RAMALOG III: TOWN HALLS

Komunikimi politik i E. Ramës është një objekt interesant studimi për të kuptuar se si metodat amerikane të marrëdhënieve me publikun zbatohen në Shqipëri dhe i përshtaten personalitetit të udhëheqësit. Nga analizat e mëparshme (Rama 1 & 2), Rama rezultonte më i suksesshëm se Sali Berisha dhe Lulzim Basha, pasi prezantimi i tij në Facebook tërhiqte një numër të madh reagimesh. Televizioni ER-TV dhe kuvendimet me popullin, town halls, janë dy të tjera momente interesante për tu analizuar.

Për të siguruar pavarësinë nga mediat dhe ruajtur konsistencën në përcjelljen e imazhit, ai krijoi një kanal televiziv digjital, ERTV (me paratë e shqiptarëve!). Por, suksesi i kanalit në Youtube ka qenë i vakët, sikurse edhe prezantimi i tij në Facebook. Numri i të abonuarve në kanalin në Youtube ERTV është 269, numri i videove është 44 (përfshirë edhe ato me transmetim direkt disa orësh), numri i shikimeve ka qenë rreth 1150 për të gjitha videot. (Për krahasim me TV Klan: krijuar në 2011, rreth 300 mijë abonime, 34 mijë video e 450 milion shikime në total). Në Facebook ERTV ka tërhequr më shumë vëmendje, por kjo ka ardhur në zbritje që prej zgjedhjeve të korrikut 2017 (shih grafikun). Luhatjet e mëdha në reagime (përjashto mobilizimin e militantëve dhe administratës publike gjatë zgjedhjeve) dëshmojnë se popullariteti i Ramës ka rënë.

ER-TV dhe Facebook i Edi Rames, 2017- Shkurt 2018

Imazhi i Ramës ndryshon hera-herës, sikurse edhe strategjitë e tij. Kjo tregon se, ai ka guxim të eksperimentojë me instrumente të ndryshme marketingu. P.sh. imazhi në tentativë si “mësues i popullit”, që ushqente publikun me kulturë (Amarcord), nuk rezultoi i suksesshëm. Tanimë roli i tij ka ndryshuar. Ai ka veshur kostumin e pushtetarit të fuqishëm e të gjithëdijshëm. Edhe prirja për të goditur kundërshtarët me batuta, është në funksion të imazhit si i gjithëdijshëm. Këtë imazh ai e përcjell në kuvendimet me popullin, duke e përdorur konceptin e town halls thjesht si mjet marketingu.

Town halls janë mbledhje të politikanëve me elektoratin për të dëgjuar apo diskutuar çështje të ndryshme politike. Të kryera edhe online, këto janë ndër format më moderne të angazhimit qytetar dhe demokracisë pjesëmarrëse. Sipas studiuesve (shih Neblo et al., 2017), këto forume debatesh (deliberative) premtojnë të zgjidhin disa prej problematikave që dëshmon demokracia perëndimore sot (besimi i ulët te politikanët, polarizimi, pabarazia etj.). Forume të tilla përbëhen nga individë të ndryshëm (në opinione e interesa) dhe ato duhet të krijojnë mundësi për të ndikuar mbi vendimmarrjen. Nga një studim i Minozzi et al. (2015) i mbi 20 town halls të kryera online, me disa anëtarë të Kongresit amerikan, rezultoi se këto forume ndikojnë mbi perceptimin e zgjedhësve ndaj kandidatëve. Autorët gjetën se, këto takime ndikonin pozitivisht në të tre dimensionet e bindjes (në qëndrimin ndaj një çështjeje, në qëndrimin ndaj kandidatit dhe në sjellje, si p.sh. në pjesëmarrjen politike). Gjithashtu, pjesëmarrësit e këtyre forumeve priren të ndërrojnë mendim, nëse përballen me argumente bindëse.

Formatet e organizimit të town halls janë pak a shumë standard: njoftimi paraprak (apo shpërndarja e një broshure) mbi çështjet që do të diskutohen; nisja e bisedës nga moderatori duke parashtruar qëllimin dhe prezantuar të pranishmit apo panelistët; vijimi i diskutimit me pyetje e përgjigje. Shkurtimisht, në këto lloj forumesh pritet që udhëheqësit të dëgjojnë më shumë e të flasin më pak.

Por për Edi Ramën, organizime të tilla bëhen me synimin që ai të dëgjojë veten. Edi Rama ka vendosur përdorimin e online town halls që ai të flasë dhe të paraqitet më shumë në media. Nëse Berisha dilte në çdo përurim e çelje takimesh pa rëndësi dhe dehej nga turmat gjigande, Veliaj del disa herë në ditë në media duke mbjellur nga një pemë, Rama e kërkon përditë audiencën e pranishme fizikisht. Takimi i tij i fundit me Senatin Akademik të Universitetit të Tiranës dëshmoi epshin e tij për të tilla takime, ku ai ka mundësi të dëgjojë jehonën e zërit të vet. As miratimet servile të ish-administratorëve nuk ja lëngëzuan dot veshin aq sa kumbimi i romuzeve e batutave të veta.

Mbledhja, që u transmetua direkt nga ER-TV, nuk ishte e qartë se pse ishte thirrur.  Nuk kishte një agjendë, e as moderator. Nga dy orë takim, kryeministri foli vetë plot një orë, ndërsa ministrja e arsimit, znj. L. Nikolla foli 20 minuta. Pjesa tjetër e bisedës u nda kryesisht ndërmjet dekanëve të dy fakulteteve, ish-administratorë (ish-rektor, Dhori Kule, Fakulteti i Ekonomisë, dhe ish-drejtor juridik, Artan Hoxha, i Drejtësisë), të cilët më së shumti u dhanë zë letrave të dërguara më parë me ankesa ndaj rektorit të UT, si dhe brohoritën e përgëzuan kryeministrin. Në mes të ndërprerjeve të shpeshta, folën vetëm dy pedagogë, rreth gjashtë minuta gjithsej.

Shperndarja e kohes gjate takimit te Edi Rames me Senatin Akademik te Universitetit te Tiranes, Shkurt 2018

Sipas prof. Dh. Doka (Gazeta Shqip, 20 Shkurt 2018), takimi ishte thirrur në mënyrë të beftë dhe për një diskutim të një organizimi (Forumi i Pedagogëve për Liri Akademike) që nuk kishte lidhje me Senatin Akademik. “Me arrogancën që e karakterizon, ai [Edi Rama] nuk u ndal jo vetëm me retorikën dhe delirin e tij, por edhe me fyerje, tallje e përçmime. E kishim dëgjuar kështu në takimet “gju më gju” me popullin, ku pyet si janë me hashashin, gruan se si shkon me burrin etj., por që do sillej edhe me profesorët e senatit akademik kështu[!]” – habitet prof. Doka.

town hall me senatin akademik të UT, Rama qartazi kishte ngatërruar audiencën, ose audienca e tij parësore ishte ajo e ER-TV. Gjatë takimit, Rama ndoqi të njëjtën strategji retorike. Ai lëshoi sound bites të gatshme për mediat, llokma gjysëm të gatuara për “mediat e kazanit”, siç i quan ai. Këto sound bites shërbejnë kryesisht për të ankoruar vëmendjen publike (e të medias budallaqe) në disa aspekte të përzgjedhura, duke lënë mënjanë ligjërimin mbi thelbin e çështjes në diskutim. Në rastin e mbledhjes me senatin akademik të UT, thelbi ishte pakënaqësia e profesoratit me qeverisjen e arsimit të lartë në vend, në nivel institucioni dhe në atë të politikave kombëtare. Sound bite kryesor i Ramës ishte me fjalë të tjera se, autonomia e universitetit përbënte problem administrativ, pasi pedagogët e administratorët nuk ishin mësuar me të në këtë formë kaq të zgjeruar. D.m.th., fëmija rrëzohet kur nis të ecë. Ndërsa sound bites të tjerë ishin: tundja e flamurit dhe pavarësia e UT, ligji nuk ndryshon, UT është bishti i fundit i kavallit, pedagogët po vdesin për bukën e gojës, të keqen gjejeni mes vedi etj.

Një prijës i mençur mundohet të kuptojë ngjarjet duke reduktuar kompleksitetin në disa variable dhe duke u fokusuar tek ata faktorë që ai mund t’i ndryshojë, qoftë edhe simbolikisht. Por, edhe pse kjo metodë mund të shërbejë në fushatat elektorale kur parashtrohen alternativat politike, ky lloj diskursi reduktues nuk vlen kur audienca konsiston në profesorë universitetesh (që sipas Ramës janë “mbi nivelin mesatar të inteligjencës”). Për këtë arsye, sound bites nuk kishin vend në atë takim, dhe as në town halls, synimi i të cilave është diskutimi i çështjeve dhe njohja e perspektivave alternative.

Mund të spekulohet këtu mbi motivet dhe predispozitat e E. Ramës për tu sjellë në këtë mënyrë (shih p.sh. përsiatjet F. Lubonjës mbi narcisizmin malinj), por kjo formë komunikimi nuk është aspak e denjë për një kryeministër. Ndërsa dimë se, qoftë nga mënyra e organizmit të town halls, e qoftë nga qëllimi i tyre, vetëm si mjete marketingu nga Edi Rama, pak shpresë ka që kryeministri të ndihmojë për zhvillimin e demokracisë deliberative në Shqipëri. Ky është i dyti kryeministër që refuzon organizimin e referendumit (ai i importit të mbetjeve), i cili është një mjeti i rëndësishëm i angazhimit qytetar në vendimmarrje.

(c) 2018, autori.


Minozzi, William, et al. “Field experiment evidence of substantive, attributional, and behavioral persuasion by members of Congress in online town halls.” Proceedings of the National Academy of Sciences 112.13 (2015): 3937-3942.

Neblo, Michael A., et al. “The need for a translational science of democracy.” Science 355.6328 (2017): 914-915.

1 Koment

  1. Jetojme ne epoken Ramajana. Rama ne mitologjine Hinduiste eshte i kudogjendur, madje edhe kur vendos gure ciklopike ne brezin e ngushte te oqeanit Indian, per te ndertuar nje ure midis Indise dhe Sri Lankes. Zoti ne mish e kocka zbritur ne Toke. Rama eshte unikal. Ne samitin e vendeve te Europes Juglindore, shkon me atlete te bardha. Njeri qe edhe dramat me te medha te vendit i merr me sportivitet. Ne nje ferme dhish shkon i veshur shik me kostum si aktor Holliwoodi, me ministrin e Bujqesise, N.Peleshi. Nikua rrin me goje te çapelyer, perpara dijeve largpamese, ne fushen e zooteknikes te eprorit. Rama ju heq ndihmen ekonomike diku 20 mije familjeve. Rama shkon ne shtepine e njeres prej ketyre familjeve dhe me tone spartane, shprehet se luftojme keqperdorimin e ndihmes ekonomike. Sipas disa vezhgimeve ne terren egzistojne njerez, qe punojne ne detyra te larta shtetrore, si p.sh. ne dogana, qe perfitojne nga ndihma ekonomike. Ramen edhe Alienet e kane zili. Bash sot derguan nga Kolumbia nje anije fantazem me 918 kg heroine. Rama ju tregoi gishtin e mesit dhe kapi anijen ne Durres. Rama theu nje rekord Guinness duke shpetuar Europen nga nje gjeme marramendese. Rama si Skenderbeu qemoti shpetoi nderin e Europes dhe qytetrimin e saj nga kjo sasi heroine vrastare. Rama zbuloi qe kishte dore Porta e Larte, por shpirtgjeresia e tij beri nje sy qorr dhe nje vesh shurdh ndaj Sulejman-Erdoganit-Te Madherishem. Nje duartrokitje mese te merituar, per analizen e thuket, ndofta me e mira qe kam lexuar mbi dukurine Rama.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin