ËNDRRA

nga Ana Idromeno

Ndodhem në një dhomë me mure të bardhë. Nuk ka asnjë orendi tjetër në të veç një kubi të qelqtë në mes, të ndriçuar kaq fort sa nuk më le të shoh se ç’ka brenda. Jam megjithatë e sigurt se diçka e vyer prehet aty, diçka që nëse e prek rrezikoj ta thyej ose shkatërroj. Vetë kubi përngjan me mbajtëset e sendeve të çmuara në muze. Dhoma ka vetëm një derë, asnjë dritare. Po qëndroj krahas kubit. Nuk kam mbathur asgjë përpos një këmishe nate gjithashtu të bardhë. Flokët i kam të lëshuar mbi supe dhe po shoh fizionominë e gishtave të mi të këmbës pa ndonjë interes të veçantë. Dyshemeja nuk është e ftohtë, por një ndjesi e këndshme freskie m’i ledhaton shputat. Papritmas një gjarpër i zi gjigand, i gjatë sa lartësia e dhomës, hyn nga dera dhe sillet me ngadalë rreth e përqark meje dhe kubit të qelqtë. Nuk e kam frikë gjarprin. Përkundrazi, ai më ngjall një kërshëri të çuditshme. Por njëkohësisht ndihem disi e bezdisur nga kjo prani e padëshiruar dhe e pakërkuar. Ai vazhdon të rrëshqasë pa zhurmë rreth meje për të m’u ndalur përballë, i gufuar, me sytë pis të zinj ngulur mbi të mitë dhe gojën e lëngëzuar nga helmi. Vërej se trupi im nuk është më i madh se njëri prej dhëmbëve qendrorë të tij. E shoh drejt e në sy pa bëzanë por kjo gjë nuk i pëlqen, madje e xhindos… aq shumë sa pas një piskame shurdhuese ai shtyhet me forcë drejt këmbëve të mia, duke u rrekur të futet i gjithi në hapësirën midis. Zgjohem e mbytur në djersë.

—————————————

Dera e shtëpisë është tejendanë e hapur. Prindërit duhet të jenë diku jashtë, iu dëgjoj zërat por nuk i shquaj dot. Jam krejt vetëm. Po bëhem gati të dal edhe unë, ndoshta t’u bashkohem atyre. Kontrolloj xhepat e xhaketës për çelësin kur në prag shfaqet një gjarpër. Kësaj here gjarpri është i vogël ose më saktë, madhësia e tij është ajo e një gjarpri normal. Ka një kokë simpatike por ai vetë nuk është veçse një gjarpër i rëndomtë i cili po tenton të kapërcejë pragun e shtëpisë time. Unë nuk dua që ai të hyjë brenda. Nuk jam e frikësuar por e nevrikosur. Më prishi planet! Tani duhet të merrem me të – në fakt, dua vetëm të merrem me të. Nuk kam për ta lënë të shkojë! Drejtohem nga ai me hap të vendosur. Gjarpri me siguri e ndien tërbimin tim dhe bën të largohet, por tashmë unë s’mund ta lë të ikë. Dua ta luftoj, të kacafytem me të. Ai zvarritet me një shpejtësi të mahnitshme drejt shkallëve që të çojnë në katin e sipërm të pallatit. Në koshin ku mbahen çadrat, buzë derës së jashtme, shoh një shpatë të shkëlqyeshme ngjyrë gri. E marr në dorë dhe vrapoj pas tij. Vrapoj shpejt. Nuk ndjej lodhje. Gjarpri më përvidhet me mjeshtërinë që duhet ta gëzojnë vetëm këto lloj speciesh. Bëj ta godas, por ai më shmanget. Hidhet në sheshpushimin e katit tim. Unë hidhem pas tij. E godas sërish, por s’ia dal ta zë as këtë herë. I frikësuar ai bën të dalë nga pallati duke rrëshqitur në katin më poshtë. S’do ta lë të ikë! E ndjek pareshtur. Më përvidhet prapë dhe rikthehet në pragun tim. Ndoshta mendon se mund të shpëtojë duke hyrë në shtëpi?! Me shkathtësi dal përpara derës dhe kësaj here qëlloj në shenjë: tehu i mprehtë i shpatës e ka shpuar tejpërtej aty ku besoj se duhet të ketë zemrën. Ai përdridhet dhe ulërin nga dhimbja, pa mundur të shkëputet nga tehu të cilin nis t’ia rrotulloj me ngadalë brenda në mish, derisa e bëj të pushojë njëherë e mirë. Tashmë dergjet i ngordhur mbi pllakat e vjetra. E heq shpatën me të njëjtën ngadalësi dhe e vështroj me sy të zgurdulluar, gati sikur do ta ekzaminoj. E qëlloj sërish. Edhe njëherë. Edhe një tjetër. Ka marrë fund. E shoh ngulazi në sytë e pajetë. Më duket sikur po më sheh edhe ai. Afrohem që ta shquaj më me kujdes kur papritmas gjarpri përpihet nga flakët; shkrumbohet aq sa nuk ngelet më asgjë prej tij veç një njolle të zezë në pragun e shtëpisë time.

Kujtohem që jam vonë. Po më presin.

—————————————

Në këtë ëndërr ndodhem në një fushë të blertë e cila ngjan shumë me një tablo të Van Gogh-ut. Qielli është nxirë dhe bubullimat kërcënuese më paralajmërojnë se shumë shpejt do të nisë stuhia. Nuk ka asgjë aty përveç një teli rrobash në të cilin është varur një fustan i bardhë nuseje. Është fustani im që nuk e kam veshur asnjëherë dhe me ç’duket nuk do ta vesh kurrë sepse një njollë e madhe gjaku nis të përhapet tejendanë copës së butë duke e bërë atë pis. Zemra më rreth fort. Jam e shqetësuar. Kthej kokën dhe shoh se ai po qëndron krah meje duke buzëqeshur i qetë. Sytë e blertë më shohin në mënyrë hokatare më tepër se dashamirëse. A po e sheh ai fustanin? Ka gjak gjithandej, kaq shumë sa tashmë edhe bari po përlyhet. Më duket se është gjaku im por unë s’ndjej asnjë dhimbje fizike, nuk kam kurrfarë plage. Fsheh një gulçimë që mend po ma çan grykën. I zgjas atij dorën. Bëj ta kap për dore por nuk e rrok dot. Ai është kaq afër por mjaftueshëm larg që duart tona të mos rroken. I kam këmbët plumb. Dua t’ia shtrëngoj dorën si njëherë e një kohë time mëje. Ai s’është më i madh se ajo ndërsa unë sapo kam mbushur 14.

—————————————

Mbrëmje dimri. Kam dalë shëtitje bashkë me prindërit. Verën që lamë pas mbusha 4 vjeç dhe mami m’i ka zbukuruar kaçurrelat me karficat që më pati blerë për ditëlindje. Ata më mbajnë të dy për dore. Nuk e di se ku jemi duke shkuar por s’më intereson fort. Jam e gëzuar! Papritur ndalojmë në trotuarin e rrugës kryesore, përballë lulishtes 1 maji. Ka kaq shumë makina që ecin me shpejtësi marramendëse. Si do ta kalojmë rrugën? Aty s’ka semafor. As polic. Është shumë e rrezikshme. Ngre sytë nga im atë por ai ma lëshon dorën i pari dhe kapërcen me moskokëçarje në trotuarin tjetër. Prej aty i thërret mamit që t’i bashkohet dhe i kërkon që ajo të më lëshojë në mënyrë që unë të eci vetë. Jam shumë e frikësuar. Nuk dua që mami të ma lëshojë dorën. E vështroj me lot në sy dhe me zërin që më dridhet i kërkoj të mos më lërë vetëm. Ajo s’ma vë veshin. Paçka se disi me droje, ma lëshon dorën dhe bashkohet me babin, por ndryshe nga ai më jep kurajë që të eci pa frikë. Bëj ta ndjek nga pas dhe e gjej veten në mes të rrugës me makinat që parakalojnë njëra-tjetrën fluturimthi anash meje. Po qaj me dënesë. Kam frikë se do të më shtypin. Të gjithë ecin me shpejtësi çmendurake dhe dritat e tyre mend më verbojnë. Mezi mbushem me frymë nga ngashërimet. Si mund të më tradhtonte ajo e të më linte vetëm në mes të rrugës? Nuk më besohet! Jam e dërrmuar. Nuk jam ndjerë kurrë kaq e trishtuar dhe vetëm. E mbledh veten dhe drejtohem për nga trotuari por ata as që po më presin më. Kanë nisur të ecin ngadalë teposhtë rrugës. Me shijen e kripur të lotëve në buzë dhe me një guxim të imponuar, kaloj në anën tjetër. Tashmë jam e qetë. I shoh siluetën që zvogëlohet për çdo hap që ata hedhin dhe nis të ec në anën e kundërt të rrugës. Zgjohem me faqet të lagura. Paskam qarë vërtet!

—————————————

Papafingo e një shtëpie të vjetër përdhese e ka tavanin të pjerrët dhe tejet të ulët në njërën anë, ndërsa dyshemenë të shtruar me parket. Sende të ndryshme janë grumbulluar pa kujdes aty ndër vite, mes të cilave dollapë, karrige, shandanë dhe një pasqyrë e lartë në formë rrumbullake e jashtëzakonisht e bukur, me një kornizë të gdhendur në dru. Ngjan si një prej atyre objekteve që unë do ta kisha blerë pa mëdyshje në tregun e gjërave të përdorura. I afrohem e mrekulluar nga ai punim që më duket i kryer me merak dhe dashuri. Gdhendja përfshin një degë kryeneçe luleje petalet e së cilës janë përdredhur në mënyrë ta pabindur por delikate. Xhami i pasqyrës është i dëmtuar e gjithashtu ka zënë pluhur. Afrohem dhe e pastroj atë me pëllëmbën e dorës. Mes njollave të kohës shquaj veten. Dukem mjaft mirë. Kam veshur një bluzë të kuqe me mëngë të gjata. Buzët i kam lyer gjithashtu me të kuq dhe jam kujdesur që t’i drejtoj flokët. Më pëlqen ajo që shoh, megjithatë afrohem për ta parë më mire veten, gati sikur kërkoj të vërej ndonjë cen që mund të më ketë shpëtuar por teksa afrohem, një bukël e pabindur më bie përpara syve. E shtyj e çuditur dhe shoh se si flokët po bëhen kaçurrela me shpejtësi ndërsa ngjyra e tyre po çelet. I pulis sytë dhe në anën tjetër të pasqyrës vërej se tufa e bukur e kaçurrelave s’është e imja. Ajo i përket një gruaje tërheqëse që s’jam unë, por një person kaq i afërt dhe i dashur për mua së fundmi. I buzëqesh e lumtur. Ajo ma kthen buzëqeshjen me ngazëllim dhe vijon të më shohë ngulazi. Pasqyra ka pushuar së reflektuari pamjen përreth. Tashmë ajo është shndërruar në një portë komunikimi. Sytë e kafenjtë të gruas më shohin ngulazi a thua se po përpiqen të më thonë diçka. Ia kthej buzëqeshjen duke i lënë të kuptoj se e mora mesazhin. Më ka marrë malli. Pasqyra s’më lejon të kaloj në anën tjetër.

—————————————

Po nxitoj që të mbërrij sa më shpejt tek ajo. Kam kaq shumë gjëra për t’i thënë dhe ne s’jemi parë për vite e vite me radhë. Nuk e kuptova dot kurrë se si shkoi në atë vend pa emër, pa kohë por ajo është atje tashmë dhe unë e kam ditur këtë që prej fillimit. Dua t’i tregoj çdo gjë, deri edhe detajet më të rëndomta të një përditshmërie të vrullshme. E di që ajo do të më dëgjojë me të njëjtën vëmendje si atëherë gjatë netëve të dimrit, kur ndanim gjëra që njerëzit e mençur nuk i ndajnë me askënd veç vetes. Por ne s’ditëm të ishim asnjëherë të mençura në atë kuptim. Dhe kjo ishte gjëja që ia donim më fort njëra-tjetrës. Hapi im i paduruar i përngjan vrapit. E shtyj derën me një frymë dhe hyj brenda. Ajo po qëndron në mes të një dhome bosh, të shtruar me parket. Është një parket i lëmuar bojë kafe. Ndodhet e ulur në një karrocë të paralizuarish, me pamje nga një dritare gjigande dhe e shkëlqyeshme prej nga ku hyjnë rrezet e forta të diellit. Është vjeshtë, jashtë dritares dhe brenda në dhomë. Shoh se si drita e ngrohtë e ka mbështjellë rreth vetes. Është kaq e bukur, si gjithmonë tek e fundit. Po t’ia thoja këtë, do të më kundërshtonte me kryeneçësi paçka se ajo e di që goja s’do m’i nxinte këto fjalë nëse nuk do i besoja vërtet. Më buzëqesh e lumtur sapo më sheh. Ky është një nga ato takimet e shumëpritura të njerëzve që edhe kur s’shihen për shumë kohë, e vazhdojnë bisedën aty ku e kanë ndërprerë herën e fundit, me të njëjtën natyrshmëri dhe zell. Nën rrudhat e moshës i shquaj sytë e zgjuar dhe buzëqeshjen çarmatosëse. Nuk e di se si ia ka dalë, ndoshta kjo s’është fare meritë e saj por në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, e ka ruajtur ende pafajësinë dhe çiltërsinë e fëmijërisë, ende sot në moshën kur njerëzit do përdornin fjalën “nëna” ose “gjyshe” për të t’iu drejtuar (dhe ajo do t’i shante nëpër dhëmbë për këtë). Dua t’ia përkëdhel kaçurrelat e bukur të cilat i ka prerë dhe i ka lyer në ngjyrë të kuqe. Koha ka ecur për të por jo për kaçurrelat. Ata kanë ndaluar në vitin kur njëri shekull ia linte vendin tjetrit dhe janë po aq vital sa atëherë. Nuk e di se në ç’vit jemi ndërkohë. Duhet të jemi larg, shumë larg, më larg edhe se vjeshta kur Amerika zgjodhi një president të çmendur. Gjithsesi, s’jam në gjendje ta përcaktoj dot shifrën. Koha për mua s’ka ecur aspak. Çfarë po ndodh? Po largohem. Nuk po shoh më asgjë. Hap sytë. Gjendem në dhomën time. Dielli s’ka lindur ende. Ndjesia e ngrohtë që po më përshkon kraharorin nuk është ëndërr.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin