NË KËRKIM TË AUTORIT

Jam në një oborr, duke pirë një gotë verë me dikë që më thotë:

“E di si do perfundojë e gjithë kjo? E di si do perfundosh? E ke parë The Bitter Tears of Petra Von Kant të Fassbinder?”

*Marlene vdes për vëmendjen dhe dashurinë e stilistes Petra, Petra është mospërfillëse, Marlene një ditë fiton pavarsinë, ikën pergjithmonë. Petra tashmë e vetmuar qan në perjetësi (pikë).

Unë mohoj me kokë duke kthyer verën me indiferencë të shtirur.

Kohë më pas, mund të them se nuk perfundoi ekzaktesisht si The Bitter Tears of Petra von Kant, por lot pati. Megjithatë…

********************************************************************************

Jam në avion, Alitalia sjell kafen e vet pluhur dhe kthej faqen e parë të një libri që kam dashur të nis prej kohësh, I LOVE DICK nga Chris Krauss, i shndërruar tashmë në kult, jo vetëm për përmasën e vet feministe por për lakuriqsinë me të cilën perball lexuesin. Pas faqeve të para mu duk se jo vetëm kisha gjetur tekstin që i jepte kuptim një morie tekstesh të tjera që kisha lexuar, por mbi të gjitha kisha gjetur tekstin që shkruante atë ç’ka do kisha dashur unë të shkruaja.

Me ndërrimin e faqeve vura re përherë e më shumë se I LOVE DICK  ishte teksti i parë që pas shumë kohësh hynte në rezonancë me historine time VON KANT (kështu do ta quaj). Të lexoje ishte të niseshe në një udhëtim introspeksioni dhe retrospeksioni i cili më në fund po nxirrte unin tim VON KANT të zhveshur para meje, të zhveshur por pa turp. Në faqen 53 i shkruaj mikeshes sime me një lloj entuziazmi histerik sesi papritur kuptoja cdo gjë mbi atë raport, SUMMËN e raportit…

Realiteti gjeti shëmbylltyrën e vet letrare.

E kapur nga entuziazmi për të kuptuar më mirë (ose mbase për të rijetuar sërish), librin e merrja kudo me vete… dersa kuptova që ndoshta dicka pak me ‘malinje’ fshihej pas gjithë këtij narcisismi, narcisisëm i kuptuar si deshira për të lexuar mbi veten, narcisisëm i llojit “unë jam Personazhi”.

Në faqen 178 dehja ime egocentrike, ekstaza se më fund gjeta LIBRIN QË FLET PËR MUA, preku tavanin dhe u perplas mbrapsht si top llastiku.

Citoj:

“Lunedi sera al ristorante abbiamo parlato del film di Fassbinder che amiamo di piu, Le lacrime amare di Petra von Kant.”

Pas leximit të dytë, te tretë dhe atij të katert, erdh faza e parë, ajo që prisja prej kohësh, patetizmi: mendova për gjithfarë lloj shenjash që Universi po më jepte… dersa dicka pak më e erret (arsyeja që nxin) erdh e u ul në formën e humorit të zi duke më lënë të kuptoj se çfare po lexoja nuk kishte në realitet pamjen e “qenit perëndi” që i kisha dhënë unë. Ishte letërsi e fabrikuar pikërisht për mua, për njerëzit si puna ime, me profilin tim, për njerezit si puna e tij, me profilin e tij.

Tisi i profecisë që i mvesha në fillim, tani më beri t’ja plas gazit.

Autorët, të cilët shpesh menaxhohen nga agjentë që e njohin shumë mirë tregun, shkruajnë libra, të cilët shpesh formësohen nga editorë që e njohin tregun po aq mirë. Shoqëria e motorrëve të kërkimit dhe metadatave në të cilën jetojmë nuk ka bërë gjë tjetër vecse na ka etiketuar në ballin tonë virtual me postits të vogla shumëngjyrëshe, nën kategori të ndryshme

ANNA: LIBRA, GIN, MESJETë, NEOREALIZËM, BRITANIEMADHE, 20-tat etj., etj., etj.,

Këto profile përdoren jo vetëm nga ata që shesin produkte, por shfrytëzohen dhe nga ata që krijojne, nga kush prodhon, përfshirë produkte kulturore. Në ambjentet e kompanive, profilet e konsumatorëve vizatohen me marker në tabelat e bardha të e zyrave, marrin emra, karakteristika, gjendje civile, shije muzikore, çdo gjë për t’jua bërë më të lehtë prodhuesve procesin e identifikimit e si rrjedhojë krijimin.

Unë i përkas profilit B, pastaj është personazhi tjetër, profili i të cilit po ashtu bën pjesë në databazën e madhe të profileve… mpleksja e këtyre dy profileve sigurisht do të rezultojë në ekuacionin : FASSBINDER dhe emblema të tjera kulturore me të cilat shoqëria dhe sistemi i edukimit na kanë ushqyer. Emblema të cilat Amazone vijon të na i sugjerojë përdite, duke na bërë të besojmë se “ndërkohë po zbulojmë”.

I gjithë ky qerthull, është një qen që vrapon rreth vetes e kafshon bishtin, pasi sistemi ynë i edukimit, kurrikulat e njehsuara, globalizmi, me qëllimin fundor për të na bërë të ndajmë të njejtat vlera, na ka unifikuar në kategori të cilat jo vetëm janë te identifikueshme nga bota dixhitale, por shndërrohen në humusin kulturor me të cilin do të ushqehemi nesër. Ushqimi kulturor i së nesërmes është ai që modelon forma mentis, dikton dialogjet që ndërtojmë e si rrjedhoje personin që jemi në shoqëri (qe nje periudhë që çdo humor që nxirrja nga goja dukej si batutë e Friends apo How I met your mother).

E gjithe kjo nuk është aspak e re, megjithëse për një moment tingellon po aq distopike sa një kapitull i BLACKMIRROR (sa për të qëndruar tek ushqimi kulturor i unifikuar). Unë nuk kam thënë asgjë të re kur them se UNË, E DIPLOMUAR NË LETËRSI/TRASHËGIMI KULTURORE NË UNIVERSITETIN E NJË QYTETI “TË MAJTË”, ME NJË EDUKIM TË DYTË NE BRITANI JAM NJË KLISHE E KOHËS SIME.

Si rrjedhojë raportet e mia janë klishe, momentet e mia më intime gjenden fare lehtë në një libër të shtypur në 1 milion kopje, dhe të dy ne “VON KANT”-ët jemi shndërruar në kategori shoqërore.

Seria e 4 e sezonit të IV të Blackmirror portretizon historinë e dashurisë të së njejtit cift, që zhvillohet njëkohësisht në realitete të ndryshme, të gjitha këto virtuale.

Po t’i zeme besë Pirandellos e të marrim për të mirqenë se personazhet janë të gjallë, se ata kanë një jetë të mëvetësishme në një tjetër dimension, e se dhe ajo është formë jete po aq sa e jona, do të themi se unë ekzistoj në jetë paralele, në dimensione dhe forma të ndryshme… se njëherë gjendem në një libër, më pas në një oborr duke pirë verë… dhe them të njejtat fjali, ndaj të njejtat momente intime, mbase në perjetësi. Them se dhe une, në secilin prej dimensioneve të mia, mbetem në kërkim të autorit.

 

 

1 Koment

  1. Fassbinder,dhe i fimi i cituar eshte,perjashtim nga trioja:Herzog&Wenders,filma ne hapesira te ngushta me zhbirime psikologjike&heshtje te stergjata,me dy-tre personazhe,ku aktrimi teatror,lot nje rol kyç,tehuajesimi i ngadalte i personazheve,nga shoi-shoi qe merr permasa dramatike,ana pamore perplotsohet me anen shkrimore ose anasjelltas,me librin ne fjale te autorit te perveçem Criss Crauss,ne te njejten vale me regjizorin.Po flas per veten,ekranizimi”Rosa e Eger”H.Ibsen me ka lane gjurme te pashlyeshme,Kinemaja Daneze e rrymes”Dogma” ku Lars von Trier:Dancing the Waves,Dancing in the Dark,Antichrist,Melancholia,filmi mbi3ore me Nicol Kidman,Nimfomaniac1&2 etc ka qene kryefjala,regjizoret e tjere jo me pak te pazakonte,per te kulmuar me kryemjeshtrin Carl Theodor Dryer”Zhan Dark”sulm ballor ndaj puritanizmit protestan Skandinav&puritanizmit te çdo lloj besimi fetar,qe denon epshet nepset romantiken,hulumtimin brendesor te vetvetes,me hone&gremina,pa ndier turp ndaj vetvetes,qe paguan çmim tejet te krisur,duke ecur kunder-rrymes,ne kerkim te qenesishmes se patjetersueshme,qe na ben unik,na dallon nga te tjeret,qe po te duan pasqyrohen permes nesh,nese nuk ju mungon guximi i perballjes me vetveten.Te uroj mbarvajtje,shkrim i thjesht i ndjere plot nenkuptime,duke qene se jam tejet i koklavitur si rob,ju lakmoj apo me mire ju adhuroj menyren shkrimore!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin