DËSHMI TË NJË LUFTE TË PALAJMËRUAR

Në fillim as që e kuptonim se kish filluar lufta – përveç që po vinim re turmat e refugjatëve me benca nga provinca, që dyndeshin valë-valë drejt kryeqytetit: me fytyra të vrara, si ata që e kishin parë për një çast fundin e botës, për t’ia kishin kthyer pastaj sakaq kurrizin.

Por edhe tani që e kemi kuptuar, kjo nuk ka asnjë ndikim në ecurinë e pritshme të ngjarjeve.

Thonë se armiku bombardon natën: fshin nga harta lugina dhe faqe mali, rrafshon pyje dhe përmbys kullota, devijon shtratin e lumenjve, vjedh rërën nga plazhet. Thonë kështu, por këto mund edhe të jenë ekzagjerime të përhapura nga vetë armiku.

Përndryshe ne nuk ndiejmë veç një si rëndim të ajrit, një si gulç, një farë përzhitjeje dhe qymyrosjeje të përgjithshme; njëlloj sikur botës t’i jetë shtuar papritur bloza – një blozë gjithsesi pa gojë për të treguar për zjarret që e kanë pjellë.

Armiku ndërkohë ka vënë në shënjestër infrastrukturën: po na lë pa rrymë, pa ujë të pishëm, pa ujë të papishëm, pa transport publik; veçanërisht me sukses i kanë dalë operacionet për të nxjerrë jashtë përdorimit hekurudhat, pa çka se këto nuk i përdorte kush më prej vitesh.

Bomba inteligjente pjellin brenda natës filiza të mnershëm betoni, kulla të zgavërta e të çapëlyera, me dritare si sytë e të verbrit. Ne zgjohemi pastaj si në jerm, shohim horizontin të shfytyruar nga këto graffiti arkitektonike dhe belbëzojmë: “baje Zot andërr!”

Askush nuk e pranon zyrtarisht luftën, madje as Gazeta Zyrtare; jeta vazhdon si më parë, gëlojnë baret, portalet, parlamenti të enjteve dhe pikat e basteve çdo mbrëmje, harlisen atelietë e tatuazhit, të mobilimit dhe të selfie-ve. Disa prej pallateve të reja të banimit thuhet se i ulin nga qielli në terr, me tiranda mëndafshi. Banorët e tyre të ardhshëm çapiten nëpër qytet pa i folur kujt, me vështrimin prej gjinkalle të shurdhuar në qelibar.

Ndonjërit prej nesh i qëllon të dalë befas përjashta dhe të mos njohë kënd as të mos e njohë kush dhe të habitet e të fillojë të pyesë: more, ç’bëhet kështu? Ma che succede? Dhe të tjerët do t’i përgjigjen: po ti kush je? Dhe ky do të thotë: më fal, pa dashur qenkam larguar në drejtim të panjohur. Pa e kuptuar që e gjithë kjo regjistrohet në kamera hi-tech dhe mund të përdoret nesër kundër trashëgimtarëve të tu. Njësi terroriste, të depërtuara në kulisat e qyteteve të mëdha, eliminojnë pabesisht librashitësit, akorduesit e pianove, trombonistët, koreografët, gjeografët, tipografët dhe kuadrot e policisë drejtshkrimore.

Armiku nuk tregon ndonjë mëshirë as për ish-monumentet e kulturës: urat qindvjeçare me një dy dhe tre harqe, rrënojat e periudhës fashiste, kishat e kërrusura, shtëpitë-muze të shkrimtarëve të Realizmit Socialist, dhëmbët kalldrëm të po këtyre shkrimtarëve, tradita e festivalit të filmit artistik arbëresh, vila e Enverit, vila e Zogut, arkivat e dosjeve sekrete (arkivat sekrete të dosjeve), hamamet publike. Ka zëra se çdo natë bombardohet furishëm selia e Teatrit Kombëtar në Tiranë, por që deri më tash ka mbetur në këmbë, falë edhe qëndresës së aktorëve. Ndërkohë u janë gjunjëzuar bombardimeve ish-hotel Dajti (hotel ish-Dajti?) dhe ish-Piramida, teksa në ato pak librari të mbijetuara vendin autorëve ua kanë zënë autoritetet.

Me urdhër të posaçëm të Komandantit, fasadat e ndërtesave në qytetet tona kryesore i kanë pikturuar me gjithfarë bojërash e motivesh psikadelike, për t’i mimetizuar. Aviatorët armiq, që kalojnë vjedhurazi sipër, me siguri kujtojnë se bëhej fjalë për instalacione të artit bashkëkohor, Google Maps Art ose për hapësira dedikuar institucionit të nderuar të cirkut.

E megjithatë, pako gjë mund të bëhet kundër efektit të ngadalshëm të bombave që shkërmoqin asfaltin, zhdukin pusetat e kanalizimeve, trazojnë ujërat e zeza me të bardhat, ujërat e bardha me të zezat; ose të bombave të tjera që nxehin gjakrat, turbullojnë Lanën, turbullojnë marrëdhëniet ndërfetare, oksidojnë statujat e heronjve, shpërthejnë tinëzisht kazanët e plehrave dhe depozitat e ujit të auto-lavazheve, falsifikojnë nenet e Kushtetutës, fertilizojnë qentë e pastrehë, u manipulojnë shijet kuratorëve të artit konceptual.

Më rrallë ndodh që armiku të përdorë bomba me zhvendosje kohore; n’ato herë rrënimet do të ravijëzohen disa ditë para bombardimit, pasojë e një efekti kuantik pak dhe keq të kuptuar dhe shpesh të keqkuptuar. Gjeometrat tuhafë të Bashkisë kruajnë skalpet me lapsat majucë dhe nuk i japin dot dum mutacionit jo-euklidian të planimetrive, teksa organizojnë vijën e parë të mbrojtjes, të fortifikuar me vinça që u kërcënohen frikshëm ekskavatorëve nofullngrirë.

Gërmadhat tani i ndesh kudo në peizazh, gjysmë të zhytura në gjelbërimin mesdhetar, madje edhe mu aty ku do të prisje të lulëzonte ndonjë fabrikë me oxhaqe ose oxhaqesh; të mençmit thonë se herët a vonë nga këto përvijime embrionale do të përftohen kapanone dhe magazina, hangare dhe garazhe për mjetet e rënda, tunele hekurudhore të vulosura me zift dhe ura që ngulen në shpat të malit si pas ndonjë mosmarrëveshjeje tektonike; por armiku këto vetëm sa i ka hedhur si farë, për t’ua parë hajrin vite më pas. Dhe vetë dukuria i ka ndarë ekspertët më dysh, duke i vënë arkeologët në konflikt me arkitektët.

Qypat me florinj që zhgroposeshin dikur nga themelet e freskëta të pallateve tashmë i përkasin historisë, pa çka se historinë ndërtimeve të reja nuk ka kush t’ua shkruajë. Hipotekave ua kanë zënë vendin hipotezat.

Gjatë ditës rrugëve u tensionohen tegelat nga qarkullimi frenetik; por kur i pyet kuturu drejtuesit e pluhurosur të mjeteve se për ku janë nisur e ku venë, ata të shohin si të tromaksur dhe nuk reagojnë, ose bëjnë me kokë e me duar shenja enigmatike, duke treguar me gisht qiellin, a thua se përgjigjen e di vetëm Ai Atje Lart. Shumë prej nesh po dyshojnë se rrugët i ka kapur tashmë armiku dhe po i përdor për trafiqe të mbrapshta. Vijat e bardha i kanë zëvendësuar ndërkohë me vija të kuqe.

Armiku ushtron kontroll strategjik edhe nëpërmjet valëve të telefonisë celulare dhe sistemeve Wi-Fi në zonat me grumbullime të mëdha frymorësh. Flitet për një epidemi meningiti viral, që përcillet jo nëpërmjet vaksinave të skaduara, siç pretendojnë tabloidët, por nëpërmjet shkëmbimit të like-ve në Facebook; për të njëjtën arsye, janë marrë masa që një ambulancë e shërbimeve të urgjencës psikiatrike të qëndrojë gjithnjë në gatishmëri, pranë studiove ku zhvillohen debatet televizive private të mbrëmjes. E kotë të shënohet se kjo privon nga resurset e nevojshme zona të tjera të përballjes me armikun, në një kohë që arma mikrobiologjike vazhdon të bëjë kërdinë edhe mes elitave pa pushtet.

Për t’i shpëtuar kësaj epidemie të meningitit, viktimat e ardhshme kanë filluar të largohen masivisht nga vendi, ndonëse ekspertët gjykojnë se dëshira e parezistueshme për t’u larguar është ajo vetë simptoma e parë e sëmundjes në fjalë.

Dyshojmë fort se një lloj zbarkimi masiv tashmë ka ndodhur që nga deti; çfarë do të shpjegonte edhe shndërrimin e plazheve të dikurshme në yrte që, të fotografuara vjedhurazi nga lart, u ngjajnë varrezave ushtarake gjysmë të gatshme, në pritje të së vdekurve të freskët. Brenda këtij skenari kobzi, armiku ka përfituar edhe ngaqë bunkerët e vijës së vjetër të mbrojtjes tashmë nuk janë më, ose nuk funksionojnë dot më pse janë shndërruar në bujtina tematike, ose nuk lokalizohen dot më nga xhenierët, sepse i kanë mbuluar me letra karamelesh.

Kush ka stomak ta shohë akoma Shqipërinë nga obloja e avionit, herët a vonë do të shquajë gjurmët e pashlyera të bombardimeve çnjerëzore – armiku ka parashutuar deri edhe zhguaj shtëpish të tëra, me gjithë garazh e çati të kopsitura me tjegulla, mu në mes të arave dikur të lavruara. Ata që deri dje punonin në ugare, tani shesin ndanë xhadesë cigare. Disa prej këtyre ngrehinave, dukshëm të pabanuara, nuk janë veçse bomba të paplasura, të programuara të shpërthejnë sapo të hapen negociatat për pranimin e Shqipërisë në BE, duke u maskuar pas haresë së fishekzjarreve.

Raporte të pakonfirmuara por alarmante, flasin për fuçi të frëngut me zgjyrë toksike, të braktisura në zona çuditërisht ende të banuara, sasi brutale lëndësh plastike në trajtë konglomerati qesesh dhe shishesh që pluskojnë, proliferojnë dhe vetë-organizohen në ujërat e brendshme, goma auto-traktorësh sovjetikë dhe dëmtime të parrëfyera nga të ashtuquajturat bomba me erozion, përfshi zbrazjen e truallit nga dheu.

Sikurse flasin, raporte të tjera, për pakësimin, ndonjëherë deri në zhdukje, të objekteve dhe proceseve me një natyrë më delikate dhe të rralluar, si larja e flokëve me ujë shiu, akordi sol minor 7, vargu shtatërrokësh, paskajorja e gegnishtes, përkthimet nga letërsia koreane, varianti Najdorf i mbrojtjes siciliane në shah, koha e kryer e mënyrës habitore, duetet, dorashkat grarishte me lesh deveje, vallja e tipit paso doble.

Me tradhti, armiku ka arritur të importojë në territor edhe mbetje të tjera industriale me shumicë, kryesisht të maskuara si thasë me qumësht pluhur për fëmijët jetimë a punishtet e kosit dhe konserva supe të fortifikuar me vitamina, që u jepen falas të sëmurëve terminalë në oborret dhe korridoret e populluara dendur, të institucioneve shëndetësore publike.

Njerëzit kërkojnë përgjigje dhe ngushëllim në shtëpitë e Zotit, por edhe këto qëllon që u shemben befas mbi krye, për t’i varrosur për së gjalli, aq sa edhe ndonjëherë të mos e kompletojnë dot kalimin e rregullt në botën tjetër.

Dhe nëse ne ende po mbijetojmë, këtë ia detyrojmë televizionit, i cili na jep mundësinë të marrim pak frymë lirisht e të mbyllim sytë përballë disfatës, qoftë edhe vetëm për pak orë natën; të mbyllim sytë përballë disfatës dhe t’i hapim pastaj për të parë në ekran atë botë ku ende ndihemi si në shtëpinë tonë, ku ende ndihemi në shtëpinë tonë.

4 Komente

  1. E forte! Vetkuptohet se ky armik nuk mund te zbulohet se ku dhe kush eshte! Kunderarma per ta zbuluar kete armik eshte nga nje pasqyre qe u duhet dhene shumices se banorve, mirpo kjo kushton shume, pervec kesaj duhen instruktore qe t’ua tregojne banorve se si perdoret kjo arme. Dhe keta instruktore, me duket se i mungojne ketij vendi! Prandaj nje kryq i madh ne hyrje te portit te Durresit, do te tregonte me mire funksionin perfundimtar te ketij vendi.

  2. Mua me pelqeu veçanerish kjo, me beri vertet me qesh me ze:

    “Ndonjërit prej nesh i qëllon të dalë befas përjashta dhe të mos njohë kënd as të mos e njohë kush dhe të habitet e të fillojë të pyesë: more, ç’bëhet kështu? Ma che succede? Dhe të tjerët do t’i përgjigjen: po ti kush je?”

    E paska perkthy tamam Umberto Econ-n. ahahahah

  3. Oh dreqi e mori, kemi filluar te luftojme qysh nga 1939 dhe nuk na u nda armiku. Kemi luftuar edhe me pare si ne kohen e Teutes, Pirros se Epirit, Skenderbeut etj, por lufta e vetme e pranuar zyrtarisht nga te gjithe si ajo me e lavdishmja, ajo qe e pagezuan edhe si Nacional Çlirimtare nuk ka shoqe. Me vone, ne ishim ne lufte edhe me armiq te tjere te jashtem e te brendshem, te armatosur deri ne dhembe me bomba nukleare dhe me ideologji djallezore-gjarperore. Me nje fjale sot portalet here pas here thone qe Armageddon (Har Megiddo ne hebraisht) nuk eshte gje tjeter vec Myzeqeja, qe ne pelazgjisht njihet si Armet e Myzejenit, por ky mund te jete edhe nje dezinformim nga Akademia Arkeologjike e Armikut, per te demoralizuar sidomos ata qe ende nuk e kane kuptuar qe Shqiperia ndodhet ne gjendje lufte, madje fundi i saj do te vije kur te firmoset Paqja.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: