POLITIKA QË HA TEATËR E VJELL PROPAGANDË

nga Eda Derhemi

Ka shumë ditë që prania publike e qytetarëve të Tiranës para Teatrit Kombëtar në mbrojtje të tij të bën krenare. Është një kuvend qytetar, angazhim i individëve e grupeve që interesat dhe hallet e veta i lenë mënjanë për një interes më të madh publik, qytetar, kulturor. Numri këto ditë lëviz mes 100 e 500 pjesëmarrësve, një formë e demonstrimit dhe shprehjes direkte të bindjeve dhe dëshirave të shqiptarëve, disa me diskutime të parapërgatitura, e disa me shpërthime e fjalime krejt spontane, shprehje bindjesh ideologjike e formash artistike interpretative, gjithsesi një demonstrim politik popullor e jopartiak. Kjo energji popullore jep besim se demokracia dhe fryma e shprehjes së lirë, e protestës paqësore por këmbëngulëse për të mirën publike, nuk ka vdekur ende tek ne, sado që balta e mazhorancës demokratike dikur, ndjekur nga ajo socialistëve më pas, na kanë lënë të gjithëve pa besim në partitë politike të ndonjë tipi.

Partitë tek ne fshehin dhe thellojnë kriminalitetin dhe u japin mundësi anëtarëve dhe korteut të hyzmeqarëve hallexhinj që presin kockën e premtuar, që të rrisin pasuritë, shtëpitë dhe bizneset, si dhe pushtetin mbi komunitetin. Partitë dhe qeveritë e modelit tonë nuk ndërtojnë të ardhme e nuk punojnë për publikun, por që të perpetuojnë veten dhe pushtetin. Këtë e bëjnë duke ngrënë publik, e në këtë kuadër, duke ngrënë teatër. Hani Edi, Erion e shërbëtorë të tjerë të kapitalizmit tonë batakçi! Unë nuk i uroj kujt t’i ngelë çapa në fyt, por s’ka qytetar të ndershëm shqiptar që sot nuk mbron teatrin nga tahmaja, babëzia dhe kopilllëku i rrjetës manipuluese që po ndërtoni ju. Ju kam ndjekur prej muajsh si ia sillni rrotull muhabetin njerëzve, si i përçani e i kandisni në mbledhje një nga një aktorë e regjisorë, si i fëlliqni me baltë partish e politikanësh si vetja, si luani me njerëzit dhe opinionin publik herë duke abuzuar retorikën e fjalës politike, herë duke qepur gojën “heroikisht”. Çështja e teatrit tregoi prioritetet tuaja matrapaze, e nëse siç keni shkelur copa të tjera simbolike dhe të dobishme të kryeqytetit e Shqipërisë, do shkatërroni edhe teatrin, unë e plot shqiptarë të tjerë do jua këndojmë këngën deri sa të jeni. Por tani, ju doni veç shpërblimin në pushtet e vlerë materiale, e harroni që ka një ditë kur çdo mashtrim e devijim i pandershëm ka ditën e vet të shpagimit.

Ditët e protestës për teatër kanë sjellë në dritën publike një varg idesh e faktesh që ishin fshehur me marifet nga qeveria dhe politikanët tanë për ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe hapësirën e truallit rreth saj, si edhe për historinë e aktiviteteve kryer në të, duke ia rritur këtij prestigjin, si edhe duke forcuar palën mbrojtëse të Teatrit përbërë prej aktorësh, regjisorësh e gjithfarë punëtorësh të teatrit, si dhe të një shoqërie përtej përkufizimit zyrtar.

Arrita në Tiranë kur projektligji për teatrin, që në fakt është infrastruktura legale që i paraprin shembjes së tij, sapo kish dalë nga Ministria e Kulturës, teksa mes punëtorëve të teatrit ziente kundërshtimi i shkatërrimit të paralajmëruar të tij. Lajmit për projektligjin nxjerrë me nxitim që skenës t’i mbyllej goja sa s’e kish ngritur ende zërin lart, një grup aktorësh e regjisorësh iu përgjigjën me protestën “Mbro Teatrin” dhe krijimit të aleancës për të. Kam pasur rast të takoj e flas për Teatrin dhe protestën me shumë njerëz këto ditë, dhe kam dëgjuar apo kam qenë e pranishme kur shumë aktorë e  regjisorë, madje edhe të njohur, kanë thënë se mbështesin protestën, por preferojnë të mos duken atje për shkak të pasojave zyrtare që mund të kenë; kam takuar e folur me shumë gra e burra kryeqytetas jashtë sferës së Teatrit, që nuk shkojnë në protestë, sido që do donin, sepse janë punonjës të administratës shtetërore dhe kanë frikë se kamera apo ndonjë rastësi e pafat i çon padashje të nesërmen tek shefi i vet politik. Mua nga kjo më vjen turp, dhe duhet ta jetoja që ta besoja.

Logjika qeveritare bazohet në këtë fabulë supreme: teatri do parà që të ndërtohet; ne ato parà s’i kemi, ndaj po japim tokën e teatrit dhe përreth tij një kompanie ndërtimi që ngre disa kulla që konkurrojnë për nga lartësia, dhe pasunarët, si shpërblim, “na falin” një teatër të jashtëzakonshëm, “modern, prestigjioz, profesional… ashtu si e meritojnë artistët dhe publiku”, nga një arkitekt i jashtëm, që ngrihet brenda tyre a nën to. Të ndërtosh këtë arsyetim, pra se arsyeja pse bëhet përshesh një zonë-flori nga vlera financiare, dhe flori nga historia, e ngrihen të tjera kunja shëmtaraqë e pa logjikë as historike as arkitekturore, pjella e bartëse krimi të ri e disproporcionesh të reja sociale, që të kemi më në fund një teatër “si duhet”, është qesharake në më të qashtrën hamendje, dhe e poshtër në hamendjen jonaive. Aman ore, kuptomani sëmbimin e shpirtit, se më dhemb xhani për qytetin dhe artdashësit që më kanë zgjedhur kryeqytetar! Amani ore, se punën time e kam me shumë pasion, dhe më ra bretku për teatrin edhe pse nuk e kam për detyrë! Fyerje për inteligjencën e shqiptarëve; nuk bindem që ata që bëjnë sikur më në fund e kuptojnë qëllimin e pafajshëm të Veliajt, ta bëjnë pa hile; përkundrazi presin t’u dalë ndonjë llokmë si pasojë e këtij shërbimi dhe për tradhtinë ndaj një kauze që qartësisht nuk ishte e tyrja as në krye të herës.

Pse është e natyrshme të mbrosh teatrin? Sepse nëse ekziston mundësia më e vogël që godina historike e Teatrit të ruhet e të restaurohet, zgjerohet, thellohet, shtohet etj., atëherë kjo është edhe zgjedhja e zgjidhja më e mirë për teatrin. Sepse mendimi i arkitektëve apo “ekspertëve” (të palidhur me fije politike) nuk është aspak për shembjen e godinës ekzistuese. Sepse disa kulla më shumë në zemër të Tiranës e largojnë atë prej njerëzve banorë të saj, dhe nuk e afrojnë me Europën. Disa kulla në qendër të saj fuqizojnë krimin dhe dobësojnë qytetarin tiranas. Disa kulla në qendër të saj me teatrin si pjesë e tyre apo nën to, shkatërrojnë teatrin, i marrin frymën atij dhe vrasin hapësirat njerëzore të qytetit e komunitetit – trupa e aktorëve, regjisorëve dhe punëtorëve të tjerë të skenës, pa godinën, humbasin edhe historinë; teatri si hapësirë (godina dhe sheshi i gjerë rreth tij) dhe punëtorët e tij nuk janë aq të ndarë sa na e shesin; kam bindjen se rënia e teatrit ekzistues është edhe fundi i një trupe kombëtare teatri, me program vjetor e të rregullt shfaqjesh, fundi i një forme klasike të artit dhe kulturës, fundi i një tradite, dhe lidhjeje të qëndrueshme të qytetarëve të Tiranës me teatrin, tamam tani që kjo lidhje është tronditur e dobësuar, mpakur e transformuar; se shembja do ishte edhe fundi i teatrit kombëtar si simbol kulturor i gjithë shqiptarëve. T’i japësh një goditje teatrit tani është të vrasësh edhe shpresën që kjo traditë e mirë qytetare e gjithë kombit ku lidhet një strukturë e gjerë akademike me një ent artistik dhe kulturor gati shekullor, dhe me një kulturë të qëndrueshme të kryeqytetit të pritet. Pra teatri është simbol jetëgjatë dhe vetëm në histori merr forcën e vet, nuk është “nostalgji” as për të shkuarën si koncept i paprekshëm e as për gjyshërit patriarkalë apo të pashkolluar, si duan ta servirin laertët e rinj me theks politik inovator. Në parim, nuk ka edhe kulla, edhe teatër – ka o kulla, o teatër!

E në këtë angazhim konfliktual nuk ka fjalë pafajëse e as gabim sylesh, por ka pozicionim dhe qëndresë. Institucionet kanë masha e fonde për ta luftuar teatrin dhe artistët. Ju jeni vetëm, punëtorë të teatrit! Po nuk u organizuat e fituat zemrën e Tiranës me fjalë bindëse dhe argumentuese jo veç me famë e ojna, ju mundën e ju shtypën! Organizimi, vetëmohimi e rezilienca janë aleatët e vetëm që keni, deri sa të ktheni mbrapsht baticën propagandistike elementare për nga cilësia, por dinamike, aktive e sistematike të Veliajt që ka ca prej jush nën hyqëm. Paçi forca, fat e mençuri! Dhe e paçi Tiranën dhe shqiptarët me vete!

Dhe mos u mashtroni o njerëz ngado, që për fat i mbani veshët ngritur, kur ju thonë: “ne jemi për teatrin, atë të riun e modernin, ama!”, atë që rri krah a nën kulla. Këta janë në fakt, në qëllim e në praktikë, kundër teatrit. Ka një shans të vogël (them unë që ende besoj me vullnet të sforcuar që politika jonë nuk është totalisht nën krimin) që nëse godina e sotme shkatërrohet, e një i ri të ndërtohet në po atë vend ku është i vjetri sot. Por edhe kjo do dojë shumë luftë. Dhe do jetë një gjysmë-fitore e atyre që sot nuk luftuan për veten, por për teatrin. Kjo betejë politike për teatrin është një betejë që qeveria dhe levat e saj e luajnë retorikisht, një retorikë false e komplekse, që nuk nderon as ata që flasin e as ata që heshtin.

Për këtë retorikë do shkruaj në vijim.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

13 Komente

  1. Une jam per teatrin e ri, modern dhe uroj te shembet ajo germadhe turpi ku vijne rrotull si “mbrojtes te trashegimnise” ca buratine te mjere te komanduar nga fijet poshte banakut te SHQUPit.

    1. Shpend: nese teatri ekzistues nuk behet dot si i ri, atehere pa dyshim duhet nje i ri ne vend te tij. Une nuk e shoh si germadhe turpi, por kjo eshte per t’u diskutuar. E njoh mire ate qe po ndodh ne teater: nuk jane te komanduar prej askujt. Nese shpesh bejne gabime, nuk jane organizuar ende mire, jane te percare dhe jo te gjithe me aftesite e nevojshme per argumentim, kjo nuk i ben buratine. Ceshtja eshte qe politika i fut hundet gjithandej, te shumices dhe te pakices. Teatri s’ka mundur ta ndaje veten mire nga disa qe mbeshtesin vetem veten e vet; por kjo s’ka qene kurre qellimi i atyre qe jane me teatrin.

      1. Eda Derhemi, duke qënê se ushqej respekt për penën dhe personin tuaj, më vjen vërtet keq kur lexoj shkrimin tuaj të kthyer në pikën zero të debatit , të ngritur mbi disa supozime të tejkaluara tashmë dhe , sidomos, me disa qasje që nuk i qëndrojnë logjikës.
        1.Supozimi rrejshëm i ” teatrit me kullën mbi apo kullës me teatrin poshtë” tashmë êshtë tejkaluar.
        Eshtë përjashtuar nga KM prej tre muajsh dhe u rikonfirmua dje në degjesën e organizuar nga Krybashkiaku me artistët.
        Atë që tashmë është arritur ju e konsideroni një “sikur” :
        Citoj:
        “Ka një shans të vogël (them unë që ende besoj me vullnet të sforcuar që politika jonë nuk është totalisht nën krimin) që nëse godina e sotme shkatërrohet, e një i ri ndërtohet në po atë vend ku është i vjetri sot. Por edhe kjo do dojë shumë luftë…”
        Nuk është e ndershme kjo për një autor serioz përballë një publiku të painformuar.
        Kjo qasje do qëndronte nëse shkrimi do ishte bërë para një viti.
        2. Ju shembjen e godinês aktuale të teatrit e konsideroni si ” fundin e një tradite qytetare ..fundin e një trupe teatrore …fundin e vetë teatrit kombëtar..” !!
        Këtë logjikë unë se kuptoj. Më krijohet ideja sikur ” teatër” bëjnë tullat . E vetmja gjë që humbet nga shembja e godinës është humbja e historisë dhe dëshmisë materiale që mbart godina por jo Fryma; Historia teatrore dhe arti teatror si i tillë të cilat nuk gjallojnë thjesht brênda atyre mureve.
        3. Ju ngrini çështjen e kullave në qëndër të Tiranës dhe e nakatosni nevojën e një godine moderne teatri me mbrojtjen e hapsirës publike nga betonizimi dhe kullëzimi. Këto janë kauza të ndryshme. Vehbiu muaj më parë paralajmëronte artistët ti ndanin këto kauza dhe të “qëndronin në këpucët e tyre”.
        4. Arkitektët sikurse dhe aktorët janë ndarë në dy grupe , një palë i mêshon prishjes, një palë restaurimit. Pra kemi “dy të vërteta” eshe nga “ekspertiza ” me syza !
        Korrektësia e donte të citoheshin të dy palët.
        5. Sigurisht qe beteja për teatrin e ri me formulën e propozuar nga qeveria , mu aty në atë qëndër të bekuar e të lakmuar nga oligarkia , nënkupton edhe kapjen e ” llokmave” në hapsirën publike përtej perimetrit të teatrit…por dhe “llokma dhe fitimi ” përpara do të na shpjerë ! Kapitalizmi është arithmetikë, Olimbi!

        1. Shpend: shpresoj se sot, gati nje muaj nga shkrimi im, mendon se nuk ia kisha futur edhe aq kot. Ne piken 1, qe eshte pike akuze ndaj meje per pandershmeri ose injorance, ti thua se ceshtja e pronesise dhe e ndertimit te teatrit aty ku eshte, eshte tejkaluar qe para tre muajsh (gati kater tani).

          Shiko kete video dhe degjo c’thote kryeqytetari i pare Veliaj me daten 27 qershor, tri dite pasi une kisha shkruar kete shkrim. Veliaj më poshtë thotë (takimi me treshen 2 aktorë + 1 regjisor) se arritjet e takimit janë që “prona e Teatrit nuk preket”; “projektligji tani e negocion Teatrin si ndërtesë monovolum, pa kulla sipër e me celësa në dorë, pra krejt me paratë e privatit” – por gojarisht (jo në filmimin për media, por sipas të thënash të personave prezent në takim) Veliaj ka qenë shumë më konkret dhe është shprehur se “nëse duhet që trualli i teatrit jo vetëm të jetë i së njëjtës madhësi si me pare, por edhe po aty ku është, pra përfshirë oborret e gjithccka tjetër, atëherë Fushës mund t’i jepet kjo hapësirë në lartësi në vend qe t’i jepet ne truall”. Pra indirekt kuptohet që deri atëherë kjo ende diskutohej (madje diskutohet ende sot), sido që në projektligj thuhej se “sipërfaqja…” [në versionin e fundit] apo “metrat katrorë…” [në versionin e parë] “… që përbëjnë pronën e Teatrit Kombëtar do të jetë po ajo edhe pas përfundimit të ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar” (Neni 4).
          Dhe nje tjeter problem i nenit kater qe tregon se ceshtja e “ku-se” dhe “sa-se” se teatrit te ri nuk eshte ende e qarte, eshte se nuk merret vesh cfarë është “prona” këtu tamam? Sepse në projektligj sic them me lart, thuhet “sipërfaqja”, dhe sipas Kastriot Cipit duke u fshehur pas fjalësh të pasakta dhe jo teknike, është pohuar gojarisht një “sipërfaqe” prej 1156 m² (si nga Kumbaro me pare, si nga Veliaj me pas), ne vend te nje siperfaqeje prej mese 4000m². Po ashtueshte luajtur me “siperfaqen” qe nuk sqarohet si “truall”, nese do i jepej teatrit duke ia quajtur si shume e siperfaqeve te kateve. Tani se fundmi, thuhet nga ata qe kryesojne protesten se ka edhe probleme qe lidhen me hipotekimet dhe parregullsi shitjesh ose jo, qe i jane bere teatrit. Pra, ceshtja e qartesuar nga Ministria qe para tre-kater muajsh, eshte ende e paqarte. Po te ishte aq e qarte neni 4 do ish shkruar shume me qartesisht e saktesisht sesa eshte tani.

          https://www.youtube.com/watch?v=g36aFNKcXq4

          pika 2 eshte sqaruar ne shkrim ne disa vende. Simbolet jane te gjalle e jetojne ne akte praktike e te perditshme; me prishjen e tyre (sidomos ne menyren si po ndodh, dhe ne nje moment te veshtire per teatrin) demtohet thelbi i veprimtarise, jo thjesht “ndertesa”.

          pika 3 eshte thelbi i ceshtjes. Nese ti nuk e kupton qe problemi i krijuar ne fakt buron nga kullat dhe jo nga teatri, je i lire te vazhdosh vijen tende. Vehbiu mund ta kete thene, por kjo s’;ka lidhje as me mua as me ceshtjen.

          pika 4 – pa ate palen qeveritare qe thua ti se une e paskam fshehur, nuk do kishte problem. Kam folur me arkitekte dhe ata qe s’jane partiake, thone qe behet. Por kjo eshte ceshtje dytesore. Sa per ata aktore qe duan teater te ri, une s’u ve faj. Une them qe nese ka prove qe teatri i vjeter “rinohet”, une jam per te per aersyet qe diskutoj. Une diskutova ceshtjet qe me dolen ne sy si te parregullta. S’ka asgje te fshehur aty.

          Pika 5 s’ka rendesi.

          Ndjese per vonesen ne pergjigje.

          Ja edhe neni 4 i diskutuar ne piken 1 me lart:

  2. Reductio ad SHQUP-i që në komentin e parë. Ndërsa ne naivët kërkonim gjurmët, kur e kishim ujkun para syve gjithë kohës.

    [Jashtë teme: mendoj që ad SHQUP-i duhet futur te Wikipedia shqip, në krye të vendit madje bashkë me “Bijtë e etërve”, se me to ne u japim përgjigje gjithë problemeve shqiptare!]

  3. Ndoshta, Dash. Por me te drejte. Dhe kjo vec ka demtuar pak formen e fjalive, por jo idete. 🙂
    Ne rruge jam e qete, dhe u qesh luleve dhe shiut.

  4. Kete zhurme rreth teatrit nuk e kam kuptuar kurre. Me duket problem i stisur, si shumice e problemeve qe terheqin vemendjen nga problemet e verteta.

    Pa problem, eshte koha e tille, teatrale, o si i bi te thuhet tamam: teatrore. Duhet me u gjet Kola n’pune.

  5. Zonja Derhemi u zgjove nga jêrmi kllapia e”Harruthave”,domosdo mbas nje shkrimi te stergjate dikur ne traditen e ZP,do te thoshit edhe ca gjera te sterthena.Zoti u bekoft nderime.Good blessed America!Nje Pershendetje e ndjere me Bruce Springsteen”Born in USa”,pasi na lehtesove shpirtin me kete shkrim perlë.

    1. Adriatik, shume te çuditshem i ke komentet.

      Edhe forma e tyre eshte e çuditshme, ngjeshja e fjaleve nuk eshte pa lidhje me ngjeshjen e ideve.

  6. Eda , nuk kam thënë ” ja ke futur kot”!. Kam thënë se disa nga çështjet e ngritura nga ju në shkrim janë qartësuar. Të paktën gojarisht.
    Dabati për teatrin ka arritur pikën e ngopjes. Argumentat kundër prishjes përsëriten.
    Zgjidhja më e mirë për mua do ishte të ruhej pjesa e sallës së teatrit me fasadën dhe në atë territorr ( hapsira publike plus ajo private) te ndërtohej një qëndër teatrore me anekse për veprimtari kulturore .
    Të dyja palët luajnë me teatrin. Prapavijat janë politike dhe pragmatike.

    1. Shpend Bytyçi,

      Dabati për teatrin ka arritur pikën e ngopjes. Argumentat kundër prishjes përsëriten.

      Kini pak durim. Argumentat do përsëriten, dhe do hidhen edhe të rinj, deri në fund sa kjo çështje të zgjidhet.

      Këto shkrime janë edhe formë proteste për një padrejtësi, jo thjeshtë “debat”. Ju ndoshta nuk e shihni si padrejtësi, as nuk presim të keni simpati ndaj asaj që kjo padrejtësi po kryhet. Sepse në fund të fundit padrejtësia po bëhet në pronë publike, jo ndonjë njeriu të veçantë, dhe nuk është e arsyeshme që të gjithë të kemi simpati për pronën publike dhe memorien e përbashkët. Kuptueshëm, vetëm disa e kanë këtë ndjeshmëri. Por ata që e kanë këtë ndershmëri mos prit të pushojnë ndonjëherë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin