asaj lufte u konsiderua nga shumë zëra si haptazi me qëllime të zotërimit kolonial. Por presidenti McKinley iu përgjigj drejtpërsëdrejti kritikave të tilla duke deklaruar se amerikanët s’kishin pasur nevojë të merrnin pëlqimin e hapur të filipinasve për ndërhyrjen, sepse, sipas tij, ai pëlqim ishte në ‘‘çdo aspiratë të mendjes së tyre dhe në çdo shpresë të zemrës së tyre’’. Kjo thuhej në një kohë kur kryengritja anti-amerikane e filipinasve vazhdoi për më se dy vjet me radhë, dhe kur në përfundim të saj gati 20 për qind e popullsisë vendase ishte shfarosur nga lufta apo sëmundjet.

Siç e përmendëm pak më lart, doktrina e ‘‘fatit të qartë’’ lidhej ngushtë me idetë e popullit të zgjedhur, të shtetit natyror dhe të shtetit përçues të mijëvjeçarit të lumtur. Kështu zgjedhja hyjnore kuptohej si funksion i zhvillimit të eksperimentit të lirisë dhe vetëqeverisjes federative, në ndryshim të thellë me konceptimin e hershëm të Puritanëve. Këta kolonë të parë të kontinentit të ri e shihnin zgjedhjen e tyre prej Zotit si një akt sovran e misterioz hyjnor, pra aspak për ndonjë meritë të tyre. Por pas vetëm gati 200 vjetësh, në shekullin XIX, arsyet e zgjedhjes hyjnore për Amerikën jo vetëm që s’ishin më misterioze, por përkundrazi, ato ishin fare të qarta, me rrjedhimin logjik që edhe fati, apo qëllimi i saj në botë, ishte po aq i qartë. Zoti e kishte zgjedhur pra Amerikën sepse kjo e fundit mbështetej në ‘‘lirinë dhe vetëqeverisjen federative’’. E thënë me fjalë të tjera, në shekullin XIX besohej që amerikanët ishin aq dukshëm në përputhje me vullnetin e Zotit saqë ky i fundit s’kishte se si të mos i zgjidhte ata.

Po aq e fortë ishte edhe lidhja e doktrinës së ‘‘fatit të qartë’’ me idenë e shtetit natyror, e cila për fat të keq linte vend për t’u kuptuar në mënyra të ndryshme. Kjo sepse nga njëra anë ajo shpallte se ‘‘të gjithë njerëzit’’ kishin disa të drejta ‘‘të patjetërsueshme’’ të cilat buronin nga ‘‘natyra dhe Zoti i natyrës’’. Por nga ana tjetër ajo ide nënkuptonte se disa njerëz ishin më të natyrshëm se të tjerët, dhe prandaj duhej të kishin më shumë nga të drejtat e patjetërsueshme në fjalë. Dhe amerikanët e asaj kohe s’mund të bënin ndryshe veçse të konsideronin si ‘‘natyrore’’ përvojën e tyre vetjake, me pikëpamjet dhe paragjykimet e tyre, që do të ishin doemos e tipit europian. Për rrjedhojë ata që nuk u përshtateshin normave europiane ishin, me përkufizim, ‘‘të panatyrshëm’’.

Një kuptim i tillë i ‘‘të natyrshmes’’ pati pasoja të rënda për popullsinë vendase të Amerikës, indianët, kultura e të cilëve ishte, siç dihet, krejtësisht e ndryshme nga ajo e  popujve europianë. Kur u ndeshën me kultura të tilla, eksploratorët e shumtë, duke filluar me ata spanjollë e italianë, e më vonë edhe anglezët, detyrimisht shprehën gjykimet e tyre për to bazuar në kriteret europiane. Mbi këtë bazë ata i cilësuan vendasit inferiorë, jo vetëm si në kundërshtim me rregullat e natyrës, por edhe si jo humanë. Kështu popullsitë indiane ishin, në sytë e të ardhurve, specie të ulëta e të panatyrshme, dhe vetë prania e tyre një pengesë për përparimin dhe zgjerimin e Amerikës.

Është për t’u shënuar gjithashtu se amerikanët mendonin asokohe se Zoti u kishte caktuar kufij natyrorë të gjitha kombeve të botës, dhe kështu ishte detyra e tyre të shtriheshin drejt viseve të reja të Perëndimit derisa kufijtë politikë të përputheshin me kufijtë natyrorë në fjalë. Pikërisht mbi këtë bazë u argumentua nevoja për të aneksuar Texas-in, sepse amerikanët duhet të shkonin tek kufijtë natyrorë të caktuara nga ‘‘Arkitekti i madh i Gjithësisë’’ në mënyrë paqësore nëse mundeshin, por në rast të kundërt, edhe me forcë. Të ardhurit gjithashtu besonin se sistemimi, kultivimi dhe përmirësimi i tokës përbënin thelbin e rendit natyror të gjërave, duke u bazuar tek urdhëresa në librin e Zanafillës 1:28 ku Zoti u thotë njerëzve ‘‘Mbusheni dhe sundojeni tokën’’. Meqë popullsitë vendase nuk e kishin bërë një gjë të tillë, kjo ishte një arsye më tepër për t’i quajtur ato si jo të natyrshme, bile si jo pjesë të racës njerëzore. Prandaj pretendimet e kolonëve të bardhë mbi ato toka kishin përparësi ndaj çdo pretendimi tjetër për arsye se ‘‘vetëm ata e përdornin tokën në përputhje me qëllimet për të cilat Zoti e kishte krijuar atë’’.

Duket pra se thirrjet për të transformuar botën ishin të konceptuara tërësisht mbi terma eurocentrikë, duke çuar logjikisht në justifikimin e doktrinës së ‘‘fatit të qartë’’. Kështu pastori dhe mendimtari i shquar Alexander Campbell në gjysmën e parë të shekullit XIX, shpjegonte në predikimet e tij pas luftës me Meksikën dhe aneksimit të Texas-it se ‘‘Zoti i gjithëfuqishëm e ka rrethuar tokën nga lindja në perëndim me popujt anglo-saksonë, me gjuhën, shkencat dhe qytetërimin anglo-sakson, duke u blatuar një fuqi dhe madhështi të paparë Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara mbi oqeanet dhe detet’’. Po ashtu sipas tij shtrirja e tyre do të vazhdonte derisa paqja dhe vëllazërimi të triumfonin kudo sepse ‘‘në të tërë tokën do të ketë vetëm një Zot, një besim, një shpresë dhe një gjuhë’’.

Në përputhje me sa përshkruam me lart, janë të kuptueshme arsyet se përse doktrina e ‘‘fatit të qartë’’ pati si rezultat të pashmangshëm shfarosjen praktike të popullsive vendase. Një rol shumë prominent në këtë proces pati gjenerali dhe politikani Andrew Jackson, president i SHBA në periudhën 1829-1837, i cili ishte shquar si udhëheqës ushtarak në betejat kundër indianëve. Qysh në fillim të presidencës së tij Kongresi adoptoi Ligjin për Dëbimin e Indianëve, që u shoqërua me zhvendosjen masive dhe të detyruar të vendasve drejt Perëndimit. Është për t’u shënuar se këto zhvendosje e spastrime ndodhën shumë vjet para se ‘‘fati i qartë’’ të fillonte të përmendej si një koncept dhe doktrinë e veçantë, gjë që dëshmon se koncepti në fjalë kishte zënë rrënjë prej kohësh në ndërgjegjen kombëtare amerikane.

Në këtë kontekst konfrontimet e të ardhurve me vendasit u bënë të pashmangshme, dhe këtu një shembull mjaft domethënës përbën sidomos fati i fisit Cherokee, që banonte në viset jugore të Karolinave e të Georgia-s. Ky fis i madh e i fuqishëm besonte se nuk do të cenohej nga të bardhët nëse adoptonte zakonet dhe mënyrën e jetesës së këtyre të fundit. Ata ndërtuan kësisoj fshatra që ngjasonin me ato të së bardhëve, futën praktikën e pronësisë private, filluan të merren me artizanat e zejtari, krijuan një shkrim për gjuhën e tyre, adoptuan një kushtetutë dhe organe qeverisëse të ngjashme me ato të së bardhëve, dhe pranuan në territoret e tyre shume misionarë kristianë. Ata filluan gjithashtu të botojnë një gazetë dhe bile adoptuan edhe praktikën e mbajtjes së skllevërve afrikanë.

Por për fat të keq gjithë këto përpjekje nuk patën asnjë lloj rëndësie kur në tokat e tyre u zbulua ar dhe gati 40000 kolonë të bardhë u dyndën në ato toka. Ata konfiskuan fermat dhe shfarosën kafshët e gjuetisë duke i vënë kështu vendasit para kërcënimit nga uria. Në këto rrethana këta të fundit deklaruan se territori i tyre ishte praktikisht një vend i pavarur, dhe kërkuan mbrojtje nga qeveria federale bazuar në një traktat të vitit 1791 që ndalonte gjuetinë e paligjshme nga ana e të bardhëve dhe shpallte se këta të fundit duhej të kishin pasaporta për të hyrë në territorin Cherokee. Mirëpo në vend që presidenti Jackson të zbatonte detyrimet e atij traktati, ai u deklaroi indianëve se zhvendosja e tyre në Perëndim ishte në të mirën e tyre, sepse do të bënte që ata të harronin ‘‘zakonet e tyre të egra’’ dhe të ktheheshin në një popull ‘‘të qytetëruar dhe kristian’’.

Ndërkaq 3 misionarë kristianë filluan një proces gjyqësor kundër shtetit të Georgia-s, në mbrojtje të indianëve, dhe e ndoqën atë deri në Gjykatën e Lartë. Kur kjo e fundit shpalli vendimin në favor të indianëve dhe cilësoi veprimet kundër tyre si shkelje të traktatit, presidenti Jackson sfidoi Gjykatën ta zbatonte vetë atë vendim, gjë që kjo e fundit kuptohet që s’kishte asnjë mundësi ta bënte. Indianët Cherokee u detyruan të fillonin shpërnguljen masive në të ashtuquajturin ‘‘Shtegu i lotëve’’, dhe gjatë këtij procesi rreth 8000 prej tyre, d.m.th. gati gjysma, humbën jetën nga uria dhe mundimet e rrugës.

Të njëjtin fat pësuan pak a shumë edhe fiset e tjera Indiane si pasojë e përpjekjeve sistematike për nënshtrimin e tyre, të cilat, siç e pamë, ishin të frymëzuara nga doktrina e ‘‘fatit të qartë’’. Krerët indianë protestuan kundër një trajtimi të tillë, dhe duhet theksuar se në fjalimet e shkrimet e tyre ata kritikonin ashpër hipokrizinë dhe cinizmin e të bardhëve, duke thënë se vendasit, me gjithë mëkatet e tyre, s’mund të ishin kurrë aq të këqij sa të ardhurit. Megjithatë protestat e tyre s’patën asnjë sukses, dhe qeveria amerikane vetëm më 2009 kërkoi zyrtarisht falje për keqtrajtimin e popullsive indiane.

Edhe zezakët amerikanë protestuan shpesh ndaj këtij trajtimi të indianëve. Ata i kishin provuar vetë në kurriz efektet e doktrinës së ‘‘fatit të qartë’’ dhe mohimin e të drejtave ‘‘të patjetërsueshme’’ nga ana e të bardhëve, e kështu e kuptonin situatën e indianëve më mirë se kushdo tjetër. Prandaj predikuesit dhe liderët zezakë e kritikuan me forcë atë doktrinë gjatë gjithë shekullit XIX. Në kohën e luftës amerikano-spanjolle për Kubën dhe Filipinet, predikuesi zezak D.P. Brown deklaronte se lufta nuk ishte për interesat e njerëzimit, por për interesat tregtare të vetë Amerikës. Ishte zor të besohej, sipas tij, se një qeveri që s’kishte shprehur asnjë lloj shqetësimi për jetën dhe lirinë e dhjetë milion qytetarëve të saj nga më besnikët, të përfshihej papritmas nga ‘‘dashuria për lirinë e vëllezërve tanë zezakë në një vend tjetër’’. Ai ftonte popullsinë me ngjyrë të Amerikës të protestonte në mënyra të ndryshme, edhe nëpërmjet votës, kundër nënshtrimit të popullit të pambrojtur të Filipineve, kundër ‘‘mashtrimit të çuarjes tek ata të besimit kristian me Biblën në njërën dorë, dhe zjarrin e hekurin në dorën tjetër’’.

Mund të themi si përfundim se doktrina e ‘‘fatit të qartë’’, me shkrirjen e elementeve fetare dhe laike, pati një funksion të rëndësishëm në justifikimin e shtrirjes së Shteteve të Bashkuara drejt Perëndimit. Vizioni i saj mbështetej mbi terma eurocentrikë, dhe vërtet mendohej se do të çonte në paqen universale, por vetëm pasi të tjerët të ishin nënshtruar dhe vetëm sepse qytetërimi anglosakson do të ishte kudo mbizotërues.

Duket pra se vetëkuptimi i amerikanëve si komb dhe popull i veçantë, si shembull për të tjerët, ka qenë vazhdimisht i pranishëm gjatë gjithë historisë së tyre, në përputhje me vizionin e trajtuar edhe më parë të ‘‘qytetit mbi kodër’’. Këtu nuk është fjala të diskutohet se sa të drejta kanë qenë këto vetëkonceptime të amerikanëve për misionin e tyre, por vetëm të tregohet se ato kanë ekzistuar dhe kanë qenë nxitje të fuqishme lëvizjesh e politikash madhore jo vetëm për vetë Amerikën, por edhe për tërë botën. Mbetet për t’u parë nëse gjithë kjo bazë historike do të mundet t’u rezistojë prirjeve të sotme izolacioniste të shprehura sidomos nga ‘‘America first’’.

14 Komente

  1. “Këtu nuk është fjala të diskutohet se sa të drejta kanë qenë këto vetëkonceptime të amerikanëve për misionin e tyre, por vetëm të tregohet se ato kanë ekzistuar dhe kanë qenë nxitje të fuqishme lëvizjesh e politikash madhore jo vetëm për vetë Amerikën, por edhe për tërë botën.”

    Mbasi u tregua mire e bukur qe besimi amerikan per misionin e veçante te tij ka ekzistuar dhe ka qene nxitje per politika madhore ne nivel planetar, ka rendesi akoma me te madhe te tregohet, ose te perpiqet te tregohet, nese kane qene te verteta ose jo.

    Sepse, nese kane qene te verteta atehere kane pasur te drejte mbi sovjetiket (reduktuar historia ne momentin kulmor te fenomenit), nese nuk kane qene, atehere amerikanet jane nen nivelin e indjaneve lekurkuq.

    Meqe te shof te interesuar per kete teme, jam kurioz nese e din qe edhe Ruset kishin te njejten fiksasion mesianik per veten?

  2. Francezi Alexis de Tocqueville shkruan në fragmentin e famshëm në fund të vëllimit të II të Democratie en Amerique (1835):

    “Sot mbi tokë janë dy popuj të mëdhej që, nisur nga pika të ndryshme, duket sikur bëjnë përpara drejt të njëjtit qëllim: janë Rusët dhe Anglo-amerikanët. (…). Amerikani lufton kundër pengesave që i kundërvë natyra; rusi merret me njerëzit. Njëri lufton shkretëtirën dhe barbarinë, tjetri qytetërimin veshur e ngjeshur me të gjitha armët e tij: kështu pushtimet e amerikanit bëhen me plugun e bujkut, ato të rusit me shpatën e ushtarit. Për të arritur qëllimin e tij i pari bazohet mbi interesin personal dhe lejon të veprojnë pa udhëzim forcat e individit. I dyti përqëndron, në një farë mënyre, në një njeri të vetëm fuqinë e shoqërisë. Njëri ka për mjet kryesor të veprimit lirinë; tjetri shërbimin. Pikënisjet e tyre dallohen njëra nga tjetra, rrugët e tyre janë të ndryshme; megjithkëtë të dy bashkë duken të thirrur nga një plan sekret i Providencës për të mbajtur një ditë në duart e tyre fatet e njërës gjysmë të botës”.

    Natyrat e ndryshme duken sheshit në mënyrën e kolonizimit: në sulmin amerikan drejt bregut të Paqsorit ushtria vjen e fundit mbas bylykut të eksploratorëve, gjuetarëve, bujqëve, rritësve të kafshëve, minatorëve, tregëtarëve, bankierëve, ndërsa në sulmin rus drejt lindjes siberiane, përkundrazi, ushtria vjen menjëherë mbas eksploratorëve; nëse në rastin e parë “qyteti mbi kodër” ngjizet rreth postës, stacionit të hekurudhës, zyrës së gjykatësit, noterit, bankës, shkollës, kishës etj, në rastin e dytë “qyteti mbi kodër” ngjizet përreth garnizonit, fortesës, njësisë kozake etj.

    1. Ti ore psikopat vellai rrofsh e qofsh qe e ke lexuar kete artikull, ashtu si edhe te meparshmit. Prandaj duhet ta kesh kuptuar tashme se cila eshte fusha ime e interesit. Rrjedhimisht s’e kam fort te qarte se pse pyetjen direkte (te paragrafi i fundit i komentit tend perurues) e ke paraprire me nje fare habie per “kete teme”. Keshtu qe po e theksoj perseri: fusha ime eshte roli i besimit fetar, perkatesisht kristian-protestant-evangjelik, ne historine, politiken dhe kulturen amerikane. Edhe “fati i qarte” futet ne kete hulli, si jam perpjekur ta shpjegoj.

      Tashti per pyetjen direkte, po, jam ne dijeni te pretendimeve mesianike te ruseve, edhe te shume popujve te tjere, afer e larg nesh. Por kjo s’ka lidhje me temen e artikullit. Po ashtu as ajo puna e sovjetikeve apo e “indianeve lekurekuq”, prandaj po e mbyll me kaq.

  3. Meqe as une nuk e kam te qarte çfar ti s’ke te qarte, po mundohem ta sqaroj me teper, me tej e me gjere, kryesisht qe nuk jam jashte teme-

    Jam me se brenda ne teme, pare tema nga nje vizion me i gjere se kritika e Trump nga e majta sallake amerikane (qe as ka nevoje te kritikohet si tradhetar i misionit amerikan, sepse ka tradhetuar edhe misionin banal te lekurkuqeve).

    E nga ky vizion me i gjere ruset jane komplet brenda ne teme sepse kane mision komplementar me amerikanet, kane nje “fat te qarte” komplementar me amerikanet, bipolarizmi i Luftes se Ftohte e verteton kete (mesianizmi i çdo populli tjeter, perveç ruseve dhe amerikaneve, do te ishte jashte temes, e nes do te flisja psh per Australine do te kishe te drejte). Profecia e turistit francez Tocqueville e bere nje shekull me pare se te behet realitet e fortifikon kete vertetim duke e ngritur ne katror e duke treguar se ketu kemi te bejme me nje te vertete te madhe. Pra duke te perifrazuar ty me ca ndryshime ne pohore:

    këtu është fjala të diskutohet se sa të drejta kanë qenë këto vetëkonceptime të amerikanëve për misionin e tyre, dhe të tregohet se ato kanë ekzistuar dhe kanë qenë nxitje të fuqishme lëvizjesh e politikash madhore jo vetëm për vetë Amerikën, por edhe për tërë botën.

    Nje gje qe eshte ne gjendje te profetizohet, eshte shumefish me e vertete se nje gje e ndodhur.

    Sa me siper vlen per te thene qe citimin e Tocqueville nuk e solla per tu dukur me kulture duke dale jasht teme.

    Mund te vazhdoja me tej, por e le me kaq vetem si sqarim per ankesen standard jasht teme, ndeshur rendom ne çdo teme. Varet nga ty nese kerkon diskutim me tej, apo kerkon vetem lexim te nje shkrimi te mire dhe korrekt (per me teper ne shqip ku nuk para ndesh tema te tilla), por qe vetem i shton nja dy faqe te tjera atyre mijerave faqeve te shkruara per kete teme.

    1. Ok, por mendoj se diskutimi yt do te ishte me vend nese tema e shkrimit do te kish qene ”krahasimi ndermjet vetekonceptimeve mesianike te ruseve dhe te amerikaneve”. Tema ime ishte vetem shfaqja e Manifest Destiny tek amerikanet, lidhja me idete e meparshme dhe roli i saj historik. Kaq. Dhe kjo ne ilustrim te asaj qe amerikanet e kane pare veten gjithmone me nje vizion dhe mision dhe ”qyteti mbi koder” ka edhe nje datelindje:1620. Per mesianizmin rus nuk di hollesira, nuk di te kete perdorur ”qytetin mbi koder”, por sidoqofte insistimi per t’i krahasuar te dyja perben padyshim dalje jashte teme. Keshtu edhe profecia e Tocqueville, megjithe respektin e madh qe kemi per te, nuk hyn ketu.

      Ajo qe thua per kritikat e Trump nga ”e majta sallake amerikane” nuk eshte e sakte. Une nuk e kam idene se ne ç’pike te globit jeton ti, por sa per dijeni ne Shtetet e Bashkuara sot nuk jane 2 rryma te vetme dmth trumpizmi dhe ”e majta sallake”, por shume e shume te tjera in-between. Kjo nuk i pengon aspak nje pakice trumpistesh te mendojne se duhet te jesh ”o me ne o kundra nesh” por keto lloj pakicash (fringe) jane te pranishme ne politiken e çdo vendi. Ne fakt Trump kritikohet fort nga mjaft konservatore, por edhe vete referenca ndaj Trump ne artikull eshte fare anesore. Ate e kam futur vetem per te thene qe MAGA eshte ne kundershtim gjithe historine e vizionit amerikan, te ndjekur, po e perseris, nga te gjithe presidentet paraardhes te çdo ngjyrimi politik. Ky artikull i fundit ka qellim vetem te shpjegoje nje aspekt tjeter te rrenjeve te thella te atij vizioni historik.

      Po shtoj edhe se ardhja e ushtrise ”mbas bylykut të eksploratorëve, gjuetarëve, bujqëve, rritësve të kafshëve, minatorëve, tregëtarëve, bankierëve” mund te thuhet ka ndodhur (perafersisht) edhe me Kanadane dhe Australine, por atje s’eshte perdorur ”qyteti mbi koder”. Perseri kjo nuk u shton apo u heq asgje atyre çka kam thene per ”fatin e qarte” te Amerikes.

      1. Shyqyr me ne fund e kam te qarte se çfar kerkon. Vetem se akoma nuk e ke te qarte se çfar dua te them.

        Riperseris me thjeshte dhe me qarte: megjithse tema ishte ishte vetem shfaqja e Manifest Destiny tek amerikanet futja ne pilaf e ruseve eshte me se legjitime, sepse Rusia nuk eshte Kanadaja dhe Australia, por eshte ana tjeter e medaljes se Manifest Destiny amerikan. Per kete dyfaqesi ose bipolaritet komplementar te Manifest Destiny deshmon edhe profecia e Tocqueville edhe Lufta e Ftohte.

        Dhe kjo permendje implikohet nga nje arsye akoma me te thelle te permendur ne komentin e pare: nese Manifest Destiny amerikan ka baze te vertete, apo eshte nje shpikje e imperializmit amerikanj per te justifikuar pushtimin e botes mbare. Te ciles arsye ti i ke bere bisht ne nje fraze ne fund te shkrimit duke u interesuar vetem per efektin e fenomenit.

        Dmth krimi im nuk eshte dalje jasht teme, por thellim i temes dhe rritje e vizionit per ta rrok temen sa me teper qe eshte e mundur me te gjitha implikimet dhe konseguencat e saj. (Trump, e majta sallake dhe e djathta mengjerashe, dhe shume amerikanizma bashkohore te ketij lloji, jane konseguenca banale te humbjes se misionit Manifest Destiny, por un nuk jam kaq kriminel sa t’i trajtoj edhe keto ne temen tende).
        —————————————————————————————————————

        “Qyteti mbi koder” rus eshte vetem nje ironi qe pason idene e bipolaritetit Rusi-USA si me te njejten ambicje per Manifest Destiny, per “qytet mbi koder”. Per ta zhvilluar me tej ironine, lidhur edhe me ç’ka kam sugjeruar per natyrat e ndryshme komplementare, ruset tamam tamam kane pasur ambicjen per “keshtjelle mbi koder”.

        ————————————————————————————

        “Une nuk e kam idene se ne ç’pike te globit jeton ti, por sa per dijeni ne Shtetet e Bashkuara sot nuk jane 2 rryma te vetme dmth trumpizmi dhe ”e majta sallake”, por shume e shume te tjera in-between.”

        Une edhe sikur te punoja ne Shtepine e Bardhe, edhe sikur te jetoja ne Mjegullnajen e Andromedes, do te kisha mendje top qe politika amerikane (ose me ne pergjithsi politika anglo saksone) eshte bipolare par ekselance, sepse bazohet ne parimin ose ligjin bipolaritetit, qe eshte nje ligj kozmik, dhe si i tille i nenshtrohen te gjitha llojet e politikave te te gjitha llojeve te vendeve qe maskojne kete ligj kozmik me politika ne dukje moniste, ose ne dujkje pluraliste (moniste-pluraliste, eshte nje bipolaritet me vete, qe deshmon bipolatetin kozmik). Edhe ne Byrote Politike tiranike, ne fakt ishin dy pale qe kerdisnin njera tjetren.

        Qe realiteti eshte me i copezuar, me kaotik, me i nderthuar, kete e di edhe un, por un po flas per esencen e realitetit, per surealitetin (reale-sureale nje tjeter bipolaritet, pasoje e bipolaritetit kozmik) ha! ha!

        1. Psikopat, kur thua qe ”Rusia eshte ana tjeter e medaljes se Manifest Destiny amerikan” kjo eshte vetem nje shpallje, dhe si e tille, e pamjaftueshme. Rrjedhimisht meriton te shoqerohet me ndonje reference sepse, po e riperseris, une nuk kam asnje ide per kete. Por do isha i interesuar te lexoja ndonje trajtese rreth kesaj, nese ke ndonje te tille je i lutur ta shpallesh ketu. Tocqueville nuk ndihmon sepse zanafilla e ideve te meparshme amerikane qe çuan te MF eshte shume me e lashte se Tocqueville.

          Kur thua ”nese Manifest Destiny amerikan ka baze te vertete, apo eshte nje shpikje e imperializmit amerikan per te justifikuar pushtimin e botes mbare” sikur i afrohesh ca thelbit te shkrimit tim. Teza ime eshte se baza e MF ishin te gjitha ato ide te meparshme te cilat kam permendur, pra ka baze te vertete. Nese eshte shpikje per te justifikuar pushtimin e botes, e kam thene ne disa vende gjate shkrimit se e tille u konsiderua edhe atehere nga shume zera. Ky eshte me sa duket fati i çdo ideje madhore: ca i perdorin per mire, ca i perdorin per keq. Por nese me fjalen ”shpikje” ke parasysh diçka konspirative, te siguroj qe nuk eshte ashtu.

          Mbetsh me te mira!

        2. Une nuk jam studjues mirfilli, ne kuptimin qe nuk kam grada shkencore dhe nuk fitoj buken e gojes duke bere profesorin. Jam amator, lexoj dhe komentoj per tu zbavitur, por theksoj: nje lloj zbavitje serioze totalisht e impenjuar. Pra nuk kam referenca akademike per temen, por kam disa referenca jetesore per temen, te cilat, spas kerkeses tende, po i referoj.

          Shume vite me pare vitit 89 kam pasur timin nje ditar te Ernst Junger me titull “Kopshte dhe rruge”, nje perle lexuar e sterlexuar, gati mesuar permendesh (vetkutptohet, ishte koha e mungeses se librave). Mbas 89-tes u krijua mundesia qe te gjej dhe lexoj te gjitha ditaret e Jungerit. Meqe ka pothuajse 20 vjet qe nuk merrem me me keto lloj leximesh, nuk jam komplet i sigurte se kur kam lexuar per here per paragrafin e famshem te Tocqueville, ne “Kopshte dhe rruge” apo ne ndonje ditar tjeter te tij. Por i kam te gjitha ditaret ne shtepi, dhe nese vertet te intereson, me bej nje ze, per nje ore e gjej ku eshte.

          Meqe ne lexime ndodh si ne jete, nje mik te prezanton me nje tjeter, prej Junger u njoha me Carl-Schmitt, i cili e ka trajtuar historine e botes si konflikt komplementar midis deti dhe tokes (ne esence midis te lengeshmes dhe te ngurtes). Nga legjendat prehistorike sureale shkon ne fillesat e historise reale, psh konflitit midis Spartes (tokes) dhe Athines (detit), derisa arrin ne konfliktin e fundit ne rang planetar: Pakti i Varshaves (tokes) – Pakti i Atlantikut (deti). 50 faqe liber, lexohet me nje fryme, shume i thjeshte si lexim, nje poeme e vertete, quhet Land and Sea.

          https://www.amazon.it/Land-Sea-World-historical-Carl-Schmitt/dp/0914386565

          Kaq e kam takatin te kumtoj si amator, kush do me u zhyt me thelle ne kerkime, mund ta beje po te doje me lehtesi nepermjet ketyre kodeve fillestare.

          Ndersa per Manifest Destiny te Rusise sa per te krijuar nje ide:

          “To a certain extent, Hosking is here reviving one of the ideas of the émigré Russian philosopher Nicolas Berdyaev, who argued that, after the schism of the 17th century, messianic ideas such as the Third Rome were preserved not only among the Old Believers but also among the Russian people as a whole, where they later provided a fertile breeding ground for the Communist messianism of the intelligentsia that was to turn the monk Filofei’s Third Rome into Lenin’s Third International.”

          Kodet e kerkimit i ke ne keto fraza.

          Kam nje sugjerim, nuk mund ta njohesh nje vend tamam dhe te dish per te gjera me baze, pa jetuar aty disa vite. E domosdoshme nuk eshte, por eshte shume teper e nevojshme. Konkretisht e kam fjalen per Rusine, qe njesoj si Amerika, ne kundeshtim me diturine standard qe njef se çfar i ka thene Krushovi Enverit dhe Stalini Mehmetit, eshte veper e sekteve heretike.

        3. Harrova te shtoj nje reference klasike ne lidhje me “Romen e Trete”:

          M. Perrie, Moscow in 1666: New Jerusalem, Third Rome, Third Apostasy

  4. “Falenderojme Jezu Krishtin qe na shpetoi nga mallkimi i ligjit”.Shprehet Shen Pali tek Ungjilli.Maria Magdalena sipas ligjit te farisejve,si mekatare duhej te gurezohej,derisa te jepte shpirt.Ai qe nuk ka shkelur kuroren bashkshortore te hedh gurin e pare.Shprehet Jezusi,duke shpetuar mekataren nga barbaria e burracakeve.Ponc Pilati megjith pergjerimin e gruas se tij,qe kish pranuar besimin e krishtere,nuk i nderron mendjen burrit te vet.Ponc Pilati lan duart,duke ja lene ne dore turmes,qe shpeton kryengritesin Baraba,dhe jo Jezusin”Jepni Cezarit cfare i takon Cezarit,dhe jepni Zotit,çfare i takon Zotit”.Populli Hebre u shpall si vrasesi i profetit Jezu.Viti 70 kulmoi me barbarine e pashembullt,vrasjen shpernguljen masakrimin,e popullit Hebre,qe u perzu nga toka e vet,dhe mori rruget e botes.Kurani thuhet se dmth diktim nga fryma e Zotit,qe ju be Profetit Muhamet.Vlen e njejta gje per tere profetet e tjere.Por raca e bardhe jo vetem e proneson,profetin Jezu,por e shpall si birin e Zotit,nese te tere profetet u ngjizen nga marredheniet trupore,burre grua,Jezusi ishte perjashtim.Jezusi ishte zgjedhur enkas per te bardhet,qe jo vetem i dhane shembellese,deri ne bjond me sy bojqielli,por e bene te paracaktuar,si birin e Zotit,per racen e bardh siperore.Per Hebrenjt ishte profet,ne vazhden e tere profetve,pa shembellese,dhe aspak biri i Zotit.Kryqezata u ndermoren nga te bardhet,te panumerta,kinse per te ruajtur qytetin e shenjte te Jeruzalemit,nga te pafetë.Masakra gjenocide te pashembullta u kryen,ndaj popullsise civile.Te njejtin fat pesuan,hebrenjte nder mijevjeçare,si kinse tradhetare te birit te Zotit,gjenocid qe kulmoi,me Holokaustin.Spanja shpiku makineri te perbindshme torturash,pjese e Inkuizicionit,ndaj te pafeve.Spanja zhduku qytetrimet e lulzuara te Aztekve Majave Inkasve,kinse per ti futur ne udhen e qytetrimit kristian.Popullsite e ktyre qytetrimeve u ropen u zhvaten u skllaveruan.Kjo ishte shperblesa ndaj zbulimit te misrit patateve domateve,kafes kakaos,papiruseve me dije te tera lemive,te ruajtura nder mijevjeçare,qe u dogjen pa meshire.Sot e asaj dite kto popullsi kan humbur gjuhen zakonet,jetojne me nje identitet te dyzuar,te perbuzur te perçmuar te pergjysmuar.Per Ameriken e Veriut u kujdesen,anglo-saksonet me puritanizmin e tyre,qe polli organizaten famekeqe te Ku Klus Klanit,simotra e Inkuizicionit Spanjoll.Heqja e skalpit koleksionimi i tyre,ndaj vendasve,perfitimi i parave ne kembim,vrasjet perdhunimet,ishte sporti i preferuar i te bardheve.Mbas 30 vjetesh shfrytezim barbar te nentokes se tyre te pasur me nafte,te bardhet ne USA nisen kryqezatat moderne.Lufta e Kuvajtit ndarja Irak-Iran,asgjesimi i diktatorit te Irakut,u dha dore te lire amerikaneve te shfrytezimit te trilionave fuçive te naftes.Me bekimin e shteteve ku sundon puritanizmi lslamik:Arabia Saudite ne krye te listes,me satelitet e saj:Kuvajt Abu Dabi Bahrein Dubai.Pjese e tortes u be edhe puritanizmi ortodoks Rus.Bashkimi Sovjetik ushtroi nje gjenocid te padegjuar ndaj gjitha ishrepublikave Ruse,qe nuk perqafuan puritanizmin ortodoks.Sidomos republika e Çeçenise,qe sot e asaj dite mbahet nen shtetrrethim.Pellgu naftembajtes i Baku-se ne Azerbajxhan,zbuluar nga gjeniu gjeolog hebraik,Stanislaw Zuber,u pervetsua pothuajse i teri,me ane te teknologjise.Kto tre puritanizma fondamentaliste fetare ideologjike,sidomos ai amerikan,mbollen faren e perbindeshit apo kimeres se ISSIS.Sot e asaj dite fuqizohet dita dites,nga mbeshtetja e fondamentalizmit ortodoks Rus dhe fondamentalizmit islamik shiit lranian.Siria me tre qytete 7000 vjeçare:Aleppo Damasku Palmira,pothuajse e rrafshuar,kthyer ne rrenoje.Refugjate qe vdesin dita dites,ne det ose jetojne ne kushte shnjerzore,neper kampe te sajuara.Njohja e Jeruzalemit si kryeqytet,i dha nje skajim kulmor,fondamentalizmit rabinik judaik,i lulzuar dhe i selitur nder dekada,duke shkaktuar nje vale dhune te pashembullt,ndaj popullsise civile palestinese,qe tashme eshte e perqendruar,ne disa ujdhesa,brenda territorit te Palestines.Kur tashme dihet se dikund 4 milion Palestinez jetojne ne shtetet kufitare me Izraelin.Sikurse jane Jordania Libani dikur Siria,e keshtu te shperndare ne tera vendet arabe te Lindjes se Mesme,perfshire vendet e Magrebit.Ne Afganistan fondamentalizmi taleban,arriti deri aty,sa shkaterroi trashegimine boterore joislamike,grate I veshi me burka,xhamat e shtepiave u lyen me boje,TV e plot gjera te teknologjise euro-amerikane u dogjen shkaterruan.Njerzit humben pune pasuri prona,dhe ju dhane mergimit te pashprese.Diku 2milion Afgane,jetojne neper tenda ne territorin e Pakistanit.Ndjese per stergjatjen qe nuk eshte kurre shterruese,por ky eshte roli mesianik,sidomos i puritanizmit:Katolik,Protestant dhe Evangjelist Amerikan,ortodoks Rus,pastaj atij lslamik:Sunit Shiit dhe sektar,per ta mbylluar me ate Rabinik/Judaik.

    1. Adriatik, sikur te ishe i bindur 100% se Biblen dhe Kuranin i kane krijuar mendjet e varfera mesjetare njerezore, kishe per ta kursyer gjithe kete koment te gjate, sepse do ta kishe te qarte po ashtu 100% qe gjithshka e ben njeriu i nisur nga interesat e tij materiale -ne radhe te pare- e pastaj ata shpirterore. Dhe ky njeri ka ndrruar shume fe gjate jetes se tij, dhe po ky njeri vazhdon ti mbaje masat njerezore nen pikpamje fetare, si e si ti shfrytezoje me shume.

  5. Psikopat, ajo e Schmitt me duket vertet interesante dhe do ta lexoj patjeter. Ndersa mesianizmi rus nga referencat e mesiperme duket qe ka karakter vetem besimtar dmth brenda kristianizmit, ne rivalitet me Romen. Por mesianizmi amerikan, siç e kam shpjeguar, ne nje distance kohore prej 200 vjetesh shtoi elementin laik me ”lirine dhe veteqeverisjen federative” dhe kjo nderthurje perben nje tipar themelor te ”fatit te qarte”.

    Z. Adriatik dhe z/znj. r.th., komentet tuaja jane krejt jashte teme, ju lutem referojuni postimit te djeshem te moderatoreve lidhur me karakterin e komenteve.

    1. Referenca qe te kam dhene eshte bazike, ndoshta akademike, nuk e di mire por di qe ekziston pothuaj ne te gjitha studimet qe i perkasin kesaj teme. Prandaj dhe ta dhashe, per te ditur bazen, e cila s’do mend te jete fetare, sepse edhe baza e anes tjeter te medaljes, asaj amerikane, ka baze fetare, i perket levizjes te quajtur Zgjim i Madh, nje tjeter zgjatim mesianik i protestantizmit evropian te kalçifikuar. Nuk besoj qe ti ve ne dyshim qe demokracia amerikane ka baze te dukshme fetare (Weber e ka nxjerre kapitalizmin me baze fetare, kalviniste). Ndryshe nga demokracia evropiane qe e ka te fshehur, por jo te pa dukeshme, sepse ka lind duke mohuar Zotin.

      Jo pa qellim te dhash vetem kodin qe ta kerkosh vete nese je vertet i interesuar, se e di per eksperience qe linket e sugjeruar nuk para lexohen.

      Bera nje gugllim me kete kod: “Nicolas Berdyaev messianic Filofei’s Third Rome Communist intelligentsia”, dhe zeri i pare i sugjeruar ishte ky:

      http://www.jesus-for-all.com/fikr/pdf_3189.pdf

      Nese ke takat me e lexu, ketu gjen anen tjeter te medaljes amerikane ne formen komplementare te saj, jo demokratike popullore, por demokratike cariste elitare. Ndryshe nga Amerika, por ne thelb njesoj, ne Rusi liria vjen nga maja e piramides, jo nga poshte si ne Amerike. Psh lirine e sklleverve muzhike e jep Cari, ndryshe nga lirine e sklleverve zezake ne Amerike. Reformat vertet liberale kishtare sugjerohen nga kleri i larte (Tihon), muzhiket ishin reaksionar etj.

      Ky lloj vizioni krahasimtar eshte shume zbavites, perveç se kupton tamam shume gjera.

      ——————————————————————————————————-

      Edhe komenti i r.th., qe Bibla eshte shkruar ne Mesjete nga genjeshtare obskurantiste eshte brenda temes po ta shohesh nga ky vizion qe sugjeroj qe ben te kuptosh shume gjera, edhe humoristike. Mjafton te kesh te kesh te zhvilluar ndjenjen e humorit.

      1. “Asnjë popull (…) përveç popullit hebre, zotëron një vetëdijë mesianike, bindjen se është i zgjedhur për bëma të mëdha dhe detyra universale si populli rus. Ajo manifestohet gjatë historisë ruse deri në periudhën komuniste.”
        Nikolai Berdjaev

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin