MENDIME TË PAKREHURA (XXXI)

(nga Stanislaw Lec*)

Edhe të vdekurit e kanë një gjuhë të përbashkët me të gjallët: heshtjen.

E urrej vetminë, sepse më ndjell mallin e turmës.

Opinioni i tyre pozitiv se ç’më lë një mbresë negative.

Një tru i kufizuar përmban një sasi të pakufizuar idiotësish.

Kush i apelohet vetëdijes, nuk ia njeh përparësinë.

Kujt nuk ka fytyrë i përshtatet çdo ngjyrë.

Që kur e kam njohur, nuk e di më cili është.

Kë imitonte majmuni, para se të bëhej njeri?

Ka artistë që, që nga fillimi, parodizojnë veprat që nuk i kanë shkruar.

E quan dhimbje të ekzistencës. Faktin që të tjerët ekzistojnë.

Heshtja duhet dëgjuar në kontekstin e vet.

Boshllëkun e vet e mbajti shënim për një mijë faqe.

Tirani i urryer shumëve u dukej më i lezetshëm kur ia shihnin fytyrën në monedhat.

Askush nuk do të më bindë ndonjëherë për vdekjen time.

Sheshet shpesh lindin ngaqë kryqëzohen rrugët.

Uria: një oreks kaq akut, sa mund të vrasësh të tjerët.

Le të marrim shembull: aktorët grekë nuk i përdornin fytyrat e veta as në tragjedi, as në komedi. Mbanin maska.

Bota nuk mund të popullohet vetëm nga Sokratë. Nuk do të mjaftonte çikuta.

Ishte shpesh As. Në mëngën e vet.

Veç t’i mbijetojmë jetës, se pastaj do t’ia dalim.

Të gjithë duan të jetojnë deri sa t’i vijë botës fundi, ndonjëri madje edhe më pas.

Edhe pas ca lloj duartrokitjesh duhen larë duart.

Ka origjinë antisemite.

Disa sëmundje vuajnë nga pashërueshmëria.

Nga çmendinat mund të dalin të shëruar veç pacientët, jo mjekët.

Ka ca që, duke tundur shkopin, mendojnë se janë dirigjentë orkestrash.

Edhe kur fiton të drejtën e qytetarisë, shpifja nuk bëhet e vërtetë.

Mos i besoni kur hiqet si budalla. Është edhe më budalla se aq.

Shkrimtari mund të vdesë realisht në një fushë beteje të përfytyruar.

Dikush lind për të thënë diçka, dikush tjetër për të mos ia lejuar.

Jam fizionomist. Pafytyrësia më thotë shumë gjëra.

Atyre që kanë paguar me jetën e tyre, nuk di njeriu ku t’ua dërgojë kusurin.


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

4 Komente

  1. “Bota nuk mund të popullohet vetëm nga Sokratë. Nuk do të mjaftonte çikuta.”

    Midis cikutës (Cicuta virosa) dhe kukutës (Conium maculatum), Lec paska zgjedhur të parën. Ekzistojnë disa hipoteza “të pakrehura” që anojnë më shumë nga e dyta, po ndoshta kjo nuk ka patur shumë rëndësi për autorin.
    https://www.botanical.com/botanical/mgmh/h/hemloc18.html

    Për më tepër, përkthimi i emrave të bimëve në shqip është disi i vështirë, pasi “Fjalori ynë nuk i jep emrat latine të nomenklaturës standard për [to]”, sikundër shkruan me të drejtë Z. Vehbiu këtu: https://www.goodreads.com/author_blog_posts/14335219-gramatika-e-helmeve

    1. Autori e ka pasur në rregull – gabimin, nëse është gabim, e kam bërë unë. Megjithatë, sikurse jam lutur edhe më parë, korrigjimet për çështje gjuhësore në përkthimet do të preferoja të m’i bënit privatisht (aq më tepër në raste të tilla të diskutueshme).

  2. Bota nuk mund te popullohet vetem me Sokrate nuk do te mjaftonte çikuta-shpoti thumbuese nga kreu ne fund,kryeveper sa per gabime nxitimi shperqendrimi etc vogelsira pa kurrfare rendesie,edhe pse ju A.Vehbiu jeni tejet i perpikte dhe i çilter ne ate qe arsyetoni.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: