FITORE NË BERLIN

Këto ditë po zhvillohet, në Berlin, Turneu i Kandidatëve 2018 – me tetë pjesëmarrës të kalibrit të lartë, që ndeshen mes tyre për të përcaktuar se kush do të sfidojë Kampionin e Botës në fuqi, Magnus Carlsen, në nëntor 2018, në Londër.

Lojërat e turneut mund të ndiqen live në sajtin e Chess24 ose në atë të ChessBase ose në chess.com.

Sot, dy nga shahistët më të mirë në sens absolut, rusi Kramnik (që ka qenë kampion botëror në vitet 2000-2007, pasi shfronësoi Kasparovin) dhe armeni Aronian (për shumë vjet mes 10 më të mirëve në botë), u përballën në një lojë spektakulare, të destinuar për antologjitë; edhe pse Kramnik, që luante me gurët e zinj, e mori iniciativën që në fillim, pa i dhënë kundërshtarit asnjë shans për t’u kthyer në lojë.

Aronian u dorëzua në lëvizjen e 27-të.

Lojën e komentuar mund ta ndiqni këtu; për t’u shënuar se që në lëvizjen e 18-të rusi kish siguruar një avantazh të fortë, me … f5.

Pozicioni pasi Kramniku (i ziu) lëvizi ushtarin në f5.

Në intervistat pas ndeshjes, Kramniku rrëfeu se e kish përgatitur prej kohësh variantin me …Tg8 dhe veç po priste rastin për ta përdorur; dhe se, në çdo rast, u habit që ky rast i erdhi me Aronianin, i cili zakonisht nuk e fillon lojën me e4, kur luan me të bardhat.

Gjithsesi, armeni u kap i papërgatitur dhe kapitulloi në mënyrë të pabesueshme.

Pozicioni një lëvizje para se Aroniani të dorëzohej meriton vëmendje: dama e bardhë, një nga torret dhe kali nuk bëjnë dot absolutisht asgjë, për të penguar matin.

Pozicioni para lëvizjes së fundit. I bardhi nuk ka mbrojtje ndaj g3-g2.

Këtu Kramniku lëvizi ushtarin në g2 dhe i bardhi u dorëzua menjëherë.

Kuriozitet: Kramniku zgjodhi t’i përgjigjej hapjes Ruy Lopez (ose spanjolle) të së bardhit me një version të njohur si Mbrojtja Berlin, i cili zakonisht shpie në pozicione të mërzitshme, që përfundojnë barazim. Por me sa duket qyteti ku po zhvillohet turneu – Berlini – i solli mbarësi.

(në kopertinë: Aroniani gjatë lojës)

(c) 2018, Peizazhe të fjalës.

5 Komente

  1. Nuk i kuptova levizjet e te bardhit nr 16, 22 dhe 23. 16 dama kthehet mbrapsht pa u marre me nje hapesire te kote, cka i solli humbjen e 3 levizjeve para se ta kthente mbrapsht. 22 dama levizej djahtas per perforcim te ushtareve para mbretit nen kercenim dhe lejim hapesire per kalin dhe torren qe flinin majtas. 23 nuk e kuptova, sepse pas te bardhit 22 torra i ngriu funksionet si Basha ne korrik..

    Me shume sesa spektakolare, pa i hequr asgje Kramnikut, duket se i bardhi nuk e kishte kthjelltesine per t’u ulur ne tryeze. Pastaj besoj se i jane bere komentet lojes, po prej dames se bardhe levizja 16, avantazhi qe perfitoi i ziu ishte me shume qyl, sesa merite.

  2. Me sa kam parë edhe në analizat e tjera, Aroniani u kap i papërgatitur me hapjen e Kramnikut (dhe pikërisht me lëvizjen Tg8) dhe u hutua. Këta janë lojtarë jashtëzakonisht të fortë – prandaj është habi e madhe kur kapitullojnë kështu. Por edhe ndodh.

    Shihe edhe këtë analizë:

    https://www.chess.com/news/view/fide-candidates-tournament-r3-kramnik-beats-aronian-in-brilliant-style

    Për nga dinamika, nuk di pse m’u kujtua kjo lojë e njohur e vitit 1941:

    http://www.chessgames.com/perl/chessgame?gid=1032050

    Për kampionatin absolut të Bashkimit Sovjetik. Keres ishte aso kohe “astro nascente” i shahut botëror; deri një vit më parë, luante për Estoninë, por pastaj, kur BS-ja e gëlltiti Estoninë, kaloi me draprin dhe çekanin. Thonë se ajo humbje e lëndoi kaq thellë, sa që nga ajo kohë i humbi shpresat për t’u bërë ndonjëherë kampion bote; edhe pse doli kampion i Bashkimit Sovjetik shumë herë.

  3. Një lojë e ngjashme, këtë herë për nga koncepti, është ajo midis Bent Larssenit dhe Boris Spaskit, në vitin 1970, kur këta të dy ishin njëri në super-elitën e shahut botëror, tjetri kampion bote.

    http://www.chessgames.com/perl/chessgame?gid=1128831

    Loja, që përfundoi për 17 lëvizje, ka hyrë në histori për shahun që dha Spaski me torre, në lëvizjen 14…. Th8-h1, fill pas pozicionit në diagramin më poshtë.

    1. Gjeniale kjo e Spaskit, duke nisur qe nga kali i trojes ne g4. I bardhi ishte nje levizje prapa ne çdo hipoteze
      Ajo analiza me lart mu duk shume entuziaste. I bardhi 16 ishte katastrofe e vullnetshme, duket se kishte ne plan te prishte rokaden e madhe te te ziut, sulm i llogaritur keq. Gjithsesi kuptohet qe ne keto nivele po nuk shkoi njeri te rokada e madhe, lojerat perfundojne rendom ne rremi.
      Keresi e paska marre kot me inat, nje rokade e madhe kur nga ai krah je vullnetarisht i hapur e i pambrojtur perben eksperiment, keshtu qe humbja ne eksperiment nuk duhet te dhembe kaq shume. Hapja e tij ishte relativisht e zakonshme dhe rregullisht shoqerohet me rrokaden e vogel.
      Ky linku me shtyu te shoh gjithe ndeshjet Spaski-Fisher te 1972, u gjenda qe beja tifo per Spaskin, edhe pse e kishte humbur luften, ndoshta shkolla sovjetike e shahut 🙂

  4. Shume loje interesante. Shikojeni para levizjes 7 Rg8, te Kramnik, te gjitha figurat e te ziut jane apo mund te behen aktive, hiq torren ne A8. Aronian shkembeu filin e bardhe para 2-3 levizjesh – shume gabim. Do i duhej per te mbrojtur kutite e bardha, gje qe nuk e ben dot mbreteresha pa u shkembyer.

    Si levizje madje, 7 Rg8, nuk eshte aq e guximshme sa levizje e zgjuar. I ziu ka mundesi te beje rokaden ne anen e majte me nje levizje fili. Kjo i lejon qe ne menyre dinamike te ndryshoje kursin e lojes dhe te mbrohet.

    Thuhet ne teorine e shahut se rokada nuk duhet bere shpejt sa ti tregoje kundershtarit qellimet qe ke. Gjithashtu i bardhi nuk kishte marre qendren – vetem aty mund te ndryshonte kursin e lojes – po kjo gje ishte e permendur ne komentet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin