RRUGA DREJT LIRISË KALON NGA ÇMENDURIA

nga Gresa Hasa

Më 1964, Joseph Brodsky asokohe 24 vjeç u diagnostikua me skizofreni të avashtë (progresive) nga psikiatri Andrei Snezhnevsky. Snezhnevsky nuk e vizitoi personalisht poetin, paçka se urdhëroi që ai të mbyllej në spital, ku do të trajtohej në mënyrë çnjerëzore. Skizofrenia e avashtë (ang.: sluggish schizophrenia; rus.: vyalotekushchaya shizofreniya) nuk është tamam sëmundje. Nuk ka ekzistuar kurrë, mirëpo në Bashkimin Sovjetik pati një periudhë kur spitalet psikiatrike shërbyen si vende për të grumbulluar disidentët politikë; dhe për këta disidentë të mbyllur në spital, duhej shpikur edhe një diagnozë. Rebelët identifikoheshin kështu si të sëmurë mendorë, me justifikimin se nuk ekzistonte asnjë shpjegim logjik, se dikush duhej të ishte i sëmurë mendërisht, që t’i kundërvihej një sistemi shoqëror dhe politik të (vetë)shpallur si më i miri në botë. Në kushtet e një numri të konsideruar të “çmendurish”[1], nevojitej një diagnozë për ta justifikuar izolimin dhe torturimin e tyre e njëkohësisht për ta zbutur imazhin e sistemit si të dhunshëm me qytetarët e vet. Dhuna nëpërmjet institucionalizimit psikiatrik dukej sikur kishte fytyrë më të njerëzishme. Shtypja kamuflohej nën imazhin dashamirës të mjekësisë, pavarësisht se mjekët nuk i betoheshin më Hipokratit, por Partisë.

Ekspertët që janë marrë me studimin e kësaj çështjeje besojnë se ky koncept u zhvillua nën urdhërat e shërbimit sekret rus (KGB) dhe Partisë Komuniste dhe u përdor ekskluzivisht në disa vende të Bllokut Lindor deri në rënien e sistemit më 1989. Nën udhëheqjen e psikiatrit Andrei Snezhnevsky, simptoma të skizofrenisë së avashtë u konsideruan pesimizmi, konflikti me autoritetin dhe një adaptim social i dobët. Diagnostikimi bëhej kryesisht te “pacientë” të cilët nuk vuanin nga asnjë çrregullim psikotik, me premisën se këto do të shfaqeshin veçse më vonë, në çfarë paraqitej si “shkallë e avancuar e sëmundjes”. Kur gazeta “Leningradi i Mbrëmjes”[2] e cilësoi krijimtarinë e Brodsky-t si “pornografike” dhe “anti-staliniste” e poetin e nxorën para trupit gjykues, akuza që iu bë ishte “parazitizmi social” dhe se ai nuk po kontribuonte me “punë të vërtetë” për atdheun, prandaj kishte nevojë për mbikëqyrje mjekësore.

Në Shqipërinë e Hoxhës nuk u aplikua e njëjta metodë ndaj kundërshtarëve të regjimit, paçka se qenë jo të paktë ata që u konsideruan të sëmurë pa qenë realisht të tillë. Një shembull do të ishte rasti i Kasem Trebeshinës: besohet se ekzistonin dy qëndrime ndaj shkrimtarit, me njërën palë që ngulte këmbë se Trebeshina nuk ishte i sëmurë dhe se duhej dënuar për opozitarizmin e shfaqur, ndërsa pala tjetër, kushedi më dashamirëse ndaj tij, kërkonte që ai të diagnostikohej si i sëmurë mendor, për t’i shpëtuar burgut. Në totalitarizmin shqiptar kemi të bëjmë me një situatë të ndryshme nga ajo në Bashkimin Sovjetik: për t’i shpëtuar burgut apo internimit të të gjithë familjes, shumë persona hiqeshin si të sëmurë ose të afërmit e tyre i trajtonin ata kësisoj. Kjo funksiononte si metodë mbrojtjeje: “të shenjuarit” mund të shtroheshin në spitalin psikiatrik ose të pajiseshin me kartelën që i identifikonte ata si të paaftë mendërisht. Për pasojë, familja nuk rrezikohej më; as ata vetë. Askush nuk kishte më interes të merrej me një “të çmendur”. Padyshim, kjo kërkonte marrëveshje të heshtur me mjekët. Paçka se metoda sovjetike nuk u aplikua në mjekësinë shqiptare asokohe, mbetet për t’u zbuluar nëse pati ndonjë tentativë për ta integruar atë dhe pse apo në çfarë rrethanash kjo gjë nuk u krye.

Për herë të parë me fenomenin e abuzimit politik të psikiatrisë, sikurse me informacione të mëtejshme për kontekstin politik në të cilin vepronte psikiatria në Shqipëri, jam njohur nëntorin e shkuar në një takim të zhvilluar në qendrën sociale Logu i Shkëndijes, ku i ftuari i mbrëmjes, shkrimtari dhe publicisti Ardian Vehbiu, ligjëroi për lirinë e fjalës duke e trajtuar atë nga dy perspektiva: të shkuarën diktatoriale dhe të tashmen quasi demokratike. Vehbiu solli fakte interesante dhe një këndvështrim origjinal në bisedë, duke u bazuar kryesisht në hulumtimet e tij eseistike për këtë temë, të cilat i gjeni këtu[3] sipas radhës kronologjike.

Më ngacmoi në këtë trajtim marrëdhënia ndërmjet lirisë së individit (e bashkë me të, lirisë së fjalës) dhe paranojës së pushtetit ndaj saj. Paçka se sot i përkasim një realiteti krejt tjetër nga ai i 27 viteve më parë, marrëdhënia me lirinë në Shqipëri mbetet sfiduese dhe konfliktuale. Në konfrontimet me qeveritë e reja pas viteve ’90, nuk kanë qenë të rralla rastet kur persona të cilët “i kanë dhënë gojës” kanë përfunduar të vrarë, të dënuar, të kërcënuar, të stigmatizuar apo thjesht të rrezikuar. Më 21 janar 2011, katër vetë u qëlluan për vdekje në sheshin para kryeministrisë, sepse kishin dalë të protestonin kundër qeverisë Berisha asokohe. Jo më larg se në nëntor të vitit 2016, tetë studentë u dënuan nga shteti me dy muaj burg secili, vetëm sepse ngritën zërin dhe protestuan kundër një sjelljeje dhe vendimi qeveritar që ata e argumentonin si të dëmshëm për arsimin në vend dhe për statusin e tyre si studentë.

Lirisë së fjalës nuk mund t’i referohemi si të tillë, nëse ajo nuk shoqërohet me veprime konkrete apo nëse nuk nxit situata që shkojnë përtej metafizikës së saj. Përndryshe, fjalët e thëna që s’do ta tejkalonin vetveten, nuk do të trondisnin askënd, mbi të gjitha nuk do t’ia gërvishtinin pasigurinë pushtetit. Ajo se çka e përcakton lirinë e të shprehurit, është hapësira dhe mënyra e manifestimit të kësaj lirie, e cila mund të variojë nga një shkrim denoncues në gazetë, te spërkatja me salcë e një ministreje, thirrja me megafon përpara dyerve të institucioneve, konfrontimi me policinë në rrugë apo të shprehurit në një studio televizive. Publikja bëhet ena mbajtëse e lirisë dhe ballafaqimi brenda kësaj sfere, përcaktuesi i ekzistencës dhe respektimit të saj në shoqëri.

Hannah Arendt përqëndrohej pikërisht te raporti midis veprimtarisë së lirë politike dhe të folurit në publik, kur kritikonte marrëdhënien përjashtimore aristoteliane në polis, ku vetëm një pjesë e privilegjuar gëzonte të drejtën për t’u përfshirë në diskutimet që zhvilloheshin në agorën publike, ndërsa pjesa tjetër shihej si inferiore dhe e paracaktuar natyralisht për të qenë e nënshtruar. Nëse hapësira publike është e kyçur për një pjesë të njerëzve dhe ata s’gëzojnë lirinë për t’u shprehur, mungesa e lirisë së fjalës e komprometon veprimtarinë politike. Mohimi i fjalës – shenjuese kryesore për njeriun si qenie politike – ia heq këtij mundësinë për t’u shprehur dhe ndryshuar ose mbrojtur pozitën e tij shoqërore (rasti i diktaturës së Hoxhës ku regjimi e vrau lirinë dhe ia doli që, deri në rrëzimin e sistemit më 1990, të mos kishte disidentë).

Pushteti sot në Shqipëri e ka trashëguar paranojën nga ai paraprijës dhe e shfaq sa herë që e sheh veten të rrezikuar, edhe nëse kjo do të nënkuptonte bërjen bashkë të protestuesve/kundërshtarëve dhe organizimin në një rreth serioz qytetarësh të revoltuar, të cilët fitojnë dalëngadalë terren dhe status politik apo në një rast më ideal, rriten gjithashtu ekonomikisht duke e përforcuar luftën me klasën lart. Është në interes të pushtetit që ai të reagojë sa më herët, me të pikasur shenjat e para të aftësisë për t’u zhvilluar të shumë subjekteve në dukje të pafuqishme. “Hekuri rrihet sa është i nxehtë”, thotë një fjalë e urtë. Prandaj, përpara se të shkohet në arbitraritete si burgosja apo shpallja konkrete e kundërshtarëve si deviantë e në një çast të pashpresë dhe ekstrem, tek ekzekutimi fizik apo dëbimi i tyre nga vendi, pushtetarët në regjime tiranike ose thjesht të pakonsoliduara demokratikisht, së bashku me aparatin represiv, sulmojnë në fillim integritetin moral të individëve apo grupeve që i identifikojnë si armike. Këto janë kryesisht sulme ad hominem që kanë për qëllim vënien në pikëpyetje të besueshmërisë së tjetrit, shëndetin e tij emocional dhe mendor.

Frazat e përsëritura si: “Ju s’ia keni haberin!”, “Ju nuk kuptoni!”, “E ka lënë mendja, ndaj i jep gojës pa fré”, “Vetëm një i marrë flet/reagon kështu!”, “Më akuzon se është i rrjedhur! Fjalët e tij s’mund t’i marrim për bazë!”, etj. kanë zënë vend qendror në ligjërimin politik shqiptar të pas ’90-ës. Paçka se këtu kemi të bëjmë me një kontekst metaforik dhe/ose simbolik, thelbi mbetet i njëjtë: të kundërshtosh regjimin në kapitalizëm të bën jo më pak të çmendur se të kundërshtoje regjimin në komunizëm. Kjo marrëzi “e re” nuk shoqërohet me patjetër me burgosjen apo mbylljen në një institut për të sëmurë mendorë, por ruan në vetvete karakteristikat e ngjashme të tentativës për ta izoluar tjetrin nëpërmjet stigmatizimit, përjashtimin nga rrethet e gjera konformiste, dhunën e vazhdueshme verbale; tjetërsimin e fjalëve të tij e të paraqiturit e tyre në mënyrë të ekzagjeruar ose të reduktuar mjaftueshëm sa për ta goditur atë më lehtë. Gjithashtu, spini politik, dikotomitë false e një sërë formash të tjera të imponimit të propagandës, kontribuojnë për ndrydhjen dhe sulmimin e “rebelëve” të padëshiruar. Të gjitha këto janë të vlefshme deri në çastin kur pushtetin nuk e shkel fort në kallo, përndryshe ai di të ta tregojë vendin pa iu druajtur qoftë drejtësisë, qoftë moralit.

Ndërkohë, pushteti i tanishëm ka insistuar në ndarjen vertikale “ne dhe ju” ku referenca ndaj vetes ofrohet si ajo e “zotëruesve të së vërtetës” ndërsa qytetarët kritikë trajtohen si “të marrë, të painformuar e të paditur”. Politikanët tanë nuk reshtin së na treguari se si e mira e përgjithshme sipas versionit të tyre për të, është që ne ta qepim gojën e të dëgjojmë se ç’kanë ata për të thënë, se ata dinë më mirë, gjë që duket se legjitimon edhe mungesën e komunikimit mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve, duke e kthyer kokëposhtë se kush vendos për kë e kush i shërben kujt.

Një shembull për rastin është përplasja e bujshme e kryeministrit me një kuratore dhe historiane arti në mjediset e galerisë Marian Goodman në Manhattan (New York), kritikës së të cilës për abuzimin e tij me pushtetin dhe shfrytëzimin e postit për të promovuar artin vetjak[4][5], Rama iu përgjigj duke u shprehur se ajo thjesht “nuk merrte vesh”. E ngjashme ishte gjithashtu qasja e tij në nëntor 2015[6], ndaj vajzave studente që protestuan kundër reformës së qeverisë në arsimin e lartë, ku kryeministri përpos se i ofendoi, u orvat t’i nxirrte ato si të painformuara e të paditura. Ky qëndrim arrogant, në pamje të parë mund të duket ndoshta i patëkeq por në fakt, përbën një metodë dinake e sistematike për të sulmuar dhe degraduar ata që kundërshtojnë figurën e autoritetit dhe fatkeqësisht nuk kufizohet veçse te mungesa e kulturës së këtij kryeministri, por te mënyra e të funksionuarit të klasës sonë politike në tërësi. Të paraqiturit e tjetrit si të paaftë ose qesharak në publik, mëton ta zhvlerësojë atë duke e dobësuar në sytë e një turme të etur për spektakël. Konfirimi i turmës ia përforcon qëndrimin sunduesit e bashkë me të pushtetin.

Pushteti – në të gjitha kohërat – duket se ka vazhdimisht nevojë për njerëz të çmendur për të rikonfirmuar vetveten në sytë e atyre që i trajton si të arsyeshëm, të cilët nuk mund të jenë veçse të bindurit, pasi arsyeja e pushtetit nuk e logjikon ndryshe shëndetin mendor. Nga ana tjetër, kjo përqasje ndaj racionales, sikur kërkon t’i mbushë mendjen të nënshtruarve për statusin që kanë, gati duke e bërë nënshtrimin dhe shtypjen t’i përngjajë një lloj nderi që çizmja e hekurt i bën kurrizit poshtë saj.

Liria është ndërmarrje e rrezikshme dhe që të bëhesh i lirë nevojitet të pranosh të jesh i çmendur, por jo shumë i çmendur sipas pushtetit, jo aq sa ta rrezikosh këtë të fundit. Megjithatë, edhe thjesht fakti që ne jetojmë, thoshte Brodsky, s’na shpëton nga sëmundja.

(c) 2018, autorja


[1]Departamenti Sovjetik i Shkencave dhe Edukimit, pati deklaruar se numri i të sëmurëve mendorë të diagnostikuar si skizofrenë kishte qenë rritur nga 2 milion më 1966, në 3.7 milion më 1971. Në 1980, Bashkimi Sovjetik diagnostikonte si skizofrenë tri herë më shumë pacientë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dyfishin e numrit të tyre në Gjermaninë Perëndimore, Austrinë dhe Japoninë. Moska paraqitej me shtrirjen më të gjerë të sëmundjes se çdo qytet tjetër në botë.

[2]Vecherny Leningrad

[3]https://peizazhe.com/2017/07/16/26113/

[4]https://peizazhe.com/2016/11/15/veza-pulen-apo-pula-vezen/

[5]https://peizazhe.com/2016/11/18/me-e-keqja-e-censures-eshte/

[6]http://kma-news.com/2015/11/selia-e-kryeministrise-rrethohet-me-police-studentet-nisen-protesten/

4 Komente

  1. Mjafton libri me poezi,por kryesisht ne forme ditari,i Drita Çomos per te kuptuar,lengaten e pasosur te se ndjeres,neper spitale ne pamundesi per te takuar prinderit,gjithmone nen mbikqyrje te rrepte,ke takonte sesi sillej, vepronte fliste,ne lule te moshes e varrosur per se gjalli,pa kurrfare meshire,per tia lehtesuar dhimbjet e trupit e te shpirtit,sadopak per hir te moshes se re vajzerore.Jo me kot rrefimi i Drita Çomos eshte krahasuar,me ditarin e 14vjeçares hebreje,Ana Frankut per nga tronditja qe te shkaktojne,mizoria e regjimeve diktatoriale,te çfaredo ngjyre qofshin.Perpara Drita Çomos nje lengate te parrefyer,perjetoi Musine Kokalari,per fajin e vetem se metonte,si zgjidhjen me te duhur,per nje vend te vogel si Shqiperia,udheqjen nga nje Parti Socialdemokrate,pa permendur ziline e verber te Diktatorit,te padiplomuar ndaj bashkqytetares se tij,nje shembull diturie te perkore, ne shume fusha te artit kultures shkencave sociale,shto njohjen e disa gjuheve te huaja.U semur ne burg,perkeqsohej dita dites,ne mungese te barnave te duhura,qe nuk mungonin per komunistet e perbetuar,shto ketu kurimet jashte shetit shqiptar.Çfare vlere kishte per keto gra apo te tjera,te shtireshin si te lajthitura,kur vete rregjimi komunist i trajtonte si te tilla,paramendo burrat,ndaj te cileve shtypja trysnia,e gjitha formave ka qene edhe me e eger,kur nuk kurseheshin aspak grate.Nje ligjerim mbreselenes plot referenca,nga E.Pira dhe A.Vehbiu,duke e lidhur te shkuaren,me aktualitetin27 vjeçar pas 90-tes,lidhur me gjakimin e panderprere,drejt lirise se te shprehurit.

    1. Adriatik, ndreqjen e bëra unë, por duhet të fillosh të vendosësh hapësira pas pikave dhe presjeve, sepse kështu si e bën tani, komentet e tua nuk lexohen dot.

      Ta kemi kërkuar disa herë. Duam që të komentosh në këtë faqe, por ty të bie të zbatosh edhe disa rregulla elementare të shkrimit për të tjerët.

      Edhe një korrigjim tjetër: shkrimi më lart është nga Gresa Hasa.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin