EMOJI TË REKRUTUARA (II)

Te The Semiotics of Emoji (Bloomsbury Advances in Semiotics, November 2016), pasi shënon që synimi i përdoruesve të emojive është t’i shtojnë “ton vizual” një mesazhi, Marcel Danesi vëren se këto – emojit – e pasurojnë kuptimin kontekstual të thënies ku përdoren, duke ndihmuar efektshmërinë (shpejtësinë e leximit).

Po cili është konteksti i faqes në Facebook të kryebashkiakut Veliaj? Atje duket sikur komunikohet lirisht me përdoruesit, dhe në fakt shumë nga statuset shoqërohen me “likes” të shumta dhe ndonjëherë edhe me komente – herë përgëzuese, herë kritike; por në fakt nuk ndodh komunikim dykahësh, as shkëmbim thëniesh dhe idesh, sa kohë që Veliaj vetë zakonisht mjaftohet me statuset dhe nuk hyn në debat me komentuesit dhe miqtë. Me gjithë tonin informal që zgjedh të përdorë titullari i faqes dhe përpjekjet serioze për pompim emocional të lexuesit, faqja vetë ka natyrë më shumë informuese, për arritjet e ndryshme të institucionit që drejton Veliaj.

Për këtë arsye, një nga funksionet bazë të emojive, që sipas Danesi-t është “t’i mbajë ndërveprimet miqësore dhe të gëzueshme” vetëm sa vihet në skenë, por nuk realizohet mirëfilli; Veliaj mjaftohet të përcaktojë tonin vizual të statusit të vet[1], por pa shkuar më tej; dhe roli i tij si autor statusesh nuk është aq ai i një funksionari publik, sa i një shpërndarësi bombonesh afektive (gjendjesh shpirtërore të gëzueshme, pozitive, optimiste).

Në fakt, emojit sot e kësaj dite tipikisht përdoren në chat-et mes përdoruesve të rrjeteve sociale, që nga telefonat celularë, tabletat dhe kompjuterët; këto chat-e janë relativisht homogjene, sa i përket moshës, formimit kulturor dhe interesave të pjesëmarrësve, të cilët zakonisht e njohin njëri-tjetrin (ose kujtojnë se e njohin). Si rregull, një emoji çfarëdo i futur në një stringë teksti, p.sh. smiley 😊, parakupton familjaritet me të adresuarin (destinatarin).

Por faqja në Facebook e Veliajt kryetar bashkie nuk i kënaq këto premisa: ai atje as i përdor emojit në chat-e dhe as ka familjaritet me lexuesit realë dhe potencialë të faqes (dhe lexuesit, në komentet e tyre, përdorin shumë më pak emoji se Veliaj vetë). Për këtë arsye, emojit e shumtë që dalin në statuset dëshmojnë se te kjo faqe vitrinë, më shumë se komunikim real, ndodh teatri i një komunikimi me publikun, ku kontakti dhe dialogu simulohen, nëpërmjet edhe shenjave të ndryshme vizuale. Deri edhe informaliteti është i simuluar.

Gjithnjë sipas Danesi-t, emojit në tekste funksionojnë si “amplifikues të humorit (mood enhancers)”, duke përcjellë, ruajtur ose fuqizuar një ndjesi të së qenit bashkë mes pjesëmarrësve në komunikim; por në rastin e faqes së Veliajt të qenit bashkë (“togetherness”) është iluzor, ose të paktën nuk realizohet deri në fund – e shumta, statuset mund t’u përcjellin lexuesve udhëzime se çfarë të ndiejnë dhe si të reagojnë, përballë informacionit për veprimtaritë e Bashkisë.

Në artikullin e tyre “The Conservatism of Emoji: Work, Affect and Communication” (Social Media + Society, July-December 2015), Luke Stark dhe Kate Crawford e gjejnë origjinën e emojive të sotme te “the smiley face”, e krijuar nga artisti vizual Harvey Ball që në 1963 dhe pastaj e shumëfishuar në mijëra e mijëra stema dhe karfica korporative; çfarë e shndërroi kështu ikonën e buzëqeshjes së stilizuar në teknikë marketingu dhe biznesi, e cila ndihmon për të krijuar “kompetencën emocionale” të nevojshme për t’i ruajtur marrëdhëniet sociale brenda logjikës së biznesit. Në fakt, “smiley” në suporte grafike të ndryshme, materiale dhe numerike, lejon – siç thuhet në artikull – mobilizimin e “lumturisë” (“kënaqësisë”) në shërbim të pushtetit korporativ institucional. Gjithnjë sipas këtyre autorëve, edhe emojit, njëlloj si smiley origjinal, ndërmjetësojnë “kapjen” e afektit nga kapitali.

Këtë tezë duket se e ilustron, në mos e konfirmon, përdorimi i emojive nga kryebashkiaku i Tiranës Veliaj, edhe pse jo në kontekstin drejtpërdrejt ekonomik ose të biznesit, por në kontekstin e interesave të kapitalit politik, ose të kapjes dhe ruajtjes së pushtetit, sidomos ndaj votuesve të rinj, duke kontrolluar afektet e tyre në hapësirat e rrjeteve sociale. Ky kontroll i afekteve realizohet duke i natyralizuar “public relations” të Bashkisë së Tiranës si të ishin chat-e (por pa lejuar chat-in të shtjellohet normalisht); dhe duke injektuar në chat forma tipike të komunikimit të adoleshentëve që kanë marrëdhënie afektive familjariteti mes tyre. Mirëqenia emocionale që u shpërndan simbolikisht lexuesve kryebashkiaku në faqen e vet në Facebook supozohet të pasqyrojë, në rrafshin virtual, mirëqenien virtuale që administron dhe u “shpërndan” kryebashkiaku qytetarëve të Tiranës, falë punës që bën në krye të punëve të Bashkisë.

Përdorimin tipik neoliberal të emojive, në kontekste të tilla të komunikimit masiv, e ndihmon edhe numri relativisht i vogël i emojive, si paketa të parafabrikuara dhe të standardizuara reagimesh emocionale në dispozicion të përdoruesit, të cilat gjithnjë maskohen pastaj si stilizime (ose si algjebrizim i afekteve). Thonë Stark and Crawford: “me gjithë potencialin e tyre kreativ, emojit [synojnë] të normalizojnë, pastaj të kapitalizojnë fuqinë kolektive të afektit në marrëdhëniet sociale njerëzore online.” Këta dy autorë gjykojnë se alfabetizimi digjital (i cili përfshin edhe kompetencën e përdorimit të emojive) është në shërbim të hegjemonisë kulturore, në kuptimin që i ka dhënë këtij termi Gramsci; dhe, prandaj, edhe në mbështetje të sistemit politik-social ekzistues.

Megjithatë, këto arsyetime teorike si rregull zbatohen ndaj emojive si ikona gjendjesh afektive, dhe jo drejtpërdrejt ndaj emojive “semantike/referenciale”, ose që shënjojnë sende, dukuri dhe veprimtari të jetës së përditshme dhe që, siç e pamë në pjesën e parë të kësaj eseje, përdoren shpesh në statuset e kryebashkiakut Veliaj. Shenja të tilla, si yje, çadra, lepuj, elefantë, biçikleta, etj., ofrojnë një farë suporti vizual (ideografik) të teksteve, por mund edhe të hiqen prej tyre pa ndryshuar kjo asgjë në komunikim. Nëse Veliaj vendos që ta shoqërojnë lajmin për një park me emojin e tërfilit, kjo nuk i shton gjë tekstit dhe as dikton ndonjë lloj afekti tek lexuesi, përveçse t’i thotë këtij: “pa shih, unë (kryebashkiaku juaj) jam në gjendje të përdor emoji, njëlloj si ju.”[2]

Meqë në shumicën e shembujve, emojit semantike rimarrin elemente linguistike të tekstit të statusit (p.sh. emoji i kupës së florinjtë shfaqet pasi është përmendur Çmimi i fituar, emoji i veglave muzikore shfaqet pasi është thënë që është organizuar një koncert, emojit e luleve pasi është përmendur lulishtja, etj), atëherë roli i vetëm tekstual i këtyre është të ofrojnë kontekst gjenerik për emojit e tjera, ose ta manifakturojnë (a ta vënë në skenë) artificialisht natyrën e statusit dhe ta “trajnojnë” lexuesin me këto karakteristika të statusit.

[vijon]

© 2018. Peizazhe të fjalës™. Ata që e vodhën pjesën e parë, janë të lutur ta vjedhin edhe vazhdimin.


[1] Këtu dhe më poshtë, e ftoj lexuesin që ta ndajë Veliajn si autor të identifikuar të statuseve në FB nga Veliaj person real dhe kryetar real i Bashkisë së Tiranës; i pari është një kategori praktikisht gramatikore, një identifikues që i mban tekstet së bashku, një etiketë që formëson pritjet e lexuesit të statuseve; por Veliaj kryetar efektiv i Bashkisë nuk besoj se angazhohet drejtpërdrejt me faqen; me gjasë, ka një staf të specializuar që ia mirëmban dhe që ia harton statuset, sipas ndonjë plani të skriptuar me kujdes.

[2] Sikur dikush t’i përdorte emojit në chat me mua me kaq bollëk dhe zemërgjerësi sa Veliaj, unë do të kisha reaguar pak a shumë kështu: Are you out of your f*cking mind?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin