PROVOKACIJA

Ka pasur një debat këto ditë, të nisur nga Mustafa Nano në Provokacija, rreth paraqitjes së dy moderatoreve të një emisioni sportiv të Digitalb-it (Supersport); paraqitje të cilën Nano e ka cilësuar si vulgare, ndërsa të tjerë, përfshi këtu edhe gazetarë, e kanë interpretuar si shprehje të së drejtës së gruas për të vendosur për jetën dhe pamjen e saj.

I meritueshëm në vetvete, debati degradoi shumë shpejt në ad hominem, siç pritet të ndodhë në mediat shqip.

Çfarë do të doja të shtoj, pa u pozicionuar menjëherë në lidhje me palët, është se veshja e moderatoreve të një emisioni televiziv duhet parë si element i një spektakli televiziv, dhe si e tillë, ajo përcaktohet në detaje në tryezën e regjisorit ose të producentit të emisionit. Nuk besoj se Bora Zemani dhe Ilda Bejleri e kanë vendosur vetë, se me ç’pamje dhe ç’veshje do t’i dalin publikut të Digitalbit; sikurse nuk besoj se vërejtja e Nanos kish të bënte me mënyrën si vishen këto dy qytetare kur dalin në rrugë ose larg kamerave.

Ky debat do të ishte moment i përshtatshëm për të diskutuar rreth kontekstit specifik, që i detyron producentët (regjisorët) e emisioneve të tilla, për t’i nxjerrë moderatoret të veshura në një mënyrë të caktuar; ose, nëse ka ndonjë lidhje të mirëfilltë midis trupit gjysmë të zhveshur të një vajze dhe interesit të publikut për sportin.

Liria e dy moderatoreve në fjalë vjen në vështrim deri në momentin kur këto e kanë pranuar rolin që do të luajnë në ekran; prandaj çdo lloj argumenti se këtu bëhet fjalë për të drejtën e gruas etj., nuk merr parasysh që bëhet fjalë për spektakël të prodhuar për publikun, jo për jetën reale të atyre dy vajzave: e shumta do të mund të flisnim për rolin edukativ apo jo të emisionit. Për të njëjtën arsye, nuk i mbajmë inat, pas shfaqjes, aktorit që luan Jagon – sepse ai e performon intrigën në skenë, nuk e konsumon në jetë.

Duke u veshur në mënyrë të diskutueshme, moderatoret televizive performojnë një lloj të caktuar vajze (gruaje), në rolin e moderatores televizive, për të cilën edhe paguhen. Emisionet sportive, si shumë emisione të tjera me shikueshmëri televizive të lartë, janë të kodifikuara rreptësisht: nëse moderatoret atje vishen në një mënyrë që disave u duket provokuese (provokacija) dhe pastaj duan të konsiderohen si “hot” në rrjetet sociale, këtë nuk e vendosin ato vetë, dhe as pritet që ta vendosen – figura e tyre publike, e cila del edhe në profilet e tyre në rrjetet sociale, menaxhohet prej producentëve. Bëhet fjalë për kontrata pune, tek të cilat liria e punëmarrësit për të qenë vetvetja mbaron në momentin e hedhjes së firmës.

Njëlloj mirë do të kish shërbyer debati për të diskutuar edhe si po konsumohet sot në Shqipëri sporti i televizuar dhe cilin publik kërkon të joshë, përveç faktit banal që bëhet fjalë kryesisht për meshkuj në grupe ose individualisht; por në kontekstin social ku shqiptarët shkojnë gjithnjë e më pak në stadium dhe ku interesi i tyre për futbollin tanimë u është bashkëlidhur basteve, ose kumarit (gambling). Mjafton një eksperiencë sado e lehtë me Las Vegasin, për t’u bindur se, në botën e kumarit, trupi lakuriq i femrës shërben si amplifikator (booster) i sjelljes impulsive të atyre që luajnë me para. Edhe në Las Vegas, skenografia është e tëra e skriptuar, ose e regjisuar në tavolinë; dhe nuk shërben aq për ta tërhequr kumarxhiun, sa për ta përftuar me kontakt.

Emisionet televizive të sportit në Shqipëri, si ato të Digitalbit, imitojnë shabllonë të televizioneve komerciale Perëndimore; dhe kushedi edhe producentët dhe regjisorët e tyre nuk janë tërësisht të vetëdijshëm se qëllimi i një spektakli të tillë është të përftojë dhe të riprodhojë një lloj specifik publiku. Pretendimi se aktorët në skenë në rolet e tyre specifike, ose pjesëmarrësit profesionistë në spektakle të tilla, janë duke afirmuar lirinë e tyre individuale në luftë me paragjykimet dhe “komplekset” është jo vetëm në thelb qesharak, por edhe ai vetë pjesë e spektaklit.

2 Komente

  1. Shkrim shume i mire dhe kthjellues. Te falenderoj
    Mua me trishton fakti se sa here debatohet per “zhveshjen” si shenje ne nje tekst a kontekst te caktuar, hidhen perpjete pjesa me e madhe e atyre qe zhurmojne ne mjedisin mediatik dhe ia servirin publikut si çeshtje e te drejtave te njeriut dhe, me keq se kaq, si shenje me te cilen gjykohet emancipimi e shoqerise sone. Dhe trishtohem edhe me shume kur shoh zonja qe vihen ne balle te kesaj gjeje. A thua se tabute dhe menyra e gabuar e te menduarit te shume shqiptareve sot ndreqen duke e zhveshur dhe veshur…femren

  2. Gjithnje ka patur gra (sikunder burra) qe jane xhveshur publikisht. edhe ne kohet me te lashta edhe ne kohet me te errta. Gjate perandorise bizantine (Teodora, perandoresha e ardheshme e ‘ilirit’ Justinian jepte te tilla spetakle), por edhe me tej gjate asaj otomane nuk jane zhveshur vetem grate e haremit, por ne vende te ndryshme ka patur gjithnje gra qe jane zhveshur teresisht ose pjeserisht. Edhe Ali pashes i pelqenin shume, madje kur u plak shkoi edhe me tej. Merrte nje oficer te ri e nje nga ato vajzat dhe u thoshte: pa bejeni nje here, ju paste babai. Dhe kjo ne sy te te shume veteve. Ne mungese te tv, vuajërizmi ishte vetiu i kufizuar.
    Marredheniet e njerezve me trupin nuk kane qene gjithnje ajo qe njohim sot e qe jane farketuar nga feja. Por edhe sot ne vende te ndryshme te Magrebit e me thelle, ndryshe nga sa lihet te kuptohet, ka gra qe zhvishen dhe kete nuk e bejne sepse jane te detyruara ta bejne, as sepse jane prostituta. Vallja e fameshme e belit eshte mijevjeçare dhe nuk hiqej nga prostitutat.
    Edhe ne Shqiperne e vietve 20- 30 ka patur vende, ku nje rreth i ngushte paguanin per te pare gra lakuriq, te cilave u thonin “jevga”, por nuk ishin te gjitha te tilla. Tani une nuk di te them se iIdat e tv-ve shqiptare (se nuk dua aspak te paragjykoj personin qe u be shkas) jane ‘jevgat’ e diteve tona, por paradoksalkisht, eshte e veshtire te kundershtosh faktin e te thuash se edhe ‘jevgat’ e dikureshme nuk ushtronin te drejten e tyre t’u zhveshur, teresisht a pjeserisht. Sikunder moderatoret tona, atyre u pelqente ajo qe benin. Dhe e benin me art, sepse konkurrenca ishte e ashper. Terthorazi mbase edhe shprehnin edhe antiklerikalizmin e tyre, mbase thyenin tabute.
    A eshte degraduese per nje grua nje gje e tille? Kam qejf te them se ne rrethana te caktuara, po, sepse bukuria e vertete e nje gruaje eshte bukuria e saj shpirterore, por nuk jam i sigurte. Po qe se ka qe mendojne se eshte vertet keshtu, atehere ne kete rast, pra ne nje rast si ai i televizioneve shqiptare, shprehja me e larte e mbrojtjes se te drejtes per te qene zot i trupin tend ( e drejte themelore e njeriut) do te ishte qe moderatoret t’u thonin jo shefave te tyre.
    Nese, ndryshe nga sa thuhet, ka nje fare detyrimi te terthorte a te drejteperdrejte nga organizatoret (sidomos kur lakuriqesia e moderatoreve nuk perputhet me natyren e emisionit) , atehere kemi te bejme edhe me nje shprehje jo fort te larget candaulismi.
    Por, me fort ka te ngjare qe te kemi nje perputhje shijesh, niveli dhe interesash. Dhe mungese kelthitese per te servirur tjeter gje, veç lakuriqesise.

Lini një Përgjigje te Teuta ToskaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin