SI ARSYETON TJETRI

Dikur në vitet 1930, neuropsikologu sovjetik Aleksandr Luria ndërmori një studim të perceptimit, zgjidhjes së problemeve dhe kujtesës në kulturat orale të Uzbekistanit, për të parë edhe nëse akulturimi me shkrim (alfabetizimi) i atyre popullsive kish sjellë ndryshime në mënyrën si ato mendonin dhe gjykonin.

Luria kërkoi, mes të tjerash, të sqaronte nëse kulturat orale e përdornin silogjizmin (procedurat deduktive formale) njëlloj si kulturat e shkruara; dhe gjeti dallime kritike në përgjigjet që merrte prej individëve analfabetë. Për shembull, ai u paraqiti subjekteve silogjizmin e mëposhtëm:

“Larg në Veri, ku toka është e mbuluar me borë, të gjithë arinjtë janë të bardhë. Novaya Zemlya është në Veri dhe gjithnjë e mbuluar me borë. Ç’ngjyrë kanë arinjtë atje?”

Për të marrë prej tyre përgjigje si këto më poshtë:

“Nuk e di. Unë kam parë arinj të zinj. Arinj të tjerë nuk kam parë.”

“Se çfarë ngjyre ka ariu, kjo duket kur ta shohësh.”

“Ka lloj-lloj arinjsh. Çdo vend ka arinjtë e vet: po të jetë i bardhë, edhe arinjtë do të jenë të bardhë; po të jetë i verdhë, do të jenë të verdhë.”

“Ne flasim vetëm për çfarë kemi parë. Nuk flasim për çfarë nuk kemi parë.”

“Nëse dikush nuk ka qenë atje, nuk mund të thotë gjë vetëm në bazë të fjalëve që ka dëgjuar. Po të kish qenë atje një burrë 60 ose 80 vjeç dhe të kish parë një ari të bardhë dhe të ma thoshte mua këtë, mund ta besoja.”

Të ngjashme janë përgjigjet që mori Luria edhe për këtë silogjizëm të dytë:

“Në Gjermani nuk ka deve. Qyteti B. gjendet në Gjermani. Ka deve atje, apo jo?”

Disa përgjigje:

“Nuk e di. Nuk kam parë ndonjëherë fshatra në Gjermani. Por po të jetë ky qytet i madh, atje duhet të ketë deve.”

(“Po unë sapo të thashë se në Gjermani nuk ka fare deve.”)

“Po të jetë B. qytet i madh, atëherë me siguri do të ketë deve.”

“Po të jetë qytet i madh, atje do të ketë kazakë ose kirgizë. (Implikimi: dhe këta gjithnjë mbajnë deve.)”

Shembull tjetër:

Pyetje: “Çfarë kanë të përbashkët një peshk dhe një korb?”

Përgjigje: “Peshku… jeton në ujë. Korbi fluturon. Në qoftë se peshku del në sipërfaqe të ujit, korbi mund ta godasë me sqep. Korbi mund ta hajë peshkun, por peshku nuk mund ta hajë korbin.”

Pyetje: “A mund të përdorësh një fjalë të përbashkët për të dy?”

Përgjigje: “Po t’i quash kafshë, nuk do të ishte e saktë. Peshku nuk është kafshë, dhe as korbi nuk është. Korbi mund ta hajë një peshk, por peshku nuk mund të hajë një zog. Një person mund të hajë peshk, por jo korb.”

Dhe një shembull i katërt:

Rahmetit, një fshatar analfabet nga një zonë e thellë, i tregojnë vizatime të një çekiçi, një sharre, një cungu (druri) dhe një sopate dhe e pyesin se cili nga këto objekte nuk bën pjesë në grup – me idenë se tre ishin vegla, ndërsa druri jo.

Rahmeti përgjigjet kështu:

“Të gjitha ngjajnë. Të gjitha janë në rregull. Sepse, nëse duhet ta sharrosh drurin, ke nevojë për sharrën dhe po të duhet ta çash më dysh, ke sopatën. Prandaj të gjitha duhen.”

Dhe më pas:

“Sharra, çekiçi dhe sopata, të gjitha punojnë së bashku. Por edhe druri është pjesë e grupit!”

Dhe kur i thonë se një tjetër kish grupuar tre të parat bashkë dhe e kish lënë drurin jashtë, Rahmeti përgjigjet:

“Kushedi ngaqë ai robi ka shumë dru zjarri, por kur të mos ketë më, nuk do të mund të bëjë gjë.”

(“Po mirë, Rahmet, çekiçi dhe sharra dhe sopata, a nuk janë të gjitha vegla?”)

“Po, por edhe po të kesh vegla, gjithnjë të duhet edhe druri. Sepse përndryshe nuk ndërton dot asgjë.”

Pastaj Rahmetit i tregojnë vizatime të një zogu, një çifteje, një thike dhe një plumbi; dhe ai thotë:

“Dallëndyshja nuk ka vend këtu… Jo, kjo është çifte. Po ta ngarkosh me plumb, mund ta vrasësh dallëndyshen. Pastaj duhet ta presësh zogun me thikë, sepse nuk ke si e bën ndryshe. Prandaj, çfarë thashë në fillim për dallëndyshen, ishte gabim! Këto të gjitha e kanë vendin bashkë!”

(“Po këto janë armë. Po dallëndyshja?”)

“Jo nuk është. Por duhet të jetë atje. Përndryshe, nuk ke se kujt t’i gjuash (me çifte).”

Tre subjekteve të tjera iu treguan vizatimet e një sopate, një sharre dhe një çekiçi (si në shembullin më lart) dhe pastaj iu bë pyetja:

“A do të thoshit se këto janë vegla?”

Që të tre u përgjigjën po.

“Po një cung i prerë?”

Subjekti 1: “Edhe cungu aty e ka vendin. Ne bëjmë gjithfarë gjërash me dru: doreza, dyer dhe dorezat e veglave.”

Subjekti 2: “Themi se cungu është vegël, sepse ai punon së bashku me veglat, për të bërë gjëra.”

(Intervistuesi: “njëri nga ju na tha se druri nuk është vegël, sepse nuk sharron, as çan”).

Subjekti 3: “Ky që ua ka thënë nuk qenka në rregull! Tek e fundit, ty të duhet edhe druri për veglat.”

(“Po a mund t’i themi drurit vegël?”)

Subjekti 3: “Po, mundemi – prej drurit bëjmë dorezat (e veglave).”

(“Po a mund të thuhet vërtet se druri është vegël?”)

Subjekti 2: “Po, është! Me të bëhen shtylla, bëhen doreza. Të gjitha gjërat që na duhen, ne ashtu i quajmë, vegla.”

Luria i përdori këto të dhëna, përfshi edhe shembujt që solla unë më lart, për të treguar si alfabetizimi dhe shkolla në përgjithësi sjell ndryshime edhe në mënyrën e të arsyetuarit të subjekteve; ndërsa të tjerë studiues, si Ong, i kanë shfrytëzuar për të treguar se oraliteti ndikon edhe në mënyrën e të menduarit.

Ka edhe studiues që kanë vënë në dukje se përgjigjet e subjekteve të Luria-s nuk janë të gabuara, por vetëm e kundërshtojnë silogjizmin fillestar me një lloj tjetër silogjizmi. Për shembull, silogjizmi i deveve në Gjermani kundërshtohet me silogjizmin se në një qytet të madh mund të gjesh gjithçka, përfshi edhe devetë.

Por oraliteti, te dialogjet në fjalë, shfaqet edhe në mënyrën si i qasen subjektet analfabete së vërtetës – duke filluar që nga gjykimi dhe pranimi i premisave. Ata i japin rëndësi të madhe përvojës personale, ose përjetimit të pandërmjetëm; duke besuar çfarë kanë parë vetë, ose çfarë u thotë dikush, të cilit ata vetë i besojnë (“një burrë 60 ose 80 vjeç”), sepse e njohin dhe sepse ky ka fituar autoritet.

Kjo sepse autoriteti që ka vetvetiu teksti i shkruar, si akumulim dhe kondensim përvojash të mëparshme, përfshi përvojat institucionale (akademike, etj.) nuk vepron në kultura orale, të cilat shkrimin nuk e njohin; dhe që e zëvendësojnë, kur kanë nevojë, me përvojën jetësore të narrativizuar: një njeri që ka shëtitur, ose që njihet si njeri i fjalës dhe i besuar. Një rol të ngjashëm luajnë proverbat – si në rastin e Kanunit të Lekës – dhe, në një nivel edhe më të lartë, mitet; të cilat janë, në mënyrën e vet, institucione të oralitetit.

Le të kthehemi për një moment te “problemi” i parashtruar në shembullin e parë, atë të arinjve të bardhë:

“Larg në Veri, ku toka është e mbuluar me borë, të gjithë arinjtë janë të bardhë. Novaya Zemlya është në Veri dhe gjithnjë e mbuluar me borë. Ç’ngjyrë kanë arinjtë atje?”

I formuluar kështu, problemi mund të identifikohet si i marrë nga një tekst shkollor çfarëdo; dhe në kontekstin e një kulture të shkruar (alfabetizuar), i adresuari, ose personi që duhet të japë një përgjigje, zakonisht nuk e shtron pyetjen se kush pikërisht po i thotë këto gjëra. Vetë teksti nuk ka asnjë shenjë, në sipërfaqe, të subjektit që e enoncon, sikurse nuk ka asnjë shenjë të kohës dhe të vendit kur është prodhuar. Është tekst i çankoruar nga konteksti i ligjërimit, siç do të pritej nga diçka e nxjerrë prej një arkivi të dijes së pranuar.

Ky çankorim i jep tekstit autoritetin abstrakt, absolut, të një të vërtete “akademike”; meqë pyetjes se kush flet mund t’i përgjigjemi se flet e tërë tradita e përvojës, studimit dhe dijes perëndimore, ashtu siç ruhet dhe përcillet në tekste të shkruara. Të gjithë ne, që kemi kaluar nëpër sistemin shkollor të bazuar në shkrim-leximin, nuk e vëmë dot re artificialitetin e çankorimit, sepse jemi mësuar me të.

Mirëpo diçka e tillë nuk ka arsye të ndodhë me një bartës të oralitetit, i cili gjithnjë kërkon të dijë se kush i thotë këto dhe kush i garanton si të vërteta; meqë dijen e përcjellë në kohë, ose traditën, oraliteti e jep nëpërmjet proverbave, frazeologjive dhe formave të tjera të ngjashme; të cilat funksionojnë vetëm në atë masë që i adresuari (pritësi) i njeh si të tilla – duke qenë i trajnuar që t’i njohë që nga fëmijëria.

Kush e thotë, pra, tekstin më lart? Me gjasë, kirgizëve ua ka thënë Luria (ose ndonjë asistent i tij); por banorët vendës nuk e njohin këtë person dhe as kanë arsye t’ia besojnë fjalët. Ajo që ne të alfabetizuarve na duket si informacion për një vend që na duhet ta imagjinojmë (Novaya Zemlya), kirgizit analfabet i duket si një karakteristikë (atribut) e mëtejshme e Lurias, krahas mënyrës si e flet ky rusishten, theksit që ka, veshjes, syzeve dhe faktit që ky është mysafir i ardhur nga larg/i huaj. Me fjalë të tjera, problemi i ngjyrës së arinjve në Novaya Zemlya – sikurse problemet e tjera të ngjashme – komprometohen vetvetiu edhe nga konteksti.

I solla këto përsiatje në vëmendjen tuaj, sepse oraliteti në kulturën e sotme shqip jo vetëm që nuk është zhdukur kurrë, por edhe ngaqë sot po merr një farë revanshi, për shkak të shtimit të analfabetizimit, përfshi edhe atë funksional; dhe dobësinë e madhe të sistemit arsimor.

Po krijohet kështu një nënshtresë njerëzish që mendojnë dhe arsyetojnë në mënyrë orale; madje edhe kur i kanë rudimentet e shkrimit dhe të alfabetizimit.

Këta njerëz nuk arsyetojnë si ata të tjerët, që kanë kaluar nëpër sistemin alfabetizues të shkollës; çfarë nuk i bën gjë më pak të mençur, as më pak të suksesshëm – por vetëm hap një hendek në komunikim; dhe ua vështirëson integrimin e plotë në veprimtari që kërkojnë alfabetizim, si pjesa më e madhe e punëve (jobs).

Mes të tjerash, analfabetët funksionalë ose gjysmë-oralët nuk e njohin autoritetin e një eksperti të certifikuar formalisht, në qoftë se ata vetë nuk e njohin ekspertin personalisht dhe nuk janë mësuar që t’ia besojnë fjalën. Tek e fundit, eksperti është ai që sjell në komunikim premisat e silogjizmit; dhe kur ekspertit nuk i zihet besë, silogjizmi nuk do të veprojë dot.

Kriza e ekspertëve, që sot ndeshet anembanë në Perëndim, lidhet edhe me krizën e autoritetit në përgjithësi, edhe me korruptimin e ekspertëve vetë, nga ana e pushteteve politik, ekonomik, etj., edhe me antipatinë ndaj elitave për shkak të ekspozimit të tepruar të këtyre ndaj publikut; por një rol jo të vogël luan atje edhe ai tipar i kulturës orale, që rregullisht e zëvendëson certifikimin me përvojën në vetë të parë (për ta thënë me Ong, syri si burim premisash të kategorisë së parë dhe veshi si burim premisash të kategorisë së dytë, të cilat t’i komunikon gojarisht tjetri).

Çfarë e vendos se si do të arsyetojnë njerëzit, nga profesori në katedrën më prestigjioze te druvari në mal, janë tek e fundit premisat (dhe veçanërisht premisa e madhe); dhe një agjenci që kërkon të ndikojë në këto arsyetime për t’ua modifikuar përfundimet do të përqendrohet në përpunimin, në distancë, të premisave.

Dhe këtu televizioni i gabon shumë gjysmë-oralë, sepse produksione të studiuara në tavolinë dhe të skriptuara me kujdes maksimal, ua ofron në mënyrë të tillë, që këta t’i konsumojnë si përvoja spontane, në vetë të parë (“e kam parë me sytë e mi” zbatohet edhe ndaj çfarë është parë në ekran).

Edhe kultura e orientuar ndaj celebrities rreket të krijojë autoritete në bazë të simpatisë masive, të cilat pastaj funksionojnë si burime “premisash” që përhapen në mënyrë virale.

Analfabetët funksionalë, ose subjektet që ende nuk janë shkëputur nga oraliteti, nuk janë në gjendje t’i marrin në pyetje premisat, që nga momenti kur i kanë pranuar për herë të parë.

Në shembullin e Luria-s, premisën se në Novaya Zemlya të gjithë arinjtë janë të bardhë ata e morën me rezervë sepse (a) asnjë prej tyre nuk kish qenë në atë vend dhe (b) Luria nuk përfaqësonte për ta ndonjë autoritet për t’u besuar.

Premisa e ndjekur prej tyre, në atë situatë ishte: “Ai person që ti i zë besë, thotë gjëra të vërteta”; me fjalë të tjera, pritjet e tyre ishin specifike, dhe të ndryshme nga pritjet e një subjekti të “trajnuar” në kulturën e shkruar (Perëndimore), e cila atë premisë e përdor në trajtën “të dhënat shkencore janë të vërteta”.

Nga ky këndvështrim, një ekspert që u thotë fshatarëve “mos e pini ujin e atij pusi, sepse ka ndotje arseniku” mund të marrë këtë përgjigje: “ne gjithnjë e kemi pirë dhe nuk na ka gjetur asgjë.”

Në përfundim të studimit të vet, Luria pat vërejtur se “proceset e abstragimit dhe të përgjithësimit nuk janë invariante në të gjitha stadet e zhvillimit kulturor. Përkundrazi, ato vetë janë produkte të mjedisit kulturor.”

Një përfundim që e ruan vlerën në kushtet e tanishme (post-literacy), kur mjetet e komunikimit masiv nuk janë më ato të një shekulli më parë – dhe po ndodh një kthim dramatik te vizualiteti dhe oraliteti, falë televizionit; të plotësuar nga pseudo-literaliteti i Internetit dhe i rrjeteve sociale, ku imazhi fotografik gjithnjë e më fort po konkurron me tekstin e shkruar.

Kapitullimi i ekspertëve në raport me publikun është vetëm stadi i parë i një procesi i cili po shpie në dobësimin e funksionit arkival të teksteve të shkruara, ose të autoritetit të traditës, përfshi këtu edhe të dijes (si shkencë, ose përvojë e sistematizuar brez pas brezi).

Relativizmi i gjallëruar këto 50 vjetët e fundit edhe falë post-modernizmit gjen jehonë në relativizmin tjetër, që i detyrohet personalizimit të së vërtetës dhe titullimit të subjektit folës ndaj pohimeve me vlerë përgjithësuese: “ti ke të vërtetën tënde, unë kam të vërtetën time.”

Disa e kanë marrë këtë, gabimisht, si shenjë të “demokratizimit” të dijes; ose si variant të premisës se “gjithsekush është i titulluar të ketë opinionin e vet.”

Që ky triumf i “post-truth”-it lidhet me rikthimin e oralitetit, si efekt anësor të analfabetizmit funksional, ndoshta meriton më shumë vëmendje.

Shënim: Një studim i Lurias, ku përmenden edhe shembujt e sjellë më lart, mund të lexohet këtu (Cultural Differences in Thinking). Unë kam shfrytëzuar, megjithatë, edhe burime të tjera gjithfarësh.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Nuk lejohet riprodhimi pa leje.

39 Komente

  1. Disa pergjigje ishin fantastike, ca te tjera me kujtuan psikopatin. Gjithsesi ata qe kritikuan metodologjine kane te drejte, sepse pergjigjet ishin sikur sillogjizmi nuk u mor per deduktiv por per abduktiv, dmth kur vendos premisa relative, atehere edhe perfundimi eshte relativ. Ne rastin e arinjve askush nuk e besoi se te gjithe arinjte ne zonat akullnajore ishin te bardhe, per me teper nuk duhet te kene besuar as vendodhjen e Tokes se re (N.Z). Pra , deduksioni ne ato zona duhej te ndertohej mbi premisa qe banoret e zones I merrnin per te mireqena. Cdo sillogjizem tjeter te bazuar ne premisa qe atje jane te diskutueshme, per banoret e zones do te ishin abduksion, pra relative . Ky studim ne fakt tregon qe alfabetizimi sjell shtimin e njohurive dhe rrjedhimisht pranimin e me shume premisave si te verteta. Perndryshe une jam I bindur qe sillogjizmi i Sokratit dhe vdekshmerise se njeriut nuk do te kish sjelle asnje problem. Tek druri dhe veglat qe jane pjeserisht prej druri, shembulli eshte serisht provokativ per logjiken, sepse kur druri tek sqepari eshte pjese e vegles, atehere diskutimi futet ne nje rrjedhe relativiste, arsyeja pse ka dale shprehja, u be bishti me I madh se sqepari, pra u be bishti prej druri I sqeparit me I madh,rendesishem, sesa koka prej hekuri e sqeparit. Nqs merr shembuj qe provokojne automatikisht debat ,sepse per mijera vjet nuk eshte ndare mendja per rolet e bishtit dhe kokes se sqeparit, atehere domosdo do te pergjigjen me debat.

  2. ”’Nga ky këndvështrim, një ekspert që u thotë fshatarëve “mos e pini ujin e atij pusi, sepse ka ndotje arseniku” mund të marrë këtë përgjigje: “ne gjithnjë e kemi pirë dhe nuk na ka gjetur asgjë.””

    Ketu eshte interesante se si induksioni i fshatareve ve ne pikepyetje ekspertizen e ekspertit. Psh fshataret nuk i bind qe niveli i arsenikut te jete aq i larte sa te sjelle deme ,perderisa e kane pire gjithnje. Eksperti ne kete rast duhet t’u shpjegoje se niveli i arsenikut eshte i tille qe i jep pasojat pas 30 apo 40 vjetesh, ose duhet t’u shpjegoje se ne muajin apo vitin e fundit eshte rritur perqindja e arsenikut ne pus, duhet te shpjegoje edhe si ka ndodhur.

    Nga ana tjeter nqs ai eshte pusi i vetem ne fshat, banoret do jene me te prirur te mos e besojne ekspertin sepse alternativa mund te jete problematike, psh duhet shkuar per uje tek fshati ngjitur ose duhet blere uje me shishe nga dyqani i fshatit. Dikush mund te dale dhe te akuzoje ekspertin se eshte blere,korruptuar, nga dyqanxhiu i fshatit, me qellim qe fshataret ta blejne ujin atje.
    Pra, nuk eshte aq e lehte te kontestosh nje perfundim induktiv me nje fjali eksperti, duhet pune e madhe bindese.

    ”Në përfundim të studimit të vet, Luria pat vërejtur se “proceset e abstragimit dhe të përgjithësimit nuk janë invariante në të gjitha stadet e zhvillimit kulturor. Përkundrazi, ato vetë janë produkte të mjedisit kulturor.””

    Duhet pare mire studimi, se shembujt duken si te qemtuar, per te mundesuar kete perfundim. Gjuhet antike jane te nje niveli logjik te jashtezakonshem dhe zhvillimi kulturor i mevonshem ka shkuar drejt rrjedhjes se kapacitetit logjik te gjuheve.
    Ajo qe verehet nga shembujt eshte lehtesia me te cilen padituria e kthen nje deduksion ne nje abduksion dhe ky eshte nje nga problemet e perhershme, kur nuk nderton dot nje sillogjizem deduktiv, o sepse eshte ndertuar keq, si sillogjizem abduktiv, ose sepse tjetri, t’i sulmon premisat qe te dalin si premisa abduksioni, ta relativizon perfundimin dhe rrjedhimisht do kthehet ne debat.

    Jo me larg se dje, pohimit tim se frengjishtja ka rene nga fiku dhe tani eshte anglishtja lingua franca, psikopati iu turr premises se anglishtja eshte lingua franca. Kjo premise ne fakt mundeson perfundimin llogjik se anglishtja eshte gjuha e pare e huaj e dobishme per komunitetin. Ne çastin kur kjo premise vihet ne diksutim, atehere sillogjizmi kthehet nga deduktiv ne abduktiv, rrjedhimisht relativ e i diskutueshem.

    1-Gjuha e pare e huaj ne shkolla duhet te jete ”lingua franca” e kohes
    2- Anglishtja eshte ”lingua franca” e kohes sone
    3- Anglishtja duhet te jete gjuha e pare e huaj

    Nqs premisa e dyte relativizohet atehere perfundimi relativizohet, pra nje sillogjizem deduktiv me dy premisa te verteta, kthehet ne sillogjizem abduktiv, me nje premise relative. Dikush tjeter , mund te dale e relativizoje premisen e pare, universalen, me pyetjen, a duhet te jete se s’ben lingua franca e kohes ?

    Une nuk besoj se eshte çeshtje e zhvillimit te mjedisit kulturor, kategorite logjike jane tek njeriu qe kur homo sapiens sapiens verdallosej maleve dhe pyjeve te Etiopise, ajo qe ndryshon eshte niveli i dijes dhe dobia e dijes (ne sherbim te çfare e vendosim dijen).

    1. Kur Diogjenit te Greqise se Lashte i treguan per here te pare deduksioni sillogjik qe Akili nuk arrin ta kape breshken, pergjigja e tij ishte: i heshtur filloi te ecte verdalle.

      U dha shenja qe greqishtja e lashte nuk ishte me “lingua franca” per kohen.

      As nuk ke kuptuar fare pyetje time lidhur me anglishten qe vinte ne dyshim se nuk eshte me lingua franka, e as prisja ta kuptoje ti me shoke.

      Ne fakt pergjigja e kesaj pyetje nuk munt te jepet brenda nje “lingua franca”, mund te evidentohet mbasi te behet fakt i kryer. Nderkohe merruni me arij te bardhe.

  3. Shume shkrim interesant. Perforcon optikat perendimore te te paret te fenomeneve, jo se ka ndonje gje te keqe, kjo e fundit.
    Mendoj sa pak pike do merrte uzbeku anonim ne nje test per SAT ose LSAT!

  4. Mentatliteti i kulturës orale ka dominuar dhe dominon në Shqipëri, por edhe në rajonin tonë (Ballkan). Përpjekjet e rilindasve, por edhe lufta ndaj analfabetizmit gjatë komunizmit janë histori të freskëta dhe rezonojnë edhe sot.

    Si tani e mbaj mënd që të vegjël e testonim inteligjencën tonë nëpërmjet gjë-e-gjëzave, si ekuivalenti i “inteligence quotient” (IQ test). Ndryshimi midis këtyre të dyjave sipas mendimit tim është se gjë-e-gjëza ka nevojë për imagjinatë, ose kreativitet në formulimin e një narrative ose tregimi, kurse testet IQ për një njohje të informacionit, ose edhe të një kreativiteti abstrakt jo patjetër të lidhur me narrativën, por domosdoshmërisht e lidhur me një nivel minimal formimi literal dhe shkencor, karakteristika të shoqërive moderne progresiste.

    Problemi është se një shoqëri që i nxjerr përfundimet e veta nëpërmjet oralitetit dhe imagjinatës, nuk është patjetër në sinkron me nëj shoqëri që duhet t’i nxjerr përfundimet sipas vijës progresiste të shkencës.

    Psikologu kanadez Jordan Peterson vendos një lidhje midis nivelit të IQ-së individuale dhe produktivitetit në shoqëri, duke marr si shembull aplikimin e këtij testi në ushtrinë amerikane. Ushtria amrikane kur i rekruton pjestarët e vet, u ofron edhe një test të ngjashëm me testin IQ, i cili në fillimet e veta (Lutë e Parë Botërore) ka qënë test analfabetizmi (literary test). Thuhet se është llogaritur se përqindja e popullatës që mund të përjashtohet nga pjesmarrja në ushtrinë amerikane, bazuar mbi këto teste, është diku tek 10%. Këta janë individë që nuk bëjnë dot asnjë lloj punë në ushtri që nuk është kundërproduktive. Çfarë do të thotë për JP se këta njërëz nuk kontribuojnë dot në mënyrë pozitive as në shoqërinë moderne amerikane, si jw pasqyrim më i gjërë i ushtrisë në aspektin teknologjik dhe industrial.

    Për një vënd si Shqipëria ku analfabetizmi funksional dhe varfëria për një pjesë të madhe të popullsisë janë kthyer në normë, duhet të imagjinojmë që edhe përqindja e atyre që nuk kontribuojnë dot në shoqëri të jetë shumë më e lartë, e cila amplifikohet edhe nga fakti që ata që mund të kontribuojnë po e lën vëndin ditë për ditë.

    1. 1 ne 5 amerikane perdor ilaçe per probleme psikike ose psikofarmaqe/psikobarna e ne dekadat e fundit ka pasur zgjerim te bazes perdoruese drejt adoleshenteve dhe femijeve. Me shume sesa test IQ-je ai duhet te jete test ”ad hoc” stabiliteti mendor, tip testi i dyfishte, perzier pyetje inteligjence e pyetje ”karakteriale”, sepse nuk ka ndonje tregues inteligjence barriere per hyrjen ne ushtri.

      Nqs do te kishte ndonje tregues barriere, psh 70 ne testin Wechsler, me siguri qe do te ishte bere publike se s’ka gje te keqe qe te thuash se nje nga kushtet per te qene ushtar eshte kapja e treguesit 70 ne testin e inteligjences, biles me mire do te ishte qe treguesi te ishte 80 ne testin Wechsler.
      Ne fakt me mire nje ushtar me inteligjence te ulet dhe stabilitet mendor te larte, sesa nje ushtar me inteligjence te larte dhe stabilitet mendor te ulet.

      1. Hyllin,
        Një pjesë e madhe e ushtarëve amerikan hyjnë të shëndetshëm në ushtri dhe përfundojnë me ilaçe kundër Post-traumatic Stress Disorder, siç thoni ju. Po ashtu përjetohet rëndë nga një pjesë e madhe e popullsisë në moshë madhore papunsia dhe joproduktiviteti, që lidhet me dukurinë e përdorimit të opiodeve në Trump Country, zonat rurale dhe rust belt. Dhe sigurisht që ka lidhje edhe me karakterin.

        Megjithatë unë e kisha fjalën për natyrën e IQ test që po diskutojmë këtu, që e ka zanafillën në një shoqëri industriale.

        1. Ne fakt une fola per 1 ne 5 amerikane dmth 60 milione amerikane, jo per 1 ne 5 ushtare. Pra ai testi i ushtareve nuk eshte thjesht IQ-je, por test i kryqezuar apo i dyfishte. Ne kushtet kur 20% e amerikaneve perdorin psikobarna, me perqindje gjithnje e ne rritje tek femijet dhe adoleshentet me duket mese normale qe ushtria te perdore teste per stabilitetin mendor.

          Nderkohe testet e mirefillta te IQ-se, do i merrja me rezerva sepse asnje shkence nuk i konfirmon, meqenese inteligjenca eshte ne fazat e para te studimit dhe teste te tilla qe japin çertifikata inteligjence, nuk kane si te jene shkencore. Kane padyshim njefare dobie edhe pse nuk jane shkencore, por nuk mund te merren si themele te politikeberjes.
          Ne kushtet kur Sharon Stone ka nje tregues inteligjence te perafert me Ajnshtajnin, perkatesisht 154 dhe 160, nuk me duket se roli i inteligjences (apo i testeve qe i nxjerrin keto shifra) eshte kushedi se çfare ne mbarevajtjen e puneve ne shoqeri.
          Njeriu eshte qenie shume me inteligjente se ç’i duhet per nje jete e pune si kjo aktualja. Asnje lloj pune nuk te kerkon inteligjence sa te kerkon respektim rregullash dhe perballim psikologjik te monotonise .
          As te rrish 3-4 ore ne fejsbuk e instagram nuk do ndonje kapacitet te madh inteligjence.

          Ne kemi nje teprice inteligjence qe e trashegojme prej koheve kur njeriut i duhej te perballej cdo dite me kafshe shume me te forta se ai, kur duhej te mbrohej nga shiu,stuhite, bora,dielli pervelues dhe natyrisht duhej te siguronte ushqim cdo dite.
          Keto jane sfida reale, jo te rrish e te vrasesh mendjen per nje status fejsbuku.

          Pra, mendoj se njeriu ka me teper inteligjence se ç’i duhet, keshtu qe politikat e bazuara tek IQ-ja, jane humbje kohe, per te mos e quajtur psikologun kanadez, Jordan Peterson, thjesht nje llafazan, qe do bente mire ta harxhonte kohen e punes se tij si psikolog, duke u marre me zgjidhjen e problemeve psiqike te shoqerise.

          1. Hyllin, te lutem, luftoje tundimin te hapesh diskutim me vete per cdo koncept, ide, mendim qe ofrohet ne shkrimin kryesor apo ne komentet pasuese. Jo vetem qe distrakton nga tema kryesore, por po i lodh dhe bashkebiseduesit, pa permendur ne te tjeret qe jemi te detyruar te te lexojme cdo koment. Diskutimi tani per IQ dhe mendimet nga xhepi qe jep per inteligjencen nuk kane asnje lidhje me temen e as komentin fillestar te LA. Hapsira e komenteve nuk ka shume rregulla, dhe ne ne pergjigjesi mirepresim kontribute qe zgjerojne debatin, por mos abuzoni me te ne kete menyre duke u futur ne qorrsokaqe.

            Natyrisht, nuk dua debat te metejshem mbi kete nderhyrje.

          2. Si arsyeton Hyllini – sikur nga të gjitha kafshët vetëm njeriu t’i ketë pasur këto halle:

            Ne kemi nje teprice inteligjence qe e trashegojme prej koheve kur njeriut i duhej te perballej cdo dite me kafshe shume me te forta se ai, kur duhej te mbrohej nga shiu,stuhite, bora,dielli pervelues dhe natyrisht duhej te siguronte ushqim cdo dite.
            Keto jane sfida reale, jo te rrish e te vrasesh mendjen per nje status fejsbuku.

            Megjithatë, kjo më sipër ka një emër shkencor që quhet “genetic epistemology” e themeluar nga psikologu francez Jean Piaget. Ky i fundit e ndan zhvillimin e fëmijëve në katër faza, që po i përmend në anglisht se s’po di t’i përkthej: (1) sensorimotor, (2) preoperational, (3) concrete operational (4) formal operational.

            Kjo fazë e fundit, nga mosha 11 deri në 16 vjec lidhet me zhvillimin e mendimit abstract tek fëmijët, dhe zgjidhjes së problemeve komplekse, që përkon edhe me natyrën e pyetjeve që u janë bërë Uzbekëve.

            Pyetja që shtrohet: nëse këto faza zhvillimi presupozohen të plota, a është në gjëndje një shoqëri orale t’i stimuloj të gjitha fazat e kapacitetit të zhvillimit njerzor ashtu si e njohim?

            Dihet që shkrimi për nga vetë natyra është abstrakt, sepse është një lloj projektimi i realitetit në një formë të strukturuar që nuk i përgjigjet drejtëpërdrejtë sic bën oraliteti, apo edhe kultura e imazhit.

        2. Ne fakt , nuk eshte arsyetimi im, po eshte argument i Nices , une futa fejsbukun, per te krijuar efektin e groteskes tek pretendimet e moderneve per inteligjencen. Nuk e dija qe y psikolog ka ngritur teze shkencore.

  5. ““Nuk e di. Unë kam parë arinj të zinj. Arinj të tjerë nuk kam parë.”

    “Se çfarë ngjyre ka ariu, kjo duket kur ta shohësh.”

    “Ka lloj-lloj arinjsh. Çdo vend ka arinjtë e vet: po të jetë i bardhë, edhe arinjtë do të jenë të bardhë; po të jetë i verdhë, do të jenë të verdhë.”

    “Ne flasim vetëm për çfarë kemi parë. Nuk flasim për çfarë nuk kemi parë.”

    “Nëse dikush nuk ka qenë atje, nuk mund të thotë gjë vetëm në bazë të fjalëve që ka dëgjuar. Po të kish qenë atje një burrë 60 ose 80 vjeç dhe të kish parë një ari të bardhë dhe të ma thoshte mua këtë, mund ta besoja.””

    Problemi është se në atë kontekst informacioni për arinj të bardhë është në vetvete i pabesueshëm. Aq sa ta vendosë në vështirësi besueshmërinë e Larias. Bëhet fjalë për njerëz që nuk kanë parë as dëgjuar ndonjëherë për arinj të bardhë e madje (ma merr mendja) as për ndonjë kafshë tjetër të bardhë. Kafshët që ata kanë parë, siç thonë vetë, janë të zeza. Laria mund të fliste për arinj të kuq, ose për arinj kamaleonë – do të ishte e njëjta gjë. Besoj se ky është më tepër një konflikt mes njohurish që kundërshtojnë njëra tjetrën ose që nuk përputhen me njëra tjetrën sesa një dallim mes kulturave të shkrimit dhe atyre të oralitetit. Diçka e tillë mund të ndodhë edhe me një tekst të ri, i cili do të kundërshtonte një numër tekstesh më të vjetër. Thënë kjo, përgjigjet nuk janë edhe aq keq 🙂

    1. Ne fakt pergjigjet e tyre kontestojne premisat dhe/ose perfundimin e deduksionit. Perfundimi i deduksionit eshte i padiskutueshem, por deduksioni ka kushte te qarta ne vendosjen e premisave. Perfundimi eshte gjithnje i implikuar ne premisen e pare, universalen, kurse premisa e dyte sherben si mbeshtetese e shquese, prandaj premisat, duhet te jene universalisht te pranuara si te verteta.

      Universi uzbek a kirgiz nuk e njeh si te vertete qe ne vendet e mbuluara nga akulli te jene arinjte e bardhe edhe (mund te spekulohet) sepse Uzbekistani e Kirgistani jane zona te ftohta qe e njohin boren dhe akullin e arinjte e tyre jane te zinj. Biles ata mund ta gjejne edhe te pabesueshme qe ariu te ushqehet vetem me mish si ben ariu polar, meqenese arinjte qe njohin hane çdo gje.

      Kjo eshte çeshtje paditurie, por jo kategorish logjike.

      Ka vite qe gjej argetuese te tallem me ata qe nuk kuptojne se relativiteti i Ajnshtajnit (mekanika kuantike) ka 100 vjet qe ka hedhur poshte mekaniken njutoniane, se perfundimet e mekanikes njutoniane kane vlere vetem kur perafrohen me perfundimet e sakta te mekanikes kuantike, gje qe ndodh vetem tek njesite e medha fizike, por ne vetvete ato jane te pasakta ose te gabuara.
      Biles edhe kur e thjeshtoj se graviteti nuk eshte force misterioze, por veti e trupit fizik, gjej gjithnje qe me hidhen ne fyt per kete blasfemi, çka ne fakt eshte shkenca e Ajnshtanit dhe jo ndonje broçkull e imja.

      Ne formen e nje deduksioni

      1-mekanika kuantike nxjerr si shkencerisht te pasakte mekaniken njutoniane
      2- ligjet e Njutonit jane te mekanikes njutoniane
      3-ligjet e Njutonit jane shkencerisht te pasakta

      Ka 100 vjet qe ky eshte Deduksioni i mekanikes kuantike e megjithate ky deduksion do te shkaktonte nje zhurme te madhe ne çdo mjedis, sidomos po te kete ndonje mesues fizike.

      I vetmi argument qe i mban ende eshte dobishmeria praktike, pra pasaktesia e rezultateve per trupat e medha eshte aq e ulet saqe mund te mos merret parasysh, perndryshe tek therrmijat pasaktesia e rezultateve eshte e atille qe shkakton deme te medha.

      Pak a shume si fizika e kohes kur dielli rrotullohej rreth Tokes, ne mbajme ende qe dielli lind, leviz ne horizont e perendon, qe perendimi i diellit shoqerohet nga dalja e henes, kalendari qe perdorim eshte antik e ka dale kur teoria thoshte se dielli rrotullohej rreth tokes etj.

      Mandej kjo menyre joshkencore, por praktike e te konceptuarit te realitetit, ben qe edhe paradokset e logjikes klasike t’i zgjidhim ne menyre praktike, une eci thote Diogjeni dhe nuk me plas fare per Zenonin,paradoksin, Akilin dhe breshken.

      Nuk jemi aspak ndryshe uzbekeve e kirgizeve te Laurias.

  6. O hyllin, o hyllinay kisha ndermend te shkruaja nje koment rreth shkrimit shume interesant te z.Vehbiu dhe do ta bej, por me pare dua te te bej nje pyetje: Ti kujton se e di Fiziken dhe te gjitha implikimet e saj ne jeten e perditshme dhe ate intelektuale me mire se sa nje mesues i Fizikes qe do te bente zhurme pasi te degjonte xhevairet e tua me mekanike Njutoniane, mekanike relativiste dhe mekanike kuantike (nqs kujton se ajo relativiste dhe ajo kuantike jane e njejta gje dhe kane per autor Ajnshtajnin, e di gabim, ka edhe nje mekanike kuantike relativiste, por kjo nuk e ben mekaniken relativiste dhe mekaniken kuantike identike)?

    Ato qe ti shkruan per pasaktsine e ligeve te Njutonit ne rastin me te mire jane injorance e pafajshme. Une nuk e di cfare zanati ke ti, por duket ashiqare qe nga shkencat e natyres nuk ia ke haberin, po hiç ama, prandaj me dashamiresi do te sugjeroja (sigurisht ti je i lire te mos i marresh ne konsiderate sugjerimin tim dhe te vazhdosh te besh figuren e …nejse) qe shembujt t’i marresh nga ndonje fushe me te cilen je me familjar intelektualisht.

    Per dijenine tende po marr mundimin te te shpiegoj (ti po deshe mos e kupto) qe ne fizike egzistojne te ashtuquajturat perafrime te rendeve te ndryshme. Ne kete rast Mekanika e Njutonit eshte perafrim i parë, ndersa mekanika relativiste eshte perafrim i dyte kur trupat qofshin te medhej ose grimca levizin me shpejtesi te medha, afer shpejtesise se drites, ndersa mekanika kuantike eshte perafrim i dyte kur grimcat kane permasat e grimcave elementare, ose me te vogla. Perafrimet e rendeve me te larta jane me te sakta ne fushen e aplikimit te tyre se sa perafrimet e rendeve me te uleta, por e para kjo nuk i ben TE PASAKTA perafrimet e rendeve te ulta, sic thua zotrote per Mekaniken e Njutonit. Nejse nuk dua te humb me shume kohe dhe hapsir me kete pune.

    Silogjizmi i perdorur nga Luria, ne nje forme relativisht te pergjithshme mund te shkruhet:

    1.Te gjithe elementet e bashkesise A gezojne vetine B
    2, a eshte element i bashkesise A, prandaj
    3. a gezon vetine B

    Besoj se per nje njeri qe e kupton silogjizmin ne kete menyre, permbajtja konkrete e A, B dhe a eshte krejtesisht irrelevante. Edhe sikur te mos kete degjuar ndonje here per A, B, dhe a, pra edhe sikur te mos kete asnje dijeni per to, pergjigjen 3 do te jete ne gjendje ta jape korrekt.

    Pergjigjet e cuditshme rreth arinjve dhe ngjyres se tyre vijne pikerisht sepse uzbekasit jo vetem nuk e dine c’eshte silogjizmi, por as ne menyre spontane nuk mund te deduktojne logjikisht ate qe eshte e sakte. Me fjale te tjera ata shohin pemet dhe kjo nuk i lejon te shohin pyllin, kapen mbas faktit qe nuk kane pare ndonje here arinj te bardhe dhe nuk e realizojne qe nuk eshte kjo pikerisht thelbi i pyetjes qe u drejtohet.

    Keto lloj pergjigjesh, por edhe ato me grupime, vertetojne me se miri diferencen e jashtezakonshme midis shoqerive me kultura orale dhe atyre më te alfabetizuara. Do te shtoja ketu qe vendosja ne kohe e kulturave nuk eshte relevante. Pa dyshim Greqia e Lashte e Aristotelit perfaqson nje kulture me te alfabetizuar se kultura e Uzbekistanit, paçka se Uzbekasit e sotem shohin televizor me ngjyra (ose mbase tamam per kete) dhe bredhin me vetura moderne.

    Dhe se fundi desha te shtoj se ndodh shpesh qe shkak i moskuptimeve apo keqkomunikimit behet zgjedhja e shembujve qe perdoren per te ilustruar ide disi abstrakte. Qofte per shkak se kush do te ilustroje idene e zgjedh shembullin keq, ose sepse ai, apo ata qe degjojne jane “uzbekas” diskutimi devijon nga rrahja e mendimeve per idene dhe tirren e zhdervillen rreth shembujve, qe qendrojne ndaj ides vetë njelloj si arinjte e bardhe ndaj silogjizmit.

    1. “Pergjigjet e cuditshme rreth arinjve dhe ngjyres se tyre vijne pikerisht sepse uzbekasit jo vetem nuk e dine c’eshte silogjizmi, por as ne menyre spontane nuk mund te deduktojne logjikisht ate qe eshte e sakte”

      Ky është një pohim disi tepër i guximshëm. Problemi me këto lloj sillogjizmi që vë në pikpyetje njohuritë e mëparshme është se uzbekasit mund ta dinë shumë mirë çfarë dedukton llogjikisht sillogjizmi, por të mos të pranojnë të japin përgjigjen e pritur. Pra për arsye se informacionet e dhëna si premisa mund t’ju duken të pabesueshme. Dhe diçka e tillë nuk ka të bëjë me faktin se i përkasin një kulture orale. Sot mund të hapësh fb e të ndeshesh me sillogjizma matematikorë të cilat si rezultat përfundimtar kanë ndonjë barazim të tipit 5+7 = 157, ose ndoshta 27859. Ti mund të ndjekësh arsyetimin dhe të gjesh rezultatin, ose mund të mos të refuzosh premisat dhe të përgjigjesh se 5+7 bëjnë vetëm 12.

        1. L.A te shtoj dicka tek deduksioni I qarte I uzbekut per devene. Nqs uzbeku ne vend te deve do kish thene kale, deduksioni do ishte perfekt sepse ne 1930 karrocat me kuaj ishin ende te pranishme ne qytetet e medha te gjithe botes, sikur edhe ne periferite e tyre. Deduksioni i uzbekut eshte i njejte me kete ne vijim: 1- cdo qytet I madh ka makina 2- Kisingani ne Kongo eshte qytet I madh 3- Kisingani ne Kongo ka makina. Premisen qe cdo qytet I madh ka makina nuk ma konteston kush, meqe sot do te ishte aburde qe nje qytet I madh ne bote te mos kete makina. Po nuk eshte se kete premise e kam gjetur te ndonje studim shkencor apo kam vizituar apo pare ne televizor gjithe qytetet e medha te botes. Kjo premise eshte e sakte, deduksioni eshte plotesisht ne rregull, ne Kisingani ka makina. Shkenca thote ok deduksioni po me duhen prova qe ne kisingani ka makina . Pra, per shkencen me duhet te shkoj ne Kisingani te bej fotografi e video , te intervistoj banore qe kane makine, te shkoj te shitesit e makinave te marr prova te tjera. Keshtu eshte edhe per uzbekun ai do prova qe ariu I bardhe ekziston, nuk e kenaq deduksioni. Ne rastin e makinave mund te dale qe 1 qytet I madh ne bote nuk ka asnje makine. Ketu premisa ime hidhet ne ere, sepse ekziston 1 rast kur nuk eshte e vertete, pra ketu deduksioni merr fund per pasaktesi te premises universale, si psh ka marre fund fizika e dules, meqe ta zeme ligji I gravitacionit universal te Njutonit, nuk shpjegon dot orbiten e planetit Merkur apo nuk vlen nje grosh kur shpejtesite jane te medha afer shpejtesise se drites. Pra e verteta e premises time mori fund me qytetin pa makina. Por sillogjizmi im edhe pse nuk eshte me I sakte,deduktiv, eshte probabilist, dmth abduktiv. Me ane te atij sillogjizmi abduktiv une ne fakt arrij te shpjegoj cdo qytet ne Europe e 99,99% te qyteteve te medha te botes, pra edhe pse eshte qartazi I pasakte, me jep probabilitet te larte te gjej te vertetat e shumices derrmuese te qyteteve. Edhe sillogjizmi i devese eshte abduktiv ne nivel global, sepse shume qytete te medha ne Azi e Afrike kishin deve, nderkohe qe I strukturuar ne formen cdo qytet I madh ne zonat ku rritet deveja, saktesia e ketij sillogjizmi do te ishte deduktive.

      1. Shkruan:

        “Sot mund të hapësh fb e të ndeshesh me sillogjizma matematikorë të cilat si rezultat përfundimtar kanë ndonjë barazim të tipit 5+7 = 157, ose ndoshta 27859. Ti mund të ndjekësh arsyetimin dhe të gjesh rezultatin, ose mund të mos të refuzosh premisat dhe të përgjigjesh se 5+7 bëjnë vetëm 12.”

        Je i sigurte qe e di cfare dmth silogjizem?

        1. I sigurtë 100% nuk jam asnjëherë, ndërsa specifikisht për këtë rast nuk di më tepër sesa çfarë thotë fjalori i gjuhës shqipe: “Mënyrë arsyetimi formal, sipas së cilës, duke u mbështetur mbi dy gjykime të dhëna si premisa, nxirret një gjykim i tretë si përfundim. Premisat e silogjizmit. Flet me silogjizma” . Ndoshta ti di më shumë se unë mbi këtë koncept. Nëse është rasti, atëherë na ndriço edhe ne profanëve. Le të merremi me lojëra fjalësh se nuk është se kemi edhe ndonjë punë tjetër për të bërë. P.S. Ti a e ke kuptuar deri tani se çfarë dmth “premisë fallco”?

          1. Gjergj,

            Por këtu pikërisht për këtë po flitet, që shoqëritë iliterale as nuk i konceptojnë dhe as nuk u besojnë gjykimeve abstrakte. Për to çdo gjë duhet të konfirmohet nga një narrative apo tregim i përçuar prej dikujt. Për to gjërat nuk mund të jenë hipotetike. Pra “premisa falco” siç e quani ju në këtë rast është vetë mosbesimi që këto kanë tek gjykimi abstrakt.

        2. Ndoshta e kam gabim, por (për ta përmbledhur) mendimi im është se me këtë shembull nuk arrijmë dot në asnjë përfundim për sa i përket aftësisë që kanë uzbekasit për të konceptuar. Dhe më tej, besoj askush nuk mund t’ju besoj gjykimeve abstrakte kur premisat paraprake janë të gabuara ose vetëm të dyshimta.

          1. Studimi i Luria-s gjendet lirisht online (kam sjellë një link). Autori është kompetent në fushën e vet dhe gjerësisht i studiuar sot e kësaj dite. Nëse duam vërtet të japim gjykime kritike për metodën e tij dhe përfundimet që ka arritur, ndoshta duhet parë studimi në tërësi. Për të shkruar esenë më lart, unë jam mbështetur edhe në qëndrimet e sotme ndaj Luria-s, nga autorë që në përgjithësi i marrin rezultatet e tij për të mirëqena, si Walter J. Ong dhe Roy Harris. Qasja dyshuese ka të mirat e veta, por le të mos arsyetojmë edhe ne këtu si uzbekët, por favor.

        3. Nuk ka lidhje gjykimin abstrakt, eshte thjesht percimi I dijes. Kulturat analfabete besojne kryesisht tek eksperienca dmth tek logjikat induktive e krahasimore, pak a shume te njejten gje bejne edhe shkencat, meqe vezhgimi dhe eksperimentimi ne shkencat ekzakte perdorin logjiken induktive, kurse logjika krahasimore eshte shume e perdorur ne shkencat shoqerore. Sillogjizmi deduktiv eshte me efikasi ne rezultat se ka saktesi 100%, po premisat duhet te jene te verteta te marra per te mireqena, perndryshe sillogjizmi kthehet ne abduktiv dhe plas debati. Deduksionin e perdor me shume filozofia, psh thone qe Hegeli mburrej se kishte deduktuar gjithe realitetin.

          1. Hyllin,

            Më pëlqen ky “out of the box thinking” që ushtron. Por para se të analizojmë mënyrën se si gjykonte Hegel, le të merremi fillimisht me Uzbekët.

            Po ashtu para se t’i kundërshtojmë termat bëjmë mirë tua gjejmë më parë kuptimin. Nëse, si thoni ju, uzbekët besojnë kryesisht tek eksperienca, atëherë i bie që nuk besojnë tek arsyetimet e pavarura nga eksperienca dhe realiteti. Arsyetimet e pavarura nga eksperienca me perkufizim janë “abstrakte”.

        4. Gjergj pergjigja per pyetjen tende eshte ne kete fjali ne linkun qe ke sjelle ti vete:

          However, the logical validity of an argument is a function of its internal consistency, not the truth value of its premises.

          Pra kur behet fjale per vlefshmerine logjike te nje argumenti ajo eshte funksion i konsistences se brendshme dhe jo vertetesia e premisave te tij. Pra per te qene LOGJIK mjafton qe nje argument te kete konsistence te brendshme, kjo nuk e ben domosdoshmerisht te VERTETE, sa kohe qe kjo varet edhe nga vertetesia e premisave. No hard feelings.

        5. Kaq sa lexova nga Luria është mjaftueshëm për mua. Një nga aksiomat bazë të teorisë ekonomike është se “Cdo agjent (njeri, firmë) është racional. Nënkupto do të bëjë ose do ta gjejë gjithnjë zgjedhjen më të mirë në funksion të informacioneve që ka”. Kur informacioni nuk është në rregull, as zgjidhja nuk është ajo që duhet.” Po i përmbahem kësaj për vete.

        6. L.A nuk besonin nuk do te thote qe u mungon aftesia. Shkencat ekzakte nuk operojne me deduksion perpos ne vendosjen e hipotezes, sikunder shprehet me kompetence Poperi. Metodologjia e vertetimit supozon perseritjen e eksperimentit, pra induktivitetin, nje here dy here 100 here derisa verteton se hipoteza ka vlere universale, pra gati per te qene ligj shkencor. Eshte e njejta gje qe ben uzbeku me eksperiencen e cila eshte vezhgim I perseritjes se fenomenit dhe qe perfundimi del I njejte gjithnje. Por a mund te themi qe shkencat ekzakte kane paaftesi abstragimi meqe perdorin induktivitetin si logjike? Merr shembullin e deveve ne Gjermani. Uzbeku aty ben nje deduksion te qarte, po qe se qyteti eshte i madh thote meqenese cdo qytet I madh ka deve, atehere ai qytet ka deve. Ai ne universin e tij eshte ne rregull, premisat e tij ne Uzbekistan jane te verteta dhe deduksioni I tij eshte plotesisht I sakte. Problemi eshte se premisa e tij qe cdo qytet I madh ka deve bie poshte jashte universit uzbekistanas. Ai me logjiken deduktive eshte plotesisht ne rregull, eshte informacioni qe eshte i pasakte. Pra ,uzbekut i mungon informacioni,dija, po jo kategorite logjike.

  7. ”’Perafrimet e rendeve me te larta jane me te sakta ne fushen e aplikimit te tyre se sa perafrimet e rendeve me te uleta, por e para kjo nuk i ben TE PASAKTA perafrimet e rendeve te ulta, sic thua zotrote per Mekaniken e Njutonit. Nejse nuk dua te humb me shume kohe dhe hapsir me kete pune.”’

    Kur flet per nje shkence ekzakte me terminologjine, ”me te sakta” e ”me pak te sakta”, je duke u perpjekur te kapesh ate ”gjene” nga ana e duhur.
    Pikerisht per nje nderhyrje te tille e kisha llafin, keto me argetojne.
    Po deshe kam edhe me, psh ky zbuluesi i famshem i vrimave te zeza, Hawking, teza e tij shkencore nuk ka asnje eksperiment, se s’mund te behen dhe teza nuk mund t’i nenshtrohet principit te falsifikueshmerise sepse eshte thjesht nje model matematikor.
    Mund te thuhet qe shkencore tek teza e tij eshte vetem brohoritja e komunitetit te fizikanteve, se te sociologjia do kish ngelur ne klase.

    Po deshe mund te vazhdojme me qyfyret e teorise se stringave e multiverset dhe me leket e taksapaguesve qe shkojne hareshem drejt spekullimeve qe shiten per shkence te madhe.

    1. Hyllin, sic te thashe me mire mos fole per shkenca egzakte. Ishe pak me mire kur flisje per ekonomi. Duhet te te kete ngelur ndonje inat i vjeter me shkencat egzakte ndoshta nga shkolla e mesme, ndonje mesues matematike i rrepte, apo ndonje mesues fizike qe nuk kuptonte gjenialitetin social te hyllinit?

      1. E o uzbek te duhet ndonje 60-80 vjecar qe I ka shetitur ato zona qe te mbushe mendjen se ekziston ariu I bardhe. Zotrote nuk ke as nivelin e wikipedise ne argument, kot sa te sjell linqe, do me zemerohet psikopati pastaj. Kur ti nuk kap dot qe graviteti nuk eshte force qe terheq , po veti qe perkul hapesire-kohen, je 100 vjet prapa meje.

        1. hyllin une kam nje MSc ne Computational Physics dhe nje PhD ne General Relativity, te dyja nga Princeton University, por e pranoj perulesisht qe jam 100 vjet prapa teje dhe duhet te shtoj jo pa inat qe komentet e tua me zbavisin pa mase.

  8. Një përfundim që e ruan vlerën në kushtet e tanishme (post-literacy), kur mjetet e komunikimit masiv nuk janë më ato të një shekulli më parë – dhe po ndodh një kthim dramatik te vizualiteti dhe oraliteti, falë televizionit; të plotësuar nga pseudo-literaliteti i Internetit dhe i rrjeteve sociale, ku imazhi fotografik gjithnjë e më fort po konkurron me tekstin e shkruar.

    Mendoj se kjo terheqje drejt oralitetit vjen nga nje mungese e theksuar ne prurje e perpunime te ideve per shoqerine. Te imagjonosh qe sot mendimi politik i Amerikes shprehet ne 140 shkronja, ku “e verteta” te vjen e perqendruar ne formatin e nje proverbe. Kjo faze e post-literacy ka implikime dhe me te forta ne nje vend si Shqiperia ku rikthimi nuk eshte ne oralitetin e dikurshem, me te mirat e keqijat e veta, por nje nje oralitet te mbivendosur te cilit nuk ja kemi pervetesuar ende llogjiken, dhe si rrjedhoje nuk po dime minimumi te formulojme as dhe nje llogjike si uzbekasit per tu mbrojtur/pergjigjur ketij realiteti. Dhe meqe nuk kemi ndonje tradite te forte literaliteti ku mund te kthehemi, me vjen vetvetiu nje pyetje: si mund te na sherbej imazhi per ndertuar ura drejt ideve ne nje periudhe post-literacy? Idete vetvetiu do na cojne tek nevoja per zhvilluar nje literalitet te ri (qe ndoshta perfshin dhe imazhin).

  9. 100 vjet prapa ngelesh edhe sikur te jete i vertete kualifikimi yt, deri tani je me i dobet se wikipedia. Nuk me cudit se “mesuesi I fizikes” eshte nje shoku im PhD ne astrofizike Sapienza. Jam mesuar me pordhet me rigon te “fizikantit”, te cilat ne fakt dime t’i shesim te gjithe, halli eshte kush t’i blen. Ke argument ? S’ke, uzbek ngelesh.

    1. Si urdheron prefesor hyllinay. Apo duhet te them si urdheron shoku Enver? Gjithsesi, sic te thashe je zbavites. Une per vehte te lexoj me endje dhe qesh, oh sa qesh.

  10. 10% e melanezianeve jane bjonde, ne perqindje me te vogel gjenden bjonde edhe te aborigjenet e Australise. Cdo deduksion i perendimorit mesatar rreth bjondllekut do te dilte i gabuar, sepse perendimori mesatar nuk e di kete informacion. Pra te thuash qe mes races se zeze ( melanezianet dhe aborigjenet kane tipare tipike te races se zeze) nuk ka bjonde nuk qendron . Ose psh melanezianet sipas studimeve te fundit gjenetike perpos njeriut te kromanjonit, kane gjene te njeriut te neandertalit, gjene te njeriut te Denisoves dhe disa gjene te paidentifikueshme te nje njeriu qe s’i dihet as nami e as nishani. Pra 4 lloje njeriu kane kontribuar gjenetikisht ne krijimin e melanezianit. Nje perendimor mesatar do shqyente syte nqs i propozon nje deduksion rreth 4 llojeve te njeriut qe permban gjenetikisht melaneziani. https://www.google.it/amp/s/www.focus.it/amp/scienza/scienze/il-dna-fantasma-dei-melanesiani.htm Kur nje njohje e re shkon shume pertej nje konteksti te caktuar , njeriu i kontekstualizuar nuk merret me perfundimin e deduksionit por konteston premisat. Psh nje pergjigje do te ishte, ca jane keto 4 lloje njeriu te aborigjenet e Australise, racat nuk ekzistojne, njeriu eshte nje, ti je racist. Pra , jo vetem qe nuk perfundon dot nje deduksion, po rrezikon te hash edhe te shara.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin