ËNDRRAT E NJË NATE ZGJIMI

nga Teuta Sadiku

Ai, që ju tashmë e njihni pak a shumë, ka një huq të keq, kështu i thonë të tjerët, po ja që ai vetëm në sajë të këtij huqi frymon: Ai flet me vete. Të flasësh me vete, pa patur njeri në krah, përballë, qoftë edhe pas shpine, është vërtet një marrëzi dhe ai ose ajo që e bën këtë quhet e/i marrë. Është qytet-shteti ynë.

Dimër e behar, pranverë e vjeshtë ajo është e para që pushton me këmbët e saj qytet-shtetin që fle. Këpucët lustrafine të saj shkelin qytetin me një trokëllimë të lehtë, që e shumta e shumta veç ndonjë gjethe zgjon që dremit e lodhur pas peripecive të shumta për t’i zënë këmbët dhe, mbi tokën buzëplasur.

Edhe ajo me ato lustrinat e saj të kuqe, si një gjethe endet sa herë fryn ajo era e motit që jo vetëm të zë frymën, por ta merr gojën fare me gjithë gjuhë. Gjuhën ia ka marrë era këtu e 25 vjet para… Mund ta përdorte vetëm brenda mureve të shtëpisë së saj, por kurrsesi në bango shkolle jashtë mureve të qytet-shtetit të saj..

Është dimër tani, një dimër i tjetërsuar, një dimër i pashoq, i paparë, i padëgjuar. Qyteti mbuluar kokë e këmbë, herë me jorganin e rëndë e herë bythëzbuluar prej ndonjë ëndrre llahtarë, të tremb kur e sheh ashtu të mbledhur skrupull, një grusht, me sytë e mbyllur, gojëkyçur. Ai të jep përshtypjen e një pacienti të shtruar në një prej spitaleve psikiatrikë dhe mbahet në gjumë me doza ilaçesh, prej frike të shpërthimit. Pa le kur i ngrihet tensioni. Mjekët thonë se është në gjumë dhe jo në komë… Të afërmit që e njohin më mirë thonë se është në ëndërr. Adoleshentët me bojëra mureve udhëzojnë ta lëmë të qetë qytetin kur ëndërron dhe ta zgjojmë, po qe se qyteti ia ka futur gjumit për shtatë palë qejfe.

Me sa mbaj mend unë, u hodh prej dikujt ideja që ishte më e udhës për qytetin të ëndërronte, sepse gjatë ëndrrës i jepej e drejta të planimetrojë vetveten, të hartojë rrugën ku do të kalojë, dritat prej nga do të ndriçohet, të skicojë sistemin e ujërave të zeza dhe të plehrave dhe gjithçka tjetër që do t’i japë jetë, gjallëri dhe ecje para. Nuk është gjë e lehtë të bësh arkitekturën e një qyteti të tërë në ëndërr. Po e anasjellta është akoma më e vështirë, ta nxjerrësh nga ëndrra e të realizosh diçka prej vërteti.

Deri këtu jemi në rregull, sepse qyteti deri tani flinte me sa dukej dhe ëndërronte patjetër çka dëshironte. Por ja që ëndrrat një ditë prej dite e gllabëruan qytetin, ia morën mendjen dhe ia verbuan sytë. Qytetin nuk e linin të zgjohej prej gjumit. Ëndrrat u kthyen në zhgjëndrra dhe që atëherë ato nuk guxuan të nxirrnin as gishtin e vogël të këmbës, jo më kokën jashtë jorganit. Kështu që vetëm zhgjëndrrat tregoheshin prej banorëve, kur pihej kafja me orë të tëra lokaleve, ose gjithë ditës për të shtyrë orët.

Të shikosh ëndrra e ke lejen me pashë, nuk të pengon njeri, aq më tepër kur merresh me rrëfimin e tyre. Të gjithë ngazëllehen. Por t’i realizosh ato ndalohet me ligj.

Gjithë e keqja është kur qyteti merr pozicion për të realizuar ato të ngrata ëndrra. Konkretisht, kur banorët zgjohen nga ana e majtë e fillojnë përpjekjet për të realizuar ëndrrat, krahu i djathtë nuk i lë rehat deri sa t’ia arrijë qëllimit me çdo marifet, jo vetëm që të pengojë punën për të bërë ëndrrat realitet, por që t’i shkatërrojë nga themelet çdo gjë e me çdo kusht. Po kështu ndodh edhe me ata që zgjohen nga krahu i djathtë. Ana e majtë nuk ka derman deri sa të paralizojë, jo vetëm të mpijë krahun e majtë.

Ndaj qyteti prej kohësh ka hequr dorë prej tyre, jo se nuk i do ëndrrat, por urren veten kur kalon kohën duke u marrë kot së koti me realizimin e tyre, përderisa nuk bëhet gjë prej gjëje. I pëlqen më mirë ta shohë në sy e me sytë e tij realitetin, se sa ta ëndërrojë në gjumë.

Tashmë janë mësuar e përshtatur me gjendjen, nuk u bën më përshtypje realiteti, por as edhe nuk marrin mundimin të ëndërrojnë. Shpresat kanë humbur gjurmët, janë zhdukur pa lënë nam e nishan.

Si çdo mëngjes, edhe sot një banore iu afrua portës së madhe, të blinduar të qytetit, e pasi nxori nga xhepi tufën e madhe të çelësave, kapi me gishtat e saj hekurishten e duhur, e futi në bravë, e rrotulloi dy-tre herë dhe qëndroi para qytet-shtetit të saj duke i hedhur një vështrim zhbirues.

Çfarë pamjeje!!! Mos o zot! Një qytet-shtet ku mungojnë njerëzit. Të gjithë janë larguar, ia kanë mbathur me të katra, nga sytë këmbët. Vendin e tyre e kanë zënë orenditë shtëpiake, që nga mobiliet, pikturat, aparatet e dëgjimit dhe të shikimit, celularët, deri tek majat e gjilpërave ngulur zemrave të kuqe varur me një nyje të dyfishtë mureve qyqe të qytetit..

Ajo nuk dinte nga ta fillonte më parë. Gjithçka duhej pastruar mirë. Qytet-shteti i saj jo vetëm që ishte shpërfytyruar nga korrupsioni, po kishte dhe dëngla, e hidhte shurrën përpjetë mureve. Pa le po t’i thoje një fjalë kundra, merrte inat e ngrinte krye. Karriget bëheshin grupe bashkë, kundërshtonin në emër të lirisë, sheshet ngriheshin në këmbë e përmbysnin buste e monumente në emër të demokracisë. Ikonat, shaheshin mes tyre, kambanat shurdhonin minaret në emër të besimit fetar, të zotave e perëndive.

E kishte shumë të vështirë të vinte rregull e pastërti, pasi nuk kishte të bënte vetëm me mykun, pluhurin, papastërtinë. Po nga kishte ardhur gjithë kjo papastërti? Hodhi vështrimin nga këmbët e saj. Pa gjurmët në tokën e qytet-shtetit të saj, baltë e gjallë. Gjurmët hynin e dilnin jo vetëm brenda për brenda, por rrëmujshëm, të fëlliqura hynin e dilnin edhe në qytet-shtetet që shtriheshin tejet e përmatanë ledheve.

Ishte shumë e vështirë të mbahej ekuilibri brenda një bote, po ekuilibri midis botëve si mund të mbahej vallë?!

Aq më tepër, si mund të mbahej ekuilibri mes realitetit dhe fantastikes, zhgjëndrrës dhe ëndrrës? Atje pengoheshin të gjitha e të gjithë. Përplasej e majta me të djathtën, Po-ja me Jo-në, dëshirat me domosdoshmërinë, e vërteta me gënjeshtrën, qyteti me shtetin.

Qytet-shteti i saj ndodhej në një moment kritik, por ja që nuk vendoste dot të bënte një hap para. Vetëm shkonte para-mbrapa, lart e poshtë, majtas-djathtas, nga njëra skenë në tjetrën.

Më tepër ishte një komedi se sa dramë. Me fjalë të tjera shfaqej e njëjta pjesë teatrale: Banorët përjetonin një dramë ku qytet-shteti luante komedi. Atje ku qyteti qeshte me të madhe, shteti shpërthente në vaj. Ndaj vendosën të largoheshin banorët e përvuajtur.

Qyteti nuk ishte racist, s’kishte asgjë me të zinjtë, as me të kuqtë, por shteti mbronte pseudo demokratët po aq sa urrente edhe të ashtuquajturit komunistë. Një palë akuzonte tjetrën.

Shumica admironin gënjeshtrën, edhe pse e dinin që gënjeshtra i kishte këmbët e shkurtra. Kë të besoje më parë, të shkuarën apo të tashmen. Djaj me brirë dolën të gjithë. Dikur qytetit i pëlqente më shumë të ëndërronte të ardhmen. E thurte dhe e shthurte si të donte, herë me tenderë e herë me simpoziume. Po ja që shteti absurditetin e kishte për zemër.

Nuk do ta besonit, por qyteti i rrëzonte fashistët nga froni ku kishin hipur, i mbyllte nazistët në shtëpi të bardhë, i ringjallte të vdekurit në gjyqe, i kapërcente emigrantët dhe refugjatët përmatanë kufijve, i ndiqte qytetarët me plumba deri përtej ledheve. Nuk merrte vesh i pari të dytin.

Flitej se në rrëmujë e sipër banori i fundit nga pakujdesia flaku një bisht cigareje brenda mureve të qytet-shtetit. Akoma qyteti digjet gjuhëve të flakës. Vetëm shkronjat morën udhën e u vunë në radhë. Vargjet e fjalëve dëgjohen mureve të qytet-shtetit. Kumbojnë e oshtijnë duke gërryer muret. Digjen e përvëlohen fjalët nga malli për të dëgjuar zërin e banorëve të ikur larg mërgimtarë.

Edhe këtë mëngjes banorja mori me vete një grusht fjalësh të varura në muret e mbetur fillikat. Do të bënte diçka për qytet-shtetin.

 

 Kupa prej balte

Jo, nuk u tërhoq nga moti i keq i kohës
mblodhi një krah germash në udhën e shkronjave
dhe ndezi zjarrin e dashurisë në furrë.
Në shportë hodhi rrezet e shpresës,

Hodhi dhe një thërrime majá ëndrre
dhe zuri brumët me baltë të kuqe vendi.
Nga malli llahtarë derdhej loti pikë pikë.
Dhe bëri një të vogël diell
për vatrës e saj, diku larg.

E vuri në zemrën e ndezur prush.
Meditonte:
Do të ndriçojë, s`ka mundësi.
do të vijë koha të piqet dielli ynë
do të na ngrohë më mirë, në agim.

 


(c) 2018, autorja

 

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin