SI GUXOJNË XHANËM

Kaq ekstrem është bërë pasioni për të raportuar në mediat gjithçka që thuhet për Shqipërinë, nga të larë e të palarë, në të katër anët e botës, sa një e përditshme kish sjellë sot reminishencat e një Paul Gascoigne, ish-futbollist britanik, i njohur për zotësinë me topin, por edhe si alkoolist me famë (tanimë ish-alkoolist); dhe pikërisht për një vizitë që paska bërë ky në Shqipëri dikur në vitet 1980, kur vendi i është dukur “më keq se Cannock” –meqë ky krahasim u bë gjatë një takimi pikërisht në Cannock, mbase duhet marrë si shaka; në kuptimin që nuk ishte Shqipëria që u krahasua me Cannock-un, por Cannock-u me Shqipërinë:

When I went to the World Cup I was in the under 21s and I was in Albania. That is a dodgy place by the way, have you been to Albania? It’s worse than Cannock.

Shqiptarët nuk është se kanë ngutshëm nevojë për një ish-futbollist britanik që t’i ndriçojë për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë në vitet 1980; meqë ky nuk e ftillon më tutje pse zgjodhi vendin e shqiponjave si shembull të një “dodgy place” mbase mund të supozojmë se i ka lënë mbresë të ligshtë mungesa e trafikut në qytete, ajri i pandotur dhe natyra e paprekur; ose kushedi stadiumi me gropa dhe kallëpet e sapunit në dushet e lojtarëve; ose edhe pamundësia për të frekuentuar lirisht pub-e dhe prostituta; tek e fundit, Gascoigne nuk ka qenë as është Vittorio Sgarbi. Ndoshta edhe shoqëruesit e tij vendës nuk e kanë bindur dot për të vizituar Muzeun Kombëtar dhe as për të admiruar Bukuroshen e Durrësit; mbase brenda këtij konteksti a kontrasti, një nga komentuesit përmendte Byronin dhe admirimin e tij të paekuivok për viset tona dhe banorët e tyre (autoktonë). Dhe pavarësisht nga autoriteti i Paul Gascoigne në këto çështje (everyone is entitled… ose, siç e ka thënë Yni: CILIDO PA FRIKË DHE ME SHKRONJA TË MËDHA), si dhe nga ndikimi i vlerësimeve të tij pa doganë mbi bursën e tanishme të turizmit tek ne; lexuesi i mediave sot është mësuar që të gjejë atje zakonisht lavdërime duty-free të së huajve për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilat tashmë kanë zëvendësuar gatishmërinë për bashkëpunim ekonomik dhe atë që në anglishte i thonë “the benefit of doubt”, të cilin për fat të keq nuk po na e japin më; me fjalë të tjera, vërtet nuk po na qasin gjëkundi dhe na e kanë pirë lëngun neve dhe gënjeshtrave tona dhe kostumeve tradicionale a moderne, alla turka a alla frënga, që veshim a nuk veshim, sikurse kanë pushuar së qeshuri me shakatë tona të kripura; ama lavdërimet nuk na i kursejnë (jepi Qesarit…). Por fjalët e Gascogne-it shkojnë në drejtim të kundërt, prandaj gjasat janë që media që i ka hedhur në qarkullim të brendshëm të ketë pasur synime të tjera – dhe jo që të na armiqësojë me popullin vëlla anglez (mos harroni fustanellat që skocezët i kanë marrë nga ne), dhe as të ndikojë në ecurinë e basteve pro/kundër Anglisë në kampionatin botëror që po afrohet; por më shumë t’i ftojë lexuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre të pacenueshme për pesë minuta mllef (aq më tepër kur kjo ndodh pikërisht në momentin kur jo një, por plot tre shqiptarë konkurruan në Eurosong 2018, ose – siç e tha një media televizive largpamëse – “Shqipëria [sic] u përfaqësua me tre artistë”; dhe, më tej akoma, kur “Shqipëria” mori më shumë pikë se Anglia e Gascoigne-it). Çuditërisht, kjo dëshirë për të provokuar instinktet më primitive të lexuesit po shndërrohet në një ingredient fiks të ushqimit të përditshëm nga mediat (të themi, një lloj majdanozi); madje deri në atë shkallë sa të edukojë aradhe të reja lexuesish, të cilët turfullojnë dhe tërsëllijnë dhe solidarizohen në zemëratë, duke njohur veten në padrejtësitë që u bëhen, ose si viktima të Tjetrit. Për të arritur deri këtu, paskësh qenë e nevojshme që lexuesi të ishte mësuar, deri në shprehi, me personazhin stereotipik të së huajit që çaprashit lëvdata të shpëlara për shqiptarët, historinë e tyre, Princin Skënderbe, etj.; edhe kur atëherë këto lëvdata vështirë t’i besojë kush, sepse tepër të trasha ose thjesht protokollare. Ky farë lexuesi ka adoptuar tashmë rolin e asaj maces që e ngre zellshëm prapanicën përpjetë, sapo dikush ia kruan fundbishtin; edhe pse mbetet enigmatike se çfarë mund të synojë media me mirëmbajtjen e këtij refleksi pavlovian kolektiv.

2 Komente

  1. Do te kish qene me interesante qe Poli te kish bere nje vizite se fundmi e te thoshte qe Albania ka nje ish minister te brendshem ne arrest shtepiak dhe vellane e ministrit te ri te brendshem ne gjendje te lire, ndersa vazhdon lirisht punen e tij si drogaxhi. Kjo do ishte c’do ishte.

  2. Pergezime te sinqerta, Ardian, per faktin qe e ke gjetur burimin e ketij lajmi absurd. Kur e hasa, para disa ditesh, mora 2 minuta ta googloja dhe pasi nuk me doli asgje e pertypshme me shpejtesi, e klasifikova si krejt te rreme.
    Jam dakort me analizen tende. Do shtoja vetem, ne lidhje me arsyet e kesaj sjelljeje te papergjegjshme, se nuk besoj te kete nje qellim qartesisht te formuluar. Jane pak nga te gjitha: kufizimi mendor i shkruajtesve te lajmeve, gjahu per klikime e sensacionalizem, krehje e bishtit pushtetar (kur jane lavderime) e opozite qorre (kur jane sharje)… do te uroja te kishte nje komplot ne lidhje me kete, se te pakten do kishte nje shkaktar te caktuar, te kufizuar ne hapesire e ne kohe, por kam frike se eshte me e komplikuar se kaq.

Lini një Përgjigje te dydogAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin