ZAKONE PRAPANIKE

nga Ajkuna Dakli

– Zbrisni që aty – thotë gjyshja po ne bëjmë sikur nuk dëgjojmë. Është fillim tetori dhe janë pjekur hurmat. Kemi hipur në një degë hurme të dy me Kolin dhe po qeshim me lot duke përfytyruar se si mund t’i qëllonim gjermanët me hurma– siç i qëllonte ai çuni në filmin me partizanë.

– Pale me këto të qullëtat – thotë Koli. Do bëheshin helaq fare!

Koli është kushëriri im i parë dhe shtëpitë i kemi përballë. Kur prindët tanë janë në punë, për të dy kujdeset gjyshja. Unë jam në klasë të katërt ai në të dytën, po ngaqë e kemi të dy shkollën pasdite këtë vit shkojmë e vijmë bashkë. Deri parvjet ai ishte një çun i shëndetshëm me fytyrë të rrumbullakët po tani është zgjatur dhe ma ka kaluar. Unë nuk kam qenë ndonjëherë e gjatë dhe as e shëndetshme. Babai thotë gjithnjë se unë ha sa një mizë. Ama, për t’u kacavjerrë nëpër pemë nuk ma kalon njeri. Ngaqë jam imcake dhe peshoj pak mbase.

– Sokol! Zbrit poshtë se për zotin do t’i them tyt eti ! – thotë prapë gjyshja. Pastaj kthehet nga unë:

– Edhe tyt eti!

– O nanë , po nuk ka zot! – unë zbres e para dhe qëndroj përballë gjyshes që vazhdon të tundë gishtin.

– Ne e kemi mësuar në shkollë që nuk ka zot dhe është gabim të thuash “për zotin”.

– Nuk ka – thotë gjyshja. Mirë e keni mësuar në shkollë , po unë jam plakë dhe ca gjera nuk i di mirë.

– Po ja,  po ta themi ne që nuk ka – thotë Koli. Dhe është zakon prapanik.

– Hajde tashti– thotë gjyshja– hani drekë se shkoi koha për shkollë.

– Zbritën? pyet Hatixheja nga hajati i madh.

– Zbritën – thotë gjyshja. Këto degët e hurmës i kam frikë se janë të holla. Mirë këmba e dora se rregullohen, por po vranë kokën çfarë t’i bësh….

– Mos u baj merak oj gru se fëmijët i ruan Zoti– thotë Hatixheja.

– O nana Hatixhe, nuk ka zot!

– Ka – thotë Hatixheja. Edhe asht nji e nuk bahet dy.

– Nuk ka – them unë– është gabim dhe është zakon prapanik.

– Pra-pa-nik – thotë Koli dhe qesh.

Kjo fjala prapanik më bën për të qeshur edhe mua po nuk qesh sepse nuk më pëlqejnë hiç këto mendimet fetare që ka fqinja jonë plakë.

– Hatixhe – thotë gjyshja. Shkolla e di ma mirë. Neve jemi pleqëni. – Pastaj na kthehet ne:

– Uluni tashti të hani drekë se do ikni në shkollë.

…………………………………………………..

Kur kthehemi nga shkolla, si zakonisht të tre unë Koli dhe Blerina – shoqja ime e klasës – Blerina, ndryshe nga ditët e tjera nuk më flet fare. Ajo është gjithashtu më e gjatë se unë, me flokë të kuqe dhe fytyrën me prenka. Është shumë e urtë dhe nuk kthen fjalë kurrë. Edhe kur mërzitet për ndonjë gjë nuk zihet . Po ama, nuk flet.

Sot e marr me mend pse. Në orën e edukatës morale kur folëm për rrezikun e zakoneve prapanike, për fenë që është armik i popullit dhe është opium (që do të thotë një ilaç që të vë në gjumë ) për popullin dhe mësuesi pyeti se çfarë mendonim ne, unë ngrita dorën dhe thashë :

– Edhe në lagjen time është një grua që thotë “Zoti është një dhe nuk bëhet dy”– po unë e di qe ajo e ka gabim dhe unë mendoj që ne fëmijët duhet të punojmë me të rriturit që t’i zhdukim me rrënjë zakonet prapanike.

Ndërsa po ulesha dhe po mendoja se si një zakon mund të shkulej me rrënjë si një qepë ose hudhër, vura re sytë e Blerinës që më panë me inat. Mendoj se ajo prandaj nuk po më flet.

– Bler – i them unë. – Do vish te shtëpia ime sot pasdite?

– Po ti kthehet ajo befas – për gjyshen time e the atë sot?

E kuptoj s’kam rrugë tjetër prandaj i bie drejt.

– Po – i them për gjyshen tënde e kisha. Dhe ajo bën shumë gabim që mendon se ka zot dhe flet për zotin. Sepse feja është o-pi-um domethënë të bën keq.

– Shoqet nuk spiunohen – thotë Blerina.

Kjo, jo vetëm më çarmatos po më bën të ndjehem keq fare. Më duket sikur më bie në kokë një nga ato hurmat e qullëta e më bën helaq.

– Unë nuk jam spiune – them me vendosmëri. Edhe po të më kapnin gjermanët dhe të më torturonin, shokët nuk do t’i spiunoja kurrë. Të bësh kritikë nuk do të thotë të jesh spiune.

– Të tregosh se çfarë bëjnë të tjerët do të thotë të jesh spiune – thotë Blerina po aq e vendosur.

– Ajo nuk është spiune – ndërhyn Koli– se nuk e tha emrin e gjyshes tënde. Kur i thua emrat quhesh spiun.

Blerina mendohet dhe nuk flet. Më vjen keq për të. Në fund të fundit nuk është faji i saj që gjyshja ka mendime prapanike. Ndjehem mirë që nuk e thashë emrin.

– Unë nuk kritikova gjyshen tënde – i them. Kritikova mendimin e gabuar.

Blerina shtyn portën e madhe të shtëpisë së saj dhe ikën pa folur.

Nuk ndihem hiç rehat. Megjithatë nuk më duket se bëra keq sepse një gjë që është e gabuar është e gabuar! .Të paktën gjyshja ime bën autokritikë. Kurse gjyshja e saj jo! Hiç fare!

Në dhomën e madhe mbi stufën e shuar shoh një tepsi të mbuluar. i ngre kapakun dhe lëpij buzët: Bakllava!

Vërtet që ha si mizë, po kur bëhet fjalë për ëmbëlsira nuk them kurrë jo. Vetëm se çuditem.

Bakllavaja te ne, bëhet vetëm “për raste” që do të thotë Vit i ri, dasma, edhe ndonjë lindje fëmije ose…

– Është ditëlindja e gjyshes – thotë halla e madhe. Po mos thuaj gjë jashtë shtëpisë që kemi bërë bakllava se është pak. Vetëm për ne..

– Sa vjeç bëhet gjyshja?

– 80 e ca.

– 80 e sa?

– Nuk e di, thotë halla.

– Po a nuk e ka gjyshja ditëlindjen në korrik?  Vjet ju bëtë bakllava në korrik. – Gjyshja m’i ngul sytë:

– Unë jam shumë plakë thotë – nuk e mbaj mend mirë kur kam lindur.

Kruaj kokën. Më çudit fakti që festohet kaq shumë ditëlindja e gjyshes: Ditëlindjet tona festohen gjithmonë – po ditëlindjet e të rriturve jo. Aq më pak e gjyshes!  Pastaj si harroka njeriu kur e ka ditëlindjen? Nuk paska dokumente për këtë punë?!

Gjithsesi i futem me zell një cope bakllavaje pa u menduar gjatë.

Nuk u tregoj prindërve për ngjarjen në shkollë. Sepse kam një parandjenjë që nuk do t’u vijë mirë që unë kam folur për gjyshen e Blerinës. As mua nuk më pëlqen shumë kjo gjë por, nëse nuk bëjmë kritikë si mund t’i ndreqim gabimet?

Është darkë dhe bëhem gati të fle në krevatin tim që ndodhet në dhomën e gjyshes.

Dhoma më pëlqen. Bie era myshk dhe sapun, çdo gjë është e pastër dritë, në sënduk ka ca qëndisma shumë të bukura, nga dritarja duken portokallet e oborrit pas, në sergjenet e mureve sheh kavanoza me reçel që ruhen për dimër dhe tavani është me dru të gdhendur me katrorë që unë i numëroj kur nuk më zë gjumi.

Laj këmbët mirë e mirë – në dyshemenë e shtruar me dërrasa të bardha nuk lejohet të hysh me këmbë të palara – duart fytyrën dhëmbët, vesh pizhamet, marr një libër, u them prindërve natën e mirë dhe shkoj të fle.

Gjyshja është ulur si çdo natë në gjunjë buzë krevatit të saj dhe pëshpërit ca fjalë me zë të ulët. I afrohem, po sado që përpiqem nuk kuptoj gjë.

I them natën e mirë nja tre herë me zë të lartë po ajo nuk përgjigjet. Pëshpërit e pëshpërit, pastaj, pas nja pesë minutash pasi bën sikur lan fytyrën me të dy duart, i ngre të dy pëllëmbët nga tavani dhe pushon një çast. Pëshpërit prapë, pastaj duke u mbajtur me njërën dorë në hekurin anësor të krevatit ngrihet ngadalë.

Kthehet nga unë dhe thotë:

– Natën e mirë.

Nuk kuptoj gjë fare. Eh , them me vete vështirë të kuptosh një njeri aq plak sa edhe ditëlindjen e vet e feston në kohe te ndryshme te vitit ngaqë gjithnjë harron se kur e ka.

Hap librin, filloj e të lexoj e pas pak ndiej të më mbështjellë një gjumë i thellë. Sikur në ajrin e dhomës të paskëshin hedhur opium.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin