AMERIKA DHE SFIDA KINEZE

Nga Ernest Nasto

Një nga rivalitetet më të ashpra në skenën e sotme globale është ai ekonomik, përkatësisht politik, ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, sepse kjo e fundit përbën sfidën më të madhe ndaj mbizotërimit të deritashëm amerikan. Ndërkaq ekonomia amerikane disponon tipare themelore shumë më të shëndetshme se ajo kineze, prandaj rreziku më i madh për Amerikën deri tashti ka qenë jo paaftësia, por vetëkënaqësia dhe mosveprimi. Dhe lufta e saposhpallur tregtare, me tarifat e reja amerikane që synojnë goditjen e importeve të çelikut kinez të krijon përshtypjen se Amerika po fillon të veprojë. Po a është pikërisht ky lloj veprimi arma më e efektshme dhe afatgjatë në këtë fushë?

Me ritmet e tanishme të zhvillimit Kina pritet në fakt ta arrijë superfuqinë ekzistuese brenda një dhjetëvjeçari. Mjafton të përmendim se konsumi i kinezit mesatar është rritur me 17 herë vetëm në 30 vitet e fundit, por duhen pasur parasysh sidoqoftë disa ndryshime thelbësore mes këtyre rivalëve. Kështu Amerika është republikë demokratike ku pjesa dërrmuese e popullsisë përbëhet nga të ardhurit me dëshirën e tyre (duke përjashtuar pasardhësit e skllevërve afrikanë dhe indianët vendas). Ndërsa Kina është perandori autoritare e formuar nga pushtime të njëpasnjëshme të territoreve fqinjë, praktikisht një bashkim popujsh të ndryshëm nën autoritetin e një diktatori. Ky për dhjetëra shekuj ishte perandori, e pastaj Partia Komuniste.

Kina gjithashtu s’është fort e bashkuar, sepse gjuhët që flet popullsia e saj janë krejt të ndryshme, dhe vetëm në brezin e sotëm shumica e kinezëve arrijnë të kuptojnë një gjuhë të njësuar, në saje të përpjekjeve të qeverisë qendrore dhe të mediave. Shteti kinez mbahet kryesisht nga kultura perandorake, por edhe nga aparati i vjeljes së taksave në Pekin.

Edhe historia e tyre është tepër e larmishme, vetëm në njëqind vitet e fundit Kina ka kaluar faza e regjime nga më të ndryshmet si përçarja kombëtare, ajo e ”zotërve të luftës”, luftërat civile, uria masive dhe degradimi i gjithanshëm. Miliona kinezë humben jetën gjatë të ashtuquajturit ”shekull i poshtërimit” që filloi me Luftërat e Opiumit më 1839 dhe mbaroi me fitoren e komunizmit më 1949. Frika e kthimit tek kohëra të tilla ka qenë vazhdimisht e pranishme të udhëheqja kineze.

Ndërkaq vihet re se Kina, ngjashmërisht me Rusinë, reagon ndaj poshtërimit të kaluar duke sfiduar pozitën mbizotëruese amerikane. Këto fuqi s’mund të mendohen kurrë si mike të Amerikës, dhe shpresa mbetet vetëm konkurrenca paqësore, me bashkëpunime të rastit në çështje me interes të ndërsjellë. Por gabimet (apo gafat) e politikës së jashtme amerikane bëhen këtu një faktor ndërlikues, që thellon dyshimet apo mosbesimin ndaj saj. P.sh. amerikanët vendosën ta bënin Irakun demokraci, por rezultati ishte formimi i një shteti sektar shiit. Besimtarët sunitë, të lënë pa mbrojtje, vërshuan tek ISIS, duke e bërë xhihadizmin kërcënim serioz për Rusinë e Kinën. Prej kësaj edhe konflikti në Siri, me pasojat që vazhdojnë edhe sot.

Faktor me rëndësi në rivalitetin me Kinën janë edhe ndryshimet mes kuptimit perëndimor dhe atij kinez për shtetin. Perëndimi e ka mbështetur atë në konceptet e të drejtave dhe privilegjeve qysh nga koha e republikës së lashtë romake, një lloj ”kontrate shoqërore” mes qytetarit dhe shtetit. Por në Kinë ky konceptim është krejt i huaj, nga qytetari kinez pritet vetëm të bëjë çdo gjë që i kërkohet nga autoriteti qendror, me shpresë se do shpërblehet për devotshmëri, e aspak për ndonjë meritë të vetën. Pushteti perandorak është veç një e keqe e domosdoshme, sepse kinezët kanë pasur perandor për 3000 vjet, dhe në mungesë të tij janë masakruar me njëri tjetrin. Prandaj ata besojnë se fuqia qendrore, e jo një demokraci e tipit perëndimor, është garancia më e sigurt e moskthimit tek ”shekulli i poshtërimit”.

Në këtë pikë dinastia komuniste që mori pushtetin më 1949 ka sjellë vërtet një epokë të artë. Për herë të parë në historinë e gjatë kineze, askush s’ka frikën e vdekjes nga uria, apo se mos filan ”zot i luftës” (në shqip do thoshim kryebanditi, apo i forti) do mësyjë fshatin, do djegë të mbjellat e do përdhunojë gratë. Regjimi, megjithëse totalitar, gëzon kësisoj mbështetje, dhe perspektiva e ndryshimit duket e papërfillshme.

Duhet theksuar po ashtu se Partia Komuniste Kineze dhe qeveria e saj janë një meritokraci e rreptë, gjë që e vështirëson mjaft procesin e të kuptuarit të demokracisë perëndimore, përkatësisht asaj amerikane. Krerët e administratës kineze kanë arritur atje nëpërmjet rezultatesh të shkëlqyera në shkollë që prej moshës 12-13 vjeçare, duke qenë pra vazhdimisht në mjedise njerëzish të zot e të zgjuar. Kinezët nuk e kuptojnë se si demokracia mund të sjellë në pushtet njerëz të paaftë, apo edhe idiotë. Në Amerikë mund ta blesh me para një diplomë të Harvardit, por në Universitetin e Pekinit as presidenti Xi nuk e fut dot të birin pa qenë i mirë në mësime. E thënë ndryshe, edhe pse administrata kineze nuk është veçanërisht efektive (dhe sigurisht jo morale), ajo ka në gjirin e vet një shumicë njerëzish të aftë e të zgjuar.

Një tregues i fuqisë ekonomike kineze është edhe subvencionimi i industrisë së rëndë me kapital shtetëror (praktikë edhe e Japonisë, Koresë, etj.). Nga pikëpamja kineze një uzinë çeliku apo fabrikë gjysmëpërçuesish janë të mira publike, cilësim që amerikanët ua rezervojnë vetëm autostradave, porteve apo aeroporteve. Kompanitë kineze me intensitet të madh kapitali janë ato që sigurojnë kësisoj fitime më të larta, ndërsa në anën amerikane shihet fatkeqësisht prirja e kundërt: sa më i ulët intensiteti i kapitalit, aq më i lartë fitimi. Shkak për këtë mund të jetë preferenca amerikane për investime financiare, por sigurisht edhe efekti i subvencioneve kineze, që kanë detyruar amerikanët të evitojnë investimet prodhuese.

Ndërkaq pjesa e Kinës në eksportet e teknologjisë së lartë ka shkuar nga 5 në 25 për qind që nga 1999, ndërsa pjesa e Shteteve të Bashkuara nga 20 në 7 për qind. Kjo do të thotë ndër të tjera se asnjë aeroplan amerikan s’mund të fluturojë pa gjysmëpërçuesit kinezë, duke krijuar kështu probleme reale të sigurisë kombëtare për Amerikën.

Pasojat e veprimeve të Kinës ndihen kudo në botë dhe ajo i ka shpallur hapur objektivat për t’u bërë superfuqi ekonomike e për të përsëritur eksperimentin kinez në gjithë Azinë Juglindore, deri në Turqi. Kjo e fundit, nën Erdoganin, i ka hequr pothuaj sytë nga Perëndimi për t’i drejtuar kah Kina, dhe s’duket ta ketë problem kthimin në provincën ekonomike më perëndimore të Perandorisë së Mesit. Edhe aleatet tradicionalë të Amerikës po adoptojnë politika ”të buta” tregtare, e sa për Rusinë, kjo e ka rritur ndjeshëm eksportin e energjisë drejt Kinës. Kësaj të fundit i ofrohet pra një alternativë tokësore, në rast ndërhyrjeje të Amerikës në rrugët detare të importeve energjetike kineze.

Megjithë këto veprime agresive, amerikanët në tërësi e nënvlerësojnë rrezikun, bile mendojnë se kinezët s’janë të aftë për shpikje e novacione, duke harruar ato çka Perëndimi ka marrë prej Kinës ndër shekuj. Por shpenzimet kineze të kërkim-zhvillimit (R&D) janë rritur në mënyrë galopante dhe shpejt do t’ua kalojnë atyre amerikane. Kina sot nxjerr 4 herë më shumë të diplomuar dhe 2 herë më tepër doktorantë në shkencë, teknologji, inxhinieri e matematikë. Pikërisht kjo përbën edhe mangësinë kryesore të Amerikës, në krahasim me amortizimin e bazës industriale, që mund të korrigjohet relativisht shpejt. Në Shtetet e Bashkuara vetëm 6-7 për qind e studentëve diplomohen në inxhinieri, ndërsa në Kinë gati 30-40 për qind. Për më tepër, sot pothuaj tërë investimi amerikan në R&D shkon në programim (software) duke ua lënë aziatikëve, kryesisht Kinës, prodhimin e materialit elektronik konkret (hardware).

Disa nga ndikimet negative të politikave industriale kineze në ekonominë ndërkombëtare bien haptazi ndesh, siç e përmendëm, me sigurinë e Amerikës. Kjo sepse rregullat kineze janë tepër të njëanshme, dhe një aspekt flagrant është transferimi i detyrueshëm i teknologjisë. Kjo do të thotë që nëse një kompani amerikane, p.sh. Intel, synon të futet në tregun gjigant kinez të gjysmëpërçuesve, duhet t’i bëjë të njohur palës kineze çdo sekret industrial. Nga pikëpamja e vlerës së aksioneve të Intel për 5 – 10 vitet e ardhshme kjo duket me leverdi, sepse arrihet futja në tregun kinez, por nga ana tjetër asgjë s’mund të jetë më e dyshimtë për sigurinë kombëtare. Qeveria amerikane vihet kështu para një dileme: të ndalojë transferimin e teknologjisë dhe të zemërojë keqas kompanitë si Intel, apo të lejojë transferimin dhe të rrezikojë sigurinë?

Në këto kushte përgjigja amerikane ndaj sfidës kineze nuk mund të jetë adoptimi i rregullave e rregulloreve shtesë, d.m.th. një ”politikë industriale”, dhe as lufta e hapur tregtare. Kjo për faktin se amerikanët, për shumë arsye historike, s’e kanë të lehtë të zbatojnë rregulla kolektive, siç bëjnë vende të tjera të zhvilluara si Franca apo Gjermania. Ajo përgjigje duhet t’i përshtatet pra kulturës së tyre individualiste, dhe këtu amerikanëve u duhet të venë në përdorim tërë potencialin e tyre shpikës dhe novator, një drejtim ku ata janë vërtet tepër të aftë.

Një paralele me të kaluarën e afërt mund të jetë e dobishme në këtë betejë të re, sepse gjatë Luftës së Ftohtë, në vitet ’70, shumëkush (përfshi specialistët e CIA-s dhe ekspertët universitarë) mendonte se ajo do fitohej nga Bashkimi Sovjetik. Kjo sepse ekonomia sovjetike dukej asokohe vërtet e fuqishme dhe efektive. Mirëpo nga fundi i viteve ’80 u kuptua gradualisht se ajo ishte krejt jashtë loje, vetëm shpenzimet e nevojshme për eliminimin e mbetjeve e tejkalonin vlerën e gjithçkaje që prodhohej.

Ndërkaq ato vite u karakterizuan nga vala më e madhe e shpikjeve në historinë e industrisë amerikane, p.sh. gjysmëpërçuesit e shpejtë, të vegjël dhe me kosto të ulët. Dalja e gjithfarë sensorëve apo teknikave me laser u bë e mundur nëpërmjet bashkëpunimit të agjencive qeveritare si DARPA (e Pentagonit) apo NASA (Agjencia e Hapësirës) me laboratorët e kompanive të mëdha të vendit.

Duke krijuar kështu një lloj ekonomie të re e të panjohur, amerikanët e detyruan ekonominë sovjetike të humbiste krejt vlerën e saj. Dhjetëra kompani të sapokrijuara u futën në treg për fitime nga teknologjitë e reja, duke çuar mes të tjerash edhe në rënien e disa monopoleve tradicionale (si AT&T etj.).

Në mënyrë të ngjashme rruga më efektive e përballimit të sfidës kineze do të ishte rritja e investimit amerikan në R&D. Dhe këtu duhet marrë në sy edhe elementi i riskut, sepse përfundimi nuk është i sigurt. Por dihet se novacionet që rezultuan nga kërkimet në fusha specifike mundën të futeshin në treg e të shlyenin shpejt veten e tyre. Kështu p.sh. nevoja e Pentagonit për ndriçimin e fushëbetejës gjatë natës çoi në shpikjen e diodave laser. Edhe ato që erdhën nga e ashtuquajtura Lufta e Yjeve (SDI) e Reaganit jo vetëm që patën sukses në treg, por sollën edhe teknologji të tjera të shumëfishuara, e më në fund edhe falimentimin e Bashkimit Sovjetik.

Mirëpo përkushtimi ndaj novacionit sikur është harruar që prej mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe kjo përbën problemin themelor të Amerikës, nëse e mendon veten aq të fuqishme sa të mos ketë nevojë për investime në teknologji të reja. Dhe pikërisht këtu shtetit i takon të luajë një rol tepër të rëndësishëm, sepse thelbi i çështjes mbetet që tregu i lirë s’mund të veprojë i shkëputur nga kultura. Prandaj autoriteti qeveritar mundet dhe duhet të jetë nxitësi kryesor i investimeve në R&D, pavarësisht se ato janë me përfundim të pasigurt.

Kina vërtet po shpenzon dhjetëra miliarda dollarë për gjysmëpërçuesit apo mikroprocesorët, por nëse amerikanët gjejnë mënyra më efektive për t’i prodhuar ato, fabrikat kineze do ta humbisnin menjëherë vlerën e tyre. Por ky rezultat nuk mund të garantohet qysh në fillim, prandaj rruga më e mirë për amerikanët është pranimi i riskut dhe novacioni i vazhdueshëm. Duke lënë mënjanë vetëkënaqësinë dhe duke u angazhuar seriozisht në drejtimet ku ata gëzojnë dukshëm avantazhe të krahasuara, vendi më novator i botës do të mundet ta përballojë me sukses edhe sfidën e re kineze. Ky është veprimi dhe lëvizja që i duhet Amerikës në aspektin strategjik afatgjatë, dhe jo luftërat tregtare, nga të cilat zakonisht asnjëra palë nuk del fituese.

(c) Autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

16 Komente

  1. Pa i hequr gje gares teknologjike si zgjidhje dhe krahasimit te Kines se sotme me Bashkimin sovjetik, duhet pranuar se diferenca demografike mes Kines dhe Amerikes eshte abisale, keshtu qe po arriti puna qe diferencen ne GDP.ne per fryme ta beje thjesht teknologjia atehere do te thote qe s’ka me gje per te zgjidhur se cdo gje ka marre fund ne favor te Kines qe ka 4 here me shume banore.

    Kjo zgjidhje ishte e propozueshme ne kohen e Klintonit, ja qameti ne vitin e pare te Obames, menjehere pas krizes se 2008-s. Tani Kina e ka lene prapa Amerikes ne GDP-ne e pergjithshme, madje bollshem, 25 mije miliard dollare vs 20 mije miliard dollare, ka ritem rritjeje 7%, Amerika nuk shkon dot as tek 3%;Kina prodhon gati 700 milione tone celik vs 100 milione te Amerikes, gati 30 milione makina ne vit , perkundrejt 11 milione makinave ne vit te Amerikes, ka stacion hapesinor te vetin, kurse Amerika mbylli programin ”Shuttle”, po ashtu Kina ka raketen nderkontinentale me rreze me te gjate veprimi ne bote, prodhoi avionin e brezit te peste J-20, duke rivalizuar F-22 etj, etj

    Amerika e ka humbur qartazi luften ne ekonomine reale , industri+bujqesi, ka humbur pakthim luften per eksportet, biles duhet te shohe si te bllokoje rritjen e Indise, se Kines ne njefare menyre ia piu lengun.

    Kur realistet qe ne vitet 90 propozonin qe ekonomia kineze te mbytej me sanksione, liberalet bene te kunderten, i hapen tregun amerikan mallrave kineze dhe eksportuan masivisht kapitale ne drejtim te Kines, keshtu qe rezultati eshte ky qe eshte; Amerika doli si rruar qethur, per me teper me nje deficit tregtar ne marredheniet me Kinen prej 370 miliard dollaresh.

    Katrahura u be dhe nuk zhbehet, Amerika ka vetem dy avantazhe, hegjemonine financiare dhe bomben atomike. Duhet ruajtur hegjemonia financiare, duke ulur deficitin tregtar, qe eshte i vetmi i cili e demton. Eksporti i kapitaleve ne vetvete nuk eshte negativ, behet i tille kur ndikon per keq ne deficitin tregtar, pra kur shkon jashte edhe atehere kur nevojitet brenda . Ketu eshte roli i shtetit, i cili duhet ta kepuse me taksa eksportuesin e kapitalit, ne rast se eshte i nevojshem brenda vendit.

    Duhet edhe nje president idiot, te jete i tille, jo te beje si i tille, ne menyre qe te kercenoje bindshem me hedhjen e bombes atomike ne rast se ta zeme Kina sulmon Tajvanin apo Korene e Jugut. Cdo president i arsyeshem apo qe vetem sa ben si idiot, pa qene i tille, nuk do te guxonte kurre te perdorte bomben atomike, por atomikja dhe financat jane te vetmet gjera qe i kane ngelur Amerikes.

    Bashkimi Sovjetik ne fund te viteve ’70, ndryshe nga Amerika qe me Kisingerin doli me strategjine e ”Shkaterrimit te Ndersjellte”, ndertoi nje platforme te arsyeshme, dmth sipas sovjetikeve asnje njeri i arsyeshem ne planet nuk do te hidhte i pari bomben atomike, kur pasojat do te ishin fatale per njerezimin, keshtu qe lufta e vetme e mundshem do te ishte ajo konvencionale, prandaj edhe gjate viteve ’80 iu dha peshe armatimit konvencional, veçanerisht avioneve, me Mig 29 dhe Su 27.

    Amerika ka nevoje per nje President Idiot per gjithe dekadat ne vijim, sepse nqs Kina ato 700 milione tone celik ne vit i kthen ne armatim, mund te fitoje nje lufte konvencionale kunder gjithe globit.

    p.s shanset jane te larta qe Amerika te anashkalohet nga Kina dhe India, te cilat do perplasen me njera-tjetren, ashtu si Anglia u anashkalua nga Amerika dhe Bashkimi Sovjetik.

      1. Do thoja President Psikopat, po e kishe zene konceptin.

        Si po thoja me siper, doktrina sovjetike e fundviteve ’70, supozonte se asnje njeri i arsyeshem nuk do te hidhte bomben atomike i pari, pra se doktrina amerikane e ”Shkaterrimit te Ndersjellte”, ishte thjesht nje bllof amerikan, por lufta do te zhvillohej si konvencionale, me atomiken si arma e fundit, qe thjesht do te perdorej vetem ne rast invazioni te territoreve shteterore nga palet ne terheqje e siper. Logjikisht, nuk mund te pretendosh te pushtosh territorin e nje shteti qe ka armen atomike dhe te presesh qe te mos e perdore .

        Implikimi teorik eshte se bomba berthamore ben te pamundur konceptin e kapitullimit pa kushte, i cili u be koncepti me i dashur mes paleve nderluftuese gjate shekullit 20.

        Prandaj BS ne 1990 kishte 5 milion ushtare e me shume tanke e avione sesa Amerika.

        Kina ka mohuar dhe ende e mohon perdorimin e pare te bombes atomike ( first strike), pra strategjia e saj eshte e njejte me te Bashkimit Sovjetik ( per sy e faqe BS nuk hoqi dore nga First Strike, realisht punoi per uljen e kapaciteteve nukleare- marreveshjet Salt- dhe shtoi investimet konvencionale), lufta per Kinen do te jete konvencionale dhe as qe e ka vrare mendjen te shtoje kapacitetet nukleare.

        Amerika vazhdon ende te mbaje perdorimin e pare (first strike) si pika kyce e strategjise amerikane ne rast lufte. Mirepo, doktrina sovjetike ka te drejte, Amerika po ben bllof. Atehere Presidenti duhet te jete idiot, qe te kercenoje bindshem, meqenese vete doktrina amerikane e First Strike, nuk puqet asgjekundi me arsyen .

        Konkretisht, Kina sulmon Tajvanin, ose ndryshe Republika Popullore e Kines sulmon Republiken e Kines. Cdo beje Presidenti amerikan per te mbrojtur aleatin e vet ?

        President idiot, do te thote, president ne linje me doktrinen amerikane te sulmit te pare (First Strike).

        1. “Konkretisht, Kina sulmon Tajvanin, ose ndryshe Republika Popullore e Kines sulmon Republiken e Kines. Cdo beje Presidenti amerikan per te mbrojtur aleatin e vet ?”
          Pa te provoje te beje kryemagazinierin e gjize qe kalkulon me logjike e pastert duke tejkaluar logjiken psikopate?

          I çmendur nuk eshte njeriu qe ka humbur arsyen, i çmendur eshte njeriu qe ka humbur gjithçka perveç arsyes – Chesterton

      1. Trampi me duket shume vanitoz per te qene plotesisht i besueshem, po t’i thoshte Bushi ato qe thote Trampi, atehere do ishim tek Presidenti i duhur per Perandorine Amerikane. Gjithsesi mos u shqeteso se Amerika do bjere edhe financiarisht nga fiku, do vije nje President liberal qe do ia dorezoje Kines supremacine financiare, si bene aradha e kryeministrave angleze shekullin e kaluar, te cilet u kujtuan vetem ne vitet 30, kur e kishte marre ferra uraten. Prandaj tek p.s thashe qe gjasat jane te larta qe Amerika te anashkalohet si i ndodhi Anglise.

        1. Qe te vije nje President liberal qe do i’a jep Kines supremacine financiare, duhet me pare te vije nje president joliberal (siç ka ardhur ne fakt) qe nuk ja jep Kines supremacine financiare. Keshtu vepron fataliteti ne histori ose determinizmi historik me kombinim alternativ jo-po si ne seks: femra ne fillim te thote jo jo!, per te thene me pas po po! Kjo i jep lezet punes. Edhe ne politike veprohet njesoj si ne seks.

  2. Nuk mbahet nje perandori perjetsisht duke bere marifete dhe cic mice ekonomike.

    Nga 83 sisteme te medha qe njeh histori e botes, asnje nuk eshte shembur per shkaqe te jashtme, gjithnje per shkaqe te brendshme degradimi moral, qe reflektohet ne kriza dhe ngordhje ekonomike.

  3. Kompanitë kineze me intensitet të madh kapitali janë ato që sigurojnë kësisoj fitime më të larta, ndërsa në anën amerikane shihet fatkeqësisht prirja e kundërt: sa më i ulët intensiteti i kapitalit, aq më i lartë fitimi.

    Kjo ndoshta ka të bëjë në masë të madhe me atë se ekonomia kineze është e planifikuar, në kuptimin që vlera e fitimit është e garantuar nga subvencionet e industrive, kurse investimi në US i nënshtrohet rreguallave të tregut ose Marginal Efficiency of Capital në kutimin që sa më shumë para të hedhësh kundrejt një problemi, aq më shumë ulet efiçensa ose përqindja e fitimit, ose ka një pikë të caktuar kur kjo e fundit fillon e bie.

    Por, mendoj se është mëse e llogjikshme që ekonomia kineze në një moment të caktuar do detyrohet t’i nënshtrohet rregullave të tregut, sidomos në tregun e brendshëm, duke pasur parasysh edhe rezistencën që po has në tregjet Europiane, Amerikane, Australiane, por edhe Aziatike, si dhe dëshirës së Kinës për të krijuar një klasë konsumatore. Në këtë kuptim subvencionimi dhe planifikimi nga shteti nuk është i qëndrueshëm. Ndaj mbetet për t’u parë nëse edhe Kina do përballet me problemet e Marginal Efficiency of Capital në të ardhmen.

    Ndërkohë ekonomia amerikane ka joefiçensa të tjera, përveç atyre që shtron zoti Nasto me të drejtë, që Kina nuk i ka, siç janë varësia nga sektori financiar që kontrollon veprimtarinë e kompanive (stockholders); detyrimet, rregulloret dhe përballjet ligjore; patentat; dhe monopolet.

    Megjithatë rritja ekonomike e Kinës ka qënë shumë pozitive për perëndimin dhe US, pavarësisht nga efektet anësore të deindustrializimit në ekonominë Amerikane. Për shembull nëse mund të ketë ndonjë kontribut të Kinës në ruajtjen e paqes në lindjen e largët në Azi, por edhe në pjesë të tjera të botës, kjo i dedikohet kryesisht sigurisë ekonomike të Kinës. Sot, pavarësisht se Kina nuk mund të konsiderohet aleat i US, ka shumë më tepër interesa reciproke se sa kishte në kohën e Nixon.

  4. Mi ka marre ne komentin e tij te pare hyllin nga koka ato qe doja te thosha, te pakten ne rreth 80%, ndaj shkurt po permbledh, se ne keto 20-30 vjet te se njejtes muzike, “Kina do ia kaloje nje dite Amerikes”, duhet pohuar se Kina e ka lene Ameriken ne bisht ta kavallit ne te gjitha drejtimet prej 1-2 dekadash, ndaj ajo tani vetem sa do te luaje teater, sikur e trajton Ameriken si nje vend potencial e me rrezik, ndersa ne budallenjte e globit na jepet e drejta te besojme akoma se Amerika na qenka akoma nje potencial i forte kundrejt imperializmit te ri kinez! Njerezit i kane qejf perrallat, per shkak se u kane mbaruar forcat e tyre!

    1. Keni shumë të drejtë, por pikërisht për këtë në artikull bëja krahasimin me Luftën e Ftohtë: vetëm ”budallenjtë e globit” besonin asokohe se Amerika ishte ende ”një potencial i fortë” kundrejt marshimit të pandalshëm të komunizmit nën udhëheqjen e Vendit të Sovjetëve.

    2. Ti mund te jesh dakort me 80%, te atyre qe t’i mora nga mendja, po doja te qartesoja se nuk jam dakort me antiamerikanizmin tend. Konkluzionet e tua vijne nga antiamerikanizmi, deshira qe Kina te kaloje Ameriken, keshtu qe je ana tjeter e medaljes, ku liberalet kane 30 vjet qe thone ja Kina ngec tani, ngec pastaj, po nuk ngeci neser do ngece pasneser ( pikerisht do ngece pasneser), se modeli kejnesian nuk funksionon, se nderhyrjet shteterore jane te demshme etj. Ekonomia kineze ka vitalitet te larte e mbeshtetur nga nje shtet I mencur, qe derisa te arrije nje GDP per fryme tek 30 mije dollare, do te ece pandalshem me 7-8% ne vit, pastaj do filloje te ulet pak. Meqe Kina ka GDP per fryme tek 18 mije dollare atehere edhe nje 10 vjecar ritmet do jene tek 7-8%. Per momentin Kina po shfrytezon fuqizimin le ta quajme vertikal te shtetit, rritje e ekonomise dhe popullsise, kur te arrije nje pike mjaftueshem te larte do te shkoje edhe ne fuqizimin horizontal, duke shtuar numrin e sateliteve dhe krijuar avantazhe ne furnizimin me lende te pare apo ne eksportet e veta te mallrave dhe kapitalit. Amerikes tani po i cajne veshet satelitet duke i zeruar avantazhet ne furnizim me lende te pare dhe ne eksportet e mallrave dhe kapitalit. Nqs Amerika nuk i disiplinon satelitet e vete, me siguri ka per te rene nga fiku me shpejt sesa I duhet vete Kines, e cila me rritjen prej 7% ne vit nuk ka ci duhet aventura per shtimin e sateliteve.

  5. Hyllin: “…antiamerikanizmin tend. Konkluzionet e tua vijne nga antiamerikanizmi, deshira qe Kina te kaloje Ameriken…”
    Duket mendimet dhe deshirat e mia qenkan ngaterruar me te ndonje tjetri gjate rruges per tek ti!

    1. Tani te njejten verejtje ta beri me ironi edhe autori i shkrimit, duket se jemi 2 ne 2 deri tani.
      Ne pergjithesi ata qe nuk i perkasin realizmit ne politiken e jashtme i perkasin rrymave te ndryshme te idealizmit dhe ti nuk duket t’i perkasesh realizmit. Kjo sjell qe duke i perkitur njeres prej rrymave idealiste, argumentet e tua te jene te mbrujtura edhe me deshira, si do e perfytyroje ti nje bote me te mire apo si duhet te shkojne gjerat qe te jete nje bote e neserme me afer deshirave te tua.
      Nuk them se eshte mire apo keq, ne fund te fundit bota do shkoje afer mendimeve dhe deshirave te dikujt, ne rastin tend ka shkuar afer deshirave te tua qe Kina ta kaloje Ameriken, por thjesht doja te thoja qe per ate 80% te perbashket kemi ndjekur dy rruge te ndryshme.
      Nga ana tjeter nuk ka ndonje gje per t’u prekur, ne mos deshira te mirefillta se urrejme apo duam nje shtet te caktuar, objektiva kane te gjithe, realiste e idealiste. Zakonisht objektivat e realisteve kane me shume gjasa te realizohen (dhe jo vetem ne politiken e jashtme), po zakonisht nuk do te thote gjithmone, ka shpresa edhe per idealistet (hiq utopistet, qe jane rast patologjik e ndonjehere jane per kemishe force).

Lini një Përgjigje te hyllinAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin