SHKRUANTE MEHDI FRASHËRI

Reformat e reja të Turqisë kemaliste

Që nga viti 1922, në Turqinë e famshme që ish destinuar për vdekje nga shkaku i mospërparimit në rrugën e qytetërimit evropian, me habi shohim një zhvillim përparimi, i cili duhet të na interesojë në shkallën e parë për shkak se me turqit jo vetëm që kemi pasur një jetë të përbashkët politike, po edhe për arsye se shqiptarët, me një shumicë të madhe kishin pranuar fenë muhamedane e prandaj ky bashkim ekzistonte në mendësi dhe gjer në një shkallë, edhe në jetën shoqërore.

Po ta vëmë re këtë përparim të Turqisë, shohim se shfaqet me disa faza të vazhdueshme. Faza e sotme na paraqet katër çështje:

1 – Ndalimi i muzikës kombëtare dhe zëvendësimi i saj me muzikën evropiane.

2 – Akordimi i të drejtës së zgjedhjes, grave;

3 – Ndalimi i mbajtjes së petkave fetare jashtë faltoreve;

4 – Thjeshtësimi i gjuhës duke e transformuar këtë në gjuhën krejt turqishte.

Shumë njerëz dhe sidomos ato mendësi që nuk e kanë studiuar thellësisht qytetërimin evropian në burimet, në shfaqjet e ndryshme të tij dhe në historinë e vazhdueshme, këto katër reforma të Turqisë së re mbase do t’i gjejnë të palogjikshme. Po njeriu po të mendohet seriozisht, jo vetëm që i gjen krejt të logjikshme por edhe të nevojshme e të dobishme. Prandaj e shohim të udhës që këto katër reforma t’i studiojmë një nga një.

MUZIKA. – Si bëhet që të ndalohet muzika kombëtare dhe të zëvendësohet me një muzikë të huaj? Problemi, faqeza duket i çuditshëm. Por po ta thellojmë me mendësi reformatori, reforma e bërë duket krejt e natyrshme.

Një nga ndryshimet kryesore të vendeve orientale e myslimane me vendet evropiane është edhe muzika. Sipas mendimit të fanatikëve, lehv-ü luap – domethënë lodra e muzika lypset të jenë të ndaluara. Prandaj ndër qytete orientale e myslimane mjeshtëria e hollë e muzikës është lënë në dorën e evgjitëve, si një zanat i poshtër, kurse në realitet është arti më fisnik për shpirtin e lartë të njeriut. Porsi zeja e hekurit, i cilin formon themelin e qytetërimit, që është lënë në dorën e magjypëve me emrin “kovaç”.

Muzika është aq gjë e nevojshme për lartësimin e shpirtit të njeriut, sa që me gjithë këto pengime, prapëseprapë ekziston në çdo vend njëfarë muzike kombëtare.

Me këtë ndryshim, që në vende orientale dhe myslimane muzika është monotone e melankolike. Monotone sepse në ato vende qytetërimi nuk është zhvilluar, shpirti muzikor i njeriut nuk është i stërvitur, e prandaj ndjenja muzikore si gjithë fazat e qytetërimit, ka mbetur krejt primitive. Është melankolike sepse popujt që jetojnë në një qytetërim të tillë nuk shohin lumturi kurrë. Atje ku s’ka lumturi, mbizotëron fatkeqësia. Kjo sjell melankolinë e njeriut që qan hallet e tij me një muzikë monotone dhe melankolike.

Ndryshimi i kësaj muzike për njerëzit e këtij brezi me të vërtetë mund të shkaktojë një pakënaqësi. Por për brezin që është duke u edukuar ndryshe, do të çelë derën e një dëfrimi shpirtënor shumë të lartë e të ndryshueshëm. Bie fjala, ne kur dëgjojmë një këngë “lapçe” ose “toske” na bën njëfarë përshtypjeje, sepse na sjell ndërmend jetën e kaluar kur ato lloj këngësh ishin në rendin e ditës dhe për ne janë të bashkuara me jetën e shkuar të djalërisë, kujtimi i së cilës na sjell një ngashërim në zemër. Po në qoftë se djemtë tanë kanë vajtur e janë edukuar në Evropë, ato lloj këngësh jo vetëm që nuk u bëjnë një përshtypje shpirtënore, por edhe u duken të mërzitshme. Domethënë se përshtypja që ndiejmë nga ato këngë nuk vjen vetvetiu nga muzika, por nga kujtimet me të cilët ajo muzikë është shoqëruar. Kurse për muzikën evropiane, është e kundërta. Ajo na ushqen dhe na prek shpirtin për shkak se ka dalë nga një shpirt me ndjenja të holla, fisnike dhe të larta. Bie fjala, një herë në Bernë të Zvicrës në një kafe-koncert kam dëgjuar një pjesë muzikore me ngjyrë mistike, po që shpirtin aq e trondiste sa që njeriu kujtonte se është transportuar në një sferë të lartë shpirtrash, ku gjente prehjen hyjnore. Pjesa ishte e një gjermani, i cili në agimin e ditës kishte shkuar në një kishë madhështore ku dëgjonte organon e kishës duke qenë i prekur nga vdekja e vajzës së tij. Agimi i mëngjesit, madhështia e kishës, ngacmimi shpirtënor i organos në një mënyrë mistike i zgjuan dashurinë atërore për vajzën e vdekur dhe duke qenë i dehur nga mallëngjimi hirshëm i doli nga goja një ritmë zanore, e cila ishte baza e asaj pjese. Një muzikë të këtillë kushdo që ta dëgjojë, i bën një efekt.

Mustafa Kemali që do ta evropianizojë popullin turk, ka vendosur që ta pajisë jo me muzikën e magjypëve, por me muzikën e hollë dhe të lartë të popujve të qytetëruar. Një muzikë e këtillë, me durim e me qëndresë, dalëngadalë do të zërë vendin e muzikës monotone.

Pa dyshim se do të ndodhen njerëz të cilët do të thonë që të reformohet muzika kombëtare, në vend që të ndalohet. Por popujt që kanë mbetur pas, nuk kanë kohë të gjatë që të mundohen të rrisin një gjë që ka mbetur kërthi, kur ndodhet rreth e përqark një muzikë e përparuar dhe e gatitur.

E DREJTA E GRAVE. – Në një libër të sheriatit, gruaja është përshkruar me këto dy fjalë: malün mut’atün, domethënë një plaçkë nga e cila përfitohet. Me tjetër fjalë, si një stofë. Njeriu kur është i begatshëm në vend të një stofe blen shumë kumashe. Dhe kur i vjetrohet njëra, e hedh poshtë dhe merr një tjetër. Domethënë se burri është njeri dhe gruaja një plaçkë. Këtë plaçkë, për të mos ta vjedhur njeri, lypset që ta burgosim në shtëpi dhe kur del jashtë, të mbulohet sa të mos ia shohin fytyrën nga frika se mos ia bëjë me sy njeri. Kjo plaçkë me dy këmbë nuk është xhaiz që të mësojë, nga frika se mos shkruajë letra dashurie. Me tjetër fjalë, të jetë një kafshë e pagdhendur.

Fëmija që lind nga kjo kafshë dhe që rritet në prehrin e saj, nuk bëhet tjetër veçse një kafshë. Kur truri i tij është i njomë dhe i aftë për të marrë çdo formë ushtrimi, ndodhet në prehrin e së ëmës injorante, e cila përveç përrallave, supersticioneve dhe zakoneve të këqija, frikërave të kuçedrave e të xhindeve, nuk është e zonja që t’i japë një tjetër ndjenjë. Një shoqëri njerëzore që është rritur në këtë mënyrë, gjithmonë jeton keq, në varfëri e në mjerim, pa kënaqur as dëshirën e së vërtetës as ndjenjën e bukurisë, as nevojën e drejtësisë. Kurse idealet e njeriut janë: e vërteta, e bukura dhe e drejta.

Mustafa Kemali me shokët e tij i ka kuptuar thellësisht këto të vërteta dhe përveç që grisi peçenë dhe çarçafin, theu kafazet, liroi gruan, ndaloi poligaminë dhe shkurorëzimin arbitrar, tani kërkon t’i japë gruas edhe të drejtë vote. Me këtë të drejtë, gruaja e liruar dhe e lartësuar do të marrë pjesë edhe në jetën politike të kombit. Sot për sot në Turqi ka gra gjyqtare, avokate, tregtare dhe profesioniste. Dhe ndër ne, që pretendonim se jemi racë evropiane dhe me t’u ndarë nga Turqia do të bëheshim evropianë me një shpejtësi të çuditshme, gratë i lemë dhe shëtisin mbuluar në rrugët e kryeqytetit me një ferexhe me njëqind arna, këmbëzbathur dhe me një sy, model për një karnaval evropian.

NDALIMI I PETKAVE FETARE. – Në Turqinë e vjetër, gjer më 1839, që është data e Tanzimatit, askush nuk ishte i sigurt nga jeta e tij, nga liria e tij dhe nga pasuria e tij. Shumica e sadrazemëve dhe e pashallarëve të tjerë, pasi zhvishnin botën sa ishin në fuqi, jeta e tyre gjente fund me të prerit e kryeve e me konfiskimin e pasurisë së tyre. Kjo mënyrë veprimi për njerëzit e mëdhenj aq ishte përsëritur, sa që çdo vezir, çdo pasha, nga frika se mos i presin kryet dhe mos i konfiskojnë pasurinë, që më të gjallë pasurinë e tij e bënte vakëf dhe një pjesë e destinonte për fëmijët e tij, me konditë që të mos ta shisnin. Pjesa që lihej vakëf më të shumtat herë destinohej për xhami, medrese, teqe dhe imaret. Në Turqi themelimet kësi llojesh ishin aq të shumta, sa tërhiqnin vërejtjen e çdo të huaji. Sulltanët për ta mbështetur despotizmin e tyre mbi njerëzit e fesë, të gjithë nxënësit që vazhdonin nëpër medrese e nëpër teqe dhe të gjithë ata që shërbenin nëpër xhami, i kishin përjashtuar nga shërbimi ushtarak. Në kohët e fundit, puna kishte ardhur gjer në një shkallë që nëpër qytetet myslimane sarëkllinjtë të jenë më të shumtë nga civilët. Njeriu më çdo kënd do të shihte një xhami, ose një medrese, ose një teqe. Shkalla e diturisë më të lartë për këta njerëz ishte dituria fetare, se ajo të shpinte edhe në parajsën qiellore. Kjo situatë i ngjasonte gjendjes së rabinëve çifutë në kohërat e vjetra: dituria e tyre ishte Teurati dhe Zeburi. Kështu edhe për hoxhallarët e dervishët, shkalla më e lartë e mësimit ishte Kurani dhe hadithi. Këta njerëz përveç që ishin injorantë vetë, po për të ruajtur fuqinë e tyre midis popullit me predikimin e tyre ndalonin diturinë e vërtetë edhe përhapjen e qytetërimit evropian midis islamëve. Shkaku kryesor i dekadencës së shteteve myslimane kanë qenë këta njerëz. Mustafa Kemali për të shpëtuar Turqinë nga kjo gangrenë hoqi shpatën e Damokleut me të cilin i ra kalifatit, shejhul’islamit dhe sheriatit, suprimoi kadilerët, mbylli medresetë dhe teqetë, edhe la vetëm një pjesë të zgjedhur prej hoxhallarëve, të mjaftueshme sa për funksionet e domosdoshme të fesë.

Dervishët dhe hoxhallarët, përveç injorancës ishin dhe parazitë që jetonin mbi kurriz të popullit edhe përhapnin përtesën. Mustafa Kemali për të humbur kujtimin e vajtueshëm të këtij rangu njerëzish, tani në fund vendosi që kleri i lejuar të mos e mbajë rrobën fetare përveçse në faltore.

Kjo klasë edhe ndër ne ka nevojë për një reformë, shumë të thjeshtë: askush pa mbaruar pak së paku një lice ose një medrese në atë shkallë, të mos lejohet që të bëhet hoxhë. Dhe pa mbaruar një fakultet universiteti, të mos lejohet që të bëhet myfti… Një reformë e tillë është e domosdoshme, se për të qenë prijës i popullit njeriu ka nevojë të ketë një shkallë kulture të lartë. Kjo rregull duhet të zbatohet edhe për dervishët, shehlerët dhe baballarët e çdo sekti. Një masë e tillë është e dobishme edhe për respektin e fetarëve…

TURQIZIMI I GJUHËS. – Turqit kur erdhën për herë të parë nga bjeshkët e Azisë qendrore, ishin njerëz të egër, si kombet barbare që pushtuan Evropën, nga shekulli i 5-të gjer te i 11-ti. Turqit e tartarët duke ardhur në Persi, në Mesopotami dhe në Azinë e Vogël, gjetën qytetërimin mysliman të përgatitur prej arabëve. Barbari me forcën brutale i mund e i pushton popujt e qytetëruar, po vetë, sado që fitues, i shtrohet qytetërimit të vendeve që pushton. Turqit e tartarët kishin gjuhën e tyre. Por pasi pranuan qytetërimin mysliman, filluan të përdorin arabishten e persishten. Këto dy gjuhë ishin gjuhët klasike të Orientit, si latinishtja dhe greqishtja në perëndim. Turqit osmanllinj kur formuan perandorinë e tyre, shumë kohë në dokumente zyrtare përdornin të tri gjuhët: arabishten, persishten dhe turqishten. Më në fund, arabishtja dhe persishtja u hoqën nga gjuha zyrtare, por turqishtja që përdorej ishte e mbytur me fjalë arabishte e persishte. Bile pjesa intelektuale për të treguar zotësinë e saj, më tepër se objektit i jepte rëndësi përdorimit të fjalëve arabishte e persishte, aq sa veprat e shkruara para shkrimtarit Shinasi nuk mund të merren vesh pa pasur dy fjalorë, arabishteje e persishteje pranë. I pari Shinasiu, pastaj Namik Kemali e të tjerë u përpoqën të thjeshtësojnë gjuhën duke i dhënë rëndësi kuptimit e jo përdorimit të fjalëve të huaja e të tepërta. Megjithëkëtë, gjuha turqishte që quhej osmanlli në realitet përbëhej prej tri gjuhëve të paasimiluara. Dhe meqenëse alfabeti arab nuk kishte shkronja zanore, ortografia ishte tepër e zorshme e prandaj për të kënduar një tekst, një frazë ose një fjalë, pikë së pari duhej t’i dihej kuptimi në gjuhën përkatëse. Bashkimi i fjalëve nga gjuhët e ndryshme ishte i pakufizuar, si dhe përdorimi i fjalëve. Kështu që mësimi i gjuhës që do të ishte vegla e mësimit, bëhej tepër i vështirë.

Mustafa Kemali në vend të një kombi osmanlli vendosi që të të formojë kombin turk. Dhe si përfundimi i këtij parimi, u pa nevoja që gjuha osmanlli të transformohet në gjuhën kombëtare turke duke u pastruar nga fjalët e huaja dhe duke u zëvendësuar këto fjalë, më fjalë thjesht turqishte. Me tjetër fjalë, kemalistët për kombin turk të ringjallur, po ringjallin edhe gjuhën e vërtetë turke, që është dialekti çagataj. Një reformë e tillë, në fillim ka disa vështirësi. Por si përfundim do të jetë një gjë shumë e dobishme për popullin turk. Gjuha nuk është gjë tjetër veçse kallëpi i mendimit. Kur zhvillohet mendimi, i gjendet edhe kallëpi. Çdo gjuhë ka brumin e vet, normat gramatikore dhe sintaksore të vetat, dhe duke u mbështetur në këto norma çdo gjuhë mund të përmirësohet dhe të bëhet e aftë për të shprehur çdofarë mendimi…

Pranimi i alfabetit latin që parakaloi këtë reformë, me shkronjat zanore të saj lehtësoi dhe ortografinë që ishte kaq e rëndë në gjuhën osmanlli të mëparshme.

Reformat e Turqisë së re dhe përparimi i saj në baza evropiane, formon një shërbim të tërthortë edhe për popujt e tjerë myslimanë që s’kanë dalë akoma nga ngjira e moçaleve…


Minerva, Vjeti III – N. 27 31 janar 1935

Shënim: këtë material e përgatiti dhe e solli për botim Edion Petriti.

11 Komente

  1. Falenderojme thellesish, revisten “Peizazhe te fjales” qe ndan me ne kete shkrim tejet te shkelqyer, te shkruar thjesht dhe thell, me nje largpamesi te rralle, sikur eshte shkruar sot. Dhe te mendosh, qe eshte shkruar, nga fort i nderuari Mehdi Frasheri me 31 Janar 1935 !

  2. Persa i perket pjeses rreth muzikes, nuk kam lexuar ndonjehere nje shkrim qe te permbaje kaq shume brockulla ne kaq pake paragrafe. Mjerim intelektual.

    1. Ç’është e vërteta, me syrin e sotëm mund të shohësh tek-tuk ndonjë gjë që nuk shkon… po unë nuk do isha kaq përçmues. Në fund të fundit Mehdi Frashëri është Mehdi Frashëri, ndërsa ju jeni thjesht një komentues në një faqe interneti. E nëse nuk e dini se cili është zotëria në fjalë, ahere kot që bisedojmë.

      1. Edion. Nuk me intereson se kush eshte zoteria ne fjale. Nuk me intereson as se kush je ti apo edhe une. Une bere nje koment per shkrimin e jo per zoterine.

  3. Nuk m’u duk se mund te flitet per broçkulla. Paragrafi i muzikes e atij shkrimi qe ka pamje programi, shfaq ide te asaj natyre me te cilat mund te biesh dakord ose mund t’i hedhesh poshte. Natyrisht eshte befasuese ideja se ” popujt që kanë mbetur pas, nuk kanë kohë të gjatë që të mundohen të rrisin një gjë që ka mbetur kërthi, kur ndodhet rreth e përqark një muzikë e përparuar dhe e gatitur”, por jo edhe aq shume. Natyrisht nuk eshte e lehte te shpehesh keshtu sepse edhe vete Frasheri thote: Problemi, faqeza duket i çuditshëm. Por qe te pranosh nje gje te tille duhet te jesh i sinqerte me veten dhe jo te flasesh me fraza te gateshme per rolin e muzikes popullore. Ju vete kur keni degjuar per here te fundit muzike “te ngritur” shqiptare?
    Personalisht nuk me le indiferente ndonje rapsodi e A. Peçit “Rapsodi shqiptare”, me duket se e titullon. Shoh se aty ai ka sublimuar ca motive te bukura popullore, por çeshte e verteta ate une e kam degjuar per here te fundit para 30 vjetesh dhe gjate gjithe jetes sime kam degjuar kompozitore te medhenj te huaj. Nga ana tjeter, po t’i kthehemi vizionit te vete Ataturkut, ai mbase e ka ditur se sido qe te ndodhte asnje kompozitor turk nuk do ta ngrinte muziken tradicionale turke me lart se Mozarti, Cajkovski etj, etj, qe kane bere kryevepra me motive te saj dhe qe pa dyshim do te qe mekat te humbisnin.
    Perfundimish une me mire pranoj “ekstremizmin” e Frasherit, te cilin urgjenca e zhvillimit te vendit ia shtyn mendimet e tij te ecin “me shpejt se muzika”, se sa nje trangull te hidhet si E. Hoxha qe gjysme shekulli me vone u ngrit e ndaloi studimin e transmetimin e ajkes se muzikes klasike boterore, po folur per ate çka i kishte punuar asaj muzikes tjeter qe degjonin fshehurazi.

    1. Lyss shembuj ka disa dhe po i vendos ne mesazhin tjeter por nuk eshte ky thelbi. Kjo qe propozonte Frasheri eshte nje pseudoelitizem dhe fashizem kulturor i furnizuar nga ndjenja te forta inferioriteti. Si u ndaluakerka muzika kombetare dhe u zevendesokerka me muziken evropiane? Cfare uniformiteti dhe varferie kulturore do te kishim nese do ta bente cdo popull kete? Madje ajo qe permendni eshte argument per te kunderten. Mozarti dhe Bethoveni vete frymezoheshin nga motive turke (ndonese perciptazi kjo) ndersa Ataturku i paska rene me nje te rene te lapsit se qenka me mire te ndalohet.
      Frasheri behet edhe me qesharak kur perpiqet ta argumentoje. Na permend universalen e muzikes perendimore. Mirepo harron se universalja aplikohet kudo ne rruzull se kot nuk e quajne universale. Sipas tij ajo ndalon ne Evrope ndersa labcja, rembetika apo samba qenka lokale dhe na pelqen vetem se jemi mesuar me te. Po te shkonte bota me mendte e Frasherit nuk do kishim sot as blues e as jazz se keto rrenjet i kane ne popujt primitive te Afrikes.
      Nuk po e zgjas me se ky shkrim ka aq shume gjera gabim saqe mund ta analizosh fije per fije e mund ta besh terkuze por meqe jemi tek muzika klasike po permend vetem nje shemull nga pervoja personale. Nje i njohuri im nga Skrapari, njeri i shkolluar dhe qe ka vite qe jeton ne Tirane me tha nje dite: “Me ze koka kur degjoj muzike klasike. Nuk e marr vesh dhe eshte e merzitshme”. Nuk dija cfare ti thoja. Ku vajti valle universalia qe nuk e kapi ky valle?
      Shkrime si keto te Frasherit sherbejne me shume per te na treguar se mjerimi me i madh i joni eshte ai i intelektualeve. Ne fakt kur lexoj te tilla shkrime qe duartrokiten si pa te keq edhe sot, e kuptoj me mire pse jemi ne kete gjendje qe jemi.

      1. Ju thoni se mjerimi yne eshte ai i intelektualve. Nuk jam shume i sigurte. Shqiperia lindi se pari ne koken e intelektualse se masat edhe vite me pas u ngriten e kerkonin “baben”. Por mbase e keni fjalen per politikanet. Edhe ketu nuk duhet gjykuar ne bllok. Ne rastin e Frasherit mua me prek obsesioni i tij perendimor nderkohe qe Shqipria e kohes nuk ka asgje perendimire as salepin as trungun mbi te cilin mbeshteste koken as zakonin e vrasjes pas shpine as paditurine masive. Perendimore kishte vetem intelektualet dhe disa politikane.
        Dhe pastaj ata te gjithe u vrane per ate qe ishin, pra perendomore.
        Te tjeret qe erdhen e hodhen spirancen deri ne Lindjen e larget dhe sot e kesaj dite ne na mungon frymezimi dhe idealizmi i atyre te parve.

  4. Robert Bisha, Nje instrumentist qe vertete komunikon si me instrumentin si me traditat musikore. Shperfille Krasten.
    https://www.youtube.com/watch?v=IRc6InTG51c

    Po ketij Marzocchi-t c’ti kete pelqyer valle tek kjo muzika jone e prapambetur?
    https://www.youtube.com/watch?v=9KDATefytr4

    Ndersa keta te shkretet jane katerfish gabim.Se pari sepse luajne muzike orientale. Se dyti se luajne muzike te parafinuar sic eshte ajo klasike. Se treti sepse jane jevgjite dhe se katerti sepse luajne ne rruge. Por asnje nga keto nuk i pengon te luajne bukur e me alegri. Sipas frasherit keta duhet te ishin krejt depresiv.

  5. Ermir
    E kam shume te qarte se cfare duan te thone argumentet tuaja, por as ju e as une nuk sjellim gjesendi te re sepse Frasheri nuk flet si specialist i muzikes por si politikan qe i frymezuar nga modeli turk i kohes eshte gati te sakrifikoje disa “aksesuare” per te lene sa me shpejt pas gjendjen mesjetare te vendit.
    Jemi para nje platforme politike me shume se sa para nje program te ndonje shkolle muzike.

  6. Kam përshtypjen se në youtube mund të gjesh me dhjetëra e dhjetëra këngë të cilave u shkon për shtat ajo thënia e Ataturkut: “Kjo muzikë nuk përfaqëson entuziazmin tonë!”. Një ndër to është edhe një këngë tradicionale osmane – “Mastika”, këngë për një lloj rakie… kur e dëgjon, tallava në zemrën time. :/ Jo vetëm është këngë që ilustron më së miri idetë e M. Frashërit (është monotone dhe melankolike) por ka edhe një tekst jo të stërholluar…. se nuk po më vjen ndonjë epitet tjetër; i këndon rakisë, pa më sill një kuti me bojë të zhgarravis pak surratin, o moj gocë e vogël etj. etj. etj.
    Mund të këndelleni me tingujt e saj hyjnorë këtu:
    https://www.izlesene.com/video/demir-mastika/9351404

  7. Diskutimi i këtushëm për muzikën më kujtoi:

    1) Ca ide të Jacques Attali në librin “A Brief History of the Future, ku flet për tam-tamet e Afrikës, të ardhmen e ekonomisë, etj. dhe

    2) “Republikën” e Platonit.

    Me gjithë respektin për ata që janë dhe nuk janë mes nesh, politikanëve apo ekonomistëve ndodh që iu mjegullohen idetë kur ngatërrohen me muzikën. Në të kundërt, filozofët e dinë mirë për çfarë po flasin.

Lini një Përgjigje te ErmirAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin