TJETËRSIMI I LIGJIT

nga Lorjan Agalliu

Teatri Kombëtar është objekti i dytë, të cilit i është hequr mbrojtja si pjesë e trashëgimisë kulturore të një Ansambli Arkitekturor dhe Urban në qendër të Tiranës. I pari ishte stadiumi Qemal Stafa.

Kërkova në ligjin Për Trashëgiminë Kulturore ndonjë kriter të mundshëm për rastet kur një objekti i hiqet statusi mbrojtës që i jep ky ligj, por nuk gjeta asgjë me përjashtim të një neni që përcaktonte organin përkatës që mund ta kryej këtë akt. Ligji Për Trashëgiminë Kulturore, KREU III, TRASHËGIMIA KULTURORE E PALUAJTSHME, Neni 24, Pika 3, përcakton: Heqja e plotë ose e pjesshme e mbrojtjes nga shteti e një objekti ose grupi objektesh të trashëgimisë kulturore është e drejtë ekskluzive e organit që e ka shpallur atë.

Megjithatë, ka akte ligjore dhe nënligjore që e shoqërojnë këtë ligj, sikurse ka edhe nene si KREU I, DISPOZITA TË PËRGJITHSHME, Neni 7 që përcakton: Institucionet shtetërore, të specializuara sipas kritereve shkencore, bëjnë përcaktimin e vlerave të objekteve të trashëgimisë kulturore, të shpallura si të tilla, pronë e çdo personi fizik apo juridik, si dhe dokumentimin e tyre.

Pra, sipas këtij neni të fundit vlerat historike dokumentohen. Rrjedhimisht edhe arsyet dhe kriteret e mbrojtjes dhe të mos mbrojtjes duhet të dokumentohen.

Sot për sot publikut nuk i janë parashtruar kriteret e tërheqjes së mbrojtjes që gëzonte Stadiumi Qemal Stafa nga ky ligj, dhe as ato për Teatrin Kombëtar. Kjo vlen për të sqaruar këtë publik se çfarë ka ndryshuar në vlerat e këtyre objekteve dhe në kriteret përcaktuese, që ato të mos jenë më pjesë e mbrojtjes nga ligji, dhe njëkohësisht përcaktuar se përse këto vlera dhe kritere janë cilësisht të ndryshme nga ato që i klasifikojnë të mbrojtura objektet e tjera të së njëjtës periudhë historike, trashëgimie arkitekturore dhe urbanistike që formulojnë Ansamblin Arkitekturor dhe Urban në qendër të Tiranës.

Për ata që nuk e kanë të qartë natyrën e ligjit për Trashëgiminë Kulturore, po theksoj se ky ligj përcakton formën dhe natyrën juridike ose jo të ruajtjes, mirëmbajtjes, rindërtimit, restaurimit ose konservimit të pasurisë së trashëgimisë kulturore. Por sidomos ai përcakton mbrojtjen e objekteve të kësaj trashëgimie nga ndërtimet që mund të kryhen në to apo në zonat përreth, sipas natyrës juridike të klasifikimeve dhe kategorive të mbrojtjes.

Fakti që dy objekteve dikur të mbrojtura nga ky ligj Këshilli i Ministrave ua ka hequr atë (mbrojtjen) pikërisht për të mundësuar në praktikë prishjen dhe ndërtimet e reja në vend të tyre, është problematike në vetvete. Në këtë mënyrë, vetë organi që është ngarkuar për ta zbatuar ligjin, ka vepruar në mënyrë aktive për ta zhvlerësuar një vendim të mëparshëm të po vetë këtij organi që deri më tash ende supozohej si i drejtë, për sa kohë kritere të qarta nuk i janë dhënë publikut.

Për ta sqaruar më mirë aspektin e nënvlerësimit të ligjit, pyetja që shtrohet është: cilat janë kriteret që u garanton objekteve të mbrojtura nga ligji “Për Trashëgiminë Kulturore” statusin dhe natyrën e tyre juridike brenda këtij ligji? Siç thashë më sipër unë nuk i kam gjetur këto kritere, që me sa duket për çfarëdolloj arsyeje e ka bërë të lehtë vendimin për ta zhbërë vendimmarrjen që i konsideronte këto objekte të mbrojtura nga ligji.

Gjithmonë mund të supozohet se në bazë të kritereve të caktuara, qofshin këto të mirë-argumentuara ose jo, do të kemi raste kur bëhet e domosdoshme që një objekti t’i ndryshohet statusi juridik. Por kjo ndodh kryesisht në favor të zbatimit aktiv të ligjit, dhe jo në të kundërt, pra zhvlerësimit të tij. Një shembull tjetërsimi juridik të një objekti në favor të zbatimit aktiv të ligjit mund të ishte legalizimi i një ndërtimi pa lejë në kuadrin e ligjit për legalizimet. Po ashtu një tjetër shembull mund të ishte edhe prishja e një objekti pa leje si rrjedhojë e urdhrit të gjykatës për një çështje të caktuar, apo të një konflikti me planin urbanistik.

Por me siguri do kishim ngritur vetullat në të dy rastet, po të mësonim se ka ndodhur e kundërta, pra që një banesë ndonëse pjesë e fondit për legalizimet është prishur, çka do të thotë se dikush nuk e ka zbatuar ligjin, apo që, kur një objekt për të cilin një vendim gjykate për t’u prishur sepse është në konflikt me planin urbanistik, është ky i fundit që ndryshohet për ta lejuar objektin, teksa lëshohet një vendim i ri gjykate që e shfuqizon të parin, për të mos e lejuar prishjen. Po të ndodhte kështu, ne me siguri që, ose do të ngrinim pikëpyetje për vendimet e mëparshme, ose do të dyshonim për ndonjë marrëveshje të fshehtë midis aktorëve në zyrën e urbanistikës dhe në gjykatë.

Një shembull apo rast i hamendësuar por edhe specifik që do përfshinte ligjin Për “Trashëgiminë Kulturore” do ishte nëse do të zbulohej që një nga ndërtimet në Ansamblin Arkitekturor dhe Urban në qendër të Tiranës nuk ishte pjesë e kritereve fillestare mbi të cilat është bërë klasifikimi në Ansambël, dhe mbajtja e këtij objekti në ruajtje rrit kostot e mirëmbajtjes pa ofruar benefitet që vijnë nga mbrojtja, dhe rrjedhimisht i shkakton dëme pronarit të këtij objekti. Atëherë ky pronar ankohet pranë Këshillit të Ministrave, dhe ky i fundit duke qenë se objekti nuk i plotëson kriteret, ia tërheq mbrojtjen që ka nga ligji duke parashtruar edhe kriteret për publikun. Edhe në këtë rast të hamendësuar kemi veprim aktiv të ligjit, sepse tërheqja e mbrojtjes ndaj objektit është bërë për arsye të zbatimit të këtij ligji.

Por, kjo nuk është e qartë se është bërë në rastin e Stadiumit Qemal Stafa dhe të Teatrit Kombëtar, sepse është vështirë të besohet se papritur ne zbuluam se këto objekte nuk kanë ndonjë vlerë historike dhe kulturore.

Pra ajo që i bën vendimet e Këshillit të Ministrave  të kontestueshme nuk është vetëm akti juridik i tjetërsimit të objekteve kundrejt ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”, por edhe konsumimi i aktit të prishjes që shkon drejtpërdrejt në konflikt me një ligj që supozohej t’i mbronte këto objekte nga ndërtimet dhe prishja vetëm pak kohë më parë se të merreshin këto vendime, si edhe aspekti i tjetërsimit juridik të pronës.

Si në rastin e projektit të stadiumit Qemal Stafa, ashtu edhe në rastin e Teatrit Kombëtar janë prezantuar dhe po aplikohen projekte të financuara me skemën e partneritet publik-privat. Nuk është e qartë se përse nuk mund të kryhej partneriteti publik-privat pa ndryshuar statusin e mbrojtjes juridike të këtyre objekteve, por është e qartë se tjetërsimi juridik i objekteve në bazë të ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore” ka mundësuar edhe prishjen e objekteve, duke ndryshuar kështu ekuacionin në partneritetin publik-privat, në kuptimin që nuk kemi më një objekt publik në truall publik, por objekt privat në truall publik, çka detyrimisht duhet t’ia ulë potencialin negociues publikut në marrëdhënie me privatin. Por ne këto negociata nuk i njohim, sepse askush nuk duket se po i sqaron këto terma kontratash dhe marrëveshjesh, ndaj edhe unë këtu po spekuloj në bazë të informacionit që jepet në publik.

Sigurisht që në një vend normal ku funksionojnë institucionet duhet ta kishim këtë transparencë, dhe mund ta kishim parë atë në interpelanca parlamentare, në shqetësimin e Presidentit të Republikës, dhe pse jo edhe në raportet e Kontrollit të Shtetit apo Prokurorisë nëse kjo e fundit ndonjëherë do vihet në lëvizje për të tilla gjëra, për sa kohë këto implikojnë drejtpërdrejt Kryeministrin e Shqipërisë. Të gjitha këto duhet për mendimin tim të tingëllonin realiste, nëse vërtet jetojmë në një demokraci përfaqësuese, sikurse supozohet, dhe se organet ligjvënëse dhe ato ekzekutive janë së pari në rolin e administratorit të interesit publik, dhe jo të dëshirave dhe merakeve private. Deri atëherë, edhe kësaj here barra e provës u ngelet intelektualëve, artistëve, qytetarëve dhe publikut.

14 Komente

  1. Shkrimi më nxiti ta shikoj problemin e ngritur ( arbitrariteti pushtetit, mungesa e transparencës për qytetarët dhe grupet e interesit) në një kêndvështrim invers: Ligji tjetërsohet. ..por a nuk do ishte vendimarrësi/ qeveria si vullnet , i Tjetërsuari pêrballë pamundësisë për ndryshueshmërinë e Ligjit ; produktit të vullnetit të saj? Ligji nuk ështê një tabù e pashkelshme – në kuptimin e pandrysheshmêrisë , jo të “shkeljes” si shmangie e tij.
    Sipas këtij arsyetimi , njerzit bëhen të pafuqishëm, të tjetërsuar dhe duarlidhur nga ligji i prodhuar prej tyre.
    Një objekt , i shpallur si vlerë historike dhe pjesë e trashëgimnisë kulturore, nënkupton mirëmbajtjen e tij dhe mbrojtjen nga agjentët natyrorë dhe ndërhyrjet tjetërsuese/ shkatërruese njerzore. Por vjen një moment kur degradimi superon mirëmbajtje dhe ky është një “kriter” kaq i dukshëm në rastin e Teatrit , sa stërhollimet ligjore apo në arsyetim do të ishin të tipit të diskursit teologjik bizantin : A kanë seks , Engjëjt”?
    Statusi i një kalaje si Rozafa , të themi, nuk është i njëjtë me ndërtesën e teatrit, jo vetëm në kohë por edhe në vlera.Edhe Stadiumi Qemal Stafa përtej fasadës ballore, çfarë vlera kulturore mbartëte, me muret dhe shkallët e betonit?
    Po arrijmë në pikën e një arsyetimi religjioz ku Arti apo kultura e zhvilluar në një barakë i dhênkërka barakës një shënjtëri si ato që dikur quheshin “Vëndi i mirë”.
    Gjithë zelli i kundërshtuesve të projejektit për prishjen e ndërtesës aktuale dhe ndërtimin e teatrit të ri, me paranetra moderne për aktorët dhe qytetarët, më duket si ai tironci që nuk pranon të prishi shtëpinë me qerpiç e për të ndërtuar një banesë moderne …sepse Qerpiçi është Historia, Kujtesa , Shtëpia e të Parëve etj.
    Sikur ky zell të ishte zgjuar kur u zaptuan lulishtet, kur u gërryen lumenjtë, malet, kur u shfarosën pyjet , nuk do ishim në këtë derexhe.

    1. Një ligj mund të ndryshohet – dakord. Por ai ligj që e shpalli ndërtesën e Teatrit Kombëtar si monument kulture, u miratua në bazë të një informacioni të caktuar. Në kuptimin që ajo ndërtesë i përmbushte disa kritere të caktuara për të qenë monument kulture. Edhe këto kritere i vendosin njerëzit. Njëlloj ka qenë vepruar edhe me stadiumin Qemal Stafa: kur u shpall monument kulture, kjo u bë në bazë të informacionit që ekzistonte dhe të kritereve. Tani, fare pak vjet kanë kaluar, që nga ajo kohë – dhe me të drejtë mund të pyetet, siç bën edhe Lorjani, se çfarë ndryshoi që i detyroi ligjvënësit ta ndryshojnë ligjin? Vallë doli në dritë ndonjë informacion i ri, i panjohur deri më sot? Apo u konstatua se informacioni i mëparshëm ishte përgatitur nga njerëz inkompetentë? Sepse ligji vërtet mund të ndryshohet, por edhe ata që e bëjnë një ligj kanë përgjegjësi për çfarë kanë miratuar – meqë statusi i Monumentit të Kulturës implikon shumë gjëra, mes të cilave edhe shpenzimin e parasë publike. A do të vihen me shpatulla për muri këta njerëz? A do të kritikohen ashpër ata specialistë që shpallën Monument Kulture ndërtesa që nuk e meritonin këtë status? Si zor. Prandaj, kjo që po ndodh, ose kur një qeveri bën një ligj dhe pastaj vendos ta shkelë, sepse ashtu e sheh të arsyeshme, në fakt tregon se për këtë pushtet ligji nuk është veçse një ekspedient, ose instrument për të zgjidhur probleme të momentit. Dhe kjo do të ishte më e rëndë edhe se shembja e teatrit – sepse do të tregonte se pushtetarët që kemi ende nuk e kanë kuptuar se çfarë është ligji; dhe se janë gati ta shfuqizojnë këtë apo atë ligj, në momentin kur ky i pengon të realizojnë diçka që duan. Mirëpo ligji edhe për këtë kalohet, ose për të frenuar tundimet, lakmitë dhe iluzionet e plotfuqisë; dhe nëse Monumentet e Kulturës mbrohen, kjo bëhet ngaqë ato janë të kërcënuara, nga elementet, nga pleqëria, por edhe nga grykësia e njerëzve. Për ndërtesën e Teatrit është shpenzuar jo pak para publike: besoj se kjo mund të dokumentohet lehtë. Shpenzimet me siguri që janë përligjur me ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë dhe janë miratuar nga instancat përkatëse. Çfarë ndryshoi papritur? Me këtë nuk dua të them se ndërtesa e sotme e Teatrit nuk duhet prekur – nëse është e amortizuar, atëherë duhet ndërhyrë. Mirëpo mënyra si po veprohet tani vë në dyshim edhe arsyet e përdorura deri dje për të përligjur ndërhyrjet dhe investimet restauruese: sepse kush do ta bëjë ekspertizën, për të vërtetuar që ndërtesa nuk mund të shpëtohet? Po ata që dje thanë se duhen ndërhyrje për ta shpëtuar? Apo do të thirret një ekip nga FBI-ja, që t’ia vërë vulën kësaj pune? Ky, pra, është problemi me tjetërsimin e ligjit. Për stadiumin Qemal Stafa kish një mijë mënyra për ta shpëtuar dhe ruajtur me atë fasadë që kishte – një e tillë do të kish qenë zgjerimi dhe modernizimi nëpërmjet thellimit të fushës (shumë stadiume në botë e kanë fushën e lojës NËN nivelin e rrugës). U vendos që të shkatërrohej, me këtë rast iu ndryshua edhe statusi i mbrojtur me ligj, por jo se kjo përligjej nga gjendja e stadiumit vetë. Duke vepruar kështu, si me stadiumin dje ashtu edhe me teatrin sot, publikut i thuhet se ligji është për të vegjëlit, për elektrikun dhe kundravajtjet e trafikut, ndërsa për gjëra të mëdha vepron arbitrariteti i pushtetit. Ose, më mirë, se në këtë vend nuk mund të bëhet asgjë, po nuk u veprua arbitrarisht nga dikush; dhe se ligjin e kemi thjesht si stoli, ose ngaqë na e kanë kërkuar ta kemi.

    2. Pika.S

      Ju thoni:

      por a nuk do ishte vendimarrësi/ qeveria si vullnet , i Tjetërsuari pêrballë pamundësisë për ndryshueshmërinë e Ligjit; produktit të vullnetit të saj?

      Mua nuk më rezulton se qeveria ka pamundësi për të ndryshuar ligjin, Përkundrazi qeveria ka mundëstë më të mëdha se çdo actor tjetër për të propozuar ndryshim ligji në parlament, sepse është ajo që i disponon të gjitha resorset e nevojshme, ekspertizën teknike dhe ligjore.

      Siç thashë në shkrim Ligji nuk parashikon kriteret për rastet kur një objekti i hiqet statusi mbrojtës që i jep ky ligj, qofshin këto proceduriale ose teknike. Parashikon vetëm organin, çka nuk është e mjaftueshme, por që është shfrytëzuar në mënyrë abuzive në këtë rast për të tjetërsuar natyrën e ligjit. Ndërkohë vetë qeveria ka mundësinë të lëshojë akte nënligjore për të përcaktuar kritere, por as kjo nuk është e qartë nëse është bërë.

      Po vazhduam kështu shkrimi im i radhës këtu tek PF kam frikë se do fillojë me fjalinë: Kalaja e Rozafës është objekti i tretë që i është hequr mbrojtja në kuadrin e ligjit Për Trashëgiminë Kulturore. I dyti ishte Teatri Kombëtar. I pari ishte stadiumi Qemal Stafa.

      Ndërkohë na i kurse whataboutism-at dhe dhe argumentat Tu quoque, se kjoskat nuk kanë të bëjnë fare me çfarë po diskutojmë, për ligjin, argumentin dhe logjikën.

      1. Argumenti im ishte brenda temes. Atje ku ti shikon fallacy , unë shikoj një trend më të gjerë, i cili me kauza ambientaliste maskon axhendat politike ose nostalgjinë për të vjetrën e njëjtësuar me historinë dhe kujtesën.

  2. Supas meje situata êshtë kjo:
    Ndërtesa e teatrit , deri tani êshtë mbajtur në këmbë me “furkaçet” e meremetimeve , pra fondeve të dhëna sepse shteti nuk ka patur deri më tash vizion dhe vullnet për një teatër të ri(paratê gjenden, nuk është argument kostua e ndërtimit)
    Por edhe si objekt i trashëgimnisë kulturore.
    Me kalimin e kohës, amortizimi godinës superoi mbi meremetimet. Kush e thotë këtë? Të gjithë aktorët dhe drejtorët e Teatrit.
    A duhet një akt vlerësimi nga ekspertët? Çuli , drejtori, më duket se tregoi njê akt tê tillë.
    Nëse nuk ka një akt nga ekspertët , patjetër që duhet bërë për të qënë ok me ligjin.
    A duhet shfuqizuar me ligj statusi aktual i teatrit si OTK? Patjetër, nëse pretendojmë një shtet ligjor.
    Por ligji si i tillë nuk është tabu. Këtë nenvizova në komentin e parë.
    Në parashtrimin e autorit të shkrimit I mëshohet idesë se prishja e teatrit është antiligjore ( si OTK me status të mbrojtur) dhe aludohet, sikurse nga gjithë kontrasit, se kjo (prishja e T) është vetëm një maskimin dhe legjitimimin e planit për zhvillimin e zonës dhe ngritjen e kullave.
    Për mua personalisht e githë ajo zonë meriton rruspën dhe zhvillimin modern. Dhe bashkë me të e si pjesë e saj edhe ngritja e një tatri të ri.
    Kush do ti paguaj harxhet , paret e hedhura deri tani, pyesni ju? Askush sepse për çdo objekt ka fond amortizimi me ligj. Eshtë njêlloj si dikush t’u thotë mjejëve : tani që më vdiq baba, kush do t’i paguaj lekët që harxhova për kurimin e tij?
    Teatri për më tepër ka funksuonuar por shiko rastin e miliardave që thithi Piramida dhe nuk u bë kurrë funksionale. Ajo është shembulli pastër i rrumpallës, arbitraritetit dhe korrupsionit të pa ndëshkuar.
    Stadiumi ishte marshalla nga pikpamja e qëndresës , edhe dy qind vjet jetonte ashtu. Por ishte jashtë standarteve si kapacitete dhe infrastrujturë , i parë nga ardhmëria.
    Mund të bëhej një stadium i ri andej nga Bregu Lumit apo në Yzberisht. Por ja ku dalim tek hija e kullës që na ndjek pas.
    Minarja dhe Kulla e Sahatit , si shënjues të botës orientale, do të bien nën hijen e kullave të modernitetit . Ky është zhvillim tha Genc Ruli.

    1. Edhe mua nuk më duket ndonjë hata që të shfuqizohet një ligj. Por shfuqizimi i ligjit, i çfarëdo ligji, normalizohet vetëm në kontekstin ku vepron Ligji (me L të madhe): pra, kur të dalin para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me fondet për “mirëmbajtjen” e monumenteve të tilla, të cilat tani rezultokan të pashpëtueshme. E njëjta gjë edhe për Piramidën dhe për ndërtesa të tjera të ngjashme. Sepse nëse nuk bëhet kjo, atëherë rrjedh se ligji për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore paska funksionuar si ligj për të lejuar dhe normalizuar abuzime.

        1. Vë re se Ceka thotë që arkeologët nuk janë pyetur për vendimin e ndërtimit të restorantit në Butrint.

          Nëse është e vërtet Ministrja e Kultrës duhet të jap dorëheqjen, dhe t’i hapë rrugë hetimit të prokurorisë ashtu siç thotë edhe Ceka.

            1. Në fakt kur ligji nuk i lejon, këta nuk denjojnë as ta ndryshojnë. Dhe kjo jo sepse nuk munden, por për shkak të hubris apo arrogancës. Këta i bëjnë karshillëk ligjit. Nuk ja kanë frikën!

  3. International Committee for Documentation and Conservation of Buildings, Sites and Neighborhoods of the Modern Movement – bashkëpunëtor i UNESCO, i kërkon Kreyministrit nëpërmjet një letre të për ta ruajtur Teatrin Kombëtar si një monument i arkitekturës moderne në Shqipëri.

    Kjo hedh poshtë argumemtin dhe vlerësimet e qeverisë nëpërmjet VKM-ve se kjo ndërtesë nuk ka vlerë historike, pasi tashmë është certifikuar e tillë nga një organizatë ndërkombëtare e lidhur me UNESCO. Ndërkohë që qeveria nuk ka dhënë asnjë argument se përse i është hequr mbrojtja Teatrit Kombëtar dhe është tjetërsuar ligji Për Trashëgiminë Kulturore.

    Kjo letër i hap rrugën ligjore të anullimit të VKM-së nëpërmjet gjykatës, nëse nuk bëhet më parë nga vetë Këshilli i Ministrave.

    Ndërkohë Ministrja e Kulturës bën mirë të japi dorëheqjen, së bashku me specialistët përgjegjës të Institutit të Monumenteve që kanë lejuar këtë situatë të shkojë deri këtu.

  4. Lorjan Agalliu autori i shkrimit,Ardian Vehbiu e vënë gishtin tek plaga”Ne emer te ligjit,behet kerdia”shoqeruar me “art pamor” nga Butrinti.Po hotel Dajti,na ishte nje here,nuk kishte nevoje per nje restaurim,por sigurisht do te shperfytyrohet ne emer te ligjit,mjaftojne pankartat ilustruese,ne rrethimin e ishhotelit,pjese e Ansamblit te trashegimise kulturore,te mbetur gjate pushtimit ltalian.

Lini një Përgjigje te Pika.sAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin