TË MOS E SHMANGIM PROBLEMIN

nga Gresa Hasa

Ishte një kohë kur Gazeta TemA më merrte pa leje statuset në Facebook në të cilat qortoja Berishën, sikurse tregohej e gatshme të pranonte shkrimet e mia që kritikonin Partinë Demokratike (por jo vetëm)[1][2]. Tani ka filluar të më marrë pa leje postimet ku kritikoj korrupsionin në universitet, duke më paraqitur së bashku me shokët e mi, si “të koordinuar politikisht me Sali Berishën dhe opozitarë të tjerë[3]. Përveçse qesharak, ky qëndrim është dashakeq sepse orvatet të cenojë pavarësinë dhe etikën politike të Lëvizjes Për Universitetin, e cila i ka kritikuar dhe refuzuar të gjithë mercenarët partiakë, qysh në krye të herës.

Por denoncimi i korrupsionit në universitet nuk ka lidhje me hatërmbetjet personale. Sikur problem të përbënte vetëm një pedagog në një fakultet, situata do të ishte zgjidhur këtu e kohë më parë. Mirëpo ka një numër pedagogësh të cilët abuzojnë me postin dhe duan të paguhen prej studentëve, qoftë nëpërmjet ryshfetit për një notë kaluese, qoftë nëpërmjet tregtisë së paligjshme të librave e po njëlloj kurseve private; a thua se nuk mjafton që studentit të universitetit publik në Shqipëri i duhet të përballojë tarifën e kripur të shkollimit (më të lartën në rajon), pa llogaritur të tjera burokraci që ia zbrazin xhepin. Përpos këtyre shtrëngesave, studentëve u duhet të përballen edhe me trysni korruptive, si ato që kemi denoncuar me forcë.

Emri i pedagogut që ka qarkulluar këto ditë në fakultetin përkatës dhe në rrjetet sociale si abuzues me notën është vetëm një prej emrave që janë bërë publikë, dhe gjithsesi jo në krye prej nesh, siç akuzon TemA. Kanë qenë të shumtë studentët që kanë reaguar duke e identifikuar personin në fjalë, menjëherë pasi qarkulloi në rrjet fotografia e derës së një zyre në Departamentin e Matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku ishte shkruar me spray “Mr. 700€”. Këtu mund ta pyesim TemA-n: Ka apo nuk ka korrupsion në universitet? Ka apo nuk ka pedagogë që kërkojnë të paguhen për ta dhënë provimin? Kush do të guxojë t’u përgjigjet këtyre pyetjeve? A guxon dot TemA të shkruajë se korrupsioni në universitete është vënë nën kontroll? Dhe a nuk kam unë të drejtën të kërkoj të di si do të dalim nga ky rreth vicioz, ku viktimat e korrupsionit kanë frikë të tregojnë me emër ata që u kërkojnë para? Si do të reagonte administrata e universitetit, nëse denoncimi për korrupsion të një pedagogu të vinte nga një kamerë e fshehtë e një televizioni privat, jo nga studentët e vetë fakultetit? Pse ka kaq pak respekt për zërin e studentëve, të cilët vijojnë të akuzohen për parazitizëm edhe kur reagojnë sistematikisht? Synimi ynë është të bëjmë publik fenomenin, jo t’i bëjmë gjyqin dhe linçimin një personi të caktuar. Dhe kjo nuk ka lidhje as me aktorët qendrorë politikë, as me “gruan e Kryeministrit” siç e personalizon TemA.

Te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, studentët shprehen të frikësuar se do të penalizohen nga pedagogët abuzues dhe se s’do të mbrohen nga fakulteti nëse e bëjnë publik denoncimin e tyre. Deri tani, si Fakulteti i Shkencave të Natyrës ashtu edhe Universiteti i Tiranës, nuk kanë treguar as gatishmërinë më minimale për ta trajtuar këtë çështje me seriozitetin që meriton, në mënyrë që ta zbardhin atë. Korrupsioni është akuzë e rëndë që do duhej të trondiste të gjitha strukturat kryesore universitare dhe median. Në këto kushte frike, anëtarët e Lëvizjes Për Universitetin kanë sugjeruar që senatet e universiteteve të ngrinin një komision të posaçëm që do t’u garantonte denoncuesve, në emër të institucionit, se notat e tyre të ardhshme nuk do të vareshin nga dëshira e keqbërësve për shpagim. Plotësimi i një numri të caktuar dëshmish do të duhej shoqëruar me hetime serioze, përfshi këtu edhe duke ia kaluar të dhënat dhe përfundimet prokurorisë, për ndjekje penale të mëtejshme. U takon këtyre strukturave ta ndriçojnë dhe shpien më tej ngjarjen, jo studentëve.

Fakti që një pedagog është “i vjetër” në profesion nuk përbën argument dhe as e legjitimon sjelljen e tij. Mosha është detaj i parëndësishëm në këtë debat. Pikëpyetje do duhej të shtronte fakti se pse nuk ka ende një reagim nga Universiteti për këtë skandal, nëse është menduar të ndërmerren masa dhe ç’lloj masash? Është detyrë e institucionit dhe strukturave përgjegjëse t’i trajtojnë akuzat dhe denoncimet e studentëve me seriozitetin e merituar. Lëvizja Për Universitetin që nga krijimi i saj e deri më sot merret me probleme të ndryshme të universitetit dhe studentëve, ndaj në pamundësi për t’i dhënë ndryshe një zë këtij fenomeni, u mendua të organizohej një aksion ditën e enjte më datë 29 mars 2018, ku në mënyrë simbolike aktivistët e lëvizjes shpalosën një banderolë në faqen kryesore të godinës së Fakultetit të Shkencave të Natyrës me mbishkrimin “Boll i zhvatët studentët”, shoqëruar me fjalët ironike “Mr. 700€”, një akt që mesa duket, për Gazetën TemA nuk është mjaftueshëm i rëndësishëm për t’u trajtuar publikisht.

Më në fund, nëse marrim për të mirëqenë argumentin dhe hamendësimin e Temës që një profesor nuk kalon pjesën më madhore të studentëve në lëndë, jo sepse është i korruptuar por ngaqë tregohet i rreptë, nota kaluese vetëm për 3% të një klase mund të jetë ndoshta edhe paaftësi e pedagogut në përçimin e subjekteve të lëndës te studentët, të cilët rezultojnë kaq të dobët.

Nga ana tjetër, Gazeta TemA sugjeron që çështja duhet çuar në gjyq dhe se studentë të cilët e marrin notën me mik, po shkatërrojnë universitetin. Logjika për rastin e kërkon që nëse një student e merr notën në mënyrë të padrejtë, fajtorë për këtë janë si pedagogu që ia ka dhënë atij këtë notë të pamerituar, po ashtu edhe studenti që ka zgjedhur të jetë pjesë e një skeme të padrejtë. Gazeta TemA e pranon kësisoj mundësinë e korrupsionit në universitet, vetëm se ajo e drejton gishtin te studentët, jo te pedagogët që akuzohen se po e nxitin këtë.

Lëvizja Për Universitetin do të vazhdojë me aksionet simbolike dhe tryezat e informimit në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës për të zbardhur qoftë korrupsionin brenda universitetit, po ashtu edhe të tjera problematika që prekin studentët si tregtia e paligjshme e librave, tarifat e kripura, gjobat dhe haraçet burokratike, etj. Detyra jonë si studentë dhe aktivistë është të mbrojmë dhe të rritim universitetin si vatër të dijes, jo ta shfrytëzojmë atë. Ne kërkojmë t’i përmirësojmë kushtet e shtëpisë ku kalojmë pjesën më të madhe të kohës në mënyrë që pasi të dalim prej aty të jemi qytetarë dhe njerëz më të mirë e të drejtë, të orientuar nga dashuria për dijen, jo nga dhuna që pjell injoranca.

Dhe për ta mbyllur, e konsideroj ironike që kjo kërkesë për tutelim të figurës së pedagogut të vijë nga një faqe si TemA, ku nuk ka mbetur njeri pa u përdhosur, pa u fyer me fjalët më të ndyra, pa u shkelur me këmbë, në kryeartikuj, opinione dhe komente. Mbase kjo gazetë do të bënte mirë që standarde të tilla garantiste t’ia kërkonte më parë vetes, para se t’i predikonte për të tjerët.

(c) 2018, autorja.


[1]http://www.gazetaTemA.net/2017/03/04/lubonjes-dhe-rossi-t-mbi-cadren-e-pd-se/

[2]http://www.gazetaTemA.net/2015/03/16/boll-me/

[3]http://www.gazetaTemA.net/2018/04/03/shenim-shantazhuesit-e-kafeneve-qe-nuk-duan-te-mesojne-dhe-hienat-politik-mbi-nje-pedagog-te-ndershem/

6 Komente

  1. S’po gjykoj icnidentin me gazeten Tema, por po marr ate qe thote autorja per “studentet…qe jane te trembur, apo u druhen pedagogeve abuzues”.

    Mendoj se nuk eshte i thjeshte realiteti. Si student per pese vjet, rasti e desh qe te rrija me studente te shkencave, kryesisht matematikes dhe Kimise Industriale dhe Ushqimore.

    Se pari duhet te themi se ne kete Fakultet nuk shkojne me te miret. As ata qe kane deshmuar prirje te posacme. Shkojne ata qe njesoj si te Filologjiku, kane menduar se merret nje diplome kollaj.

    Ketu patjeter qe duhet te perjashtojme nje mase tjeter qe vertet lexon e studion dhe nuk eshte aty aksidentalisht.

    Thanasi ka qene i lakuar si emer “problematik”, krahas ndonje “Vangjoje”, apo Pranvera Bahollit qe jepte Statistike.

    Por nuk lakoheshin asnjehere nga ata qe “e hanin me sy” matematiken. Dhe eshte jo pa rendesi te vihet ne dukje se ne Kimi apo Fizike nuk kishte pedagoge te tille “problematike”. Tek inxhinieria po ashtu kishte, por perhere nga ata qe derivati u tingellonte si hall per shekullin e ardhshem.

    Nuk dua te paragjykoj dhe nuk ve doren ne zjarr per Thanasin qe mund ta kete cuar pazarin ne 700 euro. Akt i denueshem. Por me perpara eshte mire te degjohen me ze dhe figure ata studentet e matematikes per te kuptuar nivelin e tyre, si shqiptohen dhe pastaj te merremi edhe me Nashon.

    Ka pas qene nje pedagog qe jepte analize matematike qe ndiqte kete praktike mesimore pas viteve ’94 kur ne Universitet nisen te hyjne te gjithe pasardhesit e ilireve pa dallim.

    Muajin e pare dhe te dyte ishte shume serioz. Leksione, seminare dhe ushtrime per te gjithe. Ne fund te muajit te dyte bente apelin:

    “Ti, ti dhe ti, po deshet hajdeni ne provim, po deshet mos hajdeni. Pesen e keni nga une.
    Ti, ti dhe ti, keni shume pune.
    Kurse Ju te tjeret, duhet te filloni tetevjecaren”.

    Kategoria e dyte paguante – jo 700 euro kuptohet – e treta perpelitej per dy vjet. Nderkohe qe ka ndonje, qe eshte edhe autor librash, qe kishte veshtiresuar ne kulm lenden per te kaluar te kurset.

    Kjo nuk do te thote se pedagoget jane sulur per te marre leke, por njesoj si te keto dy raste, ata jane pwerballe nje kontigjenti qe do me cdo kusht diplomen, por eshte aty aksidentalisht. Sigurisht qe ka pedagoge qe nuk bejne kompromis. Ka nga ata madje qe kane detyruar studentet edhe te nderrojne degen, te humbasin te drejten e studimit. Por e kane bere kete duke qene vetem ne rruge, te ekspozuar ndaj cdo dhune dhe fyerjeje.

    Ndaj eshte mire qe ky raporti student – pedagog te shtjellohet jo vetem sipas raportit i korruptuar- i drejte. Pasi duhet ta besojme: nje profesor qe ka perpara tekayte me shumice, dekurajohet ne kulm.

    1. Jam dakord – me gjasë niveli i studentëve në matematikë është shumë i dobët. Por askush nuk mund ta vërë re dhe ta denoncojë këtë më mirë se pedagogët e lëndës në universitet. Dhe kam përshtypjen që kjo nuk ndodh. Nuk shoh gjëkundi artikuj nga këta pedagogë, as statuse në Facebook, as postime në blogje, edhe pse po këta jo rrallë nxjerrin përditë gjithfarë budallallëqesh, zgërdhitjesh dhe çilimillëqesh të tjera, për të impresionuar njëri-tjetrin. Fytyra e tyre publike është ajo e klounit që zbavit të tjerët (shpesh falas). Prandaj dyshoj nëse këta kanë akoma ndonjë farë interesi në punën që bëjnë, përtej rrogës dhe mundësive të rastit për seks dhe përfitime të tjera. Sepse nëse pedagogët nuk e ngrenë zërin, ashpërsia në provime nuk mjafton.

      1. Nuk duhet pergjithesuar mendoj une. Por ndoshta po flasim per breza te ndryshem pedagogesh, dmth keta qe flasin tani mund te jene klloune, por ata qe kane shkruar ate 700 euro te Thanasi eshte mire te merren ne provim nga ndonje tjeter dhe mund te rezultoje se po denoncojne veten per ate qe jane.

        Do ishte e udhes te behej nje fotografim i demografise se studenteve qe jane ne Matematike per te lexuar me mire kete bixhoz qe luhet me shkollen ketu, por edhe me te ardhmen e cdo brezi.

        Matematike – eshte fjale pak e rende sa te pertypet nga kaq shume studente pervit.

        1. Nuk thashë që të tanishmit janë klounë – thashë që shoh si shumë pedagogë sot argalisen në Facebook, në një kohë që nivelin e mësimdhënies (dhe të mësimnxënies) në universitete e ka marrë tatëpjeta dhe prej tyre do të prisja të tregonin pak më shumë qytetari dhe profesionalizëm. Për fat të keq (a për fat të mirë) sot një pjesë e mirë e jetës publike zhvillohet online.

  2. Komenti i pare i n! i thote te gjitha. Eshte shume e vertete se korrupsioni ne shkollat e larta ka marre permasa galopante nga vete studentet, qe hyjne aty me dije te percerekmuara (jo pergjysmuara), dhe dhenien e parase e kane si dicka normale. Ajo cfare do shtoja, eshte se ky fenomen nuk mund te ndalet me sot, pasi tashme eshte nje brez i tere i mesuar me kete lloj jete. Edhe provime te dyta e te tjera metoda qe nxisin te mesuarit tek studenti dhe luftojne korrupsionin, vetem sa mund ta gudulisin fare pak kete fenomen. Tashme ka hyre ne gene.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin