QË KUMBARO TË SHPËTOJË LEGJENDËN E SAJ CIVILE

nga Elsa Demo

Sa herë e keni dëgjuar tregimin e Mirela Kumbaros për atë moment kur pranoi të bëhej ministre e Kulturës?

Për ata që e kanë humbur këtë copë historie personale me interes publik shkurt është kështu: “Unë vija nga shoqëria civile”, thotë Kumbaro deri në mërzi. E pas shumë hezitimesh për t’iu përgjigjur ftesës së Edi Ramës, ky i ka thënë: “Ke një jetë që kritikon, tani ka ardhur momenti të vish të ndezësh një qiri, pra të bësh një akt, ato që mendon se duhen bërë më mirë.”

Edi Rama formën më të lartë të aktivizmit e ka pasur me publicistikën e viteve të para të pasnëntëdhjetës, që karakterizohej nga kritika e mprehtë dhe gjuha e papërmbajtur, e cila, si një kalë beteje në fund të luftës, kur e futi kokën në sanën politike, krijoi përroin demagogjik “Kurban”.

Mirela Kumbaro formën më të lartë të aktivizmit e ka njohur me shkrime (në kohën e lirë), në qeverisjet e fundit të së djathtës, që kritikonin burokracinë dhe gjendjen e shërbimeve publike në bazë të përvojave të saj personale. Pra ajo nuk i ka përkitur ndonjë grupimi a kauze shoqërore a politike.

Qëndrimi i Edi Ramës ndaj artit dhe kulturës në epokën e tij të gjatë politike mbetet i pandryshueshëm, qëndrim mohues që e ka penguar atë të kapërcejë kompleksin e inferioritetit që ka si shqiptar dhe shtetar i një kulture të vogël e provinciale. Për pasojë ai nuk ka besuar në vendimmarrje të tilla që mund të kishin çuar në kthesa të nevojshme e të dobishme për zhvillimin e arteve dhe kulturës sonë.

Qëndrimi i Mirela Kumbaros, gjithnjë në raport me të shkuarën e saj civile-intelektuale, ashtu siç ajo e mëton në fjalimet politike, ka ndryshuar. Madje jo ndryshuar, por ka kaluar kundër shoqërisë civile, përderisa Teatri Kombëtar, çështja e ditës – çështje e gjithë qeverive të majta pas viteve 2000 – mbrojtja e tij nga kërcënimi politik dhe i bizneseve, është një kauzë e shoqërisë civile.

Aq jo-koherent është qëndrimi i Kumbaros, sa na shtyn të besojmë se origjina e saj prej shoqërisë civile të jetë një legjendë që ajo e ka krijuar qëllimisht. Një anëtar i shoqërisë civile i cili u jep zë interesave të qytetarëve, nuk kërkon asgjë si shkëmbim a përfitim, sepse në këtë mënyrë ai garanton pavarësinë nga kontrolli shtetëror e qeveritar, po edhe nga sfera e biznesit. Nga ana tjetër, përfshirja në aktivitet politik e një aktivisti të shoqërisë civile nuk është sakrilegj. Është një mundësi që me atë pjesëmarrjen e djeshme publike të ndikojë në vendimmarrjen qeveritare.

Kemi rastin të shohim përfundimisht tek Kumbaro kalimin nga intelektuali – ai që merr përsipër funksionin e vetëdijes kritike të realitetit shoqëror dhe të raporteve të pushtetit duke u bërë shpesh gjykues i ndërlidhjes midis shoqërisë dhe kulturës – te personaliteti autoritar, i cili pretendon nga vetja dhe të tjerët bindje dhe që mund të ndërtojë bazën për një shoqëri po ashtu autoritare dhe që i bindet një shefi.

Obsesionin e Edi Ramës me Teatrin Kombëtar e shpreh shumë mirë kjo foto e viteve 2000. Është Teatri Rubairat, teatër privat i ngritur në fuajenë e Teatrit Kombëtar, me të cilin Rama ministër kulture shpërbleu Aleksandër Frangajn. Historia vazhdon. (Fotoja nga arkiva e autores)

Mandatin e parë ajo e nisi me forumet e hapura për të krijuar idenë e bashkëpunimit me komunitetet artistike, përfshi edhe komunitetin teatror. Por vendimet që ndërmori ishin autoritare, të natyrës ekonomike-financiare dhe jo ndërhyrje cilësore të politikëbërjes. Presioni i saj ndaj titullarit ka ndikuar vërtet në shtimin e numrit të shfaqjeve, por jo në cilësinë e tyre dhe ka rënduar statusin e vobektë ekonomik të artistit të teatrit. Nga ana tjetër ajo ka financuar më shumë se kurrë individë dhe kompani private të dyshimta, që i bëjnë sfidë Teatrit Kombëtar në skenën e tij. Sot ky grup hesht kundër vendimeve arbitrare të Kumbaros dhe qeverisë së saj për shembjen e teatrit.

Të vobektë, të verbër e shurdhë paskëshim qenë ne si media ndaj deklaratave që Kumbaro ka dhënë për teatrin në periudhën e saj të parë, kur thoshte se asnjë grosh nuk ka për të investuar në atë gërmadhë. Duhej ta kishim nuhatur skenarin që do ndodhte. Më e pakta të shtronim pyetjen: nëse kjo ministre Kulture ribëri nga e para shtëpinë e Kadaresë në Gjirokastër me qindra mijë dollarë dhe “Marubin” në Shkodër (dhe këtu i duhet njohur merita qeverisë së djathtë e cila bëri një akt të papërsëritshëm – krejt i kundërt nga akti i së majtës në partneritet me biznesin privat – bleu për 35 milionë lekë një ndërtesë private dhe e bëri pronë publike), përse Teatri Kombëtar nënçmohej?

Ne vetëm në flashback mund t’i lexojmë këto detaje si shenjat e një krimi të paralajmëruar.

Kumbaro ka kontroll të plotë mbi informacionin që duhet të qarkullojë në media. Është gjë e rrallë të autorizohet një specialist i ministrisë të flasë për çështjet e kulturës. Kontroll në këto nivele nuk ka ekzistuar në ministrat paraardhës. Rasti më i fundit është ai i drejtoreshës së Monumenteve të Kulturës, së cilës iu kërkua nga autorja e këtij shkrimi një analizë mbi statusin e Teatrit Kombëtar dhe ndryshimet që ka pësuar në vite. Përgjigjja ishte “duhet të marr leje te ministrja.” E njëjta gjë për Bibliotekën Kombëtare dhe problematikat e saj para e pas rënies së zjarrit, aty ku gazetari nuk lejohet të futet sepse gjendja nuk ndryshon shumë nga ajo e Teatrit Kombëtar.

Personazhi politik, autoritar ka deformuar te Kumbaro personazhin e shoqërisë civile, atë personazh që po hamendësojmë se mund të ketë luftuar dikur kundër kontrollit të informacionit si shkelje e lirisë dhe e një të drejte demokratike. Deformimi shkon deri në mashtrim e arrogancë. Nëpërmjet nesh gazetarëve, në studio televizive e në korridore të rastit, Kumbaro fillimisht gënjeu për ndryshimet në ligjin “Për Artin dhe Kulturën” që i bëri pa konsulencën e njerëzve që punojnë në këto fusha dhe mbrojti deri në fund gënjeshtrën e saj për ekzistencën e një plani të ri për Teatrin Kombëtar, plan që pronën publike ia dhuron biznesit privat.

Ministrja, e nëpërmjet saj edhe kryeministri, i konsideron njerëzit e artit dhe kulturës një bashkësi që mund të kryejë vetëm akte të pamenduara, njerëz pa individualitet, pa sens kritik, që sugjestionohen nga njëri-tjetri deri në acarim, që nuk meritojnë t’u kthesh përgjigje, madje mund t’i fyesh drejtpërdrejt “me regji qendrore”.

është i njëjti debat që përsëritet vetëm se gjithnjë e më shumë mungojnë protagonistët e fillimit të debatit pas jeta bën të veten dhe ndahen nga jeta dhe shfaqen të tjerë që në ndryshim nga ata të parët nuk kanë as reputacionin dhe as hijen e tyre në historinë e Teatrit…,

tha kryeministri ditën e prezantimit të projektit të ri për Teatrin Kombëtar.

Aktorët mund të jenë njerëz jo fort të ekuilibruar e pa ndonjë ndjeshmëri të lartë qytetare. Por ata që po vazhdojnë të mbështesin lëvizjen në mbrojtje të pronës publike po tregojnë se dinë të bëjnë një rol në skenë, po edhe një rol në jetë, në qytet. Në thelb secili prej tyre, edhe ai aktori më i paaftë, ka pjesën e historisë që duhet dëgjuar. Ata kurrë nuk kanë pasur një regjim të qëndrueshëm pune dhe krijimtarie. Ata nuk janë rrahur në skenë me gjithsej. Nuk patën regjisorë për të qenë, që si fëmijët t’i marrin përdore dhe t’u nxjerrin në pah talentin që fshehin jo pak prej tyre. U shkoi rinia dhe i kapi mosha e pensionit duke pritur e përcjellë drejtorë politikë. A nuk është i tillë Kiço Londo prej vitit 2003, në teatrin e Tiranës, në Teatrin Kombëtar më pas e tani në atë Eksperimental? Është emërim i përjetshëm i Edi Ramës dhe miratim i Mirela Kumbaros. Londos i njihet merita që ndërtoi salla, salla gjysmake, po ama politika e tij është: 5 premiera drejtori e 2 ç’të mbetet. Pa folur për dëmin e shëmtisë së shijes për teatrin. Politikë që vazhdon ta ndjekë në Teatrin Eksperimental “duke mos kërkuar llogari për metodat që do përdor në drejtimin e këtij institucioni, por për arritjet”. Riprodhohet deri në këtë nivel modeli autoritar i shefit të madh.

Kjo ndarje, ky funksion rolesh dhe thjeshtimi i njeriut tek statusi i tij, tek personazhi politik është kërcënim, sepse e kthen shoqërinë në një theatrum mundi ku e ke të vështirë të dallosh kufijtë e rolit prej kufijve të natyrës njerëzore. Pra ku janë kufijtë e Mirela Kumbaros aktore, në rolin e ministres së Kulturës dhe ku janë kufijtë e natyrës së saj njerëzore, qytetare? Janë zhdukur. Ka të ngjarë që ajo vetë nuk po i dallon dot. E që nesër ashtu si çdo pjesëmarrës në një krim të organizuar kundër njerëzimit të na thotë se si ministre kulture në vendimin për Teatrin Kombëtar KA BËRË VETËM DETYRËN.

Një mënyrë që njeriu ka për të ndërtuar të ardhmen është duke ruajtur të shkuarën. Leksion që Kumbaro e jep qoftë kur flet për historinë, për muzeun e Sigurimit, qoftë kur flet për Dritëroin, urat e kalatë. Ky parim për historinë kolektive vlen po aq për historitë individuale.

Ka një mënyrë që Kumbaro të shpëtojë të shkuarën e saj civile: t’i dalë kundër këtij projekti kriminal që dënon teatrin dhe qytetin dhe të japë dorëheqjen në rast se nuk i bën dot ballë shefit të saj, kryeministrit. Një vendim i tillë nuk ka për të ekuilibruar fuqinë e së keqes që është vota e shumicës së majtë në parlament, por ka vlerën e një “JO”-je nga brenda sistemit që kështu siç është ndërtuar ka ndrydhur çdo lloj forme rezistence.

Deri tani Mirela Kumbaro, personazhi dhe njeriu, është pjesë e klanit qeveri-bashki-privat, klan i cili po tregon se asgjë nuk e ndal në qëllimet e përbashkëta kundër ligjit dhe kundër shoqërisë.

© 2018, autorja. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autores.

 

 

20 Komente

  1. Mirela Kumbaro krijoi legjenden se i perket shoqerise civile Dhe e trumbetoi sepse kjo legjende ishte me e lavdishme se realiteti. Ne fakt shoqeria civile intelektuale e asaj periudhe i sherbeu ardhjes ne pushtet te opozites se majte , Edi Rames. Erion Veliaj eshte shembulli tjeter tipik i shoqerise civile te politizuar.
    Në kete kontekst pritshmeria e aktit civil te Mirela Kumbaros me duket absurde, sepse ajo nuk erdhi ne pushtet për ti dhene zë shoqerise civile, Po per ti sherbyer atyre qe i ofruan pushtet.

  2. Do t’i shtoja ketij shkrimi edhe nje element qe nuk eshte vene ne dukje. Ndoshta sepse nuk ngre peshe ne temen kryesore.

    Ata qe kane pervoje ne media e dine shume mire se kush jane ata “personalitete publike” qe jane paranojake ndaj medias dhe prezantimit te tyre ne “Lajm”. Se kush nderhyn per nje titull, per nje fraze, per nje titer e se kush eshte edhe hakmarres. Ka qene madje. Se kush nga keta qe kane stampuar buzeqeshjen televizive ka nje memorie te jashtezakonshme per te mos harruar qofte edhe nje kritike, te dine emrin dhe mbiemrin. Ka madje edhe nga ata qe telefonojne dhe thone: “Hiqe ate nga puna…”.

    Keto jane shenja te mjaftueshme per deshifruar qysh ne gjeneze buzeqeshjet dhe miresjelljen e shtirur pas se ciles fshihet nje menopauze e gjate e miresise me minimale.

    Une jam i bindur se shumekush e ka njohur Kumbaron per ate qe eshte, edhe shefin e saj, tekanjozin Edi Rama, cilit nuk i del frika nga Aleksander Frangaj edhe sot qe flasim.

    Por eshte per te ardhur keq qe sot qe flasim detyrohemi qe te zbardhim te vertetat e ketyre akteve vandalizmi kulturor me karakterin e njerit apo te tjetrit. Dhe ndodh kjo jo pse nuk eshte nuhatur ajo qe po ndodhte, por sepse heshtja ka qene konsensus i “vijes editoriale”. Dhe heshtja eshte ruajtur edhe nga artistet te cilet vetem sot kujtohen te flasin per komplotin ndaj Teatrit. Dhe une mendoj se ky nuk eshte rol i nje qytetari, por i nje hallexhiu qe nis e bertet kur nuk di cfare te beje me.

  3. Ne se ia ndjente ndopak znj Kumbaro duhet ta kish dhene doreheqjen me kohe.
    Gafat e saj s´kane te mbaruar dhe me shume pasoja per kulturen e ketij vendi…

  4. Citohet Rama:

    është i njëjti debat që përsëritet vetëm se gjithnjë e më shumë mungojnë protagonistët e fillimit të debatit pas jeta bën të veten dhe ndahen nga jeta dhe shfaqen të tjerë që në ndryshim nga ata të parët nuk kanë as reputacionin dhe as hijen e tyre në historinë e Teatrit…,

    Për sa i përket hijes dhe reputacionit shtrohet pyetja: po protagonizmi i zotit Rama në politikë si është në raport me paraardhësit e vet, dhe këtu e kam fjalën edhe për ata të periudhës së diktaturës?

    Një kopje groteske?

    Sa për hijen, e sigurt se ia lartëson Kumbaro që i vjen me prozhektor nga mbrapa.

  5. Kumbaroja eshte vetem tellallesha, nuk besoj se Rama i ka lene ndonje pjese ne pazar, thjesht pagesen e tellallit. Pasi ta shtrydhe si limonin do e flake tej si plehre, film i sterpare.
    Te Kumbaroja s’ke ça shpeton, as per riciklim nuk ben, s’i hyn ne pune as dreqit.

    1. Nje gazetar dhe kritik i artit si Elsa i ben mire Shqiperise dhe neve te jete aty ku eshte. Nga ana tjeter, mund te ndryshoje filozofia e drejtimit te atyre qe na drejtojne tani ose te vije dikush tjeter qe pranon mendimin e te tjereve dhe e vlereson publiken si diçka qe nuk mund te preket per asnje interes privat

      1. Nuk e di. Une di qe qe Elsa ka nje jete qe shkruan per filma, por në shumicen e rasteve nuk di ti shohë ata. Iku kjo.

        Nga ana tjeter vjen ketu e shkruan se “Edi Rama […] krijoi përroin demagogjik “Kurban”.
        Iku dhe kjo.

        Por duke qene se une e di qe redaktori letrar i ketij “perroi demagogjik” eshte njeri prej pronareve te ketij blogu, shto dhe punen e lartpermendur te filmave, nuk më dalin fort llogarite…

        Prej nga propozimi im qe te veme Elsen ne vend te Kumbaros.

          1. Në fakt une jam shume brenda teme: perderisa Elsa po perpiqet qe Kumbaro te shpetoje legjenden e saj civile, edhe une propozoj (se kaq mundesi kam!) ta bejne ministre, dhe keshtu te shpetoje legjenden e saj te kritikes se kudogjendur te artit. Mê brenda teme nuk ka ku te shkoje!

            1. Kinoditar,

              Së pari, se si i sheh Z. Elsa Demo filmat nuk ka të bëj fare me temën. Por ju nëse doni ta trajtoni, dhe u ka mbetur merak, mund të hapni një temë tjetër.

              Së dyti, jo çdo njeri që kritikon pushtetin e bën me synimin për ta uzurpuar atë. Por ndodh që ata të cilët e kanë kritikuar më parë pushtetin për abuzime, kur kanë ardhur më pas në pushtet e kanë abuzuar atë po njëlloj, në mos më shumë. Një mësim që mund të nxirret nga kjo është që ata që ne vëmë në pushtet duhen të jenë me doemos administartorë të mirë dhe të sporovuar (sepse ky është roli it tyre), dhe jo patjetër kritikë të pushtetit. Sepse me këtë logjikë cdo kritikë letrar duhet të synonte Nobelin, dhe cdo kritikë filmash të synonte Oscar. Por nuk ndodh kështu.

              Po ju me siguri i dini këto, por prapë mendoni që është më kollaj ta rrëzosh një argument duke e nxjerrë atë nga shinat, sesa të marrësh mundimin për të gjetur meritën dhe gabimet në to.

            2. Mua sonte më rezulton qe nuhatjen nuk e kam patur aq të gabuar (në fakt mua më intrigoi titulli, për të thene nje të vertete).
              Ka forma të ndryshme ‘uzurpimi’ të pushtetit, ja për shembull, unë sapo mesova në nje tjeter rrjet social qe autorja e shkrimit vecse para pak javesh e ka patur mirë e bukur ministren të ftuar në emisionin e saj dhe nuk ja kish zene fare në goje teatrin perkundrazi, kish qene më teper se dashamirese me të! Le pastaj qe gojet e keqija (mos o zot!!) evokonin mundesine e ndonje qejfmbetjeje për pune bordesh…

              Konkluzion: eshte artikulli qe jep ndjesine e nje gjykimi Ad hominem.
              Imi ishte thjesht nje reagim. Nje ‘nuhatje’, më se tepermi

            3. As mua nuk me rezulton ta kem pasur nuhatjen e gabuar. Kemi te bejme me nje troll.

            4. Ok, po ti kinoditar duhet te shprehesh me qarte pozicionin tend, se nuk po kuptohet, ti mesa po perpiqem te kuptoj do te thuash se autorja nuk i duhet opozites qe eshte krijuar ne mbrojtje te Teatrit, se ka probleme personale me Kumbaron.
              Mirepo nuk po krijohet ndonje parti politike opozitare ku njerezit mund te kalojne ne site; konceptoje si nje proteste popullore ku bashkohen njerezit e te gjitha llojeve te opozitave dhe sheshi nuk i takon vetem protestuesve te nje lloji opozite.
              Ne rastet e protestave popullore si te dalluara nga ato politike, te mbledhura nga nje parti apo grupim politik, eshte normale qe opozitaret te mos honepsen fare me njeri-tjetrin, po njeri nga sheshi nuk debohet.
              Ka gjtihnje njerez qe perfitojne nga protestat qofshin edhe mediatike apo virtuale, madje mund te kete edhe sot njerez te kultures qe perfitojne nga mospjesemarrja apo qe e tradhetojne pjesemarrjen. Po ketu nuk jemi as ne nje bote te perkryer, as ne nje proteste te perkryer dhe as kane ndonje rendesi efektet anesore.

              Ne rast se ti je per pengimin dhe perfiton nga rasti qe te lash ndonje hesap te vjeter me autoren (ne kete rast si komentues), kjo te ben ty te hysh tek arsyet pse nje proteste popullore nuk mund te jete e perkryer.

            5. Besoj se duhet të jemi pak më të mençur, se të merremi me autorin e kritikës. Ad hominem, shooting the messenger, deflection… më duket sikur po shfletoj ndonjë manual të diagnostikës së patologjive të debatit!

  6. Elsa Demo tashme eshte nje shembull, i gazetarise cilesore,te thuket,zhbiruese,hulumtuese.Gazetari kulturore sociale qytetare, e angazhuar qe rrok rrafshe te shumanshme, duke sjell risi zbulesa, qe na kendellin shpirtin, na ftillojne kjartesojne mendimet e pshtjelluara. I jemi borxhlinj kesaj vashe te perkore qe punen e saj, prore e shikoj si perkushtim te qashter idealist,larg kompromiseve te mediave qe perdhosen, duke u lavirosur me qeveritaret e te gjitha ngjyrave. Hitleri ne rini ishte nje piktor i rendomte, qe nuk mbaroi shkollimin e larte, dhe pikturat e tij jane pjese e koleksionisteve fanatik, qe nuk kane kurrfare lidhjeje, me artin e mirfillte.Hitleri me te vetet, per te mbushur zbazetine,i vetedijshem qe nuk i perket, familjes se shenjte te artit,dogji shkaterroj me qindra biblioteka, koleksione arti te vyera, me shfajsimin, se jane dekadende.Trena te stermbushur, me vepra arti te llojllojta cilesore, te grabitura ne mbare Europen, shkonin e vinin me piksosje Berlinin.Kujtojme pushkatimin e prifterinjve ortodoks te Beratit, qe nuk i dorezuan kodiket e famshem, qe sot ruhen ne Vatikan,si nje pasuri e paçmuar e njerzimit. Hoqa kete paralele, pasi Rama me perçmimin perbuzjen,ndaj artit te mirfillte, ka shume te perbashketa me Hitlerin, duke shtuar edhe grabitjen e qindra ikonave, te artit bizantin qe u krye, ndaj nje koleksionisti korçar,para ca kohesh, u shpall me zulme te madhe, si arritje e qeverise Rilindase, por sot e asaj dite, nuk dihet fati qe pesuan, ikonat tere ajo pasuri e paçmuar kombetare. Ky rast flagrant, projekti Veliera ne Durres, duke betonizuar zonen arkeologjike, projekti Butrinti, qe te kete nje treg shit-blerje, atje te punimeve artizanale, restaurimi i plote i shtepise se Enver Hoxhes,si qershia mbi torte, tregon mirfilli haptaz, orientimin e qeverise Rilindase, dhe qasjen e saj, ndaj trashegimise kulturore,qe e sheh si biznes pasurimi perfitimi.Madje edhe ringjallja e Festivalit Folklorik te Gjirokastres, arritja me e madhe e Mirela Kumbaros, eshte nje fasade, ku ne emer te ruajtjes, se vlerave kulturore, sherben si fortafoles propagande, si ne kohen e Hoxhes, duke thirrurr gjithe skoten e te huajve, qe thurin lavde per qeverine Rilindase, qe te jene pjesmarres medoemos, madje edhe te kercejne e kendojne, valle popullore nga krahina te ndryshme te vendit. Erjon Veliaj kanakari i Rames, xhuxhi i shtate i perzgjedhuri, guxo dhe beji nje pyetsor , ne lidhje me historine e teatrit shqiptar,aktoret aktoret e lavdishem,shfaqe qe kane mbetur te thadruara, ne mbamendjen e publikut, te hershme jo e jo, por as te vona,jo vetem qe nuk e kalon klasen,bashke me Edi piktorin,por te pergjigjet se”Pallati 176” eshte shfaqja me e arrire, ne historine prej dekadash te teatrit Shqiptar, pasi si nje pjese e mire e popullsise, vetem ate mbajne mend.Sjellja harbute dikur, e drejtorit H.Çuli, ndaj nje gazetari te ABC news, dhe shfajsimi qe i beri M.Kumbaro, doreheqja e detyruar,pa kushte me nje pagese qesharake,e gazetares Elsa Demo, shperfillja neveritese qe tregoi M.Kumbaro,shprehin qartazi mbi integriten moral qytetar te saj, dhe se sa ajo eshte e lidhur me teatrin dhe kulturen, ne pergjithesi. Vetem Ministre Kulture nuk mund te jete Mirela Kumbaro, si pale e duetit diabolik, Rama-Veliaj .

  7. “…Rama me perçmimin perbuzjen,ndaj artit te mirfillte, ka shume te perbashketa me Hitlerin,..etj,etj”

    Nuk te ben keq te perdoresh edhe ndonjehere frenat…

  8. Nuk di nga çfarë ‘shoqërie civile’ vjen Mirela, përveç se e ftuar e rregullt e emisioneve te Alban Dudushit ku fitej herë pas here për llojet kuzhinës apo të filxhanëve që përdoreshin për pirje çaji në Francën e ’90-tës. Kjo në kohën kur në Shqipëri vriteshin njerëz në rrugë. Përveç kësaj, nuk di të jenë parë shkrime kritike apo qëndrime kritike të Zonjës Kumbaro në të paktën 8 vjet opozitë të PS, përveç ndonjë lëvdate publike për figurën mediatike të Adi Krastës. Ah po ka një shkrim ku kritikon vendosjen e njohurive të anglishtes si kriter studimi në master, pasi i dukej diskriminuese për gjuhët e tjera të rëndësishme të botës. Në fakt vendosja e anglishtes si kriter ishte dhe është nga gjerat e pakta të mençura nga qeveritë shqiptare, dhe këtu nuk kam parasysh liçencat e kujt njihet si liçencues i gjuhës, por kjo nuk ishte pika ku ngrinte kritikë Kumbaro. Ndonjëherë bëhet qesharak edhe vetë diskutimi apo vlera që i jepet zyrtarëve shqiptarë, qoftë kjo ministrave, që nuk e di pse duhen menduar si mendje të ndritura dhe jo thjeshtë kandidatë të vazhdueshëm për ndjekje nga prokuroria, duke diskutuar për integritetin e supozuar të tyre. Ky integritet thjesht nuk ekziston. Termi ‘intelektual’ ka marrë përmasa më tepër se qesharake dhe është më shumë se dëshpëruese që edhe Elsa Demo të hyjë në këto skuta ku të detyrohet të japë në mënyrë implicite grada të pa merituara qoftë dhe duke kritikuar. Mbetet tani të kërkohet kurajë civile apo krijimi dhe udhëheqja e ndonje partie ala Libra, nga Milena Selimi. Një përkthyes nuk e bën intelektual autori që përkthen.

  9. Duke u nisur edhe nga koincidenca fatkeqe e inicialeve të kësaj ministreje, MK me ato të ministrisë që kjo drejton, prapë MK, do të shtoja se znj Kumbaro, me veprimet gjestet gafat fajet katrahurat pozat në krye të institucionit jo vetëm që e ka bërë çështje të ditës nevojën e dorëheqjes së saj, për të shpëtuar reputacionin dhe shpirtin dhe për t’i dhënë fund këtij perversiteti gabimesh, por edhe SIDOMOS e ka nxjerrë në pah nevojën që Ministria e Kulturës (MK) të shkrihet të hapërdahet të të shkoklohet si një ministri që nuk ka më kuptim, si një lëvozhgë arre që nuk ka më thelb brenda, si një institucion që nuk e ndihmon as e nxit kulturën as e organizon më mirë as e orienton as e selit por përkundrazi e pengon ia zë frymën ia shtyp gjoksin duke u përpjekur ta bindë se kjo, kultura qenka e varur nga humoret politike të një aparatçikeje dhe të shefit të saj me hënëz. Le ta marrim këtë si arritje të posaçme të znj Kumbaro – që arriti të bindë botën se jo më ajo vetë në krye të institucionit nuk mund të rrijë më por edhe që vetë institucioni i saj nuk mund të shpëtohet prandaj duhet vënë në gjumë: nëse ka një provë të vetme që kjo zonjë vjen, siç thotë, nga shoqëria civile është këmbëngulja e saj aq dëshpëruese për ta drejtuar Ministrinë e vet si OJQ në një kohë që një ministri vetëm OJQ nuk mund të jetë. Prandaj do të kisha një propozim disi kundër rrymës: le të rrijë edhe ca znj Kumbaro si Ministre e Kulturës të paktën sa t’i përfundojnë disa panaire lokale të shilteve me lesh dhie aq të rrezikuara që po i gatitin me ndihmën bujare të Fondacionit Puljez të Sinjifikancës të Bagëtisë së Imët por Ministria e saj të shpallet tashmë non grata të amputohet të çmontohet të likuidohet sa më shpejt dhe sidomos para se të ngrihet në oborrin e Kinostudios ai altari satanik me skulpturat e Realizmit Socialist dhe qelinë e rikonstruktuar të Antonio Gramscit (këtë të fundit le ta rikonstruktojë më mirë kryeministri i kulturës në tarracën e COD-së ose të kullës së stadiumit).

  10. S.d.q., qoftet dhe salcicet e zgares me cmim te arsyeshem MK ua siguroi ne Butrint, perndryshe do te perfundonit tek restoranti-hotel 40 metra me tej me cmime te kripura. E biles -kjo ne koinfidence, sepse akoma nuk eshte e sigurte- ne lokalin e sapo-ngritur do te kete edhe kofsha pule te pjekura. Padiskutim, kjo ministri dhe ministre do te jete e hapur edhe per propozime te tjera nga poshte ne lidhje me ushqimin e barkut. Te na rroje per vere, meqe ne dimer Butrinti nuk funksionon!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin