HARRUTHAT

nga Eda Derhemi

…mi trovai per una selva oscura

Aq shumë material është fshirë ndërkaq, sa, si padashje, e lemë mënjanë, harrojmë të harruarat, sepse alibia e asaj që na kujtohet është më e ëmbël e na bën të ndihemi gjallë, në kontroll. Është pyll i errët, çarmatosës e pa shpjegim ai i ngjarjeve të humbura në barkushen zemërgjerë të pakujtesës. Pse fundosen aty pezmatueshëm e tinëz ngjarje, njerëz e ndjesi – harruthat[i] tanë – në vend që të zenë vend hareshëm në barkushen imcake por mburravece të kujtesës? Thua aq të jetë nxënësia e epërme e kësaj të fundit? Mosha kur ende aparati shqisor, ai i kuptimit e shpjegimit ishin të pazhvilluar, na jep përgjigje për fare pak syresh, madje për harruthat më të mitur, pak kërkues e luftarakë, që ndoshta mund të ishin edhe ikanakë guximtarë e u vetëdënuan me vdekjen që as e kuptonin. Ai i parëndësisë shpjegon të tjerë harrutha që janë pa interes, për vetë të qenët e tyre pa rëndësi. Të tjerë harrutha i drejtuam ne qëllimisht atje ku nuk i gjejmë dot më. Por ka aq shumë harrutha, që s’dihet pse janë të tillë. Çfarë dihet është se janë pjesa më e madhe e asaj që kemi jetuar. Ka fjala vjen aq shumë ditë të para, disa me rëndësi jetëndryshuese, që stoikisht sa edhe rastësisht janë fshehur në pyllin e errët të harresës që zor se dritë ka me ndi kurrë.

Çfarë kujtojmë është e rëndësishme sepse na ndërton antologji të së shkuarës, të historisë sonë. Ndonjë farë gjëje edhe e ruan nga harresa që e mban kosën gati. Jemi të gjithë të bindur se antologji të tilla janë subjektive, sepse çka kujtojmë (kujtuthat?) ka natyrë fort subjektive. Veçse, po të llogarisim harruthat, aq të shpeshtë e aq qenësorë, aq të patrup e të neglizhuar, antologji të tilla të realiteteve të jetuara largësisht, janë jo veç subjektive, por edhe shumë të mangëta.

Si dukuri personale, ajo e harruthave është më e lehtë të veçohet e përcaktohet, e përpjekjet për ta shpjeguar, jo krejt të pamundura; por, sa për “harruthat kolektivë”, ata janë soj më vete, a real bitch, përbindësh kujt s’i afrohesh kollaj. Madje, tani që e gjykoj, më bëhen si dy dukuri të ndryshme ajo e harruthave ndër individë dhe psikanalizimit të tyre, vis-à-vis memories kolektive, qorrimit kolektiv, apo seleksionimit e manipulimit historik në grup të së shkuarës e së tashmes. Ndaj të dytin lloj nuk do e ngacmoj hiç këtu.

Si të gjithë, as unë nuk e mbaj mend kohën kur i pashë për herë të parë time më a tim atë, dhe i njoha. Sa bukur do ishte sikur ta mbaja mend. Sa e mbrapshtë natyra që nuk na e lejon një ndjesi si kjo që duhet të jetë mrekullia e parë që përjeton foshnja. Lexova diku një fakt zemërthyes që e vuajmë të gjithë: ka një çast kur është hera e fundit që, pasi një prind të ka pasur në krahë, të ve në shesh. Askush s’e mban mend atë, se truri nuk qe gati. Unë mbaj mend aq qartë çastin e parë kur pashë dy vajzat e mia e u mora erë të hatashme njeriu, edhe gëzimin, miradijen e harmoninë që ndjeva. Por dua të imagjinoj atë që më pas do kenë parë ato të dyja, e që do kisha parë unë tek të mitë, kur robi ende gjë me sy s’do kish pas parë më parë. Duhet të jetë qenë një efekt hyjnor! Ama, baza biologjike për t’i realizuar a kujtuar, qe zero.

S’e mbaj mend kur kam parë detin. Duhet të kem qenë shumë e vogël. Është objekti natyror që vazhdon edhe sot të më emocionojë rregullisht, m’i përpin shqisat (a e përpij me to); si do jem ndier herën e parë… por çfarë ka mbetur është pamja e detit kur kapërceje shinat e stacionit të Hekurudhës, dhe ajo e vijës së kaltër në horizont prej rimorkios së Zuk-ut që kish ngarkuar familjen dhe dengjet.

Lindur ndër të fundit ditë të 63-shit, kam harruar krejt vitet 60, ose mbaj mend copëza prej fundit të tyre, por që nuk lidhen edhe aq me realitete materiale, sa me ndjesi. Nuk mbaj mend ditën e parë kur pashë time motër e tim vëlla, sido që të dy erdhën në botë në vitet 60. Mbaj mend një foshnje, ndoshta tim vëlla, pra kur isha rreth 5 vjeç e gjysmë, dhe miq të tim eti; ishte mëngjes dhe ishim nga Liqeni, majtas gjigantit të bardhë e të frikshëm të Universitetit; Zh, gruaja me zë burri që aq bukur tregonte përralla, kërkonte kërmij nëpër bar që t’i gatuante për drekë; burri me nishan në faqe, H, që më tërhiqte shumë e më bënte kapele me shkarravinat më spektakolare çdo Vit të Ri, skiconte diçka me laps në letër; iu afrova nga pas dhe pashë vizatimin – qafën, gjirin e zbuluar të një gruaje që i jepte gji foshnjes; nudoja e parë më tronditi; nuk e di pse, as çfarë kujtova a kuptova, por s’e harrova kurrë atë që pashë e ndjeva; pastaj nga vizatimi ndoqa tue këqyr vijën që ndiqnin sytë e piktorit, dhe pashë nga gruaja, ime më, që ushqente foshnjen; duhet të ishte im vëlla. Eca anash e ndalova mbi foshnjen. Ia pashë sytë thuajse të mbyllur. Si mund të jenë fshirë krejt takimet e para me time motër e tim vëlla, por të ketë mbetur kjo copë?!

S’i mbaj mend ditët e para të klasës së parë fillore, të gjimnazit e as të universitetit. Mbaj mend procesin e gjatë e të vështirë të zgjedhjes së mësueses së parë të klasës së parë kur isha pesë vjeç; zgjodha të isha me zyshën më të bukur e më të re, zysh Sanien, dhe skualifikova përkundër dëshirës së prindërve, dy zyshat më të vjetra, Gjylen dhe Albinën. Por s’e mbaj mend ditën e parë, orën e parë të mësimit; mbaj mend mirë se ditën e parë, kur u ktheva nga shkolla që ishte rreth 150 metra nga shtëpia, çantën prej lecke që ishte normë për atë kohë, e tërhiqja zvarrë për tokë; jo se doja, por se aq isha e shkurtër. Pastaj u vendos që çantën të ma mbante nona që asaj i thoshte çomta, e që më shoqëronte për ditë e më puthte e shponte me mustaqet e mjekrës. Më pas, duhet të jem rritur disi mbi tokë, e të jetë ngjitur me mua edhe çanta. Gjimnazi prej ku kam plot kujtutha, është po ashtu i mbushur me harrutha, dhe dita e parë është mes tyre. Universitetit i mbaj mend ecjen rrugës ditën e parë, çfarë kisha veshur, dhe takimin me disa prej shoqeve të reja në oborrin e Filologjikut, por hiç mësimin. Çfarë ishte – leksion, a mbledhje orientuese? Po profesori? Kush qe i pari? Xhaxhiu, Kosta Qiriazati apo Ramiu? Hiç, po hiç fare s’e kujtoj! – harrutha qyqarë e irritues. Por e di se çfarëdopastëqeni nuk ka pasë fuqi t’i dalë karshi bukurisë me të cilën unë përjetova oborrin e madh e përqafues të Filologjikut mbushur plot me fytyra të reja që do i njihja për ditë nga pak.

S’e mbaj mend ditën e parë kur erdhi televizori në shtëpi, dhe s’e patëm edhe aq herët. E di që për shumë vjet “kam shkuar të shoh televizor” ndër njerëz të tjerë. E adhuroja çfarë vinte nëpërmjet tij. S’e kuptoj si nuk më ka tërhequr ai i pari që hyri në shtëpinë time! Të ketë ardhur tepër vonë?! Në shtëpi shihnim çdo dhjetor filma vizatimorë nga Evropa lindore, shfaqur nga një apart zhurmëmadh ku rrotulloheshin bobina gjigante filmi që projektonin mbi mur e që im atë duhet t’i ndihmonte duke i mbajtur me dorë kur rrotulloheshin. Mbaj mend që shikoja krahas figurës gungat e krisat e suvasë dhe bojës mbi mur që ndërvepronin mrekullisht me Kësulëkuqen dhe pyllin. Fatkeqësisht kam harruar edhe filmin e parë në kinema. E kam adhuruar filmin dhe kinemanë gjithnjë! Kush e di si duhet ta kem pritur televizorin! Por ja që mbaj mend ditën e parë të frigoriferit, si edhe të radios Iliria; mbaj mend ditën e parë kur një djalë kosovar, bir i një heroi të vrarë nga policia serbe, më tregoi bëmat e një prej të parave mikrovalë të Tiranës më 1989! Por jo të parën ditë me televizor?!

S’e mbaj mend kush qe e para shoqe e ngushtë, sido që kisha gjithnjë shoqe të ngushta, sikur të kisha frikë nga gjësend. Shoqet e ngushta ishin vërtet të ngushta, të afërta e të rëndësishme. Ishin të pandashme, të adhurueshme. Dhe i kujtoj me aq dashuri, sepse sot shumë nuk janë më të ngushta. Por e para fare (ndoshta dy-tri copë syresh) është arratisur në mbretërinë e harruthave. Por mbaj mend shokun e parë të ngushtë, Danin. Emrin e plotë nuk ia dija. Ishte rumun, ndaj më vonë kam thënë se quhej ndoshta Loredan, si shoku i babit që gjithashtu thoshin se ishte rumun. Ose ndoshta Bogdan. Apo, thjesht Dan a Daniel. Por një mëngjes, kur të dy sa ishim zgjuar në dy shtëpitë që rrinin karshi, Dani, mbi trotuarin e vet, unë mbi timin, më tha hajde, dhe më zgjati një hurmë; unë u shkëputa me vrap prej trotuarit tim, dhe përfundova diku, nën autobus. Pa dyshim që Dani mbret konkurron susksesshëm me harruthat e shoqeve të ngushta. Por pas atij çasti gjërat janë zhdukur; Mbaj mend nonën që u tregonte prindërve kur erdhën nga puna: Qyqja, qyqja, goca përfun satës! Desh m’hiku menja krys kur m’fërritën! Por ndoshta kjo është interferencë e bisedave të mëvonshme të nonës. E mbaj mend mirë momentin kur do dilja nga poshtë autobusit: zi – kisha vdekur! Por asgjë më pas, sido që kam një foto që më kanë bërë atë darkë në një studio në Radio Tiranën e sapoinauguruar, ulur përkrah një monitori të hershëm televiziv, me ballin të gërvishtur nga rrotat e autobusit.

Nuk kujtoj ditën e parë kur dhashë mësim në universitet, as në Tiranë e as në Amerikë: pufff, zhdukur pa zhurmë ndër harrutha. S’e kujtoj herën e parë që kam gatuar, por di se ka qenë tepër vonë. Mund të ketë qenë groshë. Nuk kujtoj kur kam recituar për herë të parë në skenë a kur “kam dalë në televizor” për herë të parë, sido që këto nuk ishin ngjarje të rëndomta dhe as të shpeshta. Nuk kujtoj fare momentin kur më thanë se isha shtatzënë me vajzën e parë – ishte fëmija im i parë dhe e para shtatzani.

Nuk kujtoj cili qe i pari libër që kam lexuar. Më çudisin ca njerëz që i dinë saktësisht fakte të tilla. Unë s’mbaj mend as përse fliste romani i parë që kam shkruar. Dhe i fundit. Së paku mua atëherë më qe dukur roman, por, duke qenë i dorëshkruar, mund të ketë pasë edhe volum novele! Sa kisha bërë 23 vjecc, isha shtatzënë, e mjeku më tha që fëmija kish shkarë dhe duhet të rrija në shtrat e të mos lëvizja për disa muaj, katër muajt e parë të 87-ës. Shkruaja e shkruaja me inat e dashuri, sikur ia haja e përtypja bardhësinë letrës kur e mbushja. Po përse shkruaja? No idea! Do ketë qenë ndonjë fluturim ideologjik rinor antikomunist për lirinë e individit, për gruan që kish rolin objektiv të emanciponte burrat, për thyerjen e rregullave, të qenët antikonformiste e rrebele, të qenët ndryshe – si gjithë klishetë e dobëta artistikisht që prodhonin asaj kohe edhe kineastë e poetë me shumë më tepër eksperiencë jete e arti se unë; nuk dinim si ta artikulonim lirinë që dukej vagazi në horizont, na dukej se e kishim mike të vjetër ngaqë e kishim ëndërruar aq gjatë; na tërbonte, por ishim larg zotërimit të saj; në fakt, në vend të produkteve artistike të lirisë, riprodhonim entitete që lindnin të vdekur sepse idealet e karakteret ishin artificialë e pa kohë që t’i pillte dheu e të piqeshin, formësuar me gjuhë po aq të ngurta e ende të pazhdërvjelltësuara në klimë lirie. Por nuk besoj të ketë qenë kjo arsyeja pse e kam fshirë krejt atë roman. Po ato muaj pritjeje të lodhshme në shtrat iu futa mirë edhe rumanishtes që tani e kam humbur. E mbaj mend çfarë lexoja atëherë. Por jo romanin tim të parë. Dhe tani që shkruaj, më shumë se ky harruth sfilitës, më acaron shprehja “iu futa diçkaje”. Unë isha shtatzënë dhe “iu futesha” gjërave; edukata e “të futurit” vinte nga brezat e një populli punëtor; një botëvështrim kaq proletaro-mashkullor, i vetmi që mund të përcaktonte një punë që kish gjasa të vërteta të sillte rezultate; gjëmë o gjëmë patriarkale – një grua në një fazë hormonale sipërisht femërore i dorëzohej gjuhësisht identifikimit të vet ideologjik me penisin. Gjynah i madh! Ka të ngjarë ndaj ta kem harruar atë roman, jo se e kam flakur e koha ka bërë të vetën, por se i jam futur ta shkruaja.

Ende s’e kam bubërruar, depërtuar e sqaruar si duhet as vetmevete përse kam harruar rreth gjysmat e ndodhive dhe njerëzve që kam ndeshur në të përditshmet e viteve ‘85-’90, periudhë me ndryshime radikale në jetën time, jetuar me intensitet të çmendur, mbushur me njerëz të vjetër e të rinj e me ngjarje që s’i nxinte ditë-nata. E jetova bukur fort periudhën, bëja 30 gjëra të gjitha me vlerë në ditë, por më shumë se gjysma e asaj energjie është reduktuar në harrutha që më japin siklet e ndjesi faji. Sot e përjetoj si një fshirje kolosale po aq radikale sa ka qenë edhe jetesa ime në ato vjet, ndjekur nga disa ikje dhe ribërje nga rrënjët të botës dhe vetes. Ishte ndoshta pavarësimi ekonomik e psikologjik, seksi e gjysmëliria, risitë e atyre viteve, ndjesi shumë intensive e të paqeta që truri s’i regjistroi dot mirë prej shpejtësisë e forcës së fushave të veprimit, ndaj dhe i lëshoi shpejt në botën e harruthave. Apo ndoshta ajo që unë quaj liri të plotë – futja në një botë ku isha si kurrë më parë askushi, s’njihja kënd e s’më njihte njeri, pra era kur isha vetëm e me veten, ishte në fakt një rilindje aq sa edhe shock i madh tronditës që u preu kryet mikroborgjezizmave të Tiranës mediokre të dhjetëvjeçarit 1980 (që ia ndiej edhe sot)? Apo ka diçka që më ndrydh në gjithë ata vjet, dhe kam dashur ta harroj?

Mes kujtuthave dhe harruthave të mi ka rregull. Ndër aromat e erërat besoj s’kam harruar asgjë, edhe atëherë kur më mungon aftësia e riprodhimit në mendje. Para dy vjetësh në prag të shtëpisë në Amerikë ndjeva një aromë të ëmbël vegjëlie që nuk e dija çfarë qe. E kërkova nga vinte dhe e gjeta: nga lulet e rrushit në verandë. Pjergulla i kapërthehej drushtave të verandës nga toka dhe lartësia e luleve ishte po ajo e hundës sime. Pata një gëzim shqisor që më shpoi thellë e më zgjati paq. E vogël në shtëpinë dykatëshe në Tiranë, e paskësha ndier erën e luleve të hardhisë në verën e hershme, por pjergulla e lartë e tim gjyshi dhe tim eti, mbulonte oborrin si shtratore horizontale shumë më sipër se koka ime; kjo aromë më paskësh ngelur pa emër atëherë. U desh të vija në Amerikë, e të mbillja pjergullën time në bythë të shtëpisë, që të ringjallja një aromë anonime të fëmijërisë. Nuhatja them se është shqisa më e fortë që kam edhe sot.

Në një revistë akademike të Neuroshkencës[ii] lexoja se[iii] “Filogjenetikisht shqisa më e lashtë, nuhatja karakterizohet nga një afërsi unike me sistemin emocional”. Kemi pasur rast të gjithë ta provojmë këtë lidhje të veçantë. Ju jap një shembull që nuk lidhet me kuzhinën e as me lulet e bimët që për mua çojnë në një botë komplekse historish. Durrësit i jam larguar rreth moshës 9-10 vjeç për t’u arratisur ata muaj vere në plazhe “të pastër” e “pa rrëmujë”, me vend të parë Himarën atëherë ende të egër. Por erërat e plazhit të Durrësit nuk do më lenë kurrë. Nuk e riprodhoj dot në kokë aromën pranë ujit të rërës së thatë të plazhit të Durrësit bërë si tyl i hollë e i thyeshëm nga kristalet e kripës së dallgëve në një mbasdite përvëluese vere kur flladi që vinte prej deti duke bërë fap-fap në vesh të rrihte gjithë qejf lëkurën po aq të thatë e të nxehtë; por e njoh atë erë sapo e rindiej. Kishte Brenda edhe aromë leshterikësh dhe ndiej nën këmbë jo veç cipën e hollë të rërës që thyhet, por edhe ndonjë fije leshteriku. E këtu m’u lidhën nuhatja me prekjen. A e ndajmë dot në kujtesë vendin, kohën, cohën dhe erën? Nuhatja ndihmon qëndrueshmërinë e kujtuthave. Ndoshta harruthat e mi janë të tillë pikërisht sepse kanë qenë të pashoqëruar e të pandihur prej kësaj shqise bazale. Frika si prodhim i shqisës që kapte rrezikun, frika që ndieja shpesh në ditët e komunizmit u reziston qartësisht harruthave sot në plot histori konkrete, sido që s’ka lidhje me aromat. Sa thellë e ka strofkën në tru frika e ç’lidhje ka me shoqërizimet shqisore dhe kujtesën? Jam rritur me ato frikëra racionale e irracionale nga rreziqe që nuk duhet të rrethojnë jetën e një fëmije a adoleshenti. Frikën e lidh me zhurmat dhe ndjesitë e mia trupore të rrahjes së zemrës e rrjedhjes së furishëm të gjakut kur kisha frikë se do më dëgjonin, tradhtonin apo kapnin. I dëgjoj e i ndiej në trup si gurë të rëndë që rrahin në tëmtha ardhur thellë nga jonjerëzorja, në disa kuptime kjo e fundit.[iv]

Çfarë e bën jetën të jetë “e ikur” veç fikja dhe humbja e kujtimeve? Fikja e kujtimit është vdekje; vdekje si çdo vdekje; jo e një njeriu, por e gjithë njerëzimit. Unë përdor si kolonë studimore këtu “herën e parë” si njësi lehtë të përcaktueshme dhe si më pak të harrueshme. Mendoni sa shumë herë të dyta, të treta e të n-ta janë harruar prej njerëzve. Është kështu jeta çfarë ka mbetur në sitë pasi kanë rrjedhur nëpër të gjithë harruthat e mundshëm e të pandalshëm? Harresë më shumë se kujtim? Një vdekje e ngadalshme pa dhimbje e pa plan e kujtimit? Ne mendojmë se kujtojmë, por në fakt kjo është pjesa e vogël e gjërave që nuk kemi harruar.

***

Shënim: Unë nuk shkruaj shpesh, në letër, sido që koka më shkruan pa pushim, sidomos kur vrapoj. Ajo dukuri është krejt ndryshe nga të menduarit, dhe kush e ka provuar, e di për çfarë flas, sepse ndihet që është ndryshe dhe ka tjetër destinacion nga mendimi i zakonshëm. Kam menduar se s’ka ndonjë vlerë t’i ruaj ato që shkruaj e aq më pak t’i bëj libra; por trishtohem që kam harruar kaq shumë, dhe ndihem me faj që çfarë më është dukur me rëndësi, s’e kam shkruar e s’e kam trajtuar me respekt; një siguri e pamençur më ka thënë se nuk do ta harroja dot kurrë atë episod deri sa të isha gati ta shkruaja. Por ja që sot e shoh hedhur ndër harruthat, që unë ende dua t’i marr me të mirë e t’u gjej emra lozonjarë, së pari se janë copa të miat që më s’janë, së dyti se jam vdekatare, dhe asgjë s’më frikëson sa ajo që s’shkruhet. Eseja është sidomos mirënjohje e falënderim për gjithë ata që paepshëm mbajnë shënime e ditare, që sitematikisht shkruajnë mendime të mençura, dhe ata që modestisht në mijëvjeçarë na kanë ndihmuar të dimë hartën e jetës, shkrues, kartëprodhues e botues. Se veç ajo që shkruajmë mbetet.

[i] Shumësi më ‘a’ dhe jo ‘ë’ i këtij emri të gjinisë mashkullore është zgjedhje.

 

[ii] Journal of Neuroscience. 2013: 15324–15332

 

[iii] Phylogenetically the most ancient sense, olfaction is characterized by a unique intimacy with the emotion system. However, mechanisms underlying olfaction–emotion interaction remain unclear, especially in an ever-changing environment and dynamic internal milieu…

 

[iv] Këtu përshkruaj një analizë të hierarkisë shqisore dhe vështrimeve feministe të kësaj hierarkie, që më duket se lidhen natyrshëm me mënyrën si kujtoj dhe harroj unë. Më parë e kisha pjesë të esesë, por, pasi e mata mire, m’u duk se ose u takon shënimeve, ose duhet trajtuar si temë më vete. Ndaj e sqaroj shkurtazi më poshtë:

Harruthat e mi çojnë natyrshëm drejt një parapëlqimi për erërat dhe prekjen, pra një hierarkie kognitive të shqisave që sigurisht ka reflekse sociale, në lidhje krejt kundërshtore me hierarkinë e tyre sociale dominante që Storr (shih më poshtë) e analizon si “mashkullore”. Teoricieni psikanalist i kinemasë Christian Metz v, duke diskutuar natyrën e arteve, thotë se “psikofiziologjia bën një dallim klasik mes “shqisave në distancë” (shikim dhe dëgjim), dhe të tjerave që kërkojnë afërsi imediate, që ai i quan “shqisa të kontaktit”. Për Metz artet më të pranuara shoqërisht bazohen në dy shqisat e distancës, ndërsa në të tjerat bazohen veç arte minore si kulinaria e parfumeria. Po në këtë hierarki shqisash bazohet natyrshëm e rregullisht edhe Sartre në veprën e vet, për të cilin shqisat e tjera ishin ndërhyrëse të bezdisshme, gati rrjedhoja superflue të shqisave në distancë. Për të këqyrja (gaze) luante rolin e një shqise vepruese dhe të sigurt, më njerëzorja dhe më jo kanosësësja, ndër to. Pikërisht mënyra si operon “gaze” në veprën e tij është analizuar më pas me shumë mençuri e me bisturi kirurgjikale prej teoricieneve kritike feminist, si dëshmi e natyrës mashkullore jo veç të “gaze” per se – si shqisë dhe koncept dominant i shekujve të shkuar i formuar në mashkullorësi ideologjike – por edhe si bazë mashkullore e frikërave dhe ekzistencializmit sartre-ian.

Stuart Zane Charmé vëren se në veprën e Sartre, Erërat (rezultatet e nuhatjes – ED) janë kujtues bezdisës faktesh biologjike që ndërgjegja dhe civililiteti (qytetaria, njerëzillëku – ED) përpiqen të kapërcejnë. Bazuar në imazhet olfaktore në punët e veta, Sartre reagon ndaj erërave si të ishin tentakula gjithë-kapëse të Natyrës së pushtetshme që do të mposhtë dhe mbysë Njeriun. Në përshkrimet e seksualitetit shpesh erërat e forta janë tregues të vulgares, të lagështimit qelbës fatal që rrjedh prej Natyrës në përgjithësi, dhe Seksualitetit Femëror në veçanti. Karakteret meshkuj të Sartrit shpesh ndihen të gllabëruara nga amëza seksuale e Femrës. Erërat qenë mbeturinat më rezistente të ciklit organik Lindje, Vdekje, Dekompozim që aq fort e tmerronte Sartre-in. vi Harruthat, për fat, dëshmojnë një kthim përmbys të konceptit dominant shekullor. Së paku në rastin e jetës sime, çfarë e bën Gjësendin e jetuar të mos kthehet në Harruth, është lidhja e tij e rastësishme me një Erë apo me Cikjen, Prekjen. “Femërore” a “përmbysëse” qoftë përparësia e këtyre shqisave shpëtimtare të kujtesës.

[v] Christian Metz, 1982. The Imaginary Signifier: Psychoanalysis and the cinema. (marrë si referencë prej disertacionit të Storr, shih shënimin iv më poshtë)

 

[vi] Për gjithë këtë diskutim mbi nuhatjen, seksualitetin dhe Sartre-in, unë i jam referuar një pune kolosale kryer prej Melinda Jill Storr në disertacionin e vet “THE GAZE IN THEORY: THE CASES OF SARTRE AND LACAN”, 1994. Pjesë të saj përkthyer prej meje disi lirisht më sipër, janë kështu në origjinal:

 

The importance of the sense of smell for Sartre has in fact been well documented by the critic Stuart Zane Charmé who notes that “[f]or Sartre, same smells are deeply disturbing reminders of the biological facts of life that consciousness and civility constantly try to transcend. Other odours, however, capture the bad faith of civilised life and seep through its cracks”. In an insightful analysis of Sartre’s use of olfactory images in Nausea and elsewhere, Charmé demonstrates how Sartre “often reacted to odours as far-reaching tentacles of an overflowing nature that threatened to engulf and suffocate the human realm. They were the most obvious residue of the cycle of organic birth, death, and decay that so terrified Sartre”; … and how in his fictional depictions of sexuality, “strong odours indicate the vulgar, obscene oozing of nature in general and of female sexuality in particular. Sartre’s male characters feel engulfed by women’s sexual scent”. I have already discussed Sartre’s constant equation between femininity and the fleshiness and contingency of the body, and this link between bodily odour and female sexuality traced by Charmé therefore comes as no surprise.

 

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

4 Komente

  1. Harresa është Hyjnore. Kujtesa është Ferrparajsa jonë.
    Të përcjella bukur të gjitha ndjesitë për kujtimet e humbura dhe mbijetojat e tyre. Kujtesa është inteligjente, përzgjedh dhe ruan, mesaduket, ato që i bëjnë mirë trupit.
    Hamendsoj-nuk di sa e bazuar është shkencërisht- se njeriu duke qënë se është hedhur në një botë të dominuar nga imazhet, format vizive dhe ngjyrat , ka zhvilluar më tepër të kundruarit dhe kujtesën vizuale.
    Nuhatja duket se ka qënë më pak konjitive tek njeriu, ndryshe nga kafshët, parardhësit e tij ( unë jam evolucionist, edhe nëse ka patur në pikënisje një Krijues) tek të cilët nuhatja ka qënë / është e rëndësishme. Jo më kot themi :” x e nuhati rrezikun”. Sigurisht këtu është fjala për intuitën por shprehja vetë ruan kuptimin dhe kujtimin e origjinës.
    Një mikesha ime larguar prej vitesh në Kanada më tregonte njëherë sesi Tirana i gjallërohej në kujtesë nga aroma e drurëve të djegur në sobë.
    Ana tjetër është se kujtimet gjallërohen përmes imazheve. Ne shofim një të moshuar me kapele republike në rrugë dhe befas, na rikthehet gjyshi në kujtesë, episode e çaste dalin “mbi ujë”.
    “Copa e kekut” e Prust.
    Një gjë interesante është rigjallërimi imazheve dhe kujtimeve të fëmijërisë kur njeriu futet në moshën e tretë. Ndoshta ngaqë në atë moshë aktiviteti social, angazhimet reduktohen. “Ena” e përvojës jetësore êshtë mbushur dhe trupi kthehet nga vetvetja, nga përvoja e brëndshme e depozituar në harresë.
    Ka njerëz me kujtesë fenomenale. Përmendin emra dhe më e habitshmja , ditën e javês, detaje, biseda këtu e dyzet vjet të shkuara.
    I bashkohem keqardhjes tuaj për mosmbajtjen e shënimeve. Na rren mendja dhe kujtojmë se do ti kujtojmë më pas ndodhitë, emocionet e sidomos përshtypjet autentike të çasteve të veçanta të jetës, gëzime apo hidhërime.
    Koha është mjeke dhe mësuese mirë falë kujtesë/ harresës.

  2. Eshte mahnitese, mbamendja e Martin Camaj, ikur nga Shqiperia 20 vjeçar dhe nuk u kthye kurre. Mbamendje qe te galdon ne ligjerimet, nga krahinorizmat e Dukagjinit, tek Arberishtja e mbartur si nje paje shpirterore 500vjeçare. Nga gegerishtja e Shkodres, tek toskerishtja e kultivuar. Gjakimi i thjeshtesise dhe thellesise, ne vargje te gdhendura te shkurtra, ne poezi proze tregime romane drama. Asnjehere te vetme, lakoret muzikore gjuhesore, ngushtohen dhe zgjerohen, her zjarrmi djegaguri, her akullim qe te deperton ne palce, her perkundje shrregullash.Nje Simfoni shtat Bethoviane, plot mirakandje e miradije, trishti kelk, ku rrezja e diellit,perthyhet ne tansin e ngjyrave ylberore, gazullim harembytes qe ta kris parzmin,shpoti e tjerrun ne vegjat e xhubletave,me simbolik rrokullixanun zanafillore. Prej ktij pikveshtrimi qe prore, gjakon thelbin e thelbeve, tharmin e pabjerrun, e patjetersuem, duke i dhanun nji vetdije rruzullore qendersynyese, nderkallje e eperme siperore frymore, brenda ceneve ngucjeve mishtore, qenderikese ku shejti dhe shejtani prore kembejne vendet.Kendimi i vepres se M.Camaj, asht sipermarrje e veshtire, ku tana shqisat akullohen e perflaken, ndersjelltazi derisa mprehen, nga risite zbulesat, qe percillen permjet cdo rikendimi,te vepres se tij shumshtresore! “Shqemza e that drithet, n’shkambin mi’ Dri, e rrahun nga fryma e terbueme n’Shendre. Ime Am thot;Je barr e vrame n’parzmin tem! Kaloje lumin para sosjes s’dimnit”. Sall ne kater vargje epet drama e nji kombi te tan, tuj e njesu vedin me at .

  3. Çfarë dashurie moj Eda! Të falemnderit! Sa kohë që s’isha prekur kësisoj, unë dhe harruthat e mi!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin