2 NË 1 

nga Gresa Hasa

Gjithmonë më kanë intriguar ofertat dy në një, ndoshta sepse lojën me numra e konsideroj joshëse edhe nëse kjo e fundit nënkupton thjesht fjalë të vendosura estetikisht mirë pranë njëra-tjetrës. 2 në 1, mundësisht me një format gjigand të numrave dhe parafjalës “në”, shoqëruar me imazhin e ndonjë gruaje gojë-çapëlyer nga kënaqësia e përfitimit ekstra, të cilën nuk e shmang dot nga posterët në rrugët kyç të qytetit. Është gjithmonë një grua e mbivendosur pranë 2 në 1-shit. Shoqëria kapitaliste e ka diskriminuar burrin, duke e lënë jashtë qerthullit të lumturisë që mund të ofrojë 2 në 1-shi, përveçse në raste “të veçanta”, si dyqanet e luleve apo të brekëve të grave, që u bëjnë ulje nëse blejnë dy produkte të ngjashme me destinacione të ndryshme.

Zakonisht bonusi vjen pasi ke bërë një blerje të një shume të caktuar që biznesi në fjalë e konsideron mjaftueshëm bujare sa për të të krijuar iluzionin se po të shpërblen, pasi t’i ka vjelë mirë paratë me produktin apo shërbimin që të ka shitur. Më shumë se dhuratë, kjo duket si njëfarë shfajësimi për zhvatjen. Nga ana tjetër, bonusin qëllon ta përfitosh sidomos nëse ke lindur femër në një shoqëri si jona, ku të qenët vajzë apo grua është pa dyshim ftesë për aventura transaksionale.

Furri i bukës në lagjen time ndjek një politikë të tillë favorizuese që u qan hallin grave por asnjëherë burrave, madje i shpërblen të parat me një lloj të veçantë bonusi që ka për qëllim jo vetëm t’i kënaqë ato si kliente, por edhe t’ua ndryshojë rrënjësisht jetën. Bëhet fjalë për një biznes jo si gjithë të tjerët. Aty vërtet që hahet bukë veç sepse jo vetëm që ke përfitime dhe asgjë tjetër veç përfitimit, por të zotët janë treguar nikoqirë duke mos harxhuar kohë dhe para me reklama llamburitëse. Kot s’thonë se fshati që duket, s’do kallauz. Edhe puna e furrit tonë: veprat flasin më mirë se fjalët, prandaj këto të fundit sa herë që shpërdorohen, i shtohen listës së fukarallëkut në ndërveprime sociale shterpe. Si fillim, atmosferën joshëse të furrit e vë re që pa hyrë, në radhën e gjatë të ndarë sipas gjinisë. Burrat djathtas, gratë majtas (çka më ngushëllon me faktin se gratë së paku janë në anën “e drejtë” të orientimit, nëse do e shihja këtë me një sy hokatar dhe politik). Nuk ke shans të kalosh në anën e burrave edhe sikur aty të mos jenë më shumë se tre vetë duke pritur, ndërsa te gratë radha të duket sikur rrjedh që nga Kombinati, aq shumë syresh presin të blejnë e të çojnë bukën në shtëpi, për të ngashënjyer burrat e tyre nazelinj. Më kujtohet si një herë provova të thyej rregullin dhe të kaloj nga ana e burrave për të kryer punë më shpejt, por përpjekja ime rebele u shoqërua me vështrime dhe komente kritike nga të pranishmit, çka më vonoi më shumë, ndryshe nga sa e kisha parashikuar. Fundja, s’ia del dot me sukses një rreshtoreje të tillë, sado e shkathët të të duket vetja. Rojtarët fanatikë të radhës kanunore të bukës të kanë zënë pritë që pa veshur ti atletet në shtëpi.

Po ç’lidhje ka furri i bukës me 2 në 1-shin do thoni ju? Paguan një bukë dhe përfiton një byrek? Jo pra, jo! Furri nuk merret me gjëra të rëndomta. I ka vënë vetes mision humanitar, pak a shumë si politika e jashtme amerikane. Ja, kur ti mban radhë prapa gruas me flokët e qethur sipas standardit radical bull të moshës së mesme te gratë këtu, pra ca cullufe të dallgëzuara përpara të kundërpeshuara nga një prerje autoritare deri rrëzë veshit, që duket sikur thotë “Ka vajtë aty ku s’mban më!”; dhe para zonjës së moshuar mbuluar me një nape të bardhë në kokë, që shfryn e rënkon, nis pashmangshëm biseda. Natyrisht, e imponuar nga rrethanat, ku asnjërës palë nuk i intereson tjetra, por ja që koha duhet vrarë disi dhe në Ballkan këtë lloj krimi e konsumojmë duke i hyrë tjetrit në hise.

Me trupin kthyer nga unë, gruaja flokë-rreptë më drejtohet si të njiheshim prej vitesh: “Qeke gjithë kjo gocë oj ti, marshallah! Ça ban? A je n’shkollë a n’punë?”. Në sekondat kur truri im po vendos nëse do t’i përgjigjet, ajo m’i ngul sytë, a thua se diç do të zbulojë ashtu. E vërtetë, edhe mua më duket sikur ajo mund të marrë vesh diçka prej meje thjesht duke më zhbiruar, aq sa gati ndihem në faj kur sjell në mend të gjitha ato veprime apo mendime të miat që me siguri do ta skandalizonin. “Pak nga të dyja”, i përgjigjem me një buzëqeshje të sforcuar. “Shkolla ka randsin e vet, ene puna, po koha asht flori, oj ti! Nigjoje ijen tate! Unë vetë shkollë s’kam ba, po u tregova e mençme ene burrin e zgjodha si vetja dhe jeta m’ka hec vaj. Sa vjeçe je ti?” Çuditërisht më pëlqen kjo tipja, ndaj përvesh mëngët dhe pozicionohem në lojë. “Tridhjetë”, e gënjej pa m’u dridhur qerpiku. “Po s’e tregoj. E kemi në racë që tregojmë më pak nga ç’jemi”. Buza më shkon vesh më vesh, a thua se po i besoj edhe vetë dokrrat që nxjerr nga goja. “Marshallah, marshallah”, përsërit ija. “A je e fejume apo e martume?”. “Jam në kërkim të dashurisë” vazhdoj unë, tashmë melodramatike, dhe sytë i rrotulloj andej nga janë ekspozuar kulaçët. “Me këto kohë që kanë ardhur aman…”, psherëtij kot. “Qyqja po ti je gjithë kjo goc! Si maj s’paske gjet burrë hala?!” Zëri i saj ka cekur në atë që Zhani Ciko në emisionin Ethet e së premtes andej nga fillimi i viteve 2000 e quante “regjistër i epërm”. Gratë e tjera, bashkë me burrat, kthehen për të parë sy zgurdulluar. “Qeke si llokum!”, ia këput një burrë në moshën e tim eti, që duket se e ka marrë uria teksa më mat nga koka te këmbët. Ndihem pak si lakuriq edhe pse kam veshur golf dhe tuta. Furri ynë i bukës bën franxhollat më të mira në qytet, por ndonjëherë i vonojnë të shkretat, ndaj ndoshta burri reagon me një impulsivitet kaq gastronomik.

Radha ndërkohë ka ecur, dhe unë gjendem më pranë banakut. Vërej se biseda nuk i ka shpëtuar as shitëses, e cila më sheh me keqardhje dhe ofrohet të më shërbejë përpara gruas. “Ua, jo të lutem!”, e refuzoj me insistim. “Fundja, unë s’kam as burrë që më pret në shtëpi. Vazhdoni me zonjën, se unë do pres radhën time.” Teksa kap një bukë integrale 90 lekëshe dhe e rras në qesen prej letre, shitësja më qaset pa hezitim: “Osht i çun ktu në lagje, ja kshu sa mosha jote, po ta pish në kupë. Familje për së mbari. Prindërit arsimtarë. Vetë më duket se osht inxhinier. Edhe ai ktu e ble bukën. Hudhi i sy se s’osht turp.” Gruaja që ishte përpara meje e ka marrë bukën e saj, por refuzon të largohet pa marrë vesh përgjigjen time. Madje ndërhyn gjithë qejf në bisedë. “Çuni Hekuranit, maj?”, pyet shitësen. “Po mi gru!”, ia kthen ajo. “Hekuranin e kam mik të mirë. Flori e ka djalin!”, na siguron njëri me mustaqe nga fundi. Më doli fati më duket.

I jap paratë shitëses dhe teksa të gjithë presin të them diçka, bëj me shenjë nga një bukë thekre në raftin e drunjtë dhe heq golfin. “Bën vapë!”, justifikohem, ndërsa njerëzit m’i kanë ngulur sytë te bluza simpatike që kam marrë në protestën e fundit kundër homofobisë të Aleancës LGBT në Tiranë. “Flije mendjen plako, ca njerëz janë gay!”, shkruhet në bluzë. E kam qejf këtë bluzën. E përdor ose për gjumë, ose për të vajtur me të te furri i bukës (me ç’duket). “Ej, rujna Zot…”, ija seç thotë nëpër dhëmbë dhe ikën pa më përshëndetur. Ndërsa fansit të llokumeve uria i është ravijëzuar në fytyrë në mënyrë kritike. Ka një të qeshur pizevenge që s’ia honeps dot, por s’bëzaj. Marr bukën dhe bëj të largohem. Ndiej se duhet të  them diçka. “Ju rrofshi për merakun dhe sugjerimin, por nuk mjafton që çuni i Hekuranit qenka inxhinier. Biografia s’mbushet me një të rënë të lapsit”, u them, serioze. “Duhet të jetë djalë i mbledhur, i urtë, kokëulur; të mos veshë pantallona që t’i dalin format e shalëve jashtë; të dijë të lajë, të gatuajë; të mos vonohet në darkë se jetojmë në kohë të rrezikshme – do ishte përgjegjësi e madhe për mua nëse nderi do t’i kanosej nga ndonjë çupë cepave të pallatit, se djemtë janë të brishtë, duan kujdes. S’janë si vajzat që i bëjnë vetë ballë jetës!”

Fill në çast më bie telefoni. “Ja, më mori kjo. U vonova në fakt!”, shfajësohem dhe ende pa dalë nga dera e furrit, i përgjigjem telefonatës me zë të mbushur (nuk e di si do e quante Zhani Ciko këtë tingull): “Po hë mi shpirt se erdha, pse bën kështu?”. “Ç’është kjo shpirt, po hajde se na le pa bukë. Të presim ty ne, se s’kemi punë tjetër!”, turfullon ime më nga ana tjetër e telefonit. Ndjej vështrimin e pataksur të burrave dhe grave pas kurrizit tim, ndërsa drejtohem nga shtëpia me bukën e ngrohtë që lëshon erë kaq të mirë. Këpus një çap dhe duke u mbllaçitur gjithë qejf përgjatë tregut, mendoj se mungesa më e pafalshme në shoqërinë tonë, është sensi i humorit, sigurisht pas asaj të burrit.

(c) 2018, autorja

7 Komente

  1. Gresa pyeta Dr.Pr.Zhanin,ne lidhje me pikpytjen tende,lidhur me zerin,llojin e rregjistrit,me tha”Ti thuaç se eshte ze i bardhe,qe perftohet nga te rinjte meshkuj,qe tridhen ne vogli,per te pasur ate ze qe te alivanos nga bukuria,le te degjoje Jaruzelski-n per te shojtur kersherine,kam nje nipin tim pe Korce,qe kendon serenata,eshte djale per se mbari,i mamakes,i bie mandolines,gatuan kernacka,brumin e bukes e ben vete,e fut tek furri,koret i han vete,tulin ta jep ty,po ta beri zemra rrak tak tak,te me thuaç,dhe e takon me mamaken,se eshte i turpshem shpirtka e xhaxhi Zhanit,po te lutem hiqe ate bluzken e furrit,se na fut ne bela,thot mamaka:ua pika qe sme bie,por kjo nuk ma don çunken time,por po me fut nje te puthur ne buze mua;he te keqen Grace,se je çupkë hijeëmbël”

  2. Ma kujtove kohen e komunizmit,qytetaret blinin buke gruri,ndersa fshataret buk misri,buka e grurit nuk u lejohej,arsyeja nuk e di,ecnin me ore te tera,zbrisnin ne qytet per te shijuar mollen e ndalueme,buken e grurit,por duhej dikush ta blinte per ta,si djal çapajev qi kam ken,qysh n’vogli,mirrsha paret e fshatareve,e gjarpnojsha ne rradh,djerest m’shkojshin per lug t’meneres,”He mor ça ka ba vaki,a jeni kater vet,pash tyrben,çka po t’vyejn,kater buke”-“Paj kan ardh kusherinjt me gra e fmi,se kam ditlindjen”gjegjesha me za te bardhe alla Jaruzelski,si me ken i tredhun,fshataret me shiqojshn si Mujen a Halilin a Omerin,fshajke me prehnin e mushun lot Ajkuna,ama ishin lot gezimi,nsa mbllaçisnin buken e xeht te grunit,kur shkojsha ne shpi,me fytyren mavi,pullat e kputuna t’setres,i kerleshun,ama ma rraske nji flakaresh”Dil i her Mhill pash tok e qiell e shihe pjellen tande heroike”i bzajke babes”Hajt me ba ben se me pune sakrifica,kalitesh,me i sherbye ma mire atdheut” e ja plaske gazit,”Ah si nuk kam nji grusht te fort me i ra malit qe s’bezan”mu dukte vetja si Sizifi,a thue mund i çuem dam…?

  3. Rrofsh Gresa! Shpresoj të lexoj prej teje edhe ofertën 3 në 1 te floktarja (u më fal, se floktares nga lagjia ime i thonë parukiere)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin