XHAZI NË LITURGJI

nga Eda Zari

“Soli Deo Gloria” a la John Coltrane

Potenciali liturgjik i muzikës xhaz dhe paragjykimi i muzikës xhaz në terrenin kult

Psalmi 150, 3-6:

Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste. Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë. Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese. Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja. 

Komunikimi midis Perëndisë dhe njerëzve në rrjedhën biblike paraqitet vazhdimisht përmes kontaktit muzikor. Rreth 800 vargje të Biblës përmendin në mënyrë eksplicite termin muzikë. Sido të kenë tingëlluar fjalët e përdorura nga Eva dhe Adami, a ka ndonjë dyshim ndaj dëshmive biblike që ata i këndonin fjalët e tyre?

Qysh prej zanafillës së njerëzimit, lidhja e muzikës me fenë dhe Kultin është e pandashme, sepse fjala e Zotit nuk mund të skalitet dhe mësohet me forcë, ajo duhet ëmbëlsisht të tingëllojë brenda shpirtit dhe mendjes së njeriut! Muzika duket se ka qenë një tipar i vërtetë i krishterimit. Plini i Riu, (61-113, jurist dhe gjykatës, senator dhe shkrimtar në Romën e lashtë), në letrat dhe kronikat e tij të cilat sot janë një burim i rëndësishëm historik, e konsideroi veçanërisht me rëndësi të theksonte se kulti i ri në Lindjen e Mesme kishte një lidhje të fortë me muzikën dhe formën e riteve: Ata janë mësuar të takohen me njëri-tjetrin në një ditë të caktuar para agimit dhe të alternojnë kolektivisht me vegla e zë, një këngë Perëndie. Muzika dhe besimi kanë një ngjashmëri të pashmangshme mes tyre, duke plotësuar njëra-tjetrën. Besimi larton sigurinë për shumëçka shpresojmë. Besimi është individual dhe dëshmi e një dimensioni shpirtëror, të cilin nuk e shohim por e ndjejmë! Po aq abstrakte, shpresëdhënëse, dëshmuese është dhe muzika. Muzika dhe besimi, kjo binjakësi mirëbërëse, përcakton fuqinë tonë jetësore, rimëkëmb gjithëhera shpirtin njerëzor.

Sa më shumë mendoj për këtë, aq më fort më angazhon pyetja: përse duket e pamundur ecja me Zeitgeist-in dhe dinamikat e sotme kulturore, tek madje vetë kreu i kishës katolike Papa Françesk bën thirrje për muzikë të shenjtë, më moderne për zemrat e bashkëkohësve tanë? Pse në Shqipëri paragjykohet kur luhet muzikë në kishë, sidomos muzika xhaz tek interpretohet në mjedise fetare me instrumente? Kur do të distancohemi nga klisheja se xhazi dëgjohet në zhytjet me tym në orët e vona, aty lëkundet djepi i mëkatit?

Shpesh dëgjojmë të flitet nga ky rrafsh paragjykues e kokëfortë. Por si lidhen religjioni, xhazi, dhe kisha me njëra-tjetrën? Si ndikojnë hapësirat e kishave në gjuhën e xhazit?

Së pari këtu duhet dhënë një përmbledhje e shkurtër historike. Me sjelljen e skllevërve nga Afrika në Amerikë, u soll edhe esenca e trashëgimisë kulturore, shoqërore dhe muzikore, e cila u ngjiz me traditat fetare muzikore evropiane që patën ndikuar kontinentin e ri asokohe, duke krijuar një multikulturalitet. Në kulturën afrikane, muzika është e lidhur drejtpërdrejtë me tërë jetën shoqërore dhe adhururese.Thirrje-përgjigjet komunikuese mes tyre ishin praktika tipike shprehëse, ku fjala ritmonte me linja vokale, perkusive e vallëzuese. Meloditë afrikane u ruajtën nën të ashtuquajturën “Tingulli origjinal i thirrjeve dhe lavdërimeve”, ku përmblidheshin këngët shpirtërore dhe ato të punës. Modi afrikan nuk mund të kapet nga sistemi i toneve evropiane, sepse intonacioni i atyre këngëve varion nga ky yni. Gjatë përzierjes së kulturave muzikore, u rritën “notat blu” tok me Pentatonikën (paçka se ekzistojnë mendime të ndryshme mes teoricienëve të muzikës rreth origjinës dhe natyrës së pentatonisë).

Fundi i Luftës Civile në 1865 dhe heqja graduale e skllavërisë deri në mesin e viteve 1920 ndihmuan në zhvillimin dhe inspirimin e stileve të muzikës që ne sot i quajmë xhaz dhe blues.

Gunther Schuller thekson se është e vështirë për të vendosur një datë të saktë në të cilën xhazi mund të përshkruhet si një zhanër i pavarur, teksa Jeffrey H. Jackson thotë se që nga të shtënat e para të “Dixieland Jazz Bands” më 1923, për herë të parë mund të flasim për xhazin. Në kishat afroamerikane të origjinës protestante, ungjilli (gospel) doli si zhanër i vet muzikës së shenjtë. Ndërkaq, forma këngëtore kolektive “Gospel”, kishte fituar famë botërore përmes përformancave koncertante në fillim të shekullit të 20-të. Këtu përmendim ansamblin vokal afroamerikan “Fisk Jubilee Singers” ose “Paul Robeson”. Kjo muzikë frymon dhe çliron përditësitë e jetës. Notat blu (terca dhe septima e vogël, si dhe tritonus) shërbenin për të shprehur vështirësitë sociale dhe këtë vazhdojnë ta bëjnë deri më sot. Nëse vërejmë nga afër frymën pastorale të këtij repertori, situatat më të rënda jetësore përkthehen ritmikisht dhe muzikalisht me nota modeste shprese, nota të larta adhurimi, deri në manifestimin e përforcimit të besimit që tingëllon në finale me „coda triumfale” në çdo meshë. Xhazi modern ka vazhduar këtë traditë duke i kënduar një bote komplekse urbane dhe duke kultivuar brenda vetes lartimin e besimit dhe paqes. Nëse në momente kritike vetë jeta nuk tregon rend dhe kuptim, atëherë besimi dhe muzika krijojnë një rend dhe kuptim, duke unifikuar ndjesinë kolektive brenda së cilës qahen hallet e përbashkëta në shtëpi të perëndisë. Dëshiroj ta interpretoj këtë si një nevojë të vetë besimtarëve apo atyre që janë të pranishëm, për t‘i bërë më tingëlluese aspektet jetësore përgjatë një meshe. Shpirti gjen çlodhje e prehje, qoftë edhe aty ku fjalët nuk janë të mjaftueshme të shprehin apo kur ato dështojnë. Pikërisht aty muzika nis himnin e saj. Në përputhje me rrethanat, si psaltirë modestë, muzikantët e xhazit gjithmonë kanë shoqëruar aspektet shpirtërore dhe besimet personale me muzikën e tyre. Thomas Andrew Dorsey, i cili punonte si Kapelmaestro në një kishë të madhe baptiste në Çikago, ishte i pari i cili krahas punës me koret kishtare nisi të ftonte në kishë, këngëtarë solistë nga skena e muzikës xhaz, emra të mëdhenj si Mahalia Jackson, Della Reese (e cila ndërroi jetë, në nëntorin e vitit të kaluar) deri tek këngëtaret më në zë të klubeve të xhazit, si Billie Holiday dhe Ella Fitzgerald. Më vonë George Lewis dhe grupi i tij Ragtime, regjistroi në vitin 1954 vinylin e parë, me himne të orkestruara në xhaz me titull “Jazz at the Vespers”, xhazi në Mbrëmësore. Muzikantët e xhazit gjithmonë kanë patur nje relatë të ngushtë me religionin. Louis Armstrong shpesh kishte një pastor në studio tek realizonte regjistrimet e tij për albumin e radhës. Duke Ellington me entuziazëm shkroi “Sacre concerts”, duke gërshetuar muzikën kishtare evropiane me tingullin e Bigband-it.

Tenorsaksofonisti John Coltrane, shpiku termin “xhazi shpirtëror” i inspiruar nga tema e ringjalljes dhe më 1965 realizoi albumin e albumeve “A Love Supreme. “Dashuria e epërme” – ishte përvojë e re e zgjimit artistik të Coltrane-it, një moment historik në muzikë, një nga albumet më të shitura krahas albumit “Kind of Blue” të Miles Davis. Bashkëshortja e Coltrane, Alice Coltrane, përmend se ideja e kësaj suite xhazi ishte e bazuar në një vizion që Coltrane kishte patur gjatë shërbimit të tij ushtarak në vitin 1946, por kish mbetur duke u mbrujtur brenda tij. Në një intervistë me Branford Marsalis, ajo tregon se në fund të verës më 1964, “ashtu si Moisiu duke zbritur malin …”, John zbriti në këmbë të shkallëve në shtëpinë e saj, dhe mbante në dorë partiturat përfundimtare të suitës. Lavdërimi (pjesa parë): Tashmë tingulli i parë i albumit sinjalizon se diçka është ndryshe nga e zakonshmja. Coltrane fillon me një fanfarë të shkurtër. Një fanfarë e cila kërkon vëmendje dhe shpall rëndësinë e mesazhit vijues. Në kontekstin e “A Love Supreme”, ky sinjalizim duket si një mirëseardhje shpirtërore, një bekim. Ndërsa Psalm (Nr.4) i është nënshtruar një mbylljeje melankolike, me tingull të mbytur, të trishtuar duke ju lutur dashurisë së epërme. Coltrane na zbulon një strukturë muzikale ku metrika dhe ritmi janë lënë të nënkuptohen, duke vendosur primare ndjesinë emocionale. Ndaj pianoja, basi dhe bateria manifestojnë një atmosferë modeste plot përulje interpretative. Në kopertinën e brendshme të albumit ndodhet një poemë lutjeje nga Coltrane. Kjo poemë përcakton rrjedhën e linjës së saksofonit të Coltrane si një libret meshe.

Kjo muzikë përforcoi themelet e së ashtuquaturës “Lëvizja e xhazit shpirtëror”. Saksofonisti Branford Marsalis në takimet dhe workshop-et me studentë të muzikës mbajtur në USA, Evropë dhe Afrikë, nuk kursen të kujtojë dhe nënvizojë se kishat kanë qenë gjithmonë hapësira të takimeve kulturore dhe sociale. Artistët bashkëkohorë si Brian Blade, Tord Gustavsen, Ike Sturm, Bobby Mcferrin, Jon lopar, Kirk Whalum dhe Kurt Elling vazhdojnë traditën e kultit liturgjik përmes xhazit shpirtëror, duke përformuar në shtëpi të Zotit. Kompozimet e tyre dëshirshëm do i klasifikoja si krijimtari kontemporane e muzikës sakrale dhe këtu heq një pararelele të denjë (paçka se shkojmë pas në historinë e muzikës së shenjtë) me Michael Praetorius.

Xhazi shpirtëror ndihet fuqishëm edhe në Evropën perendimore. Marr shëmbull albumin “Officium” relizuar në vitin 1994, regjistruar në manastirin e kishës së Shën Gerold në Bregenzer Wald të Austrisë, ku saksofonisti norvegjez Jan Garbarek dhe Ansambli vokal britanik i Hilliard-it, përqasin improvizime bazuar në këndimet gregoriane. Grada e lartë harmonike e dialogut të meditimit të xhazit avangard dhe muzikës sakrale bëri që muzika gregoriane të prekej nga një brez i ri dëgjuesish. Nuk është aspak mister fakti që „Officium” ështe shitur rreth një milion kopje, duke u pasuar me një turne të pasur koncertesh.

Ky projekt dëshmon sërisht se trashëgimia e muzikës liturgjike mund të mbahet gjallë pa vizione nostaligjike apo laboratorë asketikë. Njëkohësisht ky koncept muzikal aspak komercial tregon maturi profesionale i cili kuron vlerën promovuese si dhe nevojën e njeriut por dhe besimtarit të sotëm për shprehi të reja muzikore, në rrafshin muzikal kishtar.

Xhazi brenda adhurimit mund të jetë një lutje ambicioze për tolerancë, një Tropar global brenda së cilës janë mbledhur gjithë tingujt tokësorë duke i lartuar tek hynorja për të lavdëruar “Soli Deo Gloria”!

(Vijon)

(c) 2018, autorja

Imazhi në kopertinë: drafti i dorëshkruar nga John Coltrane, për kompozimin A Love Supreme.

 

1 Koment

  1. Muzika ka pas zene vend ne koret liturgjike shum e shume kohe para se te shkruheshin tekstet fetare nga me te ndryshme, te cilat u mblodhen e u radhosen ne tekstet biblike, te ndryshuara e sterndryshuara mijra here. Aq sa edhe ne mitollogjine e vjeter greke, thuhej qarte se jane muzikantet me te pare prane zotave. Sepse muzika vertet duhet te kete ne vetvete dicka qiellore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin