PO TI PSE NUK BROHORET?

Do të ketë qenë parakalimi i 1 majit 1982, kur unë isha student në vitin e fundit të degës Gjuhë-Letërsi, në Fakultetin Histori-Filologji. Ecnim në bulevard ngadalë, duke tundur ca trëndafila të kuq prej letre që na kishin dhënë dhe duke brohoritur “Enver Hoxha! Enver Hoxha!” ose edhe “Parti Enver, jemi gati kurdoherë!”, por mua më kishin ardhur brohoritjet në majë të hundës dhe në fakt, kur iu afruam tribunës kryesore, kisha pushuar krejt dhe vetëm sa tundja lulet mekanikisht, me një zgërdheshje prej idioti të ngrirë në fytyrë prej kushedi kur. Ecja bashkë me një shoqe të kursit, shoqe të mirë të kursit, së cilës i besoja shumëçka dhe që gjithnjë më ish dukur se e kish ruajtur një flakëz njerëzillëku brenda vetes, duke e mbrojtur nga gjithfarë pisllëqesh që ndodhnin rreth nesh. Dhe nuk e harroj që kjo më pyeti: “Po ti pse nuk brohoret?” Një pyetje që nuk më trembi, ose nuk më trembi menjëherë; kish edhe kuriozitet aty, edhe dëshirë për të marrë vesh më tepër, edhe shqetësim për një shkelje të konformizmit. Nuk kishte akuzë, as dyshim se mos unë isha armik. Por e kam harruar se çfarë iu përgjigja – ndoshta që më dhimbte fyti, ose isha lodhur. Por kjo pyetje më ka vizituar shpesh më pas.

Me këtë vajzë nuk është se kishim biseduar ndonjëherë “kundra”, dhe as më shkonte në mend ta vija në atë pozitë; edhe pse haptazi nuk bënte pjesë në sektin e zelltarëve dhe të atyre që ishin gati të të linçonin për një përdredhje buzësh. Ishte gjithnjë pak e deprimuar, pak me sytë përdhé, pak e indinjuar me mënyrën si shkonin punët. Mua më gjykonte si të privilegjuar – kryesisht ngaqë isha nga Tirana ndërsa ajo jo, një ndarje kjo që shkaktonte shumë moskuptim, mllef dhe dasi aso kohe. Më pat thënë se hallet e saj dhe të tjerave vajza si ajo unë do t’i kuptoja dot kurrë. Prandaj edhe kushedi u habit kur pa që unë nuk po brohorisja kur po kalonim përpara tribunës ku llamburiste dhëmbi metalik i Enver Hoxhës; u habit sepse nuk e priste që unë, i privilegjuari të veproja kështu; ose më keq akoma, u habit sepse edhe vetë fakti që unë mund t’ia lejoja vetes të mos brohorisja do t’i jetë dukur si pjesë e privilegjit tim; ndërsa ajo, që kushedi kish edhe më shumë arsye se unë për të mos u ngazëllyer, nuk ia lejonte dot vetes tërheqjen dhe heshtjen. Ngaqë ndihej më e rrezikuar se unë, detyrohej të sillej si më e kurdisur se unë. Dhe kjo nga njëra anë e shqetësonte, e acaronte, e zemëronte, ndërsa nga ana tjetër e bënte të ndihej me turp, sepse edhe ajo e dinte që as unë nuk bëja pjesë ndër zelltarët dhe sulmuesit dhe të ndërkryerit që merrnin frymë me gojë dhe merreshin ditë e natë me disiplinimin e të tjerëve. Nuk e rindërtoja dot fëmijërinë e saj në provincë, as luftën e klasave në qytetin nga vinte dhe që s’e kam vizituar kurrë; nuk e gjeja dot se çfarë kushtëzimi do t’i kishin bërë, në familje dhe gjetiu, për t’u ruajtur nga regjimi; nuk e merrja dot me mend se ç’raport kishte, brenda mllefit të saj, midis zilisë dhe indinjimit barazimtar. Ndoshta nuk do të ma falte asnjëherë, që unë isha në gjendje t’ia përvetësoj edhe atë armë minimale – të heshtjes dhe të tërheqjes nga karnavali – që e kish menduar ta përdorte vetë, por nuk kish arritur. Sikurse nuk do të ma falte edhe që gjesti im, i bërë me një farë shpengimi, do t’i kujtonte mungesën e kurajës dhe lehtësinë me të cilën konformohej. Ishte fyer dhe lënduar dyfish nga cektësia e gjestit tim.

Çfarë ndodhi mes nesh, le ta quaj mikro-dramë, i kish rrënjët te konflikti mes privates dhe publikes, në Shqipërinë totalitare të atyre viteve: ngaqë privatja ishte tërësisht e tërhequr brenda familjes dhe bisedave intime kokë-më-kohë, ndërsa publikja përfshinte gjithçka tjetër, duke mos lënë vend për atë hapësirë gjysmë-publike, ku do të mund të realizohej individi në publik dhe të kristalizohej qoftë edhe një minimum i shoqërisë civile. Jeta e përditshme, jashtë shtëpisë, mbikëqyrej jo aq nga organet e rendit – që bënin punën e tyre – por nga qytetarët vetë, të stërvitur për të reaguar menjëherë ndaj çdo anti-konformizmi. Kjo nuk linte shteg për asnjë lloj orvatjeje për të ngritur zërin dhe për të folur kundra, në publik; sepse ky lloj publiku nuk ekzistonte. Për të funksionuar, diskursi subversiv ka nevojë për atë që flet dhe për ata të cilëve u flitet; por regjimi ia kish arritur që këta të dytët t’i eliminonte, jo fizikisht, por si role sociale. Shqipërisë i mungonin shtëpitë botuese të pavarura, gazetat e pavarura, kanalet radio të pavarura, ku një intelektual a një publicist mund të shtjellonte një tezë, një ide, një kritikë deri në fund; sikurse i mungonin galeritë e pavarura, shoqatat e pavarura, klubet dhe organizatat kulturore. Institucionet fetare ishin mbyllur prej vitesh, dhe ashtu ish ndalur jo vetëm funksionimi i tyre parësor, por edhe përdorimi i tyre për të artikuluar një rezistencë të arsyetuar ndaj ideologjisë sunduese dhe “zërit të masave”. Tubimet spontane, sado rigorozisht paqësore, nuk lejoheshin. Vizitorët dhe turistët e huaj i ndiqte Sigurimi hap pas hapi dhe kontakti me ta mund të kushtonte shtrenjtë; një qytetar nuk do të arrinte kurrë të bisedonte me një gazetar të huaj, dhe aq më pak mund ta bënte këtë një intelektual ose personalitet kulturor. Shqiptarët, me përjashtim të një pakice të verifikuar mirë, nuk mund të udhëtonin jashtë vendit; dhe kush nga ata që udhëtonin guxonte fliste me shtypin e huaj, do të ndëshkohej rëndë pas kthimit në atdhe; ndërsa ai tjetri që merrte në sy të mos kthehej, do të ndëshkohej tërthorazi, nëpërmjet persekutimit brutal të së afërmve. Nëse qëllonte që një shkrimtar, një artist, një dijetar përfundonte në internim ose në burg, për shkak të një vepre a të një qëndrimi, askush nuk protestonte; as brenda dhe sidomos as jashtë Shqipërisë. Ndonjë nga ata që arratiseshin fliste me gazetarët dhe fjalët e tij përfundonin të botuara a të transmetuara diku, por në Shqipëri këtë nuk e merrte vesh askush. Gjyqet politike bëheshin me dyer të mbyllura. Radiot e huaja në shqip zhurmoheshin; dhe ato që nuk zhurmoheshin (si Radio Moska), bënin propagandë pa interes. Dukej sikur Shqipërinë totalitare e kishin harruar të gjithë, ose më mirë e kishin pranuar të gjithë, si të keqen më të vogël.

Ndonjëherë mendoj se ai lloj totalizimi i jetës publike, që u realizua në Shqipëri, mund të ndodhë vetëm në vende të vogla, të cilat mund të qeverisen si të ishin institucione totale, për të cilat ka folur Erving Goffman. Ky autor konsideronte të tilla shtëpitë e fëmijës, azilet e pleqve, leprosariumet, spitalet psikiatrike, sanatoriumet, kampet e përqendrimit, kampet e punës, burgjet, shkollat me konvikt (boarding schools), anijet (përfshi edhe cruisers), kasermat, manastiret, abacitë dhe kuvendet, etj.; duke e përkufizuar institucionin total si një vend punojnë dhe jetojnë një numër i madh njerëzish në situata të ngjashme, të shkëputur për një kohë të gjatë nga pjesa tjetër e komunitetit dhe që çojnë së bashku një jetë të mbyllur, të administruar sipas rregullave formale. Sipas Goffman-it, synimi i institucioneve totale është mirëmbajtja e ndërveprimeve të rregullta dhe të parashikueshme midis mbikëqyrësve dhe të mbikëqyrurve, si një funksion ritual që siguron se këto dy grupe e dinë vendin e tyre dhe rolin social; proces ky që njihet edhe si institucionalizim. Përshtatja e “mysafirëve” (inmates) ndaj rolit që duhet të luajnë merr kështu po aq rëndësi sa edhe kurimi (edukimi) i tyre.

Vende të vogla, si Shqipëria, ku distancat mes banorëve (qytetarëve) mbeten të vogla, janë më të ekspozuara ndaj rrezikut të institucionalizimit total, ose të disiplinimit të përgjithshëm të jetës së përditshme, ndryshe nga vende të mëdha, si Bashkimi Sovjetik, ku totalitarizmi shprehet me forma të tjera, jo më pak mizore, por gjithsesi më “masive”. Viktor Serge në kujtimet e veta ka treguar si në Bashkimin Sovjetik, edhe në kohët e spastrimeve të mëdha staliniste të viteve 1930, ishte e mundshme për dikë të rrezikuar që “të zhdukej”, duke u larguar nga Moska ose Leningradi, drejt skajeve të perandorisë – si në Siberinë Lindore, ose në republikat e Azisë Qendrore. Në Shqipërinë e vogël kjo nuk realizohej dot; individi e shihte veten kudo të rrethuar me mure dhe të vrojtuar nga roje; dhe këtu nuk kam parasysh vetëm muret fizike, si telat me gjemba të kufirit dhe dritat e projektorëve në det, por edhe ato abstrakte, si tabutë në jetën publike dhe ritualet e përditshme, të cilat përftonin subjektet e shtetit totalitar. Mungesa e hapësirës i përçudnonte edhe përpjekjet e individit për t’u konstituuar si i mëvetësishëm nga Tjetri; sa kohë që Tjetri konstituohej duke u krahasuar hap pas hapi me ty, duke perceptuar njësitë, ngjashmëritë dhe diferencat dhe duke zhongluar pafundësisht mes censurës dhe auto-censurës; në një mjedis social të sunduar nga të njëjtat diskurse, media, autoritete dhe hierarki. Në këtë mjedis – për t’u kthyer te historiza ime me paradën, e treguar në krye – edhe shkelja më e vogël e ritualit do të shihej si kërcënim për integritetin e subjektit.

13 Komente

  1. Fakti qe toleranca ndaj sjelljeve jokonformiste ne Shqiperine totalitare ka qene me e vogel sesa ne Bashkimin Sovjetik, mendoj se duhet shpjeguar jo aq me terma sasiore – e gjithe Shqiperia ka pasur shume me pak banore se Moska apo Shen Pjeterburgu – sesa me prapambetjen historiko-kulturore te shoqerise shqiptare, e cila, pergjate periudhes komuniste, nen ndikimin atavik te tribalizmit botekuptimor, riprodhoi ne menyre te percudnuar shume nga format arkaike te shoqerise se mbyllur patriarkale te paraluftes (per shembull, prapa “Biografise”, kesaj praktike qe perben ndoshta tiparin me karakteristik dallues te socializmit vulgar shqiptar, qendron gjithe trashegimia kanunore, sipas se ciles pergjegjesine per cdo shkelje te kodit zakonor pervec individit fajtor e mbante edhe krejt fisi i tij – nje menyre te menduari kjo qe jo vetem qe nuk rrjedh prej teorise marksiste, por, ne thelbin e vet biologjist, bie ndesh katerciperisht me te). Qe trashegimia kulturore ketu perben faktorin percaktues, mendoj se e tregon edhe krahasimi ndermjet vendeve relativisht te vogla te Evropes Qendrore e Lindore, si Cekosllovakia apo Hungaria, ish-pjese te Perandorise se Habsburgeve, ku disidenca kundertotalitare gjeti nje terren mjaft te favorshem per t’u zhvilluar, dhe nje shteti gjigant si Kina, qe prodhoi Revolucionin Kulturor dhe te tjera forma groteske te konformizmit te skajshem.

  2. “… kur po kalonim përpara tribunës ku llamburiste dhëmbi metalik i Enver Hoxhës …”

    Kete e ka shkrujte Krypa.

    Meqe kjo teme me duket si vazhdim i dy te tjerave, e meqe nuk shof te komentet si zakonisht per keto lloj temash, po komentoj prap.

    Tregoj çfar me ka ndodh me nje femer disidente tiranase. Ishte pothuaj 30 vjeçe vajze, pra “e djegme”, se merrte me njeri ne ato kohe. Kishim intimitet deri diku, por asnjehere nuk kishim fol “kontra” per politike. Nje here duke diskutuar tek per tek per nje hall, pati si nje krize sinqeriteti, pa lidhje me muhabetin e bere, tregoi me dore foton e varur ne mur te Atij, dhe filloi te flase kunder Nexhmijes (pse e kishin kunder saj, me teper se dhembit te florinjte, sidomos femrat disidente, eshte teme ne vete): “Un e urrej kaq shume kete femer, sa te kem ta vras … etj etj”.

    Eshte e sqaruar ne shkrim se sa ne pozite te veshtire me vuri. Pa fjale qe nuk eshte e lehte te gjendet nje pergjigje si duhet. Per prove po ja lej raskolnikoveve te blogut ta gjejne vete. Nese nuk do kete komente per pergjigjen, shihemi prap.

  3. “Rojet”e sistemit komunist ishin tê pranishme nê të gjitha qelizat e shoqërisë, institucione, qëndra pune e deri në familje. “Roja” nuk ishin vetëm armata e madhe e komunistëve ( njëqind mijë) por edhe aktivistë të org.të masave dhe çdo individ i indoktrinuar.
    Fuko thotê se pushteti nuk është një bërthamë , një qëndër e cila vepron vertikalisht por një rrjet i përhapur në trupin e gjithë shoqërisë.
    Në këtë situatë , çdo person është vëzhgues dhe i vëzhguar. Pushteti pra, ishte një qënie me qindra mijra sy dhe veshë në tê gjithë territorin, nga auditoret e universitetit e deri tek stalla e lopëve në skajin më të humbur të vendit.
    Më kujtohet dita e zgjedhjeve kur isha student. Shqetsimi nuk ishte vetëm pjesmarrja njëqind përqind në votime por edhe dalja për votim qysh herët në mëngjes.
    Nga ora shtatë e mëngjezit vinte trupa e pedagogëve dhe trokiste në çdo derë të dhomave në konvikt. Por në dhomën tonë ( ishim gjashtë studentë) më zelltari çohej qysh në orën gjashtë dhe tundte krevatet marinari , duke na bërë zgjimin të gjithve.
    Ti mund të doje të flije dhe pak apo gjumi tê zinte përsëri dhe mund të çoheshe nga ora dhjetë. Por kjo vonesë mund të lexohej politikisht e shikohej me dyshim: Përse nuk u zgjove herët, ti ?!!

  4. Kur e pyeten Leninin dhe Trockin se perse kercenin në bore nga gezimi në diten e 73-te të Revolucionit të Tetorit (fakt real), u pergjigjen: “Komunen e shtypen me gjak dhe flake në diten e 72 të saj. Ne sot vendosem nje rekord të ri”.
    Po sikur kjo puna e brohoritjeve të kete qene para se gjithash pune “rekordesh”?

  5. Kjo më kujton rastin e një mësuesi jo shumë konformist, të rrethit të Gjirokastrës, i cili nëpër mbledhje kolektivësh pyetjeve të tipit: Më fal, të të bëj një pietje? – u përgjigjej me të shumëpërdorurën dhe të shumëgjindshmen: Të të binj dhe û një pietje? Sh’të shtin tij ta bëç ktë pietje?
    Pyetjet nuk janë kurrë të këqija… përgjigjet ndonjëherë po! 🙂

  6. Ndoshta u shpreha gabim… është një thënie e tipit Pyetjet nuk janë kurrë pa takt (pasi kanë një element kërshërie brenda)… përgjigjet ndonjëherë po. Njerëzit kanë zhvilluar mekanizma mbrojtës në kohë të komunizmit… besoj ky është njëri prej tyre.

    1. Edion, per te evitu ndonje keqkuptim te mundeshem (gje e zakonshme ne virtualitet), sqaroj se pyetja ime ka te beje vetem me komentim tim me siper, dhe me asnje tjeter.

      Edhe ne rasrin tend eshte e njejta gje?

  7. Nuk ka asnje arsye qe te prishemi, perkundrazi po te kuptosh tamam se çfar ka ndodh. Ky eshte nje rast i veçante (por jo i ralle) qe deshmon se thelle thelle nuk ka keqkuptim ose gabim, ashtu sikunder duket ceket ceket. U desh ky gabim qe ti te korigjoje dhe te kalibroje si duhet shprehjen tende me profesorin gjirokastrit. U desh ky gabim qe Ardiani solli nje paragraf te Barthes, paragraf qe nuk e njihja, shume sqarues per diskutimin (dhe per vete Barthes si rast ad hominem). Informacionet me me rendesi ne jeten tone na e sjell rasti, e ky rast deshmon perseri qe thelle thelle, rasti nuk ekziston.

    Edhe une perfitova nga “rasti jot” per te kalibruar me mire kuptimin e ndodhise time, pyetja qe kam bere une vajzes, nuk eshte vetem pyetje auditori e profesorit Barthes. Nuk eshte pyetje nga jasht, eshte pyetje nga brenda, eshte pyetja e koshiences, qe e sjell rasti te behet nga jasht. Kjo lloj pyetje nuk ka pergjigje, e as nuk pret pergjigje, dmth pyetja dhe pergjigja behen nje, konotacioni dhe notacioni jane nje. Barthes ketu eshte apsajt.

    Po te kisha me teper informacion per vajzen e rastit qe ka sjell Ardiani, ndoshta do te isha me i sigurte se vajza pyetjen ja ka bere vetes. Duket sikur ekzagjeroj, por vetem duke se nuk eshte keshtu. I sigurte jam qe para Dhembit te Florijte koshienca mprifet ndryshe, e keqja eshte se kjo nuk kuptohet per ke ka pasur eksperience direkte, dhe per ka pasur kete eksperence eshte e rende pesha e mbajtjes me vite. Pra psikoanalitikish kujtimi i forte rimocionohet, mbeten kujtim i dobet, e pershtatshem per t’ju vesh Barthes, qe, menjeane ad hominem psikoanalitike te tij, as si ka idene çdo me thene parakalim i koshiences nje here ne vit para Dhembit te Florijte, dmth para Koshiences Universale.

    Po te kuptosh kete tamom, kupton shume gjera, edhe jasht temes (ose me mire ne 2 temat e tjara qe u bene shkak per kete teme) psh une tani jam i sigurte qe psikiatria eshte me e rende se burgu, dhe qe opinioni publik (ne ke rast qe burgu eshte me i rende se psikiatria), he per he vlen per te mbulur te verteten.

    1. Sinqerisht, nuk kam pare nick te zgjedhur me më shume kujdes dhe kaq realist. Kur e ke zgjedhur paske pasur nje moment te rralle ndriçimi.

  8. Me then te drejten prisja nje kompliment me teper per komentin.

    Pastaj sinqeriteti mund te dalloje shume nga e vertetetsia. E kuptoj se e jotja eshte nje menyre te theni ku e sinqerte perputhet me e vertete, komplimenti pranohet, por kije parasysh se sinqerte dhe vertete ne realitet jane larg, e nganjere te kundert midis tyre.

Lini një Përgjigje te Pika.sAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin