GJON KUJXHIJA BRENDA KUJTESËS

nga Mikaela Minga

Në vitin 1943, Gjon Kujxhija, atë kohë student në konservatorin Luigi Cherubini të Firences, botoi një vëllim me titull Valle Kombëtare – Dasëm Shkodrane, Vol. I.  Kjo antologji përmbante rreth 52 transkriptime muzikore (shkrim në notë) të valleve të kënduara të dasmës në Shkodër. Ajo ishte pajisur edhe me një përshkrim të detajuar rreth mënyrës si zhvillohej rituali i fejesës e martesës në qytet si dhe kur këndoheshin materialet. Me vlerë të posaçme është parathënia, ku Kujxhija paraqiste metodën, argumentat dhe interpretimet përkatëse rreth çështjes. Ndërkaq, botuesi njofton se së shpejti nga i njëjti autor do të dalë edhe libri Kangë Popullore – Hengu Shkodranë.

Gjon Kujxhija

Për situatën e studimeve shqiptare të kohës si dhe për moshën relativisht të re të autorit, ky material mund të konsiderohet si premtues e vizionar për etnomuzikologjinë shqiptare, duke hapur shtigje metodash të kërkimit sistematik.  Mirëpo, një nismë e tillë nuk pati vazhdimësi. Kujxhija vdiq pak muaj më vonë, më 25 shtator, nga bombardimi i parë i forcave aleate mbi Firence. Mbeti i pabotuar dorëshkrimi i Hengut, i cili u mendua i humbur. Ndërkohë, etnomuzikologjia shqiptare pas LIIB iu referua gjerësisht metodave të  transkriptimit (deri në atë pikë, sa edhe e reduktoi në një proces mekanik). Megjithatë, ajo la jashtë vëmendjes studimore këtë pioner të rëndësishëm në këtë fushë. Me përjashtim të një rrethi të ngushtë njohësish, puna e tij mbeti në harresë gjatë periudhës totalitare.

Nga kjo pikëpamje, më ngazëllen fakti që pas 75 vjetësh kemi të botuar në një vëllim të përgatitur prej Eno Koços, veprën e plotë studimore të Gjon Kujxhisë (përfshi edhe dorëshkrimin e Hengut Shkodran shpëtuar dhe ruajtur mrekullisht). Vëllimi përmban edhe një numër shkrimesh kushtuar autorit nga bashkëkohësit dhe miqtë e vet. Një arsye tjetër pse ky libër është i rëndësishëm ka të bëjë me qasjen filologjike e dokumentare. Shkrimet kushtuar Kujxhisë plotësojnë në mënyrë suplementare profilin e tij dhe paraqiten me interes në drejtim të filologjisë së tekstit; ruajtes së variantit origjinali të shkruar nga autorët. Pjesa më e rëndësishme e kësaj qasjeje është ajo që lidhet me materialet e vetë Gjon Kujxhisë, pra Vallet Kombëtare e Hengun Shkodran (ky i fundit, botuar për herë të parë). Këto serviren përmes një kombinimi të botimit anastatik dhe faksimiles, duke i ofruar lexuesit një kënd të posaçëm për të vlerësuar jo vetëm punën e autorit, por edhe dokumentin në vetvete.

Gjithsesi, do ishte mirë që ky botim të lexohej përtej shlyerjes së një lloj pengu ndaj këtij rasti “tragjik” dhe të lënë në harresë, siç u komentua më së shumti. Duke u njohur me punën e Kujxhisë, si dhe me atë çka është shkruar për të, të mundemi të shkojmë përtej formave lavdëruese, duke reflektuar mbi këtë kontribut  brenda kontekstit historik të kohës kur jetoi, po aq sa edhe në raport me situatat që pasuan studimet mbi muzikën në Shqipëri.

Nga kjo pikëpamje mbase edhe “përtej” nuk do ishte përcaktimi i duhur; më saktë do të ishte “përbrenda” atyre hallkave që përbëjnë mendimin muzikor shqiptar; në marrëdhënie me metodologjitë dhe këndvështrimet teorike mbi të cilat është zhvilluar etnomuzikologjia.

Në momentin kur kam lexuar për herë të parë parathënien e vëllimit Valle Kombëtare, më tërhoqi në mënyrë të posaçme puna e tij kërkimore. Elokuenca, argumentet dhe tezat që shtron ishin rezultat i një kërkimi sistematik. I ndërgjegjshëm për natyrën empirike të kësaj pune, ai e konsideron këtë botim një bocë dhe pret të plotësohet nga këshilla e vërejtje. Etika dhe përgjegjësia ndaj një diskutimi kolegjial mund të lexohet në fund të parathënies:

Të gjitha këto e bëjnë Gjon Kujxhinë një pioner të etnomuzikologjisë në Shqipëri. Puna e tij sendërgjon një ligjërim mbi muzikën, i cili është pikë e rëndësishme referimi për këdo që kërkon të hulumtojë mbi çështjen dhe në tërësi për historinë e mendimit shkencor mbi muzikën në Shqipëri. Nga ana tjetër, Kujxhija është një mediator kulturor (culture broker), pra ai që ka aftësinë të lidhë, të ndërmjetësojë midis kulturave të ndryshme. Kjo duket më qartë nga të gjitha në nivelin muzikor, si mediator i kalimit nga dimensioni oral (gojë më gojë) i një muzike në atë të shkruar. Sigurisht, nuk ishte i pari dhe i vetmi mediator, por në ndryshim nga të tjerë,  ai e vendosi në një kornizë teorike të caktuar këtë proces kalimi dhe pikërisht këtu kemi një nga kontributet më të rëndësishme për “muziktarin” shqiptar që do të vijë pas LIIB: qoftë ky etnomuzikolog, interpretues apo kompozitor.[1] Kjo nuk do të ishte e mundur nëse Kujxhija nuk do të ishte përvetësues i atij weltanschuung-u që rrezatoi në kulturën shkodrane të gjysmës së parë të shekullit XX. Në nivelin muzikor, ky botëvështrim qendërzohej te figura të tilla si Martin Gjoka apo Mikel Koliqi dhe në një format më të gjerë:  antropologjik, letrar, filozofik nga ajo e Bernardin Palajt.[2]

Qasja e Kujxhisë bashkon etomuzikologjinë me antropologjinë e muzikës, pra muzikën si produkt i një praktike e cila i përket një konteksti kulturor të caktuar. Ky format, ndonëse u vijua deri diku nga Ramadan Sokoli, nuk pati qëndrueshmëri në traditën shkencore, në një totalitarizëm që veproi mbi të kundërtën, pra duke e izoluar produktin nga praktika e gjallë, për ta shndërruar në një artifakt skenik.

Sot, si çdo gjë që vihet në raport me kohën dhe filtrat kritikë, edhe argumentet e Kujxhisë përbëjnë një objekt analize më vete. Me vlerë është leximi që i bën Edmir Ballgjati qasjes dhe interpretimeve të Kujxhisë. Ai i shikon në prizmin  teorik të ligjërimit nacionalist të elitave politiko kulturore të kohës, të lidhur me kërkimin e rrënjëve dhe origjinës së lashtë,  si dhe me elementë të tillë si autenticiteti e përkatësia europiane. Pjesë e këtij ligjërimi është sipas Ballgjatit edhe ndarja binare që Kujxhija bën mes gjinive urbane: nga një anë vallet e kënduara  (diatonike, të lashta, kombëtare, me referenca perëndimore) dhe nga ana tjetër ahengu (kromatik, me referenca nga pushtimi turk, oriental, hibrid). Kjo ndarje u mor si e dhënë njëherë e përgjithmonë, pa referuar kontributin e Kujxhisë në sanksionimin teorik të saj.[3]

Këtu nuk mund të mos e bëj një analogji: 75 vjet më parë Gjon Kujxhija botoi me shpenzimet e veta librin Valle Kombëtare, me një tirazh modest që ua dërgoi, si tregon Tonin Harapi, miqve dhe institucioneve për mendime e sugjerime. Në 2018, është inisiativa e familjes Kujxhija, në bashkëpunim me studiuesin Eno Koço që, jashtë çdo mburoje institucionale, bën të mundur këtë botim. Sërish, inisiativat e rëndësishme mbeten të lidhura me nismat individuale dhe familjare.

Ndërkaq, shumë problematika që lidhen sot me studimin e muzikës vijnë nga mungesa e një kërkimi sistematik, mungesa e projekteve studimore të cilët të bazohen mbi hulumtimin, shqyrtimin kritik dhe jo vetëm mbi rimarrjen, ripërtypjen apo më keq akoma, mohimin, e asaj çka është shkruar e thënë. Në këto 25 vjet post-totalitare, studimi i muzikës është përballur me sfidat e veta, që sërish lidhen me nevojën e një komunikimi më mendjehapur  mes studiuesve dhe institucioneve përkatëse si edhe me rrezikun e vulgarizimit të kërkimit muzikor në hapësirën kulturore e mediatike shqiptare, ku principet dhe kërkimi serviren jo pak here brenda miteve dhe interesave pragmatikë të fasadave politike.

Dikur, studiues si Gjon Kujxhija kishin nevojë për të parë horizonte të reja, për të formuluar  mendimin e tyre; sot, studiesit pasues, më tepër sesa horizonte të reja, do thoshte Marcel Proust, kanë nevojë për mënyra të reja vështrimi të atyre horizonteve që kanë përpara syve.

Shënim i autores: Materialet fotografike botohen me lejën e familjes. Falenderoj përzemërsisht për këtë z. Nikolin Kujxhija.  Shkrimi është variant i ripunuar i një ligjërate mbajtur me rastin e promovimit të librit, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, më 11.05.2018.

Imazhi në kopertinë: Shkodër: Vitet ’40. Nga e majta në të djathtë: Angjelin Kujxhija, Gjon Kujxhija, Rud Gurashi, Ndoc Kujxhija

(c) 2018, Mikaela Minga


[1] Transkriptimet e Kujxhisë qarkulluan në Shkodër dhe mund të kenë qenë një pikë referimi për kompozitorët dhe muzikantët e rinj në atë kohë. Ndër më të njohurat nga materialet e transkriptuara mund të themi se është “Mori drandofillja e bardhë” e përdorur nga Çesk Zadeja te muzika e filmit Skënderbeu, si dhe si temë sekondare e simfonisë së tij.

[2] Nuk është e rastësishme që kjo kulturë urbane nxori edhe një tjetër protagonist të rëndësishëm të etnomuzikologjisë, Ramadan Sokolin. Domethënës është reagimi i Sokolit, kur mori vesh që dorëshkrimet e Hengut Shkodran kishin shpëtuar. Me sa tregon Injac Kujxhija, ky i fundit u gëzua fort kur pa që ishin shpëtuar nga i vëllai duke i thënë: “Ruej si gjan ma të shtrejt që ke…”

[3] Edmir Ballgjati. Kënga qytetare shkodrane.” Tezë doktorale. Qendra e Studimeve Albanologjike. 2014, fq. 22-36.

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

1 Koment

  1. Zbulim mbreslenes falenderojme thellesisht autoren,per shtjellimin deri ne pikpuqjen me Ramadan Sokolin.Rënia e zanores A, nga Ahengu ne Hengu i jep bukuri muzikalitet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin