LA VIE EN ROSE

nga Ana Idromeno

Kutërbimi i groshëve që janë lënë në sobë më shumë se çe kërkon koha e tyre e zierjes, është asfiksues, sidomos kur sapo ke hapur sytë. Ende s’ka gdhirë plotësisht. Kush dreqin e ka vënë tenxheren të vlojë që tani, pyes veten e bezdisur. E zhys kokën poshtë jastëkut por era e fortë ia del të më zërë edhe aty. Nëse kjo është ndonjë proçkë e time ëme, do t’i bëj namin, them dhe ngrihem vrik me revoltën arrogante që i karakterizon njerëzit si puna ime, të cilët e kanë (ende) luksin të mos stresohen për zierjen e groshës.

Por kuzhina është bosh. Çdo gjë duket në vendin e vet dhe rrezet e para të diellit s’kanë bastisur ende aty. Era vjen nga jashtë. Këtë do të ma konfirmojë vetëm pak minuta më vonë britma e nevrikosur e komshiut që ia del të ngjitet në katin tim me një shpejtësi pothuajse konkurruese me vetë erën. Zëri i tij është i thellë por buçitës. Nëse do e krahasoja me një notë muzikore, kjo do të ishte padyshim një Do maxhor që si ka rënë kush prej një kohe të gjatë…

Miti (kështu e thërrasin bashkëshortin e komshijes), është një burrë me bark të lëvdueshëm dhe shumë qime rreth e përqark kërthizës që më duket sikur e zbulon atë me krenari ditëve të nxehta të verës. Flokët i ka kaçurrela dhe hundën të madhe. Nget një motorr të vjetër, kaq të vjetër sa që kur kthehet në shtëpi me të, të krijon përshtypjen se mjetit po i bien pjesët njëra pas tjetrës, në mënyrë të dhimbshme.

Ulërima e Mitit s’është megjithatë vetmitare. Ajo pasohet menjëherë nga klithmat e D. që s’kanë lidhje me groshët apo gatimin në përgjithësi por me 20 vite martesë, një ekonomi rrëmbythje, disa “kurva” që D. pretendon t’ia ketë zbuluar Mitit gjatë bashkëjetesës së mundimshme dhe lekët e bërë rrush e kumbulla prej tij për alkool. Të gjitha thuhen me një frymë pas së cilës bie një heshtje përçmimi, sikleti, faji. Njëfarë heshtje që s’paralajmëron asgjë të mirë.

Skuthtazi, shtyj lehtë derën e dhomës së prindërve dhe me një shkathtësi të pa përvetësuar si duhet, ia dal gjithsesi të vjedh një cigare Marlboro nga xhepi i xhaketës së tim eti. Trimufuese për aktin, zhdukem drejt parvazit të ballkonit. Nuk e konsideroj veten njeri mëngjesi, nga ata që zgjohen plot me jetë dhe energji, të lumtur pa arsye ose për arsye që mua më dëgjohen idiote, ama freskia e atyre orëve të para s’ka të paguar dhe e shijoj pafundësisht sa herë më jepet rasti.

Meqënëse sherri midis Mitit dhe D. gjykoj të ketë zgjuar tërë lagjen, hap radion prej nga ku zëri i ngjirur i Louis Armstrong më përkëdhel për shtatë palë qejfe. Po, përdor ende një radio të viteve ‘90 (për kuriozitetin e lexuesve). Është iluzioni i ëmbël i arratisjes nga epoka e ftohtë e Fejsbukut dhe WhatsApp-it. Ndërhyrjet e valëve simotra në sistem pushojnë shpejt dhe kënga del e kthjellët. Është një këngë romantike e viteve ‘40, shkruar dhe performuar fillimisht nga Édith Piaf dhe përshtatur si diçka më pak se një dekadë më vonë në anglisht, shoqëruar këtu nga tromba e Armstrong-ut; një adhurim i hershëm imi.

Muzika vijon në atë që unë si dikush e cila s’ka studiuar as solfezhin dhe as diçka realisht me rëndësi nga kjo fushë, e quaj “kreshendo andante”. Kreshendoja apo çfarëdo qoftë realisht, shoqërohet nga tingulli i lugëve dhe pjatave që përplasen (por çuditërisht s’thyhen) me të njëjtin ritëm me këngën.

Miti e kërcënon gruan se do t’ia fusë me shpullë nëse kjo se qep gojën. D. e provokon duke e nxitur që ai ta qëllojë, sipas kësaj vetëm kjo i ka mbetur që ai ta përqafojë plotësisht stereotipin e burrit injorant dhe të dhunshëm nga kjo anë e botës ku në vend të urimit klasik mëngjesor, njerëzit zgjedhin ta mallkojnë njëri-tjetrin në mënyrë pasionante, me të atillë pasuri leksikore që do t’i përdridhte gjuhëtarët nga zilia.

“Bushtër!”, bërtet Miti. “Burrë mu*i!!”, ia kthen D. Situata përngjan me një skenë teatri: përplasja e një dere trondit edhe xhamat e dritareve të mia; njëkohësisht, tromba e Armstrong që konkurron nga kati i tretë me melodinë spektakolare të shkëmbimit të Mitit me D. thuajse humbet pas ndërhyrjes së një fizarmonike që disa çiliminj të pastrehë – mbirë nga hiçi – nisin ta luajnë aty përkarshi rrugës.

Fik radion dhe e rehatuar siç jam në çimento, provoj t’i nxjerr fjollat e tymit në formë rrumbullake. Teksti i këngës që fliste për puthje të atij lloji që të çojnë afër portave të parajsës vazhdon të më luhet në kokë, teksa porta konkrete e shtëpisë së kësaj familjeje të brishtë është përplasur sërish. Kësaj here Miti ka ndezur motorrin dhe ia ka mbathur nga sytë këmbët. D. ia ka plasur të qarës dhe fqinji përballë tyre ka marrë mjaftueshëm zemër sa për të na bërë të ditur të gjithëve se i është çarë trapi që në pikë të sabahut!

Refuzoj ta fik cigaren pa e sjellë edhe njëherë tymin rreth e përqark gojës që të dalë si O-ja e çibukut të shumëkëmbëshit te Liza në Botën e Çudirave. Unë s’matem dot me këtë personazh intrigues pavarësisht se çuditë e jetës në Ballkan do t’ia sfidonin imagjinatën edhe një autori si puna e Carroll. Prandaj, vendos ta fik atë ushqim kanceroz dhe të shpresoj në mos cenimin e heshtjes për një kohë të gjatë, jo shumë të gjatë por mjaftueshëm sa për të marrë veten nga kjo shfaqje aspak e huaj…

Mbështes krahët në hekurat e ftohta të parvazit kur alarmi që do duhej të më sinjalizonte kohën e zgjimit, nis të luhet papritur sepse mesa duket, qetësia mbetet ende ide abstrakte këndej pari.

(c) 2018, autorja.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin