IDEIME

Korrigjuesi drejtshkrimor i shqipes i MS Office nuk ma njeh fjalën Idromeno, por më sugjeron, për ta zëvendësuar, formën foljore ideomëni. Me theks tek o-ja: ideómëni. Ja një fjalë që tingëllon surreale, sidomos në këtë urdhërore shumës, me një trajtë të shkurtër përemërore të ndërkallur: ideo-më-ni, ose ju atje, më ideoni mua! Surreale, sepse kush mund ta përftojë gjuhësisht këtë farë “urdhri”, përveçse një kompjuter, që nuk e flet dot shqipen por veç e imiton si papagall? Pa përmendur pastaj që këtë folje, ideoj, fjalorët e mi të shqipes as që e kanë përfshirë; por që gjithsesi do t’i përgjigjej foljes ideare të italishtes, të cilën fjalorët e asaj gjuhe e përkufizojnë si “të konceptosh në vija të përgjithshme idenë e diçkaje që më pas do të realizohet, ose duhet të realizohet”; me një fjalë, të skicosh mendërisht një projekt, një skemë të diçkaje për ta sjellë më pas në jetë sipas rregullave – një lloj si ai arkitekti më i keq i Marksit, që ndryshe nga bleta më e mirë, dhe sido që i bërë tashmë me turp prej saj, e ideon synimin e punës së vet në mendje, para se ta prodhojë produktin në realitet. Dakord, dakord, arkitekti punon me plan, madje edhe sikur t’ia ketë vjedhur këtë plan arkitektit tjetër; por ideómëni sërish më ngec në fyt, edhe është edhe nuk është shqip, megjithë gramatikën që ia ka vjedhur foljeve të tjera shqipe me temë më -o; ka formën e shpëtómëni, shënómëni (dhe mua), harrómëni, dëgjómëni, dënómëni (ashpër), të cilat tingëllojnë më shumë si thirrje dëshpërimtare, se urdhërore të mirëfillta; çfarë e bën edhe më absurde këtë ideómëni, si lutje të një subjekti që – për fatin e vet të keq – ende nuk ekziston, sepse ende nuk e ka ideuar kush; prandaj edhe thirrja vjen nga një përmasë e katërt, ose nga e ardhmja: ideómëni, që unë të mund të ekzistoj dhe ashtu të marrë kuptim edhe kërkesa ime fantazmë. Pa përmendur as që kjo folje, ideoj, se ç’ka diçka sovjetike, prej instituti studimesh marksiste-leniniste, redaksie të një reviste politike për përdorim të brendshëm, shkolle për edukimin organizativ të kuadrove; meqë këtë lloj veprimtarie mendore, ideoj, s’mund ta ndërmarrin veç mendjet e përgatitura, të formuara, të mbrujtura me principialitet. Dhe ashtu do të ketë qenë vërtet, por ja që nuk është më, sepse folja tani i përket së kaluarës po aq sa edhe epoka që arriti ta “ideonte”; ose epoka tashmë e perënduar e liderëve filozofë, që jo vetëm e përfytyrojnë (me largpamësi) të ardhmen, por edhe e krijojnë duke e ideuar. E që, gjithsesi, ata vetë nuk kishin gjasa të thoshin ndonjëherë ideómëni, sepse veprimin përkatës – desh thashë ideimin – ishin pikërisht ata që e ndërmerrnin, herë nga pasioni herë nga detyrimi a imperativi etik; ndërsa ata vetë nuk mund t’i ideonte kush, sa kohë që as shqipja nuk do t’i lejonte (se kush vallë do të guxonte të përdorte një folje si ideoj, përtej dhe pavarësisht pranisë autoritare të këtyre mendjeve kozmike në ligjërim?). Kjo do ta përjashtonte edhe çdo asociacion të foljes ideoj me Idromenon, i cili – si piktor që ishte – bënte të kundërtën, ose i ç-ideonte mendimet e veta, për t’i shndërruar në imazhe; dhe ndoshta prandaj edhe ka mbetur jashtë fjalorit drejtshkrimor të Microsoft Office, i cili do ta ketë gjykuar – jo aq piktorin sa mbiemrin e tij – si të pagjasë për të mbijetuar në atë botë diskursive, ku urdhëroren e shqipes e zgjedhon vetë kompjuteri, i cili në proces e sipër të ideon edhe ty si përdorues.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës

2 Komente

  1. Që Idromeno është jashtë fjalorit drejtshkrimor të Microsoft Office nuk besoj se habit ndokënd, ose po pranojmë të habitemi vullnetarisht për ta vlerësuar mundin e autorit/es që ka kërkuar një lidhje mes idejimit të shkrimit dhe piktorit (dhe ja ku e vura në përdorim këtë fjalëzën-klon të ngjizur nga programi kompjuterik…).

    Përveçse në botën digjitale, me Idromenon qëllon të takohesh në përditshmëri. Pranë njërës prej hyrjeve për në Liqenin Artificial të Tiranës ndodhet piktura e tij më e njohur, “Motra Tone”, e risjellë në kohë nga të rinjtë aktivistë të grupimit “Çeta”.

    http://www.pasqyre.al/te-gjitha/motra-tone-e-zhveshur-ne-call-center/#http://www.pasqyre.al/wp-content/uploads/2016/12/FB_IMG_1480845215016.jpg

    Duket sikur piktura klith pikërisht për të kundërtën e asaj që ju shkruani, për nevojën e ububushme për planifikim, projektim të së ardhmes, mundësisht në 3 e 4D dhe jo në shterpësinë vrastare të 2D.

    Në imazhin e përpunar, motra e piktorit Idromeno e ka harruar gjestin e drojtur e stolitë dhe me një veshje të shpenguar, komunikon (ashtu si edhe ata dhjetëra të rinj në Call Center-in ca hapa më tutje), për të tërhequr blerës të mundshëm të çikërrimave të rëndomta. E të mendosh se ç’mund u është dashur atyre të rinjve dhe çfarë sakrificash kanë bërë familjet e tyre që ata të shkollohen e të marrin një diplomë…

    Pasja e një plani për të ardhmen nga A-ja tek Zh-ja është një luks për të cilin Idromeno me siguri nuk e vriste fort mendjen, sepse ishte artist dhe thjesht “fotografonte” artistikisht në 2D. Në fakt, realitetin e jetojmë në 3D, madje në 4D, nëse marrim parasysh faktorin kohë.

    Koha është ajo që i vlerëson edhe më shumë veprat e artit duke bërë të kujtohen emrat e autorëve të tyre, ose duke i nxjerr bojën pa mëshirë castigat një realiteti aspak piktoresk e të njollosur, frut i punës së ekipeve të ideuesve (çudi e madhe me epshmërinë e kësaj fjale dhe jo vetëm!), nga të cilët pritet dhe besohet që të jenë të paktën largpamës (në nivel afatmesëm), se vizionarë (për zgjidhje afatgjata) druaj se është një kërkesë ca si shumë futuriste.

  2. Edhe aq kot nuk ja paska futur kompjuteri, se shoh që fjala “ideoj” ekziston si “hyrje e re” tek Fjalori i Gjuhës Shqipe, botuar në vitin 2006.

    http://fjalorthi.com/ideoj

    Sidoqoftë, akademikëve që kanë punuar për fjalorin dhe të tjerëve – prej të cilëve pritet të ideojnë të ardhmen e të vlerësojnë të shkuarën – u kanë rënë boll rrufe nga “maja e Olimpit” dhe nuk besoj se i meritojnë këto qejfprishjet për një fjalë që disave u thotë shumë në lidhje me të tashmen e ca të tjerë i dërgon në të shkuarën.

    Dhe nuk është aspak çështje shijesh gjuhësore.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: